Friday 30 May 2014

Bijtë e shqipes nё tokën e reve të bardha

Aotearoa - toka e reve të bardha
Sabit Abdyli

Shqiptarët e parë, që kanë emigruar në Zelandë të Re, kanë ardhur gjatë viteve 50’. Njëri prej tyre Petrit Alliu, rrëfen sesi nga Stambolli me vaporin "Goya" kanë mbërritur në Zelandë të Re  më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk dihet, por në atë vapor, sipas z. Alliut  ishin më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe të rinj nga të gjitha trojet etnike tona. Secili prej të ardhurve ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja.

Aotearoa, siç e quajtën Zelandën e Re ardhësit e parë maorët, (shqip: toka mbi të cilën qëndrojnë re të mëdha e të bardha), ndodhet në anën jugperëndimore të Oqeanit Paqësor, 8,000 km. larg bregdetit të Amerikës jugore, kurse në veri 2,000 km e ndajnë nga bregu i Australisë lindore. Me një sipërfaqe 269,000 km katrorë, e përafërt me Britaninë e Madhe dhe Japoninë. Në strukturën etnike mbizotëron popullsia e ardhur evropiane. Zelanda përbëhet prej dy ishujve kryesorë: ishullit verior dhe atij jugor. Toka e reve të mëdha e të bardha është tokë kodrinore vullkanike e pasur me bimësi, lumenj, ujëra termalë, liqene, ujëvara dhe me vargmale e kodra. Vargmalet impozante me bukuri mahnitëse dhe vazhdimisht të mbuluara me borë janë Southern Alps (Alpet jugore) që shtrihen në Ishullin jugor. Maja më e lartë e këtyre maleve shkon deri në 3754 metra lartësi Mountain Cook. Zelanda shtrihet në një gjatësi prej 1500 km. nga veriu në jug. Ishulli verior karakterizohet me temperaturë më të butë dhe me popullsi më të dendur. Njerëzit e parë janë vendosur në këtë Ishull të largët pak para sh. X – të. Në Tokën e reve të bardha e të mëdha, siç e quajtën ardhësit e parë /Maori/, kur erdhën, gjetën parajsën, vendin ku organizuan jetën e re në tokë të re dhe për ketë janë edhe sot shumë krenarë. Të ndodhur në mes të Paqësorit, ata jetuan me produktet e tokës, detit dhe të peshkimit.



Lundërtari holandez Abel Tasman Evropiani i parë në Aotearoa

 Evropiani i parë që shkeli në Aotearoa ishte lundërtari holandez Abel Tasman, në vitin 1642, i cili qëndroi për pak kohë përgjatë bregut perëndimor dhe sipas regjionit të Zelandës në Holandë ishullin e posa vizituar e quajti “Zelanda e Re”. Pas 127 vjetëve pason vizita e kapitenit anglez James Cook me marinarët e tij, që erdhi nga Tahiti, 1769. Në vitin 1814 për herë të parë vijnë misionarë anglezë për përhapjen e fesë krishtere. Më 6 shkurt 1840 pas nënshkrimit të traktatit mes vendësve /MAORI/ dhe përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria, në qytezën Waitangi, Britania e Madhe e shpalli koloni të veten Zelandën e Re. Në vitet që pasuan ardhjet vazhduan me intensitet më të shtuar nga Britania e Madhe, kurse më vonë edhe nga shtetet e tjera të Evropës, të Azisë...  Sot në ketë shtet me mbi 4 milionë banorë bashkëjetojnë në harmoni të plotë shumë kultura, gjuhë e raca njerëzish, në mesin e tyre edhe shqiptarë që erdhën këtu pas aplikimit të sistemit sllavo-komunist të vitit 1945 në tokat shqiptare, pra në fillim të dekadës së pestë të shekullit XX. Kronika e migrimeve të shqiptarëve në shtetin e paqes, qetësisë e të rregullit janë pjesë e historisë së dhimbshme të zhvendosjeve me represion e dhunë nga tokat e tyre. Mërgata shqiptare në Zelandë të Re është një ndër mërgatat më të reja shikuar në pikëpamje të kohës së mërgimit nga të gjitha bashkësitë e tjera shqiptare nëpër botë.
Emigrantet e parë shqiptarë në vaporin “Goya”, prill 1951. Në foto:Aqif Kaskin, Lulzim Pogoni, Qamil Hasani, Petrit Alliu, Halit Bajrami  Kamber Rrustemi (vlonjat, i vrarë nga UDB-eja  në Australi).


Shqiptarët në Ishullin e largët erdhën me vaporin “Goya”

Për emigrimin e shqiptarëve të parë, në Zelandë të Re, rrëfen Petrit Alliu, njëri nga emigrantët e parë në Zelandë. "Nga Stambolli me vaporin "Goya" kemi mbërritur në Zelandë më 1 maj 1951. Numri i saktë nuk me kujtohet, por ishim më tepër se 60 shqiptarë, që të gjithë meshkuj dhe tė rinj nga gjitha trojet etnike tona. Po i përmend disa prej tyre: Fadil Kaceli, Shaqir Seferi /i ndjerë/, Besim Kazazi /i ndjerë/ e Lulzim Pogoni nga Tirana, Shaban Kryeziu, Jorgji Harillamsi, Halit Bajrami, (ish-ushtarak e punëtor i sigurimit që bashkë me Xhevdet Mustafën dhe Sabaudin Hazendarin më 24 shtator 1982 kishte zbarkuar si diversant në Divjakë (Shqipëri). Xhevdeti dhe Sabaudini vriten nga agjentet e Sigurimit Shqiptar, kurse Haliti vetëdorëzohet. Pas një qëndrimi në “burg” në Shqipëri kthehet në Zelandë të Re.
Vdiq në Auckland, me gjasë në vitin 2007), Bahri Kavaja nga Shkodra, Masar Krasniqi nga Prishtina, Zydi Zequllari e Islam Kulla /i ndjerë/ nga Korça, Bajram Murati nga Vlora, Musa Hajdari nga Muzeqina, Nevruz Mullaj nga Gjirokastra, Sabahudin Qefaliu e Qamil Hasani, nga Tetova, Ramazan Daja /i ndjerė/ nga Petrela, Kamber Rustemi /i vrarë nga UDB-ja në Australi, nga Vlora/, Vilson Shkambi, Xhelo Resuli, K. Myrteza, Ramadan Nazifi /i ndjerë/ nga Labëria, Nazmi Mehmeti nga Gostivari dhe të tjerë. Mënyra se si morëm botën në sy ishte shumë e dhimbshme, thotë, z. Alliu. "Secili prej nesh ka historinë e vet rrëqethëse e të llahtarshme gjatë arratisjes nga vendlindja".

Auckland, 1954. Shaqir Seferi, Shaban Kryeziu, Fadil Kaceli  e Petrit Alliu



Në vaporin “Goya” përveç shqiptarëve kishte edhe rumunë, bullgarë, sllovenë e boshnjakë. Së pari na vendosen në Pahitua, qytezë afër Wellingtonit. Pas 6 javëve na shpërndanë gjithandej Zelandës nëpër ferma duke na pajisur me nga një kartë identifikimi dhe leje për punë. Shpejt e gjetëm veten dhe për pak kohë u adaptuam në rrethin e ri. Pas dy vjetësh kishim të drejtë për t’u vendosur e për të punuar aty ku donim vetë. Disa prej nesh u vendosem në qytetin e Aucklandit. Me punë krijuam kushte të mira për të jetuar. Besoj se edhe para nesh ka pasur shqiptarë në Zelandë të Re. Kur erdhëm takuam një femër shqiptare e ardhur nga Egjipti e cila fliste mirë shqipen. Çka u bë me të më vonë nuk di. Flitej edhe për  tri gra shqiptare tjera nga Llogoraja e Vlorës të vendosura këtu para nesh, pastaj për shqiptarët nga Australia të cilët kishin ardhur për të kërkuar flori në lumenjtë e këtushëm, por ata nuk kanë qëndruar gjatë në Zelandë të Re. Sidoqoftë, ne ishim emigrantët e parë politikë shqiptarë, me numër kaq të madh, të vendosur në ketë Ishull të largët. Këtu ne formuam Lidhjen Qytetare të Shqiptareve në Zelandë të Re. Kryetari i Lidhjes Mazhar Krasniqi dhe të gjithë ne të tjerët i përqendruam forcat në ruajtjen e traditave, gjuhës... mbajtjen e lidhjeve, qëndrimeve në sensibilizimin e çështjes së pazgjidhur të Kosovës me mërgatat simotra shqiptare në Australi, në Amerikë e gjetiu. Tuboheshim gjatë vikendeve, festave dhe kurrë nuk harruam prej nga kishim ardhur, kurrë nuk i humbëm shpresat se një ditë do ta thyejë qafen diktatura e kuqe. Me rastin e festes se Flamurit takoheshim në shtëpinë e njërit prej nesh dhe festonim familjarisht, para flamurit kuq e zi këndonim himnin, dëgjonim muzikë shqipe evokonim të kaluarën... Sot edhe fëmijët tanë në këtë vend të bukur me demokraci të vërtetë kanë krijuar familjet e tyre dhe jetojnë komfort standardit të shoqërisë zelandeze”. Sipas Petrit Alliut, i lindur në Tirane 1930, i arratisur në vitin 1948, se pari në Turqi e pastaj në Zelande të Re, personalitet i respektuar dhe emër i njohur i futbollit zelandez në vitet 1952-1956. Rreth viteve ‘70, ‘80 të shekullit të kaluar pati ardhje në mënyrë individuale, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, u rrit paksa numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Në aeroportin e Aucklandit del i gjithë komuniteti shqiptar, i madh e i vogël, shumë zelandezë e të tjerë, në krye me kryeministreshën e atëhershme të Qeverisë së Zelandës Jenny Shipley me bashkëpunëtorë si dhe përfaqësues të opozitës për t’u uruar mirëseardhje refugjatëve nga Kosova.


