Tuesday 2 May 2023

Cikël me poezi “Ç’U BË ME VITET” (të shkruara 2022-2023)


 

Cikël me poezi “Ç’U BË ME VITET”

 

PËR JETËN

Për jetën

Mëso nga ujku që nga kjo jetë nuk pret gjë

Por as nga ajo tjetra përtej jo se jo

Dhe nuk i beson vdekjes

Vjet për vjet dimrave me acar bënë be

Sa të vjen behari

Shtëpinë nga ato më të mirat ka me ndreq

                                    Auckland, 2023

 

ZHVESHUR VLERASH

Politika na tjetërsoi  e rrëmbeu të gjitha

Ku çdo gjë është e tija asgjë e jotja

Jetojmë në  thatësinë e mendimit

Zhveshur vlerash

Grykësisë

E shpirtin shitur djallit 

                    Auckland, 2023

 

DURO E MBAHU

Shi i ftohët vjeshte ngrinë 

Monotoni e trishtim

Dhe era fishkëllen e shkund gjethet

Mos rënko,  po duro e mbahu

-i them vetës

Se dielli sa të zhdavaritë retë  do shkëlqej

Dhe fundja 

Për çdo kënd në jetë 

Ditë me dhembje, shi e vjeshtë do  ketë         

                              Auckland, 2023

ME ËNDRRA MOTESH

Të kam thënë të dua

dhe as bëhet më fjalë

dritare që më mbush me dritë shtëpinë

je ti

frymëmarrje me të njëjtin ritëm

nëpër mot me diell, erëra e  shi

që kur të njoha

sytë më mbetën në sytë tu

barkë që çanë dallgë

drejt ishullit me ëndrra motesh

gjithçka që në jetë më duhej

e gjeta tek ti

                       Auckland, 2023

 

QË KUR U BANA ME DIT

Që kur u bana me dit

Nuk u ndala:

Të hap rrugë diellit me t’ngroh

Me të shkëlqye nuri si në Motin e madh

Arbëni

Ndërtue ura t’çelikta mes brigjeve binjakë

E me të dashtë fort

Arbëni

               Qershor, 2023

 

 

 

SIKUR

Sikur t’i  kisha mbajtur setrën kohës e rrah krahët

Të kisha qeshur ku qeshnin erërat

Gëzohem kur gëzoheshin retë

Jetën do e kisha pasur më të lehtë

Vetëm se  ajo jetë, qoftë edhe me  kamje 

Nuk do të ishte jeta ime

                             Maj, 2023

 

VAZHDO ME DASHTË

Në ditët e flokut tënd të zbardhur  mos numëro vjetet

Rrugëve të kopshtit me trëndafila që ke ngritur vetë, ec

Me njerëz e çiltër të cilët edhe me huqet e veta tallen,  shoqërohu e rri

Mos harxho kohën me gazeta e portale që bëjnë be se janë të pavarura

Sa më larg njerëzve  me ambicie të sëmura 

Mos heq dorë nga ëndrra

Njih vetën dhe dije se në pleqëri me  rëndësi është kënd ke pranë

Vazhdo me dashtë e jetuar ditët e fundit në paqe me veten, njerëzit e ndërgjegjen tënde

Vazhdo me dashtë

                                  Maj,  2023

FLAMUR BEDENASH

Flamur i lindur bedenave kalash

Qindra vjet i vjetër

Me ty festohen lindjet

Me Ty në beteja

Në arka nusesh  ruajtur

Tatuazh në gjoks ademash

Nuk të mposhten shekujt

Jo më qamilet e rrjedhur

Flamur i lindur bedenave kalash

Qindra  vjet i vjetër

                             Auckland, 2023

 

SHTETI YT

Jam ADN e tokës së lashtë

Njerëzve inatçinj që vetëm moti me shira të akullt i bënë bashkë

Lënë amanet pushkën

Për të ruajtur fytyrën

Nderin e ngushtësinë e vet

Pa dit se SHTETI yt

Është fytyra e nderi

Dinjiteti

Begatia

Kombi

Gjuha

E gjithçka

            Shkurt, 2023

Ç’ U BË ME VITET

Përkulur në cep të oxhakut

Flokësh zbardhur përpush të kaluarën

Pranë zjarrit bubulak mërdhinë

Çdo gjë e akullt

Gjaku më s'i vlon

Me bastun i bie dyshemesë

Ç’u bë me vitet

Sa çel e mbyll sytë shkuan

                        Shkurt, 2021

 

