Thursday 11 April 2019

LETRA PËR BABUQIN GASTERBAJTER NË GJERMANI 1 - 32

Letra 1
Babuq,
Njerëzit me lidhje e t’njofshëm kanë marrë pozita, kanë zanë vene t’punës. Po vjedhin, uzurpojnë, marrin ryshfet, ju ka dal tamli përmbi përshesh. Këta që nuk po kanë punë, kryet për hava.  Havaja nuk po ju qet me hangër. Ju, shyqyr që jeni qatje, babuq. Unë s’po kam çka me ba, kur po mërzitna, po dal n’kafe-restorant “Blini”. Aty po bajmë miting me shokë. Po i kajmë hallet, po pimë kush kapuçino, kush makiato pa plumb secili sipas takatit, mue për veti ma shumë po ma kana birrën, bile edhe për drekë nuk po kthena në shpi. Shka me shku n’shpi kur edhe në restorant dreka asht gati badihava. Golfi boll m’u ka vjetrue. Sot, Sadushi m’tha,  kur po ta çon ni kerr të ri babuqi. Hiç nuk i fola, ku po di qysh i ki punt ti? Drejt me t’kallxu, boll inati m’erdh. Aj askushi  me ma kalue me kerr. Në mramje po dal në internet kafe. Shka me ba? Nuk po kalon koha ndryshe.  Sadbereja po m’dhimet qe po la vet në shpi, po edhe ajo po hin në çat (chat), bile kur po asht online po foli me ta. Shopingin po e baj në Benaf, ma lirë shumë aty senet. Leutrimi  i ka lanë studimet. Hej njeri, - m’tha dje, shka me krye fakultetin, qe, Tefiki e kryti dhe boll kull djalë asht po punë nuk po i japin. Krejt me t’njofshem po shkon. Kush po ka lidhje edhe me diploma fals po punojnë. Si t’baj pak pare edhe unë e blej nji diplomë. Nashti u kanë mirë me ja pas gjet nji nuse me vizë Leutrimit. Po dreqi edhe po zgedh, valla. Kish ardh qatje me juve. Kish gjet shkado punë në t’zezë dhe nuk kish pas qare pa pune se këtu edhe huna në tokë m’i ra nuk e merr. Tash kurkush nuk e ka punën e sigurume këtu. Po varet cila parti po fiton. Sivjet janë zgjedhjet dhe nuk po di me ka me u ba. Ku dreqin me ditë se cila parti po fiton. Për qata njerëzia u myten tue ndërrue  partitë për ditë. Me fitue partija jote, mirë. Me fitue ajo tjetra t’qet pa kapuç prej punës. Dardana, mesa jote, hiç nuk po hin mrena, shpia ju ka bo uk. U regjistrue n’kurs të anglishtes. Ka mësue nji namin anglisht dreqi. Kqyre çiko, i tha nana e vet, i ke bo do vjet … me ta gjet ni burrë Qy, qy ia kthej ajo, ti po m’gjon burrë? Në punë të mija mos u perzi! E di unë sa vjet i kam ba. Dhet iz mai problem, ok-ej (ky është problemi im, a po kupton)! Ramadushi i mahallës Te plepat ka marue ni dyqan mids Ledines t’madhe edhe ni çezme si fontanë. Po thojnë se kanë me ja prish këta të Katastarit, po fotografitë e tokës, e arave, e shpiave  po thonë i kanë marrë shkijet me veti n’Serbi. Disa tjerë po thonë; ua ka mush gushën me ero Ramadushi ktyne që e masin tokën dhe nuk ja prishin kurrë as dyqanin, as fontanën. Paret, që m’the në telefon se po m’i ha xhepi, nime qashtu asht. Kerri, agregati, telefoni fiks, rryma, interneti, mobili i Trimit, Dardanës, i jemi po kushtojnë edhe mujt e shpesht, o babuq, sahora po shkojnë. Shfajc aparatin, e aletet që i ke pas prue para luftës i kam gjet te Zaimi i Lamit. I kish qit me i shit në pazar, pisi. Këto maqina e alete janë të babuqit tem, i thash, kur i pashë, po  tha Zaimi, kam dashtë me ti prue disa here e me t’ba sëpraiz, po nuk qillojshe në shpi. I kam pas gjet mbas luftës në shpi të Tasiqit. Ding me sene të shqitarëve e kish pas mush shpinë krimineli… bezbeli, nuk ka mujt krejt m’i çue në Serbi se nuk kish lanë kurgja. Kush ka mujt aty ka marrë. Mirë, mirë, i thash, secili u deshtë m’i marrë senet e veta, jo edhe t’hujat. Po atëherë, me niherë mbas luftës, njerëzit e traumatizuem nuk kanë ditë se shka asht e tij dhe shka asht e huja. Donte me u arsytue diqysh hajni. Këta të partive e kanë nis fushatën elektorale. Po premtojnë se kanë me nreq teleferik me ec për hava deri në maje të Lubetenit, me shtrue rrugët me shkue n’ara e n’mal, me hap vene t’punës, me udhëtue pa viza nëpër Evropë. Sa herë e përmendin Kosovën kurrë nuk harrojnë pa ia shtue edhe bishtin “multietnike”. Fjalë në hava sa të duesh. Nime, kanë asfaltue do rrugë, po nji shi me ra, ni diell i fortë me nxe po  gërryhet, po shkrihet asfalti. Golfi gati m’ka ra për toke. E kanë lshue amortizerat, trapi i parë e i mram. Rrugët krejt me gropa. Tash nuk po muj me hyp golfin në trotuar me parkue se po zatet.  Ifuz Teneqja ua ka zanë dritën e frymën kojshive, ka marue shpi katër kat, me bazen mrena e nxemje solare. U bo riç  (i pasur) me nji dyqan afër shkollës t’mesme tu shit enërxhi drink e cigare. Disa po thonë se Ifuzi përveç enërxhi drink, cigare e cingli - migla tjera shet edhe mill të bardh. Tatari i raft në fije. Policia,  hajnat e vegjël po i zanë, po t’mdhajt s’po mujnë. Policët me mbiemna që ju marojnë me  -viç hala nuk po punojnë. Po presin shka po ju thotë Beligradi. Pse me punue, rrogat po i marrin, rrymën nuk e pagujnë, po rrinë në shpi dhe po vajtojnë pse u ba Kosova e Pavarme? Kurrë mos knofshin! Edhe këta t’hujt i kanë marr vesh se po kajnë me lotë përpjetë. Nanuqi tash që ka ardh a po gatuen llokuma për mëngjes? T’mira boll m’i hangër me mermelladë t’kaçave e çaj Cejloni. Ani tash me saçin elektrik keni m’u knaq me pite e flija, nanuqi nuk priton.  Sivjet e kemi ma lehtë me shkue n’deti. Rruga për në Durrës po thonë do me u nreq. Disa lider partish, veç për inati  t’Sali Berishës, nuk po kanë qef me u krye rruga. Mirë, thojshe ti se shyptari për inati t’resë thotë m’dekt djali. Valla vjet, kur shku’m rrugës vjetër  n’deti, Sadberen e Dardanën i ka pas myt tugi prej kthesave të m’dhaja. Edhe mue dy ditë m’u kanë merr ment. Leutrimi, dreqi i fortë, si mbërrimë në Durrës menjiherë i tha nanës vetë: “Po dal pak me shokë” . Kur u ktheva i rash kah Qafë-Thana.  Ngat, atij qytetit ku u ba marrëveshja mes shqitarëve e sllavo-maqedonasve na nali policia. Na mori dokumentet dhe,  jo i keni grah shpejt, jo rrotat i paskit dyz t’hankta,  jo ku jeni kanë. Leutrimi i nxori 5 ero e do lekë qe na paten met dhe nji shishe konjak Skënderbeu ja dha policisë. “Dobro, sega odite”, na urdhënuen policët, demek shkoni. Shishen e konjakut naj kthyen, nuk kem nevojë për ujë me ngjyrë t’konjakut, thanë.  Libija e Egjipti nuk po na pranojnë. Ky sehirbazi i Serbisë, Jeremiqi u paska thanë Gadafit e Mubarkut … se asht nip i myslimanëve, po nuk ju ka tregue  se raca e tij për nji ditë i ka vra 8000 myslimanë në Srebrenicë. Valla babuq, shqiptarët hiç nuk kishin pas ditë se ka e kanë mik e ka anmik. Janë kanë pas myt tu lanë emna fëmijëve: Naser, Sadat, Gadaf, (n’Kosovë e Maqedoni), Marks, Stalin, Vladimir, n’Shqipni)  bile edhe kangë për ta knojshin. Nejse, shyqyr qe jeni qatje, rrymë e ujë keni non stop. Këtu edhe ilaçet fals janë. Daja Tafë e ka fitue tenderin mi lye dy shkolla. Qysh bre dajë, i thash, ti as mistri nuk ki, qysh i lyen shkollat? Heee u përgjigj, unë e shpalli tenderin tash vetë dhe ja jap tjetër kujt. Kallxoj nanuqit se gëzohet për vëllain, që po fiton hiç pa u lodh. Baci Qerim ka pas bo plan me martue Kreshnikun kësaj vere, po nuk po mundet me gjet muzikë. Krejt kangëtarët ishin t’zant për sivjet. Kreshniku nusen moti e ka prue n’shpi, po pati qef mos me shty edhe nji vjet dasmën.  Për pak me harrue me t’kallxue se m’ka thirr Marengleni prej Durrësit.  “Hë, tha, mirë je? Në ç’muaj do vish për pushime? Dëgjo, dhomën do ta kesh sivjet me klimë, ventilator siç thoni juve, krevat, shtrojë, çarçafë e komodinë të re, muret e banjos i kam veshur me qeramikë të importuar nga Italia, dushin fringo …” Ma bani qefin Marengleni që veti për Sadberën, Dardanën e Leutrimin edhe juve kurrë asnjiherë nuk e le pa ju përshëndet. Mos u ban marak që nuk po ta lanë antenën satelitore me qit n’ballkon për me shikue RTK, KTV, RTV21. se kurgja nuk po qesin. Politikanët si n’Shqipni, si n’Kosovë e Maqedoni po donë me hangër mish njani-tjetrin. Gazetat po rrejnë se janë të pavarme. Para do ditësh erdh për vizitë në Kosovë Leka Zogu. Disa u gëzuen për vizitën e mbretit, kurse disa tjerë thojshin nuk asht mbret, as kurgja. Gazetat po shkrujnë se edhe Skënderbeu, Nana Tereze nuk janë kanë shqiptarë.  Mirë tha nji ditë Baci Beq, kaje bre nanën kur gjithkushi u bo gazetarë e historian.  T’hujt kanë shkrue e po shkrujnë ma mirë për neve se na për veti. Këto ditë, shteti shyqyr dha urdhën m’i vra qentë endacakë se nuk guxojshim me dal n’rrugë prej tyne. Ishalla nuk merr vesh për këto vrasje Brizhit Bardo se ka m’i qit punë qeverisë. Shka me kallxue tjetër?  Baci Ramë e ka harrue venin se ku i ka fsheh paret e s’po munet m’i gjet. Djemtë e rejat nuk po i  çojnë ma pare se po i thonë; “as s’po di m’i rujt, as m’i harxhue”. U bo copa tu’ lyp, po badihava. Shyqyr, i rriti vjetët me  dy ispat (dëshmitarë) dhe tash po merr pensionin 40 ero se ka pas met kurrqysh. “Rama, i paska thanë Sadberës gruja e tij, Nailja, dry dreqi asht, i di ku i ka paret, po nuk kallëzon.” Valla, qashtu nashti asht se teta Ale nuk rrenë. Ha, desh harrova me t'kalëzue se ka ardh prej Turqisë djali i bacit Veli, Sherafedini, po do me ndërtue nji fabrikë me marue çamçakëza shuga fri (pa sheqer). Kryetari i komunës u myt tue rrah gjoks se prej kur e ka marr pushtetin ai, në komunën tonë  kanë filluar  të investojnë me të madhe edhe të huajt. Mirë thojshe ti se politikani i mirë  asht ai që nuk e tepron me rrena, po tanët valla ... Nejse babuq, se Sadberja e paska bo gati qullin për flija. Me neve po vjen në Prevallak edhe Sela me Azën. Selam krejtve natan! Tung!
Maj, 2009

Letra 2
Babuq,
Leutrimi, po kallxon Sadberja, t’shtunën tjetër e kryen qat shkollën për kompjutera që e pat nis para 1 muji. Paskan me u mbledh krejt shoqnija me festue në restorantin “Evropa”. Po lyp me ble kat teshave. Ani tash edhe Dardana e kryen kursin ... ku me dit çka ka me lyp edhe ajo, mos vet për neve. U zbardh puna e pareve të bacit Ramë. Teta Ale u çue me lye shpinë se i vijnë djemtë për pushime. I paska gjet paret në yklyk t’odës.  Lej aty, i paska thanë baci Ramë se ma mirë ruhen qaty se në bankë. A po sheh çka u bo me paret e fondit pensional të Kosovës, i kanë shti në banka t’huja, po përditë po ju avullohen, kurse bankat tona kur po donë hajnat po i thejnë e po i plaçkitin. Tash baci Ramë, pensionin po e merr, paret i ka gjet, cepin e krahut t’djathtë po e mban ma nalt, i ka hyp nji jardam sa nuk po preket me dorë. Sindikatat e Pavarura të Kosovës këto ditë organizuen nji protestë n’Prishtinë. Në protestë dulen sa merr nji autobus njerëz ditëve të pazarit. Çka me dal, sindikatat, shoqatat joqeveritare këtu nuk kanë kurgjo n’dorë. Kush nuk ka pushtet, euro, kerr as në darsëm nuk e thirr kush.  Ju shyqyr që jeni qatje.  Mbramë me Sadberën shkum me ja ba për hajr kuzhinën e re bacit Qerim.  Valla, mirë ia kish nreq nji mjeshtër nga Gjilani. Thash me pas marrë edhe unë qat mjeshtër kur ta nreqi kuzhinën se, kjo që e kemi u vjetrue.  Nejtëm e pimë çaj në korridor.  Kur u kthyem në shpi Sadberja, m’u ngjit: “A e pa, qysh i rujnë senët hallki? Tue pas gjithë atë sallon, ata rrishin në korridor! Ani, kur dulëm, i kishin hap dyert e dhomave, kall dritat që na m’i pa tentenet, qilimat, ormanat në dhoma, mbulojat e kukullat mbi shtrat. Qy, ia ktheva, çka po ju merr lakmi atyne që sallonet e ndejës dhe dhomat e fjetjes i rujnë m’i pa hallki e vetë rrinë  e flenë n’korridor për gazepi. Disa valla babuq, hiç nuk po e nin krizën, bile edhe ma shumë janë dhjamos.  Ifuzi ka humb pa shejë e pa nishan. Po thonë se i ka ardh jaranesha prej qytetit Qystendil të Bullgarisë dhe e ka rrue dreqi me te diku në hotelet luksoze të Shqipnisë. Mos vet për gruen e tij. U ter e u tha, me pa, nuk t’çon mall insani. Hajt, i paskan thanë shoqet, shyqyr i ki djemtë, çikën...  Edhe djemtë edhe çika, përgjigjet ajo, qati dreqi janë, gjithë natën e lume nuk hin mrena. Veç mos u ktheftë kurrë, se ka me ja hangër dreqi atë çehren e ndryshkët si t’nanës vet. Valla babuq, Ifuzi e ka teprue ...  tash gratë nuk po durojnë si përpara, pak me za t’nalt me ju fol menjëherë e thërrasin Kforin. Sllavo-maqedonasit po shkruajnë libra se janë popull antik në Ballkan. Kur i tregova Sherafedinit se maqedonët po thonë nuk jemi sllavë, atij desh i ranë brijtë tue kesh. Valla Sherafedin, ia ktheva,  ti po kesh po liderë zezët partiak shqiptarë, Cervenkovski e Grueevski, sa herë po donë po i mashtrojnë.  Në Kosovë partitë e daluna nga lufta e kanë nis “luftën” me akuza e kundër akuza boll të tharta. Zot, bane hajr! Ramadushin, Car po e thirrin tash, po bjen mall prej Dubajit ... shitje nuk ka hiç, po t’mirat i kanë gufue. Para dyqanit e ka shtrue kalldrëm, rreth çezmës ka nreq ulëse me pushue, ka mbjell druj... Meranë e zuni krejt. Nejse babuq, shyqyr që jeni qatje se, njerëzit këtu kanë ndryshue si hana me diell.  Mirë që nuk ja ke dhanë parët shacit të bacit Ramë me mi prue. Nuk ish met me i besue. Kish ndryshue shumë. Flokt i kish lidh e rrit  përmbrapa sa bishti i kalit bacit Aqif. Na krymi me rrena. Si po e shohin njerëzit po ikin prej tij si prej dreqit. Bile edhe baci Ram nuk po mun me ju gjimue rrenave të tija. Hiqu tij, na tha nji ditë. Ish ba m'i shkrue.  Nashti luen naj kush tjeter këto ditë e ma çon naj euro se krejt senet kanë hyp. Sot, babuq nuk dola hiq se drejtën me ta thanë u ba rrezik me dal në rrugë. Kolonat e dasmorëve në rrugë  t’fshijnë si mos mu kan hiq, besa rrezik edhe prej plumbave, me allti veç nusja nuk qet. Rezultatin e votimeve se kush ka fitue në Shqipni hala nuk po e japin. Mirë tha Sherafedini dje, përpara kam me ndreq fabrikën unë se ata ne Shqipni  mi numrue votat.  Me qet numërimin e votave valla boll po tutna mos po bahet naj tollovi si në vitin 1997, po me prit deri sa të ipen rezultatet përfundimtare vera shkon. Edhe babuq, nuk due me u korit me Marenglenin)* i kam thanë se kam me ardh. Tung babuq se po shkoj me u marr vesh me Selën në ora sa me u nis për Durrës. Thash ma mire me dy kerre se rrugës po ban vaki çkamos. Suxhukun, babuq sivjet po e marrim me veti, ky i joni ma i mirë edhe ma kallaj po e ban Sadberja për mengjes, se drekën e darkën i hamë qaty me nji restorant ngat plazhës. Si t’mbërrij atje ju shkruej. Selam krejtve!
Korrik, 2009
)* Emri Marenglen është i sajuar prej tri shkronjave të para të emrave: Mar-ks, Eng-els e Len-in, ishte shumë popullor në kohën e rgjimit të Enver Hoxhës.
Liria me karar. Gjella me kripë e kripa me karar.- thotë populli.
Letra 3

