Thursday 11 February 2021

CIKËL ME POEZI - MARRI TË MOS DUHEMI

CIKËL ME POEZI - MARRI TË MOS DUHEMI

                                                             Sabit Abdyli




 

 

HELMIMI I ZOGJËVE

Në fillim u mbush ograja afishe të verdha

Dhe kur nuk gjetën kukulla për lojën

Uniformat hodhën helm

Lëndinave të zogjve  veçse mësonin fluturimin  

Ograjës së tyre denbabaden  

                                  Prill, 2021

 AUCKLAND

Shiu i lanë asfaltin qytetit

Në dimër e verë

Borë nuk bie mbase e përpinë Paqësori

Sa të buzëqesh dielli sa me shtamba shi

Brigjet ia njomë dallga në katër anë

Retë të bardha kullosin qetësisht qiellit

si të ishin tufa delesh

Qytet kodrash  vullkanike

Të blerta në çdo stinë

Njerëz më ngjyra ylberi

Të ardhurit përtej detit si puna ime

 Arnojnë copat e thyera të shpirtit pa druajtje

                                      Prill, 2021   

         SA VJEÇ JAM

Vjetët përditë  i shoh në pasqyrë

Ngarkuar  i kam në shpinë

Nëse  bash këmbëngulni të dini

I kam aq sa i ndiej

           Auckland, 2021

 

NË KURORËN E QARRIT

Në kurorën e qarrit mijëvjeçar  

Poshtë rrënjëve të tij

Bota sheh lashtësinë Arbënisë

Kasolle guri mbuluara me bar

Zogj mbi degë  gjethesh me frëngji

Shkrepave  bedena e malin istikam

Dhe mos durimin e drerëve  kryeneçë

Të  pazakontë

                  Auckland, 2021

 

DIASPORA

Sa herë retë nxijnë qiellin

Diaspora hapë udhë

lot i lotit Tënd

natë e ditë mendjen tek ti

për Ty ndau  kafshatën e gojës

la punën, shkollimin ..

erdhi në krismat e parë të lirisë

Ciklopi pa tru. mosmirënjohës

Nëpër studio televizive, portale ...

Nuk ndalet

Kundër,  llomotit, llomotit

Dhjetor, 2020


KURAJË TË KESH 

Të kesh kurajë e të qenit vertikal

Në skamje e kamjae

Në mot me diell e furtunë

Të jesh njeri i mirë

Dorë e djathtë e vendit në çdo stinë

E jetosh sikur të kesh poshtë shtëpisë

Minierë  ari

Përtej xhamave të shohësh kopshtin në lulëzim

Fëmijët tek lozin e rriten n’liri

Dhurosh  dashuri

Dhe të mos  trembet syri

Nga bubazhela e sorra me sqepin e verdhë

Të kesh kurajë të kesh

Njeri i mirë të jesh

                      Mars 2021

QETËSI E KËSAJ NATE

Qetësi  e kësaj nate më cyt  të shkruaj

Për qiellin  prush me yje

Të shkruaj për shembull si shndrisin nalt

Të shkruaj sa i dua  sytë e saj të shkruar

Të shkruaj pse nuk mund të mos i dua ata sy

Të shkruaj për hënën roje në xham

Për trumcakun që pret Diellin

Borën të shkrijë

Të shkruaj tek flet

Duke ulë e ngrit qerpikun e saj të zi

Të shkruaj, të shkruaj për kënd më parë

Më qeli drita pa shti në sy gjumë 

                                  Auckland, 2021

O NJERËZ

Ndreqni ura, o njerëz

mos shkelni betimin e eshtrave

që u bënë hi

për  bashkimin e luleve të një barku

se kënaqni erërat e çmendura

ujqërit me lëkurë deleje veshur

që traun,  tela me gjemba

e flamuj partish në mes na vunë

ndreqni ura, o njerëz

në respekt  të gjakut, lotit rrëke,

ardhmërisë

e fëmijëve   tuaj

ndreqni ura, o njerëz

                 Shkurt, 2021

 

NJERIU I MIRË

Shëron plagët  stinës

Zogjve u jep krah

Rrezaton dritë e jetë

Di të prek zemrat

Ngre kallinjtë e  rrëzuar grunoreve

Lartëson emrin

Shkund ligësitë kohës

Ringjallë  të bëmat e të rënëve

Ndërgjegjen

Mendjen e  sytë katër

Në kërkim të pranverës

Njeriu i mirë

Edhe kur i thonë luleshtrydhe  ka shumë

Shportën e vogël e merr

                              Shkurt, 2021


Ç’U BË ME VITET

Përkulur në cep të oxhakut 

Flokësh zbardhur përpush  të kaluarën

Pranë  zjarrit bubulak mërdhinë

Gjaku me s'i vlon 

Me bastun i bie përmallshëm dyshemesë

Ç’u bë me vitet 

Sa çel e mbyll sytë shkuan

                               Shkurt, 2021

ME KËPUCË TË ARNUARA

Rreth e rrotull sillen vërdallë

Krijesa të paemra 

Në terrin e natës të gjejnë

Jo se të duan

Po ju duhen votat

Vonë keni ardhur, u tha:

“Dua të jem vetja

Nuk shkel bardhësitë e jetës

Dhe ndjehem rehat me këpucë  të arnuara”

                                   Shkurt, 2021

VJESHTA

Paletë  deng me ngjyra

Qielli në vjeshtë  natyrës i fal

Dielli luan kukafshehtas reve

Hëna në cep dritares si gjerdan në qafë

Dhe gjethet shtruar tokës palë - palë.