MALL

Nga malli bëhem me krah

Këput i bie oqeanit

Si re e bardhë

Zbres te shtëpi e vjetër

Me aromë malli dehës

Deng me kujtime

Natë për natë

     Auckland, 5 shkurt 2023

 

 

 

.LULET N’XHAM

 

Në kopsht bëra një ngrehin rrethuar me xham

Për të rritur lule

Përditë ato i shihja të mërzitura shumë

Ashtu të ngujuara n’xham

Lulet  mendova

Duan shkëlqimin e diellit

Borën kur e shkrin

Erën tek shkund lehtë polenin

Bletët mbi kurore të luleve

Për të thithur nektar

Orë e çast t’ju vinë 

                                  Shkurt, 2023

SI BORË PRANVERE

Si borë pranvere faqe malit rrëshqitën vjetët

Shtegun ku ecja mëngjeseve e ka mbuluar bari

Librat gjithnjë e më rrallë i hap

Dioptri e syzeve s’më mjafton

Trupi im sa një grusht ka mbetur

 Janar, 2023

 

SYTË SI DY LIQENE  BINJAKË

Mbrëmë të ëndërrova

Erdhe me flokët duj*

Vetullat terr  të zeza

Sytë si dy liqene binjakë

  qiell më i ndritshmi yll

Në mëngjes më zgjove 

Zhgjëndërr:

 “Eja  të pimë kafen bashkë”!

E mira ime

Me sytë si dy liqene binjakë

               Janar, 2023

*duaj

 

ME DRITA TRËNDAFILASH

 

Mos pretendo se i di të gjitha

Nuk i di

Të gjitha nuk mund t’i kesh

Lufto për gjërat që do

Fol sa të dëgjohesh thellësive të largëta

Hap shtigje në kopsht me drita trëndafilash

Që të mbushin mushkërinë në ditët e pleqërisë

Ngre në këngë ëndrrën e shpirtit

Dhe lëri pas

Agimet me pëllumba e të djeshmen tënde të bardhë

Dhjetori 2022

TË PAËNDRRA

“Paske  shtëpinë me të gjitha, i thanë:

Pamje kah deti

Ballkone

Shtretërit e butë në dhoma gjumi “

“Vërtet të butë, por  nuk më përmbushin e rehatojnë

Janë  TË PAËNDRRA

Ëndrrat, rehatia më mbeten te shtëpi e vjetër

Pa llambadarë e  ballkone”, u tha.

                                Dhjetor, 2022

 

 

 

ME TY

 

Në stinën  e vonë  me fat jam

Që të kam pranë

E mban mend

Një vjeshtë pa borë e acar

U martuam  

Gati gjysmë shekulli u bënë

Kohet  që erdhën pastaj përfshi edhe dimrat

Me ty ishin  pranverë

                            Auckland, nëntor 2022

 

ME BASTUN MBAJ HAPIN


Më iku koha kur fluturoja si pupël në erë

Dhe mëngjesi më buzëqeshte

Vjetet si gjethet shpejt ranë

Me bastun mbaj hapin

Këmbët vetë nuk më mbajnë

Tani në vjeshtë çdo gjë u zverdh

Edhe bryma e brishtë mbi bar

Krahët më mërdhinë

Në vjeshtë çdo gjë u zverdh

                         Auckland, 2022

 

 

NË SPITAL

Në spital po rri pa mundur t’ju përgjigjem

Në letrat e familjarëve, shokëve ...

E marr me mend

Se në postën elektronike janë mbledhur shumë

Në to  pa i hapur  lexoj 

se  kur do ik, do thonë:

“I  deshi njerëzit njerëz

Dhe me shkarravinat e tija

Mbolli shpresë”!

