Tuesday 17 June 2014

Njeriu me ombrellë

Foto nga interneti

Për Njeriun me ombrellë e dija se ish vendosur në këtë shtëpi para shumë vjetësh. I ardhur nga “Bregu i mjellmave”, lagje e qytetit e njohur për qetësi, rregull dhe njerëz të pasur. Me profesion ishte projektues, bile disa prej pallateve të kësaj lagjeje i kishte projektuar vetë. Në rrethana që nuk dihen, ishte ndarë nga bashkëshortja dhe ishte vendosur në shtëpizën që i ngjante një barake fermerësh, ku liheshin mjetet e punës dhe, në raste të veçanta, edhe mund ta kalonin natën aty. E shihja tek dilte e kthehej me ombrellë në dorë. Gjithmonë në kohë të caktuar, gjithmonë ombrellën me vete. Përherë i saktë. Fillikat vetëm në shtëpizën e vogël, krejt të vogël, ngrysej e zgjohej. Të hënën lante, pastronte tërë ditën e lume. Të mërkurën shkonte në bankë për ta parë gjendjen e llogarisë bankare. Të martën e bënte pazarin, të enjten, të premten e kalonte në bibliotekë, të shtunën, të dielën shkonte gjithandej qytetit. Përditë në orën e caktuar e hapte kutinë e postës. Për moshën që kishte, mbahej mirë. Nuk afrohej me njerëz dhe të linte përshtypjen se është egoist. Një të shtunë, kur po shkonte për të paguar tiketën e lotos, më tha: “Qëndrimi im në këtë mëhallë është i përkohshëm, nuk është për mua ky qymez (aludonte në shtëpizën ku banonte). Shpresoj  se frik kam për t’iu kthyer jetës që e kam pasur dikur. Nuk dorëzohem. Mbahem fort në këmbët e mia. Depozitimet e parave të mia në bankë kanë shkuar mbi 1 milion dhe unë jam gjithnjë e më afër  kthimit në lagjen “Bregu i mjellmave”.  Sapo të kthehem do t’i thërras në një darkë të përbashkët njerëzit e mi: gruan,  vajzën...  ata që ma përlanë pasurinë, që më detyruan ta shisja pallatin dhe pjesën që e morën po e bëjnë  rrush e kumbulla. Do t’u them: Hej, gjallë jam, gjallë!
Rregulloi kapelën e madhe në kokë, nxori nga xhepi tiketën e lotos dhe përfundoi:
Shiko, po dëgjove se janë tërhequr numrat si këta, dije se unë kam fituar. Janë këta numra që i luaj me vite të tëra. Ja, këtu është fati im!” – dhe u largua me një ecje të krekosur, duke shtrënguar tiketën në dorë.
Pas këtij muhabeti gjithnjë e më shumë më interesonte Njeriu me ombrellë. E vështroja nga xhamat e dritares sime: sa më shumë kalonte koha, hapi i tij bëhej gjithnjë e më i ngadalshëm, krahët e gjatë, që i vareshin në të dy anët e trupit gjithnjë e më të plogësht, dukej i dërrmuar, i rraskapitur, si një ushtarak i shpartalluar, i plaçkitur pas betejës së humbur. Hyrje-daljet i rralloi. Hoqi dorë prej shumë aktiviteteve të përditshme. Nuk e ngiste makinën, nuk largohej shumë nga shtëpia, kutinë e letrave nuk e hapte me ditë të tëra, ecjet gjatë mbrëmjeve i ndërpreu, vetëm të mërkurën gjente forcë për të shkuar në bankë. Gati për çdo mbrëmje kthehej te ai një njeri me zë të ngjirur, i cili nuk merrej gjatë me të.
Të shtunën në mbrëmje po shikoja tërheqjen e numrave të javës së fundit të lotos në TV. Një për një u tërhoqën numrat e Njeriut me ombrellë. “Këtë po priste ai - mendova. I lumi, i paska buzëqeshur fati”. Sapo bëhesha gati për ta parë gëzimin e Njeriut me ombrellë, sakaq u dëgjua sirena e ndihmës së shpejtë, që u fut me ngut në oborrin e shtëpisë me dërrasa dhe me ngut doli jashtë saj.  “I shkreti, e paska hëngër!  Nuk ka mundur ta përballojë lajmin e gëzuar për shumën aq të madhe të parave të fituara.”
Nga dera gjysmë e hapur e oborrit prej nga me uturimë doli autoambulanca, arrita të dëgjoja Zëngjirurin, që po i fliste një burri trupshkurtër: “Gjatë gjithë jetës ka qenë skajshmërisht  i drejtë, kurnac e lakmitar për para e fitime, për rregull, për disiplinë...  Jetën e bënte  duke kursyer për çdo gjë; nuk pranonte ftesa nga askush, që të mos ishte i detyruar t’i kthente, gjërat i blinte me çmime të ulura. Kur i mbushej mendja për diçka, ishte  shumë i vendosur. Kish bindjen se një ditë kishte për t’i buzëqeshur fati. Nuk e pranonte ndihmën e askujt. Me çdo kusht donte të ishte vetvetja. Ishte i pasur, por jetën e bënte si është më keq. E shoqja ishte ndarë, duke ia marrë edhe të bijën, ngase nuk kishte si t’u rrinte në këmbë manive të tij. Unë shpesh kthehesha te ai, më dhimbej se e kam të gjakut tim, afrohesha deri te dera dhe kthehesha prapë. Tiketa e lotos, e papaguar,  iu gjet në tryezën e bukës. Fatpreri, sapo kishte dëgjuar në TV se ishin tërhequr  numrat e tij,  mezi kishte arritur ta thërriste ndihmën e shpejtë dhe ishte rrëzuar pa ndjenja në dalje të derës së shtëpisë.”
Sabit Abdyli

No comments:

Post a Comment