Babuq,
Dardana po lyp me ba hundën operacion, qy, i tha nanës vet, vajza e Ifuzit e ka ba gjoksin, pse edhe unë mos me ba hundën?  Hundën kalem të drejtë dhe fytyrën xham e ke, po mend nuk ke hiç, moj bija ime, i tha Sadberja. Po  ajo, qykë dreqi. Kam me ba se kam me ba. Bacin Ramë e kanë zanë tue shty megjën e arës së bacit Qerim. Sherafedini nji  ditë  m’u kajt, nuk po më lanë me i çel sytë, tha, asnji punë nuk po muj me krye pa dhanë ryshfet. Zot bane hajer, nanuqi sivjet i ka shti turshit si në Evropë, e ka mësue Saranda, që e kanë kthye prej Zvicrës se nuk ja kanë pranue azilin. Qysh me ja pranue azilin babuq, Saranda me fëmijë e bardhë si bora, pa ditë asnjë fjalë magjupisht, kanë rrejtë se janë magjup.  Krejt këtu babuq po donë me u ba si në Evropë. Rrugët plot vajza e gra të cullakume me qenusha për dore, djem si karikatura me mjekra, flokë pa kreh dhe me përzemërsi të teprueme e fallco. Nanuqit dje i ra mobili prej palve te dimive në ciment dhe pikë me kashore ju ba. U ba  marak shumë. Qe, bre nanuq, i thash, merre,  në desh mobilin tim, në desh të Sadberës, në desh të Dardanës se babuqi na çonë nji tjetër për Shacin e bacit Ramë. Jo, tha, po due me pas timin edhe atë sa ma shpejt.  Djali i Ramadush Carit  e ka prish e nxi krejt asfalltin tue i dhanë shllajf veturës. Kur del ai me veturë, krejt ia lëshojnë rrugën. Këtu,  se m’u kanë në Evropë, nuk e lanë me dal hiç në rrugë. Vetëm te ne shqiptarët,  thuhet: “Budallës lëshoja udhën”. Në kishë të Deçanit, këto ditë u majt nji tubim i madh. Kryepopi  serb, në vend se me kërkue falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime e gjenocidi që kanë ba shkijet e tij në Kosovë, ai, çka asht nji e zez  tha për shqiptarët. Foli e rrejti sikur kanë folë e rrejt; Qubrelloviqi, Milloshi, Shesheli,  Artemije, dreqi e i biri. Valla babuq, me u çudit me shkijet, qysh po mujnë me rrejt aq për hava!? Kryetari Fatmir Sejdiu  ka dhanë  dorëheqje. Secili sipas qefit të vetë po e komenton dorëheqjen e tij. Ishalla babuq është në pyetje respektimi i kushtetutës, e nuk fishihet ndonjë dreq tjetër pas kësaj. Ka fillue “lufta” për kryetar partije në LDK dhe në mes partive për zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen mbas 5-6 mujve. Gjithë kund në botë partitë opozitare dalin me programe të punës, tue dhanë zgjidhje për ta çue përpara shtetin, kurse në Shqipni dalin me plane si do ta organizohen demostrata me rrëzue qeverin me dhunë.   Sivjet babuq, ma mirë se gjithëherë kemi kalue për pushime. Për 2 orë e gjysmë shkuem në Durrës. Rruga e mire me u kënaq njeriu.  Edhe babuq, drejt me fol, deti po i ndihmon shumë Sadberës. Tash Sadberja deri në korrik të vitit tjetër nuk e ka gajle për reumë. Marengleni ma muer adresën tande. Në dhjetor, tha, na heqin vizat për në Evropë. Babuq, u kthyen dasmorët e Ramadush Carit. Tash kur të del nusja prej kerrit kanë me kall krejt mahallën me krisma armësh. Po zbres posht  në podrum se ku ta dish, naj  plumb çorr…
Të fala me thes!
Auckland, shtator 2010

Letra 4
Babuq,
Dje erdh pa frymë teta Ale. Shpejt ma gjeni qat motorin e ujit se po duem me zbraz bunarin.  Atij dreqit, Ramës tu mush ujë me kove i ka ra proteza e dhamëve në bunar. Ajo shpendkeqja, nusja, me njiherë dul në mahallë me tellallis lajmin, qysh e tek ka ndodh ngjarja. Boll inati po më vjen. Tue ja dhanë motorin tetës Ale mue e Sadberës na shpertheu nji gaz që nuk mujshim me ndal. Nanuqi, po thotë, ketë javë më vjen mobili NOKIA edhe pomada se e kam pa në horoskop që kam me u gëzue. Bile edhe për  mue e Sadberën tha se fund java ka me qenë e mirë për juve. Unë babuq, në horoskop jam  “mëzat”, kurse Sadberja “bricjapi”.  Këto ditë u ba problem heqja e fotografive së ish presidentitëve prej zyrës së presidencës. Kështu asht puna e politikanëve babuq, si të vijnë në pushtet krejt senet i ndërrojnë, interierin e zyreve, sekrtareshat, dashnoret, gratë, orarin e punës, perdet, tepihët etj.  Sekretaren amerikane, zonjën Hillary (Hilari) Kliton e pritëm në Prishtinë pa flamurin kombëtar. Po thonë,  flamuri kuq e zi asht i shtetit tjetër. Valla babuq në desh i shtetit tjetër, në desh i shtetit tonë nji flamur kombëtar e kemi edhe kurrë shqiptarët nuk heqin dorë prej tij. Sadberja,  mbramë e çortoi Dardanën;  çikoo, nuk po të shohim kurrë tue mësue, nuk kryhet kështu fakulteti pa e prek librin me dorë. Hajt, mos u ban marak për Dardanën, i tha Leutrimi. Tash vetëm paguj semstrat me kohë dhe ruju mos me të shkel autobusi a traktori se fakultetin e ke të sigurt.  Djali i Ramadush Carit me nuse si e kryen dasmën thyen qafën  për pushime në nji vend ku gjithmonë ish verë.  Babuq u prishen mes veti PDK-ja  e LDK-ja dreqi i raft në fije se për çka, po krejt po thonë per interesa partiake e personale se jo për Kosovën.  Valla, në qoftë qeshtu qysh po flitet, jazik për pozitën e opozitën. Në Maqedoni, partitë shqiptare njna tjetrën po e akuzojnë me dosjet që ua kanë shkrue maqedonët e serbët. Valla babuq, mjeshtër të mëdhaj këta sllavët, i kanë shti shqiptarët me u marrë me vetevetën, me u përça e me u ba gazi i dynjas. Zafina, gruja Ifuzit të shtunën që shkoj ka shkue me vizitue Ifuzin në burg. Në zyrën për paraqitje e sheh nji grue tjetër tue i thane policit  “Kam ardh me vizitue burrin tem, Ifuzin”. “Qy, habitet Zafina, ndoshta paska edhe ndonji  Ifuz tjetër në burg? Gruja e  cilit Ifuz? – e pyet  Zafina. E ifuzit de, Ifuz Teneqës.  Qysh moj, gruja  e Ifuz Teneqes, jam unë!?”  E të rrokën me u rreh që mos pyet.  Mezi i ndan policia diqysh. Tash Ifuzit ja kanë ndalue vizitat deri të merret vesh se cila asht gruja tij.  Tung babuq se po thirr tu dera Shaci i bacit Ramë, sigurisht e ka prue mobilin edhe ishalla babuq nuk ke harrue  me ja dhanë edhe pomandën kundra rrudhave se nanuqi e Sadberja që dy ditë kanë mbet pa ta.
Gjithë të mirat!
Tetor, 2010
Letra 5
Babuq,
Zafinën e kanë denue dy muej burg edhe nuk e di sa Euro se e ka rrah jaraneshën e Ifuzit edhe ja ka prish e shkel me kambë perikën (parukën). Ishalla, kish thanë Zafina, m’çojnë qat burgun ku asht Ifuzi  e t’ja shkuli  edhe  qato pak flokë që i kanë mbet  mbas kresë që në burg nuk po i ngjyroske ma, se m’bani hor me gjithë fëmijë. Sherafedini u kthye prej pushimeve. I ka pas marrë me veti dy burra që i ha puna me gjithë dashnore në Turqi me pare prej xhepit të vet, se po më duhen m’i pas ngat veti se çka s’po bane vaki, më tha dje. Në Iliridë po ua qesin dosjet, që i ka shkrue UDB-a, shqiptarëve në oborr të shpisë. Partitë shqiptare  tash kanë nis luftën, tue akuzue njani tjetrin  se kush asht spiun e kush atdhetarë. Në ketë luftë për jetë a vdekje brenda partive shqiptare, sllavo-maqedonët  po qesin krane te thata hiç pa u nal.  Ndoshta ke marrë vesh se u martue Edi Rama. Valla darsëm të madhe ka ba Zgatani, bile po thonë edhe ma të madhe se të Mbretit Zog. Në Bobashticë të Shqipnisë grekët po ndërtojnë memorial nji ushtari grek mbi  vorret e shqiptarëve. Turp valla babuq për Sali Berishën, banorët e Bobashticës, kishën ortodokse shqiptare që po lejojnë grekët me i dhunue varrezat  e shqiptarëve.  Ani, konsulli  grek, më 29 tetor, në nji pritje të organizueme me rastin e festës kombëtare të Greqisë ka thanë për  Korçën se asht qytet grek. Në këto rrena të ultranacionalistit grek ka reague miku i madh i shqiptarëve sudezi, Ullmar Qvick, këta tanët ende po heshtin. Në Kosovë kanë nis shtymjet me brryla e me kambë. Qeverija e rrëzoi vetëvetën. Janë nda e përça “kosovarët” siç po na thojnë ndërkombëtarët  neve shqiptarëve, që mos pyet, bile edhe brenda të njejtës parti. Liderët e partive u myten tue rrëzue gurë mbi njani tjetrin, tue u premtue popullit se, si të vijmë në pushtet kem me  sigurue farë të grunit e të kallamoqit që veç njiherë e mbjell dhe e korr vjet për vjet, kurse kallamoqin nuk ka nevojë as me ujit as me prashit. Ani babuq, kur po thonë se kem me i rrit pensionet, me luftue korrupsionin, me hap vende të reja pune, njerëzit po bien në kokërr të shpinës tue kesh. Nejse babuq, në fund të garës këta që hupin duhet me ja dhanë dorën atij që fiton, kështu e ka burrnia, po valla zor babuq me u ba burrë. A po e sheh, çka po bajnë në Shqipni, u banë dy vjet  e ata hala po thonë nuk janë numrue votat mirë. Sot herët, pa dal drita, e ka rrethue policia shpinë dhe dyqanin e Ramadush Carit dhe hala janë tue bastisë. Ku ta dish çka kanë me gjet aty!?. Disa po thonë kurgja nuk kanë me gjet se, Ramadush Carit i kanë kallëzue njerëzit e tij me u ba gati se ka me ardh policia me  t’bastisë.  Nanuqin e veta a ke ndonjë porosi për babuqin se jam tue i shkrue letër, më tha, hajt se e thirri vetë babuqin kah akshami në telefon. Baci Ramë, tue e shti nji kabllo të rrymës kontrabandë në tavan të shpisë e ka zanë rryma. Shyqyr qëllon aty teta Ale i jep frymë artificiale gojë më gojë dhe e pshton. Babuq, po duhet me përfundue letrën se Sadbereja po do me hy në FASEBOOK (feis buk) me pa a ka naj sen të re. 
Të fala shumë!
Nëntor, 2010
Letra 6

Babuq
Ifuzi ka dal prej burgut. Ka ardh deri te shpia dhe u kthye mbrapsht. Nuk ka guxue me hy brenda prej fëmijëve e grues se vet, Zafinës. Disa po thonë ka shkue te jaranesha, disa po thonë u kthye në burg se as jaranesha nuk e ka lanë brenda. Nejse babuq, e di ti që nuk kam qef me u marr me llafe. Baci Ramë ka ba ma mirë se për pak ke tue shkue krejt edhe me marre bile. Kanë marrë vesh mahalla që u rrëzue tue dashtë me vjedh rrymën. Leutrimi e Dardana sa në nji qytet sa në nji tjetër pa u nal hiç nëpër tubime. Koha e zgjedhjeve babuq. Partitë edhe të djathtat edhe të majtat edhe ato tjerat që ende nuk e dinë a janë të majta a të djathta popullit nëpër tubime, anë e kand Kosovës, me fjalime të zjarrta po premtojnë e garantojnë se gjatë mandatit të tyne nuk do të ketë stuhi, vërshime, ngrica e furtuna, d.m.th. fatkeqësi natyrore. Drunjët, shtyllat, muret e gardhiqet janë stolis me fotografi kandidatësh për deputet, flamuj partish e parulla me rrena. Shkollat, fakultetet nuk po punojnë se krejt po dalin nëpër tubime. Nxënësit e studentët po thonë ishalla e shtyjnë ditën e votimit se u kënaqëm. Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipnisë për Ditën e Flamurit as nji flamur nuk u valëvitë shesheve dhe rrugëve të Tiranës. Po thonë, ai Zgatani, kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk i ka lanë me qit flamuj për inati të Sali Berishës. Sherafedini i bacit Veli, ua ka ndalue me i këqyr në TV mbledhjet e Parlamentit të Shqipnisë dhe mbledhjet e Kuvendit të Kosovës fëmijëve, se tha, po tutna po mësohen me sha, me rrejt e me fye njerëz. Sherafedini punët i ka qit në dyzen. Me hesap i ka “lye mirë rrotat e kerrit”, tash po ec puna vetë. Mirë valla babuq se përpara nuk e lashin me i çel sytë. Ramadush Cari ka shpall kandidaturën për deputet. Shpi për shpi po shpërndan miell, detergjent e mallna tjera që u ka kalue afati. Tung babuq, se po duhet me çue Sadberën në palestër me ba ushtrime. I thash Sadberës, ti me gjithë krevat nuk i ke 50 kilogram e po shkon në palestër me humb kilogram. Nuk e kam me heq kilogram, ma kthej, po kur po shkon gruja e Sadushit me gjithë re, pse mos me shkue edhe unë? Të fala!

Dhjetor, 2010

Letra 7
Babuq,
Ramadush Cari po thonë nuk ka fitue votat për deputet. I paska kallëzue  resë së bacit Ramë  gruaja e njanit që po i rinumërojnë votat. Ramadushi tym po qet. Kam me shkue  shpi për shpi me ua marrë miellin që ua kam dhanë votuesve falas para votimeve se nuk e kanë mbajt fjalën. Valla babuq, mos vetë për fukaran,  çka bajnë ata që e kanë harxhue miellin, ani tash që i ka hyp edhe çmimi?  Nuk asht lojë me partitë shqiptare babuq. Le që kanë vjedhë partia,  partinë tjetër, po edhe brenda për brenda partisë së vet. Mirë tha Sherafedini i bacit Veli nji ditë,  politikanët  nuk njohin as miq, as armiq, po vetëm interes dhe nuk skuqën as kur vjedhin as kur rrejnë. Në Shqipni qe dy vjet opozita si gramafon i prishtë çirret “hapni kutitë”. Qe dy vjet e merr të njëjtën përgjigje nga  pozita: “nuk i hapim”.  Mania e mos pranimit, numërimit e rinumërimit të votave, të rameve të ulta  ka nisë edhe në Kosovë si në Shqipni, nji racë jemi babuq. Nji racist nga  Zvicra  përkrahës  i  gjenocidit  serb në Bosnje e Kosovë qe sa ditë po hedhë baltë kudër   UÇK-ës dhe  shqiptarëve gjithandej ku janë.  Valla babuq, akuzat e Marti(noviqit)  krejt rrena e të pa vërteta po siç thojshe ti, edhe tupani  brenda asht i zbrazët po krismën e ka të madhe. Nejse babuq, qentë në bashkëpunim të përhershëm me qentë si vetë, kurrë nuk kanë me u nal tue leh e skërmit dhambët dhe çka mujnë me ba, bajnë për ta inkriminue luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe shtetin e Kosovës.  Uji fle, anmiku nuk fle, babuq! Bash për ketë, nji sahat e ma parë duhet shqiptarët me heq dorë prej inateve partiake dhe interesave personale se na mori lumi. Në Maqedoni partitë opozitare shqiptare përditë po i thonë BDI-së, dil prej koalicionit dhe mos i shërbe Gruevskit si dekor, kurse vetë rrijnë me nji kamb para derës së kryeministrit sllavomaqedon tue prit kur po del Ali Ahmeti me hy vetë.  Babuq, jem ba merak për Dardanën se, si ka dal mbramë  ende nuk u kthye. Tha, po shkoj me nji party te do shoqe. Mori, i foli Sadberja, mos keni aty edhe shokë? Qy, ka po çka, i kam ba 30 vjet, dhe ti ende po  ma ban gajlen! Ju kundërvue ajo. Jo moj, ti ma  e re je, hale nuk i ke mbush 25 vjet, i tha Sadberja.  Nanuqi ka  shtue në peshë. Gjithë ditën e lume pa prek punë me dorë, mos ke çka me ba, e ha. Haja, të trashë, babuq. Teta Ale nuk ka lanë hoxhë as fallxhesh  pa i shkrue bacit Ramë, po harron dhe nuk po i njeh njerëzit e shpisë, kojshive, shokëve e mysafirëve mos me ju pa naj bakshish në dorë ua mshel derën,  nusen e djalit, Sarandën nuk do me pa me sy. Për Sarandën, mirë e ka babuq, se llapën e ka të keqe. Kurrë nuk nalet. Dje shkova te doktori se dishka jam pa qef. Merre me mend babuq, doktori herën e parë dëgjuesen ma vnoj n’kulet. Babuq krejt me euro u ba këtu. Shyqyr që je qatje se mos pyet për neve.  Zafina e ka martue djalin e madh. Ifuzin po thonë prapë e kanë shti në burg. Disa po thonë e kanë zanë me mill të bardh disa po thonë nuk asht në burg po e ka rrue dreqi prapë ka shkue në Bullagari te jaranesha. U mësue babuq ai rraspillan me këto sene, s’ka çka i ban as Zafina, as policia, bile as KFOR-i me gjithë Euleks.  Babuq prej kur u shpërnda Kuvendi i Kosovës na asht mshel goja, nuk po kem me  kend me kesh. Deputet na kënaqshin me llafe.  Tung babuq se po shkoj me ble naftë për agregat se sonte na nalin rrymën bash kur fillon seriali televiziv.

