Sunday 20 July 2014

AFORIZMA (Nga libri "Letra, Anekdota, Aforizma ..", Gjilan, 2013, Sabit Abdyli)



Provinciali thirret në krejt gjeografinë e historinë e bashkëkombësve të tij, por me shpirt e dije është në nivel të mëhallës e provincës prej nga vjen, i ngushtë dhe i kufizuar për gjithçka.

Sa të trasha i kem maskat tregon proverbi: Me njohtë mirë tjetrin duhesh së pari ta kesh hangër nji thes krypë me te. Ta njohësh mirë shqiptarin s'ka nevojë ta hash një thes kripë me te, jepi pushtet dhe e sheh kush është.

Krijuesi mediokër kur flet për kolegët e tij krijues, për të mbetur vetë i madh, lavdëron e përmend vetëm ata që janë më poshtë se ai.

 Njerëzit me ambicie të sëmurë për të qenë i madh (i parë) edhe kur mbërrijnë të bëhen të kamur, në shpirt mbetën të varfër, xheloz, arrogant e agresiv sidomos me miqtë që ja kalojnë me dije e autoritet, kurse me njerëz prej të cilëve i varet ekonomia (biznesi) vazhdojnë t'ju vardisen e bëjnë temena.  

Parullat edhe kur thuhen e shkruhen haptas kujdes nga to se prapa tyre fshihen pisllëqet nga më të poshtrat.

Brenda një cikli me poezi mjafton dy-tri prej tyre të jenë pak më shumë se të mira dhe cikli është i mirë, ashtu siç është e mirë poezia që brenda saj, ka qoftë edhe një fjalë (varg) të qëlluar.

 Historinë po nuk e shkrove vetë, të tjerët  ta dredhojnë sipas qejfit e interesit të tyre. Duke shkruar historitë e vogla (familjes, mëhallës, fshatit, qytetit etj.), kuptohet  me dëshmi e fakte, shkruajmë (kompletojmë) historinë tonë të madhe.

PA ARSYE
Në tel. i them djalit pse nuk je paraqit, u bam merak, ku mbete?  I rritur jam, o babë, nuk humbi ...dhe   për dy -tri ditë që nuk paraqitem s'keni pse të baheni merak ashtu pa arsye!  Hee, kështu jemi ne prindërit, i thash, bahemi merak edhe pa arsye.

Në pushtet zakonisht vijnë njerëz, që dinë të dredhin e zhdredhin, manipulojnë, shtyhen me bërryla,  njerëz teneqe, pojo, jopo.  

As shekujt, as okupatorët nuk patën sukses në zhbërjen e qenies shqiptare, tamam kur mendonin ata se mbaruam, ndodhte ringjallja. Në gjene tona kemi një gjen mbrojtës si asnjë popull tjetër.
Lidhja më e qëndrueshme mes njerëzve është interesi.

Prodhim kohe: Kanë tituj, po s'kanë vepra!

Gjetja shkak e gabime për ta ndëshkuar tjetrin (zgjatur veshin fëmijëve),  ne shqiptarët i kemi edhe te lojërat e fëmijëve. Ju kujtohet ajo pyetja provokuese e të rriturve për fëmijët:   "Çfarë uji  i ke dhanë gomarit, të nxehtë apo të ftohtë?

  Pa hy shtigjeve të panjohura nuk mund t'i njohësh ato.

Po shkrove për ndonjë vepër të vogël (vepra të mëdha nuk kanë) të rastësishme të mirë të njerëzve me mentalitet mediokër duhesh ta rritësh e bësh më strateg se Skënderbeun, më të përkushtuar për të drejtat e njeriut se Nelson Mandela, më humane se Gonxhe Bojaxhiun etj, po e le më të vogël se të përmendurit, nuk i pëlqen atij.

S'ka nder më të madh për mërgimtarin sa ta dëgjosh kur flet për politikën, historinë, bëmat e tij patriotike, sportin, artin, religjionin, mjekësinë, me një fjalë për të gjitha. Të flet me kompetencë, bindjen më të madhe se e ka mirë, se i di të gjitha. Sabri (durimi) jonë për ta dëgjuar është më shumë se terapi e ushqim shpirti e mendjeje për njeriun, i cili  s'ka me kënd ta çel gojën në shtëpi ose ka po nuk e dëgjon kush.

