Monday 17 October 2016

ANKTH I PRANVERËS ‘99



                                 

















SABIT ABDYLI


ANKTH I PRANVERËS ‘99




     2004
Prishtinë












Sabit Abdyli







...Në mos patmë fatin të jemi stërnipër të
lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën
të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër
të ndershmë për nipat tanë.
Mithat Frashëri






















Kapitulli I
---------------------------------------------------------------------------

                              Zezona

(Përqendrime forcash të ndryshme ushtarake e paraushtarake policore serbe në gjithë Kosovën. Përqendrime të intensifikuara sidomos në muajin shkurt (1999), në praninë e vëzhgueseve të OSB-së. Përgatitje të ngutshme dhe të hapura për luftë të Beogradit. Shqetësim i madh i popullsisë, sidomos asaj shqiptare, se çfarë do të bëhet në ditët që po vijnë. Atmosferë me re të pista, të cilat paralajmërojnë se do të ketë luftë...)


Angazhimi i shteteve Evropiane dhe të  SHBA-së për ta zgjidhur problemin e Kosovës me dialog, nuk dhanë fryt. Përkundër premtimeve të serbëve se janë të gatshëm për marrëveshje dhe dialog, për “zgjidhje paqësore të problemit të Kosovës”, ose të “Kosova e Metohija”, siç i thonë ata vendit tonë. Diktatori, kryekrimineli i tmerreve më të reja ero-ballkanike, kurrë nuk i përfilli marrëveshjet që i nënshkroi vetë. Kështu veproi me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara gjatë  luftës në Kroaci dhe Bosnje. Kjo pritej edhe rreth problemit të Kosovës. Vetëm në Bosnje, padyshim me dijen dhe lejen e Millosheviqit u thyen apo nuk u respektuan rreth 28 marrëveshje. Qëndrime të tilla priteshin edhe rreth Kosovës. Konferenca për Kosovën në Rambuje, zgjati shumë. Millosheviqi me bashkëpunëtorët e vet bëhej dhe u bë para dhe pas kësaj konference, sikur është për paqe, dialog etj. Kurse në Kosovë forcat e tij vrisnin, masakronin civilë (kujto: - në Reçak, më 15 janar’99, u vranë e u masakruan 42 civilë, në mesin e tyre gra e fëmijë), plaçkitnin, burgosnin por edhe përgatiteshin për luftë: hapeshin istikame (llogore), silleshin e grumbulloheshin forca të shumta ushtarake e paraushtarake për shfarosjen e shqiptarëve. Njësi të veçanta – speciale për vrasje , për masakrime, për zhvendosje e etnocid të përbëra nga anëtar të racës barbare – primitive nga pjesëtarë të sprovuar paramilitarësh në luftërat e lartë përmendura, të burgosur ordinerë, kriminelë dhe hajna të rrugëve, legjionarë rus e ukrainas, rumunë, bjellorus, sadistë e maniakë për të përfunduar veprën morbide: zhbërjen e Kosovës. Pra, iu hapë rrugë njësive paramilitare: “Tigrat”, “Beretat e kuqe”, “Dora e zezë” e Arkanit, forcat speciale policore të komanduara nga Legija, çetnikët e Sheshelit, të Kapiten Draganit, njësitë e Frenki Stamatoviqit dhe ... të dreqit e të birit.  
Në Rambuje, serbët me atë delegacionin karnavalesh dhe qesharak të përbërë prej 13 anëtarësh, (8 prej tyre , ishin minoritarë nga Kosova: lustraxhinj, ahengxhinj, horra, defatore, xhambazë e hajna xhepash... e të cilët, e dinin vetëm një gjuhë, gjuhën e zyrtarëve të Beogradit), të dirigjuar  nga poltroni Milan Millutinoviq (kryetar i Serbisë) i cili vepronte dendur jashtë  kështjellës së Rambujesë, duke koordinuar jo vetëm stafin e delegacionit që përfaqësonte serbët por, edhe diplomacinë, miqtë dhe të gjithë aleatet e mundshëm serbë e proserbë në Evropë, e më gjerë. Kështu, duke përdorur edhe “ironinë politike por sidomos shantazhin dhe gënjeshtrën, serbët nuk e nënshkruan marrëveshjen. Regjimi gjakatar i Beogradit pati shumë shpresa në përçarjen e klasës politike shqiptare, pati bindjen se shqiptarët nuk do ta nënshkruanin dokumentin dhe kështu faji do të mbetet i tyre, pastaj nuk besonte se vendet e NATO-s do të ishin aq unik, sa t’i vinin në jetë kërcënimet e tyre. Por, nuk u doli ashtu, siç prisnin. Me nënshkrimin e marrëveshjes në Rambuje, nga ana e delegacionit shqiptar*, “popullit qiellor” iu dogjën planet për manovra politike të mëtejshme rreth çështjes së Kosovës.
Të inatosur s’i kurrë më parë, i zhveshën dhëmbët dhe me një barbari e urrejtje  patologjike u vërsulën kundër çdo gjëje që ishte shqiptare, me strategjinë e “tokës së djegur” dhe me devizën: çdo gjë që lëviz të vritet, çdo gjë që nuk lëviz të digjet...

----------------------------------------------------------------------------------------------------------
   *.Dr. Ratko Markoviq /kryetar i delagacionit/, Nikolla Shainoviq, Dr. Vladan Kutlishiq, Dr. Vladimir Shtambuk, Vojislav Zhivkoviq, Ibro Vait (goran), Gjylbehare Reufi – Saboviq (?), Luan Koka (magjup), Faik Jashari (shqiptar), Zejnalabedin Kurejest (turke),  Qerim Abazi (egjiptas), Refik Senadoviq (?) dhe Sokol Qusel (?).
  *. Akad. Idriz Ajeti, Akad. Fehmi Agani, Akad. Mark Krasniqi, Akad. Rexhep Qosja, Dr. Ibrahim Rugova, Dr.Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Blerim Shala, Edita Tahiri, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi,  Jakup Krasniçi, Hashim Thaçi /kryetar i delegacionit/, Mehmet Hajrizi, Azem Syla, Ram Buja dhe Xhavit Haliti.




                                       Lufta


(Sipas skenarëve të punuara me kujdes, disa herë krimet e mëdha, poshtërsitë, aktet barbare në të shumtën e herave i bënin natën: pa dëshmitarë.)

Shqiptarët u futën në një unazë të hekurt ushtarake. Vëzhguesit e OSBE dhe gazetarët e huaj i përzunë, mediat e pavarura i ndaluan, kurse redaksitë e gazetave në gjuhën shqipe  i dogjën me zjarr e reprezalje.)*1 Gazetarët, intelektualët, politikanët shqiptarë u burgosën, u vranë...)*2 Me botën, organet pushtuese serbe krijuan shkëputjen (mungesën e kontaktit telekomunikativ): ndërprenë lidhjet telefonike.. Në këtë terr të vështirë, të ankthshëm, të akullt informative, serbët i kishin duart e lira në vazhdimin e luftës “për t’i dhënë grushtin përfundimtar shqiptarëve”. Së pari ushtria serbe i granatonte vendbanimet prej së largu, pastaj këmbësoria e ndihmuar nga serbet lokalë (civilë), nga paramilitarët etj. hynin nëpër vendbanime tona (fshatra e qytete), duke vrarë, djegur e shkatërruar çdo gjë. Këto legjione barbare kur mbaronin punë, ngarkoheshin me gjësende të vjedhura dhe ktheheshin në pozicionet e tyre më të sigurta. Kolonave të të zhvendosurve u dilnin në prita dhe sipas  skenarit të njohur tashmë maltertonin, plaçkitnin, dhunonin dhe, grupe të tëra banorësh shqiptarë i përdornin në shumë raste, dhe si mburoja të gjalla kundër eskadrilave apo sulmeve  që bëheshin nga avionët e NATO-s, ose edhe nga sulmet e furishme që në këtë kohë i bënte UÇK. Kur kishin informacione për objektet që do t’i bombardojë Aleanca Veriatlantike, aty edhe i përqendronin kolonat e të përndjekurve  shqiptarë)*3 Ushtarët, lëviznin në terren me automjete civile të cilat ishin marrë me dhunë, por edhe ishin vjedhur nga shqiptarët Sipas skenarëve të punuara me kujdes, disa herë krimet e mëdha, poshtërsitë, aktet barbare në të shumtën e herave i bënin natën: pa dëshmitarë. Kjo, për t’i humbur gjurmët e vrasjeve, masakrimeve, gjymtimin e kufomave, shkatërrimet e foltoreve, monumenteve kulturore shqiptare etj. Zakonisht pas pushkatimeve të njerëzve  pa dallim gjinie, moshe etj. njësitë serbe për zhdukjen e kufomave po ashtu e bënin natën, sepse ata bënin përhumbjen e gjurmëve të krimeve duke i rivrarë sërish trupat, duke varrosur dhe duke i zhvarrosur, bartë për në vende të panjohura për të tjerët. Serbët edhe i djegin kufomat. Avionët e NATO-s, gjithë këto mizori të serbëve mbase, nuk arrinin t’i regjistronin. Në periudhën 24 mars – 12 qershor ’99 serbët vranë e masakruan rreth 18 mijë shqiptarë.Të vrarët ishin të paarmatosur: gra, fëmijë, pleq dhe njerëz të hendikepuar)*5. Po ashtu, përzunë nga vendi më shumë se 1 milion shqiptarë, duke krijuar eksodin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, 10 mijë të tjerë i zunë peng, 7 mijë e më tepër  i dërgojnë në burgjet e Serbisë, kurse për 3500 shqiptarët e tjerë, të zhdukur, dyshohet se serbët i dogjën në furrnalta, për t’i humbur gjurmët e krimeve. Si kampe përqendrimi serbët  shfrytëzuan: Fabrikën e municionit në Skënderaj, Feronikelin në Gllogoc (Drenas), Burgun e Smrekonicës (Gjytezës) në Vushtrri, burgun e Dubravës (Drejanit) në Istog (Burim), Burgun e Lipjanit (Lypianit), Burgun e Qarkut në Pejë, Mitrovicë, Gjilan etj. Shkatërruan e dogjën 800 katunde dhe shumë qytete, si: Gjakovën, Pejën, Deçanin, Suharekën (Theranden), Malishevën (Malasin), Shtimen, Skënderajn, Klinën, Kaçanikun, Ferizajn etj.  Deri më 31 dhjetor ’99 u gjetën 550 varreza masive.)*

    )* 1 Selia e LDK-ës, Redaksia “ Koha ditore”, Redaksia “Kosova sot” më, 24 mars 1999 (natën) u granatuan dhe u dogjën, me ketë rast vritet edhe rojtari i Redaksisë “Koha ditore”. Të nesërmën serbët dolën me komunikatë se objektët e përmendura i ka bombarduar NATO.