 Janar, 2011

Letra 8

Babuq,

Djali i Ramadush Carit u kthue prej pushimeve. Gati krejt dimnin ka qenë me nji vend ku gjithmonë ish pranverë. Pare boll babuq, nusja e tij ish frye përpara e mbrapa me selikon, kurse vetë i kish hekuros rrudhat e ballit. Mjekët e fort babuq edhe rrudhat tash po i rrafshojnë. Shacit të bacit Ramë i ka ardh gruja që e ka pas marrë për letra dhe e ka marrë vesh se Shaci asht i martuem dhe ka tre fëmijë. Valla babuq, krejt thojshin plakë, po ajo ish fino e re, e bardh si tamli, veç pak e tulaftë. Gjermanja në gjuhën e vetë e kish ba qerpaze Shacin: i pa fytyrë, i ndytë, m’ke rrejt se Sarandën motër e ke, ani edhe fëmijë paske...  ja kish këput prej qafës zinxhirin që ja kish pas ble vetë dhe kish thye qafën për Gjermani. Saranda tash gojën vesh um vesh. Shaci vër me gojë s’po ban.  Teta Ale po mërzitet shumë se po tutet që gjermanja ka me ja prish letrat djalit. Baci Ramë, boll mirë, as nuk po di me u mërzitë, as me u gëzue. Kanë fillue negociatat mes partive me formue Qeverinë me duer të pastra. Jo vetëm duert, po krejt trupin po e lajmë e pastrojmë përditë, po thonë pretenduesit për ministra e zavendësministra. Valla babuq, njimend tash kanë ba pare, standard e kushte, në secilin kat të shpiave kanë banjo, në oborr fontana e pishina, pse mos me u la edhe me u lye me parfuma ma të shtrejtit nga dy-tri herë në ditë. Dik Marti(noviqi) ka ndrrue mendjen, tash po thotë nuk jam kundër shqiptarëve. Ndoshta babuq e ka pa edhe ai se ka fol me fjalë të tjetër kujt dhe tash po do me u shfajësue. E pyeta Sherafedinin e bacit Veli një ditë: Ti njimend je shqiptar prej nanës e prej babës, por ke lind në Turqi, je rritë e shkollue atje, a të merr malli me shkue në Turqi?  Kur po mërzitem për vendin e lindjes, më tha Sherafedini, po shkoj në Prizeren e Vushtri. Aty, po çmallem e po kënaqem se krejt si në Turqi po më duket. Fola me Mareglenin në telefon. Që kur, tha, u hap kufiri për të dalur pa viza në Evropë, gruja iku te byrazeri i saj në Londër, çupa në Brindizi të Italisë, djali në Athinë.  Më mbyti vetmia, jam bërë për ta vrarë veten! Pastaj kam edhe hallin tjetër, me këta politikanët tanë të etur për pushtet do kërcas si në vitin 1997! Sabër he burrë, i thash,  bahet mirë. Valla babuq, njimend kërsiti në Shqipni!  Tung babuq se po duhet me çue Sadberen me nanuqin te frizerka me nreq flokët  se e ban synet baci Qerim nipin.  Na ka thirr babuq, nuk ban pa shkue. Kish  edhe muzikë të gjallë, Labin dhe nji grup valltarësh me tupane e surle. Inatçi babuq asht baci Qerim, ka hy borxh deri në fyt, veç me ja kalue Ramdush Carit me darsëm.
Janar 2011


Letra 9

Babuq,
Dardanën e kanë pranue në punë. Jemi gëzua babuq që mos pyet, por nanuqit ju ka ba sile dhe kurrqysh nuk po pajtohet që Dardana u shkrue minoritare. Hajt bre nanuq, i thash, njime u shkrue ashkalike po kurgja nuk asht. Krysorja ka hy në punë. Qysh bre, na tu kanë gjysh e katragjysh shqiptarë, tash me u shkrue militare a çka dreqin po thoni. Valla u idhnue fort, as me mue, as me Sadberën nuk po flet, kurse Dardanën nuk po do me pa me sy. Nejse babuq, Dardanës bash po i ka hije alltia në kuk dhe uniforma e policit.  Tash si minoritare edhe banesë i japin edhe ishalla  i del kismeti se i ka ba do vjet.  Mbas numërimit, rinumërimit, zhagitjeve të zgjedhjeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikue listën e 120 deputetve për Kuvendin e Kosovës.  Ishalla deputet e ri janë atdhetar të ndershëm e të vyshëm dhe jo si ata para tyne që desh e hangrën  popullin me tesha vesh. Në mesin e deputetve të ri 12 ishin milionera.  Shyqyr babuq që edhe Kosova jonë e vogël, e vorfun mbërrini  kaq shpejt me pas milionera.  Po din hallki me jetue, tha nji ditë teta Ale. M’u kanë me punë e djersë me u ba milioner, Rama jem ish ba milioner para krejtve.  Kurrë nuk u nal tu punue as natën, as ditën. Ramadush Cari prej kur mori vesh se ka fitue votat për deputet nuk po preket me dorë. Shaci me fëmijë e me Sarandën kanë dal në Francë.  Aty kish lyp azil për fëmijë e Srandën dhe vetë kish thye qafën te gjermanka. Gjermanka me hesap e kish pranue prapë.  I kish tregue Sadberës Zafina në telefon dhe i kish thanë merret vesh kjo punë, po prej neve mirë asht mos me dal ky llaf. Babuq edhe ti mos e përmend kund. Ani Shaci, ai kurkushi hiç, me lan gruen me  fëmijë në vend të huej pa kerkend të vetin! Me vra pak asht at pis. Valla babuq, boll keq u ba me qeto rrenat për rritjen e rrogave për mësues. Qysh more me i rrejtë mësuesit, që e mbajtën gjallë shkollën shqipe 10 vjet pa asnjë cent, mësuesit që dëftesat shkollore i nënshkruen  dhe vulosën me Kosova Republikë kur të tjerët nuk kanë guxue as në andërr me ba këtë.  E thirra në telefon Marenglenin, thash ta pyes për situatën në Shqipni. Mirë, tha jemi, situata sikur është qetësuar, populli është ndërgjegjësuar, nuk e do dhunën dhe nuk dëgjon më Salë Malokun dhe  Edvin Horrin.  Valla babuq po do mem dal hujit Marengeleni, po e barazon Sali Berishën me Zgatanin.  Baci Qerim, më tha dje; Po due me çel nji dyqan se m’u ka mush shpia me bakshishe të dasmës: jorgana, batanije, tenxhere, lugë, gota, servisa, kutia me llokume dhe napolitanka qasi si bujashka. Ishalla babuq i shet se ka hy borxh deri në fyt.  Nji antishqiptar, hajn i pasur nga Amerika, me emnin Nikolas Gejxh, po shkruejn gazetat, ka ardh në Shqipni dhe haptas po kërkon ndamjen e Shqipnisë së Jugut.  Tung babuq se më erdhi nji mesazh në mobil prej  Sadberës, po thotë, eja shpejt në kuzhinë se enët pa la kanë mbërri tu dera. Babuq n’mujsh çomi për djalin e dadës Shahadije dy-tri parë dorza me la enët se valla po m’kallën durt prej ujit të nxeht dhe detergjentit kur po i laj enët e pastroj banjën.
Të fala shumë!
Shkurt,  2011
Letra 10

Babuq,
Shacin e bacit Ramë e kanë përzanë prej Gjermanisë. Duerlidh e kishin prue me aeroplan në Prishtinë.  Gjermanka, Babuq, nuk duron si Saranda. Teta Ale u ba helëm. Po mërzitet për Shacin që e kanë kthye, për Sadberën që ka mbet  me tre fëmijë në Marsej të Francës.  Tash Shaci u myt tu thirr Sarandën në telefon. Po thonë se ajo ja ka mshel telefonin dhe i ka thanë: “hajt shko te gjermanka”.  Baci Ramë u ba copa me nji truq pare të pavlefshme të kohës së inflacionit. Sa i fsheh në nji vend sa në nji tjetër. As natën nuk bahet rahat prej tutës se mos po ja gjan naj kush vendin e pareve. Nanuqit ju ka përzdredh qafa. Gjithë ditën babuq tue këqyr seriale me kryet kah televizori. Qysh mos me u përzdredhë? Sadberja tash ma shumë po rri te Dardana,  krejt senet e reja babuq i ka ba: banesën, kuzhinën, televizorin, kompjuterin...  u kënaq. Kur po mërzitet po flet  me mue në MSN e Skype, bile nganjëherë kur po na merr malli i lëshojmë edhe kamerat.  Na me nanuqin e Leutrimin qetu ngat e kem restorantin, veç i shkruen nanuqi email restorantit dhe drekën po na bien në shpi. Lirë babuq, ma lirë se fal, edhe nanuqi boll ka gatue. Valla babuq, me u çudit me shqiptarët  në Shqipni, 4000 veta janë ba grekë. Mirë tha Sherafedini i bacit Veli, shqiptari - shqiptar kurrë nuk bahet grek, po ata janë lloma që nuk ju duhen as grekëve as kurrkujt hiç. Kosova tash babuq u ba me president e kryetar Kuvendi, kryeministër e ministra, deputet minoritarë që votojnë me tre gishta. Kaja bre nanën, tha baci Qerim nji ditë, kur edhe ajo dadoja e Millosheviqit, që tre gishtat veç përpjetë po i mban, u ba deputete me 15-20 vota. Ishalla babuq qeveritarët punojnë për Kosovën dhe popullin se pus i kem punët. Ramadush Cari si u ba deputet djalin, nusen e djalit, gruan (atë të parën se të dytën moti e ka pas në punë) vëllain e nusës, motrat e saj dmth balldezët e djalit i ka shti në punë. Këqyr, bre, baci Ramadush, i thash, nji punë për Leutrimin se ka mbet rrugëve. Po, tha, m’u pas kanë në parti tonën nashti kishim ba naj sen.  Qe, i thash Leutrimit, me pas votue për partinë e Ramadushit kishe hy në punë, po shkove u bane me ata të Frymë së re, që edhe vetë janë pa punë. Nejse babuq, ishalla ngatërrohet me qat çikën që natë e ditë po fol në internet. Vjen qatje në Evropë dhe gjen naj punë. Këtu tre fakultete mi pas të kryme, pa lidhje  e ryshfet nuk mundesh me hy në punë. Sllavo-maqedonët ku po prekin  po hasin dëshmi materiale, mure e ndertime të kulturës së vjetër iliro-shqiptare dhe pastaj po bahen copa tue i mbulue  me ndërtime të reja sllavo-maqedone.   Në Shqipni, po tregon Marengeleni, situata nuk po ndryshon. Ai, donzhuani Edvini natë e ditë po i thotë Sali Berishës “ik se po vij unë”. Babuq kështu nuk e ka demokracia, pushteti merret me vota, alternativa e programe ma të mira, jo me llafe, shamje e dhunë.Tung babuq,  se Sadberja po më shkruen se ja paskan vjedh alltinë Dardanës. Këtu babuq hajnat e fort edhe policin e vjedhin.
Të fala shumë
Mars, 20011

Letra 11
Babuq,
Mbramë kish ardh Ifuzi, veç kur kish hy brenda, bile as qeni nuk e kish leh. Zafina ka pas ba be se nuk ka me lanë brenda rraspillanin, po ai sehrbaz asht, jo kështu, jo ashtu ju kish rras në dhomë. Sot ish çue Zafina me qitë flija, kallëzojë teta Ale. Qysh moj, i paska harrue gjithë ato betere që ja ka ba Ifuzi!? Ishlla nuk vjen puna me u prish qashtu si Zafina me burrin se kurrë nuk e kisha lanë brenda, paska thanë gruja e bacit Qerim. Sherafedini i bacit Veli, tha, jam n’zor prej njerëzve të Ramadush Carit, po i ban presion me ja ble kompaninë.  Sherafedini po këqyr me u lidh, gjet dikan t’nalt, që ja ungj kryet Ramadushit. I kalitun për këto punë ish Sherafedi, u mësue në Turqi babuq, edhe atje qeshtu po shkojke puna, me ryshfet e me t’fort.  Shaci i bacit Ram ka mbet kurrkund, qysh thuhet; as te Hata, as te Fata. Gjermanka e ka përzan edhe ja ka prish letrat, kurse Saranda në telefon i paska thanë:.  M’lae me tre fëmijë e shkove te gjermanka, sillu sokaqeve tash.  Në Shqipni ka nis fushta për zgjedhje vendore me shamje, shpifje, përbaltje e fymje; partia për partinë, kandidati për kanditatin, bile edhe me kacafytje e krisma armësh.  Në Kosovë kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi po i prit te dera presidentët e Republikës së Kosovës, si po e shkelin kushtetutën, ai hop po ua ze vendin. Dashtë Zoti babuq, merren vesh të pamarrmit vesh dhe kësaj here e zgjedhin presidentin e Kosovës pa e shkel kushtetutën se u bamë hor para botës. Po zor valla, se krejt po këqyrin njëherë interesin e vet personal, pastaj të jaraneshave, të mëhallës, të partisë...  Për Kosovën e popullin kurrkujt nuk ja nin. Popullin e Kosovën babuq, këta politikanët tanë, i kanë veç me ba be dhe me rrah gjoks rrejshëm,  kur mbajnë fjalime. Mos pyet babuq, si në Kosovë, si në Shqipni, Maqedoni e Mal të zi shqiptarët krejt kohën e çojnë tue u hangër njani me tjetrin, bash qysh kanë qef anmiqët tanë. Golfi babuq m’u ka vjetrue, po harxhon shumë, ka ra gati për toke, rrugët me gropa edhe nanuqi e rand mi ka likështue amortizerat, thash, ban me ma prue qat herë kur të vish nji golf ma të ri, ketë t’vjetrin e shes për pjesë.  Tung babuq se po thirr Sadushi me shkue në kafe.  Po dalim pak se veç në shpi nuk po rrihet. 
Prill, 2011

Letra 12

Babuq,
Zafina prej qefit e gëzimt që ka ardh Ifuzi u çue me qit flija.  Hunat e druve mbasi e ka pjek flijen kanë marrë flakë dhe u ndez plemja dhe gjysa e shpisë. Most të kishin ardh zjarfikësat ke tu djegë krejt mahalla. Ifuzi  gjatë tollovisë së zjarrit ja ka marrë arin dhe eurot në arkë Zafinës dhe prapë ka thye qafën dikun. Shyqyr pshtum me kaq, tha baci Qerim, se ku shkel kama e Ifuzit e djeg edhe token. Zafina vër me gojë nuk po ban. Nuk ka faj valla babuq  ja ka nxi jetën i paudhi. Ka ardh çika e Vllastimirit me shit Utrinën e madhe që ja kish pas dhanë krali falas në viin 1918. Kanë dal përpara me prit krjet mahalla.   Ai unë, ai unë …  tu u shty kush me ble Utrinën. Ja kanë çue në hava çmimin e livadhit. Ruzha nuk ish plakë hiç, krejt ngryk i marrke. Gojën vesh um vesh i muer eurot dhe shkoi. Me këto pare të Utrinës, kish thanë, muj me ble shipi me pishinë brenda në Smederevë. Kish kallëzue edhe për Vllastën se qat ditë që ka ndëgjue se e kanë dorzue në Hag Millosheviqin e ka lëshue shpirti. Nanuqi me Sadberën e kanë inçizue darsmën e Princ Wilamsit dhe për ditë e këqyrin, e analizojnë. Qeshtu, tha, m’u kanë me gjet nji nuse si të princit, Leutrimi. Sadberja u ba marak në fustanin e bardhë të princesesh dhe po do me ja porosit nji Dardanës, veç kjo po thotë, hala edhe pak ma i çelun me u kanë përpara dhe në shpinë, me ju pa pesëlirshi, rruzat n’qafë, gjoksi e shpina e bardhë si bora Dardanës.  Shacin e bacit Ramë burrri i dadës Rukije e kanë pranue me dhanë gjuhë gjermane në shkollën e mesme. Qysh bre Shac,  i tha Sherafedini, ku di ti, që as shkollën e mesme nuk e ke krye krejt me dhanë mësim në shkollë të mesme? Qy, i tha Shaci, 5 vjet jam kanë azil në Gjermani, gruen e kam pas gjermane, ujë e di gjermanishtën, veç pak me gjuhën shqipe po kam problem. Nejse babuq, teta Ale s’po le kend pa i kallëzue se Shaci u ba prefesor (profesor).  Nji françez me emën Stefan Leo, që e ka prue Evropa në Kosovë kishe me mbajt rregull, me gjysh e katragjysh ish mik i serbëve, bile baba i tij kish luftue krah për krah me serbë kundër shqiptarëve. Valla babuq, krejt po thonë se nashti Evropa me kast ka prue në Kosovë racista, spiun, maniakë e armiq të shqiptarëve me zhagit sa ma shumë punën tonë. Zhagitjes, babuq, edhe na po i ndihmojmë; tu rrëzue gurë në njani tjetrin, tu shpif natë e ditë pa u nal hiç, akademiku për akademikun, partia për partinë, kleriku për klerikun, me nji fjalë secili për secilin. Babuq, kur ne punojmë kundra vetëvetës pse mos me punue kundra nesh Stefan Leo dhe të tjerët si Leo. Gruja e Ramdush Carit ju kish ankue  sot nanuqit; Ai derqi, Ramadushi gjithë natën nuk vjen n’shipi, djali qashtu, jam n’zor prej resë po m’i ha veshtë për natë tu m’thanë; nuk kam ardh këtu me të rujt ty. Tung babuq se hyni Sadberja online në SKYPE.       

Maj, 2011               

Letra 13

Babuq,
Shacin e kanë zanë me atë nxanësën e vetë ty hy në Francë kontraband mrena nji kamioni figorifer. Ajo çika ish në spital kurse Shaci në burg.  Qysh nuk e kish  hanger dreqi me u ngri në frigorifer se valla  na ka korit krejtve. Si u ba profesor u veshke pyskyl, i lyke flokt me gell dhe gojën prej jardamit  shtremt e majke. E mashtroj qat çikën dhe qe, çka e gjet. Teta Ale si merr vesh për Shacin e thirr në telefon Sarandën në Francë: Këqyr moj se e kanë zanë Shacin në kufi dhe e kanë shti në burg qat shtetin ku je ti.  Qysh e ka lyp e paska gjet, kurrë mos daltë prej burgut, as emnin nuk due me ja ndigjue rraspillanit! – i thotë Saranda dhe ja  mshel telefonin.  Ifuzi u kthye, ju kish ra dikun eurove (pareve), Zafinës ja ka mush qafën alltan të bardhë e të sarit, duart me bylyzykë, hallhalle dhe gishtat me unaza. Shpinë e nreqi edhe ma të mire se e ka pas. Zafina ka pas thanë se la ma mrena, po Ifuzi si seherbaz babuq, po e mashtron qysh po do. Nanuqi po bahet nervoz me Leutrimin, hajde po thotë çka po prêt, martohu. A po e sheh krejt shokët e tu janë ba me fëmijë, ti kryet për hava. Rri bre nanuq se krejt ata që po martohen veç po kukasin, unë nuk po due me kukat, i tha Leutrimi. Valla, edhe ti  duhesh me kukat si krejt dynjaja se nuk ban, i fola unë. Po m’i fol Leutrimit, si m’i fol drunit. Qysh bre babuq nuk erdhe për Shëngjergj, nanuq krejt tu kajt e ka qit flijen dhe në fund prej mërzisë nuk hangër. Ramadush Cari laptopin që ja ka ble qeveria nuk po e lëshon prej dore.  Hala nuk e ka çel gojën nji fjalë me thanë në Parlament. Në parlament shkon veç kur e thërrasin të partisë së tij me votue pro ose kundër. Krejt qosheve dhe  nëpër bife  e çon kohën. I paska thanë Sherafedinit, çka me fol, boll kam fol e vrapue derisa u bana deputet, tash reni asht me pushue. Sherafedini po ka nevojë për ta dhe nuk po ka qare po  ja krue shpinën e nxeh xhepin. Rrugën që kalojke afër shpisë  së tij  e ka qit tjetër kah se po e pengon zhurma e kerreve.  Atë të vjetrën tash Cari e ka veç për veti. Gruja e tij shpesh  vjen te nanuqi me hjek mërzi. E lëshojnë dasmën e princ Viljamsit, këqyrin serialet në TV, hyn në internet me lexue horoskopin... E shkreta, i paska thanë nanuqit, veç te ti kur vij e çeli gojën se në shpi nuk kam me ka me fol. Reja mbyllet në dhomë, djali herë vjen, herë nuk vjen, kur vjen potera shkon n’hava tu përla me atë shpendkeqen,  nusen. Ramadushi ma shumë rri me atë Tjetrën edhe kur vjen nuk flas me te. Çka me fol? Zoti ma ka ba dreq!  Në Shqipëri kandidatët konkurrentë  për komuna, minibashki e bashki hala pa përfundue numërimi i votave dalin në konferencë me gazetarë dhe e shpallin vetën fitues. Tash nuk po dihet as kush ka fitue as kush ka humb. Me fol drejt, i thash në telefon Marengelenit, e sigurt asht që po humb populli me këta tipa të papërgjegjëshëm të politikës qofshin të djathtë apo të majtë. Gazetat babuq nuk u met me i lexue, krejt  po rrejnë qysh po rrejnë partitë. Bile edhe ato të pavaremet janë të varme prej  bosave të pavarëm. Intelektualët në vend se me qenë mbi partitë dhe politikën janë vue në shërbim politikës dhe liderëve partiak. Turp i madh babuq, akademikët me u ba argat të kurrkujt hiç, veç që kanë pare e pushtet. Mirë thojshe ti babuq: Parja e çon ujin përpjetë.  Valla  babuq po t’kallëzoj prej zemrës plastë, partitë tona ma shumë po merren me akuza e kundër akuza për njani tjetrin dhe  interesa të ngushta partiake se me shtetin e popullin.  Shkolla e fakultete ka hap secila mahall, por sa po mësohet aty nuk po pyet kush.  Qajo lënesha, ish kryeprokurore në Hagë, Carla Del Ponte po do me u vu në krye të një komisioni  me hetue rrenat, shpifjet e saja  dhe të Dik Martinit. Qeveria e Kosovës nën presionin e ndërkombëtareve këto ditë e priti përfaqësuesin e shtetit që ende nuk ka kërkue falje për gjenocidin në Kosovë, ende nuk i ka kthye të vrarët.
Tung babuq se Sadberja dhe nanuqi po lypin me shkue në BENAF.
Fund maji, 2011