                   Auckland   Hospital,  13 nëntor 2022

 

EGOT PËR PUSHTET

Gjuajnë minj të uritur për lavde

i kashaisin mirë e mirë

ua njomin gushën

i verbojnë për tua rritur vasalitetin

lëmojnë shpinën

ngrehin rrejta merimangash gjithandej

për të zënë miza llapaqene që ju duhen

qoftë edhe me dreqin e zi bashkë

Prill, 2020

 

HEROI YNË

S-ogjetar gjeografisë arbërore

K-ohët e mbajnë mend mirë

Ë-ndërr dritëjete ardhja Tij

N-dër beteja kalitur e rritur

D-orën tokës atërore i dha

E-rdhi kaluar me një ferman në xhep

R-a trup udhëve të Arbënisë

B-esën kish dhënë ta rikthej Shqipërinë

E-vropa e bota në bronz gjeneralin derdhen

U-shtar lirie i përjetshëm anë e kënd

                 Auckland, 2018

PS: Dy poezitë fundit si më lart “Egot për pushtet” dhe “Heroi ynë”  nuk figurojnë në librat e botuara me poezi, prandaj i futa në grupin e poezive të reja  (pabotuara)


 

FOL TË DËGJOHESH

Në rrugën tënde të zgjedhur vazhdo

Mos u ndal në lehjet e qenve

Jeto me bukuritë e mëngjesit

Fol të dëgjohesh thellësive të pllajës

Me ngjyrat e qiellit tënd ngjyros kopshtin

Dhe ëndrrat e shpirtit

Në gurrë rrënjësh fresko mendjen

Merr me njërën dorë fitimet tua me djersë

Se dorën tjetër e ke për të dhënë

E la borxh

                                     Tetor, 2022

 

ME AROMË MENGJESI

 

(Ramadan Musliut)

Fjalën fjalë kishe

Me germa ugaresh tona

Cep më cep Arbënisë

Ngrite ura e shtrove rrugë

Në vlugun e punës ike

Kishe edhe shumë për të thënë

Prehu në kaltërsinë e qiellit

E erërave të drita kristal

Se na le vepra me aromë mëngjesi

Që ngrohin në acar dimrash

Dhe freskojnë në vapë vere

Dardaninë

4 tetor 2022

Shifra; “Fjala”

 

NË KETË MOT RRESHTIMESH

 

Koha është t’i lëmë inatet

Ngrohim rrënjët agimeve

Hapim shtegun ditës së bardhë

Mëkëmbin frymën e lulëkuqeve me vepra

Dhe ëndrrën e vjetër nëpër kohë

T’i shembim muret mes nesh

T’i shembim

Në ketë mot rreshtimesh

E plasaritjesh të lëkurës së globit

Anë e mbanë

Auckland, 2022

 

 

RRUGËVE KALLKAN

Në pllajën e lodhur nga ikjet

Stinët u bënë vjeshtë

Përditë fluturojnë zogjtë

Përditë thonë: “Lamtumirë o, vend”!

Qiellit përplasin krahët shtalp

Rrugëve kallkan

Me këngën: ” Si të lash e si të lash!”

Auckland, 11. 07. 2022

 

NGJYRA YLBERI

Ec bregut Paqësorit

I shoqëruar me stërkala të imta të dallgës

Që në rrezet e bardha të diellit

Bëhen ngjyra ylberi

Poshtë syprinës së detit hija ime e copëzuar

Hija,  se trupin e mendjen

E kam rrugicave  ku hodha hapat e parë

Qershor, 2022

 

COPA KUJTIMESH

Iku kohë kur takoheshim  mbrëmjeve në korzo

Mëngjeset tek dilnim  për gazetën

Dhe para teatrit në Prishtinë

Për të parë tituj librash të rinj

Repertorin e shfaqjeve

Ditëlindjet festonim në shtëpi  

Mes nesh nuk kishim mure as parti

Sot copa kujtimesh na mbeti ajo kohë

U rritëm, u ndamë

Sa atdheu u bë i vogël për ëndrrat tona 

Dhe bota  e vogël  gjithashtu

                                    Prill, 2022

ERDHËN E VIJNË

Lejlekët e livadheve të Dardanisë

Në stinët me acar

Njomën sofrat luleborave

E hapen korridore qiellit e malit me trëndafila

Kuq e zi

Lejlekët e livadheve të Dardanisë

Erdhën e vijnë

me mallin edhe për gurët e sokakut

që nuk shuhet kurrë

               Auckland, 8 shkurt 2024