Shumica e njerëzve tanë janë me prirje që për një të rënë krahëve, për një pozitë, qoftë ajo edhe për të duk në podium afër liderit, nënshtrohen, përulën e shiten

PËRSOSMËRIA
Një piktor sa herë shkonte në vizitë te miqtë, të cilëve u kish dhuruar apo shitur piktura, brushën dhe ngjyrat i merrte  me veti se gjithmonë kish për të shtuar ose hequr diçka në to.

SHOKU I MIRË
Baba më ka pas thanë, shokun e njeh kur ta ndan mollën. Nëse pjesën e madhe e merr për veti: Hiqu prej tij. Ende po pres me gjet një shok (mik) që pjesën e madhe të mollës ma ndan mue!
Këto ditë një shoku im i mirë, në kërkesat e tepruara të njerëzve të pafytyrë u përgjigj me  thënien e popullit: “Ha bukë e le vend për ujë”!

Vetë lavdërimet  për tu shitur sikur je i madh, hapë sytë  e tjerëve të të shohin ashtu siç je: i vogël, i ulët, hiç dhe mendjemadh.

Në profilin tim kam në miqësi një kategori miqsh që lexojnë (shohin) çdo postim timin, por nuk thonë keq edhe kur ju duket keq, as nuk thonë mirë edhe kur ju duket mirë: keq, ju vjen keq, mirë, s’ju vjen mirë.   Kryesorja më lexojnë, jam nën vëzhgimin e tyre, kjo ka rëndësi.

E keqja është se dobësitë mikut e shokut ia themi pas shpinës, bile edhe të fryra, lavdet (të shumtën e herëve) false në sy. Do të duhej të jetë e kundërta.

Martesa është zinxhirë në qafë, varet prej të martuarave sa do të jetë i rëndë ose i lehtë. (s.a)
Kur kish pas vdek i pari Shkodrës, këtyne herësh, shkodranët paskan kënduar:: Mori Shkoder të mori gjoli, mbete n'dorë  të Hasan Kokolit.

-Në modë sot janë, si asnjëherë tjetër:  çervish antologjitë, mbrëmjet  poetike – kanagjegji , akraballëk ndarje çmimesh, këngë cullako tallava dhe selfie inato -intereso politika. (s.a)
-Nuk gabojnë asnjëherë ata që nisen nga vetja! (s.a)

-Rrallë ose fare nuk  flas për sukseset e veprat e mia, më tha këto ditë një mik , thjesht nuk dua  t’i shoh tek ju zihet fryma e mbetën pagojë xhelozët rreth meje. (s.a)

-Shteti tamam shtet edhe mediet i ka tamam.  Kam dëgjuar se qeveritë në Angli financojnë gazetën e vetë për ta kundërshtuar qeverinë për lëshimet, parregullsitë, gabimet etj., por gjithmonë me realizëm. Te ne mediet janë ose pro ose kundër. Ato pro me kokë në thes  thurin vetëm lavde, kurse ato kundër më shumë shajnë e shpifin se tregojnë dobësitë e njëmendta të kundërshtarit.  (s.a)


-Dëgjove Mush, i hëngër fjalët Kryemadhi! E kam dit që i ha dhe i luan, se, gjithmonë më fol për fytyrë e ndershmëri. (s.a)

-Foto selfie, dashuri selfie, politikë selfie, gazetë selfie, zbulime selfie, krejt selfie .... tatari na raft në fije! Lëmsh e bëmë gjuhën! (s.a)

-Të ardhurit në pushtet (të cilitdo krah, ngjyrë  qofshin  ata) me dredhi, shpifje, sharje për kundërshtarin, premtime në hava, pa programe pune të sinqerta, lëmsh e bëjnë shtetin. (s.a)

-Asnjëherë budallallëku nuk u vlerësua si tash. (s.a)

-Shqiptari,  xhelozinë e smirën i ka vetëm për të vetin. (s.a)

-Shumicës së njerëzve u mungon sensi i masës , janë patetik e fals, sidomos për lëvdata në hava, vetëm ashtu "hajt sa me ta bë qejfin” , qoftë edhe kur krejt ndryshe mendojnë! (s.a)

-Thonë se kur bëhen bashkë dy e më shumë njerëz edhe mund të xhelozojnë e grinden mes tyre, dy e më shumë kabashë, kur bëhen bashkë, kënaqen me humor e llafe.  (s.a)

