Monday 30 June 2014

Nënë Lumja (proze)



“Më dhemb e ther trupi gjithkah. Do të prishet moti!  Ngutu bijë e nanës, se mos po vonohemi...”  –  i tha së mbesës Nënë Lumja, duke ia shpushpurish balluket e ballit, para se të niseshin për në shkollë. Nënëmadhja me të mbesën sa dolën në rrugë, takuan  një plakushë me një qenush për dore të veshur me copë stofi  ngjyrë portokalli dhe kordele  të lidhur në qafë, kurse pak përtej me vrap po vinin dy femra goxha në moshë të mbytura në djersë.  Grat, kur u afruan, hapën buzët sikur po buzëqeshnin dhe vazhduan vrapin me të nijetin ritëm. “Nënoke, gjithë gjallëri i cicëroi nënë Lumes, e mbesa - kjo zonjë llafos me qenushin e saj, si me njerëz. Vetë e kam dëgjuar. Veç me qenushin jeton“. Po bijë e nanës, qenushi i kësaj plakushe e banë jetën e plakushës, plakusha të qenushit. I japin e i marrin njani tjetrit. Që të dytë kanë heq dorë nga raca e vet, ndërsa grat, që po vrapojnë, duen të hollohen. Vetëm këtë hall kanë!” Iu përgjigj së mbesës, Nënë Lumja, duke fshehur shqetësimin e saj që,  prapë gjatë natës, gjumin nuk e kish bë të rehatshëm, prapë iu kishin shfaqur ëndrra të çuditshme, herë-herë të llahtarshme dhe, si gjithmonë, me përmbajtje të çoroditura: Pështjellim, njerëz të shfytyruar, që i nxjerrnin sytë njëri tjetrit... “O Zot, hajër ishalla!” –  ish lut Nëna. Zgjohet e trembur nga ëndrrat dhe më nuk kish shti gjumë në sy, kish numëruar ditët, kush e di sa herë, kur ka për t’u kthyer në Kosovë. Kish menduar gjatë se mos, o Zot, Dreni po mbetet veç me një fëmijë,  po i hyn në gjak paraja, po e harron vetën, të vetët, po i përshtatet jetës së këtij rrethi dhe do të mbetet në ketë vend të huaj, midis këtyre njerëzve akull të ftohtë. Mandej, mendja i kishte shkuar te djemtë e vajzat e djalit tjetër në Kosovë. Kish bë hop  për të dalë në sallon, ta ndez cigaren,  por nga droja se po ua  prishte gjumin djalit e nuses, kish heq dorë. Kish ndjer dhembje në shpirt për ta, që me dritën e parë të mëngjesit  niseshin për në punë dhe ktheheshin në shtëpi vonë në darkë. Pastaj para syve të hapur na, iu kishin shfaqur: demonstratat e vitit 1981, thirrjet e demonstrueseve, pankartat, ndërhyrjet e policisë.  Arrestimi i Drenit në orët e para të mëngjesit...  Shkuarjet në burgun e  Nishit në vizitë djalit. Dalja e tij nga burgu pas 5 vjetëve. Bllaca e vitit 1999. Dreni, ushtar i lirisë në malet e Koshares. Dhe vendosja e Drenit në ketë qytezë dreqi me shkëlqim të rremë. Në mëngjes, Dreni e kish vërejt pagjumësinë,  mërzinë  e nënës...  Me dhembje e kish shikuar gjatë. Iu kujtua kur ajo ishte e fortë, plot gjallëri e jetë, kur nuk dorëzohej, bile edhe atëherë kur aksidentalisht vdiq babai, ajo nuk u dha, nuk u ligështua, i rriti, shkolloi me shumë sakrifica, saqë nuk i mbeste as një sekondë kohë të merrej me vetveten. “Nanë, i tha, derisa po nisej me të shoqen në punë, po mërzitesh... në shtëpinë tande je, çlirohu, çka nuk po bahesh rahat, shyqyr zotit tanat t’mirat i kemi!” “Jo, jo, mirë jam, u kënaqa me juve. Mos u ban merak, se kështu unë jam e marume, nuk mundem me prit dritën e sabahit në shtrat”. – i kish thënë, Drinit.
Majtas e djathtas drunj, në mes rruga, me trotuare të gjera e të pastra, rreth e rrotull shtëpi të bukura e të heshtura, mbi çatitë e të cilave re me forma të çuditshme përdridheshin drejt qiellit që po mrrolej. Te dyert e shkollës,  e dorëzoi të mbesën. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo brenda mureve të oborrit e përshëndeti me dorë. Përshëndetja e saj e mrekulloi, ia gufoi zemrën. O Zot, u lut, rrite!
U kthye trotuarit të gjerë pa njerëz, duke  menduar sesi ka për ta plakur ditën fill kalli vetëm,  pa pasur me kënd me çel gojën.

Në pasqyrë, përball derës, brenda korridorit të shtëpisë, shikoj flokët që ia kishte  spërkatur  aq shumë bryma e bardhë,  faqet, që  po i humbnin pak nga pak. Ndezi televizorin sa për ta thyer qetësinë. Jashtë, një shi i prajshëm e i ngrohtë nisi të bie. Rregulloi  me kujdes divanin, ndenjëset në sallon, sistemoi lodrat e së mbesës në dhomën e saj dhe e çliruar paksa nga dhembjet reumatike, u ul pranë dritares dhe, derisa po shikonte përtej xhamave të mjergulluar, një dremitje e ëmbël e çoi në Kosovë, e çoi te qershia në oborr,  te aroma dehëse e luleve të egra ndanë ograjës, mbi të cilat një flutur e bardhë si tamli fluturoi.

Sabit Abdyli

  Kanë thënë për tregimin:

Antonina Kodheli:  PROFESOR, PRAPE BALLE PER BALLE TE DY. MEGJITHESE KEMI TE NJEJTEN MOSHE UNE JAM NXENESJA JOTE.MESOJ NGA TY CDO DITE.DI TE RESPEKTOJ. POR TY MEGJITHESE NUK TE NJOH DO TE TE FLAS SI SHOK,SI MIK,SI PROFESOR.ME LE ME GOJE HAPUR.PER MUA E KE SHKRUAR? PO E KAM JETUAR PROFESOR.TAMAM SI NE SHKRIMIN TEND. E KAM JETUAR ME GJYSHEN TIME TE MIRE. SA ME MUNGONIN KETO CASTE.PROFESOR,ME KTHEVE NJE GJYSEM SHEKULLI PRAPA. TE FLM QE DHE MUNDESINE TE BEHEM FEMIJE NE KETE MOSHE PROFESORI YNE I MIRE.KJO DO TE THOTE TE JESH SHKRIMTAR I AFIRMUAR.TE SHKRUASH DHE SHKRIMI TE JETE I KUPTUESHEM NGA TE GJITHA MOSHAT. SA ME KENAQE O MIK I RRALLE. PO CFARE KA KJO PENA JOTE O PROFESOR QE NA TERHEQ KA SHUME? SA I BUKUR KY SHKRIM. PROFESOR TE FLM PER GJITHCKA NA KE DHURUAR. ZOTI TE DHENTE SHENDET DHE QETESI. TU RRITTE NDERI O MIKU YNE I MIRE!.