  )*2 Flora Brovina – poete e gazetare, Halil Matoshi, poet e gazetar, Albin Kurti- veprimtarë /të burgosurë\, kurse  Bajram Kelmendi – advokat e intelektual i shquar me dy djemtë e tij, Dr. Prof. Latif Berisha, Akademik Fehmi Agani. \ të vrarë mizorisht\

  )*3 Më, 13 maj ’99 kolonën e të zhvendosurëve nga Korisha (Prizren) kriminelët serbë me dhunë i detyrojnë të strehoen në objektin ku serbët më parë kishin mbajt  armatim të rëndë, kurse vetë tërhiqen sepse e dinin  se objekti do të bombardohet.  Po atë natë bombardohet objekti i përmendur nga NATO-ja me ç’rast pësojnë të përndjekurit (77), në mesin e tyre shumë fëmijë, gra e pleq. 

 )*4 Sipas Raportit të Departamentit Amerikan mbi të drejtat e njeriut, publikuar përmes mediave më 27.02.2000, janë ekzekutuar, djegur më tepër se 10 mijë shqiptarë. Në Raport janë përshkruar në detale krimet e serbëve. Të masakruarëve ua kanë nxjerr sytë, grave shtatëzëna ua kanë hap barkun duke vrarë fetusin e tyre, dhunimi sistematik i grave, gjymtimi i kufomave, krejt këto krime, siç është konstatuar në Raport, kanë patur motiv etnik. Ipen dëshmitë dhe  vendet ku janë bë krimet:  Izbica, Krusha e Madhe, Krusha e Vogël etj. Komiteti i Kryqit të Kuq në Gjenevë, më 25.02.2000 publikoi të dhëna se në Kosovë deri tani janë gjetur 1.345 të zhdukur, ndërsa për 110 është vërtetuar se janë të vdekur. Shumica e të gjeturëve janë në burgjet e Serbisë dhe të Malit të Zi.

  )*5 Sipas gazetës britanike “The Independt” (5 prill 2000) në një artikull të saj për krimet e serbëve në Kosovë, emituar nga BBC në gjuhën shqipe, thuhet: Një oficer serb i quajtur Drazhen, pjesëmarrës në fushatën ushtarake në Kosovë, kujton: “E pashë me sytë e mi se si një rezervist serb rreshtoi 30 gra dhe fëmijë përgjatë një muri. Fillimisht mendova se ai donte t’i frikësonte, mirëpo ai shkoi pas një mitralozi kundërajror dhe tërhoqi këmbëzën, duke i bërë copë copë trupat”… Ndërkohë komandanti i një njësie  tankesh i hedh poshtë pretendimet e Beogradit se  fushata ushtarake në Kosovë synonte t’u jepte një grusht të rëndë separatistëve shqiptarë. “Gjatë gjithë kohës që isha në Kosovë-thotë ai- unë nuk pashë një ushtar armik dhe njësiti im në asnjë rast nuk ka goditur ndonjë objektiv ushtarak. Tanket tona u përdorën për të masakruar fëmijë shqiptarë”. Mua më vjen turp për këtë –  citohet komandanti serb nga e përditshmja britanike “The Independnt”.

  )*6 Sipas Kosovapress -it ( prill 2000).







                             Pranvera e Ankthit

(Ditë e net  nën tmerrin e papërshkruar, nën rrethimin e hekurt të forcave serbe të cilat me fillimin e bombardimeve të NATO-s më 24 mars, nisën definitivisht realizimin e planit sekret “Patkoi” që kishte patur të bënte me shpopullimin e Kosovës.)