Refugjatët e rinj të ’99-s

Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Duhet përmendur se në mesin e refugjatëve pati edhe personalitete të shquara të kulturës e shkencës shqiptare: Akademik Enver Gjerqeku, shkrimtari Rexhep Hoxha, Dr. Hysen Ukmata etj. Të ardhurit /me përjashtim të katër familjeve të ardhura në vitin 2000/ kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Pas një jave qëndrimi në kampin Mangere mirëpriten në familjet shqiptare për të kaluar pastaj në shtëpi, banesa të tyre të marra me qira. Që të gjithë vendosen në Auckland, paralagjet: Orakei, Mission Bay, Pakuranga, Medolbank, Sten Jons, Kohimarama, Glendowie, Panmure, Onahunga, St. Heliers, Mt. Welligton, Buckland Beach, Epsom etj. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për profesione të ndryshme. Një numër prej tyre pas një viti me vetëdëshirë u kthyen në Kosovë. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët janë të shpërndarë nëpër shkollat ku i kanë të vendosura familjet, kurse gjimnazistët  i ndjekin mësimet gati që të gjithë në shkollën e mesme  “Selwyn College” /Kohimarama/.


Selwyn College, 2000.  Çikat e Kosovës: Nita, Marigona, Majlinda, Alma, Kaltrina, Blerta, Rina e Ardita në këmbë.

Që të gjithë vendosen në qytetin e madh të Auckland-it. Falë sjelljeve me kulturë, punës me korrektësi, shqiptarët, këtu në Zelandë, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 400 deri 500 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e  Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Vendi i preferuar për shqiptarët është paralagja Mission Bay. Nё Mission Bay zhvillojnë veprimtari hoteliere me shumë sukses: Muharrem Muharremi - Mema, Xhelal Jashari e Bajram Jusufi. Restorantet e tyre dallohen për specialitetet ushqimore, shërbimet me kohë, pastërti e rregull. Nё këtë paralagje të mrekullueshme të qytetit më të madh nё Zelandë tё Re ёshtё i njohur salloni për rregullimin e flokëve për meshkuj dhe femra që mban firmën e floktarit nga Prishtina Agim Agollit, “Gimmy’s Hair Desing”. Pronari i kompanisë për prodhimin e akullores Tair Tairi e ka zgjeruar veprimtarinë e vet, duke hapur këto ditë në Mission Bay ëmbëltore sipas yrnekut të ëmbëltoreve në Prishtinë e Shkup. Në grupin e shqiptarëve që kanë gjetur suksesin përmes restoranteve është  edhe afaristi Abdullah Bashota me restorantin e tij të njohur “Red Elephant” si dhe të rinjtë Sokol Krasniqi e Astrit Jolla me restorantin “Safran” në një nga lagjet më luksoze të qytetit në Newmarket. Duhet thënë se pjesa dërmuese e punëtorëve në restorantet e përmendura janë shqiptarë. Salih Salihu me të bijtë Albanin, Agronin e Drilonin për një kohë të shkurtër  ka arritur të bëhet model tipik i biznesmenit të suksesshëm. Grupit të biznesmenëve duhet shtuar edhe emrat e Burim Xharrës, Ismet Selimit, Ideal Huskajt, Burim Prekazit, Agron Hasanit, Drin Muratit, Sharr Brezartit etj., të cilët kanë bizneset e tyre. Një numër tjetër punojnë në tregti, administratë, ndërtimtari, mjekësi etj. Me ketë rast nuk duhet harruar të rinjtë shqiptarë, që i kanë kryer studimet dhe ata që pritet t’i kryejnë në Universitetet e qytetit të Auckland-it, të cilët  brenda pak vitesh do të jenë yjet e punës intelektuale dhe të biznesit në ketë vend të zhvilluar.


 Auckland, 8 mars 1998. Nënat shqiptare në protestë: Stop, masakrave në Kosovë!


    
Auckland, prill 1999. Shqiptaro-zelandezët në përkrahje të NATO-s


 
 Në “Nero Cafe”, Auckland, nëntor 2009. Foto: Hysen Zeqiri. Kafeneja  ndodhet në pjesën qendrore të Aucklandit nga tarraca e së cilës shihet Ishulli  Rangitoto i njohur në botë për formën  e tij unike. Në tarracën e kafenes, shqiptaro-zelandezët takohen dhe bisedojnë: për hallet, mallin për vendlindjen, ndodhitë në Kosovë, Shqipëri.., rrahin gjoks, këmbejnë romuze me të qeshur. Pijet  për ta nuk kanë funksion parësor sepse ata vijnë këtu ekskluzivisht për t’i qarë hallet njëri - tjetrit, ndërruar cigaret, larguar mërzitjen, kaluar kohën dhe për të debatuar tema të ndryshme.

Si gjithkund në botë edhe Mërgata shqiptare këtu në shtetin me histori e përvojë të shumanshme për sa i përket tolerancës e mirëkuptimit ndëretnik e kulturor po ballafaqohet me problemin e ruajtës së gjuhës dhe të identitetit kombëtar. Ndërkohë që po rritet numri i fëmijëve tanë, ruajtja e gjuhës dhe mësimi i saj po behet gjithnjë e më i vështirë. Bashkësia shqiptare duhet të ndërgjegjësohet se sigurimi i një lokali të përhershëm ku do të zhvillonin aktivitete, hapin klasa për mësimin e gjuhës shqipe dhe përmes saj edhe të kulturës, historisë dhe gjithë çka tjetër që ka të bëjë me shqiptarët është më se e nevojshme. 
Kjo mund të arrihet fare lehtë, kur kemi parasysh potencialin e madh intelektual që kanë shqiptarët këtu: mësues, profesorë, ekonomistë, inxhinierë, mjekë, arkitekt, farmacistë, dentistë...,  pastaj Zelanda e Re është vend i përzemërt, që të ofron mundësi të mëdha realizimi nëse ke vullnet dhe dashuri për veten dhe për Kombin tënd.  

(Botuar në gazetën Illyria 12-15 gusht, 2005 dhe në revistën Zëri 27 maj 2006).
 Një variant i Shkrimit  “Bijtë e shqipes ...”  është botuar edhe në gazetën Balli i Kombit në   internet.

(Nga libri “Bijtë e shqipes në token e reve të bardha”, Auckland, 2010, Sabit Abdyli)

Thursday 29 May 2014

Shtatë letra si këtyne herësh plus komentet e lexuesve

1.Tixhe e dashun, 
Sot mora guximin me të shkrue dhe me të thanë se të due shumë, shumë. Dje mbas dreke të pashë tue shkue te kroni. U kënaqa me atë ecjen tande me kërrname e serbez, era si e ftonit në vjeshtë të vinte kur kalove... Ah, sa më rrahu zemra fort! Bile të prita te bërryli i parë i udhës derisa u ktheve, nuk të dola përpara se thash po na shohin. A të pëlqej sapuni misk dhe mindili që ta çova? Kam me dal këto ditë në qytet me u fotografue te “Foto Beça” dhe kam me ta dërgue fotografinë. Boll po tutna po ta gjen nana. Fotogafinë tande natën nën jastëk e mbaj, ditën e marr me veti. Shkrujmë me njiherë se mezi po pres! Letrën lema te dardha e kuqe, mes degëve të saj.
Të fala shumë e ambla jeme si sheqer!
Komentet:
Antonina Kodheli 
HAHAHAHAHAH...PROFESOR,KE XHIRUAR NJE FILM TE VJETER SHQIPETAR ME METRAZH TE SHKURTER. TE FLM. NA KENAQE. A E DI QE NA KISHIN MUNGUAR KETO SKENA? 
Isak Ahmeti
Sabit, jane keto rrefejza te mrekulluesheme! Stili,gjuha,permbajtja te mahnitshme...Te pergezoj!