Evah Haliti El: Vehen perballe dy botera te kunderta ,gjyshja me vajzen dhe plaka me qenin.Jetojne ne te njejten kohe,ne te njejtin vend, por me "misione e interesa"te kunderta.Derisa, gjyshja ben jeten e gjyshes,me plote shqetesime per femijet,per familjen e ndare(ca ne atdhe e ca ne mergim) dhe te ardhmen e tyre,tjetra, plakushja kujdeset per qenin, me shume se per veten("kan nderruar rolet-jeten").Derisa djali e nusja shkojne ne pune qe me nate,rruges enden do krijesa te botes se "modernizueme"qe per qellim kane vec hollimin e vet(largimin e teprise se mishrave...)Qellimi i gjyshes shprehet aq natyrshem dhe prioritar permes lutjes qe i drejtohet te plotefuqishmit per mbesen "oh zot rrite". 

Miradie Zymberi-Avdullahi: Jeni mjeshter i madh i tregimeve te ketij zhanri i nderuar mik! Ju uroj qe te keni gjithehere keto frymezime per te sjellur gjithehere tregime dhe storie te tilla si freski para lexuesve! Suksese i nderuar!

Besim M. Zymberi: Nje shperfaqje, letrarisht e arrire dhe emocionalisht shume e ndjeshme, e nje fitoreje me plot dhimbje e dhembje...Nga endrra-ne enderr...Apo, nje tronditje nga tjetersimi-shperfytyrimi identitar si kanosje, por me nje rikthim te endrres, e cila vecse eshte prekur... Tregim i bukur!

Miki Tahiri: Profesor i nderuar edhe nje tregim i Juaji prekes, nje sfide e rende ku Nena shqiptare si gjithnje fale forces dhe krenarise shpirterore, mbijeton/i cdo kohe te pakohe.... eshte e pamundur njeriu ta lexoje kete shkrim vetem nje here...shume te fala e falenderime qe na sjellni gjithnje freski kudo qe ndodhemi neper bote...me respekt te vecant....

Alketa Qejvani: Prekese! Nenat, keto heroinat e heshtura qe shpirti u coptohet e nuk e japin veten.  Shume e bukur, Profesor. Me lot ne sy lexohet. 

Tuesday 24 June 2014

QIELLIT TË SAJ (Nga libri me poezi “Kaq mall”)  


QIELLIT TË SAJ
Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish.
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë,
për plis e për fis.
Bubullimë në damarë dimrash
dhe njerëzish që lëpihen.
Lajmëtar ogurbardhë.
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.
                   Auckland, 18 Shtator 2013

PRISHTINA '81
Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje  korzosë së  ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy...
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji
                          Auckland, mars 2011

FLAMURI
U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.
               Auckland, 2010

NËNTORI I TRETË
Mjegullnajë e stepave të ngrira
dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot,
Na ruaj nga moti keq,
nga hijet e zeza,
mjegullnaja e ligë!
Auckland, 2007

EJA
Eja pranverë,
eja!
Shtruar ta kem
udhën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
Auckland, 2007

RREZON SHTET KOSOVA
Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon

Jehonë e valës detit
Oshtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
                                       
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth  Kosovë!

Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!

Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
                                       
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova  ime e bardhë !
                               
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
             Auckland, shkurt  2008

LUTJE E KOHËS
Nga pushtetarë mujsharë injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv e radikalë
runa  Zot!
Auckland, gusht, 2012

NJË HERË PËRKULET BURRI
Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi ...
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12

KOSOVË
Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr...
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën...
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit...
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
 Auckland, 2006
                                                                                                        Ka (në) thënë:
Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore.
Antonina Kodheli, 31 tetor 2013



E NATYRSHMJA NË ARTISTIKEN


Abdyl Abdyli, një piktor në unikalitetin e vet, emër që nderon të tashmen ashtu si të kaluarën, i lidhur ngushtë me rrënjët e veta, paçka i veshur me rrobën e modernitetit evropian! Veprimtaria artistike e tij është një gërshetim-mishërim i këndshëm i elementeve të reales me abstrakten. Tek ngjyrat bie në sy një dominim i të kuqes me të gjelbrën, e kaltra e mbylltë dhe një si vijë ndarëse sa dhe bashkuese e zeza. Figuracioni dhe portreti, një larushi pamjesh dhe karakteresh, qasje interesante në vetë perceptimin e objektit-subjektit. Dominon sidomos epika dhe lidhjet me rrënjët, kjo në një kombinim të bukur duke ia shtuar shpirtin modern. Pikërisht këtu vërehet ndikimi i shkollës së artistëve me nam që nga Pikaso e tëhu. Turmat dhe komunitetet njerëzore zënë vend real në kompozicionin artistik. Bota artistike është botë e njëmijenjë ndodhive, fytyrave, karaktereve. Interesantja e kulmimit, i nxjerrë personazhet të zhveshura nga rroba e përditshmërisë, një nudizëm karakteristik i abstrakt(lu)izmit. Te vizatimi i portretit kemi një kthim kah realizmi me përshkrim tiparesh dhe hollësish përmes lakimit të ndjeshëm të lapsit-brushë! Pikturat e tij janë shumë komunikuese në gjithë atë vorbull kërkimi, shprehin një shpirtërizim jete në kombinim ngjyrë-dritë-hije-pozicionim! Piktura e Abdylit ta pushton shpirtin, nuk ke si të mos e duash dhe të komunikosh me te, të bën për vete sapo të hysh në brendinë e saj. Piktorët janë poetë të dyfishtë dhe unikal, ata shkruajnë me brushë vargun në heshtje dhe pa shkronja në mënyrën më të bukur të mundshme!
Mentor Thaqi









Abdyl Abdyli ne atelie
Portret i babes 
Vizatimet e Abdylit me bukuritë e tyre, harmonin e ngjyrave, gjallërinë e lëvizjeve dhe përmbajtjen frymëzuese të bëjnë për veti. Nga brendia e vizatimeve, e figurave, portreteve dhe peizazheve rrezaton shpirti i shqetësuar dhe karakteri herë-herë i rrëmbyer i piktorit. Punimet e tij kanë frymë impresioniste. 
.


Njerëzit me maska ndërrojnë identitetet si të tjerët këmishët për të kaluar kohen në vendin e huaj: ëndërrojnë jetë më të bukur, më të mirë, janë veshur me ngjyra ma të bukura dhe bë gati për në vendlindje. (Vlerë Abdyli)





Abdyl R. Abdyli u lind në Kosovë. Studioi së pari në Akademinë e artit  figurativ në Shkup, pastaj  vazhdoi studimet në Akademinë e arteve të bukura në Prishtinë, diplomoi në klasën e Prof. Akdemik  Muslim Mulliqit, tash jeton në Gjermani.

