Sunday 22 April 2018

SUKSESET E PAKONTESTUESHME TË HAXHI MUHAXHERIT


Haxhi Muhaxheri
Portrete mërgimtarësh krijues:
Jam larg nga vendlindja sa nuk ka më larg në planetin Tokë dhe interneti është e vetmja dritare prej nga shoh e përcjell ato që ndodhin në  tokat shqiptare e botë. Përmes internetit hap faqet e gazetave, dëgjoj radiot të lidhura në internet, jam në rrjedha të asaj që ndodh në kulturë etj. Emri  i mërgimtarit që më fascinon me energjinë e tij hulumtuese, me punën krijuese e të  dobishme në fushën e letërsisë, këngës, muzikës e historisë shqiptare prej të cilit mësoj unë e diaspora shqiptare është Haxhi Muhaxheri.  Haxhiu administron webfaqe, revista elektronike, radio, që aq bukur informojnë, afirmojnë, kujtojnë njerëzit që kanë dhënë shumë kulturës e historisë shqiptare të mos harrohen. Webfaqet  e tija me programe të shëndosha kanë me mijëra anëtarë që shkruajnë, komentojnë, njoftojnë diasporën shqiptare për arritjen në fushën e letërsisë e arteve tjera. Në google mjafton të shkruhet emri i tij dhe hapen me dhjeta faqe të cilat i administron Haxhiu. Faqe këto që afirmojnë emra të rinj krijuesish, afirmojnë poezinë, këngën, muzikën e të vërtetën tonë e gjithçkaje tjetër shqiptare. Ideali i Haxhiut, kam vërejtur në punën e tij, është realizimi i synimeve të brezave  për  të qenë i lirë e zot në tokat e veta shqiptari. Nga biografia e Haxhiut shihet se ai edhe në Kosovë ka bë shumë për kulturën shqiptare, si gazetar, publicist, shkrimtar e botues gazetash. Në mërgim Haxhiu vetëm vazhdoi veprimtarin e tij fisnike por tash, duke gjetur rrugën më të mirë e më të shpejt përmes internetit për të arritur kështu suksese të pakontestueshme sikur të ishte institucion kulturor  i paguar. Me ketë shkrim të pakët sa një pikë uji në det për Haxhiun e punën e tij kaq të madhe jap opinionin time personal në bazë të shkrimeve të postuara në internet, komunikimit me Te prej së largu unë në Zelandën e Re ai në Austri. Autori i shumë veprave e fitues i çmimeve letrare Haxhi Muhaxheri shkollën fillore e kreu në Gllogjan të Pejës, të mesmen në Klinë, ndërsa studimet (letërsi dhe gjuhë) në Universitetin e Prishtinës. Muhaxheri një kohë ka qenë  kryetar i Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës, editor i Shtëpisë Botuese "Pena", kryeredaktorë i të parës revistë erotike "Amori".  Gëzon fakti se Muhaxheri është aktiv dhe nuk ndalet së punuari e administruari webfaqe, portale  dhe Radio Lirinë me seli në Austri, e cila dëgjohet edhe këtu në Zelandën e Re. 
Sabit Abdyli 
Auckland, 23 prill 2018 (artikulli u botua ne Bota sot)