Soldateska e betejave të humbura në Slloveni, Kroaci dhe Bosnje, deri sa mbahej Konferenca e Rambujes, me shpejtësi të rrufeshme u dislokua me krejt potencialin e vet ushtarako-policor në territorin e Kosovës. Diku mbi 140 mijë forca, komentohet të jenë stacionuar nëpër Kosovë, dhe veçmas në Llap, Drenicë dhe Dukagjin. Por nuk mbetej pa u futur në rreth edhe fusha e Moravës, Karadaku, Gollaku etj. Pak ditë, për të mos thënë pesë-gjashtë ditë përpara 24 marsit, ky dislokim dukej praktik. Kabashi, fshati im, zhurmonte nga makineria luftarake që sillej orë e çast duke demonstruar forcën me tyta topash të drejtuar drejt shtëpive tona.  Një lukuni oficerësh  serbë, u stacionuan në lokalet e Shkollës fillore “ Ndre Mjedja”. Ata, e kish urdhëruar me kërcenim e sharje punëtorin e shkollës Fatmir Markun, se ... “objektin e shkollës tash e tutje, do ta shfrytëzojë ushtria. Kabashi është shpallur zonë e ndaluar për civilë, kurse ti, nuk guxon të largohesh nga shtëpia” Kështu ... i kishin thënë! Kurse, porosia për Fatmirin se: “nuk guxon të largohesh nga shtëpia”, ishin me kuptim. Në fund, e kishin larguar edhe me një mesazh famëkeq: “Shko, sa nuk të kemi shtie në dorë, sa nuk të kemi vrarë”! Të tilla porosi nuk ishin të panjohura, por tani rreziku ishte në lëkurën tonë. Askush nga banoret shqiptarë nuk kish pikë sigurie. Të vetmit që mund të ndiheshin pak a shumë jo të frikësuar dhe jo të kërcënuar nga forcat e mëdha serbe ishin njerëzit e tyre (bashkëpunëtorët ose kolaboracionistët).  Kërcënime u ishin bërë pothuajse në të njëjtin stil e ton edhe banorëve shqiptarë të fshatrave në zonën kufitare me Maqedoninë (Debëlldasëve). Bashkëfshatarët e tjerë ((Farush Azemin, Bernard Dodën, Daut Zenunin etj), poashtu i kishin kërcënuar me tytat e armeve. Asgjë më nuk dihej: vdekja, rrinte mbi ne. Rrëmuja e krijuar, prania, kërcënimet, hingëllima e barbarëve e frikësoi popullsinë e katundit. Të nesërmen, as 20 përqindë e nxënësve nuk erdhi në shkollë.. Frika, ishte kudo. Kabashasit, megjithatë enden për punët e tyre. Në mbrëmje, dalin (ndonëse të shqetësuar thellë) dhe shëtisin rrugës kryesore të fshatit. Në grupe, ata qajnë hallet e kohës, rreziku dhe dislokimin, arrogancën e forcave serbe, lajmet e DW, Zërit të Amerikës, BBC-së. Por, pyetja kryesore që i mundon ata është : a do të fillojnë, dhe kur bombardimet?
Vetëm një natë përpara se të fillojnë bombardimet e NATO-s, ushtarë, rezervistë, paramilitarë, serbë lokalë, romë filluan me kërcënime të hapta. Telefonat i ndërprenë në mënyrë selektive: pra, vetëm për familjet shqiptare sepse, në fshat ka edhe familje serbe. Në  katund vetëm dy familjeve, nuk ua ndërprenë lidhjen telefonike. Ky veprim, mbase u bë për t’i pasur më lehtë nën kontroll këto familje: për të përgjuar, për të zbuluar ndonjë lidhje, apo...*.
Ushtarët filluan të hapin llogore \istikame\ rreth e përqark katundit. Oficerët me dhunë ua morën disa bashkëfshatarëve, veturat. Kuptohet, i merren veturat  më të mirat. Me  këto vetura,  ata endeshin poshtë e lartë,  dritaret e tyre i mbanin të hapura, lëshonin muzikë në gjuhën shqipe, silleshin me  arrogancë e nënçmim dhe, secilin që takonin rrugës, e provokonin, e kërcënonin, e fyenin, por edhe e rrihnin. Sidomos, një njësit ushtarak prej 6 ushtarëve, për çdo ditë me një kamion defilonte që prej orës 10.00 të paradites: shkonte në drejtim të qytezës (Vitisë), dhe kthehej e rikthehej rreth orës 17.00 të mbrëmjes. Marshuta e këtij njësiti vazhdoi edhe pas fillimit të bombardimeve dhe kështu, me 30 mars banditët serbë të këtij njësiti dikur rreth mbrëmjes, në rrugë të fshatit, gjuajnë me armë zjarri mbi kokat e fëmijëve dhe grave të familjes së Haxhi Brahimit. Mbase për herë të parë përjetova diçka të tillë, pra tepër të pazakontë në jetën time. Bombardimet pothuajse ishin në prag. Serbët, e filluan katrahurën dhe krimin para 24 marsit. Dyqanet, ato në katund, u zbrazën. Dyqanet e shqiptarëve në Viti, u thyen dhe u plaçkitën. Për shkak të rrethanave të krijuara, mësimi u ndërpre më 20 mars. Banorët e fshatrave të zonës kufitare, si, të Debëlldeut (Delmirit), Korbliçit (Korbajvet), të Shushkajvet u zhvendosën me dhunë, nga ushtria serbe. Ushtarakët u dhanë afate shumë të shkurtra popullsisë së katundeve të përmendura për zhvendosje sa ata nuk arritën t’i nxjerrin as kafshët, jashtë*. U përzunë me breshëri plumbash, duke lënë pas të gjitha pasuritë. Të përndjekurit u nisën në dy drejtime: drejt Maqedonisë dhe rrotull katundeve të komunës së Vitisë. Kjo ikje masive dhe shumë pikëlluese shkaktoi dhembje dhe panik te Kabashasit. Dëgjoheshin e pëshpëritshin llafe  që vinin si nga errësira e ferrit, lajme nga më të ndryshmet. Mes frikës dhe dëshirës që NATO të intervenonte, mendimet dhe komentet kontradiktore mbanin njerëzit pezull. Dhe ata, disa në heshtje e disa me zë, konstatonin: “Kur ndodh në kojshi, prite në shtëpi”. “Duhet të rezistojmë, pa marrë parasysh rrezikun. Nuk bënë t’i lëshojmë shtëpitë”, thoshte njëri. “Vetëm ditët e para do të jenë të vështira”,  thoshte tjetri. “kërcënimet e ushtrisë serbe janë vetëm një përplasje këmbësh për të na frikësuar. Kjo nuk do të zgjasë shumë. S’ka kaçik  të shtyhet Serbia me NATO-n etj”, mendonte një tjetër. Por, frika e vrasjeve masive, ishte te secili. Situata po ndryshonte nga çasti në çast. Si në përralla, katundi u përgjysmua nga njerëzit. Ata që e mbanin veten se janë dikush, ata që rrihnin gjoks për trimëri, më të parët i larguan fëmijët dhe pas dy tri ditësh edhe vetë ua mbathën këmbëve. Dikur rreth orës 8.00 të mbrëmjes së ditës së mërkurë (24 mars), aeroplanët e Aleancës u ngritën nga baza e Avianos (Itali), në drejtim të Ballkanit: ata, synonin t’i bombardonin territorin, dhe forcat e sigurisë dhe të ushtrisë serbe, instilacionet, institucionet e ndryshme etj. Pra, ajo që pritej shumë, po niste përnjëmend. Me të filluar bombardimet, donkishotët e frustruar serbë dolën si në mbrojtje të mullinjve të erës dhe, pa një pa dy, i shpallën luftë NATO-s. Me pompozitet mediat serbe prodhonin vazhdimisht helm e urrejtje kundër shqiptarëve dhe kundër gjithë botës, duke vënë në shërbim të kësaj lufte të ndyrë. Gazetarët e intelektualët serbë të specializuar për propagandë, rrenat i shndërronin në një “vërtetësi” që arsyetonin vrasjet e masakrimet në Kosovë. “Populli që ka hëngër me lugë të arta, kur evropianët s’paskan dijtë se ç’është luga”, në fund të këtij mijëvjeçari prapë institucionalizojnë gënjeshtrën, propagandojnë “të vërtetat” e tyre duke akuzuar jo vetëm Evropën, por gjithë botën. Çfarë ironie!
Edhe nëse serbët kanë pasur ndonjë lloj qytetërimi ndonjëherë, këtë qytetërim ata e fundosën në Slloveni, Kroaci, Bosnje.  Fundi i “historive” apo gënjeshtrave serbe, filloi të varroset përfundimisht në Kosovë. Këtë e pa bota. Dhe maskat ranë. “Populli qiellor” nga trupi-ujk hoqi lëkurën e qengjit, zhveshi thikat dhe u vërsul: të djegë, të shkatërroj qytete e fshatra: pra gjithçka shqiptare. Çudi, prej nga e gjithë kjo  energji barbare në popullin serbë, prej nga e gjithë kjo urrejtje kundër shqiptarëve?
Është koha që bota përparimtare, egërsirat t’i bëjë tumbar,  është koha që Evropa këtij populli  hipokrit e ngatërrestar, plëngprishës, i paqytetëruar (i vendosur vonë në  gadishull dhe më vonë në territoret shqiptare: kuptohet, në mënyrë të dhunshme), t’i tregoj  se kështu nuk bënë, dhe se di të jetë antinjerëzorë si asnjë popull tjetër, antidemokratik, hegjemonistë. Fqinjëve të tij, Ballkanit dhe Evropës ky popull i ka shkaktuar kriza, probleme, dhembje dhe politika që kanë prodhuar pasiguri, tmerre e dhembje.
Pas ditës së parë të bombardimeve, fshati sa vinte e zbrazej nga njerëzit e te gjitha moshave, gjinisë. Disa, mbetëm. Me vetëdije. Nuk na bënte zemra, t’ia kthenim shpinën tokës së të parëve, vendit ku pamë botën s’pari. Medet... Ne që mbetëm me familje, jetonim në ankth. Gjumë nuk bënim fare. Ishim të rrezikuar nga të gjitha anët. Në mëngjes pyesnim me droje: cilin e kanë kafshuar bishat serbe, natën? Ah, pyesnim: cilin e ka përpi terri? Dhe padyshim, kush mund të flinte? Ruanim, me veshët ngrehur. Vëzhgonim çdo lëvizje. Fqinjët tanë serbë, kolonistë të ardhur nga Vllasina, na përcillnin natën e ditën. Parmakët e dritareve, mburojat, i mbanim të mbyllura. Nëpër të çarat e mureve, dyerve sodisnim njëri-tjetrin. Ata ishin të uniformuar e të armatosur, ne duarthatë. Pjesa jugperëndimore e katundit u ndoqën me dhunë. Në shtëpitë e tyre u vendosën ushtarë e rezervistë, në oborre i fshihnin tanket, artilerinë kundërajrore, mjetet teknike të motorizuara, ato për lidhje etj.
Njësiti  i specializuar  për zhvendosjen e popullsisë,  vazhdoi provokimetPjesëtarët e tij hynin nëpër shtëpitë shqiptare, natën e ditën. Sjelljet e tyre, ishin vandale. Shumë prej tyre, ishin nga viset e ndryshme serbe. Ata, rrinin vazhdimisht në lidhje me serbët lokalë për të marrë informacione, ndihmë, përkrahje të vazhdueshme për secilën familje, për secilin person, veç e veç: ç’bënte, me se merrej, çfarë autoriteti gëzonte, çfarë ishte gjendja e tij materiale, pastaj profesioni etj.
Më 25 mars’99, natën, banditët e demolojnë shtëpinë e Farush Azemit, duke rrahur rëndë. Diçka e ngjashme, i ngjanë Bernard Dodës. Me 26 mars, njësiti i përmendur goditi me armë zjarri gjithë natën në muret, çatitë dhe oborret e shtëpive tona. Sidomos ditën  e shtunë, më 27 mars të tmerruar nga dhuna, të trishtuar nga frika e paniku u zhvendosën shumë familje: kush drejt Maqedonisë që shtrihet fare pranë fshatit, dhe kush drejt fshatrave të ndryshme në fushën e Anamoravës. Bagëtia, qentë, shpezët si pulat, patat etj. mbetën rrugëve, oborreve, nëpër ahura  e rrugëve, të braktisur.  Fshati, u kthye në fantazmë.  Vrapi për të krijuar rezerva në ushqim u ndal, por tani njerëzit kishin hallin se a do të jenë ato rezerva të bollshme, si dhe brenga se sa do të zgjasë kjo luftë. Situata sa vinte e keqësohej. Shpresat i kishim te bombardimet e NATO-s. Uturima e avionëve të Aleancës te ne shkaktonte  kënaqësi, kurse te ata, serbët, trishtim dhe frikë. Me të dëgjuar alarmin, ne dilnim në oborr, kurse ata futeshin në biruca.  Më 29 mars, nga  ana verilindore e fshatit, në orët e para të mbrëmjes, fillimisht, si nga një botë tjetër  erdhi një vezullim verbues, pastaj: një uturimë shurdhuese.  Sa nuk u thyen xhamat e dritareve. Nga rajoni i Binçës, serbët e fshehur në istikame të nëndheshme, u kundërpërgjigjën vetëm me një krismë topi. Po atë natë mësojmë nga dy serbë që sorollateshin rrugëve të fshatit e të cilët bisedonin me zë të lartë për bombardimet e asaj nate, deri sa ecnin  rrugës përball shtëpisë sime: njëri me celular në dorë e tjetri me automatik, se ....  avionët e Aleancës Veriatlantike i kanë goditur paramilitarët e stacionuar në Vërbovc. Ata komentonin njëri me tjetrin se me këtë rast, janë vrarë së paku shtatë paramilitarë, kurse “tridest” (tridhjetë) të tjerë, janë dërguar në spital, në gjendje të rëndë nga plagët e marra.



                                      Dëshmi

2, prill
Në mbrëmje, vdiq nëna e Qahilt. Të nesërmen, duke u kthyer nga varrezat, ushtarakët serbë maltretuan me një shtazëri të paparë, shumë kabashë)*4. Ata,  i mbështesin për muri të shtëpive duke i kërcënuar me armë dhe duke i fyer  me fjalë të rënda, më rrugaçe, më idiotike, si: “... Ju e keni thirr NATO-n…he nënën shqiptare …  thirrni tash  t’ju ndihmojnë… ku i keni armët… sa DM. ja jepni UÇK-ës...shkoni sa nuk ju kemi prerë… këtu është Serbi…etj ”

4, prill
Familjet që kishin mbetur në katund, mund të numëroheshin në gishta.  Kësaj dite, u zhvendosën me zor, familjet Haxhiu. Ditën tjetër, erdhi lajmi që ishte zhvendosur Smira, një fshat pranë t’onit. Krismat e automatikëve dhe armeve të tjera, i  dëgjuam edhe në Kabash. Në orët e ditës , bëhej me dije se në Smirë, kishte të vrarë. Të njëjtën ditë, forcat serbe  smirasit i kthejnë në shtëpitë e tyre, por shtëpitë, ata i kishin thyer, plaçkitur e bërë, të pabanuara. Në oborrin e shtëpive të tyre, në fshatin tonë u rrahën brutalisht vëllezërit Alush e Enver Agushi nga një rreshter serb, i quajtur Marinkoviq. Në Shushkë, një fshat po ashtu afër, i vranë vëllezërit Isuf e Jakup Hyseni. Trupat pa jetë të tyre, i masakrojnë dhe pas dy ditësh i hedhin në një  gropë të hapur me bolduzher. Kolonës së pafund të të zhvendosurve, u bashkohen edhe familjet Delijaj (Delia) e Halitaj (Haliti).