2.E jemja Tixhe, 
U gëzova që e kishe gjet letrën teme. Boll jam tut se mos ndoshta qukapiku e ka marrë se përditë në trup të dardhës po qukat. A e trokovate patiskën, a po të dalin pejt, fitilat e mnashit, rrotullat e kllapadanit? Mos u lodh me ato oja t’shamijave, tentene se kurrkush nuk ta di. Goditi nëpër shoqe se tybe nji dinar që të më bjen në dorë, ty kam me ta çue. Mbramë e dëgjova bushin, (babës bush i tham) tuj thanë nanës se kësmet dasmën po e bajmë qat herë kur ta shtim bereqetin brenda dhe ta mbjellim grunin. Bijat tonat e t’kojshive nji javë ditë përpara kem me i marrë, krejt katundin shpi për shpi kem me i thirr, dy ditë s’kem me i nal tupanet. Me erdh marre kur nisën me fol për dasmën tonë dhe u çova, po në cep të dritares e vuna veshin dhe dëgjova çka folën. Dje të pashë kur kapërceve te Trina e vogël me kasnak në dorë që ta kam pas ble në Shkup. Drejt me të thanë, zemra bum, bum më bani. Baci ta kish ble maqinen SINGER në Austri, kish me prue tash kur të vjen për pushime. Me hesap e kanë porosit edhe sahatin e dorës me ta ble atje.
Të fala shumë e ambla jeme si llokum!
Komentet:
Antonina Kodheli 
ME PELQEN KY STIL I LEHTE DASHURIE PROFESOR. ESHTE SHUME NJEREZOR, SHUME FAMILJAR,I BUKUR DHE JETESOR, ESHTE NJE MESIM PER ATA QE EKERKOJNE DASHURINE. FALENI JU LUTEM KETE NDJENJE TE BUKUR, DHURUJANI ATIJ QE I TAKON, NUK KUSHTON FARE!

3.E jemja Tixhe, 
Fotografitë i mora sot. A po më rrika mirë kravata e kuqe e setra e zezë, që m’i dha syretxhia veç sa me u fotografue? Qesi kravate e setre kam me i thanë bacit me m’i ble për darsëm. Të pashë atë ditë kur dole prej hallës tane me shkue te shpia. Flokët duej tuat t’i çojë era fu-fu! Thash, me ditë Tixhja, që po e shoh edhe asaj ju kish dridh zemra si mue. Më humbe para sysh! Flokët mos gabo me i pre e shti n’struj, veç dredhi pak përpara kur t’bahesh nuse. Bushi me nanën kësmet javën tjetër po shkojnë n’Prizren me FIAT të bacit Riza me t’i nxjerr teshat, tesha që s’ka me pas asnjë nuse si tuat këtu pari. Me erdh marre me i pyet a e kanë masën tande me ta ble unazën, këpucët, papuçet, dorëzat e bardha, kollanin e këmishën e dredhët. Nashti e lanë me fjalë në rast nevoje me i ndërrue. Prapë po të thamë, mos i jep zor me qëndisë bashllika e cingli mile tjera se po lodhesh! Bane gati masën e teshave (mate atë mjedisin e hollë që e ke dhe naltësinë e trupit si selvi) se bushi (baba) ka me ardh me marrë këto ditë. Teshta po donë me ti kep në Shkup te qajo maqinxhika e njoftun.
Te fala shumë, syzeza jeme llokum!
Komentet:
Antonina Kodheli 
NJE TJETER AROME FUTE NE KETO LETRA SABIT. NJE NDJENJE TE BUKUR QE ESHTE HARUAR. NA KTHEVE NE KOHEN TONE,KUR DASHURIA RESPEKTOHESHE BUKUR. KETO BEME EDHE NE. ME DUKET SIKUR JAM UNE NE ROLIN E TIXHES...TE FLM PROFESOR!

4. Tixhja jeme e bukur! 
Letrën tande sot e mora. Po mirë e kishe vizatue dorën! Dorën të trash e t’butë si bukë furre. Hyn ma thellë nën hajat të odës kur po del me qëndisë se po të nxin dielli. Unë ashtu qysh je e bardhë të due. Krejt kanë ra me fjet, unë për dritë të llomës po t’shkruj. Gjumi më ka ik. Mendja veç te ti po më rri. Arkat e teshave bushi i ka nreq me dru qershie. All të kuqe e pak si me do vija të zeza kanë dal. Nji e dridhme ma përshkoi krejt trupin, kur lexova në letrën tande se jam ma i miri në botë. Edhe unë Tixhe, po të baj be, në tokë e qiell, se je ma e bukura prej krejt çikave të botës. E bardhë si tamli, flokët mnash deri në bel, buzët qurshi vishnje, sytë terr të zi, gojën mjaltë e trupin e drejtë qiri. Bile edhe dada Salë të lëvdoj e të çoi n'hava, jo veç për bukuri. Foli shumë, po unë prej turpit dola jashtë. Zhig me mbeti që nuk e dëgjova deri në fund, dadën. Erdh gati vjeshta. Ihaaaaaaaa!
Të fala me thes Tixhja jeme e bukur!
Komentet:
Alketa Qejvani:
Oh , cfare dashurie! Si ne perralla. Kaq e bukur , kaq e thjeshte pa komplikime , si drita e diellit ....Kisha kohe pa lexuar nje dashuri te tille ...Komplimente Prof se me tronditi shpirtin. Qiellore kjo dashuri!
Drita Bekteshi
Po kjo "qurshi vishnje" eshte aq pershkrim i ndjenjave te trazuara, sa qe sot nuk i gjen askund me...mjerisht...sot dashuria biznes i majme...
Myrvete Mehmeti
 :)))), të kallzoj unë cka tha dada Salë më tej: '' ... e madhe dhe e zoja, këmbëkryq me u ulë në gjoks të sajë. Edhe një nuse që nuk ta mbush derën e odës tue hy brenda, cfarë nusje është ajo, edhe njime.., cka ka me të vye si ajo qika e Manovite që me një frymë e rrëzon, ruejna zot e dobët si një shpendkeqe dhe kur po e merr kënatën me e mbush ujë te kroni, më e madhe kënata se ajo vetë...

5. Tixhja jeme e shtrejtë, 
Dje bushi në pazar i ka ble dy mëzet për darsëm. Ju kemi blue bungur me i trashë edhe ma shumë. Edhe dajtë sigurisht pa dy desh bakshish nuk vijnë. Le të ketë mish, tha bushi, se djalin po e martoj. Njime Tixhe, njiherë martohet njeri. Këqyr ruju, kur po e kapërcen qat vigun te përroska e vogël tuj shkue me mush ujë Te kroni se boll telhyxhe ish me rrëshqitë! Hajt pashë Zotin, çka po të çojnë veç ty me mush ujë!? Dje i thirri çikat e mahallës nana. Gjithë mbas drekën në shtatë kojshi u ndegjue kanga e defi, e kanë kallë krejt. Zemra mal m’u ba! Mos harro, këtyne çikave me ju qëndisë naj mindil a shami se valla e meritojnë. Javën tjetër kem me i marrë bijat. Le të dihet se po afrohet dita e dasmës. Baci, ta kish ble sahatin e dorës, kurrë qesi sahati nuk kam pa, në vend të rrypit kish nji zinxhir bojë ari edhe natën po mujshe me pa sa asht ora. Të hanën që shkoi, qat here kur u lëshuen fëmija prej shkollës, kalova aty pari, po nuk t’pashë. Deri sa nuk shihej ma shtegu kah kalon ti, kryet mbrapa e mbajta. Drejtën me ta thanë, helm u bana. Mbramë, në andërr të pashë sikur zbrite prej kerrit me fustan të bardhë. Unë diqysh ardhsha drejt teje, por prej kallaballakit nuk munda me tu afrue. Hiç mirë nuk asht me pa në andërr kallabllak njerëz. Mos po te del nja idhnim ty se për veti nuk e kam gajle!
Shumë, shumë të due Tixhja jeme e bukur! 
Komentet:
Antonina Kodheli KETO LETRA BACA SABIT, KANE NJE MAGJI TE VECANTE. I LEXON ME KENAQESI DHE PADASHUR BUZEQESH. KJO ME NDODH DHE ME PELQEN, SEPSE KESHU E KAM MENDUAR QE E VOGEL TE JETE DASHURIA, KAQ E PASTER DHE E BUKUR DHE BURRI TE JETE PO AQ I DHENE PAS VAJZES QE KA ZGJEDHUR, DOMETHENE TE JETOJE VETEM PER SYTE E SAJ. TE FLM PROFESOR. TE PUTH DUART DHE PENEN E ARTE....TE PACIM! 
Hajrush Sadiku Baci Sabit flm me kto tregime te Tixhjes me deshire po ju presim per tregimin e radhes deri kur te plaken Tixhja dhe djali i dashuruar.

