Thursday 13 December 2018

NË VEND TË PËRKUJTIMIT PËR VËLLAIN, ISË R. ABDYLI 1930-1984

NË VEND TË PËRKUJTIMIT PËR VËLLAIN, ISË R. ABDYLI 1930-1984

Ise R. Abdyli. fotografuar ne vitin 1948
Shkup, fotografuar ne vitet 1960-ta
Më 14 dhjetor 2018 mbushën 34 vjet që u nda nga jeta ende pa i mbush 54 vjet vëllai im i madhi, baca Isë. Bacë e thërrisnim ne vëllezërit dhe jo vetëm ne. Që në rini ishte pro qytetërimit evropian në të menduarit, në sjellje e veshje. Vishej “allafrënga” siç thoshin kundërshtarët e civilizimit për veshjen me kravatë, kryeshtruat (pa kapuç), rroba të hekurosura, këpucë etj. I drejtë në gjykime dhe adhurues i librit, shkollimit, lirisë së të menduarit, fjalës dhe flakjes së koncepteve të vjetruara. Që në moshën 16 vjeçare kishte marrë pjesë në aksionet vullnetare të rinisë të asaj kohe; në Kroaci, Slloveni, Vojvodinë etj. Lexonte dhe kish një dollap me libra të shkrimtarëve, si: Daniel Defoe, Xhek London, Johan Goethe, Stefan Cvajg, Alberto Moravia etj.  Mbrëmjeve ne vëllezërit dëgjonim tek na fliste për librat e lexuara. Mua si fëmijë më  pat mrekulluar ngjarja në romanin e Danile Defos ”Robinson Crusoe”.Këtu me gjasë zë fill edhe interesimi im për të lexuar e dashtë librin.  Nuk   besoj të ketë lexuar dikush më shumë se ai nga brezi i tij. Është i pari që kish pru fanella, brekë e këpucë futbollistësh dhe një kaçkët për mbrojtësin e portës. Portieri aso kohe mbante kaçkët me strehë në kokë për t’u mbrojtur nga dielli. Është i pari në fshat që kishte aparat fotografik, hekur për hekurosjen e rrobave. Hekuri mbushej me copa prushi për ta nxeh. Ishte iniciues e pjesëmarrës në vënien në skenë të dramës së parë në gjuhën shqipe (viti 1956/57) të autorit Xhemil Doda “Halit Gashi” në Viti, që për atë kohë ishte ngjarje e madhe kulturore. Drama u shfaq disa herë në shtëpinë e kulturës. Për aktivitetet e tija u akuzua nga njerëz fanatikë dhe me koncepte prapanike, se: “Isa, e ka hjek kapuçin, ka kthye floktë përpjetë, po na prish rininë, po na keshin katundet tjera ...” I zhgënjyer nga mentaliteti provincial dhe me dallimet si hana me diell e asaj që thuhej e veprohej nga regjimi partizan u tërhoq nga aktivitet kulturore e sportive dhe në vitin 1957 emigroi në Shkup. Atje në fillim punoi me një dyqan si këpucar dhe më vonë në NGB “Rilidnja”, në shpërndarjen e gazetës “Rilindja” për qytetin e Shkupit. Të jesh vetvetja, i drejtë dhe të jetosh pa u përkulur e bë temena askujt  ishte me pasoja (është edhe sot) krejt jetën e bëri në vështirësi ekonomike. Vdiq, më 14 dhjetor të vitit 1984 në Shkup dhe u varros me nderime nga familjarët, shokët e miqtë e shumtë të ardhur nga gjithë rajoni i Moravës së Epërme Prishtina, Ferizaj, Shkupi e qytete tjera në varrezat e fshatit Kabash.
Kabash foto e viteve te 70-ta. Ne foto: se bashku me shoket e gjenerates: Ilmi Syla, Isak Kamberi. Qerim Qerimi, Ise Abdyli e Murat Murati


Wednesday 21 November 2018

PORTRET I HEROIT

                                                                 PORTRET I  HEROIT
                                                                         (Skicë)
Në tokën e Arbit, me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi kapedanët e përçarë. Një çerek shekulli bedenave të Arbënisë nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje. Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine, jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt  jetën në luftë, por vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi zulmëmadh edhe i vdekur vazhdoi luftërat, por tash pushtuese me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra: historianësh, poetësh, romancierësh, dramaturgësh, diplomatësh, skulptorësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit e vazhdon të jetojë me nam emri i tij. Argatë falsifikues s’pushuan e nuk pushojnë as sot së shpifuri për ta përvetësuar ose  për ta paraqitur ndryshe heroin   arbëror anembanë famëmadh.
s.a
Janar, 2018

Thursday 1 November 2018

PROVA KARAKTERI TË QENDRUESHËM E MBIJETESE

Baba Ruhan 1906-1983 e mbante një gjysmë fletore nga ato që kishin në fund tabelën e shumëzimit dhe një laps gati i harxhuar. Ja sigurova një fletore xhepi dhe një laps dhe e luta, merri! Nuk më duhen të reja, u përgjigj me qetësi, me ba hesap i kam, jo me u lavdue e mburr para dynjas.  Diku në vitet e 60-ta e pat ble prej një gastarbajteri me punë në Austri një orë xhepi. Orën e mbante mbështjell në shami pëlhure brenda xhepit dhe nuk e ekspozonte asnjëherë. Ishte fjalëpakë dhe nuk ngutej kurrë. Përmbahej nga vlerësimet me hamendje. Për tipat shpifës, të ulët, pa fije njerëzie, më thoshte jo më shumë, se: “Mos ngul kunja me ta”! Pa ndjekur ndonjë shkollë mësoi të shkruante e lexonte. “Librat asht gjynah mi majt  në raft pa i lexue, thoshte. Ato flasin... t’japin forcë, t’japin sy me pa larg, t’japin zemër me qinrue, t’japin dituni, t’msojnë për jetën e gjithçka, kur i merr në dorë, kur i lexon.”  Shkollimi i rinisë shqiptare  dhe zhvillimi i Shqipërisë e gëzonin pamasë dhe kish bindjen, se: “Me zhvillimin politikë, ekonomik, ushtarak e kulturor të Shypnisë (Shypni e quante Shqipërinë) të fituar do të jemi edhe ne shqiptarët në Kosovë e gjetiu”.  
 Baba Ruhan në moshën 6 vjeç përjetoi masakrën serbe të vitit 1913 në Kabash ku në mesin e mbi 60 kabashëve të masakruar ishte edhe baba i tij Abdyli 32 vjeç e dy xhaxhallarët, Misini e Murati, shtëpia ju dogj e plaçkit nga ata që i ja shtinë flakën krejt fshatit. Me nënën Ajne, me një strajcë plaçkash e lopën me viç vendoset te dajallarët në  fshatin Gjylekar. Pas tri vjetëve kthehet në Kabash dhe mbi themelet e shtëpisë së djegur (rrënuar) me nënën ndërton një si shtëpi.  Me këshillat,  mbështetjen e nënës Ajne u edukua e burrnua. Ishte 9 vjeç kur u bë zot shtëpie.  

Ruhan Abdyli 1906-1983 (fotografuar ne vitin 1936
Portret "Baba": vizatoi Abdyl Abdyli

Monday 15 October 2018

DY POEZI TE EJUP ABDYLIT

Dy poezi të Ejup Abdylit të shkruara në vitet e 50-ta, botuar në gazetën “Pionieri”, që ju gjetën këto ditë.
Ejup Abdyli u lind në Kabash (1937). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën Normale në Gjilan. Punën me ditar në dorë e filloi në vitin 1961 së pari në fshatin Beguncë, pastaj në fshatin Lubishtë, ku me iniciativën e tij hapi klasën e pestë. Pa shkëputje nga puna kreu Fakultetin filozofik; Gjuhë letërsi shqiptare në Prishtinë. Në vitin 1981 kalon  në Gjimnazin e Vitisë.  Vdiq me 26 qershor 1992 nga një sulm kardiak. Ejupi ka pasur edhe një  studim për të folmen e fshatrave në Moravën e epërme. Gjatë luftës (1999) nga biblioteka e pasur e tij, librat dhe i gjithë dokumentacioni  u nxorën, u shqyen e u hodhën gjithandej rrugeve e oborrit të shtëpisë nga vandalistët serbë.

Prof. Ejup Abdyli 1937-1992

Sunday 14 October 2018

PUNA NË ARSIM 1990-1999


Puna nën okupim (1990-1999) më zbardhi flokun, dërrmoi e lodhi. Kush e di sa e sa herë kam parë veten tek me shkonte tym nga maja e kresë. Në objektin e shkollës fillore në Kabash punonim dy shkolla fillore dhe 4 paralele të shkollës së mesme në tri ndërrime. Krijohej tollovi, zhurmë e shtyrje në hyrje të shkollës, korridor e klasa. Nxënës shumë, hapësirë pak. Për thyerjet e zënkat që bëheshin fajësoheshin gjimnazistët (herë herë edhe pa të drejt) dhe përgjegjësi Sabit Abdyli. Klasat me mungesë bankash e karrigesh, shkumësash etj. Ndodhte të mos vinin në punë arsimtarët dhe kjo e rëndonte edhe më shumë mirëvajtjen e mësimit. Ata arsyetoheshin sikur nuk kanë guxuar nga policia ose s'kanë pasur me se të vijnë etj. Në oborrin e shkollës mblidheshin lloj-lloj hamadreqi, bile kishte edhe të çekuilibruar nga mendja. Më duhej të kërkoja nga nxënësit dëshmi se prindërit e tyre kanë paguar 3%. Kishte prind të papërgjegjshëm, që nuk paguanin dhe mua më duhej t'i largoja nga klasa nxënësit e prindërve në fjalë. Në mesin e tyre nxënës të mirë, të sjellshëm që nuk kisha zemër t'i nxjerr nga klasa. Kjo më torturonte pamëshirshëm. Më erdhi një prind që interesohej për djalin. E pyes në cilën klasë, drejtim... E gjej ditarin dhe lexoj emrat, po nuk e shoh emrin e tij. Më vjen keq po në ketë klasë jap mësim edhe unë po nuk më ka ra ta kem parë djalin tënd, i thash. Qysh, ndërhyri prindi, unë paguaj rregullisht për arsim, përditë e nisi në shkollë djalin dhe ju s'keni evidencë. Haram i keni edhe këto pak para që po ju japim. Mora ditarin dhe eja, i them gjithë nerv prindit, shkojmë në klasë dhe pyesim nxënësit. Si është puna e N.? Ngrihet njëri nga shokët e tij e na tha: N. N. vjen me neve deri te shkolla, po kurrë në klasë nuk hyn. Qy pisi, foli ai sa për ta arsyetuar arrogancën e tij, sa të shkoj në shtëpi ka me pa ai." Shko në dreq të mallkuem, ndërhyra unë, gjithë ketë idhnim ma nxore për fajin e djalit tand" Ditarët e punës i mbanim fshehur, dokumentacionin në shtëpi. Në shkollë shkonim e dilnim prej saj të vetëdijshëm se mund të arrestoheshim nga policia e shtetit që kish ndaluar shkollën shqipe. Më nervozonin sa nuk bëhej kërkesat e tipave (donin të shfrytëzonin situatën) për lëshimin e vërtetimeve e dëftesave për fëmijët pa ardhur në shkollë fare me arsyetimin "larg shkolla, nuk kam mujt me çue, a po e sheh çfarë kohe, po tutna po ma arrestojnë milicija, shkruja qatu hajt se, nuk bahet nami." I mllefosur me këta tipa më ka ndodh të kem reaguar me fjalët: "shkruaje vetë, qaty hajt, mbasi s'po u bëka nami!" Në këto 10 vjet pune (lufte) e vetmja gjë që më mbante të qëndroj ishte ndjenja se po bëja diçka të vlefshme, po mbroja shkollën shqipe, ruaja frymën kombëtare të saj dhe po kryej detyrën për të cilin isha shkolluar e thënë vetës kur e mora për herë të parë ditarin në dorë (shtator, 1968) se do të angazhohem e bëj më të mirën për brezat. Hallall të gjitha!  Me ketë rast do bëj abstraksion duke përmendur se ne vëllezërit Abdyli: Ejupi, Ferati, Sabiti e Abdyli,  bashkë me gruan e vëllait, mësuesen Fetije i kemi mbi 170 vjet punë drejtpërdrejt me ditar në dorë. Tridhjetë prej viteve të përmendura të punës ishin nën okupim me (pa) rroga e me skamje.

Saturday 8 September 2018

PORTRET ME FJALË I HEROIT



Në tokën e  Arbit  me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi  kapedanët e  përçarë. Një çerek shekulli  bedenave   të Arbënisë  nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje.  Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "hë,  e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt jetën në luftë, por  vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi  edhe i vdekur  vazhdoi luftërat po tash pushtuese  me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra:  historianësh, poetësh, diplomatësh,  artistësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit vazhdon të  jetojë  me nam emri i tij.   
Janar, 2018

Wednesday 5 September 2018

TE ZJARRMI


Kur shkonin nuse çikat e kabashëve bëhej me dije fshati një javë përpara, mos më shumë, se të dielën, (rrallë herë edhe të enjteve) N.N e përcjell çikën. Në pritje, Te Zjarrmi, në oborrin e xhamisë së fshatit)* dilnin të gjithë meshkujt e moshës madhore. Atëherë dasmorët vinin hipur në kuaj. Me të hyrë në fshat, kuajt i tërhiqnin për freri se kaluar nuk lejoheshin, kurse kerrin e kuq me gra brenda dhe medoemos një djalë deri 5 vjeç (djalë kerri i thuhej) e merrnin në dorëzim familjarët e nuses. Fëmijët vraponim për t’i zënë (ruajt) kuajt e dasmorëve. Në ketë rast paraqitej një rivalitet, konkurrencë e madhe. Për punën që bënin fëmija, shpërbleheshin me para, kryesisht monedha të vogla metali. Kafeja përgatitej në hajatin e xhamisë në një stufë ose shporet të improvizuar jashtë. Sa uleshin dasmorët në shtroja të improvizuara me cerga, hastra për ata në krye edhe qilima e postiqeje, hyzmeqarët shpërndanin cigare, ju ofronin ujë të ftohët, shkrepësen për ta dhes cigaren (gjithmonë me dorën në zemër) dhe ndonjë shërbim tjetër që kishte nevojë, duke filluar nga kryekrushku e flamurtari. Dasmorët, ata në krye të vendit, hyzmeqarëve u jepnin cigare dhe ja tregonin emrin. Hyzmeqari shpërndante cigaret, duke përsëritur gjithnjë emrin e dasmorit. Kur kishte këngëtarë ata dilnin në ballë të vendit dhe këndonin, po pati daulle e surle, atëherë hidhej vallja. Bëhej një rreth shikuesish dhe valltarët, qoftë dasmorët, qoftë kabashët i jepnin me të gjitha forcat për të treguar at që dinin.  Me të lajmëruar nga shtëpia prej ku dilte nusja, krushqit ngriheshin dhe në radhë për një parakalonin para vendasve të rreshtuar, duke përshëndetur dhe ndonjëherë edhe me romuze, dikush nga të rinjtë mbante një takëm në dorë ku krushqit lenin para të vogla. Sa jam në dijeni, kabashët janë të parët që ketë punën e takëmit për të mbledhur para nga dasmorët e kanë hequr të parët.  Kur bëhej teslim nusja (gjaki jonë, robi juaj), i zoti dasmës i lëshonte një shumë parash në grusht mikut të ri,  shtihej me revole dhe dasmorët ishin të lirë t’ju hipnin kuajve. 
*Thuhet “Te zjarrmi” se krushqit janë pritur kryesisht në vend të haptë në natyrë. Aty u dhes zjarri për të zier kafen. Kabashi para 1912 krushqit i kanë pritur te Livadhi i Ademit. Aty ku sot kanë ndërtuar shtëpitë, Basri Ibishi me të vëllain.  
Sabit Abdyli
                                     Kabash, 2000. Ne foto kabashe ne pritjen e kurushkeve.