Monday 23 June 2014

Nga libri ditar “Ankthi i Pranverës ‘99”, Prishtinë, 2004, S. Abdyli - Fshati Smirë


Më 5 prill, rreth orës 9.00, me forca të mëdha ushtarake e paraushtarake u sulmua fshati Smirë. Që në orët e para të mëngjesit  fshati ishte rrethuar  nga makineria e rëndë luftarake serbe. Fshati ishte stërngarkuar edhe me popullsi të fshatrave tjera.  Sipas skenarit, tani më të njohur serbë, u bë granatimi  i fshatit. Njësitë speciale serbe  pastaj u futën në fshat,  duke shti me armë të rënda zjarri për të krijuar panik te popullsia. Popullsia e fshatit, e frikësuar nga banditët e maskuar, të armatosur edhe me armë të ftohta, sëpata e thika (shumica prej tyre ishin  serbë lokalë), morën  arratinë. Në dalje të fshatit, në anën jugore, forca tjera ushtarake serbe u dalin të përndjekurve në pritë. Popullsia civile, tani më ishte në mes tytave të ushtarakëve (nga ana jugore)  dhe thikave të paramilitarëve serbë (nga ana veriore). U krijua një tollovi e paparë. Nga të gjitha anët dëgjoheshin krisma automatikësh. Pati tentime për rezistencë, por një gjë e tillë në rrethanat e krijuara, nuk ishte e mundur. Serbët e shfrytëzuan braktisjen e shtëpive dhe në mënyrë të rrufeshme hynë në to, plaçkitën gjitha çka me vlerë. Të njëjtën ditë, popullsinë e zhvendosur e kthejnë me dhunë në fshat. Gjatë ditës u vranë : Ylvi Kemajl Demiri 25 vjeç, Mirali Ymri Sejdiu 26 vjeç, Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç dhe Skënder Saqip Salihu, kurse Ramadan Kadri Berati 40 vjeç u rrah  për vdekje nga paramilitarët, me 15 prill kur u zhvendosën smirasit për herë të dytë. Edhe me datën 15 prill, por edhe më parë në radhët e forcave serbe smirasit kanë njohur serbët lokalë (fqinjët e tyre): Zhivko Jokiqin (nga Goshica), Nenadin (polic nga Kllokoti), Bozhidar Stojanoviq (nga Vitia), Predrag Vukashinoviq (nga Kabashi),  Agim Ajet (romë-cigan nga Vitia) etj.  Zylfi Sadri Agushi,  është vrarë më 12 prill. Kufoma e tij është gjetur pas një viti, 2 kilometra larg Kabashit Smirasit, përkundër dhunës së ushtruar dhe stacionimit të ushtrisë në fshat, pjesa më e madhe e tyre, qëndruan në shtëpitë e tyre. Ushtria serbe u soll brutalisht me ta. Forcat serbe hynin nëpër shtëpia dhe i maltretonin, me një sadizëm të paparë, duke ju hedhur edhe ujë të valë grave dhe fëmijëve. Për plaçkitje, të mos flasim.. Pas nënshkrimit  të kapitullimit (9 qershor ’99) serbët, duke u tërhequr nga fshati, keqtrajtuan, rrahën, demoluan, plaçkitën, shtinë me armë  duke shpreh mllefin edhe për një luftë të humbur. Smirasit dolën nga lufta  me gjashtë bashkëvendës të vrarë, me shumë  të rrahur, dhe të dëmtuar materialisht me miliona DM.
PS..
*Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Nexhmedin  Etemi.

Aksioni në zyrën e Komandës partizane në Viti, dhjetor 1944

Hasan Kabashi 1901-1945


Jahi Selmani 1896-1968
Hasan Kabashi (1901-1945) me Jahi Selmanin (1896-1968) e kabashë të tjerë, në dhjetor të vitit 1944, zbret nga malet dhe natën për dritë të hënës hynë në Viti, i afrohen ndërtesës ku ishte selia e Komandës, e çarmatosin rojën, ngjitën shkallëve në katin e dytë,  me shqelma e hapin derën dhe me armët ngrehur futën rrufeshëm në zyrën e Komandës serbe.  Aksioni ishte menduar për t’i kërcënuar, paralajmëruar çetniko-prtizanët të heqin dorë nga dhuna që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare. Ja si e përshkruan ngjarjen Jahi Selamni, pjesëmarrës i aksionit: ”Kur hymë brenda, komandanti partizan dhe bashkëpunëtorët e tij, të zanun në befasi, vikaten (bërtitën): “Lele majko! (Kuku nanë...)! I çuen duert nalt dhe i ranë te kamt Hasanit: “Aman Hasan aga, në dorën tande e të Zotit!” – “Nalni kukamat! –  u vikati Hasani - Nuk kam ardh me ju vra, po kam ardh me ju thanë: Boll keni  vra shqiptarë,  prej sodit, po bani vaki me vra veç nji shqiptar, kemi me ju kall me krejt çka kini”.  “Po të betohem Hasan aga, në kryq e fëmijë, në krejt çka kam se, nuk ka me pas ma vrasje, krejt kemi me kanë të barabartë, si shqiptari, si serbi.”- foli komandanti serb tue u dridh prej tutës. Hasani nuk e zgjati muhabetin ma shumë. Në dalje, poshtë shkallëve, e zgidhëm (liruam) rojën serbe dhe u kthyem në pozicionet tona në mal”. (Marrë nga libri “Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi”)