Tuesday 10 April 2018

EDHE NE

Tirane, gusht 1991. Ne foto me Sahitin e Xhelalin
Në gusht të vitit 1991  shkova me tre shokë në Shqipëri nga Greqia. U vendosëm në Golem. Dilnim në plazhin, që edhe ashtu siç ishte,  na kënaqte. Brenda pishave ishte një tualet, që nuk mirëmbahej. Baraka druri për pushues tej e tej plazhit. Lopë të lëna pa kujdesin e askujt hanin lëvozhgat e shalqirit të mbetura në rërë. Një i ri me zylyfe korb të zeza deri poshtë faqes, pantallona të gjerë në fund të këmbëve  na afrohet dhe gjithë mllef shante Enver Hoxhën e shtetin dhe nuk ndalej.  Më dukej jashtë çdo logjike të shahet Shqipëria dhe reagova  paksa me nervozë: Enveri e shteti që po shan e vjell vrer  kundër tij  është i juaji s'ke pse të na shash neve dhe,  sa ishte në pushtet ... Mu afrua te hunda dhe me gishtin ngritur, vazhdoi, kush guxonte ta kundërshtonte...  të vriste në vend.. Ai edhe kur thoshte diçka të ditur, si psh. "patatja është kulturë bujqësore",  populli e duartrokiste sikur të ketë thënë diçka të madhe e të padëgjuar nga frika. Mendova, këta e kanë shtetin dhe e shajnë ne po vuajmë e vritemi për të pasur shtetin.  Dhe kurrë nuk më kishte shkuar mendja atëherë se edhe ne kosovarët, siç po na quan Halil Matufi neve shqiptarët këtej Drinit, një ditë  do e shajmë  shtetin për shkak qeveritarëve të papërgjegjshëm.
Prill 2018

Sunday 1 April 2018

MË DHEMB



Të zgjedhurit e popullit përfshirë edhe pushtetarët të paguar për të punuar për shtetin së pari po punojnë për xhepat e vet, partitë e bossat e tyre, mëhallët e rajonet prej nga vijnë, për interesat e huaja  dhe më së paku për shtetin që i paguan, bile punojnë kundër tij, si Lista serbe e ardhur në pushtet për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë, por punon për Serbinë e interesat e partisë në pushtet, turqit për Turqinë, goranët për Serbinë e Maqedoninë ose kush i paguan më mirë, boshnjakët, romët, hashkalitë egjiptianët, të pavarurit  janë  në dispozicion të atij që ju jep më shumë. Nuk është demokraci të hash në Kosovë e paguhesh prej saj e të punosh kundër saj, në shtetet tamam shtet kjo nuk lejohet, përkundrazi është e dënueshme. Shikuar ketë që po ndodh sot gjithnjë e më shumë po bindem se gjenerata ime e punësuar në fund të viteve të 60-ta  e fillim viteve të 70-ta bënte më shumë për Kosovën edhe pse në ato kushte të regjimit ku për shqiptarin ishte e dënueshme edhe kravatën ta ketë me ngjyrat e flamurit kombëtar. Në angazhimet tona gjenim forma edhe brenda sistemit të atëhershëm bënim  më të mirën për çështjen tonë. Ne në arsim punonim edhe jashtë orarit me nxënës për t'i pajisur sa më shumë me dije, hapëm klasë, kurse të natës nëpër fshatra për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe organizonim aktivitete kulturore, sportive edhe falas. Librat  i lexonim në radhë. Më ka ndodh nga biblioteka ime ju kam dhënë nxënësve etj. libra për të lexuar. Kurrë nuk pushuam për të pranuar në punë,  fut në organet drejtuese më të mirët, për të kërkuar punësimin e shqiptarëve sipas numrit të popullsisë, përdorimin e gjuhës shqipe në administratë. shkollimin e femrës shqiptare, të drejtën në përdorimin e simboleve kombëtare. Në kohën pas vitit 1981 dhe të fushatës së egër kundër shqiptarëve ditëm të mbahemi e të mos thyhemi për 10 vjet me radhë. Pas përjashtimeve nga puna të punëtorisë shqiptare, burgosjeve e kërcënimeve vazhdoi mosbindja e kundërshtimi ndaj okupatorit, vazhdoi të mbahet  gjallë në frymën kombëtare shkolla shqipe në të gjitha nivelet në shtëpia private e pa rroga.   Më dhembe që sot në këto kushte lirie mbetët shumë për të dëshiruar në të gjitha fushat.
Sabit Abdyli
Auckland, prill 2018  Artikulli i botuar ne Bota sot 2 prill 2018