Friday 5 August 2016

RRËFIMI I LUFTËTARIT PËR KOMANDANTIN


Hasan Kabashi 1900-1945, i emëruar komandant i
Batalionit  të Parë në Kongresin e  mbajtur
 15-16 gusht 1945 në malet e Kopilaçës
Më 14 nëntor 1945 mësyjmë Greqinë. Udhëtonim kryesisht natën, të prirë nga komandant Hasan Kabashi 1900-1945. Rrugë tmerrësisht e mundimshme, pa ushqim, me veshje e mbathje të dobët. Për gjithë kohën (14 ditë) sa udhëtuam tri herë kem hëngër. Në një manastir ortodoks jemi paraqit si brigadë partizane në fillim ata të kishës nuk deshën të na hapin derën, por kur panë se se do futemi qoftë edhe  me dhunë, na hapën derën.  Aty paksa pushuam dhe drekuam  Pas disa netësh (natën ecnim, ditën e kalonim fshehur) rrugëtimi diku afër Kërçovës derisa po i kthente delet në mbrëmje një bari, dolëm nga shkurret ku ishim fshehur dhe 7 delet i fundit i kapëm pa u hetuar dhe që atë mbrëmje i premë. Të ngopur me mish më shumë i papjekur se i pjekur vazhduam rrugën për në kufi. Tri ditë e tri net e mbajtëm me vete një maqedonas për të na treguar rrugën. Në ndarje e shpërblyem me para maqedonasin. Në Kranj dërgojmë tre veta për të vëzhguar terrenin. Vëzhguesit paralajmërohen nga një kopshtar se në Kranj kanë hy brigadat partizane, dy prej tyre, Hajdin Demiri dhe Zenel Lladova nuk e përfillin rrezikun dhe hyjnë në qytet. Kurrë më nuk u kthyen. Kopshtari i jep një copë bukë Muharrem Toplanës. Atë copë të bukës e ndau baci Hasan në 70 pjesë, aq ishim, duke shikuar secilin prej nesh në fytyrë për të parë se cili është më i lodhur, i uritur. Krejt afër kufirit, pas 14 ditë udhëtimi, pikërisht ditën e festës sonë më të madhe – Ditën e Flamurit, më 28 nëntor 1945, në mbrëmje ramë në pritë. Me këtë rast plagoset me rafal plumbash në dy këmbët  baci Hasan. Si gjithmonë edhe kësaj here  ai ishte në krye të kolonës. Këtu ndodhi edhe një plagosje e rëndë tjetër. Në të kthyer nga vëzhgimi plagoset në gjoks pa dashje nga shokët tanë, Qamil Samakova. Ishin këto momente të vështira, do të them më të vështira në krejt jetën time. Humbëm komandantin Kabashin dhe luftëtarin Qamil Samakova. Që të dy trima e burra të fortë. U krijua një gjendje shumë e tendosur. Shumica e bashkëluftëtarëve, me ta edhe Hysen Tërpeza, vazhduan rrugën drejt Greqisë, me premtim se do të na vijnë në ndihmë nëse kemi nevojë. Me komandantin e plagosur mbetëm ne kabashët: Rexhepi, Ahmeti, Shaqiri, Destani, Mejdiu, Brahimi, unë dhe tre të tjerë, Fejzë Gërlica, Ramiz Begunca e Hamit Shushka. Me gjithë dëshirën tonë të madhe për ta ndihmuar komandantin e Qamilin, nuk patëm si. 
Aty afër, nuk gjenim dot as dru, as thupra për të improvizuar lesë, trinë për bartje. Provuam ta bartim Komandantin me një batanije që e kishim, por batanija e vjetër, e kalbur nga shiu e dielli nuk e mbajti trupin e tij. Derisa donim ta ndihmonim na urdhëroi: Shkoni, edhe pa mua duhet ta vazhdoni luftën! Pushkën ma leni këtu afër. Shkoni! Me aq shumë plagë, me aq shumë dhimbje ai merakosej për fatin tonë!. Me gjithë dëshirën tonë të madhe për ta ndihmuar prijësin, luftëtarin e paepur për lirinë e Kosovës, bashkimin e tokave shqiptare... – këtu rrëfimtari (Nezir Hamdi Kabashi 1918-2008) ndalet, psherëtinë thellë – dhe i mbytur në lot mezi vazhdoi ngjarjen: Haj, haj... nuk kishim qysh! Me gjasë në terrin e asaj nate, të mbetur midis jetës dhe vdekjes, në atë zonë të mallkuar kufitare, baci Hasan e Qamili me nga një plumb në drejtim të njëri tjetrit i japin  fund jetës. Se kështu kishte përfunduar jetën Komandanti dëshmojnë dy krismat pushkësh që dëgjuam gjatë largimit drejt tokës greke, zëvendës komandanti Rexhep Kabashi shpirtvrarë, i lodhur, i tronditur shpirtërisht dhe i përhumbur  për humbjen e komandantit me të dëgjuar krismat ktheu kokën mbrapa dhe na thoshte,  po lufton Komandanti, dëgjoni krismat, asnjëherë atij nuk i shkojnë plumbat huq.
Lum si ju baci Nezir, ndërhyri vëllai Abdyli, që patët komandant njeriun aq njerëzor, aq trim, aq kombëtar e me sedër, kulaçin (kafshatën)  e bukës e ndante me të gjithë juve barabar, në aksionet e ndërmarra e të  rrezikshme ai ju printe.   He, sikur të kishim edhe sot më shumë njerëz si komandant Kabashi!? 
Garmish (Gjermani), 24 prill 2004
Sabit Abdyli
Atë copë të bukës e ndau baci Hasan në 70 pjesë, aq ishim, duke shikuar secilin  prej nesh në fytyrë për të parë se cili është më i lodhur, i uritur-më thotë  ushtari i radhëve të para të Batalionit, Nezir H. Kabashi