Sunday 22 June 2014

Less

In that late afternoon Dan left with a bag in his hands to look for his friend. He had one thousand thoughts in his head. “Less has survived the war. Less is alive. Is it possible that he has forgotten me? What if…!” Dan walked through the village, with an unusual pace, not noticing the burned down and ruined houses, nor the walls with their threatening graffiti in the Cyrillic alphabet, nor the noise of the children who had just returned to what was their home after three month in the war camps.
By the stream on the other side of the village graveyard he stopped. On the far bank there was a red tape that waved in the wind. They had told him this was where they had seen Less.
There he was, on the other side of the stream. He was coming shyly toward Dan. “There he is!” shouted Dan, excitement in his voice, and he opened the bag to take out the food. Emotionally Dan walked toward his tape. As Dan got closer to him Less stopped only ten or twenty yards away, behind the red tape. As Dan got closer to him Less moved further back as if he were telling him, ”No. I do not know you. I have started a new life. I find it better among the beasts. I do not want any more of torture. I do not tree, and shot five times … Only one bullet hit me, here in my leg, here … see, my left leg. And they killed Sam’s Jackie in front of her door. We have done nothing. And never ever again will I trust men.”
The master leaned on a tree and felt the could sweat rolling down his forehead, striving to think of a way to get his Less back. He stood up slowly, made another step towards Less, looking at him very carefully, but he realized that the good animal was not going to obey. He continued to walk toward Less with care, but Less bared his teeth, leapt up and ran towards the minefield, barking in fury, ”No!” Dan called when he heard the explosion … “he killed himself, they killed him, I killed him!”
Looking at the torn and bloody body of his friend he thought he saw the men in uniform telling him cynically, “We kill even when we are not there!”
Sabit Abdyli
LESI
Në orët e vona të asaj mbas dreke Deni u nis me një trastë në dorë për ta gjetur mikun e tij. Në kokë i silleshin një mijë mendime: “Lesi e ka mbijetuar luftën. Lesi është gjallë.
Është e mundur të më ketë harruar? “Po sikur…!” Deni me një ecje të pazakontë kaloi përmes katundit duke mos i vërejt shtëpitë e djegura e të demoluara, muret e shkruara me grafitë banale me alfabet cirilik, as zhurmën e fëmijëve të kthyer  në shtëpitë gërmadha prej kampeve pas tre muajve. Te përroska, aty përtej varrezave të katundit, u ndal. Hapi sytë dhe vërejti përtej rrugës një shirit të kuq, që vazhdimisht e luhate era. Këtu duhej të ishte vendi ku e kanë parë Lesin. Në bregun pak përmbi përroskë dalloi Lesin që po vinte lingthi drejt tij: Ja ku është, thirri, i entuziazmuar, e hapi trastën me bukë  dhe po bëhej gati ta priste. Ashtu i shqetësuar u nis edhe Deni drejt mikut të tij. Lesi iu shmang zonës së shënuar me shirit të kuq dhe në largësi 10-12 hapash u ndal para të zotit, por për sa hapa i afrohej Deni, për aq hapa largohej Lesi dhe dukej sikur i thoshte: Jo, ty s’të njoh. Kam rifilluar një jetë të re. Në mesin e egërsirave e kam më mire. Nuk dua më t’i nënshtrohem atyre torturave, goditjeve. Njerëz me uniforma në oborrin e shtëpisë, aty te arra e madhe, shtinë me armë zjarri pesë here, vetëm një plumb më qëlloi, këtu, ja shihe në kofshën e majtë, kurse Xhekin e Semit e vranë mu te dera e oborrit. Nuk kishim asnjë faj. Dhe kurrë më, kurrë, nuk u besoj njerëzve.
I zoti iu mbështet një peme, dhe ndjeu se po djersinte trupit e fytyrës, duke u rrekur të gjente mënyra për ta rikthyer Lesin në shtëpi. U ngrit ngadalë, bëri një hap drejt Lesit, i hodhi një vështrim hetues, por vërejti se kafsha e mirë nuk do të bindet. Vazhdoi ecjen e kujdesshme, por Lesi  skërmiti dhëmbët, u ngrit me rrëmbim, dhe mori vrapin drejt zonës së minuar duke leh si i tërbuar. Ah, thirri i zoti, kur dëgjoi plasjen e minës, u vetëvra, e vrava, e vranë….
Duke shikuar trupin e coptuar e të gjakosur të Lesit, iu bë sikur po i shihte ata me uniforma, duke thënë me cinizëm: “Edhe kur nuk jemi aty vrasim”.
Sabit Abdyli

Nga libri ditar “Ankthi i Pranverës ‘99”, Prishtinë, 2004, Sabit Abdyli - Fshati Lubishtë



Me datën 5 prill, rreth orës 13.00, të mesditës, mbi 400 paramilitarë e ushtarakë serbë, të verbuar nga urrejtja,  ndërmorën  një aksion ndëshkues kundër fshatit Lugishtë (ish Lubishtë). Sulmi ishte i përgatitur paraprakisht deri në detaje. Po atë ditë, u sulmua edhe fshati  Smirë. Së pari u granatua prej së largu, fshati. U godit shtëpia e Fetah  Etemit. Forcat serbe që më parë ishin stacionuar  rreth fshatit, u futën me tanksa dhe pas tyre këmbësoria, duke goditur me  armë zjarri për vdekje shumë civilë. Në këtë ekspeditë  të egër  morën pjesë edhe serbët lokalë. Banorët okularë (dëshmitarët), panë këta persona: Zoran Angjellkoviq me profesion veterinar, nga  Gushica (Gashaj), Dragan  Nikoliq, dentist, nga  Gërnqari, Zhika (polic) nga Binça, Bora (polic i pensionuar) nga Vitia, Zvonko (polic) nga Mogilla, Nenad (polic) nga Gërnqari. Popullsia e paarmatosur, me forcë zhvendoset nga fshati, duke lënët ë gjitha. Me plaçka të pakta, që arritën t’i marrin nisën  drejt malit të afërt, për ta kaluar kufirin për në Maqedoni. Sadistët serbë i nxorën nga shtëpia  Muhamet Brahim Muharremin 32 vjeç, Xhavit Zenë Ademin 19 vjeç dhe Mustafë Beqir Shemën 33 vjeç. Në orën 13.30 minuta, i pushkatojnë te xhamia e fshatit. Ramadan Hajdarin 70 vjeç dhe Ahmet Jahi  Ramën 20 vjeç i  kidnapojnë diku afër kufirit me Maqedoninë, dhe i ekzekutojnë. Trupat pa jetë të të vrarëve  u gjetën pas përfundimit të luftës, në një varrezë masive në Ferizaj. Beqir Ahmet Nura 80 vjeç paramilitarët serbë e dogjën brenda në shtëpi. I ndjeri ishte i sëmurë, thjeshtë  palëvizshëm. Hajriz Brahim Brahimi (mentalisht i sëmurë), u masakrua afër kufirit me Maqedoninë më 16 prill. Në fshat u dogjën 28 shtëpi, të tjerat, u plaçkitën dhe u demoluan. Lubishta (Lugishta)  në këtë luftë pati 9 banorë të vrarë, duke llogaritur  ushtarin Sali Halim Zenunin i rënë dëshmor në malet e Pashtrikut, si dhe  Kemajl Hamdi Azizin i vrarë në Vërban (Urban).
PS:
Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Metush  Metushi.

Friday 20 June 2014

Marr nga libri “Ankthi i Pranveres ‘99”, Prishtinë, 2004, Sabit Abdyli-Fshati Skifteraj