Letra 14
Babuq,
Për Vidovdan erdhen në Kosovë nga Serbia me festue humbjen popa e militant, bile edhe anëtarë të partive të ndalume në Serbi. Folen dhe kërcënuan shqiptaret, brohoritën dhe lavduan emnin e njeriut që për nji ditë vrau 8000 mijë boshnjakë. Durtrokitën fjalimet e ripërsituna të popave e shovenistave serb që nga koha e Obrenoviqit, Grashanit, Qubreleviqit e Millosheviqit u kënaqën me vetëveten dhe shkuen prej nga kishin ardh.  Në Shqipni hala nuk po “dihet” kush ka fitue në Tiranë. U mytën tue numrue e rinumrue vota. Zgatani nuk po lëshon pe, fitues jam unë po thotë. Nuk po gjen forcë si burrat me ja urue kundërshtarit fitorën.  Në Maqedoni sllavomaqedonët me identitet të munguem Shkupin e kanë  mush  me përmendore sa zor e kanë me kalue edhe avionet e NATO-s prej “herojve në kuaj” deri në qielli i kanë çue. Urën e njohun të Gurit mbi lumin Vardar e kanë ba si vig. Gërdinë ta çon me pa. Në zgjedhjet e fundit shqiptarët në Maqedoni me identitet e histori të trashëgueme hon e dan për shkak përçamjeve dhe inateve mes veti kanë dal me 5 deputet ma pak.. Mirë thojshe ti Babuq se politikanët shqiptarë punojnë e sillen qysh kanë qef anmiqët tanë. Baci Ramë gjithë ditën e lume në sokak rri tue këqyr burrat e grat kush ku po shkon e kush çka po ban.  Goja kurrë nuk i nalet. Grat janë n’zor prej tij. Ifuzi u nreq me gruen e djemtë. Prapë i ka ngjyros flokët. Ka ble kerr. Veç me nji dorë po vozitë se tjetrën e man në dritare mbshtet. Ramadush Cari hiç nuk i ka punët mire. Janë çue kundër tij njerëzit e partisë që i takon. S’ka babuq vetëm për veti me hanger duhet me ju dhanë edhe bashkëpunëtorëve se sahora ta hjekin skemlinë e të rrëzojnë në kokërr të shpinës.  Në Durrës sivjet shkova pak ma herët se dikur po bahet shumë tollovi. Marengleni e kish çue  shtëpinë në tre kat. Mrena shkëlqente, por ambienti dhe rrugët jashtë saj trishtim me i pa. Babuq e kam ba plan edhe në fund të muajit gusht edhe njëherë me shkue nja 10 ditë se shumë hajr po i ban  deti Sadberës. Rruga e Kombit na kënaqi, për dy sahat po hymë në Durrës. Këqyre babuq n’mujsh përmes WESTER UNION-it me ma çue  naj metelik  se krejt senet kanë hyp. Ani tash që vijnë këta të jashtmit restorantet, lustraxhinjtë e kunrave, dënimet në komunikacion, pompat e benzenit, ambulancat private,  mekanikët, ofiqarët, muratorët, burekxhinjtë, qebaptorët, berberët, avokatët, xhahrrahët, rrobaqepësitë etj. i rrisin çmimet. Shacin e bacit Ramë e kanë kthye prej Gjermanisë. Në burg ish njoftue me nji polake dhe po pret ajo me ja nreq letrat dhe sa ta prish niqahin me Sarandën do me dal prapë dikun në Evropë. Politikanëve për ditë e ma shumë po ju trashet qafa. Ku ti preksh krejt tul e dhjam janë  ba. Në Kuvendin Komunal katër ditë më shëtitën herë në nji zyre herë në nji tjetër  deri sa i bana gati dokumentet për letërnjoftim. Pesëmbëdhjetë ditë  tjera prita derisa e mora letërnjoftimin. Në vendet tjera ku ka rregull e disiplinë kjo punë kryhet për 10 minuta. Presidenti i Rumanisë këto ditë na shau e ofendoj neve shqiptarëve me fjalë të pista sa as letra nuk i duron.  Ma vonë duel presidenti rumun me nji arsyetim se në emën të tij ka fol nji haker serb i fëlliqtë e nacionalist.  Nejse babuq, vëllai ka fol në emën të vëllait dhe ti mos u ban nervoz se nga kjo racë nuk priten fjalë ma të mira. Ani babuq se  po shkojmë me hangër darkë në Benaf. Boll po thotë nanuqi kam gatue e la enë. Po due edhe unë me u ba kullerk si këto grat e sodit kambën përmbi kambë, lyju e ngjyju dhe hajt nëpër mahallë fillkalli vetëm sa te njena sa të tjetra në kafe. Unë kurrë nuk kam dal kund pa vjehrren apo nji fëmijë për dore.

Korrik, 2011
Letra 15
Babuq,
Shacin e kanë burgos për shkak qasaj çikës që e ka pas ik (marrë). Të nesërmen i ka ardh prej Polonisë një grue tjetër. E bukur, plep e madhe, flokët si mnash e të gjata, midisin e këput, hunën e drejt, t’ish kanë shqiptare, dil e hup me ta, kish thanë teta Ale. E kishin vesh me teshat e nusnisë së Sarandës: këmishë të dredhët e jelek të arit, dritë,  tha Sadberja, bajke. Shaci babuq, nuk rri pa grue, po tash keq ju ba që e kanë burgos. Ifuzi paska desht me shkue si përkthyes te polakja, po baci Ramë e teta Ale e kishin përzan. Mirë ta kanë ba, i kish thanë Zafina, se edhe ti si Shaci je, prite tash kur të vijnë edhe ato jaraneshat tua prej Bullgarisë e Ukrainës. Në Serbi e kanë zanë atë kriminelin që ka vra e masakrue kroat e boshnjakë dhe tash Tadiqi po rreh gjyks se i kryem detyrat tona si shtet demokrat. Mirë tha Sherafedini një ditë: Krime në Kosovë e territore tjera të ish Jugosllavisë i ka ba shteti i Serbisë, nuk mjafton  vetëm dënimet e individve, po duhet denue vet shtetin që urdhënoi vrasjet dhe gjenocidin. Gjermania hala u paguen shtetve damet që ua ka shkaktue gjatë Luftës së dytë botnore. Qeveria e Kosovës ka ndalue hymjen e mallnave (pllazma keksave, makaronave, konzervave, mermeladës së kaçave, çajit kamomile, tullave, qeremideve e cingli miglave tjera që nuk ju shiten tjetër kund) nga Serbia derisa  edhe ajo mos t’na pranon mallnat tona.  Vendim i drejt babuq i qeverisë. Reciprocitet; na njeh të njohim. Mall sot gjen ku të duesh veç a ke pare. Edhe babuq do sene mujm vet mi ba. Lloq për tulla e qeremide kemi zana e hanktë, kaçae e lule kamomile ka me hanger dreqi në Kosovë. Nejse babuq se këta të qeverisë nuk kanë qef me ju përzie në punë të tyne.. Nanuqi e mreci sot Leotrimin. Hajde, i tha, kur po martohesh? Qysh me u  martue? Pa rrogë, pa punë. Nusja do shumë sene. M’u dhimt dreqi. Nashti babuq u kan mirë me ja ble Trimit nji banesë. Qe Dardana u rahatue, hyni n’punë, mori banesë, bashkë po rri, a bashkëjeton qysh po thonë tash, me nji polic të EULEX-it bile edhe Sadberja ja ka pa hajrin, e ka mësue gjuhën spanjolle tu nejt ma ta. Nëse e njeh Spanja Kosovën meritë të madhe ka Dardana, babuq. Po kjo modeste dhe nuk po fol e lavdohet si Pacolli, Skënderi, Sejdiu e politikanët tjerë të paguem për ketë punë se po bajnë shumë dhe për shkak tyne shtetet po e njohin Kosovën. Këto ditë babuq desh u ban copa deputetet shqiptarë në Kuvendin e Maqedonisë, po shyqyr ndërhyni policia maqedone dhe i ndau. Kuku për neve, tha Sadberja, qysh nuk i lanë policia të bahen copa e mos me u kthye të gjallë në shpi. Nuk ju duhen shqiptarëve këta deputet. Nuk ju duhen shqiptarëve, po ju duhen maqedonëve, i tha nanuqi se m’u kanë nuk i kishin nda.Valla babuq, mos e paq dreqin kojshi. Telashe sa të duesh me serbët, po u gëzuem që aksionin e policisë së Kosovës nuk munden me nal as Eulex-i, as barikadat, as plumbat e shkive në çlirimin e pikave doganore 1 dhe 31 prej kotrabandistave e terroristave  serb. Nejse babuq se ma cingërroi telefonin Sadberja. Ku me dit për çka po më thirr!
Të fala shumë!

 Fund korriku, 2011

Letra 16

Babuq,
Marengleni  ish nda me gruen. Qy, i thash, çka u ba me juve që u ndatë, ju veç “shpirt, zemër, yll e xhan” i thoshit njeni tjetrit.  Ashtu kot,  byrazer! Llafe në sy,  prapa shpine kishim tjera.    Valla unë Sadberën, Sadbere e thërras, ndodh ndonjiherë rrallë kur nuk asht nanuqi në shpi i them “loçka jeme” se  fort nuk e keleviti me llafe si ti. Hiç mos u merakos edhe ju do ballafaqoheni me këto probleme. Grat tani e duan jetën si duan ato.  Po valla Marengelen edhe te na për nji fjalë goje tash grat po e thërrasin KFOR-in. Hë pra, e shef!  Mos pyet Marengelen.  Çka t’pashë n’kojshi prite në shpi. ADN  e kemi të njëjtë Marengelen, si ju si ne. Sa ngjallemi pak ekonomikisht na rritet mendja, nuk njohim ma as familje, as shtet. Ashtu është miku im. Sa u bëra i kamur një çik, Krenarja, divorcin kërkon.  Pse nuk po ja jep? Kushton shtrejt ai divorc? - i thash. Si ore, nuk e ditke! Divorci është ndarje, nuk është plaçkë - u përgjigj Marengeleni. Po thuaj;  kërkon shkëputjen e kunorës se valla nuk të mora vesh- përfundova unë tue qesh. Nejse babuq, këto ditë në Kosovë kanë ardh trupa shtesë të KFOR-it. Serbet i kanë zanë udhët me barrikada e snajperka. U myt Evropa tu i lut me llafe kontrabandistët e terroristët serb, hiqni barrikadat. Evropa hileqare babuq, me ta asht, a po e sheh, ua hoqi vizat edhe pse ata vranë, masakruan popuj, ban pastrime etnike, e neve  naj kanë mbyllun dyert edhe pse jemi para evropianëve, evropian. Babuq, valla edhe shqiptarët nuk po e duen  njeni - tjetrin, po shtyhen me bërryla, kush për askend nuk flet mirë, të keqit i thonë i mirë, të mirit i keq, janë korruptue dhe kanë devijue prej gjithë çkaje që asht e njerëzishme dhe e mirë.  A dreqi Rama, ju kish  ankue për burrin e vet teta Ale, Sadberës, u ba si ata qentë endacakë që kafshojnë tinza njerëz, bile tash edhe ashiqare. U ba i rrezikshëm.  Nuk la asnji njeri n’mahallë pa u fjalos me te. Gruja e Ramadush Carit shpesh po vjen te nanuqi me hjek mërzi. Po m’ha shpia , kish thanë, kam met veç me qenin.  Nusen e rrujti dreqi shkoj te t’vetë. Djalin e  kanë çue këta të qeverisë në Amerikë me një kurs a shkollë me trenue (trajnue) për diçka.  Ramdushi ka shkue për pushime në Turqi me qat këthizënjashtë  që po bashkërri me te që kur u ba deputet se me atë gjoksmadhen  tjetër u prish qe dy muej. Desha edhe unë me shkue pak te motra por s’po mundem me lanë Rokin. Qy, kush asht moj ai Roki? - ish habit nanuqi. Qeni moj, qashtue ka emnin. – i kallëzon ajo. Në Himar nji shqiptari, që para nji viti ka humb jetën aksidentalisht në rrugë, i kanë ngrit bustin dhe e kanë shpallë hero grek. Me zanë ashtu babuq sipas fesë me caktue nacionalitetin Shqipnia mbetet pa shqiptarë.  Ifuzi sivjet përherë të parë ka shkue në deti me Zafinën. E kanë lanë jaraneshat, tash u kthye kah unë. – u kish thanë Zafina grave. Qashtu valla babuq, huna ju ka zgjat, faqet ju kanë ter e tha, dy – tri kime në krye i kanë mbet, boll po i ngjyros e lyen me gell po s’po i bajnë pare. Nejse babuq nuk asht mirë me marrë napër gojë, po qe, ra fjala.  Ani babuq të fala shumë se erdh Rufija, nji shoqe që u   njoftue me Sadbren përmes  FACEBOOK-ut (fejsbuk-ut).  Po kënaqemi me te, ish e lezetshme, bile nanuqi edhe unë te goja  i rrijmë. Grue, i thash Sadberës, qet gruen mirë që e prune po  me prue naj shok tybe prishesh me mue.  Harrova me t’kallëzue se nanuqit e Sadberës ju ka harxhue pomada kundër rrudhave. Pomaden blije dhe epja Bekimit të dadës Zyme se  po ardhke për vikend në Kosovë.
Tung babuq!
Gusht, 2011
Letra 17

Babuq,
Kur po kam me ble harxh në Benaf po e marr me veti nanuqin edhe Sadberën se po mërzitën edhe qaty  po e kryejmë edhe darkën.  Desh na lëshoj toka kur roja e zunën bacin Ramë tu vjedh n’Benaf. Qysh kështu, i thanë, burri plak me vjedh. Qy, ju tha baci Ramë, po vjedhin ministrat, zavendës ministrat, drejtorët, politikanët,  gjeodetët etj. pse mos me vjedh edhe unë.  Ku ta dish babuq sa kanë me denue? Gjykatësitë nuk bajnë rahmet me këta hajnat e vegjël. Te ta e çojnë për peni  ligjin. Mos u ban merak, më tha nanuqi,  Rama  në kohën e Titos ka qenë drejtor dhe udhëheqës dhe sa ka mujt ka pas vjedh. I mësuem asht. Me shkue në shpi tij hala i ka tepihët, gotat, vazot e senet tjera  që i ka pas vjedh prej zyrave ku ka punue. Edhe atëherë ka pas hajna, po ma të vegjël se këta të sotmit. Shehrafedini i bacit Veli, tash i ka punët në pupa. Prej kur u ndalue kontrabanda në veri të Mitrovicës malli po i shkon flakë. Leutrimit ia ka gjet një punë të mirë ai ndërkombëtari  i  Eulex –it  që po bashkëjeton  me Dardanën.  Djalo, i tha nanuqi, mos je shkrue minitar (minoritar) edhe ti si Dardana!? Jo, bre nanuq, kurrë nuk shkruna unë minoritar as për pare, as për kredi as për banesë, as për kurgja. Shqiptar jam dhe pikë.  Ma bani qefin valla Trimi babuq, me këto fjalë. Në ketë krizë të madhe financiare që ka ra Greqia babuq, po gjan lekë për hapjen e shkollave greke, greqizmin e tokave shqiptare në jug të Shqipnisë, kurse arkeologët maqedonas u banë copa tue  përvetësue dëshmitë materiale ilire të periudhës dardane dhe tue zhduk pasuritë kulturore, arkeologjike të shqiptarëve sidomos në Shkup, dikur kryeqytet i vilajetit të Kosovës. Intelektualët tanë, institucionet kulturore, mediat janë vu në shërbim të të fuqishmëve për kah pushteti e paraja dhe po  hanë me nji çanak me ta dhe qeshin kur qeshin ata, mrrolen kur mrrolen ata dhe nuk bëzajnë, që aq haptë po na vidhet historia. Valla babuq, boll po i nemë populli po ata veç po trashën.  Atë, këthizjashtën e Ramadan Carit e kanë çue me helikopter në spital të Shkupit. U ul në karrige të drunit pak me rrëmbim dhe i ka shpërthye silikoni.  U mësue ajo nëpër fotele të buta, babuq. Po thonë ia kanë kthye prapë silikonin në ven dhe ka ba ma mirë. Zafina u kthye prej Durrësit, dielli e kish rreshk  e pjek. E shkreta, kish thanë, Ifuzi nuk ka dal asnjë ditë në plazhë me mue. Jo po m’dham kryet, jo po fryen era, jo s’po muj me durue dillin, jo kam takim me miq...  Po edhe ai moj, ish nxi! – i thonë shoqet. Qy, u nxi  tue  ndejt në tym të duhanit dhe tue pi nëpër lokale të natës se asnji herë nuk ka dal në diell me u rrezit.  Prej kur janë ndalue mallnat e Serbisë me hy në Kosovë babuq, Kosovës ju kanë flug shtetet si Turqia, Kroacia, Maqedonia, Bullgaria, Mali i zi etj.  Krejt po thonë jemi miq dhe fqinjë të mirë. Kanë vërejt se në Kosovë për nji ditë fitohen nji milion dollarë. Kuku babuq miliona dollarë i kishim pas dhanë shtetit që na ka kall e vra. Bile Turqia, si dikur Greqia, po kërkon edhe historinë me ndryshue.  Mirë, tha Sherafedini nji ditë, për hatër të miqësisë e interesit  ban me mbyll nganjëherë njanin sy po ata po kërkojnë me i mbyll të dytë. Duhet t’ju thuhet në sy ministrave apo kush janë ata se ketë film nuk kanë me pa kurrë  se as Shqipnia as Kosova nuk janë ma si dikur! Po, valla babuq, popullli po tutet se mos po shiten politikanët tanë siç ka ndodh edhe në të kaluemen që  vëllaznoheshin për nji përkrahje qoftë vetëm me llafe ose mallna të daluna afatit: me serb, me italian, me rus, me kinez,  me  grek e  me dreqin e t’birin. Mirë, thojshe ti babuq, miqësi e bashkëpunim të ndërsjellët me të gjithë fqinjët dhe ma larg, për sa kemi interes dhe vëlla i thuhet vetëm atij që ta ka ba nana. Tash ka fillue me u freskue nata. Shacat po kthehen në Evropë. Çmimet me njiherë kanë nis me ra. Gratë e mahallës, shtëpitë po i  bajnë akull, fëmijët e burrnimin i përzanë në sokak dhe vetë gjithë ditën e lume në dritare rrinë tue këqyr.  Bile nanuqi po bahet nervoz, çka asht me këto grat e sodit, cullakohen, lyhen e ngjyhen dhe kryet herë  n’dritare, herë n’derë, kurrë pa u nal tue marr nëpër gojë krejt dynjanë. Ani babuq se po i  fishkëllojnë “Fiuuuuuuu”   Sadberës shoqet e fejs bukut;  Krenarja e Mërgimja. Kohën e kanë me fol në Skype.
Të fala shumë!