Tuesday 28 August 2018

MIKAJ IME E MIRË


Në punë shkon e kthehet me tren. Në tren hap IPHON-in lexon lajmet , shikon postën elektronike, u përgjigjet letrave, pastaj nxjerr librin dhe nis së lexuari . Gjithnjë në të njëjtin vagon, gjithnjë në të njëjtën ulëse e rend, rrallë ndodh të jetë i zënë vendi i preferuar i saj. Në tren ndjehet mirë. Saktë pa u vonuar asnjëherë vjen e niset treni. E saktë është edhe ajo, saktë e di sa faqe libri ka për të lexuar deri te stacioni i fundit ku zbret. Nuk ka ndodh t’i ketë ikur treni, realisht të jetë vonuar ajo. Në punë te puna e ka mendjen, kurse në shtëpi te rregulli e fëmija. Kokën kthyer kah Tokat shqiptare dhe vendlindja e mban, jeton me hallet e saj dhe është më ambasadore se ambasadorët e paguar, qeveritarët me truproje, limuzina të blinduara, sekretare e këshilltarë. Mikja ime e mirë.

PS:
Miki Tahiri (Mikja ime e mire) u lind  në familjen, e cila  i dha tokës së Kosovës dëshmorin Avdullah Tahirin në Malishevë të Gjilanit. Jeton në Gjermani.



                                           Në gusht të vitit 2013 Miki më vizitoi në Kabash.

 Gjilan në foto me Mikin pas daljes nga botimi të dy librave të mi në shtypshkronjën Pika 5, Gjilan.
                                                                    Kabash, gusht 2013

Saturday 25 August 2018

Skicë e shkruar në variantin normativ dhe dialektor:


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk pushonin këngën. Vapullim sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopsht tim nga të nxehtit ulën kurrizin. Verë e nxehtë këtu, acar e dimër Atje. Fluturojmë me makinë asfalti të valët. Kolona e veturave në ngutje drejt drurëve çufrak, plazhit me rërë e ujit të oqeanit. Zëmë vend nën hije e lisave gjetheshumë. Pak përtej, deti pafund. Sakaq një therje vetëtimë me dhembje më përshkoi tejetej këmbës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi pas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën gjelbëroshe, si kope delesh të trembura erdhën re të shumta duke marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi të fishkëllente bregut, vala të njomë rërën e përflakur e spërkatur bregun, furtuna bartur gjethet e thara dhe krijuar duna rëre si tallaze deti. Pas pak nisi një shi me pika të rralla. Kolona e makinave në ikje. Shiu sa vinte e ngadalësonte goditjet në xhamat e makinës. Shiun e furtunë sakaq e përpinë malet dhe poshtë fushës na shkeli syrin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!


DITË VERE MA
Gjinkallat nuk nalnin kangën. Zapullimë sa të zihej fryma. Lulet e gjethet e perimeve në kopshtin tem nga të nxehtit u kalamenden. Verë e nxehtë këtu, ftoft e dimën Atje. Fluturojmë me limuzinë asfaltit valë. Kolona e limuzinave  vraponte drejt dushkajave çufrake, plazhit me ranë e ujët e oqeanit. Zumë ven nën hije t’lisave  gjetheshum. Pak manej, deti pafund. Pa prit nji therrje  me dhembje m’shkoi si vetima tejepërtej kambës së djathtë. Ah, mendova, do ketë shi mbas gjithë këtij të nxehti. Dhe nuk vonoi, mbi kodrën e mblueme me bari jeshil, si kope delesh të trembuna erdhën re të shumta tuj marrë ngjyrën e murrme në të zezë. Poshtë detit era rrëmbyeshëm nisi me  fishkllue bregut, vala me njomë ranën e përflakun e stërpik bregun, furtuna tuj  çue sa anej sa knej  fletet e dushkut t’thatë dhe krijue  duna rane si tallaze deti. Pas pak nisi nji shi me pika të rralla e t’mdhaja. Kolona e kerreve kish marrë vrapin. Shiu sa vinte e ngadalësonte të ramet në xhamat e limuzinës. Shiun e furtunën  sa çel e mshel sytë e përpinë bjeshkët dhe poshtë fushës na shkeli synin ylberi shtatëngjyrësh. Ditë vere ma, shpejt mrrolet e buzëqesh qielli!
Auckland, janar 2018

Tuesday 14 August 2018

KUSH NA ÇARTI


Aty ku ishim më të fortë e qendrëstar, aty ku s'kishte daltë as limë të na hajë, aty ku na lakmonin e xhelozonin miqtë e armiqtë, si: familja e martesat e qëndrueshme, harmonia, respekti, dashuria për vendin, për librat, shkollën, shqiptarizmin, fjalën e dhënë. Jemi në tatëpjetën më të madhe mu në kohën kur duhej të jemi në ngjitje si shtet e komb. Tatëpjeta  vazhdon dhe ka rrezik të thyejmë hundë e buzë e të humbim hapin me kohën. Ç'janë këto ndarje të porositura me fonde të majme nga ata që nuk na duan, nga ata që me shekuj punuan për te na zhbi nga faqja e dheut. Kush na çarti harmonin ndërfetare, kush na çarti harmonin brenda familjes, kush na çarti dashurinë e respektin për gasterbajterin, shqiptarin, historinë, heronjtë, dasmat, veshjen, emrat, këngën e vallen bash shqip,  kush çarti partitë tonat sa të urrejnë për vdekje njëra- tjetrën dhe bëhen me ata që nuk lanë dy gurë bashkë vetëm për ta ngulfatur e nda Kosovën, me ata që nuk kërkuan falje për gjithë ato vrasje, shkatërrime, me ata që fshehën  e mbuluan me beton të vrarit.
Botuar ne gazeten "Bota sot" 7 gusht 2017

Tuesday 17 July 2018

KABASHËT E PARË ME PUNË JASHTË KOSOVËS



Në vitet e 60-ta të shekullit XX kabashët për shkak kushteve të vështira ekonomike dhe në pamundësi për të gjetur punë në Kosovë u detyruan të kërkojnë punë në rajonet më të zhvilluara të Jugosllavisë. Daljet e para si punëtorë krahu ishin në fushat e Banatit (Vojvodinë).  Ata me fitimet e tyre siguronin ekzistencën për familjet në Kabash. Gati të gjithë kabashët të moshës për punë në vlugun e punëve bujqësore në Vojvodinë me një torbë në dorë  dilnin në këmbë në Ferizaj dhe merrnin trenin për në Beograd. kurse prej Beogradit vazhdonin me autobus deri në fushat e Banatit. Atje banonin në sallashe (shtëpi në prona bujqësore me hambarë e vende për mjetet e punës), larg vendbanimeve. Aty flinin dhe improvizonin kuzhinën ku përgatitnin drekat e darkat (kryesisht fasule e patate) vetë me radhë.   Mbas disa vitesh kabashët të ndihmuar nga njëri tjetri dolën për të punuar në Austri, Gjermani e Zvicër se fitimet ishin më të mira. Më punën e tyre arritën të përmirësojnë jetën e familjeve në Kosovë. Fituan përvoja të reja, investuan në shkollimin e fëmijëve, ndërtuan shtëpi të reja, prunë veturat e para e mjete tjera të punës: blen traktorë e vegla tjera bujqësore, orendi, shport elektrik, frigorifere, lavatriqe etj. Po përmend këtu ata që hapën rrugën e daljes jashtë: Nevzad Nebi Zeqiri 1933-,1972, Muharrem Shukri Misini, Sylejman Mehmet Zeqiri 1930-2005, Zekir Bekë Zeqiri, Elez Ismajl Selmani, Mejdi Shukri Misini 1930-1968, Hamdi Xhelili, Megjit Mehmet Zeqiri, Habib Ahmet Agushi 1936-2016, Aziz Gjemajl Azizi 1942-2013, Emin Brahim Sallahu, Beqir Sallahu, Rrahman Shukri Misini 1938-2017, Osman Jahi Selmani 1934-2001,  Rrustem Ramë Januzi,  Ibish Rrahim Ibishi, Ali Rrahim Ibishi, Mejdi Izet Qerimi 1943-1979, Ejup  Shaip Jashari, Sejdi Ramadn Aliu, Nuhi Jahi Selmani, Ramiz Sallahu, Sami Ramadan Aliu 1937-1998, Agush Ahmet Agushi, Rafiz Shaip Azizi, Milaim Nazmi Deliu, Zahir Mehmeti, Etem Sadiku, Nuhi Hysni Shabiu, Ismajl Jetish Jetishi, Daut Baki Nebiu, Rexhep Jetish Jetishi, Qazim Ilazi, Fadil Halim Haliti, Shyqeri Nebi Sallahu,  Hebib Elmazi ....
Vojvodine, 1960//64. Ne foto Muharrem Misini, Nevzad Nebi Zeqiri, Mejdi Misini e Hajrush Zeqiri. (Hajrush kish shkuar per vizite)
Vojvodine, ne vitet 1960-ta. Ne foto; Aziz Azizi, Rrustem Januzi, Rrahman Misin, ulur Muharrem Misini, nje shok i Budrikes dhe Elez Selmani
Vojvodine, ne vitet e 60-ta. Ne foto; Emin Brahim Sallahu,, Aziz Gjemajl Azizi, Megjit Mehmeti , Isak Shema, ulur; Muharrem Shukri Misini, Hajrush Rexhep  Zeqiri, Mejdi Shukri Misini, Habib Ahmet Agushi dhe Nevzad Nebi Zeqiri.  (Hajrushi e Isak Shema ishin ne vizite)
Austri, mbarim i viteve te 60-ta. Ne foto: Ibish Rrahim Ibishi, Nevzad Nebi Zeqiri , nje shok i Sllatines dhe Milaim Nazmi Deliu
Sylejman Mehmet Zeqiri






Mejdi Izet Qerimi



Sami Ramadan Aliu


















Ismajl Jetishi- Kabashi 1941-1996













Auckland, 2018

PS; Vërejtjet (plotësimet)  i mirëpres.



Sunday 8 July 2018

MADHËSHTIA E NOLIT


Këto ditë dëgjova një video incizim me zërin e Fan Nolit live të postuar në FB  dhe më fascinoi për atë që thoshte eruditi.  Heu, mendova sa i madh ishte ai karshi intelektualëve tanë të sotëm xheloz, inatçi e shpirtvegjël, që zi e terr flasin e shpifin për njëri - tjetrin. U kënaqa për gjithë kohën sa fliste për vetën, Shoqatën “Vatra” në Amerikë, çështjen shqiptare e mendjendriturin  Faik Konica me aq saktësi, realizëm, ëmbël e humor. Me Faik Konicën pati mospajtime rreth punëve të Shqipërisë dhe i përmendi “kusuret” e tij që i kishte pa i veshur edhe të tjera dhe vazhdoi me simpati për kontributin e  madh të Konicës në fushën e publicistikës, letërsisë e kulturës shqiptare.  Një intervistë me një poet tonin të njohur para sa vitesh  në pyetjen e gazetares se cili nga shkrimtarët shqiptarë meriton të kandidohet (propozohet) për çmimin NOBEL më ka ra ta shoh tek ngulfatej e i merrej goja atij nga shpirtvogëlsia pamundur  të përmend një emër nga shkrimtarët shqiptarë, duke sjellë  rrotull e rrotull përgjigjen deshi të thoshte sikur vetëm ai e meritonte këtë se  të tjerë ne shqiptarët nuk kemi. 
Auckland, korrik 2018

Tuesday 19 June 2018

KUJTIME TE ARKIVUARA, SHKUP 1966-1968






Shkup, 1967
Vitin e parë (1966-1967) në SH.L.P në Shkup grupi: gjuhë e letërsi shqipe ishim 36 student nga të gjitha rajonet tona shqiptare: Kosovë, Preshevë, Tetovë, Kërçovë, Strugë, Kumanovë, Gostivar, Dibër etj. bile në klasë kishim edhe një student (emigrant) nga Shqipëria. Është çudi që nga Shkupi, qytet me aq shumë shqiptarë, nuk kishte asnjë, jo vetëm në grupin tonë, por edhe në grupet tjera. Të rinjtë shqiptarë të qytetit  punonin kryesisht nëpër dyqane zejtarësh dhe shumica mbanin në kokë qeleshe bezi të bardhë.   Deri sa udhëtoja përditë në këmbë nga Çairi deri në Karposh dhe anasjelltas i shihja e mendoja pse këta të rinj shkupjan nuk shkollohen duke pasur shkollën në prag të shtëpisë, pse? Për ne brucoshët puna kryesore ishte ardhja në ligjërata dhe libri. Merrnim shënime dhe gjithë mbrëmja na shkonte duke nxjerr shënimet në fletoren tjetër. Literatura e tekstet universitare na mungonin. Po t’i  binte në dorë dikujt prej shokëve një roman, revistë etj në gjuhën shqipe të ardhur kontrabandë nga Shqipëria ose bota e lexonim në radhë. E pat pru dikush poemën “Kosovë” të Asdrenit dhe shumë nga ne e përshkruam e mësuam përmendsh poemën, e cila  fillonte me vargjet:
“Kosovë, o vend i famshëm i trimnis
Kosovë, o lule e bukur  Shqipnis! “
Sukseset e shqiptarëve me emër në fushën e shkencës, letërsisë, filmit, sportit etj. si puna e Çabej, Kadare, Bekim Fehmiu etj. na gëzonin pamasë.  Ne studentët ishim publiku më besnik i shfaqjeve në gjuhën shqipe në teatrin e qytetit të Shkupit. Në vitin e dytë (1967-1968) mundem të ndjekim ligjëratat vetëm 9 student, kurse 27 të tjerët e humbën vitin ose ndërprenë studimet. Atëherë për të kaluar provimin duhej nxeh mirë e mirë karrigen.  Në vitin e dytë filluam më intensivisht  me aktivitete kulturore e sportive. Ne të grupit- Gjuhë letërsi shqiptare në bashkëpunim me të tjerët përgatitëm recitalin kushtuar 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë Gjergj Kastriotit. Në një turnir futbolli të organizuar për të gjitha fakultetet e qytetit ne shqiptarët kishim dy ekipe: “Besa” dhe “Skënderbeu”. Falë angazhimit të lojtarëve në fushën e sportit dy ekipet tona arritën në finale në mesin e dhjeta ekipeve maqedonase. Pati tentime të kurdiset rezultati nga se ekipi “Skënderbeu” për shkak emrit kërkonte ta kishte të sigurt fitoren ende pa nisur loja. Pas bisedës ramë dakord që loja të jetë fer dhe kush është më i mirë le të triumfojë. Në pranin e shumë shikuesve që kishin ardhur për të parë finalen fitoi ekipi i “Skënderbeut”. Në jetën dhe aktivitet tona  shquhej fryma kombëtare. Po ketë vit u mor iniciativa nga një grup studentësh shqiptarë të mjekësisë për themelimin e klubit të studentëve shqiptar me emrin e kryetrimit të Krujës. Në vjeshtë të vitit 1968 shumë nga studentët shqiptarë u burgosën për shkak aktiviteteve e përmendura. Unë isha me fat se në shtator të vitit 1968 u diplomova dhe u ktheva në Kosovë. 

