Wednesday 29 April 2015

TRE VJET RRUGË DERI NË ZELANDË TË RE



Petrit Alliu hyn në radhën e mërgimtarëve të parë shqiptarë, të ardhur në Zelandën e Re, që në vitin 1951. Njohës i shumë gjuhëve të huaja: anglisht, turqisht, italisht, intelektual e sportist, me shumë sukses ka luajtur volejboll për ekipin e parë të Tiranës /1947-1948, më vonë edhe për shkollën amerikane “Robert College” 1948-1951/, kurse në qytetin e Aucklandit top këmbe /1952-1954/. Ka të kryer gjimnazin në Tiranë, shkollën amerikane “Robert College” në Stamboll. Sot edhe pse i shtyrë në moshë, gëzon shëndet të mirë. Është i martuar. Ka një djalë e dy vajza: djali, Kerimi, infermier, jeton në Sydney /Australi/, vajza Jasmina, arkitekte, jeton në Adelaide /Australi/ dhe Shpresa, kontabiliste, jeton në Zelandë. Djali, Kerimi për ta plotësuar zbrazëtirën, boshllëkun që e ndjente për Shqipërinë, me emër e mbiemër të falsifikuar, anëtarësohet në parti majtiste, në Londër. Në vitin 1985 shkon në Shqipëri, por ai nuk ka mundur t’i vizitonte xhaxhallarët, nënëloken, shtëpinë, në Tiranë, për të cilët i kish folur i ati me aq mall, sa e sa herë. 
“Unë, në prill të vitit 1992, me të zbritur nga avioni, në aeroportin e Rinasit, pas 44 vjetëve, e putha tokën nënë, u çmalla, u kënaqa me familjarët, miqtë, shokët, por edhe u mërzita kur pashë Shqipërinë më keq se që e kisha lënë në vitin 1948” – na tha Petrit Alliu, me një shqipe të rrjedhshme, derisa po pinim kafe në shtëpinë e xha Zenelit. 
“Në shtator 1948, vazhdoi z. Alliu, e kreva liceun në Tiranë. Mua dhe shokëve të gjeneratës po atë vit na ndanë bursa për të vazhduar shkollimin jashtë shtetit. Mua bursa m’u nda pak më vonë se të tjerëve. Pushteti nuk na shihte me sy të mirë neve që ishim me prejardhje nga familjet me mirëqenie të mirë ekonomike. Po atë vit, na nisin me vaporin rumun “Transilvania” për në Stamboll, për të dalë pastaj në Detin e Zi përmes grykës së Bosforit. Duhej të shkonim rrotull ngase marrëdhëniet me Jugosllavin qenë prishur. Në vapor ishim 400 të rinj, që shkonim për të vazhduar shkollimin në shtetet e kampit socialist, si: Çekosllovaki, Rumani, Poloni, Rusi, Hungari. Lundronim natën. 
Me të arritur në Stamboll u hodhëm nga pjesa e prapme e vaporit në det, bashkë me një shokun tim nga Tirana, Skënder Muka e quanin, kështu ishim marrë vesh fshehtas në kuvertën e vaporit. Natën, dritat e qytetit reflektoheshin në sipërfaqen e ujit dhe kishim bindjen se jemi krejt afër, bile më dukej se dritat mund t’i prekja me dorë. “Drejt dritave... Jepi!” – më tha Skënderi, që ishte më i fuqishëm, notar më i mirë se unë. Në terrin e asaj nate, u ndamë me Skënderin... Medet! Kurrë më, nuk e pashë. Duke notuar e vëreja se dritat ishin tepër larg, kurse unë gjithnjë e më shumë ndjeja lodhje. U ktheva në shpinë dhe me lëvizje të ngadalta të këmbëve e duarve arrija të qëndroja në sipërfaqen e ujit. Me shpresa të humbura, fillova të bërtisja me atë pak zë që më kish mbetur për ndihmë, shqip e italisht. Dhe mrekullia ndodhi. Dy peshkatarë turq me barkë, më kapën për krahësh... 