Shtator 2011

Letra 18

Babuq,
Për vikend shkuem me Sadberën e nanuqin në Prevallë se vapë e madhe ka mbajt këto ditë. Thash e kalojmë ditën nën hije të lisave e ajrit të pastër dhe kah të kthehemi blejmë djathë, mazë e gjizë të Sharrit. Idriz kulleri me Elhamen kishin vue kecele përpara bardh si bora, pranë nji tavoline të improvizueme rreth rrugës dhe bërtitshin sa mujshin: Hajde djathë e gjizë Sharri!  Qysh more, tha Sadberja, këta të rrafshit janë, as lopë as viç nuk kanë e po shesin bylmet. Ani Elhamja, edhe shami të bardhë paska vnue m’u dok si grat e kësaj ane! Hajt, se e di unë, tha nanuqi, djathin e blen te Ruzha e Vasiqit e del këtu e shet si prodhim të vetin.  Babuq,  dogri me t’kallëzue nanuqi u mërzit shumë. Qysh more, qaj njeri, nuk u çue me ardh naj ditë? – tha.  Nanuq, i thash,  duhet me punue se  mos m’u kanë ai na marojmë krejt.  Shkuem dje me pa se kanë ble kerr këta të bacit Haqif. Gruja e tij, Minirja, s’na la  me çel gojën as neve as bacin Haqif.  Në fillim na mori në pyetje: Sa vjet i bani Dardana, Leutrimit qysh ja gjetët punën, pse nuk erdh babuqi për Bajram të madh, çka po hani për darkë, shyqyr qe kishit ble agregat se valla boll keni hjek.. Dikur foli qysh e kanë ble kerrin prej nji grue plakë që e kish pas mbajt veç në garazh dhe xixë asht. Haqifi ma ka ble mue, por  diçka nuk po më pëlqen ngjyra. Ani grue, më tha Haqifi, si të duesh ketë po e ndali për veti për ty e blejmë nji tjetër.  Na qiti çaj e torte. Qe, tha, tortën për  juve sot e gatova se e disha që keni me ardh, por kish harrue me ia hjek çmimin  që e ka ble në dyqan.
Sllavo-maqedonët  për ditë e ma shumë po shkatërrojnë mizorisht identitetin  shqiptar në shekuj të Maqedonisë.  Shkupi po  deshqipatrizohet, shqiptarët në Bit Pazar e Çair natë e ditë nëpër çajtore tue ba gara kush po pi çaj e tymos duhan ma shumë, ndërsa pushtetarët shqiptarë kanë marr mbas përfitimeve dhe kurrë nuk nalen tue shpif për njani- tjetrin. Kriminelët serb  po ndërtojnë mure mbi ura,  rrugët i kanë mush me dru, zall e gurë.  EULLUKSI, qysh po i quen nanuqi këta të Eulex-it, qashtu si përherë po i lëmon e  lut bllokuesit e  rrugëve. A luten babuq terroristët?! Në Fier (Shqipni) ambasadori serb e ka përurue  nji shkollë në gjuhën serbe për  boshnjakë  të ardhun në vitin 1924 nga Novi Pazari. Nga Serbia i ka përzanë e vra boshnjakët, në Shqipni u hap shkolla. Pale çfarë loje dreqi asht kjo!?  Mirë tha Marengeleni:  Serbi në Serbi diskriminon pakicat, por këtu mes Shqipërisë edhe për ardhës refugjatë, që mund t’i numërosh me gishtërinj të njërës dorë, kërkon shkolla. Saranda me fëmijë ka ardh prej Francës. Po dashke me ua rregullue pasaportat djalit dhe çikave. Fëmija, mashalla ishin rrit! Shaci jem i ka fajet, ishalla e kalbin n’burg, kish thanë teta Ale, e la dorë ketë grue. Fëmija po m’dhimen, tue pas babën gjallë,  po rriten pa babë, dritë bajshin, ishalla i ruen Zoti! Ifuzin e ka rrok paraliza.  Dorën e djathtë nuk po mundet me lëviz. Qysh mos me rrok paraliza babuq, krahun veç në cep të derës së   kabrioletit të hapt e mbante prej jardamit edhe dimnit. Qashtu me gojë të shtrembët, kish thanë Zafina, nuk ndalet tue fol me jaranesha n’Shkup e n’Shkodër. Ku ta dish sa ka me ardh telefoni? Tash po lyp me  shkue me nji banjë në Turqi. Në dreq t’mallkuem shkoftë! Nejse babuq, me pas qeveritarë të përgjegjshëm, punëtorë e të ditun siç duhet të jenë  në të vërtetë shpejt ish ba mirë edhe në Kosovë, po valla me këta që u pasunuen rrufeshëm,  populli i vorfun ka me pritë shumë. Keq babuq, që njerëzitë e ditun në Kosovë nuk kanë kurgja në dorë. Harrova me tregue se ka ardh Bajrushi me atë nusen që e ka marrë për letra. Mos vetë babuq, nusja ma e moçme se nana e tij. Sa ti ban letrat,  kurrë nuk e la djalin me çue jetën me ketë plakë, që për çka do sen po thoshte: “dankeshen, dankeshen” . -  u kish thanë shokëve baci Ramë.  Tung  babuq  se ma cingëroj Sadberja...

Fund shtatori, 2011

Letra 19

Babuq,
Deri mbas orës 12 të natës mbramë na ka ça kryet Sadushi tue u lavdue sa djalin, sa çikën. Çika njime e la fakultetin po punën e ka të mirë. Çka bahet në Kompani atë e pyesin. Veç me  IPhone (ajfon) në dorë rri. Djali qashtu, drejtori ban be në krye të tij. Kah shkon me veti e merr. Pse, shofer i drejtorit asht? - i tha nanuqi. Jo, jo nuk asht shofer, po qe, drejtori e merr me veti se i gjindshëm dreqi, ka mësue gjuhën angleze,  i di udhët, kompjuterin n’hava e çon.  Qysh moj, me i ra prej havës i thehet kompjuteri. – ndërhyni Sadberja.  Jo, jo s’më kuptuat, desha me thanë se asht mjeshtër i madh për kompjutera. Çikat plasën mbas tij, po ai nuk po do me u martue pa magjistrue, pa e çue shpinë edhe nji kat dhe pa e ble nji banesë në Sarandë. Sadberja si dreqi e pyeti: Qy, kur e ka krye fakultetin që pa dashka me magjistrue djali? Pse a zor me krye fakultetin a? Mas mrami edhe e blen diplomën, pare ka shyqyr Zotit. Edhe për çikën u mytën tue interesue, vazhdoi Sadushi,  bile edhe  djali i Ramadush Carit turr po ban mbas saj, po çika; Jo babush, më tha, kurrë nuk e marrë atë frynq e hajn, që me asht e me rrashtë i ka ga babës vet.  Edhe shoqet e saja po çuditën: qysh moj, djali i deputetit me të lut e ti po i thue, jo? A për qat çikën që i kish ba buri buzët na çau kapakun e kresë gjithë natën a? – pyeti nanuqi mbasi shkoi Sadushi. Po, i tha Sadberja, qashtu po i ajin  buzët edhe tjerat sene çikat e grat tash. Edhe unë valla i kisha ajun pak, po e di që nuk qitesh ti, e po shuej. I ke pa shoqet e mia, bile edhe ato ma të vjetra se unë, buzët i kanë ba si rreth çerepi.  Nejse babuq, se të lodha me llafet e Sadushit e të grave.
Ndoshta ke marr vesh babuq, se Dick Marty i famshëm për shpifjet kundër shqiptarëve ka heq dorë prej politikës. Me akuza-rrena desh na qiti fytyrën e zezë, i pafytyri. Qafën e theftë!  Drejt me fol babuq, kur asht puna për neve, Evropa,  me mikroskopë prej ma të mëdhajve na këqyr. Politika shqiptare babuq, qysh thoshe ti, duhet me i harmonizue punët dhe mos me pas dallime mes forcave politike kur asht në pyetje shteti dhe interesi kombëtar.  Po valla, zor babuq, politikanët tanë  materialistë të mëdhaj  për pare e për skemli janë në gjendej me ba gjithçka. Për shkak inateve të politikanëve dhe ambicieve të sëmuta  të liderucëve edhe sivjet Shqipnisë iu refuzue  statusi për  anëtar të BE. Evropa kërkon rregull,  vepra dhe respektim të ligjeve prej ma të madhit deri te ma i vogli. Te na babuq, ligji asht si rrjeti i merimangës, në te ngatërrohen vetëm mizat e vogla, ato të mëdhajat depërtojnë. 
Vetëm me nji thirrje në telefon, Ramadush Cari e nxori Shacin prej burgut para kohe. E sheh, më tha Leutrimi, derisa të sundojnë Ramadushat, e jo ligji, në Kosovë nuk bahet mirë.  Sa morëm vesh krejt mahalla shkuem me pa se mos ndoshta burgu e ka mush mend Shacin, po valla Shaci, Shac kish mbet, bile m’u duk se edhe ma vesvese ish ba. Në veri të Kosovës barrikada e betonime të urave, sulme të dhunshme me armë zjarri e mjete shpërthyese  kundër ushtarëve të KFOR–it,  policisë  dhe shqiptarëve vazhdojnë.  Terroristëve babuq  haptas po ju ipet përkrahje materiale e morale nga qeveria serbe dhe kisha ortodokse, bile këto ditë edhe regjisori psikopat, i lindun dhe i rritun si mysliman, më vonë i konvertuem në ortodoks, dikur argat i gjakatarit Millosheviq përmes gazetës i këshillon, u jep zemër  terroristëve serbë: “  ... luftoni për Kosovë”.  Sharefedini, mirë tha, terroristët nuk nalen në Kosovë, por në Beograd, se në Beograd i marrin urdhnat, instruksionet dhe armët.
Valla babuq, mirë ish ba me ia pas ble nji televizor qasi të rrafshtë Dardanës për banesë të re, se nuk po zashin shumë ven edhe fotografinë xixë  e kishin. Nëse nuk ke pare të gatshme, merr avans  e çona për Selimin e bacit Metush se kish me ardh për Bajram të vogël.
Tung  babuq, se po thërret dikush te dera, nanuqi e Sadberja kanë vue kufjet (dëgjueset) në vesh tue fol në Skype me krejt dynjan edhe topi me kërcit edhe shtëpia me u kall ato nuk  ninë. Babuq, u ktheva me t’kallëzue se KFOR-i ka nis heqjen e barrikadave, serbet njëherë po ikin, por kur po e shohin se KOFR-i nuk e ka përnjëmend, ata prapë po kthehen. Ku ta dish babuq sa ka me zgjat heqja e barrikadave kështu tue i krue, marrë me të mirë  terroristët?
Fund tetori,  2011


Letra 20

Babuq,
Bacin Ramë babuq, dje e vorrosëm. U ftof, tue ul sa me nji guri sa me nji cung në stom të rekës gjithë ditën e lume dhe secilin që kapërcente rrugës e pyeste: Ku po shkon, ku ke?  Nji koll i thatë me zjarrmi dhe të  therme të forta në t’holl e morën për nji javë. Dekën, hak e kemi, i kish thanë teta Ale Sadberës,  ai  shkoi, po na ka lanë keq. Qysh me jetue veç me nji pension 45 ero?  Ani tash edhe Shaci  vetë i dyti pa punë.  Shacit, polakja i mbet në derë, babuq. Ani ka nis me fol kapak edhe shqip. Dje erdh Marengeleni me nusen e re. Ndejtëm e u kënaqem deri vonë. Skandalet nuk kanë të sosur, tha Marngeleni , kur është në pyetje numërimi i votave. Numëruesit e votave për Asamblenë e Partisë së Edi Bojaxhiut qe 5 ditë nuk kanë arritur të përfundojnë procesin e numërimit të 1500 votave. Maratona e numërimit vazhdon ... Njerëzit e mirë, të ditur e të përgjegjshëm i mungojnë politikës shqiptare këtu dhe në Shqipëri miku im. Flm. për të gjitha, ju përshëndes dhe mirë u takofshim herëve tjera se, unë do ik. Pse po ik? Ne, nuk i ndjekim mysafirët! – reagoi nanuqi. Ngadalë nanuq, Marengaleni po lyp izën se po due me shkue. Nuk po ik. Jo valla, as ka me ik, as nuk  ka me shkue, ka ardh prej Shqipnisë dhe pa bujt bile nji natë nuk e ka qare. – nguli kambë nanuqi. Flm. nënëmadhe, i tha Marengeleni nanuqit,  po kështu e kam punën dhe duhet të jem që në orët e para të mëngjesit në Durrës. Tani moj nënëmadhe, me ketë rrugën e kombit, që e bëri  Maloku, për dy orë e gjysmë jemi në Durrës.  Natën e mirë! – tha, dhe shkoi. Qysh moj, plot mllef foli Sadberja, ai bojaxhi, ky malok, ai tjetri diktator, pro gerk, pro serb, tradhtar, i shitun, hajn as nji udhëheqës i joni nuk mbet i mirë. Qysh jemi edhe udhëheqësit i kemi, hiq mos i jep zor, i thash Sadberës. Ata prej këtij populli kanë dal, na i kem votue. Po valla njeri, u përgjigj Sadberja, edhe të vedekunit për ta po votojnë, pse mos me fitue?!
Ifuzi u kthye prej Turqisë. Kthehet se tash nuk i duhet ma kurrkujt. Ku i ke ato jaraneshat që rrishe me to n’gu um n’gu, i kish thanë Zafina. Tash kështu gjysmë njeri nuk më duhesh as mue. As banja nuk i kish nimue, babuq. Dorën e djathtë dhe kamën mezi i luan nga pak. 
Gazetat po shkruejnë se Greqia  e lodhët prej borxheve, shqiptarëve të konvertuem në grekë ua ka ndal pensionet. Shqiptaro- greket  kanë mbet me gishat n’gojë, as shqiptarë, as grek, as  te Fata as te Hata, si ai burri me dy gra.
Mbi 20 mijë serbë të Kosovës, lexova dje, kanë ba kërkesë Dumës ruse (parlamentit rus) me u ba rus.  Kanë vendos t’i kthehen origjinës prej nga kanë ardh si duket babuq, nëse shkojnë në Rusi, Rusia sherrin ka me ua pa. 
Politikanët shqiptarë i banë fet  punët tjera dhe tash kanë nis me u marrë edhe me gjuhësi, nuk po ndalën tue akuzue  njeni tjetrin se, jo ti nuk kupton gjuhën shqipe, jo ti nuk po flet  drejt shqipen.  Shqip falsin valla babuq, po nuk kuptohen se ju mungon gjuha e mirëkuptimit dhe mirësjellja dhe duen që pushtetin ta mbajnë vetëm për veti.
Në raportin e saj vjetor për korrupsion “Transparency Internation” Kosovën e nxori “kampion” të korrupsionit, mirë u ba babuq, bile për diçka të jemi në mesin e të parëve.  Tung babuq se po vjen me nejt Rafetja e bacit Qazë, ka marrë vesh se po e lëshojmë banesën ka me na ça kryet tash tue na marrë në pyetje; kur po shkoni, kujt pa ja leni banesën, Leutrimi a vjen me juve, qysh po e leni Dardanën etj...   tue  lavdue të vetët, rrejt e përgojue krejt ata që i njeh dhe që nuk i njeh, por  ka dëgjue për ta.  Po shkoj babuq, sa nuk u mshel barnatorja me ble hapa për nanuqin se 100% ka me pas  dhimbje të kresë prej llafeve të  saj.
Të fala shumë!
Nëntor,  2011

Letra 21

Babuq,
Parnatë, kush nuk ka mujt me fjet prej muzikës e krismave  me armë. Nusja e re, qaja këdhizëjashta  e Ramadush Carit ka diplomue. Nuk e ka pa kush tue shkue në shkollë a fakultet, po ...!  Ma shumë se 200 mysafirë i ka pas. Shyqyr nuk u nal as rryma. E ka dit KEK-u se gazmend ka Cari dhe nuk e nalën rrymën si netëve tjera. Disa po thonë e ka krye fakultetin n’Pejë, disa n’ Gjakovë, disa tjerë n’Shkodër. Ku ta dish babuq, tash gati secila mahall ka hap shkolla të nalta e fakultete. 
Në Panairin e librit në Tiranë, sivjet si kurrë ma përpara bum kanë ba librat e politikanëve. Edhe letërsia babuq u instrumentalizue për nevojat e politikanëve dhe politikës. Përveç librave, vizitorëve në hymje të panairit, nën tingujt e muzikës sllave, u ofrohej me elegancë qofte serbe nga tenda – kuzhinë e ngritun kastile për ketë ngjarje. Harruet, ju shqiptarët, tha Sherafedini, se nga kjo kuzhinë u gatuen planet, elaboratet me i zhbi shqiptaret dhe tash kjo kuzhinë midis Tiranës po ju gatuen qofte e specialitete tjera serbe.  Ende larg babuq jemi prej asaj që duhet të jemi.  Mirë e ka Sherafedini.
Polakja e Shacit babuq e ka hap nji sallon me ndreq fytyrat e garave e t’burrave. Shyqyr babuq se ken tue marue. Bile babuq, aty po shkojke sahere kish naj mbledhje a takim pune Ramadush Cari me ndreq fytyrën dhe me ngjyros musteqet si bisht mini.  Teta Ale, kish thanë, hiç nuk po kam qef që po shkon aty Cari se sytë e dreqit i ka. Edhe djali saj, Shaci babuq, nuk asht ma i mirë se Ramadushi hiç, veç tash i ka ra bishti n’ujë. 
Në ndeshjen miqësore  mes kombëtares shqiptare dhe të Maqdonisë në futboll, të lujtun  në Prilep, simpatizantët vendas, të cilët vetën po e quejshin majmunë, për 90 minuta fyen e kërcënuen shqiptarët. Po të ishte gjallë Darvini babuq, sapo ti kish pa tifozët sllavo-maqedon ashtu me fytyra të ngërdheshuna e të shëmtueme, tue bërtit e sha, do të konstatonte të kundërtën e teorisë së tij: se majmuni e ka prejardhje prej njeriut, jo njeriu prej majmunit.   
Luftë e ashpër babuq në Kosovë ka nis mes akademikëve, jo për çështje të kombit, shtetit, kulturës, arsimit apo shkencës për  të cilat zihen e kanë kundërthënie akademikët, por për inate personale e bajraktarizëm. Akademiku, has akademik asht ma nalt se politika dhe nuk shtyhet me bërryla, po me punë e vepra, babuq. Këta tanët, faqja e zezë,  argat të politikës, tregtarë llafesh dhe secili shah n’veti.
Në veri të Kosovës babuq, kriminelët janë trimnue, po përdorin armë zjarri, gurë dhe gaz lotsjellës kundër KFOR-it. Kryetari i Serbisë, Boris Tadiq  me maje të gjuhës po i thirr terroristët për qetësi, por ata i paskan thanë: “Qe 12 vjet na ke financue, fol ndryshe, tash nuk duemë  me ni as për ty, as për KFOR-in”.  Nuk nin babuq, se janë lidh me Rusinë, me Nikoliqin, Koshtunicën, Daçiqin e Millosheviqit, me nji fjalë me krejt ata që janë kundër Evropës, Amerikës, rregullit e demokracisë. Tung babuq se po vjen Leutrimi me nji shok t’vetin, djalë i shkolluem, i ditun, i sinqertë,  i fjalës, po i papunë. Rrezik asht këtu babuq m’u kan i mirë e i ditun. Si të mos jesh pehlivan me këcye si ketri prej nji degë në tjetrën, me dredh e me zhdredh, me u ba me të fortin, punë nuk gjen kurrë.

