Friday 29 April 2016

PARALELIZËM QË FLET


Rreth librit me poezi të poetit Sabit Abdyli, "Dallgë Malli"
Para disa ditëve më ra në dorë libri me poezi i poetit dhe shkrimtarit Sabit Abdyli. Shfletova me kureshtje faqet e para dhe malli i një të mërguari, që shprehet në vargje, më tërhoqi shpejt të gjeja veten në të. Poeti Sabit Abdyli, jeton prej vitesh në Zelandën e Re, ashtu si unë prej vitesh jetoj në Gjermani, si ti dhe ai tjetri që jemi shpërndarë në të gjitha cepat e botës dhe mallin është ai që na djeg e përvëlon, për vendlindjen, për gjithçka na lidh me atë tokë, ku na nanuritën djepeve me ninullat e bjeshkëve në gjuhën e nënës, hodhëm hapat e para, thurëm aq ëndrra dhe që disa prej tyre na u prenë në mes.
Bukurije Bushati
"STINËT
Pranvera e lodhur 
vjeshta e verdhë 
As dimri dimër 
as vera verë 
Larg teje Kosovë 
Stina e rëndë plumb 
as unë nuk jam unë."
Një paralelizëm, që flet shumë: "As unë nuk jam unë." Gjithçka ka ndryshuar për poetin, që kur ka lënë vendlindjen, ai nuk ndjehet i qetë ai nuk e njeh më veten. Ndjehet i braktisur në dhe të huaj, u mungon dashuria e vendlindjes. Mbas kësaj poezie, shkruan më tej në një tjetër poezi;
"Valë moj hileqare 
Freskomë edhe mua 
Se jam mërgimtar."
Dheu i huaj, është dhe i huaj, herë i zhveshur nga ëndrrat, se ato i ke lënë në vendlindje, i ke humbur atje dhe shpirti të çohet peshë. Ëndrrat nuk të braktisin. Ato të thërrasin, të ndjehesh burrë, të ndjehesh i plotë. Të kujtojnë se guri i rënd është në vendin e vet! Kështu merr rrugëtimin me ëndrrat e tij, drejt vendlindjes;
"Me bagazh malli plumb 
ditë e përditë 
i kthehem fëminisë 
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë."
Sa gjëra ka për t'i thënë vendlindjes poeti, kur si dikur fëmijë, vendosur kokën në prehrin e nënës kërkonte dashurinë e saj, forcën, bekimin për të ardhmen. "Me bagazh malli plumb." Sa rëndon malli shpirtit të poetit! Ai që ka emigruar e djen kur mbyll sytë, pikën e lotit që ia përshkon faqet, edhe për rrugicën, ku kaloi fëmininë, kroin e fshatit. NË një poezi tjetër, poeti tregon, se malli për atdheun, i mërgimtarit, është malli që dhemb më shumë se çdo mall, sepse ai ndehet i vetmuar, ndjehet pa peshë dhe kërkon atdheun që mendon se e ka humbur. Mallojnë akoma më shumë vargjet e poetit;
"Prisni thoshte nëna,
është bukë e valë.
Kështu vazhdon ai në një tjetër poezi;
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen, 
rrugën e kthimit?"
Nuk ka mall vetëm për Kosovën, poeti, por për gjithë Shqipërinë. Në shpirtin e tij Shqipëria është një dhe kështu kërkon të shihet nga të gjithë. Ai shkruan;
"Thërrmijë të një kulaçi jemi,
pjekur në të njëjtin hi."
Ka idenë e vetë, mesazhin e tij, poeti këtu. Jemi shqiptar të një Shqipërie, edhe pse na ndanë shekujt edhe pse u shpërndamë nëpër botë. Ndjehet bukur me këto vargje poeti, sepse sytë edhe kur ishte fëmijë i kishin sytë nga Shqipëria nënë, nga vatra e shpresës së tyre.
Por nuk ka vetëm mall, në poezitë e tij. Ai vëzhgon disa fenomene shoqërore, që ia vrasin shpirtin. Dhe për këto bën fajtor vetë njeriun. Është zhgënjyer nga e ardhmja që priste, ashtu siç jemi të zhgënjyer të gjithë. Ai kërkon të gjejë njeriun që është njeri, vetëm ai mundet ta ndërtojë të sotmen e të ardhmen, sipas amanetit të të rënëve.
"Edhe nëpër zjarr të ferrit 
do të shkel. 
Në kërkim të fjalës fjalë, 
njeriut njeri.
U devijua nga rruga sepse u harrua atdheu dhe u lakmua fotelja. Kjo është fatkeqësia e një kombi.