DËSHMI TJERA
Sabit Abdyli 

Më 14  prill, (e mërkurë) paralajmërohet fshati në orën 18.00 nga një oficer serb se njerëzit duhet të largohen, pra të shpërngulen deri në orën 21.00 në drejtim të Shqipërisë (Kukës). Oficeri ishte i shoqëruar prej një ushtari, me një veturë të tipit Golf, me  targa UR. 422-57. Fshatarët e korruptojnë oficerin, kështu që e shtyjnë afatin e ultimatumit për një ditë. Më 15 prill, fshatin e sulmojnë shumë forcat serbe diku rreth orës 15:30 minuta, mbas dite.  Në krye të këtyre forcave ishin paramilitarët serbë: Truba nga Kllokoti, Sreçko me nofkën Duligjija, nga Zhegra, Gana nga Tërpeza etj. Fshati, ishte i ngarkuar me banorë të katundeve tjera , si: Mogillë, Budrikë, Kabash, Radivojc (Lakërishtë) etj.). Sulmet i nisën  me granatime prej së largu, por pastaj me tanke u futën brenda, në fshat. Rafalët e automatikëve, të shoqëruara nga krismat e mortajave dhe armëve tjera të rënda, nuk pushuan dy orë me radhë. Fshati u zhvendos, i tëri. Popullsia e paarmatosur,  kush në këmbë e kush me vetura e traktorë, nën breshërinë e plumbave nisën drejt malit, në drejtim të Stubllavaqës, Selishtës, Godenit. Në këtë sulm u vranë 4 veta, 14 u plagosën  me armë zjarri, kurse dy të tjerë u rrahën pamëshirshëm. Fshatarët, të vrarët dhe të plagosurit i morën me vete. Të vrarët i varrosin te vendi i quajtur “Te therralit”, kurse të plagosurit u ndihmuan në përballimin e plagëve. Gjatë qëndrimit në mal marrin lajmin e hidhur edhe për dy bashkëvendës të masakruar e pastaj të djegur, në odën e Danush Sadikut. Të shpërngulurit u përballën me shumë vështërsi gjatë “piknikut” të dhunshëm: nga moti i ftohtë me shi e borë, me mungesën e ushqimeve, sidomos kishin shumë telashe me fëmijët dhe të plagosurit. Më 24 prill, të përndjekurit kthehen në shtëpitë e tyre, të djegura, të demoluara, të plaçkitura nga ushtarakët, paraushtarakët dhe civilët serbët të Kllokotit, Zhitisë (Grunorit), Binçës, Vërbovcit, Mugillës,Terpezëz, Pozharanit (Rrafshmirit), Vitisë etj. Me mund të madh arrijnë t’i përballojnë të gjitha mizoritë e luftës duke qëndruar në fshat gjatë gjithë kohës së bombardimeve. Skifteri (Gjylekari) i dha Kosovës  luftëtarin e devotshëm, dëshmorin: Januz  Qazim Zejnullahun, me profesion hoxhë, dhe i lindur më 12.5.1975.
Hoxh Januzi, më 6 maj 1999, në malet e Pashtrikut me  bombë në dorë, si një re stërmadhe ngarkuar me breshër, çau drejt istikameve të armikut. Ai, ishte futur brenda tyre me gjakftohtësi duke bërë copë e grimë: një, dy, tre... pesë... e më shumë çetnikë.  Januzi, fluturoi drejt qiellit. U shndërrua në yll...
Qemajl Murati,  profesor i gjuhës angleze, në Medresën e Prishtinës, e kujton Januzin  nxënës: “Kishte besim te unë. Në vitin l992, në korridor të Medresës, më ndali dhe krejt  hapur më tha: “Profesor, çka po pret Kosova…  po na vrasin, po na helmojnë… Duan të na zhdukin nga faqja e dheut.”  Në ketë luftë, edhe tre bashkëvendës të Mulla Januzit ia falën jetën Kosovës: Kenan Idriz Halimi (12.5.1978.) Bafti Nexhip Haxhiu  dhe Shabi Hajriz Shabiu. Dy të fundit ishin me vendbanim: Baftiu në Kabash, kurse Shabiu në Shkup.
Të vrarët: 1.Shahide Ramadani 59 vjece, 2.Shukrije Sadiku 9 vjece, 3.Malsore Sadiku 5 vjece, 4.Hatixhe Mustafa 58 vjece, (mysafire nga Budrika). 5.Selami Ismajli 23 vjec, (i masakruar pastaj i djegur) 6.Mehmet Ismajli, 19 vjec (i masakruar pastaj i djegur).
Të plagosur: 1. Faton Ramadani (5 v) 2.Ramize Ramadani (23 v.) 3.Ganimete Ramadani (21 v.) 4.Sanihaje Ramadani (30 v.) 5.Hetem Ademi (59 v.) Budrika, 6.Feriz Abazi (57 v.) nga Budrika 7.Hyri Sadiku (40 v.) nga Budrika  8.Makfire Hasani nga Selishta, 9.Mejreme Ademi (51 v.) nga Budrika dhe  10.Muhamet Ademi (33 v.) nga Mogilla.
Të plagosurit e tjerë: Rexhep Rexhepi, Xhevat Ismajli, Vezrije Hajdini, Memlidije Sadiku, Drenushe Sadiku, Musa Ismajli, Huma Ukshini,  Feriz Abazi, Hyri Sadiku,  Mejreme Ademi, Muhamet Ademi .
PS:
Shënimet për këta persona i kam siguruar nga ditari që e ka mbajtur gjatë luftës, ing. Kadri Ramadani.

Kurnaci


Pikturat: nga Abdyl Abdyli
“Lavdin e ka rritur e ëma me shumë mundime. Lavd, kurdoherë Lavd e ka thirrur e ëma, se ai Lavdërim e ka pasur emrin – i thoshte Ardi bashkudhëtarit të tij bullafiq, derisa pjesëmarrësit e funeralit kokulur tërhiqnin këmbët duke ecur mërzitshëm rrugës me gropa  pas arkivolit të Lavdërimit. Ne shokët e tij - vazhdoi ai, emrit ia shtuam edhe epitetin Kurnaci, se vërtet kurnac ishte. U shkollua...  arriti goxha shumë, bile do të thosha më shumë se të gjithë ne, shokët e tij.   Prejnjë dinari i bënte dy. Kishte zakon të fliste me përbuzje të thellë për njerëzit dhe për çdo gjë tjetër që nuk i pëlqente. Me inate i ngjante së ëmës: kokëshkëmb,  kurse  nga pamja babait: muskuloz, fytyrë buçkane, trup mesatar të ngjeshur e shikim të ftoftë. Në ndeja, në ambiente publike ishte i lezetshëm, me  humor e elegant, por vetëm atëherë kur nuk kish nevojë ta fuste dorën në xhep. Punonte shumë... Mbrëmjeve mbyllej dhe sapo sigurohej se nuk e shihte njeri, Llapushin, qenushin e tij besnik e nxirrte jashtë, duke e mashtruar me  një kore buke të mbetur në sepet të bukës dhe  lëshohej në dy gjunjë, me gojën vesh më vesh,  numëronte e rinumëronte kursimet. Si frikacak e tinëzar, kursimet i ndante  në disa vende: në bankë, brenda në shtëpi dhe jashtë saj. Kursimet  në bankë i përlau  “Jugokbanka”, ato brenda shtëpisë, të fshehura në një çorape të vjetër, pas një kohe ia gjejnë minjtë dhe çorapen bashkë me kursimet i  bluajnë, grimcojnë, i bartin, i fusin në vrimat e tyre, kurse një pjesë tjetër të bankënotave  të mbetura era i shpërndan gjithandej nëpër tavanin e shtëpisë prej ku sorrat i kanë bartur e kanë ndërtuar çerdhe me  to. Kam dëgjuar se ai buzaçi i mëhallës së Rrahishtave, duke krasitur plepat te mulliri i Nezës, në degët e tyre gjen bankënota të padëmtuara dhe  me ato ka bërë qejf  tërë asaj vere në Durrës, Sarandë e Vlorë. Ato jashtë shtëpisë i kishte futur tre tehe lopate llagëmi në tokë. Kur deshi t’i shihte se mos ndoshta i ka kapur lagështia, edhe pse ishte i sigurt se i kishte izoluar mirë në kavanoz, nuk i gjeti dot. Tre vjet  rresht e rrëmihu kopshtin tre tehe lopate thellë, tre vjet gërmoi me bel e kazmë, vende – vende edhe një bojë njeriu thellë, por kot, nuk i gjeti dhe nuk i gjeti. Shkoi te fallxhesha me shpresë se mos po e ndihmon. Sa e pa fallxhesha, ia hapi derën, Lavdi  u pushtua nga vështrimi i saj i ngrohtë, nga  gjinjtë e fryrë, krelat e flokëve ngjyrosur me kanë, që ia mbulonin ballin deri te sytë dhe linjat e trupit ende të mbajtura mirë. Shkoi për hall e fall e mbeti për darkë. Kaloi natën gjithë qejf. Në dalje, kah dera e prapme e shtëpisë, zonja e përcolli me dashamirësi: “Kur ke mërzi, kur nuk të ecin punët, kthehu te unë!” Që të nesërmen - vazhdoi Ardi - Lavdi filloi një jetë ndryshe, vishej me elegancë të tepruar, stolisej me  unaza të mëdha, embleme, medaljone, kravata flutur e shalle me ngjyra ta ndezura, që nuk përputheshin me moshën e tij. U dha pas pijes, pas qejfeve. Fliste shumë, qeshte për hicasgjë. Kthehej gjithnjë e më shpesh te  fallxhesha me qerpikë të zi.  Veturën e ngiste shpejt. Krejt qyteza fliste se Lavdit paratë e groposura ia gjeti fallxhesha me magji, me magji e robëroi,  ia ndërroi mendjen dhe bënte me të çka i tekej asaj, kurse vetë pushoi së ushtruari zanatin. Mjaft qemë robër të  parasë! Mjaft punuam, kursyem, numëruam, rinumëruam, groposëm para, i paska thënë Lavdit, na ka lodhur beqaria si ty edhe mua, në këtë moshë që jemi, s’na ka mbetur edhe shumë jetë për të jetuar. Ja, edhe kursimet e mia, merri, t’i bëjmë rrush e kumbulla se s’kemi kujt t’ia lëmë. Kjo jetë “ndryshe” ishte ekstreme si ajo e para. Dhe, derisa po e ngiste veturën me shpejtësi...
-Me atë veturën që e ka pas blerë në ankand”, - ndërhyri Bullafiqi.
-“Jo, jo me këtë të renë”, u përgjigj Ardi dhe po bëhej gati për t’i vazhduar llafet, kur krejt afër dëgjoi një qortim të pezmatuar të njërit me çehre të zymtë:  - “Lëreni të ndjerin të qetë, bile tash,  kur po e varrosim!”
Sabit Abdyli, korrik 2005