-Japonezi, punën që bën tjetri, thotë; pse nuk e bëj edhe unë, punën që nuk e bënë askush, thotë; pse nuk e provoj ta bëj unë. Ne shqiptaret, e bëjmë të kundërtën. Punën që e bënë gjithkush, themi; pse ta bëj edhe unë, punën që nuk e bën askush, themi; s’kam si ta bej unë. (s. a)

-Në Ballkan dimër përherë është për popujt, pranverë e verë e kanë vetëm mashtruesit, rrencat, analfabetët ... (s.a)

-Me rrush e çika të reja, gjithkush të ban konak! (s.a)

-Baba jem, thoshte, kur ta bajsh nji punë, bane ashtu mirë, që puna me u dridh prej teje, jo ti prej punës. (s.a)

-Në bazë të një individi nuk vlerësohet populli, kombi, grupi, rajoni që i përket atij, por në bazë të popullit, kombit, grupit, rajonit të cilit i përket mund të vlerësohet individi. (s.a)

-Kohë e qullët, asgjë më nuk mbet drejt në këmbë! (s.a)

-Dy mënyra përmes të cilave hapen rrugët e suksesit; t’i thuash të bardhës e zezë, dhe të zezës e bardhë. (s.a)

-Ta vlerësosh tjetrin krejt zi,  i zi je edhe vetë. (s.a)

-Në politikë  fitojnë njerëzit, që lëpihen.  (s.a)

-Lideri politik (tamam lider) për ta udhëhequr shtetin duhet të jetë i votuar përtej mëhallës, përtej katundit, qytetit, partisë e rajonit të cilit i përket. (s.a)

-Faqet e internetit, FACBOOK  etj. janë privatësi  aq sa është edhe kafazi i artë (shtëpitë) në lojën BIG BROTHER. Dhe mirë që është kështu, çdo gjë transparente. (s.a)

-Kur ke shtetin (ama tamam shtetin) ke te gjitha: ke lirinë, punën, kombin, fenë, shkollën, shëndetin, të tashmen, të ardhmen, rregullin e qetësinë.  (s.a)

-Të folurit (shkruarit) qetë e me kulturë,  vetëm teveqeli  e merr (lexon) si  frikë. (s.a)

-Hapa albumin e fotove dhe po shikoja. Sa mirë më dukej veta në fotot e rinisë dhe për të mos u demoralizuar më këto fotot e fundit i lash t’i shoh mbas disa vjetësh. (s.a)

-Mos më kërkoni në gjeti, në shkrimet e mia më gjeni, aty jam, krejt qysh jam. (s.a)


-Kur ishim të varfër ushqimin më të shëndosh e kishim, ndonjëherë edhe i pamjaftueshëm, por  kurrë nuk hëngrëm mish, pemë e perime të rritura, pjekura e ruajtura dhunshëm me preparate   kimike . (s.a)

-Kam dëgjuar se Luksemburgu nuk kish universitet, po ekspert, kuadro profesionistë me udhëheq shtetin si është më se miri i ka me bollëk. Kosova në secilën mëhallë  ka hap fakultete po kuadro e ekspert pak ose hiç. Veça dynjas jemi dhe pikë. (s.a)

-I bardhë si bora në maje mali me qenë, i ligu të zi të sheh! (s.a)

-Mediokreti  është ose servil ose arrogant dhe kurrë vetvetja. (s.a)

-Gjithsecili ka një mall, mërgimtari ka plus edhe vendlindjen. (s.a)

-Në demokracitë e brishta populli me votën e vetë të lirë zgjedh “shërbëtorët” e tij mbretër. (s.a)

-Në emër të kulturës, kohës e emancipimit ose vetëm  se mundet,  ta torturoj e ul poshtë gruaja burrin,  burri gruan  nuk është kulturë e përparim, por është primitivizëm e mjerim. (s.a)

-Në tokat shqiptare kush vjen në pushtet me te fillon rilindja, shteti, historia, përparimi, demokracia ... dhe kështu gjithmonë jem në fillim të bërjes shtet. (s.a)

-Shqiptarët më shumë janë proletarë e internacionalistë se shqiptarë. (s.a)

-Punë inatesh; elektoratin e partive shqiptare më shumë e gëzon humbja e partisë kundërshtare se fitorja e  partisë së tyre. (s.a)