Mëngjeset në vjeshtë  erë ftoi kanë

Farë e luleborave për t’u mbrojtur nga  të ftohti 

Strukën në ugar

Në horizont krahë lejlekësh tek  lënë shtëpitë

Zemrën ma copëtojnë 

                                 Auckland, 2020

TË DUHEMI

Marri

Të mos duhemi

E të mos kuptohemi 

Njerëz jemi


Po aq marri 

Të duhemi  e të kuptohemi 

Me gjithsecilin gjithsesi

Për gjithçka

                               Janar, 2021

CICËROJNË

Kur Dielli ulet krejt në perëndim

Në cep të dritares

Njom ëndrrën për trëndafilat 

Me ngjyrë agu

Nxitoj drejt bregut ani se i nëpërkëmbur

Nga bubazhelat  e  zhytur deri në fyt

Bregut kallkan të ngrirë

Në degë shkurresh ngrohen

E cicërojnë zogjtë

Cicërojnë 

                         Janar, 2021


INATSHËM


Kjo kohë

Inatshëm kërcëllin dhëmbët

Mbush shpirtrat me pezëm

Zë pritë  udhëkryqeve


Kjo kohë

Pretendon të bëjë drejtësinë

Shfryen hidhërimin duke ledhatuar

E rrahur  gjoks në të thatë


Kjo kohë 

Thirret në të shkuarën

Të tashmen e ndotur

E kapërcen hopala

 

Kjo kohë

E ndërton  të ardhmen

Me gënjeshtra për hava

Maje  gjethnajash korrupton  kandrrat 


Kjo kohë

S’ka kurriz

Po ka ambicie të fryra

E flamuj shumëngjyrësh


Kjo kohë

                  Janar, 2021

NË PRAGDERË

Në pragderë  roje 

Si në pëllëmbë të dorës shija egërsinë

E shpendkeqve

Unë dy duar për një kokë vetëm kisha

përballë tankeve  

në pragderë nuk je fillikat

stuhitë e reve të bardha  i bënë bashkë

edhe duar thatë  ia del

                           Janar, 2021 

ATA

Në pllajat tona që në agshol të dritës

Grabitqarë  erdhën

pa i pasur as far as fis  

si mikpritës e sedërmëdhenj   që jemi

u bëmë konak 

me bindjen se miku sjell fat 

Ata

na gërryen tokën e bukët

 pyllnajat  ... 

e ngulën gozhda t’Nasradinit gjithandej

                                  Janar, 2021

VJENË NJË MOSHË

Vjenë një moshë 

Të zgjatën këmbët

dhe nuk arrin dot  të lidhësh këpucët

mjaftohu sikur të thonë ato

 s’ke pse të ankohesh:

ju çuam ku deshët 

ju mbajtëm në këmbë  

edhe kur s’kishit këpucë

                 Dhjetor, 2020 

SIPAS  MOTIT

Ujku bari

lirinë e shpallë trofe lufte

Të veten

E ngjyros

E shtrinë  

E ndrydh

Sipas motit

I vë e shlyen kufij

                 Auckland, 2020 

ME FIJE TË PETALEVE

Mëngjes për mëngjes hapi im

Më i ngadaltë

Në këtë kohë të gjithçkaje të shpejtë

Informacionit, udhëtimeve 

Infektimesh me  Covid 19

Shpërdorim i egër Lirisë së fjalës

Dronëve 

Dhe ik në të kaluarën

Për të lozur livadheve kur “lëshoheshin”

Vrapuar pas xixëllonjave zbathur

Kohës së librave që duhej t’i ruanim

Për vëllain, motrën mbas neve

Çiltërsisë

Dhe parashikimit të fatit me fije të petaleve

”kaloj, s’kaloj”

                    Nëntor, 2020

SHTIGJET

Lëkund  era  shtigjet e pllajës 

Të lodhura nga yjet 

Rosakët    dorë për dore nëpër shkurre 

Sqepzhytur me frutat në breg të përroit të artë

 shtyhen e hahen kush do jetë i parë

lulet  e trembura me dimrin  në ardhje

zbresin poshtë rrënjëve  në pritje

të shpërthejë borën trëndafili i kaltër

rrethuar me  zogj bash të pllajës

këngë  me rreze dielli

e  amanetin e  heronjve në   bronz 

                       Nëntor, 2020

I MBANË GJALLË 

Sa të ketë nëna

Do ketë jetë e komb

Sa të ketë nëna do ketë:

Grunore, krenari, paqe, gjuhë me rrënjë

Përjetësi

Nëna me lindjet  ndërton apartamente

Shkolla, qytete,  bulevarde ...