Dhjetor, 2011
Letra 22
Babuq,
Jemi shtue. Dardana ka djalë. Burri i saj, Rodrigez ish fans i flakët i “Realit” të Madridit dhe emnin ja ka lanë Ronaldo. Qysh moj nuk ja paska lanë emnin e qati djali që po luen për Zvicrën edhe  shqiptar asht edhe emnin e ka të mirë, Xherdan, tha nanuqi. Hajt, se ka mujt edhe ma keq, reagoi Leutrimi, çka kishi ba ju me ja pas lanë emnin e fudbollistit barzilian, Kaka? Ka, keq e ma keq, babuq!
Tetes Ale ju ka ba shtëpia multietnike. Ka ardh Saranda prej Francës për festat e dhjetorit me dy çikat dhe djalin. Ani djali e kish marrë me veti dashnoren franceze, nji pikaloshe e bardhë si tamli, qiri e drejtë dhe me flokë mnash (mëndafsh) të lëshume për shpine. Para dy dite i ka ardh Bajrushi me gjermanken. Saranda i ka lanë fëmijët dhe vetë ka shkue te nana e saj. S’due me ja pa surratin Shacit ma, kish thanë ajo. Shaci, për fëmijët e vetë, i thotë polakës, se janë të motrës së tij. Sa i nin fjalët e Shacit, gjermanja kish sha e reague në gjuhën e vet; Lygner horauf niht lygen (rrenacak, mshele mos rrej) , kurse djali me francezen dhe motrat, çantat në dorë, dhe natën dalin prej shtëpisë. Disa po thonë kanë marrë me qira banesë, disa po thonë kanë shkue te Saranda. Teta Ale u ba helem. S’ka faj babuq, u mërzitë për fëmijët. E shkreta, në shtëpi të vetë, si e huej. As polakja, as gjermanka nuk po dojnë me pa me sy.
Ramadush Cari si ka marrë vesh se Gjykata Kushtetuse e Kosovës ka anulue dispozitat që u mundësonte deputetve edhe mbasi të shkojnë në pension me realizue shtesa pensionale ekstra vetëm për ta, u ba hunë e buzë bashkë. Babuq, këta me mujt edhe mbasi të vdesin kishin marrë rroga, meditje e përfitime tjera. Të pangim babuq, kurgja nuk po ju del! Ishalla nuk janë krejt deputet si Cari se mos vet për neve. Mos qofshin krejt, shumica janë, mbasi kanë mujt me aprovue dispozita në Kuvend për përfitime personale, tha nanuqi. Për këto dispozita, njime babuq, pozita dhe opozita janë kanë të nji fjale.
Babuq, berllogu gati na ka mlue. Lumejt, sheshet, rrugët janë zanë me pampersa, thas najloni, bërllog e mbetje tjera. Te na, njerëzitë vetëm brenda shtëpisë e oborrit kujdesen me mbajt pastër. Jasht shtyhen kush po shkatërron, pështyen, then, prish e ndotë ma shumë ambientin. Në Evropë babuq edhe grat plaka prej dritares po këqyrshin kush po shkel e këput lulet, kush nuk po sillet konform ligjieve me kallëzue policisë. Në Kosovë ketë përkujdesje e zanë shpijunllak.
Nashti ke marrë vesh se Serbisë edhe kësaj here Brukseli nuk ja çeli derën. Qysh me ja çel derën shtetit që aq shumë vrau, masakroi, dogji e shkatërroi në vitet e 90-ta. Kurrë nuk kerkoi falje, po edhe sot financon, përkrah e ndihmon grupe mafioze e kriminale, që vrasin e bllokojnë rrugë, mban dhe emnon në poste të randësishme gjeneral e politikanë të kohës së kriminelit Millosheviq. Diplomati suedez, Carl Bildt u myt tue vajtue, bile ma shumë se serbët dhe kolegu i tij, Jeremiq. Çudi babuq, nga shteti i rregullit dhe i shkollës me temel të Suedisë, me dal ky beter e faqe zi i paedukuem!
Në keteë muej festash, pushimesh të mërgimtareve, materpazet po i ferkojnë duert, kanë çue n’hava çmimet, malli po depërton nga të gjitha anet kontrabandë, bile edhe falls e me aft të skanduem.
Në veri të Kosovës babuq rusët kanë shti 27 kamiona ding me  “ndihma”,  që veç ata që i kanë ngrkue dhe ambasadori rus në Beograd Konuzin e dinë,  për grupet mafioze dhe  kriminel e bllokues të rrugëve.  Gjithë çka ka aty babuq: armë, politikë, propagandë etj,  po ndihma humanitare jo.   
Nanuqi, u ba nervoz, që nuk po vejn për Vitin e Ri. Hajt nanuq, i tha Sadberja, e di babuqi çka ban. Vjen mas Vitit të Ri se lirohen biletat e aeroplanit, a po e sheh që po na duhen Eurot!?
Kuku babuq, ka ardh nji masazhiste a falltore te Ifuzi me shnosh prej paralizës. Tue ngjesh e ka shti në gjumë të randë Ifuzin. Çohet dhe për kadale tangall ja ban shtëpinë, ngarkohet mirë, dhe ka thye qafën dikah. Po thonë, tri ditë Ifuzi u kënaq tue fjet.  Zafina, tym po qet: Na kish fik magjupja, nuk kish lanë gja të vlefshme pa marrë; eurot, ajfonin e Ifuzit, arin tem të nusnisë, laptopin e çikës, kamerën e plejsteshen e djalit … deri edhe sahatin e arit prej dorës ja kish hjek qyqanit!? Qysh nuk ja kish hjek edhe kryet se vetë e ka  thirr me ngjesh  magjupja, dhe njime e ngjeshi e na qiti thesin në shpinë me dal me lyp. Babuq, krejt po thonë, harami  del dikah!
Tung babuq se erdh Rodrigezi me shkue në maternitet me marrë Dardanen me Ronaldon.

Fund dhjetori, 2011
Letra 23
Babuq,
Për babinë të nipit Ronaldo e kemi kall krejt. Kem pas 180 mysafirë të thirrun edhe ku ta dish sa kanë ardh pa i thirr kurrkush. Dardana krejt shoqet e shokët e punës  i thirri, Rodrigezi qashtu. I patëm dy defatore nga komuna e Klinës, që na kanë kënaq, nji grup valltaresh me surrle e tupana me hesap nga Tropoja, muzikë e kangë spanjolle të Riki Martinit përgadituna kastile për ketë gazmend, kangë të Medës etj. Vallja e gëzimi n’hava ka shkue deri në sabah. Salla pak e ftoftë babuq sidomos për gra se tash po vishen hollë e shkurt, po shyqyr tue këcye u nxehshin. Nuset si në revy mode babuq, ekspozuan gjithë arsenalin e veshjes, qaforeve, këpucëve, bile edhe qeshjet e llafet fals: “very kull po dukesh ... najs e paske rregullue ftyrën, flokt.. valla mirë po punon moj, qaj “Salldum - Prestige”  a qysh e pat emrin?”
A krejt qeto shoqet e shokët e Dardanës dhe Rodrigezit janë policë? - pyeti nanuqi. Kuku, gjithë ky nam i tyne dhe nuk po mujn me nal hajnin e korrupsionin, me i hjek barrikadat n’veri t’Kosovës, me arrestue kriminelët,  jazik ju qoftë! 
Ramadush Cari, babuq, nuk po di çka me ju ba pareve dhe po blen livadhe e ara djerrina. Baja ti gajlen se nuk di Cari, tha Sherafedini, nëpër ato  djerrina  ka me kapërcye autostrada dhe çmimi i djerrinave n’hava ka me shkue, hiç ma larg se në pranverë.
Dje e takova bacin Qerim, shokun tand, që sa here flet me mue nuk  e le pa pyet për te e familjen e  tij. Nejta nji copë here me te dhe ty as emnin nuk ta përmendi. Rrejti  qysh po i  fitojnë djemtë shumë, qysh po e lusin me shkue n’deti, qysh e kanë fitue tenderin me asfaltue rrugën e ndreq trotuaret në qytet etj.  Çfarë deti babuq, tash në dimën?! T’kam thanë babuq, për kerkand mos ta nin se këtu njerëzitë kanë ndryshue si hana me dill. Edhe ata që dikur kanë pas burrni e fjalë tash kurkund nuk ju ze fjala vend, rrejnë e lavdohen për kurgja send, t’vjedhin e t’mashtrojnë para syve.
Ndoshta ke marrë vesh se ka nis zbatimi i marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës e Serbisë. Pozita po thotë kjo asht fitore e madhe, opozita po thotë humbje e madhe. Kujt me i besue? Jemi ba edhe na shqiptarët babuq si shkijet, humbjet po i quejm “fitore”. Në luftën tonë me ba Kosovën multietnike me zor  kemi mbërri edhe nji fitore babuq; flamurit të Republikës së Kosovës po i  shtohen edhe dy yje, dy pakica: malazezët e kroatët.  Kështu e ka demokracia babuq, edhe nji furgon njerëzish që deklarohen jo shqiptarë  në Kosovë i shpallim pakicë, gjuhën e tyne zyrtare, ja qesim yllin në flamur dhe ju sigurojmë vende në Parlament. Për ditë e ma shumë babuq Evropa po na shtrëngon si me mengele, bani kështu e kështu ... Merr neve e jep tjetër kujt. Babuq, jemi kënaq tue  kesh me mesazhet e politikanëve me rastin e vitit të ri, sidomos kur folshin për “luftën” që do ta bajnë kundër korrupsionit dhe nepotizmit në vitin 2012. Fola me Marengelenin për Vitin e Ri. E shikon, m’tha, çfarë trapash janë politikanët tanë, të keqën e kërkojnë te tjetri, ndërsa për të miren i bien gjoksit. Për shkak inateve të tyre u refuzua për here të dytë integrimi i Shqipërisë në strukturat e BE. Mirë e ka valla babuq, Marengeleni. Qashtu asht. Politikanët, dielli kur nxen, thonë, ne po ju nxejmë. 
Tung babuq se po vijnë gra me pa CD-në e asaj mbramjes në restoran.  Drejt me fol babuq, na lodhën. Për natë veç kur vijnë te dera; “Erdhëm me pa kasetën”. Edhe CD-ja  babuq e gjatë 4 sahat. Edhe katër tjera tue komentue kush ish e vesh e kush këcej ma mire, po harrojnë me shkue te shpia deri në sabah. Marum!
 Janar, 2012
Letra  24

Babuq,
Sadberja u ba marak qe nuk po martohet Leutrimi. Hajt i thash, shnosh se martohet. Qyy, djali  shnosh asht tue kup, po pse  qat çikën që po kalon me te  qe sa vjet  nuk po e merr? E mirë, e madhe, me punë, e shkollueme, çka po prit, vjetët po shkojnë! - m’u vërsul Sadberja. Çka po prit? Po prit me dal në pension njihere pastaj me u martue ja ktheva,  me  inat. Qeshtu tash këta t’rijt babuq, pa u lodh e pa e pae vetin se nuk e merr ma kush, nuk martohen.
Dje erdh me pa CD-en e zijafetit për Ronaldon  gruja e Carit. Te ju, kish thanë, e çeli gojën se në shpi mos me pas Rokin s’kam me kend me fol nji fjalë.  Boll pat qef me këqyrë deri në fund CD-en po u deshtë me shkue se Roki  e ka kohen e gjellës.  Mos mi  qit me hangër me kohë e çon peshë mahallen tue leh se për ata tjerët; djalin, nusen, Ramadush dreqin dhe atë këthizëjashtën nuk e kam gajle, ata, as nuk hanë, as nuk rrinë në shpi. Dhe drejt me t’kallëzue,  n’atë shpi veç Roki që m’do e gëzohet kur m’sheh.
Sadushit pramë ja kanë vjedh Golfin 2, xixë të ri, që ja ka pas  prue babuqi i tij prej Gjermanisë.  Kur shkon me paraqitë në polici, policia i paskan thanë:  “Nuk e kem gajlen e Golfit tand, a po sheh që jemi të zantë me protestuesit që po dojnë me na nal pllazma keksat  n’ kufi.”  Sigurisht i ke pa në televizion,  babuq, me 14 janar, sherri i prodhimeve serbe,  shqiptari tue i meshue  shqiptarit, hiç pa isaf. Shteti në demokraci babuq, as nuk mbahet me kërbaç, as nuk merret me gurë. Aktoret tanë politik, valla.... Mirë kish pas thanë fanesha babuq, këtyne herësh: M’u kan secili me mbajt shpi, Kola jem i kish mbajt tri.
Shaci nuk po preket me dorë. Gra e burra në ren tue prit para dyqanit të grues së tij me kallait  ftyrën. Babuq,  tash edhe burrat po i nukin vetullat e ngjyrosen si grat. Jam këput  tu’ kesh me nanuqin, kur tha: Le të lyhen, ngjyrosen e nuken badihava. Ata njerëzit s’ta këqyrin vetëm ftyrën po edhe tjetër kah. Shaci,  ja pa hajrin polakes. U rigjistrue edhe në fakultet. Edhe mbaje mend,  ka me  krye para  të gjithëve se i ka ardh n’kuti me krye. Si të kesh  pare, këtu  babuq, e kryen fakultetin, doktoron, gjen punë, bile edhe ministër  mundesh me u ba.
Në  Këshillin Ekzekutiv të  Afrikës, të majtun këto ditë,  sehirbazi i Serbisë Vuk Jeremiq e ka akuzue Kosovën se po i blen njohjet. Çfarë debili, Kosova paska ble Amerikën, Gjermanin, Francën ...?!  Shakaxhi i madh asht babuq ministri serb, rren për hava e nuk skuqet hiç.
Borë e madhe ka ra babuq këto ditë në Kosovë, krejt rrugët janë të zanta, po neve, këta për  mirëmbajtjen e rrugëve, sebep  Ramadush Carit na çelin rrugën ma s’pari. Bile edhe rrymën këta te KEK-ut nuk e nalin asnjëherë. Për qeto dy sene jem tue ja pa hajrin Carit, babuq. Sot bash ju gërmova Sadberës: Çka dreqin je pik me lujt me plejsteshen, si fëmijë m’u kanë. Pse, tha, ma mire luej me plejsteshen se me këqyr deputet në Kuvend tue rrejt, sha e fol zi e terr për najni tjetrin. Nanuqin e luta sot, hajt bre nanuq, gatuje nji pite si këtyne herësh se m’ka ra huj. Jo valla, ma priti, nuk po due ma m’i shti duert n’brum, boll kam gatue, thuej grues tane! Po, i tham bre nanuq, po, a po e sheh se asht tue lujt me plejsteshën. Ajo tue lujt!? Edhe unë jam tue këqyr në fejsbuk naj çikë për Leutrimin.Tung babuq, se po dal me ble bukë te dyqani i Hetës.

Shkurt, 2012
Letra 25

Babuq,
Çka u ba me do fletore që u kanë dhanë deputeteve, e pyeti nanuqi Leutrimin. Çka u ba? Burrat u kanë thanë grave deputete dhe krejt  femnave tjera se këtu në Kuvend të Republikës së Kosovës kolliten burrat. Grat e kanë vendin në kuzhinë me gatue, la enë e me rritë fëmijë.  Qyy, ani këta burra po donë me na çue n’Evropë a!? Medet për neve! Krejt valla qeta në krye t’vendit, vazhdoi nanuqi,  ishin si Ramadush Cari,  gruen n’shpi, kurse nëpër udhëtime zyrtare, dreka e darka nëpër restorante e merr me veti atë këthizëjashtën të fryme me silikon para e mbrapa. Jo, i thash nanuqit, nuk janë krejt si Cari, ka edhe djem e çika të mirë e të ditur, po  ata nuk i pyet kush për kurgja ose kanë dal jashtë. 
Sllavo-maqedonët s’po lanë vend në vendbanimet shqiptare pa shkrue grafite fyese për shqiptarët, s’po lanë ndeshje sportive pa e ça gojën me britma të flliqta që vetëm goja e tyne mund t’i thotë. Babuq, me hesap ju ka hi frika prej shqiptarëve ose naj dreq tjetër i qeverisë së Gruevskit, shërbimeve sekrete të Serbisë fshihet mbas kësaj dhe ku ta dish kur ka m’i dal tymi këtyne shamjeve raciste. I keqi, veç keq mendon, babuq.
Ka dal në Prishtinë libri “Historia e Kosovës” e shkrueme me fakte e argumente për Kosovën, Ballkanin dhe  shqiptarët në përgjithësi. U kallën akademikët, historianët dhe politikanët e shtetit fqinj, nuk janë mësue ata me ua trubullue ujin kurrkush. Hala pa e lexue librin po reagojnë si gjithmonë me rrena, falsifikime e sajime që ma nuk po ju shiten. Shyqyr babuq, që shkoi ajo koha kur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste në Beograd u ka diktue historianëve në Prshtinë qysh me shkrue historinë.
Ifuzi e Zafina e kanë fejue djalin me nji çikë me letra. Në korrik donë me ba darsmën, po janë kap mes veti për muzikë e këngëtarë. Zafina po do me marrë Danin, Ifuzi motrat Mustafa. Parnatë, potera n’kup të qillit kish shkue te ta, kallëzoi  teta Ale, bile  Ifuzi e kish gjuajt me telefon të dorës Zafinën, po shyqyr veç pak përshkit nën mjekër e kish rrokë. Ifuzi babuq, njimend  i paralizuem, po njana  dorë për sherr ende i punon. N’zor janë Zafina e fëmija prej tij.
Më thirri Marengelni në telefon: Fryma e urrejtjes politike mes partive kryesore, po e dëmton ardhmërinë tonë, më tha. I hollë është Marengeleni babuq, bash qashtu asht. Si te ne në Kosovë, si në Shqipni, shtetarët ma shumë harxhojnë kohë tue marrë me njeni-tjetrin se me punët për të cilat paguhen. Pushtetarët kanë formue ekipe me luftue korrupsionin e kriminalitetin. Njerëzia po pyesin tue i majt brijtë me dorë prej gazit: Qysh  mujn me luftue  të korroptuemit, korrupsionin, qysh, ha ha ha?! 
Tung babuq se po shkojmë me ja ba përhajr që e ka krye fakultetin Shaci. Qysh moj kaq shpejt e kryti, tha nanuqi, baba yt, 5 vjet ka zgjatë deri e ka krye, kurse tash për nji vjet...  !! Jo, për nji vjet, por për nji ditë, o nanuq,  diplomojnë, specializojnë e doktorojnë ata që kanë pushtet e Euro! - e ndërpreu Leutrimi.