6, prill
Në orën 8.50 të mbrëmjes, banda prej gjashtë anëtarësh (njësi e specializuar ushtarake të moshës 25-28 vjeç për zhvendosje të popullsisë), hyri edhe nëpër shtëpitë tona. Së pari e thyen shtëpinë e Rrahman Misinit, plaçkitën e demoluan, deri sa u kënaqën me barbaritë e tyre. Pastaj, ngadalë-ngadalë u futën nga fundi i kopshtit, drejt shtëpisë së Feratit. Në hyrje, te shkallët, shtinë me automatik në ajër. Brenda kontrolluan gjithë arrogancë me tyta armësh të kthyera në kokat e anëtarëve të familjes, duke urdhëruar që më të dalë drita të nisën, dhe kështu, ta lëshojnë shtëpinë. Këto skena makabre, i vëzhgonim nga dritarja. Sadistët, e morën Feratin dhe po e sillnin në shtëpinë e  Ejupit drejt së cilës po vinin. Këtu, bashkë me të shtëpisë  së Ejupit, isha edhe unë me familje. Të gjithëve na legjitimuan. Ata, pastaj filluan bastisjen nëpër të gjitha dhomat. Teksa  u inatosën, sidomos, kur i panë librat ngushtë të radhitura e të heshtura  në vitrinë, shanin e hungërinin tamam, si bisha të uritura. Ata e dinin se librat flasin, e dinin se librat këpusin zinxhirë dhe të tërbuar si bisha i  zhveshën dhëmbët: “Që sonte duhet t’i lëshoni shtëpitë! Shkoni... mund të zgjedhni të shkoni (“idete”), në Maqedoni ose në Shqipëri.”  Mua dhe Feratin na vunë para tytave të automatikëve dhe na nxorën në rrugë.. Natë. As hënë, as yje.   Katër kriminelë ecnin para nesh dhe sa njëri sa tjetri me dritat e elektrikut të dorës, na verbonin sytë. Dy prej tyre, na rrinin pas shpine po me tyta armësh të ngrehura. Tytat, gjithnjë na mbanin në ije. Unë për çudi edhe pse para tytave kisha arritur disi ta sundoj frikën në ato momente. “Mësues jeni? Shkollat e juaja janë ilegale. Ju e keni indoktrinuar popullin! Në dëftesat e juaja shkruan - Kosova Republikë. Hë, fol...?” – “Po”, i them, me një përbuzje të ftohtë. Me urrejtje, me surrat idioti turfulloi njëri prej tyre: “Kurrë, kurrë s’keni për ta parë atë film. Kosova është Serbi”. Ai që fliste padyshim kundërmonte erë “shlivovice”. Me forcë, na shtyjnë në drejtim të shtëpisë së Musa Muratit.)*5 Para dyrëve si nga qielli e vranë qenin e Musa Muratit.   Me shqelma e sëpata  të vogla, i hapën dyert e oborrit. Mua më mbanin para shkallëve, në hyrje të shtëpisë. Brenda, kontrolluan me egërsi çdo skutë. Gjërat me vlerë i merrnin, kurse të tjerat vandalisht, i shkatërronin. Udhëheqësi i bandës, të cilit në qafë  i vezullonin dy zinxhirë prej arit, teksa u konsultua me celular me shtabin e tij, urdhëroi që ne të largoheshim. Të largoheshim, shpejt. Feratin e shtynë me forcë, kurse mua me egërsi shtazarake me shkelmuan e grushtuan, prapa shpine.  Ky brutalitet torture, ky vandalizëm në Kabash, u bë në natën kur qeveria e ashtuquajtur Jugosllave, shpalli armëpushim të njëanshëm. Për shkak motit të keq, po kësaj nate,  nuk pati bombardime.

7, prill
Në  rrethanat e krijuara dyfish tragjike, të vdesësh apo të largohesh...! Unë, si edhe shumë njerëz të tjerë,  zgjodha këtë të dytën: ikjen, përpara vdekjes, si qëndresë. Për vendimin që po merrja në heshtje, në mërzi të madhe, në pikëllim, i bëj me dije bashkëvendësit e pakët që ishin mbetur në fshat: Dautin e Mulla Selimit)*6, Zenunin, Sefën, Farushin e Haxhës, Halitin e Hakiut, Limanin e Shefkiut...
Në orën 11.30, edhe ne Salihajt, që patëm mbetur, iu bashkëngjitëm atij lumi gjigant të të përndjekurve. Por, pa ditë mirë se ku do të vëmë, ku do të përfundojmë.  Në dalje, nuk i shpëtuam syrit vëzhgues të fqinjëve serbë. Kur panë se po nisemi (fëmijë e gra, sepse meshkujt e rritur, burrat ishin të mobilizuar), dolën në oborr dhe me keqardhje të shtirë, llomotitën: “Kuku lele komshi... NATO, NATO “Mbahuni ju “komsho”, se ne po nisemi!”, u tha Rafizi. Traktori lëvizi. Me uturimë të mërzitshme, trishtuese. Toka rënkoi. Në rimorkio ishim gjithsej, 15 veta.  Zemërvrarë, lamë pas vetës shtëpitë, bagëtinë, krejt atë që e kishim trashëguar dhe fituar  me punë për një jetë tërë. Në Viti, rrugës periferike, kah shtëpitë e debelldasve, siç i thonë kësaj ane të qytezës, takuam serbë. Po, serbë që na shikonin me indiferencë. Karvanit të të ikurve atë ditë iu bashkëngjitën edhe familjet tjera të kabashasve. Në katund tashmë s’dihej kush po mbetet, ose kishin mbetur fare-fare pak banorë. Që atë ditë, u vendosëm në Terpezë. Përfunduam te Musa Abedin Halili. Aty na pritën me përzemërsi, derëhapur, bash ashtu siç e ka zakon shqiptari. Na sistemuan në dy oda, nga se ishim shumë veta, 6 familje. Isa Halili, i zoti i odës së burrave, kur më vërejti se ndihesha  ngushtë dhe i mërzitur, më dha kurajë: “Shlirohu he burrë, mos u ngushto,  shyqyr zotit i kam të tërat... Këta serbet, që janë çue peshë kundra krejtve,  shpejt  kanë me hanger kryet e vet!” 