Wednesday 18 June 2014

Dushkaja



Atë paradite, Cel Bregun e rrëmbeu përbrenda dëshira për t’i dhënë jetë peizazhit të projektuar që moti në kokë. Mori me ngut penelin, ngjyrat, pëlhurën dhe u nis te Dushkaja, një korije ahu e bungu, me roga të vogla e të mëdha, me ujë të ftohtë, natyrë të mrekullueshme, që ndodhej 4 km. larg në juglindje të katundit. Me trastën në krah, doli te Hani i Vjetër, ktheu në anën e djathtë, kaloi përroin dhe sakaq u gjend te Humsat. Rrugica, që e kishte shkelur kushedi sa herë, i ngjalli kujtime të rinisë së hershme. Me ngrohtësinë e kujtimeve të së kaluarës, këngën e gjinkallave, vazhdoi ecjen në drejtim të kundërt të një vije uji gurgullues, pa e ngritur kokën fare, kur të qeshura të dalldisura të një çifti ia ndërprenë kujtimet e ëmbla. Çoi kokën dhe me të parën i kapi syri, pak përtej Ograjës së Mirë, një burrë të veshur me triko ngjyrë kafe dhe një femër me fund të gjerë e të gjatë, këpucë të zeza me qafë, me këmishë të bardhë të zgafulluar në grykë, të cilët shkonin revan duke shikuar herë pas here në drejtim të zabelit nga dolën. Këtej s’ka as rrugë, as rrugicë, dyshoi. Mashkulli e femra azdisur zbritën rrahut teposhtë deri te Vneshtat, hipën në xhipin që i priste me dyer hapur, skaj rrugës dhe i përlau dreqi drejt qytezës, duke lënë pluhur pas. I njohu: Ai ishte rojë në zyrat e Sekretariatit të Mbrojtjes Popullore të qytezës,
Pikturat: nga  Abdyl Abdyli
kurse ajo infermiere në ambulancën e katundit T. Celi qëndroi edhe për disa sekonda në pozitë të vrojtuesit përballë një ledhi, kur hundët iu zunë nga një erë e dushkut të djegur. Ktheu kokën. Jo larg tij, pa një tym të zi, që shkonte thikë përpjetë, i patrazuar nga erërat. Dielli rrezeartë shkëlqente në qiellin e paskajshëm blu të thellë. Vetëm në jugperëndim, kreshtës së Maleve të Zeza, një re stërmadhe e bardhë si bora, lëvizte rëndë e me përtesë drejt maleve simotra të Sharrit. Një zog mali çirrej me të madhe dhe dukej sikur kërkonte ndihmë. Zëri vajtues i trishtilit ia rrëqethi trupin. Shpejtoi hapin drejt vendit të përfshirë nga flaka. Shkopsiti këmishën edhe për një pullë. Shikoi anash, por s’pa njeri. Nxitimthi, me duar e këmbë u vu në shuarjen e zjarrit. Tamam e shuante në njërën anë flakën, ajo përhapej në tjetrën. Kacafytja me stihinë vazhdoi deri në orët e vona të pasdrekes. I lodhur u mbështet në trup të një ahu të zgavërt. Puhiza e lehtë e parambrëmjes iu duk sikur një grimë e pushoi. Nën tymin e cigares shikonte peizazhin e buzëmbrëmjes derisa dielli ulej në perëndim, duke dhënë ngjyra magjike. Këtë imazh e kishte përfytyruar... “Pah, çfarë bukurie e madhërishme! – mendoi i ngazëllyer. Dreqi ta hajë, ma dogji kohën zjarri!” Ptu – pështyu drejt vendit të shkrumbuar, pa veten të pudrosur me blozë dhe u këputi një sharje zjarrvënësve. Kur u sigurua se s’ka asnjë shkëndijë, që do ta rihapte zjarrin, u ngrit, por që në hapin e parë ndjeu dhembje e të therura në shputat e këmbëve. Më tepër zvarritur sesa në këmbë, u kthye në shtëpi. Për të mos shqetësuar familjen, hajdutçe u fut në banjë, shpëlau duart e përcëlluara, fytyrën e gërvishtur, nxori nga sirtari fashat e sterilizuara, pastroi plagët me alkool dhe si doli në sallon, pa ndjenja u përplas në divan. Pas një kohe gruaja e merakosur iu afrua qetë-qetë me tabakë në dorë: “Mjaft, pushove. Merre, çaj kamomili, të bën mirë. - i tha me zë të ulët,”. Celi, mori gotën dhe duke parë shqetësimin e saj, pyeti ashtu kot: “I nxehtë është?” U çua përgjysmë nga divani, përkuli qafën djathtas e majtas, vrau fytyrën me një qeshje të lehtë dhe duke rrufitur çajin i tregoi së shoqes ndodhitë e ditës fije e për pe. “Ç’paska hequr” - mendoi e shoqja. U kthye te lavapjata dhe derisa po i rregullonte enët e lara në dollap, e porositi: “Po deshe, shko, shtratin e ke gati”. Me gjithë lodhjen e tepërt gjatë ditës, Celi u përpëlit me orë të tëra derisa e zuri gjumi.
Të nesërmen, me natë, forca të mëdha policësh republikanë e federativë e rrethuan shtëpinë e Bregasve. Me shqelma i shqyen dyert, u futën brenda shtazërisht. Me të çjerra kërcënuese, sharje (shanin Zot e Diell), nisën bastisjen, duke përmbysur e thyer raftet, vitrinat... duke sekuestruar libra, dokumente, piktura, tablo... Ndërkaq, dy udbashë, Celin e mbështetën për muri duke ia mbajtur revolen në kokë dhe në kupë të qiellit thirrën: “Mos lëviz! Në emër të popullit je i arrestuar! Hë, prapë ti – ndërhyri me cinizëm paksa më qetë udbashi me xhaketë lëkure të zezë - s’të mbushën mend dy vjet burg! Tani nuk të shpëton as Zoti. Kemi prova se e ke dhunuar te Vneshtat infermieren N., i ke vënë zjarrin Dushkajës. Ec, përpara!” – ia vunë prangat dhe e shtynë drejt xhipit, xhipit që Celi e kishte parë, jo më larg se në pasdreken e një nate më parë.
 Sabit Abdyli