6. E dashuna shumë, shumë Tixhe, 
Unazën me guri të kaltër veje në gisht se boll po tutna po të marrin mësysh. Kanën, për ditën e kanës, e ka porositë nana nji grue me prue prej Turqisë. Bash has kanë. Mos u ban budall me kajt shumë kur ta ngjesin bojën. Këtu mbramje për mbramje mblidhen çikat e mahallës nën hajt të shtëpisë dhe po kënaqen tuj ra defit, këndue e tuj hedh valle deri natën vonë. Bushi ka ble fenerë në Shkup, krejt oborrin dritë e bajmë. Bile nana gatujti kollpite për darkë dhe zjeu shtalba. Sot kesh te terzia n’sheher me i pre teshat për darsëm. Kurrë kësi stofi të mirë nuk kam pa, tha terzia. He bacoo, i thash, stof kanger asht, ma ka ble baci n’Austri. Mbas nji jave kam me shkue prapë. Tamam qat here para darsmës bahen gati. Letrën teme ish kanë për pak tuj ta zanë nana. Nashti nuk të kish thanë gja se edhe ajo e re u kanë si ti. Kallëzom serbez nëse të duhen pare se, helbete ke qef me ble naj sen. Fotografinë tande nuk pata qare pa ua dhanë çikave me pa. Motra e vogël dreqi u kish kallëzue. Me rend e këqyren të gjitha. Mbetën pa mend e pa gojë tuj ba: ua, au, çfarë sy paska, çfarë flokë, çfarë bukuroshe...! Prekne hundën, ju thash, tuj kesh, se po i merrni mësysh. Ajkuna e bacit Dan m’kallëzojë që t’kish pa tuj e marrë nji yrnek te kunata e saj. I lumi ti, tha, çfarë nuse ke me marrë! Ajkuna deshi me fol hala po hyni bushi dhe ajo i nali fjalët.
Tixhe, zemer të kam! 
Komentet:
Antonina Kodheli PROFESOR, KUR TE PARET TANE SHKROJTEN PERLLALLAT E BUKURA ME PRINCER DHE PRINCESHA, ME SIGURI KANE PASUR PARASYSH NJE CIFT TE TILLE. KUR LEXONJA BOREBARDHEN E MBAJ MIRE MEND E VOGEL, QE EDHE UNE DO TE DESHA TE KISHA FATIN E SAJ,PA PATUR IDE CDO TE THOTE MARTESE DHE PRINC.ME TU RRITUR ME BAZE PRINCIN E PERALLAVE DESHA EDHE UNE PRINCIN TIM, DESHA TE ISHA NJE TIXHE, SI TIXHJA E LETRAVE TENDE, TE KISHA NE KRAH NJE DJALE QE TE ME VLERESONTE DHE TE ME SHIKONTE NE SY. LUM NE QE E PATEM KETE FAT TE MIRE. SA TE BUKURA KETO LETRA O SHKRIMTAR I MIRE, SA ME QETESOJNE, SA BUKUR MA RREGULLOJNE DITEN. TE FLM MIKU IM I RRALLE....TE LUMTE PENA PROFESOR.

7. Tixhe e dashun, 
Edhe nji javë dita e darsmës. Krejt trupi po më dridhet.. . edhe nji javë po vjen, ah Tixhe, Tixhe...! Boll ma, boll , dy vjet nën unazë, dy vjet larg, dy vjet me letra tuj i shkrue e lexue tinza (shyqyr kjo e fundit), dy vjet pa gjumë e merak për njeni tjerin, dy vjet sa te bërryli i parë, sa te Trina e madhe me t’pa. Miqtë e katundin shpi për për shpi i kem thirr, bijat i kem mbledh para nji jave, kerret, kuajt e seksanës, bajraktari që tash dihen, tupanët i kem porositë. Bile edhe gratë e kerrit janë caktue. Kazanat, enët, sofrat, turshit, djathin, gazin për fitilaqa, llampa e fenerë i kem sigurue. Magjetoret në sitë të hollë po e sitin miellin, t’hollojnë peta për pite e bukë nore. Konaqet, hyzmeqarët te gatshem jane me ja nis punes. Teshat i mora dje. Mbramje për mbrëmje po mbyllna në dhomë dhe po i veshi me pa qysh po m‘rrinë. Të mira valla. Hajt se të dielën mbrama ke me pa edhe vetë sa të mira janë. A e ke çel arkën e teshave. I pashë kur i paluen nana me hallën Nurkë. Ani shtinën edhe dy-tri grushta sheqer gurë në arkë. Ti e mirë, teshat e mira, ke me ua kalue krejt nuseve të kësaj ane edhe ma larg. Të shtunën nisin me ra tupanet, dy parë tupane! Të nesërmen krushqit kah dreka mbërrin te ti. Dhe ty, mbasdreke bushi (baba) ka me të zbrit prej kerrit t’kuq. Ah, sa kisha dashtë unë me t’zbrit, po ...! Daja Trim e baci kanë me qit me allti bam, bam me paralajmërue se erdh nusja. Të hanën para dite Tixhe dajallarët, nipat e njerëzit e shpisë kanë me thye kulaçin. Ke me dal te bunari pak ma vonë, tuj të këndue çikat. Ju ka thanë nana, nuk due me ma sha e ranue me naj fjalë nusen, po edhe t’shajshin ti mos u ban merak se qashtu i provokojnë krejt nuset. Mbas dite mblidhen grat, nuset e çikat. Tash po e marrë me mend dhe po të shoh në rend të nuseve, ti e para dhe ma e mira se krejt.
Tixhe, loçkë, shpirt e zemër t’kam!
Shtator, 2012
Komentet:
Halil Xani
Keshtu ishte dikur. Sa shume kane nderruar keto gjera. Tash bashkejetesa, (plot ngaterresa), fejesa, lindje pastaj martesa, ne te cilat femijet e tyre mund te shkojne bullak, apo jo?
Alketa Qejvani
Si pikture, si film u shfaq gjithe dasma para syve. Sa sinqeritet e ciltersi brenda kesaj letre. Dy virtyte qe kane humbur vleren ne keto kohe. A ka me dashuri te tilla ? Besoj po aq sa gjendet uje ne shkretetire. E lexova, rilexova dhe kam perseri etje per keto rreshta, per te besuar se ekziston nje dashuri e tille. Presim letrat e tjera, Profesor !
Miki Tahiri
 Eh Tixhja e shkrete sa e durushme... tani keto gjerat e letrave etj. nuk lexohen e shkruhen tinza. por si duket kyfar "tinzllaki" eshte ne gjenezen tone shqiptare..sidomos sinqeriteti i shqiptarit eshte me shumice i "tinzavt", ta ben rrafsh para ftyres e mas ftyres zi e ma zi...
Antonina Kodheli 
DHE FILMI VAZHDON. SERITE SA VJEN DHE BEHEN EDHE ME TERHEQESE. PREGATITJA E JAVES SE DASMES TE REMBEN, TE KTHEN NE VITET E FEMIJERISE,QE KUR MARTOHESHE DIKUSH JO VETEM SOJI POR E GJITHE MEHALLA,E GJITHE SHOQERIA NDIHMONTE DHE ARGETOHESHE NJE JAVE TE TERE. E DASHUR TIXHE, LUM TI QE NE KETE FILM SIRIAL JE PERSONAZHI I PARE, LUM TI QE DUHESH NDEROHESH DHE RESPEKTOHESH KAQ SHUME NGA NJERIU I ZEMRES TENDE.KUR BASHKOHEN PERPARA ZOTIT DY NJEREZ QE DUHEN SIJU, DASMEN E BEKON E GJITHE SHOQERIA. LE TE PRESIM SERITE E TJERA TE SHIKOJME CFARE SUPRIZA DO NA DHUROJNE. ....PO CBEN KESHTU MORE SHKRIMTAR? LEXON LEXUESI DHE I NGJETHET TRUPI....TE FLM O PENE E VYER. TE LUMTE DORA O PROFESORI YNE. TE UROJ GJITHCKA TE BUKUR NE JETE. JETA TA KA BORXH. TE FLM O MIKU IM 
Ramiz Kabashi 
Kosova prof lumja Tixhja ju paskan afru dakiki darsmes hahahaah a dhanrri me ni kam tu prit hahahahh

Nga materniteti:
Zemra jeme Dalip, 
Djali sytë, gojën e ballin krejt si ti i ka, kurse trupin e këmbët e drejta e të gjata si të miat. Prej kur ja lage fytin doktorit edhe infermieret po më këqyrin ma mirë. Jam te motra kujdestare në zyre, po i baj shoqëni se nata e gjatë. Dardanit i dhash gji dhe fjet e lash. Mobilin bjerma nesër se nuk po rrihet pa ta. Infermieres ja futa në xhep qato eurot që m’i la baci yt. Tash kjo para duarsh po më man. Hyn, më tha në internet, fol me kand të duesh se unë po qëndisi qet jakë të fustanit se tybe nuk po na del rroga pa i ndihmue edhe me punëdore. Hyna në internet dhe së pari ty zemër po të shkruj. Thuju motrave, hallave e shokëve tu me ma urue në Radio Kosovë djalin me qat kangën “Llindi djalë”, që e këndon burri i Mihreje Brahës. Kur të vish mem marrë, hajdeni me dy kerre! Le të më shohin kush jam dhe nusja e kujt jam. Kerrin shko luloje te qata që po i lulojëshin kerret e nuseve. Me qat parfumin që ma ka prue dada Zyme prej Italisë rrase golfin, që me kilometra le të ndihet era e tij. Ti vishu mirë dhe kravatën e kaltër vnoje se djalë kemi.
 Kiss zemër!
Tixhja
Sabit Abdyli
Shkurt, 2013
Nga libri "Letra, anekdota e aforizma", Gjilan, 2013.

Njëra prej njësive të para të rezistencës në Anamoravë, 1941/42, e prirë nga Hasan Kabashi e vëllezërit Seferi..