 Dhe i mbanë gjallë ato

                       Nëntor, 2020

ZJARRI NUK I ZHDUK

Kisha një arkë të  bukur  kursimi

Kujtim nga një udhëtim n’Itali

Të zhgënjyer se ishte pa kursime

Vandalët e thyen

Masakruan dokumente libra n’vitrinë

albume me histori brenda trashëgime 

Copëtuan me thikë dollapët 

Gërvishten pikturat varur në mur

Poezi në dorëshkrim

E nota në pentagram baladash të moçme 

I shqyen

Pa ditur të mjerët se idealet, baladat ...

As zjarri nuk i djeg e zhduk

Mëngjesin me diell

Me krime ngarkuar në shpinë prej nga erdhën 

Shkuan

                       Kabash, 1999


BARKA IME QE SA

Buzë detit  një zog i mërzitur si unë

mbi dallgët e vetmisë i thinjur

flet me heshtjen 

Stërkalat që përplasen plazhit

në oqeanin paanë valë-valë

Barka ime qe sa

Ecë me busull zemre e  malli

nëpër  dallgë moteve të ashpra  

rrugëve të rrahura zogjsh  mërgimtarë

                      Nëntor, 2020

JAM BREZ

Jam brez  që:

Në dritë të gazishtes i bënim detyrat

me top loznim zbathur

portën e shënonim me plisa dheu

në ditët me të reshura 

Mbi banka na pikonte shiu

në qytet shkuam në këmbë 

për të vazhduar shkollimin

në dhoma banimi me lagështi

mbi  libra shpesh drita na çelte

lulëkuqe në ardhje

me ideal veshur

për të ujitur ëndrrën

e shkulur shekullit ligësitë

                      Nëntor, 2020


LUMË I PANDALSHËM

(Ramdan Musliut)


Fjalën e latoi si gurin për themel

Të kalas

Qëroi barishtet e këqija 

Arave të Arbënisë  

Mendimit  i shtrydhi gjakun e prishur

Lumë  i pandalshëm

fërkemeve të Dardanisë

Nuk e turbulloi shiu

Dimri  nuk e ngriu

                       Tetor, 2020

KARRIGET

Këngën  na përgjumi kamja

Karriget e buta

Zotimet u përpinë me agun e parë

Në tavolinë të  bisedimeve 

Dheun nën këmbë po na gërryejnë 

Për ditën me diell

Qençe po na copëtojnë  

E ne mes veti copa u bëmë


                         Tetor, 2020

ASHTU  SIÇ  ISHTE

(Ibrahim Xhaferit)

Ndarje që nuk e pritëm

Humbje që nuk e deshëm

Iku, por mbeti me ne

Det  i thellë

I gatshëm, i pa përtesë

Për  vepra të mira

Me ne

Krejt qysh ishte


Lind 

E vdis

Vdis 

E lind 

Qenka jeta


           16 tetor 2020

DUAM

Duam  mëngjeset  kristal

Fluturimin me krahë shqiponje

Në krye të punëve  njerëz  me dinjitet

Lumenjtë me shtratin plot në  rrugëtim

Që as gushti nuk i shterë  

Currilin çurg  krojeve akull të ftohët

Dhe urën pa traun mes  brigjeve binjakë

Duam

            Auckland, 2020


SI TA NDAL

Si ta ndal teposhtën tënde 

Talljet e vogëlimin e shpirtit 

Vrugëtin e agut  

Si ta  ndal

Kur të gjithë gabojmë e askush me faj

                       Auckland, 2020


DHEMBJE TONA

E mora me veti këngën 

Udhëve të botës  këmishë e kam të veshur

Dhembje tjetër paska kënga jote

-më thanë 

Me shekuj këngën  deshën ta na zhbëjnë

me rrënjë 

 Me shekuj këngën e shkruam me gjak 

E  dhembje tona deri në asht

-u thash                         

                    7 tetor 2020


MËNGJESIN PËR DORE

Penë e poetit si dallgë e detit i nxjerr të palarat 

Në sipërfaqe  dhe me to 

rrah majë bregun e lajthitur 

Hapë kapakët dritareve bymyer nga loti

Mëngjesin  për dore e patën kur u vranë penat:

Latifi,

Ymeri.

Agimi

Havziu*(

         )* Latif Berisha 1931-1999, Ymer Elshani 1948-1999, Agim Ramadani-Katana 1963-1999, Havzi  Nela 1934 – 1988