Petrit Alliu me autorin e artikullit
Pas hetimeve të policisë turke se kush jam, prej nga vij, m’u pranua statusi i refugjatit. Me ndihmën e Organizatës për refugjatë u regjistrova në shkollën e njohur amerikane “Robert College” në Stamboll. Kolegjin e kreva më 1951. Aty mësova gjuhën angleze dhe turke. Po atë vit /1951/ u njoha me Mazhar Krasniqin. Me Mazharin vendosëm që edhe ne t’u bashkëngjiteshim refugjatëve, në mesin e të cilëve përveç shqiptarëve kishte edhe bullgarë, grekë, rumunë e të tjerë që bëheshin gati për në Zelandë të Re. Me vaporin “Goja” pas 35 ditësh lundrimi, më 1 maj 1951, mbërrimë në Wellington, kryeqytetin e Zelandës së Re. Prej aty me tren na çuan në kampin “Pahiatua”. Në kamp për 6 javë punova si mësimdhënës. Refugjatëve, jo vetëm shqiptarëve, por edhe turqve, bullgarëve, rumunëve etj. ua mësoja gjuhën angleze. Në pjesën e dytë të muajit qershor na shpërndanë gjithandej Zelandës jugore. Pas një viti, unë, Mazhar Krasniqi, Shaban Kryeziu, Shaqir Seferi, Fadil Kasteli etj. u vendosëm në Auckland. Më duhet t’ju them se ne shqiptarët fituam shumë shpejt simpatinë e vendësve, si njerëz punëtorë, të përgjegjshëm e sportistë të mirë. Unë me Fadilin kemi luajtur futboll /1952 –1954/ me shumë sukses në ekipin “Grey Lynn Comrades”, në ligën e parë. Jetonim me mall e me  shpresë se një ditë do të kthehemi. Me punë që të gjithë kishim krijuar kushte për jetë normale. Ne, për shqiptarët e kam fjalën, nuk kalonte java pa u takuar. Kështu arritëm ta mbanim gjallë frymën shqiptare. Formuam Lidhjen e Qytetarëve Shqiptarë në Zelandë të Re dhe kurdoherë kryetari i Lidhjes, Mazhar Krasniqi e kishte mbështetjen tonë. Diku pas vitit 1970, këtu në Zelandë u mbajt një tubim i të kuqve partive marksiste-leniniste/. Erdhën përfaqësues të partive komuniste nga e gjithë bota, në mesin e tyre edhe dy shqiptarë, përfaqësues të PPSH. Me iniciativën e Komuniteti shqiptar, kryetarit të saj, z. Krasniqi u organizua një demonstratë kundër tubimit të të kuqve. Protesta bëri jehonë të madhe. Mediat e këtushme: si ato elektronike ashtu edhe ato të shkruara /gazetat/ i dhanë publicitet të madh. 
Kur erdhëm /1951/ në këtë Ishull të largët, gjetëm një femër shqiptare, e ardhur para nesh në Zelandë. Dikush prej nesh ka kontaktuar me të. Dimë se ishte e ardhura nga Egjipti dhe e fliste mirë gjuhën shqipe. Ku gjendet, çka u bë me të, nuk kam informata. Malli i atdheut është i madh. Këtë mall edhe ju tani po e ndieni, por sot e kemi më lehtë. Komunikojmë me telefon sa herë të na teket, informohemi rregullisht, rrugën drejt Shqipërisë e kemi të hapur. Atëherë, kur shkruaja letër, nuk shkruaja gjë, e dija se letrat lexoheshin prej njerëzve të sigurimit, po shkrove më shumë se “jam mirë...” ajo nuk arrinte kurrë për ku e ke adresuar. Desha t’ju them edhe këtë, kur u kthye djali, Kerimi nga Nga libri "Bijtë e shqipes në tokën e reve të bardha", Auckalnd, 2010, Sabit Abdyli