 Në foto: Isë Seferi, Hasan Kabashi, Xhelil Seferi dhe Rexhep Kabashi. Marrë nga albumi i fotografive të Nezir Kabashit. Fotoja u publikua për herë të parë në librin “Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi”, Gjilan, 2013, Sabit Abdyli



Wednesday 28 May 2014

Shqipëria njëqind vjet shtet (E shkruar me rastin e 100 Vjetorit të shpalljes së Pavarësisë)

Këtë vit mbushen 100 vjet që kur u shpall Shqipëria shtet. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 në Vlorë është rezultat i luftërave shekullore të shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre dhe kthyer lirinë e humbur që nga vdekja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në vitin 1468. Me vendimin historik të Kuvendit të Vlorës Shqipëria u shpall shtet sovran, jo vetëm nga zgjedha pesë shekullore otomane, por edhe nga kurthet që kurdiseshin nga shtetet fqinje për copëtimin e saj. 
Me ketë akt u realizua e drejta imediate që edhe shqiptarët në territorin e vet të banuar qysh nga lashtësia me gjuhë, kulturë, histori dhe identitet të vet të jenë të pavarur dhe ta kenë shtetin e tyre. Shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejt të Ilirëve, të cilët jetuan në pjesën perëndimore të Ballkanit. Ilirët që në sh. V-të para erës sonë kishin vu bazat e kulturës së përbashkët shpirtërore dhe materiale. Në vitin 168 p.e.s. Iliria bie nën sundimin e romanëve. Pasojat qenë shumë të mëdha, por megjithatë ata arritën t’i përballojnë politikës asimiluese të romanëve, ashtu siç arritën ta sfidojnë edhe sundimin e Perandorisë Bizantine dhe fiseve të ndryshme barbare, si Gothet, Avaret etj. Me ardhjen e sllave sh. VI një pjesë e Ilirisë Veriore dhe Lindore u asimilua. Pushtimi otoman (XIV) vendosi pushtetin feudalo ushtarak në Arbëri (Shqipëri), por kryengritjet e përhershme të princave shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut (405-1468), i cili arriti t’i bashkojë princat shqiptarë në një shtet dhe flamuri i tij u bë flamur kombëtar i Shqipërisë. Pas vdekjes së Skënderbeut, Perandoria turke e inatosur për humbjet që ua kish shkaktuar turqve Skënderbeu për 25 vjet me radhë dogjën e shkatërruan Shqipërinë. U deshtë shekuj që të mëkëmben shqiptarët. Lufta për identitet kombëtar u intensifikua me Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare të filluar në dekadën e tretë të sh. XIX-të dhe vazhdon deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Shek. XIX shënoi për popullin shqiptar një epokë të re, atë të Rilindjes. Kjo epokë ka hyrë në historinë moderne të vendeve të Ballkanit si shekulli i lëvizjeve dhe i revolucioneve kombëtare, që ndoqën njëri-tjetrin dhe që çuan në çlirimin e shumicës së popujve të këtij gadishulli nga zgjedha e Perandorisë Osmane dhe në formimin e shteteve të pavarura.
Impulse të forta lindjes së shtetit shqiptar i dha Lidhja e Prizrenit (1878), e cila zgjodhi udhëheqësit ushtarak e politik që u vunë në krye të kryengritjeve që u bënë për çlirimin kombëtar nga robëria turke. Ndërkohë për fat të keq të shqiptarëve Kongresi i Berlinit (1878) nën trusninë e Rusisë dhe shteteve tjera padrejtësisht ua ndau territoret shqiptare Malit të zi, Serbisë dhe Greqisë. Gjatë Luftës së Parë Botërore shteti i ri shqiptar u poshtua nga Serbia, Italia, Mali Zi, Greqia, Franca dhe Austro Hungaria. Më 21 janar 1925, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Parlamentare, tri vjet më vonë (1 shtator 1928) Shqipëria u shpall Mbretëri Demokratike Parlamentare. Italia fashiste, me 7 prill 1939 e pushtoi Shqipërinë dhe kështu shpalli fundin e Mbretërisë së Ahmet Zogut. Me 28 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazi-fashist. Me 11 janar 1946, Asambleja Kushtetuese e shpalli Shqipërinë Republikë Popullore, si një nga format e diktaturës së proletariatit, e cila zgjati gati gjysmë shekulli, deri me 29 prill 1991, kur Parlamenti i pare pluralist shpalli Republikën Parlamentare të Shqipërisë, duke i dhënë kështu fund izolimit 50 vjeçar të shtetit shqiptar.
Shqipëria shtrihet në Evropën Juglindore, në Perëndim të Gadishullit Ballkanik në një sipërfaqe prej 28.748 km2. Republika e Shqipërisë kufizohet në veri nga Mal i Zi, në veri-lindje nga Kosova, në lindje me Maqedoninë, dhe në jug dhe jug-lindje me Greqinë. Në perëndim, Shqipëria laget nga deti Adriatik dhe deti Jon. Lartësia mesatare është 708-m. Shqipëria përfshihet në zonën sub-tropikale me lagështirë të Hemisferës Veriore, dhe në zonën me klime mesdhetare.
Relievi: Fushor (në Shqipërinë Perëndimore), Pllajor (në Shqipërinë Lindore), Malor (ne Shqipërinë Veriore dhe Qendrore); Maja më e lartë: Mali i Korabit (2,753m).
Vija Bregdetare: 362 kilometra.
Popullsia: 3,364,571 (Qershor 1999) - 95% Shqiptare, 3% Greke dhe 2% të tjerë
Shkalla e rritjes se popullsisë: 1,05% (1999)
Kryeqyteti: Tirana (nga viti 1920)
Gjuha zyrtare: Shqipja
Gjuha shqipe është një gjuhe indo-evropiane dhe përfaqëson një degë të veçantë në familjen e gjuhëve indo-evropiane. Sipas linguistëve të huaj e shqiptarë është konstatuar se populli shqiptar dhe gjuha shqipe e tij prejardhjen e kanë nga ilirët dhe ilirët nga pellazgët parahistorik. Në krahasimin gjuhësor midis shqipes, greqishtes dhe latinishtes së vjetër, është vërtetuar se shqipja si gjuhë është formuar më herët se këto të dy gjuhë të vjetra.  “Shqipja është gjyshja e gjuhëve evropiane. Persishtja vdiq. Dhe shume simotra të saj . Greqishtja polli nën ujerat e veta; greqishtja e re dhe greqishtja e vjetër. Polli nën vete. Latinishtja polli sa mundi. Vetëm shqipja nuk polli shqemëza. Ka një mbesë, rumanishten. Është koha që të mburremi gjuhësisht. Më shumë Evropa. Vetëm në shqipe behet përkthimi. Një gjuhë e moçme, sa analitike dhe sintetike.” (Hekuran Miraka). Alfabeti i gjuhës letrare shqipe ka 36 shkronja dhe përdoret alfabeti latin, i aprovuar nga Kongresi Kombëtar i Manastirit me 1908. Kur jemi te alfabeti dua të citoj këtu albanologun, Ishtvan Shutz-in, i cili në veprën e tij “Njolla të bardha në Ballkan” pohon; Jo shqipja ia mori latinit shkronjat, por latini ia mori asaj. Shqipja kur i humbi, mori atë që kishte dhënë. Gjuha shqipe (e folur dhe e shkruar) përdoret në Republikën e Kosovës, Serbi, Mali të Zi, Maqedoni, Greqi, Kalabri të Italisë etj.
Dita e 28 Nëntorit zgjon te shqiptarët ndjenja dashurie e krenarie kudo qofshin ata: në Shqipëri, Republikën e Kosovës, Kosovën lindore, Maqedoni, Greqi, Mal të zi dhe gjithë andej botës te Mërgatat shqiptare përfshirë këtu edhe Zelandën e Re. 
Flamuri kombëtar shqiptar është ndër më të vjetrit në botë. Ai u valëvit për herë të parë në bedenat e kalasë së Krujës, më 28 nëntor të vitit 1443.
Sabit Abdyli 
Nëntor 2012 