Shkurt, 2012


Letra 26

Babuq,
Populli u ba merak për qet marrëveshjen me Serbinë babuq.  Pasha nanën, tha sot nanuqi,  kjo fuzotë dreqi, asht si gozhda e Nasardinit,  shkiet  sa herë duen kanë me thanë;  “he, gozhda asht e jona, vetë keni pranue, kur duem vijmë e varim setrën, kur duem vijmë e marrim”.  Sytë katër duhet me  me i ba  se sherrin e madh e  kanë shkijet, babuq. Evropa po i merr me t’mirë dhe gjithmonë i ka mshel sytë me ta edhe kur kanë vra e ba krime mbi popuj e shtete, mbylli sytë kur përzuni, shkretnoi territoret te banume me shqiptarë në tokat e tyne prej kur mbiu lisi të Toplicës në vitin 1878, heshti kur dogji e masakroi shqiptarë 1912, 1913, 1945, nuk bëzani kur burgosi, persekutoi e vrau shqiptarë 1968, 1981, 1989, 1999 . Ata hynë e dalin pa viza në shtetet e Evropës, kurse ne ende të ndalume i kemi  lëvizjet e lira për n’Evropë edhe pse Evropa asht ma shumë se kudo tjetër në Kosovë.  Sadbere dreqi, e veti Ramadush Carin dje: O, aga Ramadush, cka u ba me neve që krejt janë çue n’kamë për qet marrëveshje me shkije? Çka u ba? Mirë u ba, sa t’jemi ne në pushtët deri te Molla kuqe kem me marrë. Opozita  po donë me na prish me Amerikën, po ne nuk lejojmë, jo!  Kuku për neve, opozita me na prish me Amerikën ju me fusnota me na prue  shkijet apet, medet për neve, ndërhynë Sadberja. Hajt, se nuk asht kjo punë për gra, dimë ne çka bajmë, i bërtet Cari. Njime babuq, çka ka me u përzie populli mbasi pushtetarët kanë dit me u pasunue aq shumë e aq shpejt për veti, dinë edhe çka asht fuznuta qysh po thotë nanuqi për fusnotën.
Sllavo-maqedonët janë trimnue babuq, po e masin vetin me hije t’akshamit. S’kanë lanë shesh të qytetit pa ngrit përmendore personaliteteve që nuk kanë lidhje me ta, tigrave e luanëve dhe po mendojnë se edhe ata vetë janë luan e tigra. Nuk po nalen tue sha, zhyt muret e monumenteve, faltoreve dhe shtëpive të shqiptarëve me alfabetin e tyne cirilik. Bile tash edhe po vrasin shqiptarë. Po vrasin e nëpërkëmbin drejtat e shqiptarëve edhe me fajin e shqiptarëve babuq se  politikanët e tyne janë të përçamë, kapadai e inatçi mes tyne dhe puthadorë me të tjerët. 
Në përvjetorin e 568-të të Besëlidhjes në Lezhë, krenat e politikës shqiptare nuk gjetën forcë të festojnë së bashku. Keq babuq, në festën kur princat shqiptarë u morën ngryk tue dhanë besën njeni - tjetrit për bashkim para 6 shekujve, “princat” e sotëm as vetës nuk po i zanë besë, e lene ma kundërshtarit politik. Medet!
Ifuzit i ka ardh jaranesha  preje Bullgarisë me nji fëmijë, merre maje se i yti asht, i ka  thanë Ifuzit, ja ka lanë te dera dhe vetë ish kthye me taksi në Qystendil. Zafina helm u ba. Mjerë ajo babuq, tash edhe fëmijët me gra tjera që i ka lind  me ja këqyr rraspillanit. Fëmija babuq, Ifuz në vend ish: gojën,  çehren, sytë me maje si  të tij i kish, nuk kish nevojë me ba hiç ADN-ën. 
Shaci, s’po ka kohë as shahadet me ra prej polakës, për ditë e ma shumë po qet brina. Bajrushin e kish rrue dreqi me atë plakën dikun me nji vend si Brezovica jonë, në Zvicër. Jam ba marak, me ba me u rrëzue n’borë Bajrushi, qysh u trash, qaty jetë. Po më dhimet mbet me qat gruen kryet si kroshne për letra, letrat kurrkund hiç. Edhe po tutna moj, u mësue me te dhe i ka mbet në derë përgjithmonë.  Shaci tue pas gruen, tre fëmijë si drita e muer polakën. S’kanë me pa dritë asnjani as tjetri. – na tha teta Ale mue e Sadberës se shkuem para dite me ja çel rrahën se bora e ka pas bllokue. 
Tung babuq se po shkojmë me pa Kushtrimn e bacit Qerim. Ka hyp në kulm të shpisë me hjek borën. Mule, i ka thanë e shoqja, erdh rryma, Ronaldo e dha gol! Ai tue u ngut me zanë ndeshjen ka rrëshqit dhe e ka thye kamën, pak nën gju. Hajt tash, le të çon Ronaldo në spital, i kish thanë baci Qerim. Peshë janë çue babuq mbas futbollit. E çanë gurmazin tue bertit kush për “Realin”, kush për “Barcelonën”.  Mirë tha nanuqi, na plasëm mbas tyne, shteti tyne s’po na njeh Pavarësinë. Respektoje vëlla tjetrin sa të respekton ai ty.
2 mars 2012

Letra 27
Babuq,
Nanuqi sot u mërzit shumë; qysh moj qaj njeri u harrue, as nuk erdh vetë, as nuk ma çojë pomaden, as ngjyrën e flokëve se këtu krejt senet falls, bile si në mahi vazhdoi, mos ka gjet naj tjetër, po ky kishe i ka letrat ...  Babuq, njime na ke harrue, s’ka faj nanuqi, eurot nuk naj çove për djalin e bacit Nezë se Western Union po kushton koxha shumë. Tangallë na ka mbet frizi edhe rryma shtrenjtë u  ba  se dimni i ftoft e me borë mbajti sivjet. Leutrimit rroga nuk po i del. Qysh me i dal babuq, javë për javë sa n’Brezovicë, sa n’Turqi me djalin e Carit. I kam thanë, njëqind here, djaloo, nuk ta qet ty me djalin e deputetit, po me i fol atij, si me i fol drunit.  Dardanës i ka ardh vjehrra prej Madridit. E kish thirr Rodrigezi me i ndihmue Dardanës me këqyr djalin.  E sheh, m’tha Sadberja, unë tre fëmijë i kam rritë as ti, as nana jote kurrë nuk më keni ndihmue. Boll, mos ma çajë kryet, i thash, se te ne shqiptarët nana i rritë e këqyr fëmijët, burrat kanë punë tjera.
S’po na lanë me çel sytë ndërkombëtarët: s’ ban, nuk duhet, s’keni të drejtë, pranoni fusnotën... N’zor janë këta në krye të vendit, babuq! Çka n’zor, ndërkombëtarët? – m’u ngjit* Sherafedini. Ndërkombëtarët nuk ju ndalojnë juve kosovarëve, qysh po ju thotë Halil Matoshi juve shqiptarëve dhe “yllave”  tjerë që i keni në flamur, me vjedh shtetin,  me marrë ryshfet, me shkatërrue pasunin shtetënore, me uzurpue, të mirit me i thanë i keq, te keqit i mirë, t’huajve me ju ba temena e nënshtrue, tandin me hangër mish, ndërkombëtarët nuk ju thonë me lanë tokën shterp, me rrejt,  mashtrue, natë e ditë me këqyr filma serik, me lujt  nëpër bastore, mos me respektue ligjet .. Ma msheli gojën Sherafedini babuq, qashtu asht, me vjedh shtetin tand asht si me vjedh shtëpinë tande. Bravo, bre Sherafedin, i thash, je ma analist se qeta analistët e sotëm, që na krymen me rrena e analiza tu’ ba propagandë pro bosave të tyne partiak, që sall për fusnotën e Editës kanë shkrue me qinda faqe, kush: “kem fituar”, kush: “ kem humbur”.   Te ne babuq, kur humbim, humb populli e shteti, pushtetarët edhe kur bajnë gabime  pa dashje, ose me dashje prapë, n’kali, se n’kali. Hajt, tha nanuqi, kush ka fitue? Kanë fitue Thaçi e Tadiçi; i pari namin te ndërkombëtarët si  i ndëgjueshëm dhe i dyti  nji mandat tjetër me qeverisë n’Serbi.  Kësaj marrëveshje me shkijet i thonë deledash, edhe ne, edhe ata (s)kem fitue pasha nanën, qysh donë shtetet e mëdhaja, qashtu bahet. 
Në Maqedoni situata për ditë e ma e keqe. Kjo asht rezultat i politikës nacionaliste të Qeverisë së Gruevskit, i cili prej kur ka ardh në pushtet i fryn  zjarrmit të urrejtjes. Sllavo-maqedonët ia nisën me Enciklopedinë, kangë, thirrje fyese, djegien e flamurit tonë, grafite, së fundi edhe me rrahje e vrasje.  Çka mbjell, korr babuq. 
Marengeleni të premtën erdh me çikën e burrin e saj skocez te na. Jemi kënaq muhabet. Dhandri kish mësue shqip. Ma mirë po e marr vesh skocezin se ty Marengelen, i tha Sadberja. Ke të drejt zonjë, prefekt shqipen e kish mësuar Majkëll, i lumtë! Ky e paska mësue, vazhdoi Sadberja, këta tanët si po dalin jashtë për nji vjet po e harrojnë shqipen, bile disa edhe pa dal kurrkund hiç  ma shumë se gjysmën e fjalëve i thonë në gjuhën angleze:  Tu, du, sori, gërl, thenks etj. gërdinë me ta çue. Të nesërmen me Sadberën e nanuqin i përcollëm deri në Prizren. Po mërzitemi babuq, pa dal kurrkund. Kur u ndamë, Marengleni, tha: He miku im, Maloku* e bëri autostradën, tani jemi më afër njëri-tjetrit. Qashtu valla asht babuq, kur po na  tekët, kerrit dhe në Durrës për tre sahat. 
Zafina e Ifuzi janë marrë vesh për muzikën për dasmën e djalit. Kishin vendos me marrë, nji natë motrat Mustafa, nji natë Danin. Dy ditë darsëm babuq! Kështu kish thanë Ifuzi, po deri në korrik ndërron situata. Nuk i pret sakica me nji vend atij. Nejse babuq, s’po due me marrë napër gojë, po edhe djali i tij me zhele vesh i ka ngja Ifuzit, mjerë ajo nuse që vjen te ta. Dardha nën dardhë pikë babuq. Teta Ale, u ankue sot, ma shpesh po i vjen djali haxhi Çerkinit prej Gjermanisë me pae nanën e vet se djali jem Shaci, që nuk asht ma larg se nji vrap pele prej meje. Përzot jazik i qoftë! Qashtu valla babuq, teta Ale, u ba me tu dhimtë! 
Tung babuq se po vjen për nji kafe nji shoqe e Sadberës. Për nji kafe thotë, po rri gjithë ditën. 

*) Kundërshtoi
*) Për presidentin Sali Berisha
 16 mars 2012

Letra 28
Babuq,
Shumë njerëz, sa mshel e çel sytë, kanë ba pallate, si në përralla, kerre të shtrenjta dhe çka jo tjetër. T’lanë mendet kur i sheh. Ishalla mbërrimë me ndërtue edhe na, bile deri dikund. Veç banu gati, më tha nanuqi, ndërtojmë pallate edhe na, kur t’ban qarri dardha! Mirë e ka nanuqi, këto pallate e sene nuk bahen me punë, po edhe unë nganjëherë flas kot. Nejse babuq njëherë për njëherë po ju ec puna...
Kuku babuq, e ka zanë polakja në banesë Shacin me qat çikën, që ka pas ik në Francë. Kush asht kjo femen, që të paska ardh në banesë? - e pyet polakja. Asht nji shoqe e shkollës. - e rren Shaci, ka ardh për do shënime. Polakja e mençme babuq, hiç nuk e ban të madhe. Ja kurdisë kamerën tinza në banesë dhe ardhjen e “shoqes së shkollës” në ditët tjera e incizon. Filmin me veti, dhe drejt në gjyq ... Gjyqi e ka qit qafëlak prej banesës Shacin, vetëm senet personale; maqinën e rrojës, brushën e dhambve dhe do arna tjera ja ka lanë me marrë dhe ja ka ndalue ma pak se 100 metra largësi rreth dyqanit dhe banesës së polakes mos me u afrue. Tash ka mbet si huti n’mjegull, babuq. Teta Ale, na tha mbramë, shyqyr që m’u kthye djali në shpi. Njime pensionin të vogël e kam, po sa për cigare nashti i dalin edhe ishalla mos po mushët men se ka pas marrë nën udhë. Jo valla, mbasi qe 50 vjet Donzhuani nuk u mush mend, nuk mushet kurrë. Tash veç çka ti dalin ma shumë! - deshta me i thanë tetës Ale, po nuk i thash se m’u dhimbtë. 
Për politikanin shqiptar babuq, kundërshtari politik asht anmik e përtej anmikut, i urrejtun, tradhtar, mizor dhe ma i keq se shkau. Prandaj babuq i kemi punët pus. Për çdo marrëveshje duhet të vijnë të huajt me ndërmjetësue. Korrupsioni po banë kërdinë. Mirë, tha ambasadori Dell, i gjithë spektri politik kosovar është i korruptuar, përfshi këtu edhe Agjencinë Kundër Korrupsionit, mediet dhe gazetarët. Kiamet babuq edhe ata që duhet me luftue korrupsionin, të korruptuar!
Ramadush Cari ka rrëshqit në mermer dhe e ka thye kambën keq, tue lujt me Rokin. Krejt oborrin n’mermer e ka shtrue babuq. I madh e i vogël po shkojnë me pa. Me dashtë nuk e duen hiç, po servilët babuq me i hy n’hatër, vijnë sa me u pa. Edhe këta t’mdhajt, mërziten në zyre dhe dalin me marrë hava ma shumë. Dalin me vetura t’shtetit edhe me përcjellje të policisë para e mbrapa me sirena të lëshueme, veshët na qitën. Doktorët i paskan thanë se ka me zgjat shumë deri sa të shërohet Ramadushi, mos vet për mue, i kish kallëzue nanuqit, gruja e Carit, s’po muj me ju dhanë hall mysafirëve, ky ratë dhe veç bërtet e fol. Foltë me gishta jarabi! Ajo kërthizëjashta u tretë dikund. Rokit kur po i vjen koha me shëtitë po duhet me dal me shëtitë se n’gjynah të shtinë tue leh përvajshëm. Djali e nusja m’u kanë me lujt me te, luejnë, me këqyr unë po duhet. Valla, qashtu asht babuq, zor boll e ka teta Myrvete! Bile nanuqi, tue kallëzue për te, veç sa nuk kajti. 
Në TV-të tona babuq nuk ke çka dëgjon e sheh përveç blla, blla, bllat e analistëve, shamjet e intelektualëve, premtimet n’hava të politikanëve, shpifjet e deputetëve, filma serik dhe reklama të prodhimeve të huja. Unë për veti babuq, me nanuqin e Sadberën ma shumë rrimë në internet. TV-ën e këqyri veç kur luejnë ekipet e mdhaja të Evropës. Në stadiumet tona nuk shkoj se ja grushtohen publiku mes veti, ja lojtarët e rrahin referin. 
Sllavo–maqedonasit të nervozuem pse nuk po ju kalojnë rrenat se janë pasardhës të maqedonasve antikë e kanë intensifikue luftën kundër shqiptarëve. Nuk zihet dielli me shoshë babuq! Leka i madh nuk ka qenë as grek as sllavë, po me prejardhje ilire. Kjo e vërtetë po ju dhemb babuq, atyne dhe krejt të tjerëve që nuk na donë! Koha asht babuq, që klasa politike shqiptare me u kundërvue me nji za përpjekjve të sllavo-maqedonasve në ndryshimin e ralitetit historik e demografik të shqiptarëve dhe veprimeve kriminale ndaj shqiptarëve në Maqedoni. Fundja, për mbrojtjen e interesave shqiptare janë votue këta “heronj në gomarë”, si po i quen intelektuali, Kim Mehmeti, politikanët shqiptarë në Maqedoni.
Tung babuq se po na thirr Dita, nji shoqe e fejs bukut me fol në Skype. Po bajmë muhabet e po kënaqemi pa asnji kasavet me te, secili prej shpisë vet, se valla kur po vjen gruja e bacit Shemë me çikën me buzë t’fryme buri, tue këqyr si me qenë inspektor sanitar brenda e jashtë shpisë, që me mujt me t’marrë napër gojë, ta gërditë ndejën e muhabetin. 
Prill, 2012

Letra 29
Babuq,
Ramadush Carin në përcjelljen e mjekut dhe të kërthizëjashtës me aeroplan e kanë çue me nji banjë në Turqi. (Lehtë babuq e kanë edhe kur sëmuhen këta të pushtetit). Cari mbas dy dite e kish përzanë kërthizëjashtën. S’ka mujt me dure babuq tue u tarahit, lazdrue e fol ajo gële mële, kishi po di turqisht, me burra me mustaqe të zeza e t’holla, vetulla t’nukta e flokë të lloçafta me gell. Tash e ka thirr gruen. Boll mire ish ba, që po del pak edhe ti me pa botën se kurrë s’ke dal.- i paskanë thanë shoqet. Jo moj, nuk e njihni ju Ramadushin, ka me ma ça kryet, ani tash që nuk e ka aty atë shpendkeqën e cullakume edhe drejt me ju kallëzue po më dhimbet Roki me lanë. – ish përgjigj tetja Myrvete. 
Babuq, i thash Sherafedinit mbramë, këto troje ku jemi dhe krejt Gadishulli Ilirik hon e don ka qenë Shqipni, po na coptuen e banë pikë e pesë  barbarët. Kësaj të keqe edhe vetë i keni ndihmue, ndërhyni ai, jeni të përçam e inatçi, sa të vjen shqiptari në krye të shtetit paraardhësin e shpall, hajn, diktator e antishqiptar dhe vazhdon të qeverisë, si ai para tij, në mos edhe ma keq, tue mohue të kalumen e shtetit të vet dhe tue rrah gjoks se ai asht themeluesi i shtetit. E sheh, vazhdoi ai, shqiptarët në Shqipni, qe 2 dekada festojnë në dy data Ditën e Çlirimit të Shqipërisë, kush më 28 nantor, kush me 29 nantor, varet cilit krah politik i takon se nuk merren vesh mes veti. I hollë ka mendja asht Sherafedini babuq, bile shumë ma i hollë se historianët e analistët e sotëm, që e kanë fut qafën në zhgedhë  (zgjedhë), disa majtas, disa djathtas dhe po ju grah politika.
A dëgjove, në qytetin e Lushnjës, kishin ardh 36 studentë nga Suedia me pastrue qytetin nga plehnat me punë vullnetare. Ishalla babuq, vijnë edhe kah na në Kosovë se deri në fyt kemi sharrue në bërllok. Ani me ba me ardh të rijt gjermanë e austriakë bahet edhe ma mirë se këta tanët nuk po kanë kohë, të zantë babuq, tue mësue, tue lujt në bastore, tue pi makiato, tue fol për patriotizëm, tue u marrë me analiza politike e tue këqyr filma serik e futboll në TV. 
Terroristët në veri të Kosovës babuq po  vrasin shqiptarë e bllokojnë rrugët para hundve të policëve të  Eulluksit, qysh po u thotë  nanuqi policëve të Eulex-it, para hundve të KFOR-it e policve tanë. Janë mbledh aty babuq krimineletë e MUP-it t’Serbisë, që kanë vra e masakrue në Bosnje, Kroaci, Kosovë, bile edhe në Libi dhe po hedhin valle qysh po ju fishkëllon pasardhësi i Millosheviqit Daçiq, i cili  për krejt shqiptarët e Republikës së Kosovës ka lëshue fletë-arresti.
Këto ditë babuq, djali i Ifuzit ka magjistrue. Qysh more, magjistroi ai, as shkollën e mesme nuk e ka krye, kish pyet baci Qerkin. Qysh, qashtu! Djali i tezës tij sikur paska shkue në ligjërata për te dhe ja paska shkrue temën e magjistraturës. Me t’njofshëm e me pare bubuq, bahesh edhe magjistër. Tash magjistri, po thoshte, jo valla due me gjet nje nuse tjetër me shkollë se kjo që e kam sall shkollën e mesme e ka të kryme. Ish ba helm Zafina. Në vend se me u gëzue që më magjistroi djali tash m’ka kap tuta që po e le nusën me vade të dame. Njerëzve ju kem çue ftesa, Motrave Mustafa e Danit moj edhe kaparin ja kemi dhanë për darsëm! – kish thanë Zafina, tetës Myrvet. Dardha nën dardhë pikë babuq, edhe i biri krejt si baba i vet,  Ifuzi. Dardana erdhi për vikend me Ronaldon dhe menjiherë shkoi. Shkoi bubuq se u idhue me nanuqin. Djalin nuk po e thirr qysh e ka emnin Ronaldo, po Ramadan. Le t’idhnohet, tha, pak ka pas emna të vjetër e të ri shqip!? Edhe Sadberës valla i mbet hatri që foli nanuqi qashtu…
Tung babuq, se desh na u kall shpia. Sadberja ka hy në fejsbuk dhe ka harrue qe e ka shti me pjek laknurin në shporet. Shkrum ish ba laknuri. Naj sadakë e jotja babuq na pështojë se kem tue shkue pa egjel.
 Prill, 2012

