Wednesday 18 June 2014

Dushkaja



Atë paradite, Cel Bregun e rrëmbeu përbrenda dëshira për t’i dhënë jetë peizazhit të projektuar që moti në kokë. Mori me ngut penelin, ngjyrat, pëlhurën dhe u nis te Dushkaja, një korije ahu e bungu, me roga të vogla e të mëdha, me ujë të ftohtë, natyrë të mrekullueshme, që ndodhej 4 km. larg në juglindje të katundit. Me trastën në krah, doli te Hani i Vjetër, ktheu në anën e djathtë, kaloi përroin dhe sakaq u gjend te Humsat. Rrugica, që e kishte shkelur kushedi sa herë, i ngjalli kujtime të rinisë së hershme. Me ngrohtësinë e kujtimeve të së kaluarës, këngën e gjinkallave, vazhdoi ecjen në drejtim të kundërt të një vije uji gurgullues, pa e ngritur kokën fare, kur të qeshura të dalldisura të një çifti ia ndërprenë kujtimet e ëmbla. Çoi kokën dhe me të parën i kapi syri, pak përtej Ograjës së Mirë, një burrë të veshur me triko ngjyrë kafe dhe një femër me fund të gjerë e të gjatë, këpucë të zeza me qafë, me këmishë të bardhë të zgafulluar në grykë, të cilët shkonin revan duke shikuar herë pas here në drejtim të zabelit nga dolën. Këtej s’ka as rrugë, as rrugicë, dyshoi. Mashkulli e femra azdisur zbritën rrahut teposhtë deri te Vneshtat, hipën në xhipin që i priste me dyer hapur, skaj rrugës dhe i përlau dreqi drejt qytezës, duke lënë pluhur pas. I njohu: Ai ishte rojë në zyrat e Sekretariatit të Mbrojtjes Popullore të qytezës,
Pikturat: nga  Abdyl Abdyli
kurse ajo infermiere në ambulancën e katundit T. Celi qëndroi edhe për disa sekonda në pozitë të vrojtuesit përballë një ledhi, kur hundët iu zunë nga një erë e dushkut të djegur. Ktheu kokën. Jo larg tij, pa një tym të zi, që shkonte thikë përpjetë, i patrazuar nga erërat. Dielli rrezeartë shkëlqente në qiellin e paskajshëm blu të thellë. Vetëm në jugperëndim, kreshtës së Maleve të Zeza, një re stërmadhe e bardhë si bora, lëvizte rëndë e me përtesë drejt maleve simotra të Sharrit. Një zog mali çirrej me të madhe dhe dukej sikur kërkonte ndihmë. Zëri vajtues i trishtilit ia rrëqethi trupin. Shpejtoi hapin drejt vendit të përfshirë nga flaka. Shkopsiti këmishën edhe për një pullë. Shikoi anash, por s’pa njeri. Nxitimthi, me duar e këmbë u vu në shuarjen e zjarrit. Tamam e shuante në njërën anë flakën, ajo përhapej në tjetrën. Kacafytja me stihinë vazhdoi deri në orët e vona të pasdrekes. I lodhur u mbështet në trup të një ahu të zgavërt. Puhiza e lehtë e parambrëmjes iu duk sikur një grimë e pushoi. Nën tymin e cigares shikonte peizazhin e buzëmbrëmjes derisa dielli ulej në perëndim, duke dhënë ngjyra magjike. Këtë imazh e kishte përfytyruar... “Pah, çfarë bukurie e madhërishme! – mendoi i ngazëllyer. Dreqi ta hajë, ma dogji kohën zjarri!” Ptu – pështyu drejt vendit të shkrumbuar, pa veten të pudrosur me blozë dhe u këputi një sharje zjarrvënësve. Kur u sigurua se s’ka asnjë shkëndijë, që do ta rihapte zjarrin, u ngrit, por që në hapin e parë ndjeu dhembje e të therura në shputat e këmbëve. Më tepër zvarritur sesa në këmbë, u kthye në shtëpi. Për të mos shqetësuar familjen, hajdutçe u fut në banjë, shpëlau duart e përcëlluara, fytyrën e gërvishtur, nxori nga sirtari fashat e sterilizuara, pastroi plagët me alkool dhe si doli në sallon, pa ndjenja u përplas në divan. Pas një kohe gruaja e merakosur iu afrua qetë-qetë me tabakë në dorë: “Mjaft, pushove. Merre, çaj kamomili, të bën mirë. - i tha me zë të ulët,”. Celi, mori gotën dhe duke parë shqetësimin e saj, pyeti ashtu kot: “I nxehtë është?” U çua përgjysmë nga divani, përkuli qafën djathtas e majtas, vrau fytyrën me një qeshje të lehtë dhe duke rrufitur çajin i tregoi së shoqes ndodhitë e ditës fije e për pe. “Ç’paska hequr” - mendoi e shoqja. U kthye te lavapjata dhe derisa po i rregullonte enët e lara në dollap, e porositi: “Po deshe, shko, shtratin e ke gati”. Me gjithë lodhjen e tepërt gjatë ditës, Celi u përpëlit me orë të tëra derisa e zuri gjumi.
Të nesërmen, me natë, forca të mëdha policësh republikanë e federativë e rrethuan shtëpinë e Bregasve. Me shqelma i shqyen dyert, u futën brenda shtazërisht. Me të çjerra kërcënuese, sharje (shanin Zot e Diell), nisën bastisjen, duke përmbysur e thyer raftet, vitrinat... duke sekuestruar libra, dokumente, piktura, tablo... Ndërkaq, dy udbashë, Celin e mbështetën për muri duke ia mbajtur revolen në kokë dhe në kupë të qiellit thirrën: “Mos lëviz! Në emër të popullit je i arrestuar! Hë, prapë ti – ndërhyri me cinizëm paksa më qetë udbashi me xhaketë lëkure të zezë - s’të mbushën mend dy vjet burg! Tani nuk të shpëton as Zoti. Kemi prova se e ke dhunuar te Vneshtat infermieren N., i ke vënë zjarrin Dushkajës. Ec, përpara!” – ia vunë prangat dhe e shtynë drejt xhipit, xhipit që Celi e kishte parë, jo më larg se në pasdreken e një nate më parë.
 Sabit Abdyli

No comments:

Post a Comment