Tuesday 27 May 2014

Shqiptarët e diplomuar në universitetet e Zelandës së Re



Zelanda e Re është njëri prej shteteve më të largëta ku shqiptarët jetojnë. Migrimet në shtetin e përmendur janë të vonshme dhe datojnë që nga maji i vitit 1951 kur erdhën mbi 60 burra shqiptarë kryesisht me moshë të re. Mund të ketë pasur edhe përpara shqiptarë në ketë ishull të largët, por e sigurt është që me numër kaq të madh të ardhurish nga tokat shqiptare këta ishin të parët. Ardhjet në mënyrë individuale vazhduan deri ne vitet e 80-ta të shekullit të kaluar, kurse pas vitit 1990 për shkak të ndjekjeve, burgosjeve e vrasjeve të shqiptarëve në Kosovë, eksodit masiv në Shqipëri, rritet numri i atyre që vinin në Zelandë të Re. Vala e dytë, kjo e fundit, e imigrimeve masive u bë pas zhvendosjeve të dhunshme, gjenocidit në Kosovë, në pranverën e vitit 1999. Më, 22 maj 1999, erdhën refugjatët e parë shqiptarë, të cilët u morën në mënyrë të organizuar nga Qeveria zelandeze në kampet e refugjatëve në Maqedoni. Ardhjet vazhduan gjatë tërë vitit 1999. Të ardhurit kishin lidhje farefisnore me shqiptarët zelandezë. Pritjet qenë të ngrohta dhe emocionuese. Shqiptarët në qytetin e porsaardhur në mënyrë të organizuar filluan me kurse të gjuhës angleze, për të vazhduar pastaj me rikualifikime për profesione të ndryshme. Struktura kualifikuese e mërgimtarëve shqiptarë është e lartë. Të rinjtë vazhdojnë shkollimin në shkollat përkatëse, filloristët ndjekin mësimet  në shkollat ku i kishin të vendosura familjet, kurse gjimnazistët vazhduan mësimet gati që të gjithë në shkollën e mesme “Selwyn College”. Shqiptarët, këtu në Zelandë të Re, respektohen si njerëz punëtorë e familjarë të mirë. Si kudo në botë edhe këtu shqiptarët po tregohen punëtorë të aftë e të zgjuar, sidomos në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Të ardhurit në vitin 1951 ishin kryesisht nga Shqipëria, kurse të ardhurit në vitin 1999 janë nga Kosova. Komuniteti shqiptar është i përqendruar në qytetin Aucklandit. Mundet që edhe në qytete tjera të ketë shqiptarë, por ne nuk i dimë. Në bisedë me mërgimtarët, që kanë ndjekur lëvizjet, ardhjet e shqiptarëve, del se në Zelandë të Re duhet të jenë diku 400 shqiptarë. Të ardhurit shqiptarë, fjalën e kam për imigrimet e vitit 1999, që të gjithë janë të përqendruar në qytetin e Auckland-it. Shqiptarët përbëjnë një pjesë të vogël, por të rëndësishëm të qytetit multikulturor. Them të rëndësishëm se komuniteti ndër më të pakët në numër ka shumë të diplomuar në universitet e këtushme. Që nga vitet e ardhjes, shkollarët shqiptarë treguan zgjuarsi në shkollat e mesme dhe në fakultete. Në universitetet që radhiten në mesin e universiteteve të njohura në botë, shqiptarët janë ndër më të mirët, më të suksesshmit në mesin vendësve, aziatikëve, evropianëve etj. Suksesi, mendoj unë, është rezultat i sistemit shkollor në Zelandë të Re që ofron kushte e mundësi për t’u shkolluar gjithsecili, është rezultat i interesimit të familjeve dhe vetë studentëve. Brenda pak më shumë se një dekade kanë kryer fakultetin këta mërgimtarë: (radhitur sipas alfabetit), lexo si më poshtë, Shënimet biografike janë dhënë nga vetë të diplomuarit. E bëj me dije lexuesin se një numër jo edhe i vogël nuk dhanë informacion edhe pse kanë kryer shkollimin superior, si psh. Drini, Miloti, Rilindi, Ylli etj. 

Monday 26 May 2014

Faqe ditari:



Auckland,  29 mars 2004
Sot në orën 14:00, me avion të Kompanisë “Thai” u nisem  për në Kosovë. Në aeroportin internacional të Aucklandit u përshëndetem me Fluturën, Vullnetin, Pajtimin, Agimin dhe Hysen Kabashin. “Keni me u kënaq...  sa kisha pas dëshirë edhe unë me ardhë me juve...” - tha në ndarje Flutura. Avioni u shkëput me lehtësi nga pista e aeroportit, mori një kthesë dhe filloi ngjitjen, duke lënë poshtë shtëpitë me pullaze të pjerrta, me tymtarë të lartë, antena televizori, fushat jeshile, malet e dendura, ujët e Paqësorit, që pak nga pak e humbnin identitetin dhe më nuk ishin as shtëpi as pullaze, as fusha as male, as tymtarë të lartë, as antena. Sakaq u shndërruan në re të bardha si tamli. Së pari avioni katër motorësh ateroi në aeroportin e Sydney-it, metropolin më të madh në Australi me mbi 4 milionë banorë, me mbi 70 porte detare, aeroportin internacional, parqe të shumta, plazhe, ndërtesa e ura gjigante. Me  të njëjtin avion prapë po ngjiteshim drejt qiellit të pafund, rrokaqijet e qytetit në largësi holloheshin aq sa dukeshin si ushta ushtarësh të kohës së Skënderbeut. Pas 12 orë fluturimi, aeroplani u ul me qetësi në aeroportin e Bangkokut. Në ketë qendër të njohur kulturore, ekonomike e tregtare, në juglindje të Azisë, pritëm gati dy orë dhe pastaj vazhduam për në Cyrih.

Cyrih, 30 mars
Sot, herët në mëngjes, pas një udhëtimi 14 orë prej Bangkok-ut,  avioni ndali uturimën mbi pistën e betontë të Aerodromit në Cyrih, qytetin me mbi 50 muze, njëqind e sa  galeri arti,  teatro, salla baleti,  restorante, bare, banka e qendra tregtare të mëdha. Në këtë qytet të bukur, si punëtor sezonal, në vitin 1972, ka punuar edhe vëllai Abdyli. Këtu zë fill edhe interesimi i tij për kulturën dhe gjuhën gjermane. Që atëherë me parat e fituar kish kryer kurse të gjuhës gjermane. Në aeroport, në dalje,  te dera e avionit, na priti Etemi, kurse në holl për pritjen dhe përcjelljen e udhëtarëve na priste edhe Faketja, që ato ditë kish ardhë në Zvicër si mysafire. Me kombin Renault Spare të Etemit  për 25 minuta ishim në  Wasserwiesenstrasse 89. Rreth banesës lule e  pemë, që sa kishin filluar të bulëzojnë. Krejt afër banesës një  pemë, me gjasë pemë thane, me degë të holla, të larta gati  një bojë njeriu, ish rënduar nga lulet ngjyrë portokalli sa gjethet e vogla vezake të saja nuk vëreheshin fare. Gjithashtu drurët ndanë rrugëve, nëpër parqe kishin filluar të merrnin një  të  gjelbër të zbehtë me gjethet e para, kurse kodrave aty afër ende  zbardhëllonte bora. Ambient i mrekullueshëm. Brenda e jashtë banesës gjithçka m’u duk e gëzuar.
                                                                   Cyrih, prill 04



                                 Wintethur, prill 2004 /te Etemi/
Takimet me Faketen, Etemin, Celin, Tinën, Bekimin e Nagjijen, të cilët nuk e kisha parë me vite të tëra ishin me plot emocione.
Me të marrë vesh se gjendem në Winterthur, Sahiti erdhi prej Gjenevës poashtu edhe Shaip Zeka pasi permes telefonit mori adresen se ku nodhem erdhen me  djalin dhe   baben e tij haxhi Sylejmanin në Cyrih. Në një kafene për dy orë e sa se bashku u çmallëm, folëm, për të kaluarën dhe të tashmen. Takohem me Muhamerin, Fitimin, Ylberin, Ademin, Bashkimin. E thërras në telefon Burim Jakupin, dua ta ngushëlloj për vdekjen e mësuesit Ilaz. “Baci Sabit, më thotë Burimi, nesër unë vij të marrë me veturë”.  Te Burimi përkundër mërzisë....  u gëzova për rregullin, për sjelljet, mikpritjen e tij dhe të shoqes së tij.... mirëkuptimit të ndërsjellë mes bashkëshortëve dhe djalit të tyre si drita. Gjatë qëndrimit në qytetin muze të Winterthur-it vizitova Meritën dhe Vlorën në Cyrih sa ishte aty edhe Faketja e Celi.


10, prill
Më 10 prill 2004, herët në mëngjes, u nisëm me veturë për në Belgjikë. Kufirin Zvicër - Francë e kaluam në Bazel, qendër e njohur për industrinë e zhvilluar kimike e farmaceutike.  Pas udhëtimit të këndshëm nëpër Francë, shtetin e tretë për nga madhësia në Evropë, ndalemi në shtetin e urave të shumta, kështjellave  të lashta që nga shekulli XII., në Luksemburg. Rregulli në qytet, pastërtia, sjelljet e njerëzve me kulturë, arkitektura e vjetër e qytetit e ruajtur aq bukur, na mbajtën gjatë të mbërthyer. Të mahnitur me gjithë ato që pamë në shtetin  më të vogël (pas San Marinos) të Unionit Evropian, vazhdojmë rrugën drejt Brukselit, qytetit - kryeqytet me një histori 2000 vjeçare në zemër të Evropës, qytetin ku është selia e Unionit Evropian dhe e NATO-s. Nga selia e kësaj të fundit më 24 mars 1999 u dha urdhri për bombardimin e caqeve ushtarake e paraushtarake serbe.   Në  Rr: Ch.de Ninove – 1703 – Schepdal na pritën si është më së miri. Pasi pushuam e hëngrëm darkë, mbërrini Abdyli me Nadijen, Vlerën, Zgjimin e Lirikën prej Gjermanisë. Për ardhjen e Abdylit kishin qenë në dijeni  Nexhati  e Bukurija, por neve nuk na treguan për të na befasuar. Fëmijët: Luani, Zgjimi, Vlera... /unë ende po ju them fëmijë se ata ishin rritë/ u kënaqën... bashkë me ta edhe ne. Xhenetën po e shihja live  përherë të parë.


                                                      Grand place, Bruksel
Të nesërmen shkuam te Bahrija. Bahrija me Feimin, djalin Agonin, vajzat Nexhmijen, Linditën, Zamirën e Dafinën u gëzuan shumë kur na panë. Dalim në Heysel Park, një nga pikat më atraktive të Brukselit ku është monumenti madhështor “Atomium”, i ndërtuar në vitin 1958 dhe stadiumi i ekipit të njohur Anderlecht, ngjyrat e të cilit i ka mbrojt futbollisti shqiptar Besnik Hasi. Aty krejt afër është edhe lagja Laeken, ku është rezidenca mbretërore. Pasdreke e këndshme. Bëmë edhe fotografi...  
Në mbrëmje e morëm Bahrijen e Feimin dhe prapë kthehemi te Nexhati.