Letra 30
Babuq,
Leutrimi  sa me nji  çikë sa me nja  tjetër, ma në fund u lodh. I kish thanë nanës vetë se ka vendos me u martue. Mirë u ba babuq. Kësmet kësaj vere kur të vish për pushim do ta kallim krejt. Nanuqi  po ban plane kend me thirr për darsëm. Valla boll shumë po bahen.  Po duhet babuq,  s’ban pa thirr fqinjët, miqtë, shokët e shoqët e Leutrimit, bijat, bile Sadberja po thotë s’ban pa i thirr edhe çikat e bijave me burra se po idhnohen.  Pak problem kem me pas për muzikë se këta të mëdhajt krejt janë të zantë.  Edhe Dardana po ka qef me nderue shokët e shoqet e punës, shokët e Rodrigezit ...  Qat kohë vijnë edhe shacat ... Shyqyr qe je qatje me punë babuq. Mas mrami edhe kredit hyn se për pak nuk ban me u korit.  Nuk mundemi ne babuq si darsmat e rahmetlisë bacit Ramë me ba veç qashtu sa me thanë. Ndoshta babuq ka qenë mirë me sigurue edhe kameramanin tash se po i ze naj kush para neve me ba incizimin e dasmës, se njëherë po martohet njeri. S’di a me marrë këta të RTK-ës, a të RTV21?
Në parlamentin e Maqedonisë babuq, deputet shqiptarë donë me hangër najni tjetrin,  po shyqyr policia sllavo-maqedonase kurdoherë po tregohet e gatshme me ndërhy me kohë kur janë në pyetje shqiptarët. I ndan tue u thanë: mos u rrihini mes jush, për me ju rrah ne jemi, ju rrahim siç po i rrahim votuesit tuaj kah po sillemi. Këto sharje e mësymjesh të turpshme të deputetëve mundesh me i pa në YOUTUBE babuq. Vetëm shkruje në  google fjalët: legen, majmun, deputet .. Të del videoja tue u sha e kacafyt deputetet “trima”.
Ramadush Cari ka ba ma mirë. S’po mbetet javë pa shkue dikush prej pushtetarëve me vizitue në Turqi. Me pare të shtetit babuq edhe në xhehenem  shkojnë këta t’naltit. Teta Myrvete ish mërzitë. Nuk u mësue ajo me dal prej shpisë kurrë babuq. Ma mirë se n’Kosovë nuk ka.  Goja m’u ka mëshel pa pas me kand me fol, kish thanë. 
Në Shkodër babuq agjenci shkuesish  po   ndërmjetësojnë me pagesë  në martesat mes çikave të reja shqiptare me sllavë ulokë të zonave malore të thella të Serbisë, Maqedonisë e Kosovës.  Punë të pista babuq këto. Shqiptarja bahet nuse aty ku shahet e urrehet shqiptari, aty ku e ka të ndalueme të flas gjuhën e nanës e t’babës së vet, të mos tregojë as emnin as vendin prej nga asht dhe tanë jetën e nënshtrueme. Shoqata për drejtat e njeriu ose dikush duhet me reague  për ketë trafikim të poshtër me njerëz dhe ndoshta me prapavijë politike alla Çubrilloviqjane. 
Parlamenti i Kosovës babuq këto ditë ka aprovue në Kodin Penal të Republikës së Kosovës  nene që ua ndalon,  mshel gojën gazetarëve e njerëzve mos me fol kurgja keq për t’mëdhajt. Mos pyet babuq, deri tash bile me fol guxojshim tash  duhet me u rujt se të merr lumi për nji fjalë goje. 
Zafina s’ka lanë fallxheshë pa shkue me këqyr për djalin se po do me lanë nusen. Po këqyr e shkreta me fall e t’shkrume me ja kthye mendjen teveqelit, por kot. Kur e thirr nusja në telefon nuk e kap telefonin, kur vjen fshihet.  Jam n’zor... Qysh moj, asnjani prej fëmijëve nuk doli kah unë!? Dulen me gjene të  këtij beteri, që u paralizue tue nga sa n’Shkup sa n’Shkodër mbas qytyne të dalta tefteri që natë e ditë rrinë sokaqeve.   Kah asht ma keq po dalshin fëmija. Me lanë nusen si drita, ma vade të ndame, mbas gjithë këtyne harxhimeve, këta nuk e ban kurrkush.  S’di që i kam ba keq naj kujt, që më provoi Zoti me këta njerëz?- ju kish ankue Sadberës, Zafina.  Valla babuq njime, Zafina asht tamam grue me temel, po qe, bash qysh thoshte këtyne herësh babagjyshi,  i ka ndodh Zafinës; Si të rashë  me qenin, me pleshta çohesh. 
Shkova babuq, me ble gjizë te Heta. Nuk qëlloj aty shoqja e Hetes,  po dul reja e saj. Kur u ktheva n’shpi, po m’thotë nanuqi; paske ble lakna turshi, jo gjizë. Njime babuq në vend të gjizës, lakna. Kap, i mora laknat dhe shkova te baci Hetë!  Baci Hetë, i thash, vend të gjizës reja jote m’kish dhanë lakna!  Po  ajo nuk di as çka asht gjiza as laknat, punë me dorë nuk prek. I ka marrë në friz laknat në vend të gjizës në qese najloni.  Ajo pasha bacin, veç tarahenet derë më derë nëpër mëhallë, ani me kërrname tue ja majt nalt kishi kam shkollë. Nuk asht këtu vjehrra dhe hajt, ka thanë, t’i marrë Eurot për veti.  Edhe  reja e bacit Hetë babuq, krejt si këta qeveritarët  tanë, dorën e keqe. Nejse babuq, baci Hetë ma dha gjizën dhe nanuqi e gatoi përpeqin. Hangrëm e u kënaqëm, bile kam pas ble edhe kos të dhenve që mezi e ndante luga. 
Babuq, desh harrova! Nanuqi, më porositi me t’thanë,  hyn në Skype me kamerë ditën e diel (nëse nuk punon në të zezë) se  i ka ble nji parë kostume e po ka qef  me pa edhe ti, qysh po i rrinë.  
Tung babuq se erdhën grat e mëhallës me pa kostumet e nanuqit. Tash kanë me ba nervoz nanuqin tue i thanë: Jo të kish qenë jeteki pak ma i shkurt, jo pak ma i premë anash, jo bluza me pas qenë pak ma e hapun në gjoks, jo kjo ngjyrë asht për natën, jo edhe pak më i ngushtë me tu pa vijat e trupit ma mirë, bash qeshtu si këto tuat i ka Krenarja e Tasimit etj.
Maj, 2012

Letra 31
Babuq,
Na shqiptarët jem poliglotët ma të mëdhej në botë. Krejt gjuhët e botës i kem mësue. Te ne ma së paku flitet drejt e mirë gjuha shqipe. Mbishkrimet i kem ma shumë me emna të huj edhe aty ku nuk ka asnjë minoritarë, dokumentet na lëshojnë edhe neve shqiptarëve në gjuhën e atyne, të cilët na kanë vra e djeg me shekuj. Fëmija, grat dhe të pa punët tue këqyr futboll e telenovelat në TV-ët tona kanë mësue spanjisht e turqisht. Çikat e djemtë po mësojnë gjermanisht se me ba me ju dal kismeti me u fejue me nja djalë a çikë në gjermani me qenë të gatshëm. Në Shqipni italishtja e greqishtja flitet e kuptohet si në Romë e Athinë. Kështu babuq, Kosovën ne shqiptarët gati e bamë multietnike, bash qysh po na porosisin këta t’hujt. Shqiptari han e dan shqiptar, sall me marrë azil, me zanë nji vend pune, me fitue naj pozitë, ndonji kredi a privilegj tjetër, deklarohet;  turk, boshnjak, hashkali, goran etj, kurse në Shqipni për ditë po shtohet numri i shqiptarëve të konvertuem në grekë. Vetëm te ju që jeni jashtë ka mbet nji fije shqiptarizmi se këtu na mori pusi. Mirë tha, Sherafedini dje, me fitue përkrahjen e ndërkombëtarëve disa prej politikanëve e intelektualëve  janë të gatshëm me ndërrue edhe gjininë. Me dit shumë gjuhë, me dashtë tjetrin asht mirë, por me mohue e harrue  gjuhën e nanës e t’babës dhe mos me dashtë vetën asht ma shumë se tragjike, babuq! 
Në tokat e tyne etnike, Maqedoni dhe Kosovë Lindore, asht sforcue fushata antishqiptare, atje shqiptarët, sipas nevojës, shpallën vrasës, nacionalist ose islamist radikal pastaj arrestohen, rrahën e burgosën, fajësohen e akuzohen sa herë donë sllavët. Evropa demokratike heshtë, kurse shqiptarët ende të përçamë, ende në vrap mbas funksioneve (me majt tupanin), pasunisë, pallateve që nuk ju duhen kurgja mbasi nuk janë të zot me i mbrojt. Serbet, në shtetin e Kosovës, me lejen e “Evropës së Bashkuar”  votuen për kriminelin, që në vitin 1999 ishte dora e djathtë e gjakatarit Millosheviq, i cili vrau 20 mijë shqiptarë, përzuni nga shtëpitë e tyne 1 milion të tjerë.   Me këto lëshime që po ua banë Evropa vetëm sa po ua shton oreksin shovinistëve  me vazhdue luftën me parullën e tyne fashiste: “Serbija do Tokijo” (Serbija deri në Tokio).
Babuq, nusja, i paska thanë Leutrimit, s’kemi çka martohemi e bajmë darsëm pa ble banesë. Kështu babuq këto nuset e sodit nuk po donë as nji sahat me nejt me prindët e burrit. Thash babuq me qato eurot qe i ke në konto edhe pak të Leutrimit me pas ble qat banesën që ish në shitje afër Dardanës. Bile Sadberja, sa mori vesh që po lyp nusja banesë, tha, qysh moj po dinë kaq mirë, unë qyqja erdha dhe mbeta tanë jetën me vjehrri. Mshile gojën se po të nin nanuqi, i thash.  Po valla nuk u nal hiç. Vetëm kur e përbeva; në krye të Dardanës, Leutrimit e Ronaldos, u nal! 
Dje babuq e kem përcjell nuse çikën e Përmomentit. Ndoshta nuk e di, po tash krejt e thërrasin Hamitin, Përmoment se sa herë e hap gojën me fol, thotë; për momentin. Kish pas nji namin dasmorë, dy parë këngëtarë dhe tupane me surle. Sherafedini falas u dha të gjithë dasmorëve dhe atyne që ishin në pritje prodhimet e Kompanisë së tij; pije, llokum, kikirika e napolitanka. Të mira valla, falë i hangrën, po kur po blejnë ma shumë po blejnë prodhimet, made in Serbia. 
Në Shqipëri, politikanët janë në ethe rreth emërimit të Presidentit. Nuk lënë gurë pa lëvizur dinozaurët zvarranikë të politikës shqiptare për të ruajtur, marrë pushtetin: urrehen, pështyhen, shtyhen e shahen, por kur është në pyetje interesi i tyre ulën kokë më kokë dhe në të njëjtin çanak hanë. – më kish shkrue mes tjerash në mesazhin e fundit, Marengeleni.
Shaci babuq u martue me qat nxënësen e vet që ka pas ik me te në Francë. Bile e kanë pas shti në burg se çika e re babuq hala pa i mbush 16 vjet. “E mirë, sytë e shkruem, faqet bir i bahen të dy anët kur kesh,  po nuk po dike as çaj me qit, as bukë me i dhanë kujt, gjithë natën në kompjuter tue fol me krejt dynjan, çohet diku kah dreka, krehet e nreqet dhe goja  nuk i nalet kurrë. Nganjëherë po them, shyqyr që po flenë ditën se nuk po muj me ja durue llafet. Me fol drejt: gjermanka e polakja dhe kjo e treta Ganja, (Gane po e thirr Shaci prej dashnisë se Ganimete e ka emnin), nuk bajnë sa ajo e para, Saranda”. – kish thanë teta Ale.  
Tung babuq se po shkojmë me bukirat (rezervue) nja 20 vende në restorant për ditëlindjen e Sadberës. Nuk kemi thirr shumë: na të familjes, Dardana me Rodrigezin e djalin Ronaldo, dy shoqe të Sadberës të fejsbukut me burra, teta Ale, teta Myrvete,  gruja e Përmomentit se nanuqi e ka ba shoqe, Leutrimi me nusen etj, dikun po bahemi 20 veta. Digjej po vjen shoku i Leutrimit. Nuk po marrim muzikë të gjallë kësaj here babuq  se thash të kursejmë pak. 
25 maj, 2012

Letra 32
Babuq,
Nanuqit i dul viza, nesër në mbrëmje mbërrin në aeroportin e Frankfurtit. Këqyr merre qat bacin Fadil me mercedes e dil prite në aeroport se nanuqi i ka me veti dy kufera ding me sene: suxhuk, pasul, çaj me bylbyl, katër-pesë kavanoza me speca turshi, gjizë, gota t’çajit, filxhana t’kafës, katër shteka cigare qasi që i pi nanuqi dhe saçin elektrik për flija. Keni me u kënaq babuq me laknor, mantija e flija, veç ju dy: Ha more, ha mori! 
Këto ditë ka ardh Sosja e Dautit me dy çikat prej Gjermanisë edhe nuk po durohet tue u lavdue, bile nanuqi e veti, ku po punon? Me nji zyre t’kompjuterëve, tha. Boll punën e mirë e paske, vazhdoi nanuqi, çka ban aty? Çka ban, u përzie Sadberja,  i fshin e i ban xham kompjuterët, pse mos kujtove se i programon kompjuterët!? Po, po, tha Sosja, tue qit tjetër kah llafin, shefica trenohet mbas meje dhe kah sillet më thotë: Danke, danke majne libe! (në shqip: flm, flm. e dashur!) Kuku moj, me pas kjo shkollë dhe me dit gjermanisht nuk ish prekë me dorë, as nuk kish fol ma shqip. U ngredhavke (ngrefosej) e rrike  drejt   si me pas përpi tllohusen e petave për pite, tue çue jardam e fol për Bajrushin e bacit Ramë: I shkoj jeta, tha, tue çue fët - fët vetullën e majtë nalt, me qat plakën dhe dy macet e saja që edhe mahalla ja dinë emnat: Admiral e Liz,  tue prit i shkreti me marrë letrat. Mirë e ka babuq Sosja, në Evropë jetojnë gjatë, sidomos grat. Bajrushi i merr letrat kur të plaket edhe vetë. Ani teta Ale, sa çikë që e sheh, i thotë: sa e mirë moj qenke për djalin tem, Bajrushin. A po do ta jap adresën e fejsbukut?  Qat Bajrushin që ju kish ba barku si kacë a? -  i kish thanë njena prej çikave. Njeme babuq, pa punue,  u buhavit  Bajrushi shumë. Veç qato macet, thanë,  i ushqen dhe qaty rreth kuzhinës me la e shpërla naj enë se me hangër, dy vetë ma, ma shumë po hankshin nëpër restorante e megdonalca. Sadberja po çuditet, si po dalin këta tanët n’Evrpoë po bahen të  zot, grave në kambë po ju rrinë, sidomos këtyne t’hujave. Sa janë këtu, hunda n’tokë me ju ra nuk kërrusen me marrë. Rri mos fol, i thash Sadberës, edhe këtu kanë nis burrat me la enë e me gatue, pa këqyre djalin tand, gojën po ja këqyr Arditës, a po i thotë naj punë me ba. Hajt, mos m’shtin me fol, ma kthehu. Edhe ti sa ishim tu kalue me mue pip n’kambë m’ke nejt, por kur u martuem, ndryshove si hana me diell. Jo nuk ka kuptim prej nanuqit, jo babuqit, jo hallës ...  ma vune zullumin në ditët e para të nusënisë.  Kurrë hallall nuk ta baj. Qysh bre grue po ankohesh, dy herë  në vjet po shkojmë në deti, javë për javë në Prevallak gjatë verës, në Benaf gati për ditë ...  Hajt, më tha, se nuk je tue ba namin. Edhe nanuqi qeshtu babuq, nuk nalet hiç tue fol qysh ka hjek me vjehrri, kunata, bija e fëmijë. Badihava  po i shëtisë e baj me  kerr kah po dojnë dhe prapë po ankohen. Njime babuq, je qatje larg, e po lodhesh tue punue, po bile llafet e tyne nuk i nin se mue më kallën krejt. 
Ramadush Cari u kthye prej Turqisë, ma mirë ish, po me nji  karrocë po u mbajke se mezi po e lshojke kambën pak në tokë. Kanë ardh këta të komunës ja kanë ba nji hymje tjetër që me mujt Cari me lëviz me karrocë. Edhe lift kanë me i nreq me u ngjitë në katin e tretë dhe me zbrit në podrum. Bile teta Myrvete kish thanë, edhe kamën me gjithë kuk ja kanë porositë në Itali. Po babuq, ja nreqin liftin dhe ja blejnë kambën me pare të shtetit dhe nuk e lanë me hjek deputetin. 
Ifuzin babuq janë tue rujt. U ligështue tepër. Kish thanë Zafina, mend n’krye nuk i kam. Çika qe dy vjet ka bashkëjetue me nji djalë, tash e ka çue dreqi me shpall fejesën, djali e la nusen me vade të preme. Ky dreqi i sëmuet...  Veç me u tranue! 
Babuq, tash mbasi po vjen nanuqi në Gjermani folmi në skype, letra çka me të shkrue ma? Veç po të baj merak se nuk po kam naj send  t’mirë me t’kallëzue. N’pritsh me u ba mirë këtu, s’ke me shkrue letra ku ta dish edhe sa!? Hajt, e kundërshtova Sadberën, nuk shkon shumë kohë edhe populli mësohet kështu qysh asht  dhe i duket mirë. Kryesorja, Paria m’u kanë e kënaqur se për popullin nuk asht ajo gajle. 
Nejse babuq se po vijnë teta Ale, teta Myrvet, shoqja e Hetës me nusen dhe gruja e Sadushit me dy çikat me u përshëndet me nanuqin që po vjen në Gjermani.  Hajde këto shoqet e nanuqit mirë që po vijnë, po këto nuset e reja, çikat ... vijnë ma shumë për inspektim, me pa nusen e Leutrimit  çfarë marifeti ka, çka ka vesh ... Dardana edhe ajo vjen ma vonë se sonte asht me punë deri vonë. 
Të fala shumë!

2 qershor 2012