-Ata, që nuk nguten, mund edhe të mos fitojnë, por nuk humbasin kurrë (s.a)

-Kryefjala dhe fjala kyçe e programeve të partive shqiptare janë: premtimet n’hava, sharjet, shpifjet e trillimet për të përlyer e njollosur sa më shumë kundërshtarin e krahut tjetër. (s.a)

-Keq që njerëzit e kulturës mësuan nga politika hipokrizinë dhe krejt njëjtë udhëheqin kulturën, si politikanët politikën. (s.a)

-Pothuaj çdo herë i  pa njohuri pritet si është i veshur, por përherë përcillet sa është i ditur! (s.a)

-Analistët (shumica) janë plafa të paguar për të mbajtur nxehtë e mbuluar rrenat politikës!  (s.a)

-Shtëpia dikur ish e Zotit dhe e mysafirit, sot janë shndërruar në muze dhe shfrytëzohen vetëm me fjet në to. Ndejat,  dasmat etj.  në restorant. (s.a)

-Po t’u larguan miqtë, reflekto për gabimet tua, qofshin ato edhe pa dashje! (s.a)

-Gjithsecili po ta mbronte tjetrin nga vetja të gjithë do të ishin të mbrojtur! (s.a)

-Po vërejtët ndonjë mik timin të jetë larguar nga unë, ju bëj me dije se faji nuk është i imi.(s.a)

-Nga unë të ruaj unë.  (s.a)

-Politikanët në të kaluarën nxjerrshin (gënjenin, avancoheshin), duke u mbështetur te shoku Enver, shoku Tito , “idealet” e partisë në pushtet, tani kur të përmendurit nuk janë më, mbështetjen e gjejnë në folklor patriotizëm, blerja me para e titujve, korrupsioni, inkuadrimi në Bashkësinë Evropiane, “demokracia “,  shpifjet për kundërshtarin,  arroganca  etj.  dhe rrallë ose hiç,  te puna, ndershmëria , profesionalizmi e dija . (s.a)

-Kur të bëhesh për vitra edhe të keqit i dhimbesh! (s.a)

-Atdheu është si buka; mjerë ata që nuk e kanë, e mjerë ata që e kanë e nuk e duan! (s.a)

-Ai, që hyn në politikë me u pasunue, nuk është politikan, po matrapaz.! (s.a)

-Mjerë populli i shtetit ku Kryetari është shteti e shteti Kryetari! (s.a)

-Sorrën kurrkush nuk e mban n’kafaz!  (s.a)

-Dielli i ngroh edhe të pafytyrët.  (s.a)

-Ja si e ndan prenë  i forti:  N’dash  unë kaprollin e ti lepurin. N’dash ti lepurin e unë kaprollin, zgjidh! (s.a)

-Ora si ajo prej plastike, metali,  ari e diamanti  kohen e mat! (s.a)

-Me t’keqin mos ngul kuja! (s.a)

-Shqiptari kundër cilësdo fe brenda shqiptare që flet, flet kundër vëllezërve të vet! (s.a)

-Jo gjithsecili mashkull është burrë, jo gjithsecila femër është grua! (s.a)

-Servilët si në diktaturë, si në demokraci temena u bëjnë të mëdhenjve! (s.a)

-Shkrimtari i madh Çehov, ka thënë: çelësi i suksesit është shkurtësia e mendimit. Këtij mendimi i përmbahem kur flas e kur shkruaj, kuptohet për sa di. (s.a)

-I mjerë është ai që i duhet ta fsheh të djeshmen për shkak të së sotmes (s.a).

-Në mungesë të armikut të përbashkët (në kohë paqeje), njerëzit nisin luftën edhe më të ashpër kundër njëri–tjetrit. (s.a)

-Krejt punët, punë donë. (s.a)

-Kam pa shumë më shumë qytetarë në katund se qytetarë në qytet.(s.a)

-Sulltanëve, carëve, t’kuqëve të pabesë u qëndruem në besë dhe ...! (s.a)

-Mos beso nëse flet vetëm keq politikani për politikanin, në pyetje është karriera, nëse flet vetëm keq poeti për poetin, kleriku për klerikun, mjeku për mjekun, sportisti për sportistin mos beso, në pyetje është smira. (s.a)