                                       Parku Atomium, prill 2004



                                             Blankenberge, prill’04

Belgjik, 12 prill
12 prill ’04 ndahemi: Etemi shkon në  Blankenberge qytetin tipik bregdetar,  kurse mua me Remzijen, Nexhati me veturë na çon  te Fahri Zymberi në Antwerpen, qytet i rëndësishëm në regjionin e Beneluksit. Me ne ishte edhe Abdyli me familje. Fahriut i shprehem ngushëllime për vdekjen e nënës. Abdyli po atë pasdreke nisët për Gjermani, kurse Nexhati me Luanin e Xhenetën kthehen në Bruksel. Te Fahriu qëndruam tri net. Sa ishim te Fahriu /14 prill/ vjen Nexhati me Bukurinë, na marrin me veturë dhe tërë pasdreken e kalojmë duke u shëtitur në qytetin e bukur të Antwerpen-it. Darkën e hëngrëm në një restorant italian në qendër te qytetit.
Ditën e katër me makinë të Nexhatit shkuam në Blankenberge në qytetin ku ishte Etemi. Në Blankenberge u mahnitem nga bukuritë e qytetit, brigjet e të cilit i spërkasnin pa ndërpre valët e  Oqeani Atlantik. Naxhija, Bekimi e Luani u kënaqën për një ore e sa në një park të fëmijëve buzë detit. Pasdreke kthehemi te Fahriu, përshëndetemi me Mimozën, Butrintin, Granitin, Minaveren... “Do të shihemi prapë në Kosovë”!- na tha Fahriu.
Në mbrëmje ishim te Bahrija. Deri pas mesnate u kënaqëm së rikujtuari ditët në Shkup e Kabash. Të nesërmen, herët në mëngjes, dolën për të na uruar rrugë të mbarë Feimi, Bahrija me krejt fëmijët. Duhet pranuar se gjatë ndarjes u mërzitëm. Deri në hyrje të autorrugës për Gjermani me veturën e vet na priu Nexhati.


                                     Antwerpen, prill 2004

Gjermani, 16 prill
Derisa po udhëtonim me shpejtësi mbi 135 km. në orë,  në mobil të Etemit marrim një mesazh urimi në gjuhën gjermane: “Jeni në territorin e Gjermanisë. Mirë se erdhët!” Në kufi as tela, as polic. I them Etemit, për të hy në Maqedoni nga Kosova udhëtarëve ju duhet të presin, të maltretohen, sidomos shqiptarët, me orë të tëra. Këtë e kam përjetuar sa herë e kam kaluar kufirin e përmendur edhe vetë. O Zot, pyeta, kur do të njerëzohen fqinjët tanë!?
Gjatë udhëtimit herë unë, herë Tina zgjatemi për të shikuar se me çfarë shpejtësie po e nget makinën Etemi. Nagjija e Bekimi kureshtar pyesnin dhe ka raste na zënë ngushtë sa nuk dimë t’u japim përgjigje. Kur mbaron me pyetje, Naxhija këndon, kurse Bekimi luan me “tetrit”.  Pasdreke jemi në Schweinfurt, qytet industrial me 50,000 banorë në Bavarin veriore. Në pritje kanë dalë Abdyli, Nadija, Vlera, Zgjimi e Lirika.
Gëzim i pa përshkruar... Edhe pse ishim të lodhur nga udhëtimi, pritja e ngrohët, e përzemërt në banesën dydhomëshe, që ndodhej në katin e dytë të ndërtesës na çlodhi si me magji. Dalim për të shëtitur, Lirika e Naxhija me biçikleta, unë, Etemi, Abdyli, Zgjimi e Bekimi ecim në këmbë. Lagjja e rregulluar, me shtigje, rrugë, fusha sportive... drurë, pemë që tanimë ishin  veshur me lule e gjelbërim, që nën miklimin e diellit të mbrëmjes, puhizës së prillit kundërmonin erë të këndshme. Një ketër murrashe me bishtin e madh e të bukur ngjitej e lëshohej vrullshëm prej dege në degë. Në Kosovë as në mal nuk i gjen ketrat.  Gjatë ditës dilnim në pikniqe brenda e jashtë qytetit. Në mbrëmje sa ktheheshim Vlera organizonte show me imitime, këngë e valle. Pas 3 ditëve Etemi me familje kthehet në Zvicër. Gjatë vikendeve kur luante Zgjimi shkonim për ta shikuar ndeshjen. Simpatizonim fortë, sidomos unë dhe Lirika, për Zgjimin dhe ekipin e tij. Ndërkohë vjen Jetoni me Zejnien, Teutën dhe Artin. Krijohet atmosferë alla kabashçe. Nadija e kishte paksa ma zor i duhej ta mbante punën dhe të përgatiste  dreka e darka...

                                          Würzburg, prill 2004

Komplet ashtu siç ishim, kabashçe, shkojmë në qytetin e Wilhelm Roentgen-it, zbulues i X rays /rrezeve rentgen/ në vitin 1895, në qytetin nyje prej ku tregtohen mallra të ndryshme brenda Gjermanisë dhe jashtë saj, në Würzburg. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në fortesën e qytetit, prej ku shihet qyteti si në shuplakë të dorës. Të mahnitur nga ato pamje të magjishme, brenda kalasë, arkitektura e qytetit, lumi që shkonte mes përmes  tij, plantacionet e pafundme me vreshta për prodhimin e venës, dyqanet për plotë me mallra, rrugët, trotuaret me njerëz të shumët dhe skajshmërisht të pastra, në pasdreken e vonshme të asaj dite, u kthyem në Schweinfurt.



                                             Schweinfurt, prill 2004

Garmish, 24 prill
Me Abdylin, Ramadanin /hoxhën/ shkuam në Garmish te Selmani. Në hyrje të banesës për të na uruar mirëseardhje kishin dal  baci Nezir dhe Selmani me të shoqen... Pritje e përzemërt.  Gjatë ndejës, drekës xha Nezirin e vërshojmë me pyetje: Abdyli, hoxha /Ramadan Drobeshi/ dhe unë. Kthjelltë, me mbamendje të shkëlqyeshme përgjigjet, nuk përton. Deri në detale na përshkruan ditët e  qëndresës në malet e Moravës së Epërme të viteve 1944-1945,  dhembjet për humbjen e më të dashurve, si: babën Hamdiun, vëllain Bajramin, kushërinjtë:  Hasanin /komandant i batalionit/, Rexhepin /zëvendëskomandant i batalionit/, bashkëluftëtarin Qamil Samakovën... gjatë luftës, jetën në emigracion, (Greqi, Maltë, Angli e Gjermani) mallin për Kosovën, shkuarjen në vendlindje pas 57 vjetëve... Një pjesë të bisedës e incizojmë me kamerë. 
Kur po bëheshim gati për t’u nisur. Ndërhyri xha Neziri: “Për darkë jeni te unë...  ja këtu afër jam me banesë...   shkojmë! ”- na urdhëroi dhe u nis i pari.
Te xha Neziri rreth tryezës përplot me pije, meze e ëmbëlsira... vazhdojmë bisedën deri natën vonë. U kthyem në Schwienfurt paksa të lodhur në orët e para të ditës, që po hynim.
PS: Me këtë rast e shkrova artikullin “Nezir Hamdi Kabashi- luftëtar i lirisë”. Artikulli u botua në revistën “Ura”, gusht 2004.

Schwienfurt – Winterthur, 2 maj
Shpejt kaluan ditët.. Ndarje... “Shihemi prapë në Kabash”, thotë e mërzitur Vlera. Me Abdylin për 5 orë mbërrimë në Winterthur.
Muhameri në telefon, propozon që të shkojmë në Cyrih, me një  kafene  për të dëgjuar muzikë shqipe. Nuk ia prishim Muhamerit. Shkojmë me Mercedes-Benzin e tij xixë: unë, Etemi e Abdyli. Kafeneja më përkujtoi  kafenetë e viteve ’70 - ’80 të shekullit të kaluar në Kosovë. Vetëm këngëtaret e kamerieret ishin të gjinisë femërore, kurse klientët meshkuj.
Kështu ishte edhe në klubet e shqiptarëve që i vizitova në Winterthur, bile do të thosha edhe me keq, njërën prej kameriereve e dëgjova tek fliste sllavisht.  Muzika dëgjohej që në hyrje. Brenda, prej buçimës së madhe të muzikës nuk mundeshim për t’i thënë as një fjalë njëri tjetrit. Këngëtarët më shumë çirreshin se këndonin. Tekstin e këngëve e gjymtonin duke përsëritë me dhjetëra herë emrin e porositësit të këngës. Rrugës për në Winterthur flisnim me zë të lartë. Muzika na kishte shpartalluar veshët.

3, maj
Në mbrëmje na merr Ylberi me veturën e tij, sa çel e mbyll sytë, na çojë te dyqani i Zjah Haqif Etemit. Në dyqan erdhën shumë kabashë. Të gjithë i mblodhi Ylberi, siç thuhet, me një fishkëllim: Mefailin, Xhemilin me të vëllain, Ademin, Muhamerin, Fitimin, Norën, Njomëzën, Tringën, Pëllumbin, Zjahin me të vëllain...  Në kafenenë e një shqiptari nga Deçani, aty afër, ulemi dhe porosisim kush sipas dëshirës nga një pije. Krijohet një atmosferë e këndshme. Më informojnë se ne këtë qytet të zhvilluar industrial, ku bashkëjetojnë kultura e gjuhë të ndryshme dhe rajonin e Cyrihut, punojnë, janë të vendosur  shumë të rinj nga Kabashi: Muhameti, Bashkimi, Florimi, Bekimi, Burimi, Skënderi, djemtë e Myrtës, Fatosi...  Për darkë ishim mysafirë të Ylberit në një piceri italiane.