8, prill
Unë  me familje, me ndihmën e Musa Abedin Halilit, u transferova në shtëpinë e Ali Shaçirit. Shtëpia ndodhej në mes të një peizazhi të këndshëm, rrethuar me shtëpia tjera të reja e moderne, me livadhe, ara. Por, shumica e arave nuk ishin të punuara.Nga oborri i shtëpisë, shiheshin si në pëllëmbë të dorës qyteza e Vitisë, fshatrat: Kabashi, Binça, Lugishta (Lubishta), Smira etj. Gjërat ushqimore, dhe shumë gjëra tjera të nevojshme, na siguronin terpezasit: Musa, Velia, Limani, xha Fehmiu, Tahiri, Qamili e të tjerë. S’kishim asnjë problem në këtë drejtim, por situata ishte kaotike, e tmerrshme.  Me këtë rast, dua ta përmend edhe Bardhylin e vogël,  që vazhdimisht na ndodhej pranë për çka do që kishim nevojë. Të gjithë këta bashkë me familjet dhe fqinjët e tyre u tregoheshin shumë bujarë me ne. Për këtë mikpritje, do t’u jem  mirënjohës gjithë jetën. Kabashasit, përveç se në Terpezë)*7, u vendosën edhe në Rrafshmir (Pozharan), Sllatinë (Gjelbinë), Gjylekar (Skifter), Sadovinë e Jerlive, Lubishtë (Lugishtë), Stubëll, Remnik etj. Padyshim, gjithkund u pritën mirë. Gjatë qëndrimit tim në Terpezë, u granatuan, u dogjën këto katunde: Katundi i Ri, Radivojci (Lakërishtja), Tërsteniku (Mollkuqi),  Budrika, Ballanca, Zhitija (Grunori) dhe Ramjani. Më 13 prill, përhapet lajmi  shumë i hidhur për kabashasit se është vrarë Daut Zenuni. Ky lajm, i konfirmuar nga serbët, demantohet po atë ditë)*8. Më 15 prill, sulmohen Ballanca dhe Zhitija. Krismat e automatikëve dhe e granatimeve, u dëgjuan edhe në Tërpezë. Në Ballancë rrëzohet (granatohet) xhamia e fshatit, dhe disa shtëpi. Banorët e katundit të përmendur bashkë me ata të Zhitisë (Grunorit), i nisin në drejtim të Kllokotit. Rrugës, paramilitarët, e udhëhequr nga Lubomir Stoliq – Truba, i ndalojnë: ua marrin fëmijët peng, dhe i kërcënojnë me thika e sëpata: “Nxirrni devizat, arin... përndryshe do t’ju therim fëmijët edhe juve!” Sipas dëshmive të atyre që ishin në kolonë, ishin plaçkitur e maltretuar shumë veta. Paramilitarët nuk u kënaqën vetëm me deviza dhe ari, por të përndjekurve ua marrin  veturat dhe  gjësendet tjera të vlefshme. Në Terpezë, në orën 15.00 pati të shtëna me armë zjarri. Snajperistët serbë, plagosën tre veta, një vendas dhe, dy mysafirë. Plumbat erdhën nga kodra, pak mbi shtëpitë e serbëve. Falë gjakftohtësisë por edhe guximit të banorëve të Tërpezës, nuk erdhi te zhvendosja. Në mbrëmje, katundin e vërshuan shumë kafshë shtëpiake, të ardhura nga Ballanca e Zhitia /Grunori/,  disa prej tyre të plagosura me breshëri plumbash. Të nesërmen, rrugës  që vjen për në fshat,  u panë arave banorë serbë. Njëri prej tyre  quhej Çedomir – korrier i shkollës në Tërpezë. Ata, si dhe Çedomiri, ishin ngarkuar me plaçka të vjedhura të marra aty-këtu, nëpër shtëpitë e Zhitisë dhe të Ballancës.. Derisa serbët zdirgjeshin  rrugës teposhtë, Bardhyli i vogël, (djali i Veliut), i merakosur për fatin e dajallarëve të tij në Zhiti /Grunor/, më tha: “Xha Sabit, ndoshta  bash te dajtë e mi ka vjedh Çeda ...”  “Këta” – ndërhyri i ati,  “me valixhe kurgja... tjerët, gjithë natën kanë bajtë me kamiona, traktora, kerre e mjete  tjera transporti.”
Në Radivojc (Lakërishtë) në prag të shtëpisë së tij, paramilitarët serbë lokalë të komunës së Vitisë e vrasin Nazmi Pajazitin 55 vjeç, me profesion arsimtar. Nga Katundi i Ri mësojmë për një të vrarë, me emrin Rrustem. Rrustemi shkon në shtëpinë e tij për të marrë vaj, sheqer… Serbët lokalë e zënë, e maltretojnë gjithë natën, pastaj në afërsi të shtëpisë, e vrasin. Forca të mëdha ushtarake e paraushtarake, siç thonë disa budrikas të ardhur në Tërpezë, e kanë granatuar Budrikën prej së largu. Siç thuhetkanë rrëzuar  shumë shtëpi dhe xhaminë e katundit, pastaj këmbësoria është fut brenda nëpër shtëpi, duke rrahur, plaçkitur, torturuar popullsinë e pafajshme. Dy familje të përndjekura nga Ramjani, të shqetësuara tregojnë: “S’kemi mujt as fëmijët me i vesh, kafshët na kanë met të lidhuna në grazhd.. Shkijet, tregojnë dhembshëm ata, n’a i morën krejt shka patëm”. “I morëm veç këto bohçe  që po i shihni dhe...”  rrëfente me zë të mbytur, e sy të përlotur, njëra nga gratë.
Për Beguncën (Gunbardhin), Gjylekarin (Skifterin)  nuk kishim asnjë informatë. Stublla e Epërme, ishte dyfishuar me banorë. Aty ishin strehuar shumë të ikur nga Kabashi, Vitia, Binça, Zhegra etj. Zhvendosje masive nga Stublla na bëjnë me dije se nuk ka patur, por flitej për maltretime e plaçkitje të përditshme. Binça zhvendosët sistematikisht nga fqinjët e tyre serbë Ky fshat i përzier, para vitit 1989, jetonte në marrëdhënie të mira fqinjësore. Serbët, kur panë se katolikët e myslimanët (shqiptarë), siç thoshte Gjergj Fishta: “… para kombit e anmikut janë nji”, filluan me provokime e kërcënime të hapura. Më 20 janar 1996 u  plagos rëndë me armë zjarri, pa asnjë shkak Luigj Ahmeti nga fqiu i tij serb, Zoran Markoviq – Zuji. Shqipatrët e  mbetur në Binçë, flitet që aktualisht. natën e kalojnë në kishë)*9 Buzuvikun (Buzëmalin), thuhet se është  granatuar. Popullata, ka ikur në panik drejt kufirit, për të dalë, në territorin e Maqedonisë. Një makut serb nga Mogilla, i cili kishte ardhur në Tërpezë për të shitur patate, në pyetjen tonë se ku janë shqiptarët e Mogillës, thotë se shqiptarët...  të frikësuar nga bombardimet e NATO-s, e kanë lëshuar katundin.. Serbi me veshët llapush, hundën  shpatuke, buzaç, shajkaqën krejt zdralë, babëzisht i shtini në xhep devizat (DM-të), u përshëndet me cinizëm dhe, iku. Ai, bënte tregti. Aty pranë meje, një mesoburrë terpezas, tregon: “Serbët e Mogillës, , me 15 janar kanë marrë pjesë në masakrën e Reçakut. Atje kanë shkue me dy autobusë, me nxjerr hak, për at milicin e tyne, që u vra në rrugën Ferizaj–Shtimje”. Pra, i kanë përzënë banorët shqiptarë si gjithkund se, prej NATO-s, ne s’kemi pse të ikim përkundër, rrezikut që e konstruktojnë forcat serbe. Pozharani (Rrafshmiri), Sllatina (Gjelbina), Stublla, Drobeshi (Miraku), Gërmova)*10 e Sadovina konsideroheshin vende, ndoshta pak më të qeta. Këto katunde ishin stërngarkuar me popullatë të përndjekur, jo vetëm  të komunës së Vitisë, por edhe të komunave Ferizaj e Gjilan: Nga Cërnica (Qarrishta), Tankosiç (Dardana), Sojeva, Komogllav (Gurbardhi), Malisheva (Malishta), Zllatari(Zgatari), Gadishi, Sllakoci, Përlepnica (Blinishta), Llashtica (Lashtiza) etj. ishin strehuar qindra e mijëra banorë në këto fshatra që mund të konsideroheshin, pak a shumë më të sigurta. Sepse, katundet e lartë përmendura janë sulmuar, plaçkitë, granatuar nga forcat ushtarako-policore serbe. Ndërsa për disa fshatra të tjera të komunës sime, qarkullojnë të dhëna nga njerëz okular)*11 se ka shumë të vrarë. Më 17 prill, zhvendoset Rrafshmiri  (Pozharani). Rrafshmirakët, bashkë me popullatën e ardhur nga katundet tjera, kriminelët serbë, i nisin në drejtim të Ferizajt)*12. Kolona e të shpërngulurve, ishte siç thuhej, e gjatë me dhjetëra kilometra. Rrugës, njerëzit maltretohen, plaçkitën sipas skenarit tani më të njohur nga forcat serbe. Në hyrje të Ferizajt, kolona kthehet me urdhrin e një eprori ushtarak serb. Krijohet një tollovi, rrëmujë e pa parë, një pështjellim, trazim e frikë. Avionët e NATO-s, bombardojnë diku në afërsi të kolonës.)*13. Ushtarët e frikësuar, kërkojnë shpëtim duke u fshehur në automjetet e të të përndjekurve. Në hyrje të Rrafshmirit (Pozhoranit) prapë ndalet kolona: plaçkitet, torturohet me egërsi. Të gjithë atyre që ua gjejnë, forcat serbe ua grisin dokumentacionin:: letërnjoftimet, pasaportat, lejet e qarkullimit të automjeteve, lejet për vozitje Ky rrugëtim i dhunshëm dhe me plot dhembje, kishte zgjatur për më tepër se tetë orë. Në mbrëmje plotë nerv e pezëm Z. tregon këtë krajatë të dhembshme, dhe faktin  se si e kanë torturuar serbët, duke ia marr edhe 1000 marka gjermane.

26, prill
Dikush na njoftoj se ne, Kabashasit, mund të kthehemi në shtëpitë e tona. Shpejt e shpejt i mblodhëm plaçkat e pakta dhe, bashkë, në orën 11.00 të ditës, jemi  në Pozharan. Na thanë se duhet bërë gati nga 50 DM, sepse duhet ta paguajmë policinë që të në përcjell për shkaqe sigurie deri në fshat. Kështu mbase kishin vepruar edhe me të tjerët. Kur na kishin përzënë nga shtëpitë, na kishin plaçkitur paramilitarët, kurse tani kur po  ktheheshim, po na plaçkiste  policia. Pas dy orë pritjeje, na rikthejnë nga ishim nisur. 
U kthyem të dëshpëruar, të lodhur, të lagur deri në palcë nga shiu në Tërpezë. Dhe, përsëri këtu duhej ta vazhdonim jetën në ankth.  Dhe, duke mbajtur gjithmonë plaçkat gati për ndonjë rrugë tjetër një trasta najloni, ku mbanin edhe bukë mbrume ose, bukë nore.   Në mungesë të tharmit për bukë, trohat e bukës mbrume, (trohat  e mbetura), i përzienim  me pak miell,  ujë të vakët dhe për 10-12 orë, tharbëtohej brumi. Këtë tharm pastaj, më vonë e përdornim  për të gatuar bukën.

29, prill
Një serb i quajtur Goran, i urdhëron terpezasitë që të gjithë mysafirët (refugjatët), duhet t’i largojnë nga Tërpeza, deri në orën 13.00. Urdhri shpërndahet rrufeshëm:Ka thanë Gorani se krejt ata të fshatrave tjera, duhet me dal prej  Tërpezës deri në orën 13.00 mbas dite.“ thotë,  duke folur me ndërprerje e duke u dridhur,  17 - 19 vjeçar, veshur shkujdesur, me flokë të pa krehura, nervoz dhe  me shikim të ngulitur përtokë. Në pyetjen se kush është  Gorani, ai përgjigjet: “Ai, m... bre, Gorani, nipi i  Bozhës”.)*14 Ky urdhër për terpezasit ishte fyrje e rëndë, ishte dhembje. U ndamë nga mikpritësi, të përlotur e me dhembje sepse, urdhri duhej të zbatohej. Ishim, përsëri në rrugë. Përsëri kolona e traktorëve; mbuluar me folie najloni në pritje, e nisje të ankthshme.  Serbët, rrugës na “përshëndesin”  me tre gishta, të ngritur. Në Pozharan (Rrafshmir), shumica, gjejnë strehim. Me dashamirësi e bujari, në familjen e Tahir Pirës, mua me familje na bëjnë konak. Te mikpritës, vërejta një kënaqësi të veçantë që edhe atij bashkë me anëtarët e familjes iu dha mundësia t’i gjendet pranë tjetrit në fatkeqësi. «Bukë, kripë e zemër”,  na e përsëritën disa herë familja e Tahirit, kemi ...  Këtu jeni si në shtëpinë e juaj».