Tuesday 17 June 2014

Njeriu me ombrellë

Foto nga interneti

Për Njeriun me ombrellë e dija se ish vendosur në këtë shtëpi para shumë vjetësh. I ardhur nga “Bregu i mjellmave”, lagje e qytetit e njohur për qetësi, rregull dhe njerëz të pasur. Me profesion ishte projektues, bile disa prej pallateve të kësaj lagjeje i kishte projektuar vetë. Në rrethana që nuk dihen, ishte ndarë nga bashkëshortja dhe ishte vendosur në shtëpizën që i ngjante një barake fermerësh, ku liheshin mjetet e punës dhe, në raste të veçanta, edhe mund ta kalonin natën aty. E shihja tek dilte e kthehej me ombrellë në dorë. Gjithmonë në kohë të caktuar, gjithmonë ombrellën me vete. Përherë i saktë. Fillikat vetëm në shtëpizën e vogël, krejt të vogël, ngrysej e zgjohej. Të hënën lante, pastronte tërë ditën e lume. Të mërkurën shkonte në bankë për ta parë gjendjen e llogarisë bankare. Të martën e bënte pazarin, të enjten, të premten e kalonte në bibliotekë, të shtunën, të dielën shkonte gjithandej qytetit. Përditë në orën e caktuar e hapte kutinë e postës. Për moshën që kishte, mbahej mirë. Nuk afrohej me njerëz dhe të linte përshtypjen se është egoist. Një të shtunë, kur po shkonte për të paguar tiketën e lotos, më tha: “Qëndrimi im në këtë mëhallë është i përkohshëm, nuk është për mua ky qymez (aludonte në shtëpizën ku banonte). Shpresoj  se frik kam për t’iu kthyer jetës që e kam pasur dikur. Nuk dorëzohem. Mbahem fort në këmbët e mia. Depozitimet e parave të mia në bankë kanë shkuar mbi 1 milion dhe unë jam gjithnjë e më afër  kthimit në lagjen “Bregu i mjellmave”.  Sapo të kthehem do t’i thërras në një darkë të përbashkët njerëzit e mi: gruan,  vajzën...  ata që ma përlanë pasurinë, që më detyruan ta shisja pallatin dhe pjesën që e morën po e bëjnë  rrush e kumbulla. Do t’u them: Hej, gjallë jam, gjallë!
Rregulloi kapelën e madhe në kokë, nxori nga xhepi tiketën e lotos dhe përfundoi:
Shiko, po dëgjove se janë tërhequr numrat si këta, dije se unë kam fituar. Janë këta numra që i luaj me vite të tëra. Ja, këtu është fati im!” – dhe u largua me një ecje të krekosur, duke shtrënguar tiketën në dorë.
Pas këtij muhabeti gjithnjë e më shumë më interesonte Njeriu me ombrellë. E vështroja nga xhamat e dritares sime: sa më shumë kalonte koha, hapi i tij bëhej gjithnjë e më i ngadalshëm, krahët e gjatë, që i vareshin në të dy anët e trupit gjithnjë e më të plogësht, dukej i dërrmuar, i rraskapitur, si një ushtarak i shpartalluar, i plaçkitur pas betejës së humbur. Hyrje-daljet i rralloi. Hoqi dorë prej shumë aktiviteteve të përditshme. Nuk e ngiste makinën, nuk largohej shumë nga shtëpia, kutinë e letrave nuk e hapte me ditë të tëra, ecjet gjatë mbrëmjeve i ndërpreu, vetëm të mërkurën gjente forcë për të shkuar në bankë. Gati për çdo mbrëmje kthehej te ai një njeri me zë të ngjirur, i cili nuk merrej gjatë me të.
Të shtunën në mbrëmje po shikoja tërheqjen e numrave të javës së fundit të lotos në TV. Një për një u tërhoqën numrat e Njeriut me ombrellë. “Këtë po priste ai - mendova. I lumi, i paska buzëqeshur fati”. Sapo bëhesha gati për ta parë gëzimin e Njeriut me ombrellë, sakaq u dëgjua sirena e ndihmës së shpejtë, që u fut me ngut në oborrin e shtëpisë me dërrasa dhe me ngut doli jashtë saj.  “I shkreti, e paska hëngër!  Nuk ka mundur ta përballojë lajmin e gëzuar për shumën aq të madhe të parave të fituara.”
Nga dera gjysmë e hapur e oborrit prej nga me uturimë doli autoambulanca, arrita të dëgjoja Zëngjirurin, që po i fliste një burri trupshkurtër: “Gjatë gjithë jetës ka qenë skajshmërisht  i drejtë, kurnac e lakmitar për para e fitime, për rregull, për disiplinë...  Jetën e bënte  duke kursyer për çdo gjë; nuk pranonte ftesa nga askush, që të mos ishte i detyruar t’i kthente, gjërat i blinte me çmime të ulura. Kur i mbushej mendja për diçka, ishte  shumë i vendosur. Kish bindjen se një ditë kishte për t’i buzëqeshur fati. Nuk e pranonte ndihmën e askujt. Me çdo kusht donte të ishte vetvetja. Ishte i pasur, por jetën e bënte si është më keq. E shoqja ishte ndarë, duke ia marrë edhe të bijën, ngase nuk kishte si t’u rrinte në këmbë manive të tij. Unë shpesh kthehesha te ai, më dhimbej se e kam të gjakut tim, afrohesha deri te dera dhe kthehesha prapë. Tiketa e lotos, e papaguar,  iu gjet në tryezën e bukës. Fatpreri, sapo kishte dëgjuar në TV se ishin tërhequr  numrat e tij,  mezi kishte arritur ta thërriste ndihmën e shpejtë dhe ishte rrëzuar pa ndjenja në dalje të derës së shtëpisë.”
Sabit Abdyli