                             Tetor, 2020


PËR TY E MUA

Nëpër peizazhin e plakur

Si zogj të lodhur në stuhi 

Ecim udhëve me gjurmë

Agimesh e mbrëmjesh të prushta

Kërcënuar hon e dan nga motet me sqotë 

Toka e bukët mbuluar me shkurre 

Pylli me lisa lakuar 

Nuk është vetëm i yti 

Fasadë të rrahsh gjoks veç hajt

Për ty Atje e mua 

Kaq larg me ujin e madh në mes

Tetor, 2020


PAQ ME NDËRGJEGJE 

Me punë paq me ndërgjegje

Shpirtin e dëlirë 

Me fytyrë

Flet pa shikuar anash

Ec e fle shlirë 

Me fytyrë

Bëhesh lumë

Pasqyrë ku mëngjeset krihen

E bëjnë lum

               Auckland, 2020

PËRTEJ PËRRALLAVE

Ortek në rrokullisje në pranverë

përlau idealet 

Përditë nga pak

Helmuan ndërgjegjen me ambicie

Përtej edhe përrallave 

Shtigjeve të bardha drerëve

Në pikë të ditës 

Ju mpinë dhëmbët me pemë të ndaluara  

Zogjtë me brengën për dore  

Natë e ditë në kërkim të dritës 

             Auckalnd, 2020


SI DUHET ECUR

Nga bark kuajsh druri

Që na lanë motet

Rrodhi gjak ngatërrestarë 

Bimë e tyre për karrige  bëhen vjeshtë

Zhveshën

Gjen i rrënjëve vendçe 

Mos asgjë  tjetër na mësoi 

Udhëve të thinjura si duhet ecur

E ruajtur shpirtin e bardhë

 Auckland, 2020


RREZE E BUZËQESHUR

Kënga ime më  e bukura është  emri yt

Që më magjeps  jetën  kurdoherë

Je ëndrra e zgjimi

Floku  i zbardhur 

Rreze  e buzëqeshur

Betim i qëndrueshëm që nuk ndryshoi 

Kurrë

Parmak dritareje ku  mbështetem

Shpalos kujtimet 

E shtrydh germat një nga  një

             Auckland, 2020


NË MBRETËRINË E MBRETËVE 

jeta si gjeth  vjeshte zverdhur

pashpresë 

heronjve në bronz u përkulën mbretërit

me 100 be

zogut  të  etur

asgjë nuk i duket më e shëmtuar

se betimi i dhënë kot

                      Shtator, 2020

BUT ME PAMBUK

Fjala  gur  i latuar

Me të bëjmë kala

Fjala vret si plumbi

Po edhe mëkon plagë

Fjala lutje

këngë

Fjala shpirt njeriu

Dashuri

Fjala fjalë matrapazi

Ta kallë 

E pi gjakun  but me pambuk

Fjala  mbinë e rritet

E mirë

E keqe

Qysh e hedh në arë


                   Auckland, 2020 

VETËM NE

Juga e bardhë nga qielli e toka

treti borën,

unë në fletë trëndafili

roje, pa heshtë e pa mburojë

Alkimistë gëlojnë pllajave

Ne, thanë , vetëm ne

do ju sjellim begati si në përralla,

do ua zgjasim jetën

e rizgjojmë këngën.

Auckland, 2020


KAM PARË

Kam parë luleborën 

Gjethimin në behar e zogun në fluturim

Qetësinë  e përvajshme të ikjeve 

Rënien  e gjethit për ideale lirie 

Korijen  zhveshur burrërie

Barishte të kërrusura nga thatësira në pranverë

Duke pritur shiun

                  Auckland, 2020


TI PO IK 

Ti po ik lejlek zemërthyer 

Shtëpinë mbi lisin Te trina

Nuk i gjete në pranverë

Ditën për Diell

Burimet,  lumenjtë 

Livadhet,  meratë ...