Qullashët qullashë 
në ditët e agut çdo gjëje i dalin “zot” shtetit, politikës
Sofrës së begat 
hanë me dy lugë se një u duket pak."
Interesi i të pamundurave, korrupsioni, tradhtia e atdheut e vret poetin. Ai ngre protestën e tij kundër këtyre njerëzve që venë interesin e tyre, mbi interesin e kombit. Dhe protesta e poetit shkon më tej, me keqardhjen se të dy krahët e shqipes...;
"Interesa klanesh 
thurur për dritë të hënës, 
yllit pesë cep,
yjve blu e dreq. 
Matanë e këtej Drinit 
avaz i njëjtë.
U ndërrojnë vetëm ngjyrat, thotë më tej ai, duke treguar edhe një herë zhgënjimin. Merr forcë akoma më shumë vargu i poetit;
"Furtuna rrymash përplasen qiellit,
njerëz të barkut tonë kalërojnë mbrapsht, 
ardhmëria në ikje. 
Mot i paqëndrueshëm vazhdon!"
Pastaj psherëtin ai dhe në poezi të tjera, tregon dhimbjen e atdheut nga të huajt, si e plaçkitën si e dogjën, se e robëruan, dhe shqipja nuk u përkul, sepse kishte BURRA.
"Dedë Gjo Luli 
Ismali, Boletini, 
Vëllezërit Topulli, 
Ademi, Agimi ... 
u përkulën kur 
puthën Flamurin.
Tokë e lulëkuqeve e quan poeti vendlindjen! 
Buzë gremine 
Biçim njerëz me përralla mbretërish 
Erdhën Me bisht ndër shalë 
E shkuan."
Jo më kot, poeti na kujton BURRAT e këtij vendi, lëngatat në shekuj të atdheut. Mbas çlirimit, kur fitohet pavarësia, sëmundja tani na shfaqet nga brënda. Nga vetë ata, që e quajnë veten shqiptar dhe rrjepin e plaçkisin, e terrorizojnë popullin. Është një tërheqje vëmëndje kjo, për t'u kujtuar se Kosova nuk është pronë e tyre vetjake. I dhemb kur sheh një shtet që nuk funksionon, apo funksionon kundër Kosovës.
"Stuhitë s’pushojnë, arës arbrit! 
Rrugë nuk i zëmë kujt. 
Vetës ngulim thonjtë, 
sy ndër sy pa u skuq!
... Heu Isa burri, 
raca jote sot! Gladiatorë mes veti ; 
kancelarive të botës, korridoreve të Parlamentit, 
shtrëngojnë dorën armikut pazare bëjnë nën cergë,
lëpihen e lariten të huajve për shkam!"
Vetëm kush nuk don, nuk shihet në pasqyrën e së vërtetës që u ka vënë përpara poeti me këtë poezi. dhe që shkon më tej, me atë thikë që i ka shkuar deri në asht:
"Mjegullnajë e stepave të ngrira dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë. 
O Zot, Na ruaj nga moti keq.."
Dhe kjo na ndodh, sepse e drejta është përdhunuar. Ajo është vegël në duart e klasës që sundon, thotë nëpër vargjet e tij poeti;
"Kalërojnë ligjet 
Emrat pa emër zvarranikë kalërojnë 
ndrydhin liritë shkelin premtimet 
zvarrë zvarrisin fjalën 
me kode që ata dinë."
Dhemb shpirti i poetit, i ndodhur larg në emigrim, në vendin e dimrit të akullt që ia akullon edhe më shumë mëndja tek atdheu. Por sytë e poetit, nuk mbyllen për fatalitet. Ai shpreson se një ditë do të zë vendin që meriton Shqipëria do të ketë pranverë në vendlindjen e tij dhe ai duke përkëdhelur mallin, i premton se;
"Do t’ kthehem patjetër. 
Me flakën e mallit, 
Diellit të vendlindjes. 
Shaluar mbi dallgë!"
Ishin këto disa mendime që më erdhën në moment, duke lexuar librin me poezi të poetit e shkrimtarit Sabit Abdyli. Mbase duhej folur akoma, akoma më tepër, por unë vetëm u përpoqa të shfaq në këtë shkrim, ato ndjesi që më lanë poezitë e tij dhe falënderoj poetin, për këtë libër, për temat që ka trajtuar, mprehtësinë e mendimit në trajtimin e tyre, strukturën e formimit të poezive dhe të shprehurin me gjuhën e thjeshtë të njeriut që mallin dhe dashurinë për vendlindjen, kërkon ta thotë troç dhe bukur.
Urime të mëtejshme penës suaj, poet!
Me respekt Bukurije Bushati.