-I ligu është rob i të madhit, tiran i të voglit.(s.a)

-Vetëm ne shqiptarët, budallës ia lëshojmë udhën! (s.a)

-Për të fituar shteti e populli duhet të jenë të mirë edhe pozita edhe opozita. Neve shqiptarëve gjithmonë na mungon njëra ose të dyja. (s.a

-Njerëzit nuk janë ashtu siç i vlerësojnë miqtë, as ashtu siç i vlerësojnë armiqtë. (s.a)

-Liderët opozitarë të etur për ta marrë pushtetin me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish e bëjnë edhe më të etur pozitën për ta mbrojtur me çdo mjet, qoftë edhe me jetë njerëzish pushtetin.(s.a)

-Shyqyr Zotit me rastin e urimeve për festat u hoqën fjalët: "Festën tjetër e festofshim në shtetin e lirë të Kosovës.". (s.a)

-Me u ba zengjin me punë të ndershme krahu, hamalli ish ba ma zengjini prej krejt zengjinëve. (s.a)

-Keq, që njerëzit e ditur, të përgjegjshëm e të mirë nuk kanë gjë në dorë. (s.a)

-Pa u ba keq, nuk bahet mirë. (s.a)

-Kujdes, ata, që ta bajnë rrafsh, të dalin kodër!  (s.a)

-Rrezik është me dit shumë. (s.a)

-Gjithsecili i thotë vetës se është dikush, po dikush  thotë ma shumë se sa është dikush, këtu qëndron e keqja. (s.a)

-Racës sonë kurrë nuk i kanë munguar burrat. Sigurisht që kem me  bollëk edhe bura, që u ka ra njëra "r", duke vrapuar pas lavdit e interesit personal.(s.a)

Saturday 12 July 2014

Fërshëllen e kamxhikon paradokset e kohës (recension)