Shkup, 1967 grup studentesh te vitit te pare e te dyte me  prof. Hamza Reka, dr. Petro Janura e prof. Remzi Nesimin në mes. 
Shkup, 1967. Në foto , para ndërtesës së SH.L.P në Karposh, nga e majta në këmbë: Fazli Veliu (Kërçovë), Mufail Adili (Strugë), - Konjuzi (Shqipëri), Arif -.(Kumanovë) Ulur: nga e majta: Abedin Selimi (Preshevë) Sabit Abdyli, (Kosovë), X (nuk me kujtohet emri i tij). Kanë kaluar 50 vjet dhe ,,,dd caption



Monday 11 June 2018

MALL E DHEMBJE


Bukurije Bushati
Këto ditë më ranë në duar poezitë e poetit Sabit Abdyli, që po bënte gati për të dalë para lexuesit edhe me një libër të tretë me poezi, ku  do të  përfshinte edhe poezi nga dy librat e botuar më parë.  I lexova me vëmendje, edhe pse i kisha lexuar herë pas here të postuara në profilin e tij në fb.  Sabiti është emigrant në Zelandën e Re dhe ashtu si çdo emigrant, nëpër poezitë e tij tërheq tegelin në shiritin e kohës malli për vendlindjen, dëshira për të prekur edhe një herë fëmijërinë, rininë , mllefin deri në përmasa revolte dhe gjithçka që e lidh me ëndrrën e tij, prej nga u detyrua, si edhe shumë të tjerë, të largohet fizikisht por jo shpirtërisht.
Lule maji
Në oborr të shtëpisë,
bari i  harlisur.
......
Një ftua, dy mollë.
Rrushi i ramë për tokë.
......
Sabiti, dikur profesor në Kosovë jepte mësime në shkollat që mbanin gjallë gjuhën, traditat, atdhedashurinë, sot pensionist ecën bregut të oqeanit me vështrimin drejtë kryqëzimit të meridianit me paralelen e këtij globi ku gjendet Kosova e tij e mallit.
KËNGË KURBETI
Gurit i bie dallga,
Guri kryeneç,
S’lëkundet dot nga vendi,
I fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir,
Dallga nuk e njeh,
Kurdo e fut në thellësi,
Kurdo e përplas në breg.
Në vëllimin me poezi të tij, ka data e ngjarje të ndryshme. Është një arkiv, ku ai me kujdes ka ruajtur pjesëza të jetës, të cilat e prekin herë pas here, si duke ia shtuar mallin edhe duke e nxitur të shkruajë diçka për to. Është mosha kur vitet ngrenë gradaçielën në trupin tonë dhe e bëjnë shpirtin më të ndjeshëm. Madje ndonjëherë ai (shpirti) ndjehet fëmijë në  çiltërsinë e të shkruarit. Ja si shkruan Sabiti;
NËNËMADHJA
Shtëllungë leshi në furkë,
Të tashmen tjerrë,
Kujtimet në bosht mbledh e dredh,
End në tezgja kuq e zi,
Jep dorën e parë në shtëpi.
Me këngë aromë ftoi e molle,
Përkund nënëmadhja ardhmërinë,
Endet nëpër kënga e legjenda,
Kudo prek Shqipërinë.
Kemi gjëra të përbashkët ne emigrantët. Mallin që na djeg, kujtimet që na ulen në netët e gjata dhe herë - herë edhe ai qortim që i bëjmë vetes për largimin, për mosarritjen e bërjes së diçkaje që e dëshirojmë, por që nuk mundemi. Më ra në sy këtu poezia e tij ku qorton veten e degradimin moral e shpirtëror të njerëzve tanë të cilët nëpërkëmbin interesat e kombit;
KOSOVË
Çfarë lesh burri jam unë, Kosovë!
Mërzitem për ty, kam mall, dhembje.
Dhe forcë të të mbroj s'kam.
Medet, racë e jotja të nëpërkëmb,
Qençe, pamëshirë!
Nga emigrimi ndjente ai dhimbjet e  kosovës nën peshën e Serbit. Ia skuqte syrin çdo pikë gjaku martiri dhe sytë hidhte qiellit të shihte shqiponjën për t'ia ndjerë plagën, por për t'ia parë edhe guximin. Harronte ku ishte dhe vargje shkruante bregut  për dashurinë e tij të madhe e të thellë sa vetë oqeani.
ZOG I KOPSHTIT TIM
Ditë e përditë,
Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...
Në çaste terri e drite.
Pikturon me zë:
......
Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë,
Kthimin e madh, orën e bardhë,
Ikjen e natës, qershor '99!
Fati ynë si edhe fati i popujve të tjerë të merrnim udhët e mërgimit. Plagë kjo që gjen veten në shumë poezi poetësh emigrant. Në këtë vëllim më ra në sy edhe poezia e komunikimit mes të emigruarve dhe atyre që mbeten në vendlindje. Me një gjuhë dhe stil të thjeshtë po aq shpirtëror, që e bën aq prekëse në thirrjet me emrat e bukur shqiptar që mbajnë fëmijët, e përshkruan këtë Sabiti në poezinë:
TELEFONATË
Alo xhaxhi
Vlera jam unë
Këtu në Gjermani.
Babi dje me ngjyra blu,
Vendlindjen pikturoi.
Zgjimi, përballë tij,
Petalet e luleve,
në kopështin e shtëpisë,
I ngjyros kuq e zi.....
Alo xhaxhi
Vlera jam unë.
Sot fillova  të qëndis një Flamur.
      Alo xhaxhi
      Të ngujuara fjalët
     Pse i ke?
      Në Zvicër Halla,
      Në djep të Kosovës,
      Bekimit ninulla shqip i këndon.


Në këto emra është ëndrra e Kosovës, shpirti e guximi i saj. Jam rrënqethur teksa e lexoja këtë poezi, detajin e gjetur bukur në të, që do të tregojë gjithnjë kohën kur ishim shqiptar jo vetëm në gjak, në atdhedashuri, mikpritje... por edhe në emra!
Është e larmishme tematika në këtë vëllim me poezi që tregon copëza jete nga Kosova të përjetuara nga poeti. Ai i kundërvihet tradhtisë, pazarllëqeve që bëhen në kurriz të kosovës, të popullit. Ai din të paraqesë saktë fytyrën e vërtetë të serbit  dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e Kosovës që bëhet edhe dhimbja e tij. Poeti din t'i gëzohet lirisë. Ngre në pejdestal trimat e Kosovës, i radhit yje në qiellin e saj dhe ndjehet krenar.
Me stilin e tij të çiltër e bën lexuesin të përjetojë ato momente që përshkruhen vargjeve, të përjetoj dhimbjen, dashurinë, mallin, krenarinë... gjithçka zë vend në këtë vëllim.
E lexova këtë vëllim poezish dhe njoha diçka më shumë nga kosova, njoha më nga afër shpirtin e poetit dhe ua lej ju lexues të humbisni në to, të bëni një udhëtim vargjesh nëpër Kosovën e bukur, të mallit, të dhimbjes e të dashurisë...
Bukurije Bushati, Frankfurt

Monday 4 June 2018

RRËFNJA E MESELE KABASHÇE


               

Shumicën  e mahive, meseleve, ndodhive e dialogjeve të këtij libri  i kam të dëgjuar në odat e fshatit Kabash e mjedise tjera të punës, ndeja, takimeve të ndryshme me shokë etj. Gjatë shënimit (mbledhjes) kam dhënë edhe emra të vërtetë, vendin e kohën. Në disa prej tyre jam personazh edhe vetë. I rritur e edukuar në mjedisin e njerëzve me prirje humori të hollë e të shëndosh që në kohën e rinisë time isha kureshtar për të mësuar sa më shumë artin e të shprehurit përmes dialogjeve, ndërhyrjeve e shakave përmbajtësore me porosi të fuqishëm e poltë jetë. Dhe pata prej kujt të dëgjoj e mësoj, po përmend këtu vetëm disa prej tyre; Ymer Kabashi, Hamëz Qaushi, Haxhë Azemi, Rrahim Deliu, Lah Haliti, Rexhep Zeka, Sallah Sallahu, Isa Aliu, Jakup Osmani, Zeqë Kabashi, Rrahman Misini, Sefedin Azemi, Halit Haliti etj. pa përmendur gjeneratate reja të cilët vazhdojnë traditën e paraardhësve të tyre. Me qëllim të ruajtjes të kësaj krijimtarie kaq të begatë i mblodha për t’ju lënë brezave kështu siç i mësova e dëgjova drejtpërdrejt nga goja njerëzve me prirje të të shprehurit me humor, shkurt e porosi të mprehta. Trashëgimin gojore  të arkivuar në mendjen time dhe të shënuar gjatë viteve i publikova në tre librat e mi; “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997, “Na kabashi jem t’ndam nji zjarrmi”, Gjilan, 2013 e “Tybe këta veç kabashë janë”, Prishtinë, 2016.  Vërejtet e sugjerimet qëllim mira  i mirëpres. Adresa ime elektronike është:
sabitabdyli@hotmail.com

KUKU MOJ GRA
Rexhep Zeka
Siç dihet pas masakrës së vitit 1913, kur u pushkatuan 62 burra, Kabashi mbeti në duar të grave të veja, që me shumë mundime arritën t’i rrisnin fëmijët dhe t’i mbijetonin vështërsitë.  Më 28 korrik, për ditën e panairit, që mbahej në Gjilan, meshkujt i ri e i vjetër shkonin  në panair. Në mbrëmje nënat e merakosura për djemtë, që po vonoheshin, dalin  për t’i pritur te oborri i xhamisë. Njëra prej nënave e frikësuar  u thotë grave: “Moj, ra terri e djemtë nuk u kthyen  hala. Boll po tutna se mos po i rreh naj kush ose Zoti mos thashtë... naj e keqe tjetër.. me met pa ta!?.”
               Nëna e Rasimit, me të dëgjuar këto fjalë, u drejtohet shoqeve: “Kuku moj gra, unë kam një hall tjetër, Rasimi jem, hiç s’duron, asht shumë nervoz, e po tutna po e rreh a mosmakeq  po e vret naj kan, alltien me veti e ka!”
             Tregoi: Rexhep Zeka (Baci Mujë)

GJENERAL MEM BA
Ruhan Abdyli 1906-1983
Në vitet 1942/43 shkova në Gjilan me u takue me kushërinjtë e vendosun atje.  Sa hyna në kafe të qytetit, takova bacin Hamdi dhe Rexhepin (Rexhep Agush Kabashin) dhe po bajshim dert për jetën, gjendjen në Kabashin e okupuem nga bullgarët, në tavolinën tonë u afruen dy burra të pashëm dhe i thanë bacit Hamdi:  “Hamdi, po na duhen oficerë. I dimë kualitetet, aftësitë e tua. Kem vendos me të gradue kapiten dhe menjëherë  ... 
“Ku?” – i veti,  baci Hamdi.
“Në Shypni (Shqipëri),  kundër komunistëve”. 
“Gjeneral mem ba, dynjan e me ma dhanë nuk luftoj kundër vëllazneve të mi. Kundër çetnikëve e bullgarëve që po mbajnë nën terror tokat tona, jam gati tash me u nis. –  u tha baci Hamdi.”
Tregoi: Ruhan Abdyli (1906-1983)

MOS MË THIRR MA, OJ DADA NURI
Brahim Sallahu 
Te një bijë e tyre, e martuar në Lubishtë, kabashët )të afërmit e saj: vëllezërit, nipat, mbesat)  shkonin për ta vizituar motrën )hallën) vetëm në kohën kur piqeshin qershizat. Motra e fyer me këto vizita,  u thotë: “Mos më thirrni ma, oj Dada Nuri,  po oj Dada Qurshi”.
             Tregoi: Haxhi Brahim Sallahu 1913-2001









ENMEMIRI, MOS PASTË MET N’VEN


Rrahim Deliu
Një kapadai, arrogant e shovinist nga Vitia, sa herë i epej rasti i torturonte  dhe i plaçkiste shqiptarët. Halit Kabashi (1874-1949) e porosit  një të ri nga Kabashi për t’ia  heq flamën (likuidua)  dhunuesin. Ekzekutuesi, i udhëzuar saktë  nga Halit Kabashi, me 15 gusht, Ditën  e Zojave, që mbahej (mbahet edhe sot) në Letnicë, zë pritë diku mes Vitisë e Lubishtës dhe në momentin kur i afrohet kapadaiu, shtinë me armë në drejtim të tij dhe e plagos. Rreth të plagosurit mblidhen udhëtarët e rastit dhe ai i shpëton më së keqes. Dorasi, për të krijuar alibi, kthehet shpejt e shpejt në katund (Kabash), ashtu siç ishte porositur, dhe ulët në mesin e burrave që po llafosshin në oborrin e xhamisë. Halit Kabashi,  që ishte në pritje të lajmit, e pyet të porsaardhurin:
- “A met në ven”? “
- “Jo valla, nuk met në ven!”,   i përgjigjet, i riu me keqardhje”.
- “Enmemiri, mos pastë met në ven, ka marr mend.” -   i thotë Haliti, dhe vazhdoi llafet me të pranishmit, sikur nuk kish ndodhur asgjë.
Tregoi: Rrahim Deliu 
*Enmemiri (zëvendësim për lokucionin e mira së mirës ose e mira e zotit), të cilën Halit Kabashi e përdorte dendur. Bile një mysafir i rastit, duke mos kuptuar  fjalën (ENMEMIRI), i habitur pyet: Kush asht ai Enmemiri që Haliti kurrë s’po e lëshon prej goje?! Për lokocionin në fjalë Xhavit Salihu, nga fshati Smirë gjatë një bisede, më tha. Halit Kabashi prej kur u martua me një bijë tonën (fshatit Smirë) nuk ka thënë më "ENMEMIRI", po "E MIRA SMIRËS".