Shënim në parantezë
Sot, 20 qershor 2009 mora lajmin e hidhur se prapa shpine, në pritë, u vra Mefail Beqir Sallahu dhe sakaq m’u duk sikur e pashë Mefailin, si atëherë në  Winterthur (3 maj 2004), gazmor e krenar.


4, maj
Në orën 5 të mëngjesit jemi në aeroport. Ashtu siç ishim marr vesh aty na priti Ylberi. M’u duk se jam në Kosovë. Udhëtarët ishin shqiptarë, personeli për pritjen përcjelljen e udhëtarëve po ashtu shqiptar, informatat, lajmërimet i merrnim në gjuhën shqipe. Me Abdylin e Ylberin u përshëndetem në holl, kurse Etemi erdhi me ne deri te shkallët e aeroplanit. Në aeroplan plot udhëtarë. Zumë vend në rendin e dytë, ulëset 7 e 8 nga e majta. Sapo duhej të nisemi brenda në aeroplan u duk Presidenti i Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e vetë. Po kthehej nga SHBA në Kosovë. Pasagjerët kureshtarë çoheshin nga ulëset e tyre për ta parë presidentin Rugova. Shumica e shikonin me admirim.
        

                               Winterthur, maj 204                  

             




                                                                       
                                   Prishtinë, qershor ‘04


Aeroplani fluturonte me shpejtësi qiellit skajshmërisht të kthjellët, por mua më dukej sikur nuk po ecte fare. Pas dy orësh e sa në dritaret e aeroplanit u shfaq Prishtina. Gëzim i madh. Në aeroport na presin: Faketja, Rrezarta, Alma e Faruku. Rrugës për Prishtinë na befasojnë ndërtimet e shumta. Posa mbërrimë në banesë na thërrasin në  tel. nr. 03822XXX: Abdyli e Etemi nga Zvicra, Vullneti e Flutura nga Zelanda, Kushtrimi e Ibrahimi nga vendet e punës /Prishtinë/, Ferati... nga Kabashi, pyesin...  “Po,  ju them,  mirë erdha, në “Kodër të diellit” jam. Dielli i Kosovës, aroma e saj m’i hoqi dhembjet reumatike si me dorë.”


Kabash, 5 maj
Për ta vazhduar ditarin, provova... nuk shkonte,  fjalët më mungonin... Kisha për të thënë shumë, po nuk i thosha dot.


Kosovë, 4 maj – 21 shtator 2004
Në Kosovë, te familjarët, te shokët e punës, e shkollës... kudo që shkova më pritën me përzemërsi. U kënaqa e u çmalla me ta.
Rrugët, mirëmbajtja e tyre, furnizimi me ujë të pijshëm, mirësjelljet e dyqanxhive, e nëpunësve nëpër  zyre, mirëmbajtja e pastërtisë në qytete e fshatra, mirëmbajtja e varrezave… ruajtja e ambientit ishte paksa në rritje, por për menaxhimin, riciklimin e plehrave, mbeturinave urbane nuk dëgjova ndonjë nismë apo strategji që do ta zgjidhte ketë problem shumë, shumë të madh për Kosovën. Brenda një kohe të shkurtër ishin ndërtuar, hapur objekte të reja sociale-argëtuese, ndërmjet të cilave edhe qendra tregtare, të cilat për nga luksi dhe shumëllojshmëria e produkteve, nuk kanë asgjë më pak se qendrat analoge kudo në Evropë. Po ashtu edhe në çmime. Urova që ndërtimet, mirëmbajtjet të mos marrin fund kurrë. Rrugët, sheshet, restorantet, birraritë,  ëmbëltoret deng me djem e vajza me sjellje të kulturuar, mirëpritës, të lirë dhe me asgjë më pak se të rinjtë e  shteteve tjera të Evropës. Vërtet bukur. Bukur! Por, përbrenda edhe djemtë edhe vajzat kishin shumë halle.
Dyqanet të hapura deri në orët e vona të natës, të improvizuara edhe nëpër trotuare, me mallra kontrabandë made in China, Turkish... fruta tropikal, zarzavate, cigare, bizhuteri, kaseta, veshmbathje... Rrugët e pakta për ta përballuar gjithë atë qarkullim të automjeteve. Makina me një ngjeshje të tmerrshme të parkuara trotuareve, të cilat u nxjerrin shumë telashe këmbësorëve, duke i detyruar të dalin në rrugë. Mediet  e shkruara nuk ishin në nivel të detyrës për ta plasuar në botë të drejtën e natyrshme tonën për qenë të lirë. I kontrollonin partitë politike, grupet e interesit, individ të pasur dhe ata që po duan me zor ta bëjnë Kosovën shumetnike. Në programet e medieve vizuale në gjuhën shqipe dominonin serialet e prodhimit amerikano-latin, pa asnjë vlerë as artistike, as morale.  Shkollat dhe shëndetësia, shtylla këto të rëndësishme të shoqërisë ende lënë shumë për të dëshiruar. Gjuha kish evoluar për keq.
Nuk flitej më për politikë si dikur, njerëzit sikur ishin lodhur prej saj. Nuk dëgjova as edhe një fjalë a mendim pozitiv për të ardhmen gjatë ndejave me njerëz moshash të ndryshme, por veç ankesa. Shkalla e mos durimit mes partive sikur kish rënë një grimë. Kjo vërehej te anëtarësia në bazë, kurse ata lartë ende me inate të vjetra, ende  ishin peng te konflikteve të brendshme ende me akuza e kundër akuza të ulëta, ende me ndërkëmbëza e shtyrje me bërryla duke penguar njëri tjetrin sa më shumë që të jetë e mundur. Nëpunësit e veshur me pushtet fajet, gabimet i gjenin te të tjerët e sidomos te krahu tjetër politik.  
Format e  shoqërisë klasike kishin ikur përgjithmonë. Entuziazmi i dikurshëm mes shokëve, bile edhe mes vëllezërve kish rënë, meqë njerëzit nuk ishin me vepra në nivel të fjalëve... dukeshin të lodhur, të stresuar, të pamotivuar dhe  më shumë ishin të preokupuar se si t’ia sigurojnë djalit, vajzës.... një vend pune, një vizë... si t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat amerikane..  si të pasurohen pa punuar... si t’ia hedhin tjetrit... si të uzurpojnë ... Shumë elemente fisnike dhe pozitive të traditës sonë ishin avulluar, zëvendësuar me elemente të huazuara... mburrjet në të thatë, idiotësia për të fituar pa u lodhur kishin marrë rrugë. “Këtu nuk u met kujt me i besue, krejt ankohen, krejt rrahin gjoks se kanë luftue për Kosovën, krejt punojnë n’krye n’veti, krjet duen me dal jashtë, krejt janë të ditun, krejt merren me politikë ...  Ne jashtë mërzitemi për Kosovën, këtyne u ka ardh Kosova te hunda. Jemi popull i pa bam rahat dhe, pikë.” – më tha, një gasterbajter paksa me nervozë, në kafenenë “Lindi” në Viti.
“Hëm, ndërhyra për ta qetësuar bashkëfolësin nervoz, pas gjithë atyre plagëve, traumave e tmerri, Kosova nuk mund ta marrë vetën shpejt. Të mirat vijnë ngadalë dhe, duhesh ta kesh parasysh se vonesat ne shqiptarët i kemi në gjene! ”


19, shtator
Sot në shtypshkronjën “Shkrola” i mora  tridhjetë ekzemplarët e para të librit “Ankthi i Pranverës ‘99”. Sa ishin shtypur, ende të nxehta.  Dalja e librit më  liroi nga ngarkesa që më kish mbajtur mbërthyer gjatë gjithë qëndrimit tim në Kosovë.  Po kush e kish mendjen tani në Kosovë te librat!?







                                                Në Gërmi,  qershor ‘04
Prishtinë, 21 shtator
Të njëjtit, që na kishin prit në aeroportin e Prishtinës, me 4 maj 2004; Faketja, Rrezarta, Alma e Faruku, me 21 shtator 2004, në orën 5. 00 të mëngjesit, dolën prapë në aeroportin e kryeqytetit për të na uruar rrugë të mbarë, kësaj here plus dy më shumë; Albulena dhe Eni i vogël.


Cyrih, 22 shtator
Në aeroportin e Cyrihut, Etemi, që na kish prit, përcjell, prapë prit, na përcolli deri te dera e aeroplanit. Me Etemin ishin Nexhati, Bekimi e Nagjija.

Aucklandë, 24 shtator 2004
Sa isha në Kosovë /20 – 25 maj/, u hap panairi i librit shqip në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Isha dhe  bleva  libra  për fëmijë të moshës parashkollore. Ua solla fëmijëve shqiptarë këtu ne Zelandë të Re. Fëmijët gëzohen. Të rriturit këtu kanë marr mbas fitimit, veturave luksoze, s’kanë kohë për libra,  gjuhën shqipe, Kosovën...

Sabit Abdyli
Auckalnd, fund shtatori 2004