Antonina Kodheli
Jam gjenerata që ka fshirë moshën reale dhe ka marrë moshën e internetit. Duke shfletuar FB një mëngjes gjeta një shkrim-letër ndryshe nga të tjerat, një letër që  desha të vazhdonte dhe të merresha me te me orë, me ditë e me javë. Përmbajtja e letrës me rrëmbeu, më mori më vete dhe më shpuri në Kosovë. Letra e shkruar me plotë humor, thjeshtë, bukur me një stil përmbledhës më bëri të jetoj me personazhet e portretizuara në mënyrë virtuoze dhe vërtetësi   nga autori,  më bëri të jetoj me rrethin shoqëror, dhembjet dhe dëshirat e djalit, i cili i shkruan babit (Babuqit) të tij punëtor krahu në Gjermani pa lënë asgjënë më të vogël për jetën e  përditshme, të familjes, farefisit, bashkëfshatarëve dhe për gjendjen politike në Kosovë dhe tokat shqiptare në përgjithësi. I shkruan djali me hollësi Babuqit të tij se si ka hyrë kultura evropiane në vendlindjen e tij. Vendin e kafesë e ka zënë, makiato, kapucino e pijet e forta, në jetë ka hyrë një botëkuptim i huaj, por më i përparuar se i pari, me i bukur, por vetëm në dukje. Të gjithë përdorin internet dhe chat dhe tashti njerëzit e kanë më të lehtë për të komunikuar. I tregon Babuqit se si njerëzit pa punuar jetojnë si mbretër, ngrihen në pozita të  rëndësishme njerëz si Ramadushi, që nuk ka ide nga politika dhe nuk di të lidh dy fjalë bashkë, tregon sa të lehtë e ka një politikan si ky në Kosovë t’i punësojë, shkollojë fëmijët e tij, brenda një nate t’i nxjerr edhe me fakultet të kryer. Në një aspekt tjetër na paraqet personazhi me emrin Ifuz, hajn dhe i poshtër, i cili bënë  jetë të shfrenuar, të pakuptueshme për rrethin e tij shoqëror. Autori i librit, përmes djalit të babuqit flet me një humor të hollë e therës për gjendjen politike në Kosove dhe jashtë saj. Ai ka dijeni të plotë edhe për prapaskenat shteteve fqinje të cilat nuk lënë gurë pa lëvizur për të penguar shtetin e  Kosovës. Nga letrat mësojmë në sa mënyrë të gabuar dhe sa keq u përdor evropianizimi në  ketë vend, sa lehtë mund ta blejë një karrige politikani dhe të vishet me pushtet një njeri i paaftë, sa lehtë mund të zënë vende të punës dhe të pasurohen brenda natës familjarët e pushtetarëve pa derdhur as një pikë djerse.
Shkrimtari Sabit Abdyli e jetoi rëndë luftën dhe regjimin Serb në Kosovë dhe ka dijeni të plotë për të gjitha aspektet e jetës si mësues dhe studiues i madh, ka mendim të qartë dhe të prerë për  situatën shoqëroro - politike në Republikën e Kosovës dhe më gjerë.
Libri është i pasuruar edhe me aforizma, anekdota e mahi të bukura të nxjerra nga jeta e tij e vështirë. Të gjitha janë të bukura dhe domethënëse, të gjitha!  Autori i këtij libri nuk është nga ata njerëz që shtyhen me bërryla për të zënë një karrige, as rrahagjoks, por njeri që eci përpara me mendjen e tij të mprehtë dhe të ndritur. Veprën e tij e karakterizon thjeshtësia e të shprehurit, thellësia e mendimit dhe mesazhi i kuptueshëm për lexuesin.
Unë këtë shkrimtar e njoha në krijimet e tija dhe që kur lexova shkrimin e tij të parë e ndjek me fanatizëm. Nuk e kam takuar asnjëherë në jetë, por në shkrimet e tij kam njohur si njeri modest dhe i fisëm, i cili me mjeshtëri të rrallë fërshëllen e kamxhikon paradokset e kohës. 
Duke lexuar librin “Letra, anekdota e aforizma” të shkrimtarit Sabit Abdyli  lexuesi merr informacion, mëson një realitet të padëshiruar, diku do mërzitet, në pjesë të tjera do qan nga keqardhja apo nga inati, në disa pjesë do qesh me të madhe. Shkrimtari te anekdotat ka krijuar një personazh të tijin, të lezetshëm, Mushin,  dhe i vesh atij si një Aristofan i vërtetë ato që do të tregojë (satirizojë)  jetën tonë të përditshme. Tipa të tillë si Mushi i kemi mes nesh dhe shpesh here ulen edhe në sofrën tonë të jetës, prandaj e duam. Mushi me bëmat e tij, prapësitë   është mbresëlënës e i dashur për lexuesin. Shkrimtari i këtij libri është një lis i vjetër Kosove me rrënjë të thella në tokën e vuajtjeve, të vështirësive, qëndresës edhe të së vërtetës, duke e lexuar shkrimtarin, lexuesi ndihet si një degë e këtij lisi të dijes, të realitetit dhe i palëkundur kurrë nga stuhitë e moteve. 
Antonina Kodheli 



Thursday 10 July 2014

KËNGA E LUFTËS (Prozë e përkthyer)