NUK KE HISE


Halim Haliti
Dikush prej katundeve tjera blen truall në Kabash. Sa nis me ndërtue shtëpinë. Halit Kabashi i çon fjalë: “Enmemiri, trollin e ke ble, munesh me ndërtue shpi, po dije mirë se jasht oborrit, shpisë, nuk ke hise as në fushë, as në mal, as në xhami, as në vorre, as kurrkund. Enmemiri, na e kem pague me lira të kuqe ketë vend. I porsaardhuri me të marr porosinë i mblodhi plaçkat dhe shkoi nga kish ardhur.
   Tregoi: Halim Lah Haliti







ARAT NËN VADË
Sali Zeqir
Atë vjet majti shumë thatë. U mblodhëm me  ba nji dua n’xhami. Sipas rregullit )ritit) gjatë lutjes për shi, gishtat e duerëve i mbajshim  teposhtë,  veç baci Haxhë (Haxha i Azemit), gishtat  i mbante  përpjetë.  Në dalje dikush i tha: “Haxhë, Zoti t’marroftë, naj prishe duan!”
- “S’ma nin për arat e juve, une për veti, krejt arat i kam nën vadë” – u përgjigj aj tue kesh me za.
Tregoi: Salih Shaban Zeqiri )1930-2000)








ANI NANËS
Nezir Kabashi 1918-2008
Vjen miku i ri nga Krivanjeva e Kaçanikut me nda vade për ditën e dasmës për motren Xhemile, tregonte Baci Nezir (Nezir Kabashi 1918-2008) baba Hamdi (Hamdi Kabashi 1895-1945) nuk qëlloi në shtëpi. Unë me të marr vesh pse kish ardhun miku dola dhe i tregova nanës se miku po do me caktue ditën e dasmës. Ani nanës Hamdia nuk asht këtu po daje vaden. S’kisha si ta kundërshtoj nanën Silhane dhe e ndamë vaden, po gjithmonë me një far droe se çka ka me thanë baba Hamdi kur të kthehet. Për çudi timin baba e mirëpriti ndamjen e vadës.  
Tregoi: Nezir Kabashi 1918-2008


MU KANË SHOTË
“Baci Tal, me na kallxue drejt, a  po të duket mirë në Kabash?”- e  pyesin Tal Zejnullahun, i ardhur nga malësia e Karadakut në Kabash.
- “Mirë valla, përgjigjet Tali,  mu kanë shotë (patë), ujë kish boll n’Kabash.”
Shënoi: Sabit Abdyli

TJETËR EMËN NUK DUE
Jakup Osmani 1922-2006
Kur janë nda fiset, Kabashi ka kundërshtue: “Vëllazën, na nuk ban me u nda në fise. Të ndam ligështohemi a ka me na hi thika nërmjet njani tjetrit. Po u ndat unë Kabash do të metem. Tjetër emën nuk due. Kabashi e rujti emrin dhe kurr nuk bani përçamje midis bajraqeve, gjithmonë ishte për bashkim të fiseve.
Jakup M. Osmani (1922- 2008)
Sabit R. Abdyli,  Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997







TURKIJA NUK ISH VEN PËR NEVE


Ali Haliti
“Turkija, nuk ish ven për neve, vetë e pash, nuk kish kush hamar as kosh n’oborr, ven fukara edhe shka asht ma keq, i huj. U thotë  Haliti Kabashi (1874-1949) bashkëfshatarëve (kabashëve) pasi u kthye nga Turqia.  Atje kishte shkuar për të parë vendin ku planifikonte për t’u vendosur si shumë familje tjera  shqiptare, me gjasë në vitin 1928.
Tregoi: I nipi i Halit Kabashit,  Ali Fetah Haliti








KY KOCË I KALLXON TJETRIT KOCË
Një mbërmje te dera e oborrit, në cilësinë e kryetarit, Ramiz Kabashin e thërret një njeri i fshatit fqinj për të biseduar diç me të. I ati, Ymer Kabashi, për dritë të hënës del pas tij dhe në largësi 15-20 metra, në gjendje gatishmërie me pushkë në dorë. Duke i ardhur keq për këtë gjest të babait, Ramizi i thotë:
- O babë, se njofte Kocin (Kociçin) e Binçës?
- Po, i përgjigjet i ati, këtë e bane me qëllim, ky Kocë i kallxon tjetrit Kocë se Ramiz Kabashi ishte i rujtun mirë.
 Sabit R. Abdyli, Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997

UNË JAM KRYETAR
Hasan Kabashi 1900-1945
Në qendrën komunale (në Viti më 1944) mblidhet popullata e kësaj komune për ta zgjedhur kryetarin. Aty krijohet një situatë konfliktoze, shume e nderë. Secili katund ka nga një kandidat të vetin për kryetar. Situata sa vjen e acarohet. Ndërkohë vjen Hasan Kabashi me Isë Seferin e Rexhep Kabashin nga Gjilani. Hasani ngjitet shkallëve të ndërtesës ku ishte zyra për kryetarin dhe i drejtohet masës së tubuar:
-“Vëllazën, mos u zini kot ndërmjet veti! Unë jam kryetar.”
Për detyrën e re të parët e përgëzojnë Isë Seferi dhe Rexhep Kabashi. Shumica e të pranishmëve, duke njohur cilësitë e Hasan Kabashit me duartrokitje e miratoi vetë emrimin e Hasan Kabashit për kryetar.
Sabit R. Abdyli, Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997

Zeqe Kabashi 1922-1981
QESI ALLTIE SI TANËN


Në odën e Zeqë Kabashit (1921-1981), Azem Çeli 1895-1981, pleqnar nga Begunca, duke hequr setrën që e kishte veshur, paksa në mënyrë provokuese e ekspozon drejt Zeqës revolen, që e mbante në brez.
- A e ke moti ket allti, o Azem!-e pyet Zeqë Kabashi.
- Qe 40 vjet-përgjigjet Azemi.
- A ka ba vaki me përdor, me vra a plagos naj kan!
- Jo Zeqë, shyqyr zotit.
- Me kanë burrë, i thotë Zeqa , ma shet se mu ka ba shumë marak.
- Allti munesh me ble ku të duesh, o Zeqë.  Çka dreqin tu ka tek ose ket temen, ose hiç?
- Vallai, bre Azem, unë po lypi qesi alltie si tanën, që nuk po vrajka, se ato që vrasin nuk më duhen-i thotë Zeqë Kabashi.
Sabit R. Abdyli, Kabashi i Anamoravës, Prishtinë, 1997

VEÇ BRINA NUK PASKA
Tefik Syla
Në odë burrash (me gjasë në fashatin Llashticë) për ta provuar reagimin e Azem Çelit-Beguncës (1895-1981) e porosin njërin prej të pranishëmve me sha (fye) Azemin, i cili pritej të hynte në odë. Azemin e fyen rëndë i porosituri, para burrave. Pas sharjeve, ndërhynë Zeqë Kabashi 1921-1981: “Azem, nxjerre alltien... çka po pret, o tash, o kurrë!“  “Alltien nuk e kam për kie, o Zeqë, a po e sheh që veç brina nuk paska, dam me harxhue plumba për ketë ka.” – përgjigjet Azemi, duke shikuar me përbuzje provokatorin.
Tregoi: Tefik Sejdi Syla





BURRAT E KATUNDIT
Hasan Hasani
Hajdini e Jetishi si kushëri e shokë që ishin, kur takoheshin nuk ndaheshin me orë të tëra. Me një rast, ashtu spontanisht, nisin për t’i vlerësuar se kush është burrë e trim në Kabash. Secilit i gjejnë  dobësi e të meta. Kur vijnë te anëtarët e familjeve të tyre paksa e patën më vështirë.   Hajdini, për ta marrë mendimin e bashkëfolësit,  i thotë. - “Jetish, çka me të thanë për axhën tand...  i mirë asht!?” “Jo, jo - i përgjigjet Jetishi. Ti nuk e njeh si unë. Fshije me niherë (me njëherë).”
Pas pak ndërhyn Jetishi: “Hajdin, vëllaznit e tu ... !?”  “Edhe vëllaznit e mi fshij, ti nuk i ke në shpi se, as nuk kishe vet për ta.” Ata, në ndarje, konstatuan se  burra  trima e të mirë në Kabash,  ishin veç ata dy.
Tregoi: Hasan Hetem Hasani







TA KISHA NJË FLOÇKË
Ymer Kabashit i thonë djemtë: “Babë, pse nuk po rri në shpi (shtëpi), ke ba vjet, nuk po sheh mirë... nuk ke met (mbet) ma me dal natën nëpër oda. Qe, mixha Halit, nuk po del ma...”  “Hee, u përgjigjet djemve Ymer Kabashi,  ta kisha ni floçkë  (nuse të re) si Haliti edhe unë  nuk kisha dal prej shpisë, jo veç natën, po edhe ditën.”
Tregoi: Haxhë Azemi 1904-1986

TYBE, KËTA VEÇ KABASHË JANË
Kabashët kthehen te një bijë e tyre pasi i kish zënë nata rrugës. Në shtëpi nuk qëllojnë asnjë prej burrave. Del dikush prej të rinjve e i shtinë brenda në odë.
- “Kanë ardhë plot mysafirë, po unë nuk po i njoh”. – i lajmëron gratë e shtëpisë i riu.
- “Shko,  këqyri qysh po rrinë” – e porositi  të riun bija e Kabashit.
- “Valla, asnji nuk asht ulun kambëkryq, janë shtri e po kënaqen tue ba muhabet”.
- “Tybe,  këta veç kabashë janë” – tha bija – dhe turravrap u fut brenda në odë për t’u uruar kushërinjve mirëseardhje.
Tregoi: Shaip S. Syla (1922-1998)

DREKAE FEJESËS
Ahmet Kabashi* msitet që kishin me ia prue një dorë e nuse, i pritë për drekë se ashtu ishin marrë vesh, mirëpo msitet ndërrojnë mendjen dhe vendosin me ardh për darkë.  I inatosun me msitet që e në krye në veti e kanë shtye ardhjen, Ahmet Kabashi e shtron drekën e fejesës dhe    e hanë  me shokë. Në mbrëmje, i urdhnon gratë me i heq qilimat prej odës dhe me i lëshue qentë, si përherë, natën. Në terrin e parë të mbramjes, msitet trokasin në derë. Ahmet Kabashi  e qet njenin prej djemve dhe mysafirëve ua hapë derën. Sa hyjnë në odë, msitet e vërejnë se Ahmeti po i priste si udhëtarë të rastit dhe jo si njerëz, që po sjellin dorë nuse. Oda e shtruar me cerga të dhinta, në pritje hiq kurrkush, qentë e lëshuem... Të nesërmen, Ahmeti, prapë i thërret shokët për drekën e fejesës, jep urdhnin të shtrohen qilimat e ri, të nis kanga e gëzimi, të gostiten mysafirët me llokum, duhan e kafe..., duke i ba kështu me dije mysafirët se Ahmet Kabashi nuk lejon me asnji çmim t’i dredhohet fjala.
Tregoi: Ruhan Abdyli 1906-1983
*Ahmeti ishte i biri i Jakup Cenës, njeri i fjalës dhe i pushkës, por edhe i vrullshëm e nervoz, u vra në vitet e parë të shekullit XX-të, në konfliktin mes Kabashit e Lubishtës.

RRAHIMI I DELISË “FOTOGARAF”
Rrahim Deliu
Siç flitej, Rrahimi i Delisë e kishte “ushtruar” profesionin e fotografit në mënyrë “profesionale”. Me një rast, në Stagovë, para vitit 1938  kabashët Rrahimi i Delisë, Sejda i Sylës, Haxha i Azemit dhe Hamza i Çaushit ftohën në dasëm. (Kabashët dhe stagovasit deri ne vitet e 40-ta nuk e kanë bë as dasëm as vdekje pa njëri tjetrin. Vëllazëria (jarania) e tyre ishte e vjetër, që para vendosjes së kabashëve në Anamoravë.) Të dielën, në të kthyer, krushqit me nuse ndalen për të pushuar. Rrahimi si “fotograf” që ishte e improvizon me tri degë druri trekëmbëshin dhe e mbulon me çarçaf. I tubon dasmorët para trekëmbëshit dhe tamam si profesionist i rendit disa në këmbë e disa ulur. Shkon pas trekëmbëshit, u thotë gati dhe e çon mbulesën. Dasmorët patën çka të shohin! Në vend të aparatit fotografik, prapanicën e Haxhë Azemit me tirqi e brekë të lëshuara poshtë. Dasmorët qeshën, por pati edhe reagime. Fotografi me gjakftohtësi dhe me “seriozitet” u premtoi se fotografitë  do t’i marrin pas dy javësh.
Stagovasit deri vonë kanë thënë: “Aj syretxhia i Kabashit hala s’naj pruni syretat”.
Tregoi: Haxh Azemi

VALLA HOXHË
Mulla SherifAzizi 1909-1982
Mulla Sherifit (Sherif Azizi 1909-1982, imam në Kabash) me një ndejë i ankohet Vesel Godeni:
- Valla hoxhë, shumë po merrni mi la xhenazet, 50 marka t’gjermanit, hej!?.”
- Vesel,  iu përgjigj Mulla Sherifi, unë po ti jap ty 100 marka mem la tash qysh  jam, veç prit sa ti heq rrobat dhe e porositi njenin aty afër, bjere koriten e madhe!
- Jo, jo -  reagoi shpejt mixha Vesel.- edhe 200 me mi dhanë nuk muj.
- Atëherë, pse po fol?
- Valla, veç fola, se përnjëmend, zor asht me la njeri të gjallin e le ma të vedekunin –  iu përgjigj mixha Vesel.
Tregoi: Habib Agushi







E DI MIKU
Veli Kabashi i shpernglur ne Turqi ne vitin 1927
Velia i mëhallës së Ymerajve – Cenaj  (në vitin 1928 të shpërngulur në Manic, Turqi) e çon dorën e fejesës të së motrës pa i treguar axhës së tij, Ymer Cenës.  Ketë e bën me qëllim që msitnin (bakshishin)  me  marr vetë. Në mbrëmjen, në odën e burrave, Velia për ta provuar se si po reagon i ungji, i thotë:
- “Mixha Ymer, miku i ri  t’ka  çue bakshish edhe ty!”
- “Ehee, e di miku, kush asht Ymer Cena, po ti je korit që ke shkue pa mue!” E merr dhuratën dhe, sa e shpalos,  e shef  se në letër të mbështjellë nuk ishte lira (dhurata) që e priste, po një penez,  pare e metaltë pa vlerë. Ja gjuan për fytyre nipit (Veliut)  penezin dhe e bën rezil për ketë sjellje të pa hijshme të tij. Me muaj e vite nuk deshi më ta shihte,  t’i fliste nipit, Ymeri.  Ndërhyjnë bashkëfshatarët për ta pajtuar. Pas lutjeve të shumta, Ymer Cena pranon.  -“Po ja fal, thotë Ymeri, por bash faqe për faqe cullak nuk muj me marr ngryk kurrë helaqin.”  E mbulon fytyrën me shervete (shami) dhe me fytyrë të mbuluar mezi e merr ngryk Veliun.
Tregoi: Muharrem Shukri Misini.