U uzurpuan, u  nxorën në ankand

U përpinë me lidhje si të mos kishin qenë kurrë

Ti po ik lejlek, po ik

Shtator, 2020


TATUAZHE  KOHE

Kënga  e vërtetë lind në pisk të vapës

Në acar  djersitur nga hallet 

Qoftë edhe veç për sy të zi

Mot me bubullima e njomë  

E rebelon  shtrembërimi 

 Tatuazhe kohe përherë në modë     

Nuk i  laritet furtunës as ndërron udhë

Ujë  që të pikë në ballë 

Këngë që hap krah e krah rrezet Diellit 

                                Gusht, 2020

KARVAN I ZOGJVE

Ikja e lejlekut pikëlloi qiellin

Lëndina  me dhembje qau nën zë 

mjegull e shfaqur në cep të vjeshtës

lotoi shi

karvan i  zogjve qiraxhinj

ec e ec shtigjeve për gjetur ishullin

barkë me ëndrra nëpër dallgë

trokiti në dritare  bregut

brengosur për lirinë në dorën e  synit unt

                                 Auckland, 2020

KY MOT

Sytë e zogut mbytur në lot

piu ujë me grushte në curril

e iku si gjeth peme në vjeshtë 

O Zot

Si erdh ky mot me damkë

Ditën për diell

Shtigjet e qiellit blu u zunë me drurë e gurë

Në kopshtin e nxehtë të luleborave

Kuajt prej akulli në garë

Auckland, 2020


KËNGA IME RRI FSHEHUR

Është korija mbi ahishtë 

Ku kënga ime rri fshehur

E etur për ujë rrënjësh me erë gjethi

Shtigjeve ku Doruntina udhëtoi kaluar

Me  gjokun e bardhë

Korija e drerit me brirë

Që s’bëhej rehat me degët se i zinin udhë

Të lisave me plagë dhembjesh motesh me shi

Dimrat e egër shtegtim zogjsh pa kthim 

                                                 Gusht, 2020

ERË BLIRI

Folëm  e folëm

E hëna në dritare roje

Kaliqafë  mbi  gjethe të palmave 

Me the jam era që pa reshtur fryj 

Jam grurë i pjekur në  korrik

Rreze që ngroh të thash

Xixëllonjë mbrëmjeve të ngjitem në ballë

Si yll ndrin nëpër natë vazhdove

Jam mëngjesi   kur zgjohesh 

Jam këngë vendçe me erën e  blirit

në oborrin e babës plak

                       Gusht, 2020

PSE

Shih vetën dhe mos kërko fajet tjetërkund

Pse zogjtë ikin

Pse muret nuk i kapërcejmë

Së paku këta vetës që ia ngremë

E jetën ta bëjmë jetë

Pse pas shpine shoi - shoqit hedhim gurë 

E gjaku përditë e më shumë

Po na bëhet ujë

Gusht, 2020





E TASHMJA

Kundroj  qiellin  e kthjellët blu 

rërën e verdh përgjatë bregut

shkëlqimin pafund 

Ketë mëngjes  buzë oqeanit

Më lëreni të pushoj mendjen

Rrëzoj muret

Të ndal  imazhet e së kaluarës

Të së ardhmes

Të shoh e jetoj

me të tashmen 

Gusht, 2020


HEJ

Njeriun  nga ugaret tona

Duam 

Që mëkëmb fjalën e shpirtin e rrëzuar

I ngimë me tana pa ylli në ballë

Pa biografi të sforcuar e lavde sejmenësh pa tru

Prindëror, me dije e shpirt njeriu 

Duam

                              Gusht, 2020

Brezi im 

Brezi im për  teh brisku 

I duhej të ecte

Në ditëlindje shkonte me këmishë të huazuar

Dhe të kamur shpirtërisht  ishin

Mëngjeseve nguteshin 

Për të zënë një karrige në bibliotekë

Me frymën e Rilindjes 

Para kohe u  burrëruan 

                    Auckland, 2020 


NËN SUN *

Korijen ta lanë të rënit kristal të dëlirë

Ta mbash nën mbretërinë tënde

Me dorën e drejtësisë

Dushkaja që në gjethim të zuri në tradhti

Lakmisë i hoqe dizgjinin

Shkunde vendin, vjele begatitë

Për dritë të diellit të panë

Që po e mbaje tufën nën sun me brirë

Korrik, 2020

)*sundim

KAM DASHUR 

Të kam dashur  të jesh  pemë  e lulëzuar

Vjeshtë e begatë

Me fytyrë  luledielli

Zog në qiell 

Kam dashur ...

Në Pranverën në  bulëzim

Me dhembjet e dimrit  në trup

Më, 26 tetor ‘99  ika

Në  Tokën  ilire me vite në gurë  mbolla 

Gonxhe 

Të mos mund t’i shlyejë koha e moti i lig  

                              Qershor, 2020


IMAZHI JOT

Rrugëve mbi re ika

Më larg se zogjtë shtegtarë

Imazhi jot  s’më ndahej

Të mora me veti tokë e imja

E dija se në mes kem oqeanet

Dhe drojë kisha mallkimin e hënës

Që e lash në mjegullnajë

Si zog i ndarë nga tufa

Në bregun spërkatur me dallgë

Të njelmëta oqeani

Dimrat pa acar, balada e  fshehur

nëpër gjethe drurësh të panjohurit si mua 

joshin me këngë

                           Qershor,  2020


STINË GRAMOFANIE

 Gramafon i prishur  rrokullis fjalë

Gojën e pistë

Në studio, gazeta,  portale, kuvende...