                                   “Evropa e rrëzueme e pusueme…”

30 prill ’99
Me autobus urban nga Rrafshmiri (Pozharani), në orën 9,00 u nisëm... Nisje e ankthshme, e trishtueshme. Psherëtima, lot, mallkime... Brenda në autobus, mbi 70 veta, kryesisht,  gra e fëmijë. Rrugës nuk  lëvizte asnjë automjet, vetëm diku në afërsi të Ferizajt në anën e kundërt tonën  shkonin dy kamion të mëdhenj me rimorkio, me regjistrim të Vrajës, të ngarkuar me bagëti. I mllefosur dhe me një  mbingarkesë në mendje, për t’i regjistruar të gjitha mizoritë, për një hop, sikur dola nga  autobusi, jashtë tij e t’i  shihja idiotizmat, shtazëritë, shëmtitë, barbaritë e barbarëve. Ashtu i përhumbur vazhdoja soditjet, pa vënë re ankthin, trishtimin e bashkudhëtarëve në autobus. 
Posa e kaluam udhëkryqin, te Gërlica (Gureza), djali, (Pajtimi) me gjysmë zëri më thotë: “Babë, e paskan rrëzue “Evropën”! Fjalën e kishte për Motelin e bukur, i ndërtuar që moti me emrin “Evropa”, në të shkuar të Ferizajt, në drejtim të Shkupit. Një nënë, së cilës i kishin mbetur gjallë vetëm sytë dhe shpirti, me dy fëmijë /të voglin e mbante në gji, kurse tjetri, paksa më i madh, i rrinte i kapur për supin e djathtë/, aty përballë meje, me të dëgjuar fjalët e Pajtimit, “u rrëzue Evropa”, tha:: “Evropa e rrëzume e pusume, masi në zemër të saj po lejon këta  me vra e me pre”.
Rrugës lamë katunde të boshatisura, me shtëpi të rrënuara, të djegura, me mure të nxira nga tymi e flaka, të plaçkitura, bagëti të vrara, vetura, traktorë të lënë rrugës, hendeqe mbrojtëse,  paramilitarë, rezervistë, civilë  (dukeshin sikur sot kanë dalë prej shpellave), të ngarkuar me gjësende të vjedhura, qenë e kuaj të vrarë në hyrje të shtëpive,)*12 grafite të shkruara me alfabet kryesisht cirilik, kundër shqiptarëve dhe NATO-s, topa kundërajror prej llamarine (kartoni) në vende të sheshta për t’i mashtruar avionët e Aleancës. Asfalti, vende-vende  i dëmtuar nga zinxhirët e tankave të ushtrisë serbe. Diku në afërsi të Glloboçicës (Qafëshkabës) shohim një lopë të ngordhur, në të vërtetë të masakruar skaj rrugës. Sipër saj lëshoheshin dhe ngriheshin me krrokama trishtuese tufa korbash. Ata që e panë, u shtangën dhe si në kor lëshuan zëra të paartikuluar dhembjeje e trishtimi. Në largësi 50-60 m. nga ajo pamje e llahtarshme vërejmë sadistët serbë, të fshehur në llogore të nëndheshme, që vëzhgonin me tejqyre, ndërsa sipër birucës së tyre një zhgan tjetër, paturpësisht parfumohej në avullin e shurrës së tij. Afër vendstrehimit, në një lis të zgavërt  përbrenda, e priste terrin një kukuvajkë. Autobusi i stërngarkuar mezi ngjitej malit përpjetë, duke gjarpëruar rrugës zigzage të fshehur mes drurësh shkoze të lartë  e gjetheshumë. Brenda në autobus mbretëronte një makth, një qetësi bezdisëse, një mërzitje, një huti, një... dhe të gjithë e kishin hallin se kah do të na përplas furtuna e luftës, si do ta kalojmë kufirin. Dy anëve të rrugës plot makina të mbetura. Mundohem t’i numëroj, por nuk mundem dot, ato janë shumë. Në atë det makinash të plaçkitura, në anën e majtë të rrugës, me dyer të hapura, e demoluar, e njoha veturën me targa: PR.143-633. Djersë të akullta ma mbulojnë ballin. Po, i zoti i veturës! Familja e tij!? Kushtrimi, Rrezarta, Albulena..!!  Çka u bë me ta?  Ku janë?
Heu, them me vete, edhe ky katund i djegur, i braktisur. Lopë , kuaj, gomarë të lënë, të dobësuar, të lodhur, të bërë asht e lëkurë, pa ushqime dhe kujdesin e njeriut, ishin mbledhur rreth një shkurre, që sa kish nis të dushkojë, zgjateshin qafën me përtesë për t;’i kapur filizat e sapodalur.
Dolëm nga autobusi. Të përcjellur nga një kordon i gjatë policësh, dy-tri  hapa larg nesh, grupe-grupe sipas familjeve, në rresht për dy, kufirin e kaluam pa vështirësi. Përballë barakës së doganierëve, dy veta, mbanin evidencë për numrin e të përndjekurve  dhe gëzoheshin për realizimin e skenarit, pikë për pikë të akademikëve serbë për depërtimin e shqiptarëve nga Kosova. Sjelljet “me kulturë” na habitën, por si duket: doganierët, policët si dhe ushtarët serbë ishin ngopë me plaçkitje, grabitje, arrestime e dhunë ose kjo ishte një marketing për ta stimuluar ikjen, zbrazjen e Kosovës.  Në dalje, një polic,  dhëmbënxjerrë, me kokë të rruar,  muskuloz, fytyrëvrarë, sytë plot urrejtje, turfulloi: “Kurrë më s’keni për ta parë Kosovën”. Fjalët e llomështit, kolona e të ndjekurve i përcolli  me një vështrim shpërfillës e indiferent.


KAPITULLI II
----------------------------------------------------------------------

                 Në mes të dy kufijve të dhunshëm
(Të lodhur e të rraskapitur nga peripecitë, shtrëngatat, streset, mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë.)

Zona neutrale. Zone e kufirit të dhunshëm:  një vend i sheshet, me një peizazh të mrekullueshëm, me natyrë të lulëzuar, përreth kodra gjelbëroshe, që dukeshin si të pikturuara nga një dorë mjeshtërore, ndërsa pak më tej, në të dy anët e kufirit, lartësoheshin malet, në maje ende të mbuluara me borë, që vëzhgonin dhunën aq të egër, etnocidin, i cili bëhej kundër shqiptarëve, në prag të mileniumit të tretë. Në këtë vend kaq piktoresk, shiheshin gjurmët e eksodit të dhunshëm, shiheshin gjurmët e pritjeve të stërzgjatura të të përndjekurve, copa najlonash, kavanoza, konserva,   shishe të zbrazura, miell i derdhur,  patate, batanije,  rroba fëmijësh e të rriturish lidhur me çarçafë,  pastaj të hapura me forcë, të shpërndara gjithandej, çizme llastiku, këpucë, çorapë, triko... tualeti i improvizuar, një traktor me njërën  gomë të rrotës së madhe të shfryer, me një qerre të kapur prapa, brenda kanatave podiumi i shtruar me kashtë,  një batanije e shqyer e mbetur në bisht të qerres dhe gjësende të tjera të braktisura, që i kanë përdor të përndjekurit ditëve me të reshura.  Moti ishte me diell, një diell i passhiut sa të zihej fryma. Një tufë zogjsh ogurmirë fluturonin sa andej sa këndej  kufirit të dhunshëm.  Te bashkudhëtarët vëreja një buzagaz të pikëllimet, një krenari të plagosur, një frymëmarrje më të shpejtë, më të thellë. Aty takojmë të përndjekur tjerë (kryesisht gra e fëmijë ulur mbi valixhet e tyre) që ta ndrydhnin shpirtin dhe mendjen, kur i shihje duke i hëngër buzët, duke shfaqur dhembje  për  ah-et dhe uh-et, pale kur i shihje me fytyra të zymta, të humbura, kur i shihje me kapakët e syve të rënduar nga pagjumësia... në mesin e tyre edhe  kabashë, që prisnin për ta kaluar kufirin. Na bëjnë me dije se edhe ata, si ne, e kishin bë të njëjtën rrugë me autobus dhe kishin paguar nga 30 DM. për person. Të lodhur e të rraskapitur nga mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë. Sjelljet e policisë maqedonase ishin tejet fyese, por ishin të kujdesshëm  që të mos bien në sy të medieve të huaja e punëtorëve të UNHCR-it.  Pas katër orësh pritjeje në rresht, e braktisëm një pjesë të tokës sonë. Në mënyrë të organizuar  me autobus  të UNHCR-it na dërguan në Tetovë, në një objekt turistik, i quajtur “Teleferiku”. Objekti ishte improvizuar për pritjen e refugjatëve. Brenda ishin shtruar dyshek sfungjeri për fjetje, kurse jashtë ishte një ambient i shkëlqyeshëm për pushim. Aty shqiptarët vendas na ofruan ujë, bukë dhe ndihmë mjekësore. Deri në mbrëmje gati u zbraz vendi, ku ishim vendosur. Familjet tetovare vullnetarisht i merrnin kosovarët në shtëpitë e tyre. Në Tetovë vumë kontakt me telefon, pas 36 ditëve me vëllain në gjermani, djalin në Belgjikë ...  Një çudi e vërtetë, një gëzim i pa përshkruar, kur dëgjojnë se jam  gjallë.
Me të dëgjuar përmes medieve private në gjuhën shqipe: TV “Hana”, TV “Toska”, TV “Era” se kemi ardhur, sakaq, kosovarët nga Shkupi, Gostivari, Haraçina e katundet tjera të Tetovës erdhën  për të shikuar se në mesin e të të përndjekurve do t’i gjejnë të afërmit e tyre: kush djalin, kush prindërit, kush gruan, burrin, mikun, hallën, nipin, mbesën, shokun...erdhën për të mësuar për gjendjen në territorin prej nga vinim, për të mësuar më  drejtpërsëdrejti për të vrarët, për bombardimet, për shkatërrimet, masakrimet, për qëndresën, për të kidnapuarit, për të humburit, për...
Në hyrje, jashtë e brenda hotelit, rrëmujë, pështjellim, zhurmë, përshëndetje, shtrëngim duarsh, përqafime, lot, rrudhje krahësh, ngulfatje, shikime drejt në sy, oqean pyetjesh, përshkrime të detajuara për maltretimet, torturat, vrasjet, plaçkitjet, zhvendosjet me dhunë, ndarjet...  Diku kah mesnata,  për herë të parë mbas 43 ditëve e vura kryet në jastëk. Gjumë nuk bëra, mendjen e kisha atje. Atje, përtej kufirit, më bëhej se i dëgjoja lehjet dhe ulërimat e qenve. Medet! Natë është!
Natë...
 