DAJU THE QAFËN
Jahia (Jahi Selamani 1896-1968) erdh e m’bani rixha m’i fol Smajlit (Smajl Selmanit 1904-1984) me njet bashkë,  se ai po do me u da (nda). Po m’dhimet,  hala i ri edhe nuk kem çka me da...  Qat (atë) ditë shkova te Smajli dhe i fola: Rri njëherë qaty ku je. Bashkë me Jahin e keni ma lehtë. Hala fëmijët nuk t’u kanë rrit. “Jo dhe jo - ma priti – du’ me u da dhe pikë”  Daju, the qafën, i thash, se po ma  mshel odën valla!
Tregoi: Saqip Misini (1882-1961)

MERRE ME MEND
Hamdi Kabashi 1895-1945
Bacit Hamdi (Hamdi Nezir Kabashi 1895-1945) i shkon nji mysafir (me gjasë mysafiri ishte nga Lubishta) dhe pasi e hap derën e shpisë thirr: O Hamdi, a je kësajde!
- Hajde, i thotë baci Hamdi, por herave tjera thirr te dyert e oborrit se ... - Po këtu në oborr të ri, ti hala nuk paske as dyer as gardh, ia kthen mysafiri.
- Merre me mend ku kam me i ndreq dyert dhe prej atyhit thirr! Kështu e do kanuni e rregulli.– i përgjigjet baci Hamdi.
Tregoi: Ruhan Abdyli 1906-1983.






KRYETAR OSE ROJTAR
Zeqë Kabashi (1921-1981) shkon me kërkue punë te kryetari i komunës në Viti. Sa e merr vesh kryetari se për çka kish shkuar, i thotë:
- Çfarë pune mundesh me ba?
- Fizikisht me punu’ nuk mundem se i kam ba do vjet, veç me urdhnu’ e fol jam i zoti. Kryetar ose rojtar.
- Po qysh more kryetar? – ndërhyn kryetari, duke qeshur.
- Me urdhnu’, me mbajt fjalime, me u thanë njerëzve kjo ban, kjo nuk ban, di edhe unë, në mos ma mirë se ti.
Zeqë Kabashi me ndërmjetësimin e kryetarit pas disa ditësh ia nis punës; rojtar në ndërmarrjen “Komunalja” në Viti.

ÇUET JAM KAN
Në ndërmarrjen “Trajko Grkoviq” ka pas punue daja Zeqë, si rojtar. Unë isha drejtor atëherë, tregonte në odën e Shaip Sylë Kabashit, Qamil  Bytyqi (Ferizaj).  Një ditë  më erdh një dënim se policia e ka zanë tue fjet gjatë orarit të punës, rojtarin e ndërmarrjes.  E thirra dajën Zeqë:
- Hë daja Zeqë, i thash, Ndërmarrjen e kanë denue me kaq pare, pse e ke shkym dritën dhe ke fjet në vendin e punës.
- Kur, kush të tha? – kundërshtoi daja Zeqë.
- Policia - i përgjigjem.
- Po, po, tha, i kam pa kur kanë ardhë policia, çuet jam kan edhe dritën kall e kam pas, po e shkyma, e mshela derën dhe u fsheha  se thash po me vrasin, nuk u met kurrkujt mi zanë besë, lloj-lloj hamadreqi u ba milic. Qe, tha, edhe mue ma kanë denue, merre ketë letër (dënimin), ti je drejtor e ban çka të duash me te se unë nuk kam pare me pagu’.

DAJA ISË
Zeqë Kabashi, tregonte Isa Uka, nuk më thërriste si gjithë punëtorët e ndërmarrjes, drejtor, por daja Isë. Një ditë i thash, këtu në vendin e punës jam drejtor, nuk jam daja Isë. “Po, tha Zeqa, muj me të thirr edhe unë drejtor, por kur të qesin prej drejtorllakit duhet me te thirr prapë daja Isë.”
Tregoi: Isa Uka

KA MBET EDHE NJKUSH I KABASHIT PA PUNË
Qerim Qerrimi
Qerim Kabashi (1930-1993) kish një stil të veçantë të të ecurit, kokulur dhe me duar të lidhura pas shpine. Në kohën kur ishte kryetari i komunës së Vitisë, fshatrat tjera thoshin: Qerimi ec tue u menue se a i ka metë edhe najkush i Kabashit pa e shti në punë.










E KA PA ZOTI
U mblodhëm na kabashi (kabashët) me shku’  me pa (për ngushëllime) te mixha Gegë në Binçë. Kur hymë në oborr, po e shohim mixhën Gegë tue u ba gati me shku’ në ara me mjell grun.  “Mixha Gegë, kemi ardhë me pa,  për  ... - i tha dikush prej neve” “Shkoni mixhës te shpia se kohë pune asht tash.  Atë rahmetlin (të ndjerin) e ka pa Zoti.”- na tha mixha Gegë.
Tregoi: Haxhë Azemi

NUK DI MA SHUMË
Isa Ruhan Abdyli 1930-1984
Nji herë i fola gjatë Isës (Isa Ruhan Abdylit 1930-1984). Nuk po i ndihmon babës tanë, nuk po le aksion të rinisë pa shkue. Po del kryeshtruet (pa kapuç), me pantallona të shkurt ...  po ju jep shembull të keq edhe djemve tanë. Po na keshin katunet tjera ...  Kështu nuk ban, ktheju punës e shpisë.  Baba yt, ty të ka ma të madhin, duhesh me ngu’ ...  Unë fol, e ai po ngon me vëmendje. Ha, thash, ja musha menen (mendjen)!. Ai në fund ma priti: “Ani baci Haxhë, fol sa të dush, nuk të idhnohem, e di, që nuk di ma shumë!”











SHKA T’PASHË N’KATIND PARTISË ME I KALLXU’
Kur hyni partia (pushteti partizan 1945) njani i katunit tonë u ba me ta. Kush nuk e vetke (pyeste) për kurgja. Veq fenerin jav majke  (ua mbante) kur kishin mbledhje partijashat (komunistat) natën. Unë kisha muhabet me ta. Nji ditë u nal, e po m’thot: “Rexhep, a po vjen edhe ti me u ba me neve, me hi (hy) në parti (Lidhjen Komuniste)?”. “Po qysh mu ba, a asht zor? – e veta. “Jo, tha, veç; ramazanin nuk duhesh me ninu’, n’xhami nuk duhesh me shku’... edhe shka (çka) t’pashë n’katund partisë mi kallxu’”. “Po kujtona, i thash, dhe sa herë e pasha iksha prej tij si prej dreqit”.
Tregoi: Rexhep Zeka

FRYJ TASH N’BYTH TEME
Të bacit Ymer kur u shpërngulën në Turqi (1927) i kanë pas marr me veti edhe dhentë. Ma mirë, thojshin atëherë, me pas dhen se lira a mall tjetër me veti. Në Turqi vendosën  në Manicë. Kullosa e tokë djerrin kishin pas boll, por për fat të keq të tyne pranvera vonohet at vjet, moti i ftoftë me borë e skllotë...  dhentë pa ushqim i mbetën dhe nji nga nji  i farohen krejt. Mbas disa ditësh juga e nxeht ja nis me frye. Baci Ymer i inatosun për humbjen e dhenve, për pranverën që u vonue, i heq tirqit dhe bythët i  kthen kah juga: “Fryj, i thotë jugës, tash n’byth teme, mbasi më shkuen dhentë!”.
Tregoi: Haxhë Azemmi

VALLA BOLL ANDËRR TË KEQE
Add captionSefedin Haxhe Azemi 
Në odë, mbas darke, Azemi, tregoi se kish pa andërr sikur ish ba mësues. “Po mirë i thamë, ke pa andërr dhe kurgja kurrkujt”. “Jo valla kesh tu plas, tha Azemi, u bana merak shumë, qysh me jetue, mbajt fëmijët me rrogë të mësuesit, po shoh çka po hjekni ju... shyqyr Zotit, andrra nuk zgjati shumë, se mos vet.” “Ti kurgja,  ndërhyni Ismeti, unë çka jam trishtue mbram... ishalla kurrë ma nuk më ndodh...  në andërr m’u duk sikur u bana i Beguncës (fshatit Beguncë)... prej vajit e mërzisë, m’dul gjumi shpejt se kesh tu’ maru’ krejt”. “Valla,  boll andërr të keqe paske pa edhe ti! - i tha Azemi.
Tregoi: Sefedin Azemi








MU’ MA MSHOJSHIN STARESHINAT (OFICERËT)
Njeni  i katundit tonë, tregonte baci Osman në kohën e Jugosllavisë së parë, kish pas shkue bedel, ushtar me pagesë në vend të Zekës. Kur kthehet prej ushtrisë e pyesin: “Si kalove në ushtri?” “Si krejt ushtarët tjerë, veç unë, të drejtën me ju thanë, e kam pas pak ma lehtë. Kur na rrahshin stareshinat (eprorët ushtarak) mue ma mshojshin, po Zekës ja shajshin nanën”.

M’U KA KËPUT TELEFONI                                                               
Kur i vdiq gruaja bacit Haxhë (Haxhë Azemi 1904-1986),  shkuam për ngushëllime. Në pyetjet tona se a po mërzitesh, ai u përgjigj:
“Valla, gruja m’ka lanë boll keq, jo për tjetër, po ajo m’kallxojke krejt shka bahej në shpi. Me shkumjen e saj m’u ka këput telefoni.

NË AMERIKË KESH
Ismajl Çaushi kur u plak e kanë pas lanë sytë, tregonta rrahim Deliu, nuk pake mirë. Prej oborrit të xhamisë: unë, Dema i Jakupit, Ahmeti i Zenunit, Sallahi i Trakalaqëve, Sejda i Sylës dhe disa tjerë e pamë Çaushin që ish nis me shkue te çika e vet. Çaushi e kapërcej përroin dhe gabimisht u afrue te dyrt e shpisë t’Faikit ... e vërejti se nuk jane dyert qe po i kërkonte. U soll nji copë here ashtu kot, shpinë (shtëpinë e Haki Azemit qe ishte krejt afër) nuk mujti me gjet dhe, u kthye. Kur mrrini karshi xhamisë, Nazmia (Nazmi Deliu) e veti: “O Çaush, ku ke?” “Në Amerikë kesh!” - iu përgjigj me nervoz Çaushi. Ahmeti i Zenunit, tue kqyr Çaushin, ofshani: “Kur të lanë sytë e plakësh edhe katuni yt, Amerikë t’bahet”. 
Tafe Mustafe Kabashi 1910-1944

PUSHKËT E TAFËS
E kishin pas zanë xhandarët e Serbisë në Ferizaj me allti (armë) pa leje Tafën (Tafë Kabashin 1910-1944). E lidhin dhe e çojnë në xhandarmeri. Mbas torturave e presioneve Tafa pranon se ka edhe pushkë. Pa dal drita e xhandarët e rrethuan shpinë teme dhe ju vërsulën mullarit të kashtës dhe po hallakasin, tregonte baba Ruhan. Për çudi timen xhandarët aty i gjetën dy pushkë. Më lidhen dhe gjithë rrugës për Viti m’vetshin: Cila pushkë asht e jotja? Asnjana, u thojsha. M’shtin në nji birucë dhe dikur mbas dite ma hapën derën dhe më lëshuen. Ma vonë mora vesh se pushkët ishin kanë të Tafës. Tafë, i thash mbasi dul prej burgut, qysh i ke fshef pushkët në kashtë teme.. Po valla, tha, kur më zunën në Ferizaj me allti e pranova se e kam edhe nji pushkë. Mendova se xhandarët hallakasin dhe e gjejnë njanën, e tjetra pështon, po ata i kishin gjet të dyjat. Të nesërmen erdhën dhe më pyetën në burg; “Sa pushkë i ke fshef në kashtë”? - e pranova që dy, për shkak tandin se m’u pas kanë naj kush tjetër nuk e kisha pranue kurrë.
Tregoi: Ruhan Abdyli 1906-1983

HIN TI SMAJL NË ODË
Baci Nebi (Nebi Çallaki – Zeqiri), i çon fjalë bacit Jahi (Jahi Selmanit 1896-1968) merre Smajlin e hajde për darkë se kam mysafirë. Pak para darke baci Jahi e merr Smajlin (vëllain e vet ma të vogël) dhe sa e hap derën e odës, baci Nebi i thotë: “Qy, unë t’kam thanë me marr Smajl Çaushin, o Jahi!” “Hin ti Smajl në odë, ulu te burrat! - i thotë baci Jahi vllavit t’vet - se unë për pesë dakika shkoj ja bi   Nebisë, Çaushin.”

