Wednesday 23 October 2019

Poezi nga Sabit Abdyli, perzgjodhi poeti Agim Gashi- Drenica


 23. Tetor 2019
Sabit Abdyli - Buqetë poetike

KËSHILLË
Dil nga orbitë i ngushtë mëhallësh,
Mos u lako e mos ik nga vetja!
Lajkatar e flamur ndërrues mos u bë,
Bëhu gonxhe malesh e fushash,
Pranverë e lulëzuar!
I gatshëm për të çelur në çdo stinë,
Luleborë e ushtar motesh të mëdha!


PËRSËRI SHQIPËRI
Rrënjët të gërmonin në thellësi
trungu të rritej në lartësi
Shqipëri

Degët mundoheshin t’i prisnin
por rrënjët në thellësi
të mbanin të fortë
Shqipëri

Yll në jugperëndim të Evropës
çerek shekulli u bëre
Shqipëri
shtrive Bajlozin
riktheve flamurin
Shqipëri

Lamtumirën i dhe gjysmëshekullit të marrë
që të bëri të harroje Kosovë e Çamëri
që tek ti kishin zemrën shpresën
Shqipëri

ZOGJTË SHTEGTARË
Në tela telefoni tufa dallëndyshesh
mëngjeseve në vjeshtë varg rreshtuar
cicërimë e tyre dhembshëm tingëllon
bëhen gati çerdhet t'i lënë
përmallshëm nisën buzën në vaj
nga acari ikin në vendet me behar

CEP MË CEP
Që në nisje të jetës.
Cep më cep gjeografisë,
dashuri, këngë e besë mbollën!
Motet e vrarë nga lumturi e zogjve
Ilirisë ju sulen:
kurthe e kuajsh druri bri rrugëve ngrehen,
për të përgjumur baladat
zhdukur e plaçkitur pergamenë
Arbënisë!


ORË HISTORIE
Për ideale lirie e dinjitet,
Aromën që lëshon ky vend.
Vetëmohim e qëndresë.
Si malet sup më sup në bjeshkë,
Ndër dhjeta mijëra po kujtoj tre:

Tek Grykë e Vajës, që lotin s'e thau.
Vit mynxyre, vit zie 1478.
Nëntëdhjetë vajza- zana krutane,
rritur me frymën skënderbegiane
E ninulla trimërie nënash.
Dorë për dore hidhen në humnerë,
Për të mbrojtur nder!

Tek Kullë e Vraninës,
Në 1862 ditën kur qielli lëngonte në Vraninë.
Oso Kuka me njëzetekatër shokë,
Hijeve të zeza të malit u bënte ballë.
Kur gjithçka u nxi,
Mos me u robnu’ nën Mal të zi.
Ndezën barotin
Dhe yje ndritën në Shkodër e në Shqipëri.

Në Prekaz, mars 1998.
Pesëdhjetë e gjashtë Jasharët rrufe drite.
Para topave serbe nuk u dhanë.
Me armë në dorë i dolën mbrojë shtëpisë
Këngë e qëndresës ushtoi mal e vërri
Përtej Kosovës, përtej Shqipërisë!
Mars, 2019