 për  të trashur kuletën

Mbajnë ison idhujve pa tru

Stinë  gramofanie me fjalë prapa kurrizit

E të ramësh  të ulëta panda

            Maj, 2020

GJITHQYSH

papagaj ngjyrash të ndryshme

kanë pushtuar globin

me sqepin kërrabë

tjerrin të paqena

për të mbajtur vetën gjithqysh në këmbë

në qiellin e lulëkuqeve

secili n’krye n’veti  thur këngë

Maj, 2020


YJET  ABAZHUR N’DRITARE

Kur hëna  shtigjeve të harruara hënizon

e nata e lodhur prej erërave dhembjesh

s’kam gjumë, mbi tavolinë pune digjem

për t’i dhënë dritë emrit tënd 

yjet  abazhur n’dritare

në log betejash vjeshtë e begatë

me këngë lirie

mendimin mpreh në xixa stralli me shpirtin tek ti

e bukura tokë ilire, e bukura

                        Maj, 2020


ARBËRI

Bimë e tokës tënde ARBËRI

nuk duron nëpërkëmbjen

atëherë si u bë kaq gjatë

ëndërruam lirinë

na çmprehu gjak i huaj

dëshirat egoiste tona e moti lakmish

këtej e matanë Drinit

ARBËRI

Maj, 2020




SHPIRT NJERIU

Vezullim, 

i parë mëngjesi

Zjarr,  

që ngroh dimrat

Yll, 

shtigjeve  të dritës 

Blerim,

kodrash e fushash

Hënë, 

mbi kurora drurësh e  bjeshkësh 

Çlirimtar,  

i botës së shtypur

Dorë, 

e shtrirë mbi  ballin me dhembje

Këngë, 

trishtili  n’mal e lejlek  lajmëtar

PËRJETË 

                              Maj, 2020


FATMËDHENJ

Të një fati jemi

Në fillim të gjithçkaje të papërfunduar 

Fatmëdhenj  e qëndrues  në orë të liga   

Gufojmë si qumështi  për gjithçka

Humbim udhë

Shportën plot dëshira vetjake 

E  të uritur në tokën e begatë   

                   Maj, 2020


ISHTE 7 PRILLI 1999

Qenushi  Besi nuk lëshonte udhë

Paralajmëronte  se është në roje

Pragut të shtëpisë Besi

nuk u lodh  në roje, nuk u lodh

Dhe nuk epej 

Ishte  shtatë prilli 1999

dhunshëm na nxorën nga shtëpitë

Besnik i mbet shtëpisë  Besi

I afruan tituj ushtria armike

E donin se ju duhej 

E morën me të mirë, e lutën

Kur panë se  Besi

Nuk korruptohej e ndërsehej

Të  verbuarit me  urrejtje :

 “humbës e në  mjegullnajë”,  thanë,  jemi

           Maj, 2020


UNË E TI

më shumë se për famë

para

bajraktarizëm

kem  nevojë për të vërtetën

rehatinë

ngjyrat e Flamurit

grunore

qiellin e hartën qelibar

librin për bletët

folenë e zogut thurur me këngë 

             Maj, 2020


UJË QË NUK PIHET

Ec edhe ec me shpresë se do vazhdoj drejt

Të ik e nuk ik dot nga vetja

E rrethi me ujë që s’pihet

Por, është parajsë bretkosash që ngrysen e zgjohen me këngë

Ra e s’ra shi argëtojnë mbrëmjet

S’duan të dinë për PANDEMINË

Demat me brirë që as grahen as ngrihen

Bërlyken duke hedhur mjegull mbi shpinë

Prill, 2020


ATDHEU NЁ VALLE

Të rëndon mbi kurriz,

zogori e harbuar.

Drejt, më s´mund të rrish,

lodhur je, lakuar…


Me bojëra në duar,

ngjyejnë, ndërrojnë fytyrën.

Si kameleonët, 

Motit ndërrojnë ngjyrën…


N´emrin tënd, ATDHE,

për kamje, lavdi,

n´Listë hyjnë me djallin,

me dreqin bëjnë dashni…

                          Prill, 2020


TË BARDHËN

Sorrat sqep zhytur deri në gushë

I lexojnë ligjet sipas motit

Bëjnë avokatin

përlloçin

Të bardhën

e nxijnë demokracinë

si është më keq

Prill. 2020


ME ASHT E RRASHTË 2

Dashuro gjuhen e ashtit tënd

Zemrën e zemrës, shpirtit

me ketë gjuhë të njohin, të dinë

Prej nga vjen e kush je

Trashëgimtar  i së kaluarës të shenjtë për ne

shqip me ëmbëlsi nëna të tha:

në këto troje je i pari 

me asht e rrashtë je bir shqiptari

                    Prill, 2020


SOT O KURRË

Secila kohë është   sprovë

thirrje

sot o kurrë

gjetur paqen së pari me veten 

dezinfektuar  grunorët në arat tona

e njomur ëndrrën e të rënëve

sot o kurrë

                          Prill, 2020


MOS  KOPJO VARGJE DASHURIE

Ku nuk bleron fusha e shpërthejnë pemët

mos përmend fjalën pranverë

qiellit të  qytetit ku nuk fluturojnë pëllumbat

e çerdhe dallëndyshet nuk ndërtojnë 

fjalën liri mos e thuaj

ruaje higjienën

mos ngul kunja me secilin 

me të panjerëzishmin

zor të ndërrosh fjalë e ecësh shtegut

drejtë 

për dhembjen kur ke dhembje shkruaj

mos kopjo vargje dashurie

po nuk t’i shkroi zemra

nuk vlejnë

përndryshe

je vetëm notë muzikore  false

që prish melodinë

                 Auckland, 2020



ARMIKU MIKROSKOPIK

në stacione autobusësh  asnjë udhëtar  

aty këtu ndonjë makinë në trafik 

këmbësorë trotuareve asnjë për be

stolave të parkut glasojnë  zogjtë 

shtigjeve nuk ec njeri 

para ushqimoreve  kolona pafund

gojëlidhur në  distancë presin në radhë

karriget restoranteve, bareve  përmbysur

armiku i padukshëm  nënshtroi botën 

dhe  po sprovon: 