ISA PARASHUTIST
Murat Murati
Isa (Isë Ruhan Abdyli 1930-1984) tue dashtë me demostrue se si lëshohen parashutistët ka pas këcye prej një kumbulle me ombrellë shiu. Gjatë kërcimit ombrella u përvjel dhe Isa pa asnji problem ra në tokë. Të nesërmen u përhap fjala se Isa u ba parashutist, ka këcye prej plepit me çadër të shiut dhe mezi ka shpëtue gjallë. Unë, si dëshmitar i ngjarjes, gjithmonë tentova ta sqaroj ngjarjen, por kot.    Rrena depërtoi edhe  jashtë katundit dhe Isës i thoshin; Isë parashutisti.
Tregoi: Murat Murati






SA TË BAHET TEH
Rrahim Ibishi
Dikush i katundit tonë i ankohet Rrahimit (Rrahim Ibishi 1909-1971) se në mungesë të qeremideve (tjegullave) shiu për ditë e ma shumë po ja prish duvarin (murin). Mos u ban merak, i thotë Rrahimi, ka zor edhe pak sa te bahet teh duvari se ma s’ka çka i ban as shiu as bora.
Tregoi: Ruhan Abdyli 1906-1983









QE KU JAM
Ekipi i Kabashit në futboll të vogël kish arritur në finale. Loja zhvillohej para simpatizantëve të shumët të njërit dhe të tjetrit ekip. Atmosferë e bukur. Daullet, buritë,  duartrokitjet  dëgjohesh me kilometra larg. Një lojtar i ekipit kundërshtar kish marrë për detyrë nga trajneri i tij të më ruante mua. Ai nuk më shkoqej edhe kur isha pa top. Gjatë lojës u futa në mesin e simpatizantëve dhe po rrija ashtu i fshehur.  Ai,  më kërkonte gjithandej fushës dhe nuk më gjente. Me vrap iu afrua trajnerit. Më humbi, i thotë. Dola dhe e thirra duke qeshur, qe ku jam, eja! Qeshi ai, publiku e lojtarët.

KUSH ËSHTË MË I POPULLARIZUAR NË KABASH
Ejup Osmani
Pas Luftës së Dytë Botërore, tregonte Ejup Osmani 1927-2008 erdhi në Kabash një anëtar i Komitetit Qendror të LK të Serbisë. Në Kabash na mblodhën krejt rininë. Pas një ligjërate në lidhje me gjendjen politike, të arriturat në Jugosllavinë e re, i ardhuri  pyeti se cili prej shokëve të juaj, këtu në fshat, është më i popullarizuar. Në fillim u krijua një heshtje, por pas pak, heshtjen e theu Isa (Isa Ruhan Abdyli 1930-1984), i cili tha: “I popullarizuar këtu te ne është Bata (Bata Sokolloviq ishte kolonist i ardhur në Kabash) se është drejtor në ndërmarrjen ndërtimore dhe punëson njerëz. I popullarizuar e i njofton prej të gjithëve këtu është edhe Isak Kamberi (1929-1997) se është shitës, njerëzit i ofrohen, e duan se ju jep mall veresi. I popullarizuar edhe i njohur është edhe Murat Murati (1930-1996) se është administrator në zyrën e vendit, lëshon certifikata, dokumente që njerëzit kanë nevojë për to.” –  përfundoi Isa.

NË XHEP I KAM
Rrahimit t’Ibishit, tregonte Misin Misini, ja lypa njëmijë banka hua.
       -“Rrahim, (Rrahim Ibishi-Kabashi 1909-1971) i thash,  po më duhen njëmijë banka se jam n’zor diçka... nuk ti vonoj shumë.”
       -“Qe, këtu, n’xhep i kam paret, po s‘ti jap. Ia kam pas dhanë  nji kusherinit tand dhe temit, po më doli punë me paret e mia. Ma rahat mi pas paret n’xhep.” M’u përgjigj Rrahimi akull i ftoft.

PËR SHKAM A PËR SHTET
Këtyne herësh  bajnë atentat në mbretin e nji shteti, po ai vetëm plagoset lehtë.  Ata afër tij, i thonë, naltmadhni  shyqyr shpëtove, si të veprojmë tash? Të zihet atentatori dhe të hetohet   përse deshi të më vriste; për shkam (fron) apo për të mirën e shtetit?  Nëse asht në pyetja “për shkam”  nuk ja fali, po nëse e ka pas për shtet e fali dhe hallall plagën ja baj!
Tregoi: Ruhan Abdyli

KY POPULL NUK ZHDUKET
Atë vjet (1913) kur Serbia e ka djeg e masakrue Kabashin (mbi 60 burra) e ka pas masakrue edhe Lubishtën, 90 e ma shumë burra.  Kam dëgjue, tregonte Saqip Misini, para se me i pushkatue Lubishtën komandati i ushtrisë serbe e paska pyet kryeplakun e katundit:  A ke diçka me thanë? Po, thotë kryeplaku, qat djalin e ri me ma lëshue dhe në vend të tij po shkoj unë, asht i vetëm dhe  me shkumjen  e tij, i mshelet shpia. Thojshin pleqtë, se komandanti u çue në kambë, e ka heq kapelën dhe ju paska thanë ushtarëve të tij:   Ku popull nuk zhduket kurrë, kot e kemi, shihni  kryeplakun  si vetëflijohet për bashkëvendësin e tij.

HYP MINARE
Izehir Sajd Syla
Izehiri, (Izehir S. Syla) një ditë vjeshte të vonë me një thes të tejdukshëm (njalloni) në shpinë po shkonte rrugës. “Hej, e pyeta, ku po shkon me atë thes? Ti asnjëherë nuk ec në kambë?” “Qe bre, e kam pre nji posterm e po ja çoj mixhës Shaip qet thes me mish – u përgjigj Izehiri.” “Ani, i thash, hyp n’minare të xhamisë e let shohin krejt katundi, që po i çon mish mixhës!” “Ah, mirë e keni ju mësuesit që ua ka nal rrogat Serbia se dreqen jeni” – ma kthej me inat, Izehiri.
Kabash, 1994






QELIBARI I MULLA AZIZIT


Osman Jahi Selmani 1934-2001
Të masakruarit  kabashë te vendi i quajtur Zabeli i Sahit Agës tetor 1913, afër Kllokotit  edhe pasi janë vrarë i ka plaçkitur popullata vendëse. Për ketë tregonte baba ( Jahi Selmani 1896-1968), i cili shumë  vite më vonë në rrojtoren e Misin Berberit, në Gjilan, i ka parë në dorë kutinë e argjendet të duhanit dhe qelibarin e mulla Azizit Gata Velishanit  (tregtar i njohur i asaj kohe nga Gjilani). Prej kujt e ke ble ketë kuti, kur e pyet  baba,   Gata e fut në xhep kutin dhe del nxitimthi jashtë, pa dhënë asnjë përgjigje.
Tregoi: Osman Selmani 1934-2001





PRISHT PAS MBET DARKA
Sylejman Rexhepi
Syla (Sylejman Rexhepi)  na thirri në darkë. Darka me të gjitha të mirat, bile edhe mjalt na pruni Xhemajli (Xhemajl Zenuni). Pas mesnatës e falënderuam për mikpritjen dhe darkën. Në dalje te  dera, ai (Syla) na hapi dyert e mëdhaja. Syla ende tue i mshel dyert unë prej së largu e thirra: “O Sylë, prisht pas mbet darka jote, a bullica kem ne që na hape dyert e mëdhaja a?”








N’DASH TASH PO VIJMË
Sabit, merri gjashtë-shtatë shokë  me veti e hajdi nji natë për darkë, më tha Alia (Ali Fetah Haliti) vetëm të kesh kujdes, rrenaca mos më bjer në odë. Ani Ali, i thash. Kur pas dy-tri jave derisa po shëtisnim me shokë rrugës në mbrëmje, Alia po më thotë: Sabit, çka u ba, hala nuk erdhe? Valla Ali, i thash, nuk po mundem me i gjet tre se shtatë veta jo se jo, që nuk rrejnë. Nëse hjek dorë prej kushtit që më ke thanë n’dash tash po vijmë.

PSE ME TË KONTROLLUE


Abdyl Abdyli
Abdyli (Abdyl Ruhan Abdyli) gjatë pushimeve i merrte ngjyrat dhe një bllok vizatimi me vete dhe shkonte në vendet e Evropës (Zvicër, Holandë, Gjermani ...) Me një rast kur u kthye në Kabash u lavdue se as policia as doganierët nuk e kontrollojnë kurrë në kufi. “Pse  me të kontrollue, i tha baba (Ruhan Abdyli), përveç ngjyrave dhe vizatimeve, kurgja tjetër nuk bjen kurrë.”








NUK E DI QË UNË MAHITNA

Diku në vitet e 90-ta, e pyeta Naserin  (Naser Sejdë Syla) : A ban t’i marr dy kolica pleh tandin afër bahshqes teme. Merr, tha, jo dy po sa të duhen. Të nesërmen shkova dhe po marr pleh, kur çika e Raifit (Raif Syla, tashmë i ndjerë) po më këqyr prej shtëpisë. O, e kam pyet Naserin!- i thash. Plehi nuk asht i Naserit, po i joni, po ani merr. Shkova turravrap te Naseri, dhe:  Naser,  Zoti të marroftë, plehi nuk ish i yti. Qy baci Sabit, a nuk e di që unë mahitna a!? - u përgjigj  tue kesh me za. E kam dit, po bash qeshtu shumë, nuk e kam dit.

U GËZOVA
Zeqe Kabashi 1922-1981
Në vitet e 70-ta me vëllain po ktheheshim nga Gjilani me veturë. Te stacioni i autobusëve në Viti zbriti një person i veshur me tirq e xhurdinë. Vëllai sa e pa, më tha, ky sigurisht kabash është. E ndali veturën dhe ... Hajde axhë, hyp se në Kabash ja paske mësye. Po valla axhës, në Kabash, te Zeq Kabashi. I themi se edhe ne jemi kabashë dhe jo vetëm te Zeqa, po te të gjithë në katund derën çel e ke. Para se të shkosh aty ku jeni nis, së pari te unë po kthehemi për kafe, i tha Ferati (Ferat Abdyli 1940-2015) dhe u kthyem. Ndërkohë e thirrëm edhe bacin Zeqë (Zeqir Nebi Kabashi 1921-1981. E kaluam krejt mbas ditën me llafe burrash, që duhej mprehtësi për t’i kuptuar. Zeqë, i tha axha Zekë, këta djemtë që më morën me veturë, unë nuk i kam njohtë as dit që janë kabashë dhe kanë mujt lirisht me vazhdue rrugën, po u nalën...  Nuk u gëzova që më prun me kerr, se këtu afër edhe në kambë kisha ardh, po u gëzova që kabashët gjithandej ku janë, nuk janë burra që fshifen mbas trenit.

DYQYSH PAQTË
Hamez Rexhepi
Hamëz Kabashi (1896-1985) punoi si korrier  komune në Viti. Atij shpesh i duhej të shkonte në fshatrat Debelldeh, Mjak, Korbliq etj. për të dërguar ftesa (thirrje) banorëve të fshatrave të përmendura. Gjatë verës, tregonte vetë baci Hamëz, kur shkoja në këto katunde së pari kthehesha te kroni aty ku e mbanin tamblin vendësit në ena të posaçme prej llamarine që mos t’ju prishet nga të nxehtit. Gjithmonë e merrja me veti një kashtallë elbi të gjatë e hapja enën e tamblit dhe  me kashtallë e shuaja etjen me tambël të ftohët në vend të ujit. Dikur më hetuan dhe njëri prej tyre, më tha; Valla  Çaush e kemi vërejt se po naj pi tamblin në krue, po hallall të qoftë se po e pi dyqysh paqtë (pastër).





MOS U BAN MERAK
Agim Misini
Agim,  (Agim Misini) çka paske ra mazun kështu, e pyeta. Qe bre jam tuj lye (Izulue) jashtë e brenda shtëpinë dhe erdhën baci Rrahman me bacin Sefë. Çka paske ba kështu me ketë izolim, më thanë, këtu po tu zaka fryma me nejt! Mos u ban merak për ketë, ndërhyna unë, bacit Rrahman e bacit Sefë edhe në Brezovicë ju zihet fryma edhe ata si shakaxhi që janë mund ta kenë pas veç hajt, ta bëjmë Gimin merak.








KUJT M’I THANË
Nazif Hasani
Ramë Kaqarremi mbasi ja qet arës farën e kallomoqiti, i thotë, grues: shko bjere edhe pasulin ta qesem menjëherë. Çfarë pasuli, i përgjigjet gruja. Pasulin e farës! Jo valla asnjë kokërr për be nuk e kemi. Qysh more nuk e ke rujt farën?! Kur të thosha, o ti njeri, s’ka mbet pasul veç ai i farës, ti, shtinë pasul po t’tham, më thojshe dhe ... Qy, ti u deshtë me thanë nuk ka dhe pikë. Po të kam thanë, po kujt m’i thanë? Qeshtu a, e kap shatin Rama dhe  turr kah gruaja:  kallëzomë, i thotë,  ku po e le amanet me të varros, këtu a  në Lubishtë, se tash kam me të myt, qysh hahet fara, bre?! Tezja Fazile u kanë e zhdërvjelltë, ende pa u afrue i shoqi me vrap ikë te shpia.
Trego:i Nazif Htem Hasani



LAPSIN E FLETOREN I KAM ME SHKRUE
Baba (Ruhan Abdyli) gjithmonë e mbante një gjysmë lapsi dhe një fletore të palosur në kopertinën e së cilës ishte tabela e shumëzimit. Tabelën e shfrytëzonte kur i duhej me   llogarit (pjesëtuar e shumëzuar). Sa herë llogariste (bante hesap) në fund gjithmonë e bënte edhe provën për të parë se mos ka gabuar.) “Babë, i them  një ditë, ta kam ble një laps më të mire dhe një fletore xhepi,  merri...! “Jo, tha, lapsin e fletoren i kam me shkru',  me ba hesap, jo për hijeshi e salltanet”.

SA PËR JAN BUGARIN
Gjemajl Azizi
Maj 1941, Vitia me rrethinë bie nën okupimin bullgar. “Në kohën e bugarit t’dytë” 1941-1944, familjet bullgare të ardhura në Kabash që në vitin 1914/15, ose siç thuhej në kohën e bugarit të parë, nga rrethina e Surdulicës në krye me Janë Bugarin, në bashkëveprim me pushtuesin, tri vjet me radhë, keqtrajtuan e plaçkitën kabashët. Nga dhuna e presioni familje të tëra të kabashëve ishin arratisur matan kufirit në fshatrat fqinje; Smirë Komogllavë, Merasal, Perlepnicë, Bresalc, Gjilan etj. Në zonën e lirë, që quhej Shqipëria e madhe. “Tanët (kabashët), sa ishim matan kufinit (në zonën e lirë), tregonte Xhemajl Azizi 1909-1987,  u patën ba gati me vra Janë Bugarin se bajke shumë zullum në katund (Kabash), po baci Hamdi (Hamdi Nezir Kabashi 1895-1945) nuk i ka psa lanë. Nuk ban, ju thotë: “Se bugarët e kallin krejt katundin me çka ka. Se sa për Jan Bugarin, që i tutna, tash shkoj, në thes e shti dhe të gjallë e bie këtu para jush.”
Nga libri “Na kabashi jem t’nadm nji zjarrmi”, Gjilan, 2013, Sabit Abdyli

BASH QASHTU
Në librin ditar timin, "Ankthi i Pranverës '99".kisha përmendur edhe emra. Një nga këta "rrahagjoksit trima punëhiç" pas botimit të librit, më tha: "Baca Sabit më kishe harrue me përmend rastin tim qe plumat e shkive më kanë shkue përskaj vetulles së djathte dhe s'më kanë rrok. Nuk e kam dit, u arsyetova, po kam dëgjue për këtë para dy-tri ditëve se edhe plumbat i kishe pritë me dorë... "Heheeeee, ndërhyri ai me krenari, po valla, bash qashtu u kanë!"