Monday 25 April 2016

Portret i ish gazetarit mërgimtar në Zelandë të Re

Osmon Lleshi

Osmon Lleshi  u lind në vitin 1945 në familjen e njohur Lleshi të Gjakovës. Shkollën fillore e mbaroi në qytetin e lindjes, kurse të mesmen në kryeqytetin e R. së Kosovës. Studimet i nisi në Prishtinë dhe i vazhdoi në Beograd në Fakultetin Shkencat Organizative. Pas shkollës mesme punoi në Kombinatin “Emin Duraku”. Një kohë ishte edhe mësimdhënës në Sh. e mesme të tekstilit në Gjakovë. Për disa vite ishte anëtar i Redaksisë së gazetës “Bota re” dhe korrespodent i gazetës së përditshme “Rilindja”. Botoi artikuj të ndryshëm edhe në revistën “Zëri i Rinisë”, ishte edhe bashkëpunëtor i “Radio Prishtinës”. Osmoni në vitet 1966/67 luajti për ekipin e futbollit “Gjakova” me mjaft sukses. Katër vite me radhë ishte kryetar i klubit të studentëve “Bajram Curri” në Gjakovë. Nga viti  1981 deri në fillim të luftës 1999 Osmoni  ishte shef i ndërrimit në Fabrikën “Metaliku” në Gjakovë. Fabrikën “Metaliku” në Gjakovë. 
Edhe unë si gjithë rinia përparimtare e asaj kohe me  krejt potencialin tim intelektual e fizik isha i dhënë pas çështjen kombëtare, më tha Osmoni në shtëpinë e tij deri sa po lexonim (shihnim) artikujt e gazetave te ruajtura që nga vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. I pajisur me idealin kombëtar nga familja, librat e lexuar, dëgjimi i Radio Kukësit, Tiranës ... dhe më vonë edhe TVSH punoi pa u lodhur me gjithë qenien e tij për të mirën e popullit që i përkiste. Shfletoj gazetat e revistat e ruajtura me të cilat ka bashkëpunuar gazetari Osmoni: gazetën "Bota re", "Rilindja", revista "Zani i rinisë" etj. Qysh në vitin 1973 kish përpiluar ai një listë të gjatë me emra shqip dhe e boton në gazetën "Rilindja". Me rastin e marrjes së numrave (kodeve) postale në Jugosllavi ku Kosovës nuk ju nda kodi, Osmoni me një shkrim të gjatë në gazetën e përditshme "Rilindja" flet për rëndësinë e kodit postal për Kosovën dhe reagon me indinjatë, pse Kosovës nuk ju nda kodi postal, pse?. (Mos ndarjen e kodit atëherë po vuan pasojat edhe sot Republika e Kosovës). Në vitin 1971 po në gazetën "Rilindja" Osmoni përmes një interviste me Prof.  Ejup Hamitin bënë thirrje për hapjen e gjimnazit matematikor në Prishtinë. Falë kësaj interviste  pas pak u hap gjimnazi matematikor. Gjatë ndejës hasa edhe në shkrime në të cilat gazetari Lleshi flet hapur kundër përçudnimeve e padrejtësive që bëheshin atëherë. Në faqet e  gazetës së studentëve "Bota re"  hasim edhe humorin e tij  therës për anomalitë e kohës.


Janar 1968, Osmoni shpalos portretin e Skënderbeut në manifestimin e organizuar në stadiumin "Shani Nushi"

Me rastin e shënimit të 500 Vjetorit të vdekjes së kryetrimit të Krujës Gjergj Kastriotit Skënderbeut ishte ideator i manifestimit që u mbajt në stadiumin "Shani Nushi" në Gjakovë. Me ketë rast në manifestim u shpalos portreti i Skënderbeut në kalë. Shpalosja e portretit për herë të parë haptas në Kosovë u duartrokit gjatë nga 15 mijë manifestues të ardhur nga gjithë Kosova. 
Në vitet (1970-1974) sa ishte kryetar i klubit të studentëve "Bajram Curri" në Gjakovë ideoi logon e klubit me simbolet kombëtare shqiptare që për shtetin jugosllavë shiheshin si simbole të huaja e armiqësore.  Shkrimet në gazetat e kohës dhe aktiviteti i tij ku kërkohej më shumë liri për shqiptarët kishin ra në sy të UDB-es dhe pas një vizite që kish bë në Shqipëri e burgosin me akuzën se ka sjellë material propagandues nga Shqipëria.