Dino Buzzati 1906-1972 

Mbreti e ngriti kokën nga tavolina e madhe  e punës e ndërtuar prej çeliku e diamanti.
-Çfarë, dreqi, këndojnë këta ushtarët e mi? – pyeti.
-Jashtë janë, në sheshin Kurora, vërtetë kësajde kanë kaluar regjimente e regjimente duke marshuar dhe kënduar drejt luftës. Lehtë e patën, derisa armiku ishte në ikje fushave të largëta, atyre s’ju mbetej tjetër përveç lavdi gjatë kthimit. Për këtë mbreti e dinte vetën të sigurt. Bota po përgatitej për nënshtrim.
-Kjo është kënga e tyre, lartmadhëri, - u përgjigj këshilltari i parë mbretit të blinduar në hekur, kështu e kërkonte gjendja e luftës. Mbreti vazhdoi:
-Athua nuk kanë diçka më gazmore? Ka himne të mrekullueshme të shkruara për ushtrinë time. Edhe unë i kam dëgjuar. Ato janë bash këngë ushtarake.
-Çka të bëjmë, lartmadhëri – tha këshilltari plak i kërrusur prej armëve të ngarkuara – ushtarët si fëmija, i kanë pasionet e tyre.
-Po kjo nuk është këngë e luftës – tha mbreti. Më parë mund të thuhet se me këtë këngë shprehet një pikëllim. Por më duket se s’kanë arsye  për këtë.
-Sigurisht, - pohoi këshilltari me një buzëqeshje përulëse. – Mund të them se kemi të bëjmë thjesht me një këngë erotike, dhe me siguri nuk  mund të jetë ndryshe.
-Si është teksti i këngës - ndërhyri mbreti.
Ta them të drejtën, për tekstin s’kam informata, - u përgjigj konti Gustav.- Do të pyes.
Regjimentet arritën te vija e zjarrit, e shtypën armikun duke ndjekur, lavdia e fitores u përhap nëpër botë. Ata iknin drejt fushave gjithnjë e më larg oborrit mbretëror. Por, prej llogoreve, të thurura me tela, jehonte gjithmonë e njëjta këngë. Këngë e zymtë, dëshpëruese, e shlyer prej asaj frymës luftarake dhe me plotë hidhërim. Ushtarët ishin mirë të ushqyer, të veshur, të mbathur me çizme lëkure, ndërsa kuajt prej betejës në betejë bëheshin më të qëndrueshëm, më vështirë e kishin ata që i bartshin në shpinë flamujt e armikut. Ndërkaq gjeneralët pyesnin:
-Çfarë, kënge të tërbuar këndojnë ushtarët? Athua nuk kanë tjera më gazmore?
-Të tillë janë ata, Ekselencë, - përgjigjeshin me maturi ata të shtabit kryesor. - Ushtarët janë të mirë, por kanë edhe të meta.
-Kjo s’është aspak virtuoze – flisnin me keqardhje gjeneralët. Në dreq të mallkuar, kjo po duket sikur janë duke vajtuar. Çfarë dëshire kanë tjetër të paplotësuar? Kjo më duket sikur ata janë të pakënaqur.
Përkundrazi gati të gjithë ushtarët e regjimenteve, që kishin triumfuar ishin të kënaqur. Çka dëshirojnë tjetër ata? Fitore pas fitores, plaçka të begatshme, kthimi i tyre triumfal. Fshirja e armikut nga faqja e  Atdheut, të shëndosh dhe të pashëm.
-Si vazhdojnë fjalët e këngës? – pyeti gjenerali me kureshtje.
_Fjalët! Nga pak budallaqe – përgjigjeshin ata të shtabit kryesor, gjithnjë të matur ashtu siç e kishin shprehi.
_Budallaqe, por çka thonë?
-Nuk e di domethënien tamam, Ekselencë - tha njëri.
-Dihelem, e di ti?
-Fjalët e këngës? Jo. Këtu është kapiteni Marrem, ndoshta ai e di.
-Nuk jam aq i mençur sa ta kuptoj këngën, zoti kolonel. – u përgjigj kapiteni.
-Mund ta pyes rreshterin Peteres, nëse më lejoni ....
-Ah, leni këto pallavra, vë bast se si ... – gjenerali vërejti se më mirë është mos ta përfundoj fjalinë.
- I trazuar, rreshteri u përgjigj në pyetjen e parashtruar:
-Strofa e parë, shkëlqesi, thotë kështu:
Fushave e maleve
Daullja jehon
Dhe koha kalon
Rrugën e kthimit
Rrugën e kthimit
Nuk e di askush
Të gjithë përpara ecin
Dhe shumë vjet kalojnë
Atje ku të lash
Atje ku të lash
Një kryq u ngrit.
Pastaj strofa e tretë e cila gati kurrë nuk këndohet ...
-Mjaft, mjaft! Thirri gjenerali, kurse rreshteri e përshëndeti ushtarakisht.
-Kjo nuk po më tingëllon si këngë gazmore – vërejti gjenerali, pasi shkoi rreshteri.
-Thënë shkurt, kjo këngë s’është për ushtarët.
-Me të vërtet nuk është - thanë kolonelët e shtabit kryesor duke përshëndetur gjatë.
Në mbrëmje, gjithmonë, pas betejës derisa treni ende tymosej kasnecët vraponin duke shpërnda lajme të mira. Qytetet stoliseshin me flamuj, njerëzit përqafoheshin nëpër rrugë, kambanat e kishave binin me të madhe. Ata që kalonin nëpër rrugët e qytetit të mjerë, dëgjonin si këndonin që të gjithë  atë këngën e vjetër të thurur kush e di se kur.
Vashat bionde gjysmë të zgjuara këndonin të mbështetura mbi dërrasat e dritareve.
Sikur të ktheheshim me shekuj të tërë prapa, kurrë në historinë e botës nuk janë mbajt në mend fitore të këtilla, kurrë nuk pat regjimente aq të suksesshme, kurrë nuk pat aq kolonelë të lavdishëm, kurrë nuk pat aq përparime të shpejta, kurrë nuk pat aq vende të okupuara, kurrë nuk pat aq begati e plaçka për ndarje.  Edhe ushtari i fundit bëhej zotëri i pasur. Me një fjalë pasuria nuk kishte fund. Në qytet shpërthente hareja, në mbrëmje derdhej vëra si përrua, lypësit  vallëzonin. Vende-vende mblidheshin miqtë e vjetër dhe këndonin at këngën “Fushave e maleve” duke përfshi edhe strofën e tretë.  Ndërsa batalionet kalonin nëpër sheshin Kurora duke shkuar në luftë, mbreti duke dëgjuar këngën e ngrite kokën duke mos kuptuar pse ajo këngë ishte ndjellakeqe për të.
Prej vitit në vit, regjimentet  përparonin duke mos pasur mundësi të ktheheshin prapa. Beteja fitore, fitore beteja. Ushtria marshonte çuditërisht  në anët më të skajshme, në anët me emra të cilët nuk mund të shqiptoheshin.
Kështu prej fitores në fitore  derisa erdhi dita kur sheshi Kurora mbeti shkretë, dritaret e pallatit mbretëror të mbyllura, ndërsa në hyrje të qytetit ushtria e huaj afrohej zhurmshëm.  Regjimentet e pathyeshme u shndërruan në fusha e male të largëta, në male monotone të kryqeve të cilët humbeshin në horizont dhe asgjë tjetër. Por, as në shpatat, as në vijat e zjarrit, fati i tyre nuk mbeti i ngujuar, përveç në këngën, e cila për mbretin dhe bashkëpunëtorët e tij ishte me të drejt e kobshme.  Me vite të tëra ushtarët , me kokëfortësi me anën a atyre tingujve të asaj kënge fatkeqe, flisnin për ardhmërinë duke ua treguar njerëzve atë që ishte e pritur. Por, as oborri mbretëror, as ministrat e urtë (memec si guri) nuk e kishin kuptuar fatin e kobshëm përveç ushtarëve të padjallëzuar, të cilët kishin qindra fitore, kur udhëtonin mbrëmjeve të lodhur drejt vdekjes duke kënduar.
Sabit Abdyli