Monday 16 June 2014

Emigranti


U shemb si shkëmb prej karrige. Gjoksi i shkoi  lart – poshtë dhe lëshoi  një ofshamë të thellë. Pas tij gota u përplas në dysheme duke u bërë copë e grimë. Kapela i fluturoi tutje te këmbët e tavolinës. Sahati dhe  një  si kulet e vjetër i dolën nga xhepi i poshtëm i jelekut. Mejhanexhiu nxitimthi u afrua për ta ndihmuar bashkë me dy mysafirë të rastit.  E shtrinë për toke, ia shpërthekuan këmishën, e lagën me ujë...
-“Kush është ky njeri” – pyeti mysafiri me këmishë mëngë përveshur, tej mase i shqetësuar.
-“Nuk e njoh” -  gënjeu kafexhiu dhe vetëtimthi i kujtoi një për një fjalët, që ia kishte thënë të shtunën e kaluar:
-“Në këtë moshë  s’munda ta  duroj dot burgun,  represionin e komunistëve, prandaj  u arratisa nga vendi im.  Si kalova kufirin,  jugosllavët së pari na strehuan në Serbi, pastaj na transferuan këtu në Kosovë. Këtu e kam paksa më mirë. Flas e merrem vesh me njerëz shqip. Ja, vendi im, prej këtu e shoh, tani po të më lejohet do nisëm në këmbë. Është krejt afër. Me siguri një ditë kam për t’u kthyer. Ky regjim, me drapër e çekan, s’duhet ta ketë jetën e gjatë. Po ndodhi ndryshe, mjerë shqiptarët. Djali im, ai i dyti, iku... mirë bëri, i lumtë.. u kthye në vendin e vet. Kam marrë vesh se e kanë fut në burg.  Medet!  Burg e lot  këtu, burg e mjerim atje... ”
Dyqanxhiu e kujtoi rrëfimin e njeriut që tani ishte i shtrirë përtokë gjerë e gjatë para tij, me mustaqe të  thinjura, hundë të drejtë, me vrima paksa të theksuara, gjoks gjerë e leshator, mollëzat e faqeve të fryra, buzët  e  mavijosura. U kërrus mbi trupin pa jetë, ia hoqi shallin bojë kafe të zgafulluar rreth qafe dhe ia mbuloi  fytyrën.
- “Të shtunave, i tha klientit të tij me çizme llastiku, gjithnjë vinte në mejhane rreth orës nëntë, sikur edhe sot, porosiste një byrek dhe gati në të njëjtën tavolinë ulej, ishte pika e burrit, fjalëpakë, dinjitoz, sa herë ngrihej për të shkuar  e shikonte orën e xhepit.”
Burri me këmishë mëngë të përvjel dhe Ai tjetri me çizme llastiku morën  gjësendet e shkapërderdhura dhe fët e fët hapën   kuletën e saftjanit, gjetën dy bankënota letre të vogla dhe tri monedha metalike, kurse në shaminë e xhepit një flamur të kuq me shqiponjë dy krenare pa yllin pesëcepësh dhe një hartë të trojeve etnike shqiptare. Të frikësuare, shikuan përnjëherë drejt dritarezës së kuzhinës. Flamurin e  hartën mezi  i palosën duke u dridhur se mos i vërejti Ruzha, kuzhiniere, e cila sipas rastit prezantohej edhe me emrin Rufa.  Ndërkohë zhurmshëm erdhën me një xhip të vjetër: një polic, një mjek dhe hetuesi. Mjeku,  pasi shikoi  pulsin, bebëzat e syrit, i tha hetuesit: “Shoku Zumer, si duket ka pësuar infarkt në zemër, sulmi ka qenë i fortë,  prandaj goditjen nuk e ka përballuar dot”.
Hetuesi me policin bënë fotografimin, morën deklaratat e të pranishmëve,  mblodhën me kujdes plaçkat, gjësendet, që mund të shërbenin  si prova dhe u larguan. Sapo e ngarkuan arkivolin në qerre, në derë u duk  inspektori i sigurimit shtetëror, truphollë, sylarashë e thinjak.                  
-“Hë, ti je dyqanxhiu?”- pyeti ai me përçmim duke u shtirë se nuk e njihte.
-“Po, unë jam”. -  u përgjigj pronari.
-“Ka ardh shpesh në dyqan... ke pas far lidhje ti me të?”
- “Jo, shoku  Aziz, pasha  Zotin... ”
- “Mbylle! Ku ka Zot!? - e ndërpreu larashi, ktheu shpinën, dhe,  pa trokit fare në derë, u fut brenda në kuzhinë. Pëshpësh bisedoi diç me Ruzhën,  dhëmbëzhveshur  u nda nga ajo dhe me një ecje arrogante doli. Grumbulli i njerëzve kureshtar, të mbledhur para dyqanit, me përulësi ia hapën rrugën.
Inspektori thinjak, posa mbërrini në zyre, hapi dosjen e të ndjerit dhe me kujdes lexoi  të dhënat: “A. L. Emigrant nga RPSH, i ardhur më 1949, antikomunist i përbetuar, njohës i mirë i zonës kufitare, me gjendje të mirë shëndetësore, parapëlqen ecjen në këmbë,  shumë i rrezikshëm, i kemi ofruar privilegje nëse vihet në shërbim të organeve tona,  por nuk ka pranuar.  Të mbahet nën kontroll... “  Sa mbaroi së lexuari,  i ra me laps të kuq dy herë tejpërtej dosjes dhe e sistemojë në një raft tjetër.
Sabit Abdyli


Saturday 14 June 2014

AFËR LARG (prozë poetike)


Bregut Paqesorit
Mbrëmje. Shëtis i shoqëruar nga pulëbardhat dhe shushurima e valëve të Paqësorit. Me zemër të mërgimtarit, që është larg, shumë larg, përballem me vetminë, ndarjen, heshtjen, goditjet e së kaluarës dhe largësinë.
Mendjen e kam Atje... Atje ku i kam të strukur kujtimet. Kujtimet e fëmijërisë...
Valët nuk ndalin përplasjet. Pulëbardhat fluturimin. Unë duke ecur buzë oqeanit, i ndarë përgjysmë, këtu edhe atje, vetës i them: S’u mësove se s’mësove me pulëbardhat, me detin, me sipërfaqen gungaçe të qytetit-kopsht, me qetësinë, me palmetë...
Bashkë me diellin, mes përmes oqeanit shalova valët, dhe, përtej tij, sakaq si në shuplakë të dorës, pashë Itakën - pranverë të lulëzuar, djepat me nënat ngadhënjimtare pranë. Pashë pranverat e nëpërkëmbura, pranverën e ankthit. Pashë se mbi ata, që e mbajtën pranverën të mbërthyer me terror, më në fund, kish rënë përgjithmonë terri i zi. Pashë Bllacën, përplasjet e partive, keqbërës që bëjnë lojën e armiqve tanë, nënat ngadhënjimtare dhe Dardanin -  nuse. Pashë njerëzit e mirë duke i  falë  Kosovës dashuri... Para tyre u përkula me respekt. Fola me jugën e bardhë, me rrjedhjen e lumenjve, me fushat, me malet, me rrugët (rrugët plot fëmijë), me qiellin (qiellin plot yje)... Erë e mbrëmjes m’i zhdavariste kujtimet. Valë e trazuar e detit më freskon, rërë e plazhit më djeg. Flas me palmetë,  nuk më kuptojnë. Ngrihem. Vazhdoj ecjen e ngadaltë timen... larg – afër, Dardanisë.