Monday 28 May 2018

LULET E BIJAJVE

Në  kohën e fëminisë time (mbarim viteve të 50-ta) në pjesën e dytë të muajit prill ose fillimin e muajit maj vjet për vjet shkoja me nënën te daja. Tri orë rrugë bënim në këmbë, mos më shumë. Nëna e merrte një shkop, jo se iduhej të mbahej, “veç ta kem me veti”, thoshte. Krejt rrugën e bëja me qejf dhe pa u lodhur. Në kilometrat e fundit para se të mbërrijmë anësh rrugës, rogave të dushkajës, lule të sapoçelura ngjyrë vjollce si tulipan po të shkurtra dhe pa gjethe, sikur na thoshin; “mirë se erdhët”! Më bënin përshtypje se më dukej na prisnin buzëqeshur mua me nënën kur vinim. Dhe ashtu vërtet ishte. I këpusja dhe i mbaja në dorë, por nuk qëndronin gjatë se ishin të brishta dhe kalamendshin pas një copë rruge. “Këto lule quhen; LULE TË BIJAVE, më tregonte nëna, se dalin në kohën kur vijnë bijat. E sheh, vazhdonte ajo, si gëzohen e çelin sa here vijmë te daja”.

PS:
Foton e mora nga interneti. Lulet mund te kene edhe emer tjeter, po nena ime i quante LULE TE BIJAVE me arsyetimin se dalin kur shkojne ne te pame bijat.


Thursday 10 May 2018

MIQTË E LIBRAT


Që në vitin e parë kur u vendosa në Zelandën e Re më ra  ta kem fqinj të parë një dalmatin. Ishte në moshën e tretë dhe jetonte kalli vetë. Gati nuk mbetej ditë të mos takohem e llafosem me te. Ishte i informuar mirë se lexonte dhe prej tij mësova shumë. Një ditë deri sa po ecnim bregut detit më tha, miqtë janë si librat, mësojmë prej tyre dhe u falënderua që falë meje nuk po harronte kroatishten, gjuhën e nënës dhe po mësonte kush janë shqiptarët jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra (me te komunikoja kroatisht) dhe vazhdoi, : "Miq, ka nga ta  si libri, që në faqet e para na bënë ta duamë dhe na lënë mbresa për t'ju kthyer prapë,  marr në dorë e mësuar nga ai, ka nga ta si libri që mezi arrijmë ta lexojmë dhe ndodh i kapërcejmë faqet dhe sa i biem në fund e mbyllim dhe nuk i kthehemi më me dëshirë, ka të tjerë  si libri që do të donim ta kemi me veti përherë, ka si libri monoton, të cilin përkundër dëshirës nuk arrijmë ta lexojmë dhe do të donim ta harrojmë sa më shpejt." Miqtë e librat, ndërhyra unë,  pëlqehen në varësi të shijes, prirjeve e interesit etj. Po, tha, e saktë ketë që the, po unë do të shtoja  dhe në varësi të rrethanave e mjedisit. Në po shoqërohemi në saj të takimit të rastësishëm, vendit të origjinës e rrethanave të imponuara të jetës, gjuhës dhe statusit që gëzojmë në një shtet tjetër, përfundoi Joze, tashmë i ndjerë. 
Auckland, maj 2018

Friday 4 May 2018

DITË VERE MA

DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallase deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtuën sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Sabit Abdyli
Auckland, janar 2018
Sabit Abdyli
Auckland, janar 2018