                                     Në Shkup

1, maj
Në orën 11.00, nga Tetova  “fluturojmë” me dy makina ( Ekremit dhe Ibrahimit) drejt Shkupit, unë me bashkëshorten dhe Ferati me familje, kurse Dritoni, Zejnia, Flutura, Alma,  Pajtimi, Bardhi një natë përpara kishin shkuar në Shkup.   Dhe, është një udhëtim i këndshëm, përkundër lodhjes, trishtimit e molisjes së madhe. Flasim për lokalitetet, vendbanimet në të dy anët e autorrugës Tetovë -Shkup me popullsi autoktone  shqiptare, për të drejtat e tyre të nëpërkëmbura, për  Universitetin e Tetovës, “demokracinë” në Maqedoni, për fushën e punuar, për mbijetesën, mbishkrimet me alfabetin cirilik, vështërsitë... për Shkupin, qytetin-port, qytetin-korridor prej nga shqiptarët u shpërndan në katër anët e botës. 
Sa kisha filluar t’i zë kujtimet e dikurshme të jetës studentore në Shkup,  në vitet 1966-1968, makina  u ndal në Rrugën: “Pere Toshev”. Mezi  gjejmë vend për t’u parkuar. Në trotuar e në rrugë luajnë shkujdesur shumë fëmijë. Shikoj me kureshtje lagjen dhe vërej: po ato shtëpi përdhese, të ulta, brenda të mobiluara shumë thjeshtë, por me shije, të pastra, mikpritëse, të vogla, të shtuara, të stisura afër njëra tjetrës, të mbuluara me copa teneqesh të ndryshkura,  po ato dyqane, po ato garazhe, po ato kantonjere të mbushura me hedhurina, po ata njerëz, po ato trotuare të ngushta, po ato rrugë të zhurmshme, që i kam njohur, i kam shkelur edhe më parë kush e di sa e sa herë, i kam dashur. Në anën veriore ( 100 metra larg ) të lagjes ngrihen apartamente të bukura shumë katshe, përgjatë Rr. “Xhon Kenedi”,  në juglindje (1-2. km.)  është Bit Pazari dhe rruga kryesore që shkon në drejtim të Hanit të Elezit,  në verilindje “Çairi”, lagje e banuar me popullsi shqiptare, kurse në lindje, aty fare afër, është Shkolla fillore “Dame Gruev”.
Nisem me nguti rrugicës sokakut të ngushtë, drejt shtëpisë dy katshe nr.34A. Si gjithmonë dera është e hapur. Brenda në shtëpi nuk më bëjnë  përshtypje  refugjatët e shumtë (32), me fytyra të përhumbura e kureshtarë.  Është diçka tjetër që më shqetëson dhe nuk gjej forcë për ta kapërcye shqetësimin. Motrën time, të madhën, e kërkoj anë e kënd shtëpisë. Ndjej një trazim, një ngulfatje, një zbrastirë... Ka shtatë muaj që ajo nuk  është  në mesin e të gjallëve. Trupi saj prehet në varrezat afër Bllacës. “Në Bllacë, më thoshte, dua të varrosem sepse, atje e kam më afër Kosovën.”
Pas dy ditë qëndrimi te Ekremi, bashkë me Faketën u vendosëm te nëna e Feimit “Mëhalla e Karadakut”, Ferati te Ajet Muharremi “Gazi Babë”, Dritoni te Selajdini, kurse Teuta në “Çair” te Gazi. Nëna e Feimit na priti me bujari. Bujar e zemërbardhë u tregua  Beçoja me familje, Ajeti  me të shoqen, Ekremi Gazi, Selajdini...
Qyteti i Shkupit që më parë ishte përgatit për pritjen e refugjatëve. Punët rreth  sistemimit, ndarjes së ndihmave (në Shoqatat humanitare) e bënin shqiptarët vendas. Stafet dhe punëtorët në shoqatat, si “El Hilal”, “Kalliri i mirësisë”,  “ Kryqi i kuq”, “Oxfom” etj.  me përkushtim, me zemër, me dashamirësi e disiplinë ua zgjatën dorën e ndihmës bashkëkombëseve të tyre, të përndjekur nga Kosova. Kishte  raste kur para depove për ndarjen e ndihmave krijoheshin tollovi, zënka, shtyrje, duele verbale...  por gjërat tejkaloheshin  me kujdes. 
6 maj,
Erdhi Sahiti. Nga ai marrë informatë se  Arafati e Astriti janë në radhët e UÇK-ës.  Edhe Sahiti dëshironte me çdo kusht të hynte në Kosovë, por e ndala duke bindur se hyrja në vendlindje /Viti Kabash/ për momentin ishte e panevojshme, dhe shumë e rrezikshme, Sahiti, dikur hoqi dorë. Qëndrimi i tij në Shkup ishte me plotë shqetësime për nënën, vëllain me familje e djalin në Kosovë, djalin tjetër, ushtar i lirisë, i sistemuar diku në malet e Pashtrikut.. E ngushëlloja vazhdimisht duke thënë se liria, gjithmonë kushton shtrenjtë.  
7, maj 
Në lokalet e policisë (në Shkup) shkova për t’u paraqitur si i dëbuar, si refugjat apo, kudi si çka... Padyshim ishte një tollovi e madhe, një pritje e mundimshme. Në sportel, një polic i përjargur, arrogant e shovinist, për hiç gjë, më nxjerr nga rreshti, pikërisht në çastin kur pas dy orë pritje, më erdhi radha edhe mua për t’i dorëzuar formularët për paraqitje. Mirësjellje nga polici maqedonas nuk prisja, por ajo që më lëndoi ishin fjalët e një  mjerani – shqipfolës që ishte një bullafiq, thjesht një kolaboracionist. Ai mbante gojën vesh më vesh duke lëmuar mustaqet e holla si bishtmiu. Me një vështrim përulës, por edhe për t’ia bërë qejfin kolegut të tij maqedonas, më tha: “Ene /edhe/, ju kosovarët jini shumë dosadno /të mërzitshëm, të padurueshëm/”.. Medet! Lozë e keqe, poltron... Eh, kur do të pushojë kjo “racë” e shqiptarëve për të qenë poltron dhe shërbëtor të të tjerëve, dhe në këtë mënyrë, armike e vetë shqiptarëve? Dal nga stacioni i policisë pa kryer punë.
Nëpër rrugët e kryeqytetit të Maqedonisë takoj shumë bashkëvendës: Sinanin e Rexhepit, Muharremin e Xhemajlit, Rexhepin e Hamzës, Salihun e Dostanit /me vendbanim në Shkup/, xha  Sylën, Osmanin, Beçirin, Muhametin, Ademin.../me vendbanim në lagjen e  Sarajit/ dhe të cilët shtëpitë i kishin deng, me refugjat. Takoj gjithashtu, Sebë Gashin zejtar i pavarur, kishte një punëtori /sharrë elektrike/ në Shkup për përpunimin e drurit, i cili me të gjitha forcat e tij ishte vënë në shërbim të të përndjekurve. Kënaqësi e veçantë për mua ishte takimi, me  ish profesorin tim, Hamza Rekën /pas 32 vjetëve/,  me Tahir Hodën, shok i studimeve, i cili sa mori vesh se jam në Shkup erdhi nga Struga. Takoj gjithashtu edhe  shumë kurbetçinj (kabashas) të ardhur prej shteteve perëndimore për ta ndihmuar familjen: (Fadili i Halimit, Xhelali i Kadrisë,  Elezi i Smajlit, Hyrmeti i Zeqës, Bekimi i Ramushit, Agimi i Mejdisë, Naimi i Nuhisë, baba i Zefit, vëllau i Tadejes etj). Të gjithë flasin, tregojnë peripecitë e tyre, pyesin të shqetësuar për anëtarët e familjes që i kanë në Kosovë, për qëndresën, për kabashasit ushtarë të lirisë, në UÇK: Arbenin e Mustafës, Astritin e Dautit, Arafatin e Sahitit dhe Xhemilin e Shabanit,)*19 për të ardhmen, për klasën politike shqiptare, për vrasjet, për ikjet e dhimbshme në Evropë, Amerikë e Australi, zhvendosjen dhe janë shumë të brengosur që nuk kanë bë më shumë për Kosovën, por i mban një fije shprese se fundi do të jetë i gëzuar.
9, maj 
Derisa po i dëgjoja lajmet e fundit të ditës për tmerret, lemeritë, marrëzitë, vdekjet, bombardimet, qëndresën në Kosovë, zonja e shtëpisë B. më bënë me dije se po të kërkon dikush në telefon: “Kosovar është, - më thotë ajo me një zë, disi të shqetësuar. Ç’është kjo thirrje në këto orë të vonshme të natës, mendova.  I afrohem telefonit me droje. E dëgjoj  zërin, matanë.
-“Alo”
-“Sa u ktheva prej maternitetit, spitalit të Tetovës…,” thotë ai.
- “Djalë.. a”?  - e ndërpres.
- “Po”, - më thotë duke shtuar: “Kthim”,  e pagëzova...
------------------------------------------------------------------------------------------------------------


