Thursday 3 January 2019

ME MËSIMET E BABËS

Subotice: 1929 Ruhan Abdyli, ushtar ne ish Jugosllavine mbreterore

Ruhan Abdyli 1906-1983 (fotografuar ne vitin 1936)
Mësimet e para i mora nga baba Ruhan 1906-1983. Prej tij mësoja edhe kur nuk fliste. Qëndrimi i përmbajtur e me dinjitet edhe në momente gëzimi e hidhërimi më bënin përshtypje. Më bënte përshtypje kujdesi e rëndësia që u jepte librave. “Librat shkruhen me i lexue, gjynah asht me i mbajt në raft veç për hijeshi.” -  thoshte.  Dy herë e mendonte fjalën para se ta nxirrte nga goja. Nuk më ka ra asnjëherë të vetme të fliste për dike nga fqinjët, shokët etj, fjalë të këqija. Fjalët më të rëndë nëse i thoshte për njerëzit pa etikë, ishin: “rri larg tij, mos ngul kunja me te”. Prej tij mësova historinë e fshatit ashtu siç e kish përjetuar  e regjistruar në mendje. Fliste për ato që dinte, pa pretenduar se i di të gjitha. “Ruhani, më mirë se të gjithë ne të brezit tonë kish njohuri për shkak se ka dit me ndëgjue, zgedh (përzgjedh), ruej e mbajë mend ato që duheshin, ishte nga të paktit në katund, i cili dinte me shkrue, lexue e me ba hesap” Haxhë Azemi – Kabashi 1904-1986. Në moshën ende pa mbushur 7 vjet ai e përjetoi masakrën në tetor të vitit 1913, kur ju pushkatua baba, Avdyli, dy xhaxhallarët, Misini e Murati dhe 60 burra të tjerë të fshatit, shtëpia ju dogj e plaçkit ashtu siç u dogj e plaçkit krejt fshati. Me dy shervete plaçka të lidhura, lopën me një viç, që kish arritur nëna t’i shpëtojë nga zjarri dhe plaçkitësit vendoset te
dajallarët në Gjylekar (Skifteraj). Pas tri vjetëve kthehet në Kabash. Me nënën mbi muret e rrënuara e trarët e djegur ndërtuan një si shtëpi sa për të pasur ku ta fusin kryet.  Ndërkohë 1916/17 tentojnë bashkë me familjet e xhaxhallarëve të emigrojnë në Turqi. Pas një qëndrimi në Shkup për të nxjerr dokumentet (visikat)  “mshilet udha”. Kthehet prapë në Kabash.  “Në moshën 13 vjeç, tregonte, me mësimet e nanës  fillova vetë me krye punët e fushës, të qes (hedh) farën e grunit në arë e me majt plugun.”  U rritë e burrërua  me  kujdesin e nënës ashtu siç u rriten edhe si shokët e tij jetimë të nënave vejusha, burrat e të cilave  ua kishte masakruar shteti serb te vendi i quajtur Zabeli i Sahit Agës në Kllokot, tetor 1913. U martua me Rabën, bijë e Bajram Rashitit nga fshati Rohavicë, komuna e Ferizajt me të cilën  rritën 7 fëmijë, pesë djem e dy vajza.  Ashtu siç kishte mësuar vetë shkrim leximin, mësoi vetë edhe mjeshtrin e zdrukthëtarit, muratorit, gdhendjes “për peni” të drurit me sopat etj. dhe me thonjtë e duarve na shkolloi. Zhgënjimin më të madh në jetën e tij që nuk mund ta përpinte ishte qëndrimi pro partizanëve çetnikë serbë dhe kundër shqiptarëve të Kosovës të brigadave partizane të ardhura nga Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë. Që në vitet e 60-ta pat ble një sahat xhepi prej gasterbajterve në Austri. Orën  e mbante mbështjell  me një shami të bardhë brenda xhepit dhe nuk e ekspozonte asnjëherë. Nuk mbivlerësonte punën e veprat e tija të gjitha i merrte si detyrë. “Nuk ke pse me rreh gjoks, thoshte, për diçka që e ke për detyrë me ba. Je prind, detyrë e ke të kryesh detyrat e prindit. Je mësues, detyrë e ke me mësue fëmijët. Je shyptar, detyrë ke me deshtë shyptarin“.  Në xhepin e brendshëm të setrës mbante një laps gati të harxhuar, një fletore nga ato që në faqen e fundit kishin të shënuar tabelën e shumëzimit. Modest e praktikë gjatë gjithë jetës. Vdiq. me 22 prill 1983.
Janar, 2019
Kabash, 1961
Kabash, ne vitet e 70-ta
Portret "Baba",vizatoi: A. Abdyli
Kabash, 1967
Kabash, 1967