S’PASKA MA KEQ
Azem Kamberi
Pas punës, tregonte Azemi Haxhës në odë te shtëpia e gjeta nipin S. Nipi  i zoti i llafeve e mahive të holla të sajuara me shkathtësi, pasi e përshëndeta më pyeti:  "Hë, daja Azem, si kalove në punë, a je lodh? Mirë, mirë, i thash dhe e zgjata me qëllim me nji ngjarje sikur e kisha përjetue rrugës me kamion. E mori vesh se ngjarjen e imagjinova dhe po kujtohet. Pas nji copë here e thithi tymin e cigares thellë dhe shpërtheu tuj m'këqyr drejt në sy:  "He, bre daja Azem, s'paska ma zor e ma keq se rrenci i madh me ngue rrencin e vogël.






ANI BRE BIR EDHE JUVE
Në vitet 1944/45 vijnë brigada partizane nga Shqipëria në Kosovë. Me të mbërritur  njëri nga  partizanët të brigadës takon një nënëloke  në fshatrat tona dhe e përshëndet alla partizane. VDEKJE FASHIZMIT NËNËLOKE!  Nënëlokes nuk i kish ra ta ketë dëgjuar  ketë përshëndetje dhe  i përgjigjet, partizanit: ANI BRE BIR EDHE JUVE!

KEM MI SHKRI
Mustafe Sallahu
Me 18 qershor 1999 e takova Mustafë Sallahun (tashmë i ndjerë) rrugës në Kabash, i cili gjatë gjithë luftës ishte peng në vendin e tij të punës në mullirin elektrik në Kabash nga serbet. Sa më pa: shpëtuem, më tha. E thyen qafën, shkuen prej nga paten ardh! E ke pas zor, i them. Ma zor s'ka ku shkon dhe vazhdoi, veç m'bajshin me kesh ata (serbet) që vishin me blu', kur m'thojshin: Kojshi edhe pak kanë me na ardh armë nga Rusia dhe aeroplanët e NATO-s kem mi shkri n'hava.







KAH DO M'I RA
Haxhe Azemi
Kabashët në vitet para 1950 çonin fasule, drithëra, bulmet etj. për të shitur në Shkup. Haki Azemi vëren se në shtëpi i kishin bërë gati thasët me fasule e miell për ditën e pazarit në Shkup.  Në mbrëmje, i thotë të vëllait të madh (për t'ja kujtuar se ai e ka radhën): baci Haxhë, nesër kësmet në sa sahati po nisesh për Shkup dhe kah do m'i ra?! Kah të dush bjeri, i përgjigjet vëllai i madh.








PO TA LA TY
Njëri prej  dhëndurëve  e tepronte me ardhjet, bashkë me gruan dhe fëmijët te baci Haxhë. Një ditë sa e sheh te dera se po vinte dhëndri, baci Haxhë e merr një bohshqe e qet në shpinë  dhe niset me dal. Ku baballak, ku po shkon!? Po shkoj baballaku me gjet nji shpi tjetër se ketë po ta la ty.

NA KËNAQEN
Në vitet e 70-ta shkolla ku punoja pat shpallur konkurs për një vend pune. Dy koleg të punës interesoheshin për ketë vend, njëri për gruan, kurse tjetra për burrin. Për çdo mëngjes dhe pushimeve mes orësh kolegu i interesuar për gruan e tij na rrinte me paqetën e cigareve në dorë nga më të shtrenjtat, ndërkaq kolegia na sillte ëmbëlsira të gatuara në shtëpi përditë. Isha kryetar i Pleqësisë dhe kur desha ta thërras mbledhjen për pranimin e punëtorit të kërkuar. Jo, më tha Doli, sekretari i shkollës, duke qeshur, mbledhjen po e shtyjmë. Pse, qysh!? – i them. Po e shtyjmë se na kënaqen me torte e cigare Bozhica  e Çeda.

KREJT SI KALINA
Në ekskursion me nxënësit e shkollës po vizitonim kopshtin zoologjik, atyre më  shumë u interesonte buallica e gomari se kafshët tjera. Këqyrni more  luanin, tigrin, kalin e detit, majmunët etj. se buallicën e gomarin keni në fshat, u thash. Interesant valla, u përgjigjen, ma shumë po na duken këto që i njohim.  Qe, qe, i thoshin njëri tjetrit, krejt si Kalina (emër buallice) e Tafës, gomari krejt si i mixhës Tal dhe qeshnin me zë.  Edhe unë ndala me ta për të mos ua prishur qejfin. Fundja për ta kisha shkuar në ekskursion.

QITI DAJËS NË KRYE
Për të pame (ngushëllime) derisa zgjaste e pamja (në vitet e 70-80 - ta zgjaste me muaj), përditë kthehej bukë për burrat që prisnin dhe mysafirët e rastit. Vazhdimisht dikush duhej të bënte hyzmet. Në të pamën për babën tim (prill-mars 1983) më erdhi nipi prej Shkupit. Në kohën e drekës mori legenin, peshqirin dhe po u qet t’i lajnë duart të pranishmëve. Nipi (Celi) i pamësuar si bëhet hyzmet, e mbante legenin lart dhe burrat duhesh të çoheshin gati në këmbë për ta mbërri legenin. Kur i erdhi radha bacit Haxhë, (Haxhë Azemi) ai e hoqi kapuçin dhe e përkuli qafën, qiti dajës në krye, i tha nipit dhe vazhdoi: Ulu pak ma poshtë, durt po i lajmë, jo kryet. Qeshi nipi dhe të gjithë tjerët aty.

ÇKA PO DO TJETËR
Si asht, e ke pa ma frik, e pyeta N.N  për nji shok timin të shkollës, kur isha për pushime në Kosovë. Au, ka marue i shkreti! Pse qysh, ndërhyna unë. Pse? Pse e ka lanë duhanin dhe ka nis me ngue gruen. Çka po do tjetër ma keq!?

U GJETËT QATY
Me një ndej mes tjerash u fol edhe për periudhën nën okupim 1990/1999, sakrificat, qëndresën etj. Gati të gjithë rrahën gjoks se kanë bë shumë. Unë lavdërova punën e punëtorëve të arsimit që e mbajtën gjallë shkollën shqipe në ato kushte okupimi edhe pa rroga.   Njëri aty që ju duk se i ranë poshtë gjithë ato të bëmat e tija “patriotike”, m’u kundërvu, po ju të arsimit nuk kishit alternativa (zgjedhje) tjera, qat profesion kishit, u gjetët qaty dhe ...  Kem pasur alternativa, i them, si nuk kem pasur, kem mund me ndërrue deviza, me u marrë me tregti me bashkëpunue me matrapazët si ti, por ...

BIJË KABASHI
Mor vesh se i kish ardhur  për vizitë baba bacit Zenel (Prof. Dr. Zenel Kabashi, internist i njohur), tregonte motra ime e vogla me banim në lagjen "Kodra e Diellit" në Prishtinë, dhe shkova ta shoh se aty afër me banesa ishim. Sa hyna, i them gruas së bacit Zenel përse kisha shkue. Ajo me vrap hyni në dhomën ku ishte i vjehrri saj dhe e pyeti: Babë, ka ardh nji grue e Kabashit të Anamoravës dhe po do me të pa. Dera e hapur dhe dëgjohej. Nëse asht nuse e kabashëve, i tha, thuej asht fjet, nëse asht bijë Kabashi le të vjen. Po, po bijë Kabashi jam, ndërhyna unë,  dhe u futa brenda.

VEÇ PO VRAJSHE
Njëri që e mbante vetën si aktivist në odën deng me burra (fjala është për vitet e 90-ta nën okupim) informoi për situatën duke përmend edhe emra e folur për njerëz kuturu. Jo ky s’ban, jo ai tjetri s’ka guxim, jo ka qenë komunist, jo nuk është orator i mirë, jo spiun etj. Dikur njëri prej burrave kërkoi leje prej zotit të odës dhe ju drejtua aktivistit. Ti bre djalë i mirë s’po e vnojshe llovaqken  hiç në sy. Veç po vrajshe.

PO VALLA IK
Shkova te mbesa në Ferizaj. Të nesërmen kur  zgjova dola në oborr te çezma lava sytë.  Mbesa ma ofroj  peshqirin dhe hajde dajë, më tha. Qy,  nga brenda thirri burri saj, Sula, çka hajde, autobusi nuk prit, fuuuuuuuuuu ban dhe i ikë dajës, leje le të shkon se kohë pune tash në katund. Po valla, më ik autobusi, i thash mbesës dhe nuk due me ja pa surratin ma Sulës. Dy orë e prita autobusin në stacion, tregonte M. M.

THJESHT E LASH
Në kohën kur na ndërprenë rrogat (1990-1999) neve në arsim, takohem me një  koleg timin të punës dhe sa u përshëndetem i ofrova cigare nga të miat. Jo, më tha, e kam lënë. Mirë paske bë, i dëmshëm dhe ..., i them unë.  Se është i dëmshëm nuk e lash, thjesht e lash që mos t’ju them njerëzve më jep një duhan, u përgjigj ai.

NJI, DY –NJI, DY
 Në vitet 1944, 1945 shqiptarët për t’i shpëtuar arrestimeve, vrasjeve nga partizanët deri dje çetnik u bashkëngjiteshin brigadave partizane. Në territorin e Kosovës na mbanin disa ditë pa armë dhe me rroba civile. Komanda bëhej në gjuhën shqipe. Bënim ushtrime dhe derisa tetari na thërriste: Nji, dy, nji, dy, njër i paksa  në moshë, i tha: O shoku tetar, kështu zbathun, pa ushqim, ne nuk po mund ta bajmë nji hap, kurse ti po kërkon dy. E nxorën nga rreshti dhe ... Në ecje (marshim) duhej të thërrisnim: Duem luftë, duem luftë, shumica prej neve thërrisnin: Duem lugë,  duem lugë  se ishim untë (të uritur). Tregonte daja Sali, për kohën kur ka qenë partizan prej zorit.

NUK E KAM GAJLE
Në kohën nën okupim 1990-1999, kur punonim pa rroga një koleg i im merrej me bujqësi dhe të enjteve (dita e tregut në Viti) shiste prodhimet e veta bujqësore.   Mbasi u përshëndeta me te, zgjodha një bostan që i kishte në shitje  dhe nxora bankënotën e fundit për ta paguar shalqirin. Merri, i them, dhe po dua të nisem me bostanin në dorë. Ndal, më tha pasi e mori bankënotën, ta masim. se ju duk bostani i madh dhe parat pak. Çka ta masim, a je në vete ti, pak po të dukën që t’i dhashë!? - i them unë, duke qeshur.  Për ta shfajësuar vetën, vazhdoi: Jo, jo po tutna mos të mora shumë para, e po të hy në hak ty se për veti nuk e kam gajle. Hallall prej meje!

A E DI KUSH JEMI 
Farush Azemi
Valla, katundet tjera kanë mbërri shumë, më thotë Farushi i Haxhës, na njime jemi kan përpara po tash kurrkund hiç. Pse, qysh? - ndërhyra unë. Qe mbramë për shembull, na kallëzoj baci N. se ish tuj e shkrue nji libër për katundin e tij. N. i them, nuk di as me shkrue as me lexue, qysh po shkruaka libër. Qysh, qashtu, ky  fol me gojë ata të shkollimit shkruejnë. Po edhe për Kabashin janë shkrue - i them,  jo një libër po tre. I zënë ngushtë që nuk e dinte ketë, vazhdoi, po, po kam ndëgjue, tri libra pak bacooo, tjerat katunde nji libër me shkrue na duhet pesë, se na a e di kush jemi!?





MOS PYET
I kisha dhënë librin tim “Kabashi i Anamoravës” të botuar në vitin 1997 një ish nxënësit tim. Pas disa ditësh e takova dhe po e pyes: Hë, a të pëlqeu libri? Hmm, u mundua për një çast dhe vazhdoi, të drejtën me ta thanë, jo.  Qysh, pse?! - e pyeta.  Për dreq kishe paraqit një listë emrash në libër të kabashëve me fakultet të kryem. Si e ka pa baba desh me ka myt. Qe ti, nuk e kreve fakultetin, tu nga (vrapuar) mbas topit. M’u kanë i hajrit edhe emni yt kish figurue këtu. Dhe shyqyr e ka marrë me lexue mixha dhe ndoshta e harron se mos pyet!

UJK ËSHTË
Takova një shok timin tash kur isha për pushime dhe ma përkujtojë një ngjarje: Të kujtohet , më tha, kur të thash për N. N. se është ujk, të hapë rrugë , ndihmon njerëzit etj. dhe ti më the;  ujk është për byth .. e vet,  dhe vërtetë kur erdhi në pushtet  ujk për by.. e vet u bë.

PASKE ARDH

Auu profesor, kur paske ardh, sa mirë që të pashë. Ka një muaj e më shumë që jam këtu. Qy, qysh nuk të paskam pa!! - rrejti hipokriti. U habita si shtirej, shtinjaku. Kish harruar që në fb më kish përshëndetur. Sigurisht edhe aty rrejshëm. Rrugës së paku dy herë ish bë sikur nuk më shihte.

PENSIONET E NANAVE
Refik Halili
Po pija kafe me R., në kafenë “Lindi”, kur për një herë u mbush kafeneja me njerëz. Hë Refik e pyes, çka u ba, mos ka ndonjë protestë a diçka tjetër? Jo, jo, u përgjigj ai. Kanë marrë sot pensionet e nanave dhe kthehen për një pije, nja dy ditë kështu është.










TUJ SHKRUE VJERSHA
E gjeta lopën, tregonte i gëzuar Dani. Te guri keq qaty në anën e poshtme kish pas hy me nji  kërsh. Sa ma dëgjoi zanin duel. U gëzue ... Gjithë natën sigurisht u tut e mërzit. Poshtë syve ju pashin lotët që i kishin shkue rrëke. Kur e pa rrugën me vrap u nis drejtë shtëpisë tuj ba mu, mu, mu. Dan, i tha vëllai, mëzatin tem e kam mësue me shkrue dhe ka përparue shumë, dje e gjeta te trina e madhe tuj shkrue vjersha dashunie. Qy, ndërhyri Dani, rrenë është kjo. Në qoftë përnjimend kjo puna me Bardhanën (lopën) tande përnjëmend është edhe puna e mezatit tem.

