Monday 23 June 2014

Nga libri ditar “Ankthi i Pranverës ‘99”, Prishtinë, 2004, S. Abdyli - Fshati Smirë


Më 5 prill, rreth orës 9.00, me forca të mëdha ushtarake e paraushtarake u sulmua fshati Smirë. Që në orët e para të mëngjesit  fshati ishte rrethuar  nga makineria e rëndë luftarake serbe. Fshati ishte stërngarkuar edhe me popullsi të fshatrave tjera.  Sipas skenarit, tani më të njohur serbë, u bë granatimi  i fshatit. Njësitë speciale serbe  pastaj u futën në fshat,  duke shti me armë të rënda zjarri për të krijuar panik te popullsia. Popullsia e fshatit, e frikësuar nga banditët e maskuar, të armatosur edhe me armë të ftohta, sëpata e thika (shumica prej tyre ishin  serbë lokalë), morën  arratinë. Në dalje të fshatit, në anën jugore, forca tjera ushtarake serbe u dalin të përndjekurve në pritë. Popullsia civile, tani më ishte në mes tytave të ushtarakëve (nga ana jugore)  dhe thikave të paramilitarëve serbë (nga ana veriore). U krijua një tollovi e paparë. Nga të gjitha anët dëgjoheshin krisma automatikësh. Pati tentime për rezistencë, por një gjë e tillë në rrethanat e krijuara, nuk ishte e mundur. Serbët e shfrytëzuan braktisjen e shtëpive dhe në mënyrë të rrufeshme hynë në to, plaçkitën gjitha çka me vlerë. Të njëjtën ditë, popullsinë e zhvendosur e kthejnë me dhunë në fshat. Gjatë ditës u vranë : Ylvi Kemajl Demiri 25 vjeç, Mirali Ymri Sejdiu 26 vjeç, Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç dhe Skënder Saqip Salihu, kurse Ramadan Kadri Berati 40 vjeç u rrah  për vdekje nga paramilitarët, me 15 prill kur u zhvendosën smirasit për herë të dytë. Edhe me datën 15 prill, por edhe më parë në radhët e forcave serbe smirasit kanë njohur serbët lokalë (fqinjët e tyre): Zhivko Jokiqin (nga Goshica), Nenadin (polic nga Kllokoti), Bozhidar Stojanoviq (nga Vitia), Predrag Vukashinoviq (nga Kabashi),  Agim Ajet (romë-cigan nga Vitia) etj.  Zylfi Sadri Agushi,  është vrarë më 12 prill. Kufoma e tij është gjetur pas një viti, 2 kilometra larg Kabashit Smirasit, përkundër dhunës së ushtruar dhe stacionimit të ushtrisë në fshat, pjesa më e madhe e tyre, qëndruan në shtëpitë e tyre. Ushtria serbe u soll brutalisht me ta. Forcat serbe hynin nëpër shtëpia dhe i maltretonin, me një sadizëm të paparë, duke ju hedhur edhe ujë të valë grave dhe fëmijëve. Për plaçkitje, të mos flasim.. Pas nënshkrimit  të kapitullimit (9 qershor ’99) serbët, duke u tërhequr nga fshati, keqtrajtuan, rrahën, demoluan, plaçkitën, shtinë me armë  duke shpreh mllefin edhe për një luftë të humbur. Smirasit dolën nga lufta  me gjashtë bashkëvendës të vrarë, me shumë  të rrahur, dhe të dëmtuar materialisht me miliona DM.
PS..
*Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Nexhmedin  Etemi.

No comments:

Post a Comment