solidaritetin

ligësinë

dashurinë  timen, tënden

e luftën e mantel bardhëve ballë për ballë

Prill, 2020


RRËFIM PËR LEJLEKUN 

E doje ligatinën  e njomur me shavar

Që as gushti nuk e thante

Gjëje më e mirë që dëshiroje

Tek peshkoje  në moçal

Erdh  hutini  e nisi këngën ndryshe

thau  ligatinën lejleku im

Tokën e bukës ja  shtruan beton

Të mos  përlloçët  hutini

kur del për xhiro në këmbë

ani se shpirtin  e ka siç e ka

këpucët i do xixë

livadheve  të  zaptuara ngrehen vila 

shtruan asfalt

s’e merrje me mend se parajsën tënde lejlek

për ty e bënë të pabanueshme

e do të  thosha të bënë të mos e harrosh

të bënë të jetosh stinën më të bukur tendën

të mallkosh  (e dija si paren e kuqe) se nuk mundesh 

e nuk ke si të mallkosh shpirtin tënd

i imi lejlek 

                        Prill, 2020


LULËKUQET

Nga deti, toka 

Hordhi të egra gjakatare 

U derdhen gjeografisë sonë

Pa pushuar me mijëra vjet

Me ushta, topa, kuajsh druri 

Për të shuar ndriçimin arbëror

Lulëkuqet frëngji bedenash u bënë 

Njomën të mbjellat që të mos thahen

Tokës shqiponjave pëllëmbë për pëllëmbë

Mars, 2020

 MOT I LIG

retë qumësht të bardha me dritë

buzëqeshje ndryshe sollën

portrete të verdha ranë

në ecje nxorën cunga në udhë

humbën drejtpeshimin

hatërmëdhenjtë në kohë pandemie

si në përralla tona ma

Marsi kërkon Shkurtit ditë hua

Ta ngrijë të vëllain me çka ka

Mars, 2020


DERI NË FUND

Mbetem i njëjtë deri në fund

E asaj që desha 

Të mos e braktis për asnjë çmim

Përçmuar

Buzëqeshjen cinike mujsharit

Dhunën e kafshës së lig

Parë të bukuren

Dashuritë

Gëzimet

Sukseset

E hile  të akullta smirëzinjsh  

                           Mars 2020


U ÇORËN MASKAT

Recitojnë papagajtë në tribunë 

Në kohë  pandemie

Me maska dyfish në fytyrë 

Për të përmbysur shpresën

Kënaq ambiciet

Ballkonet e pallateve zhurmojnë

Psherëtijnë

Protestojnë në Prishtinë

                25 mars 2020 


NJERIU KUKULL

Për një kacidhe pushtet lëpihet

Duartrokit, ushqen e zgjatë jetën të Parit

Që veç bletë të bardha ka eksik

Vetës përulësinë e një kacidhe më shumë

Shtetit brishtësinë

Popullit valixhen në shpinë 

e nënshtrimin pakufi

Mars, 2020



NË RREZE DIELLI

Në mjegullnajë dikur

Shihnim njëri tjetrin në terr

Tani  rreze e Diellit

Na verboi 

Nuk shohim as nuk njohim kënd

                       Mars, 2020


ME RRASHTË E ME ASHT

Dua të mos jem  

Kur të mos jem në gjendje

Me dashtë

Njohur veten, ty

E të jem unë

Me rrashtë e me asht

Krejt qysh jam

             Shkurt, 2020

             

MOTIVE BARDH

Lumenjtë vrapojnë agimeve të blerta

Lënë pas gurrat për të  njomur livadhet në vapë

Për lumenjtë kafshatën e gojës kem nda

Buzë bregut harliset bari në pranverë

Jeta e bardhë   përflakur me diellin zgjuar 

E bardhë me filiza  e bardhë  

Shkurt, 2020


MALL I YLBERTË

Nëntë ditë e nëntë  net larg

Kish shkuar nuse Doruntina

Vetmonte hënë mbi re

Shtigjeve mbi shkrepa nëpër stinë

Zogjtë shtegtarë   iknin e vinin

Në guri të vatrës motra

Shëngjergj për Shëngjergj 

Loti shi sixhim i rrëshqiste

Tek mendonte;