PO E LAMË KREJT
Hej, më thërret një shok, hajde po dalim me ec. Në ç’kohë, i them. Kur të duash ti, nuk ta prishi ty. – përgjigjet në telefon. Ani pra, me qëllim i them, po dalim mbas dite kah ora 16, tamam në kohën kur ai hante drekën dhe flinte.  A di çka, po e lëmë krjet sot, s’po dalim hiç, ma kthehu.

NUK PO LOZ VETËM ME NJËRIN
Në vitet e 80-ta ishin për pushime në Bullgari: Sefa, Hajrushi, Rrahmani, Ramadani, Ferati, Ilazi, Ejupi etj. të gjithë kabashë, shokë të një gjenerate . Një gjerman i pasionuar mbas lojës së shahut vinte dhe me orë të tëra lozte sa me njërin sa më tjetrin shah. Duhej pranuar se me te mund të shtyhej deri diku vetëm mësuesi  Ilaz. Gjermani gjatë lojës nuk lejonte të flitej apo ndonjë gjest tjetër se dyshonte që po ndihmonin (tregonin) për anësh atij që lozte me te. Për të mos ra në sy kjo, kabashët ( njëri prej tyre) sa vërente ndonjë rrezik ngrihej dhe nga larg fillonte të këndonte duke treguar se ku është rreziku dhe cilën figurë duhet ta lëvizte shoku i tij. Gjermani habitej si ishte e mundur që në ditët e para lehtë fitonte, kurse në ditën e më vonshme nuk i ecte fare. Mbas disa ditësh i  hetoi gjermani dhe na tha: unë nuk po loz vetëm me njërin, po me të gjithë juve, prandaj ...

UNË E NJOH
Alush Zeqiri 
Po shkojmë te Muki sonte se i kish ardhur një shok, më tha Alushi. Rrimë te unë, nxehtë e mirë e kemi edhe këtu  dhe të drejtën me të thanë nuk e di kush është ai shoku që paska ardhur. Jo, jo, më kapi për krahësh Alushi, unë e njoh, i mirë është me ba hajgare me ta dhe me kalue natën se për kurrgjë tjetër nuk vyen.









BILE MA SHUMË SE TI
Shkon te  miku baci Z.
-S’kam veç edhe për nji javë miell, erdha me mi gjet 100 okë kallamoq, në desh ta paguej me pare, në desh ta kthej kallamboq.
-Qysh bre mik, me prue vetën në ketë gjendje, babë e babagjysh i ke pas në za, besa edhe vetë je me emën. Gjithë at tokë që i ke nën vadë. Gjithë ata kosha e hambarë. U deshtë ti me pas edhe bereqetin e parvjetmit.
Çohet baci Z.  dhe ...
-Pritë mik, pritë se tash u them djemve me ta ba gati kallamoqin.
-Jo, mik jo, i thotë ai në dalje, falë me ma dhanë nuk e due.  Nuk të kërkova mend, se boll kam, bile ma shumë se ti, po drithë.

QYSH MOS ME KAJT
Rrahman Misini
Kthehet Rrahmani prej një udhëtimi zyrtar natën vonë dhe e gjen gruan e dy vajzat të mbytura në lot. Hë, u thotë i merakosur ai, çka ka ndodh, pse po qani?! Qysh mos me kajt, u rrëzue Blejk prej kalit. Kur, kush? Hajt pashë Zotin edhe ti, po te filmi “Dinastija” bre!










HUMBA SE HUMBA
Në ëmbëltoren e qytezës. Feriz, i thotë Rrustemi, nëse mund t’i hash 30 tollumba unë i paguaj, po ndodhi e kundërta vetë i paguan tollumbat dhe krejt sa jemi ne shokët këtu na paguan plus nga një ëmbëlsirë sipas dëshirës.  Ferizi pranoi kushtin dhe, sa erdhën tullumbat nisi po hanë tollumbat shijshëm, shpejt e sigurt. Te tullumbi 20, Rrustemi, ndal, i tha, humba se humba, bile këta 10 të fundit lemi ti ha unë!


ME PI UJË ME POCERRKË
Në Gjilan për pangjyrë baci Xhel kish ble një ibrik dhe një kënatë. E heq shërvetën i lidh dhe si hejbe i vë ibrikun para, kënatën mbrapa. Mbas tri orë e gjysmë rruge në këmbë mbërrin në shtëpi. Sa futet në oborr kollitet dhe bën zhurmë për ta paralajmëruar gruan se u kthye nga pangjyri, por askush nuk i del para.  I hidhëruar për këtë, në prag të derës, i thyen kënatën dhe ibrikun. He more,  ti njeri, i thotë gruaja, këtij inati tand, i thonë: Deri në panagjyrin tjetër  me pi ujë me pocerrkë .

NËPËR BANDERA
Sabit Abdyli
Në kohën e regjistrimit të nxënësve më erdhi një prind për ta regjistruar vajzën në vitin e parë.  Më pyeti se cilat drejtime i kemi sivjet.  Kemi tre drejtime, i them,  por vende të lira kemi vetëm në drejtimin e elektronikës, në ato tjerat është plotësuar numri.  Jo valla bre profesor, këqyr në qato drejtimet tjera se çikën teme kurrë se la me hyp nëpër bandra.








PO DUE ME LUJT PAK
Në mungesë të trajneri i të ekipit “Kabashi” (në vitet e 90-ta) në futboll të vogël  më lutem të jem unë për disa ditë. Në ndeshjen me ekipin kundërshtar ekipi i “Kabashit” ishte në avantazh dhe çdo gjë shkonte mirë. Në pjesën e dytë të lojës po vërej se në portë ishte dikush tjetër. Hë, i them, Agron, çka u ba, pse dole, kush të tha? Kështu e kemi ne me Hetën, një pjesë mbroj unë një pjesë ai. Dikur më afrohet njëri prej lojtarëve dhe më thotë, tash duhet me hy unë në lojë. Qysh, pse, mos u lëndua kush? Jo, jo po edhe unë po due me lujt pak. Kundërshtari e ktheu  lojën dhe rezultatin në favor të vetin. Në minutat e fundit po shoh portierin (Hetën) në sulm. Hej, qysh e le portën dhe ke dal në sulm. Jo, më tha, e shtina Shabanin me mbrojt dhe vetë dola në sulm mos po e barazojmë rezultatin se …

HATA ASHT
Nusret Sadiku
Pas luftës në Kosovën lindore vijnë për ta vizituar komandant Kabashin (Feriz Deliun) dy shokë të luftës 2000-2002 nga Presheva. Në odë mblidhen edhe kabashë të tjerë. Mes fjalëve njëri prej të ardhurve, u thotë kabashëve: Valla bre kabashë ishalla keni edhe tjerë djem trima e të zot si Ferizi. Po, po kemi, përgjigjen kabashët kryelartë. Baba Rexhep (Rexhep Sadiku), pak më vonë ndërhyn me humor,  valla burra ma mirë mos me pas djem si Ferizi, po ky  hata është, me pas edhe dy si ky, fare na qesin.
Tregoi: Nusret Sadiku






AKTIVIST KASHTA
Me rastin e festës së 1 Majit para viteve të 90-ta rinia organizohej dhe dilnin në vend të sheshta dhisnin zjarre. Q. A. aktivist i asaj kohë organizon rininë e fshatit në vigjilje të festës në mbrëmje dhe aty diku mbi fshat provojnë ta dhesin zjarrin, por moti me shi dhe nuk gjenin shkarpa të thata ose diçka tjetër. Mushi i merr disa prej të rinjve  dhe zbret në fshat për të marr kashtë. Provon sa me një oborr sa më një tjetër, por nuk ja mban. Dikur për ta treguar vetën se është trim dhe i gjindshëm para të rinjve  futet tinëzisht në  oborr të shtëpisë dhe e vjedh kashtën e vet. Mbas disa ditësh merret vesh puna e kashtës dhe aktivistin të gjithë e thërrisnin Aktivist Kashta.

I HUAJ PO MË DUKET
Me një seminar në pushimoret e Deçanit, në fund të viteve të 70-ta, u gjenda edhe unë në mesin e  të rejave dhe një profesori të shkollave të mesme të mjekësisë në Mitrovicë, të cilët njiheshin mirë mese tyre. U ulëm së bashku dhe në tavolinën përplot me ushqime e pije tregonin mahi e ndodhi nga jeta e tyre, duke përmend edhe emra konkret shokësh dhe mësimdhënësish dhe shkriheshin së qeshuri. Unë isha i huaj dhe nuk arrija ... Dikur njëra prej vajzave më vërejti se unë nuk po qeshja. Hë, më tha, nuk po të pëlqejnë këto mahitë tona?! Jo, mua vetëm nëse me gudulis ndonjëra prej juve mund të qesh se ky humori juaj shumë lokal dhe i huaj po më duket. Të kisha gudulis unë, ndërhyri ajo,  po e kem këtu ketë dreq profesorin dhe ... !

HALLALL KAT ME KAT

Hashim Murati 1900-1974
Vjen një mik me pa Hashim Kabashin se ishte i sëmurë. Miku e zgjatë muhabetin gjithë ditën. Dikur ai vonë kërkon leje me shkue dhe me ja ba hallall. Hallall kat me kat, i thotë Hashim Kabashi, veç po ta la amanet: Te i sëmuri kurrë mos rri shumë!










PASKE KALUAR FAQET
Shkova te N.N  për kafe, tregonte Refik Halili, sa u  ulëm ai nxori nga sirtari një krah albumesh me fotografi.  Ja këtu në ketë fotografi kur isha ne Ulqin, këtu në ekskursion me shokët e shoqet e klasës, kjo ushtar me kapitenin që më ka pas dashtë tepër. ..  Kur shkoi  për të sjellë kafet unë shpejte e shpejt i kapërceva faqet dhe u bana  sikur i kisha shkue në fund albumit. Jo, tha, kur erdhi, paske kalue faqet dhe më ktheu aty ku kishim mbet.  Provova edhe njëherë kështu, por ai prapë më ktheu. Bo-bo, thashë, çka më gjeti,  të shfletoheshin gjithë ato albume duhej orë të tëra. Inskenova sikur kam harruar shporetin elektrik dhezur në banesë dhe ika me vrap.

PRIT, PRIT ..
Po vjen koha e zgjedhjeve në Shqipëri dhe debatet kush për cilën parti është  janë intensifikuar. Me një ndej njëri këmbënguli ta dinte mendimin tim se me kënd jam. Jam, i them,  për partinë dhe liderët që kanë programe të punës, kanë vizion, mendojnë e punojnë për shtetin, konsolidimin e demokracisë , forcimin e shteti ligjor etj. Prit, prit më ndërpreu bashkëfolësi. Më thuaj a je për Salën a për Edin, se për ata që fole nuk kem ne shqiptarët.

QE KU JAM
Ekipi i Kabashit në futboll të vogël kish arritur në finale. Loja zhvillohej para simpatizantëve të shumët të njërit dhe të tjetrit ekip. Atmosferë e bukur. Daullet, buritë,  duartrokitjet  dëgjohesh me kilometra larg. Një lojtar i ekipit kundërshtar kish marr për detyrë nga trajneri i tij të më ruante mua. Ai nuk më shkoqej edhe kur isha pa top. Gjatë lojës u futa në mesin e simpatizantëve dhe po rrija ashtu i fshehur.  Ai,  më kërkonte gjithandej fushës dhe nuk më gjente. Me vrap iu afrua trajnerit. Më humbi, i tha. Dola dhe e thirra duke qeshur, qe ku jam, eja! Qeshi ai, publiku e lojtarët.

JO VALLA MOJ SHOQE

Shkon gruja e bacit Lush me ia çue drekën burrit. Kur ofrohet te fabrika e tullave, e pyet roja, cilin po e kërkon? Burrin tem Lushin, ja kam prue drekën, asht përmbi krejt punëtorët.  Jo valla moj shoqe,  veç përmbi ty asht Lushi se, këtu në vend të punës asht punëtor si krejt të tjerët.

BJERMA NJË ME QEPË
Në byrektore e tij Esmeri kishte dy lloj byrekësh; me mish dhe me djathë. Këta me mish ishin me një grimë  mish e shumë  qep, kurse këta me djathë ishin  me dhallë. Isha myshteri i tij. Një ditë kur më pyeti  Esmeri se çfarë byreku po due; me mish apo me djathë?  Bjerma një me qep, i thash.

JO MORE ÇFARË PUTHJE
Në vitet e 70-ta dhamë një koncert me këngë për nxënësit. Njëra prej vajzave mezi e kreu këngën dhe duke dënesur e fshi lotët erdh dhe po ankohet. Gjatë gjithë kohës një djalë në ulëset e fundit në sallë më dërgonte puthje dhe më çorientoi.  Ne turr e te mbajtësi i rendit . Kështu e kështu ky vagabondi ... dhe e kapëm me nxjerr jashtë. Pse, kundërshtoi ai, kurgja nuk bana. Qysh nuk bane? Çka ishin ato puthje prej së largu? Jo more, çfarë puthje, i thosha këngëtares me mbajt mikrofonin ma afër gojës se sen tjetër nuk kam ba - u arsyetua ai.

BASH TE YLLI ME PESË CEP
Në kohën e komunizmit shkon Lushi te mjeku. Hë shoku Lush, e pyet mjeku, çfarë problemi ke? Shoku mjek, jam ftohur dhe kam dhembje prapa shpine, duke mos dashur të përmend kryqin (kryqet) si komunist që ishte, i thotë, bash te ylli me pesë cepa, ja këtu pak mbi byth po më dhemb.

ÇKA HELBETE
Në fund të viteve 50-ta ka pas ardh nji nga katundet e komunës së Ferizajt, pylltar në komunën e Vitisë, krejt i thoshin Ali shumari, tregonte Habib Agushi-Kabashi 1937-2016. Alija shkonte nepër oda të katundeve ku hetonte se kanë mysafirë, hante darkë bante qef deri vonë dhe dilte u zinte pritë atyne që vjedhshin malin kryesisht me krah e saja dore në dimën. Nji natë erdh te unë, ndejti sa ndejti dhe lypi leje me dal. Ku po shkon?- i thash. Po dal helbete ... - u përgjigj ai. Çka helbete, prej shpisë teme me dal e me zanë pritë fukarave me dru nuk munesh. Flej këtu ose të çoj unë te shpia jote nese ke shpi. Kurrë ma nuk e kam pa në oda të kabashëve.
Shënoi: Sabit Abdyli

Bibliografia:
Abdyli, Sabit - “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997
Abdyli, Sabit "Na kabashi jem t'ndam nji zjarrmi", Gjilan, 2013
Abdyli Sabit "Letra, anegdota e aforizma", Gjilan. 2013
Abdyli, Sabit "Tybe këta veç kabashë janë", Prishtinë, 2016