Tuesday 24 June 2014

E NATYRSHMJA NË ARTISTIKEN


Abdyl Abdyli, një piktor në unikalitetin e vet, emër që nderon të tashmen ashtu si të kaluarën, i lidhur ngushtë me rrënjët e veta, paçka i veshur me rrobën e modernitetit evropian! Veprimtaria artistike e tij është një gërshetim-mishërim i këndshëm i elementeve të reales me abstrakten. Tek ngjyrat bie në sy një dominim i të kuqes me të gjelbrën, e kaltra e mbylltë dhe një si vijë ndarëse sa dhe bashkuese e zeza. Figuracioni dhe portreti, një larushi pamjesh dhe karakteresh, qasje interesante në vetë perceptimin e objektit-subjektit. Dominon sidomos epika dhe lidhjet me rrënjët, kjo në një kombinim të bukur duke ia shtuar shpirtin modern. Pikërisht këtu vërehet ndikimi i shkollës së artistëve me nam që nga Pikaso e tëhu. Turmat dhe komunitetet njerëzore zënë vend real në kompozicionin artistik. Bota artistike është botë e njëmijenjë ndodhive, fytyrave, karaktereve. Interesantja e kulmimit, i nxjerrë personazhet të zhveshura nga rroba e përditshmërisë, një nudizëm karakteristik i abstrakt(lu)izmit. Te vizatimi i portretit kemi një kthim kah realizmi me përshkrim tiparesh dhe hollësish përmes lakimit të ndjeshëm të lapsit-brushë! Pikturat e tij janë shumë komunikuese në gjithë atë vorbull kërkimi, shprehin një shpirtërizim jete në kombinim ngjyrë-dritë-hije-pozicionim! Piktura e Abdylit ta pushton shpirtin, nuk ke si të mos e duash dhe të komunikosh me te, të bën për vete sapo të hysh në brendinë e saj. Piktorët janë poetë të dyfishtë dhe unikal, ata shkruajnë me brushë vargun në heshtje dhe pa shkronja në mënyrën më të bukur të mundshme!
Mentor Thaqi









Abdyl Abdyli ne atelie
Portret i babes 
Vizatimet e Abdylit me bukuritë e tyre, harmonin e ngjyrave, gjallërinë e lëvizjeve dhe përmbajtjen frymëzuese të bëjnë për veti. Nga brendia e vizatimeve, e figurave, portreteve dhe peizazheve rrezaton shpirti i shqetësuar dhe karakteri herë-herë i rrëmbyer i piktorit. Punimet e tij kanë frymë impresioniste. 
.


Njerëzit me maska ndërrojnë identitetet si të tjerët këmishët për të kaluar kohen në vendin e huaj: ëndërrojnë jetë më të bukur, më të mirë, janë veshur me ngjyra ma të bukura dhe bë gati për në vendlindje. (Vlerë Abdyli)





Abdyl R. Abdyli u lind në Kosovë. Studioi së pari në Akademinë e artit  figurativ në Shkup, pastaj  vazhdoi studimet në Akademinë e arteve të bukura në Prishtinë, diplomoi në klasën e Prof. Akdemik  Muslim Mulliqit, tash jeton në Gjermani.

No comments:

Post a Comment