 
Llogoja e klubit "Bajram Curri" e ideuar nga Osmon Lleshi
                                      
Osmoni, i cili karakterizohet me humor të hollë e të shëndosh, pedant e punëtor i përjetoi gjitha mizoritë e luftës së vitit 1999. (Ai gjatë gjithë luftës ishte në Gjakovë). Në gusht të vitit 1999 bashkë me të shoqen e djemtë: Kushtrimin, Ilirin dhe Fisnikun u vendos në Zelandën e Re ku edhe tash jeton. Gëzon shëndet të mirë dhe  është aktiv në të gjitha veprimtaritë kulturore e sportive të Mërgatës shqiptare në qytetin e Auckland-it (Zeland


Libreza e punës në gazetën
 "Rilindja" në Prishtinë















Sabit Abdyli


Thursday 14 April 2016

Takimi i dytë me Bekim Fehmiun


Sabit Abdyli, Gjermani 2004
Gusht 1997
Kisha shkuar në Prishtinë bashkë me Ismajl Qerimin (1956-2014) në një takim me redaktorin, Sami Kçiku të librit tim "Kabashi i Anamoravës" që pritej ato ditë të dalë nga botimi. Aty takuam Bekim Fehmiun, i cili po dilte me botuesin Abdullah Zenelin nga zyra. Po dalim për kafe, thanë. Ejani edhe ju se Samiu nuk është këtu. Me një kafene në Kurriz (Prishtinë) zumë vend. Ismajli i kish bë një shërbim të madh Bekimit dhe ai ishte mirënjohës për ketë. Gjatë pushimeve në Prishtinë hajnat ja thyen banesën Bekimit në Beograd. Me të marrë vesh për këtë ai do të niset për Beograd ... Ismajli qëllon aty dhe me veturën e tij për 7 orë e çon në Beograd. Si adhurues i tij kisha lexuar e shikuar filmat e Bekimit, mbledh e ruajt fotografi nga revistat e kohës, bile një foto pata nxjerr nga revista "Shqipëria e re", që  vinte ilegalisht përmes gasterbajterëve me punë në shtetet Perëndimore dhe e mbaja të varur në mur. E pyeta për një vizitë të ushtarëve në Llukavicë afër Sarajevës, në kohën e xhirimit të filmit "Kurthi për gjeneralin", ku isha ushtar edhe unë. Po, më tha, dhe e dinte vendin e datën kur erdhi në kazermë. Më habiti për përshkrimin në detale të atij takimi të ndodhur para 27 vjetëve. Doja ta pyesja edhe për rolet, për librin në dorëshkrim etj, por nga respekti i tepruar dhe emocionet nuk më dilnin fjalët. Derisa e kisha ashtu përball artistin, i cili kurrë nuk harroi kush është dhe prej nga ishte, artistin që projektuesit e teorisë shoviniste e të zhdukjes së shqiptarëve i kundërshtoi me emër e mbiemër, si: Ivo Andriq, Vaso Çubrilloviq, Dobrica Qosiq etj, kujtova vitin 1968 kur TVB të premteve në orët e mbrëmjes kishte në program filmin "Odiseu". Mblidheshim ne vëllezërit Abdyli dhe ashtu së bashku te Hajrushi (Hajrush Zeqiri 1936-1996) shikonim filmin në të cilin Bekimi luante rolin e heroit të Homerit. Të gjithë që hynin e dilini në kafe e përshëndetshin. Nuk përtonte me dashamirësi e gjithë qejf t'ju kthente përshëndetjet. Foli me admirim për filmbërsitë në Amerikë që në vitet kur shpërtheu lufta në Jugosllavi ata e kishin thirr në tel. dhe pyet mos ndoshta ka nevojë për ndihmën e tyre. Foli për filmin "Mbledhësit e puplave", artin e letërsinë. Tregoi momentin për refuzimin kategorik të tij në kërkesën e producentëve për ndryshimin e emrit dhe ultimatumin që ua ka thënë se nëse donë bashkëpunimin me te: "Të mos përsëritet në gazeta edhe njëherë se jam grek. Jam nga Jugosllavia, po nuk jam jugosllav, më saktë, jam shqiptar nga Kosova". 
Prishtinë, gusht 1997