Çka u bë  me nënën

vëllezërit e fjalën e dhënë

               Janar, 2020 


NË KORIJE

Në korije drurëve po u bien gjethet

Nga zhveshja të trembur  ikin zogjtë 

Lejlekët i merakosin hilet e shpendkeqve 

Lulebora ka nxjerr kryet  mbi borë

Qe sa 

Në Korije erërat e bardha në ethe

Janar, 2020


KOT FARE

Mendimin tënd mbaje për veten

Ruaje nga përbaltja 

E mujsharëve mesjetarë të kamur

Mos e thuaj

Edhe kur të thonë se delikti verbal ka vdekur

Mendimi yt kot fare

Po nuk pate pushtet e para

Po nuk e shndërrove në ideal

Që s’rrëzohet me armë e para

Janar, 2020


BOTË QË NUK ISHTE E JONA

Qentë  në shekuj  në dritë të hënës

Na  kafshuan

Vragë  na lanë e na rrudhën tokat

Për dritë të yllit pesë cep 

Bufët e ngrirë  copa   këngën na bënë

Me një  çekiç e drapër në flamur 

Mbollën ag  me parulla e heronj  në bronz 

Nga një frikë e patrajtë

Të gjallët nuk ndjeheshin të gjallë

                                Janar. 2020

SHËNIME BIOGRAFIKE 2

Nëna 

Për dritë të gazishtës   thurte çorap 

Netët pagjumë të saj 

Më mbanin ngrohur  dimrave me acar 

Baba

Shkronjat e ndaluara tinëz kish mësuar 

E librin shqip e kapte me dy duart

Si gjënë më të çmuar

                  Dhjetor, 2019  


MBAHU NËNË


Kurrë loti s’tu ndal

Shqipëria ime

Drita e syrit tim


Dhembjet 

Plagët tuaja 

Më therin deri n'asht


Mbahu o nënë 

Mbahu bre

Se këto orë të liga

Veten kanë për ta vrarë


Tevona  

Si përherë

Me vello nusërie veshur

Ke për ta lozur vallen e jetës

                  Auckland, nëntor 2019


PORTRET ARTISTI

Në atelienë e Van Goghut vjeshtë

I mori ngjyrat stinës dhe me brushë

Bëri  kryevepra arti

Për të gjetur qetësinë e shpirtit vuajti

E për të gjallë  nuk u kuptua

Pas ikjes

Si shportë lulesh të bukura me erë

Qëndron  e s’thahen kurrë

           Nëntor, 2019 


BALADË

Do të kthehem

Aty ku lisat rrënjës bëjnë rojë

Për jetë e mot

Me njerëz e damarit tim

Që amanet lanë

Kënga për flamur të mos ndalet

Aty të prehem edhe unë

Nëntor, 2019


KUSH JAM

Shkarravis  në  letër vargje

Dhe nuk them se jam poet:

“Jam dhembje e dashuri më shumë

I  çiltër dhe i dal mode kaherë”

                      30 tetor 2019

PAFRE

Ende nuk i more këmbët

Dy dekada në liri

Plëngprishësit e barkut  tënd

Mbrapshtë hipur në kuaj

Dorën e keqe  ambiciet  pafre

             Shtator, 2019


DUKE PRITUR

Në pritje mbetëm

Duke pritur

Të ngopen të pangopurit 

Njerizohet njeriu

Gusht, 2019


EVOLUCION SHËMTIE

katandisje tejmë 

asgjë me karar

heronj modern 

zhveshur  vlerash 

gërryejnë gjeografinë globit

nxijnë  shpresat  

e shkelin blerimin Pranverës

               Gusht, 2019

      

GJURMË

Më shpërthejnë përbrenda kujtimet

Në orët kur ishim ngushtë

E ndahej kafshata e gojës

Me këngë zemre foshnja vihej në gjumë

Në djepa ahu lidhur me ushkur kuq e zi

Në balluke varg rruaza të kaltra rojë

kapur me dyllë

Korrik, 2019

                            Korrik, 2019


GJETHIM

Në prehër të burimit  etur

Mashtrimet vijnë nga majat

Shpirtrat zhveshur në qiellin pashpresë

Presin premtimet e ëmbla 

Tupanët bien hidhur

Bastardët  në orët e ngushta

Kërcejnë vallen  e portokalltë

Spektatorët  ju dhurojnë  lule të verdha

Pa rrënjë

Vendi i shqiponjave ende  në gjethim

Korrik, 2019

 

SA SHUMË

Sa shumë luftë u dashka 

Kollën e keqe tonën shëruar

E mund dreqin e shtëpisë

Për të pasur shtetin kristal

Si vetë shpirti i trimave

Që  jetën dhanë

Maj, 2019





ORË HISTORIE

Për ideale lirie e dinjitet,

Aromën që lëshon ky vend.

Vetëmohim e qëndresë.

Si malet sup më sup në bjeshkë,

Ndër dhjeta mijëra po kujtoj tre:


Tek Grykë e Vajës, që lotin s'e thau.

Vit mynxyre, vit zie 1478.

Nëntëdhjetë vajza- zana krutane,

rritur me frymën skënderbegiane 

E ninulla trimërie nënash.

Dorë për dore hidhen në humnerë,

Për të mbrojtur nder!


Tek Kullë e Vraninës,

Në 1862 ditën kur qielli lëngonte në Vraninë. 

Oso Kuka me njëzetekatër shokë,

Hijeve të zeza të malit u bënte ballë.

Kur gjithçka u nxi,

Mos me u robnu’ nën Mal të zi.

Ndezën barotin 

Dhe yje ndritën në Shkodër e në Shqipëri.


Në Prekaz, mars 1998.

Pesëdhjetë e gjashtë Jasharët  rrufe drite.

Para topave serbe nuk u dhanë.

Me armë në dorë i dolën mbrojë shtëpisë

Këngë e qëndresës  ushtoi mal e vërri

Përtej Kosovës, përtej Shqipërisë!

Mars, 2019

TË DUASH

Të duash ditë për ditë

njëzet e katër orë

njëmijë e katërqind e dyzetë minuta

tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind sekonda

në të gjitha ditët e vitit, dekadave

e  jetës

është bash dashuri 

Mars, 2019


ANI SE

(Dr. Idriz Ajetit)

Për të gjallë njerëz teneqe 

tentuan të të blejnë

nuk u shite

me gojën na-a 

në ty rrëzuan gurë 

përball nuk të dolën dot 

se këllqe nuk kishin

edhe pas vdekjes dashuri mëkon

ballë i dijes i gjallë mbete 

Aucklan, shkurt 2019


CEP MË CEP

Që në nisje të jetës.

Cep më cep gjeografisë, 

dashuri, këngë e besë mbollën! 

Motet e vrarë nga lumturi e zogjve

Ilirisë  ju sulen: 

kurthe e kuajsh druri bri rrugëve ngrehen,

për të përgjumur baladat

zhdukur e plaçkitur pergamenë 

Arbënisë! 

Tetor, 2017