Kabash, 1988

Monday 7 July 2014

VETËM TI

Shkup, 1978
Tema më e shpesh për hartim në kohën kur isha nxënës i shkollës fillore (1953-1961), ishte: “Dëshirat e mia”. Shumica e nxënësve shprehnin dëshirë për tu bë mësues ose mjek. Nxënësit mësues përligjeshin dëshirën e tyre se i mësojnë fëmijët, kurse nxënësit mjek arsyetoheshin se i shërojnë të sëmurit. Nuk kishim shumë dëshira, ashtu siç nuk kishte shumë profesione.  Unë gjatë pushimeve shkoja te motra në Shkup, atje kisha parë shumëçka dhe për gjitha ato të mirat   kisha shfaqur dëshirë t’i kishim edhe ne në Kosovë dhe kisha pyetur pse ne nuk i kemi: rrugët me trotuare, parqet e rregulluara, stadiumin, pishinat, sallat sportive, libraritë me libra shqip, kioske me gazeta e revista shqip etj. Mësuesi në orën tjetër e kishte nda hartimin tim dhe më pyeti: Vetëm ti ke shfaqur dëshira tjera dhe sikur ke protestuar duke pyetur: pse, pse, mos ndoshta të kanë mësuar për ketë dikush tjetër, trego kush është ai, dhe vazhdoi, pse edhe ti nuk ke dëshirë të bëhesh mësues si shumica e shokëve të klasës? U ngrita në këmbë dhe doja t’i thosha: Edhe sikur të bëhem mësues, nuk do të isha si ti çehrengrysur, i vrazhdë, përbuzës, i njëanshëm dhe, pse po të pengojnë aq shumë dëshirat e psetë e mia,  po nuk guxova. Ai ndëshkonte rëndë secilin prej neve me thupër, nëse kundërshtonim fjalën e tij, qoftë edhe kur kishim të drejt.
Sabit Abdyli