Saturday 17 February 2018

SA TA HEQIM QAFET OKUPATORIN


Po afrohet dita kur Dardania shënon  10 vjet të rritës së saj. Dhjetë vjet shtet që i paraprijnë  shekuj sakrifica, vuajtjesh, terror, luftë e qëndresë për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën banorë të së cilës ishim  që kur mbiu lisi e nisi jeta. Sa shumë e pritëm lirinë e munguar dhe tani kur do të duhej të vazhdojmë me punë, ndërtime e arritje na dehu fitorja dhe nuk jemi në krye të detyrave e punës për të bërë shtetin sipas dëshirave të shqiptarëve e atyre që dhanë jetën, vuajtën nëpër burgje me të poshtra të armikut, u internuan e u nxorën dhunshëm nga  shtëpitë denbabaden të tyre, ikën e  u shpërndan gjithandej botës. Të bërit shtet   është luftë po aq e madhe sa ajo për çlirim, bile do të thosha luftë edhe më delikate, më e përgjegjshme, një si ecje për teh të shpatës. Që në ditët e para të pasluftës na kapi një plogështi e një zotnillëk me bindjen se e çliruam vendin dhe tash mund te flemë zbathur.  Plogështia e mosbesimi u përhap   te i madh e i vogël edhe për fajin e atyre në krye të shtetit që nuk bënë më shumë. Pritjet ishin më të mëdha e më të shpejta se ato që u   arritën. Në këto rrethana mossuksesi demoralizimi është i pashmangshëm. Entuziazmi në qershor të vitit 1999 se e çliruam vendin dhe turravrap, o njerëz drejt Dardanisë pas disa vjetëve nisi të ndodh e kundërta; "Ikim o njerëz se s'ka perspektivë këtu". Ikjet si të porositura nga armiqtë  tanë po vazhdojnë.    Para se të bëhet shumë vonë,  vonë u bë që moti, të kthjellim mendjen e ngremë  digë betoni të këqijave për të mirën tonë, për të mirën e brezave dhe çuarjen në vend të beve; "në tokë e në qiell, në gjak e flamur, në Zot e komb", kur ishim nën okupim: "Vetëm sa ta heqim qafet okupatorin se do ta bëjmë shtetin komfor shteteve të përparuara"! 
S. A

Sunday 4 February 2018

TAKIM I PËRZEMËRT ME KONSULLIN E NDERIT TË SHQIPËRISË NË ZELANDËN E RE


Dr. Tane taylor
Në mbrëmjen e 3 shkurtit 2018 unë me gruan ishim në darkë në shtëpinë e Agimit e Fluturës, ku ishin të ftuar edhe Dr. Tane Taylor i lindur në Zelandën e Re, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Zelandën e Re me të shoqen  Loreta Leka shqiptare nga Tirana. Gjithë mbrëmjen e kaluam në bisedim të përzemërt e të këndshëm për të tashmen e të kaluarën, shkollën, edukatën e familjen, problemet e kohës etj.   Dr.Tane Taylor diku mbi moshën 50 vjeçe i mbajtur mirë, shtatë lart dhe me gjitha  tiparet e karakterin e burrave më të mirë të popullit autokton në Zelandën e Re më fascinoi me shqipen e tij të rrjedhshme, njohjet me themel  të gjithçkaje që ka të bëj me shqiptarët dhe humorin e shëndosh. Po aq e përzemërt dhe e dashur ishte edhe bashkëshortja e tij Loreta, mësuese me profesion.  "Babai im, nisi rrëfimin Tane, si adhurues i  komunizmit bashkë me  familjen (në vitin 1967) u mirëpritëm në Shqipëri. Shkuam  për dy-tri vjet e mbetëm me dekada. Si fëmijë shpejt u ambientova me mjedisin e ri, shpejt mësova gjuhën, lojërat etj.. Atje kreva, shkollën fillore, të mesmen, fakultetin e  mjekësisë dhe specializova. Pas martesës me Loreten dhe ardhjes në jetë të gocës së madhe kërkova të kthehem në Zelandën e Re. Pas shumë peripecive arrita  të marr lejen për Loretën sepse sipas ligjeve në fuqi Loreta duhej të hiqte shtetësinë shqiptare përpara se ti jepej leje për tu larguar nga Shqipëria. Në ambasadën italiane në Tiranë morëm një  dokument udhëtimi deri në Romë dhe sa mbërrimë në kryeqytetin italian në ambasadën e Zelandës së Re  na lëshuan dokumente udhëtimi për gruan e të bijën. Në vitin 1987 në qytetin metropol të Auckland-it filluam jetën nga e para. Dhashë provimet  plotësuese  dhe fillova punën në profesionin për të cilin isha përgatitur. Kemi tri goca  dhe bëjmë  jetë komfort standardeve të kohës.  Jam mirënjohës Shqipërisë, vazhdoi gjithë qejf  Dr. Tane, për këto që kam arritur në jetë. Nga Tirana kam kujtime të bukura, atje  kalova kohën më impresive të jetës, atje  shkoj sa herë kam mundësi. Që nga viti 2014 jam konsull nderi i Shqipërisë në Zelandën e Re dhe bëj gjithçka që është e mundur për prosperitetin e lidhjet sa më të afërta të dy popujve aq të dashur për mua, shqiptarëve e zelandezëve. Ndihem i detyruar ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar se falë eksperiencës se fituar në Shqipëri  arrita  sukseset dhe statusin që  gëzoj sot"- përfundoi ai. Në fund më duhet të përmend angazhimet dhe punën e madhe e të suksesshme të dr. Tane gjatë dhjetë vjetëve të fundit në  aplikimin e standardeve cilësore në fushën  e mjekësisë parësore në Shqipëri.  
Sabit Abdyli