)*1 Ditarin e kam mbajt gjatë luftës, në copa letrash e gazetash të kamufluara, sa isha në Kosovë. Në Shkup e vazhdova vetëm për dhjetë ditë.
  )*2 Kjo u vërtetua pas kthimit të punëtorëve shqiptarë në punë. Në postë u gjet kabina e veçantë e përgjimeve dhe numrat e telefonave që janë përgjuar.
  )*3 Shumë dele, lop, kuaj ngordhën në shtallat e mbyllura. Ushtarët serb, të stacionuar në Debellde (Delmir), krejt këtë mjerim e kanë shikuar prej së afërmi. Kafshët pësuan vetëm se ishin të shqiptarëve. Sipas dëshmive të debelldasve.
  )*4 Ali Haliti, Idriz Selmani, Xhemajl Zenuni, Aziz e Rafiz Azizi, Sylejman Ibrahimi, Ibrahim Halili, Riza Januzi, Ibish e Ali Ibishi dhe Nuhi Selmani.
   )*5 Banditët më parë ishin të informuar detajisht nga serbët lokalë (kolonistat). Bile ata,  para se të ndërhynin në familjet tona, u konsultuan, morën informata se kush jemi, sa veta jemi në familje,  me se merremi etj. me Vukashinoviq Gjurën, vëllaun e Vukashinoviq Radisavit / Pusha i Angjellkit/, shovinist e arrogant, i cili që nga viti 1990 kishe harxhuar me  dhjetëra kilogram municion,  duke shti me armë zjarri,  gati për çdo natë, deri në janar të vitit 1999 . Gjatë luftës ishte me uniformë dhe i armatosur me snajperkë. 
)*6 Daut, mbrëmë... i tregova detajisht ajo që më kishte ndodhur mua e Feratit /natën e 6 prillit ’99/,  edhe... matan lumit kemi mbet vetëm unë,  Ferati, Dritoni  me familje dhe Ramadani me të shoqen.  Sonte ushtarët kanë me t’ardh ty në shtëpi.  Këtë po ta them se mbrëmë banditët,  që më torturuan, më provokonin se e kujt është kjo shtëpi kaq e madhe, dhe për shtëpinë tënde e kishin fjalën. Si dhe: Ku është i zoti i saj?. Ai më tha se këto janë provokime, sepse sipas tij, të njëjtit kanë provokuar edhe te Xhemajli, i vëllai. Te Dauti kisha shkuar edhe herave tjera, me veti gjithmonë e merrja një kënatë plastike,  sikur po shkoja për të mbushur ujë.  Një ditë përpara,  ishte te unë, i mori një parë gërshërë . U foli,  u dha zemër fëmijëve dhe gruas time : “Mos u frikoni. S’kanë çka na bajnë shkijet.” 
  )*7 Në  Tërpezë ishin të vendosur këta kabashas: 1.Brahim  Haliti me familje 2. Ramush Misini me familje 3. Rafiz Misini me nënën dhe babën 4. Emrush Misini me të  bijën 5.Xhevat Ymeri me nënën dhe dy motrat,  të shoqen dhe vajzat i kishte vendos në Pozharan 6.Skender Ymeri me familje 7.Januz Rrahimi 8. Shaqir Rrahimi me familje 9.Halit Azemi me të shoqen 10.Sefedin Azemi 11.Azem Azemi 12.Limon Kamberi me të shoqen 13.Jahi Azizi me familje 14. Sylejman Rexhepi me familje 15.Muharrem Misini me familje 16. Qahil Misini me familje 17.Rifat Kamberi me djalin (Naimin) 18.Rrahman Kamberi me familje 19.Ibish Rrahimi me familje 20.Ali Rrahimi me familje 21.Xhemajl Zenuni me familje 22.Avdulla Zenuni me familje 23.Savdulla Zenuni me familje 24.Driton Abdyli me familje 25. Sabit Abdyli me familje  26.Alush Agushi me familje dhe vëllaun Enverin 27.Ahmet Agushi me familje 28.Abaz Jakupi me familje etj. Të gjithë kabashasit më, 29 prill 1999 e lëshuan Terpezën, me përjashtim të familjes shumë anëtarshe të Brahim Halitit.
Në Pozharan ishin të vendosur: 1.Rafiz Azizi me familje 2.Ferat Abdyli me familje 3.Vesel Veseli me familje 4.Rrahman Misini me të shoqën 5. Rifat Selmani me të shoqën 6.Ramadan Murati me të shoqën 7. Hajdin Haziri me familje 8. Zenun Kamberi me të shoqën 9. Shaban Zeqiri me të shoqën 10. Sali Zeqiri me të bijën (këta dy të fundit sëpari u vendosën në Remnik, gjegjësisht në Budrikë, pastaj në Zhiti (Grunor), Pozharan (Rrafshmir) dhe prap në Zhiti (Grunor)). Kabashas pati edhe në katundet tjera, në Sllatinë (Gjelbinë), Sadovinë, Gjylekar (Skifter), Remnik, Drobesh (Mirak), Stubëll, Beguncë (Gunbardh) etj.
  )*8  Lajmin për vrasjen e Dautit e konfirmuan serbët. Askush prej shqiptarëve, as familja e tij, ende s’kanë mund ta mësojnë të vërtetën për Dautin. \Më 22 prill 2000, në Auckland, përmes Kosova Press-it bëhem me dije se është gjetë kufoma e Daut Zenunit me një gropë 2 km. mbi katund\.
   )*9 Fjala është për kishën shqiptare, që në vitin 1990, kur u bë helmimi i nxënësve shqiptarë (8 mijë). Ambulanta e kishës u doli në ndihmë të helmuarëve nga të gjitha viset e Kosovës. Policia dhe serbët lokalë bënë presione nga më të ndryshmet kundër kishës, motrave të nderit për ta penguar punën e tyre fisnike. Ua konfiskojnë barërat, i fyejnë duke shkruar grafite me atë banalitetin që vetëm ata djinë, në dyert e kishës, i kërcënojnë pacientët dhe përcjellësit e tyre duke ua shpuar gomat e veturave etj. Më 20 janar 1996, pa asnjë shkak plagoset rëndë me armë zjarri  Luigj Ahmeti nga fqinji i tij serb Zoran Markoviq-Zuji /polic rezervist/. 
  )*10 Në Shkup, në pjesën e dytë të muajit maj, marrë informatë /nga Sefa i Gërmovës/ se i kanë zhvendos gërmovasit. Një kolonist malazez me armë ngrehur, ish banor i Gërmovës, fqiut të dikurshëm shqiptar ia jep shkrepsën dhe e urdhëron t’ ia fus flakën shtëpisë së vet dhe të farefisit të tij.
  )*11 Kompetentet për informim të komunës së Vitisë gjatë gjithë kohës sa zgjati lufta heshtën.
  )*12 Serbët si duket kanë patur informata se do të  bombardohet nga  avionët e  Aleancës, rajoni rreth Ferizajt, prandaj me dhunë i shtynë të përndjekurit në drejtim të Ferizajt.   
)*13   Më vonë u muar vesh se avionët e Aleancës kanë qëlluar për vdekje tanksat serbe në rrugën Gërlicë (Gurezë) – Viti në afërsi të Komogllavës (Gurbardhit).
)*14 Bozhidar Trajkoviq nga Tërpeza, kryeshef i SPB-së për tri komunat e Anamoravës /Viti, Gjilan, Dardanë,  (Kamenicë)/. Gjatë luftës mbante emër konspirativ “Jastreb”, kurse Goran Vasiq, komandat i stacionit të policisë në Viti, ishte nip i Bozhidarit. 
  )*15  Kafshët e vrara i groposnin në oborre të shtëpive ose i fusnin në dhoma, kuzhina banjo të shtëpiave. Kështu vepruan me demin (mëzatin) e Ahmet Agushit, lopën e Rifat Selmanit, i gruposin në oborr, kurse qenin e Agron Misinit dhe Izer Misinit  ashtu të vrarë i fusin në dhomën e ndejës, përkatësisht në kuzhinë dhe i mbulojnë me batanie.
  )*16  Pati policë edhe nga komuna e Vitisë, njëri prej tyre quhej Vesko.
 )*17  Më, 26 mars ’99 serbët i ndërprenë lidhjet telefonike për familjet shqiptare. Në postën e Vitisë nuk lejoheshin shqiptarët të flasin, telefonojnë në gjuhën shqipe.
)*18 Përveç të tjerëve erdhën edhe Feriz Vërbani, Musa Murati, Isuf Nebiu, prej tyre marrim vesh për kabashas të vendosur /para 30 prillit 1999/ në Maqedoni: Ramadan e Xhevat Muratin, Hysen Zeqirin, Ismajl e Gazmend Qerimin, Fitim e Burbuqe Selmanin, Rafiz Misinin, Muhamet, Hetem e Mustafë Hasanin, Izeir e Jashar Jasharin, Ekrem Sallahun, Naim Qerimin, Zijadin Qerimin, Nebi e Xhelal  Nebiun, Flamur e Adrian Zeqirin, Skënder Zeqirin, Adifete e Adem Zeqirin, Kujtim Zeqirin, Lulzim e Nexhat Misinin, Artan Misinin, Emrush e Hajrush Sadikun, Isak Sadikun, Xhemajl e Xhelal Sallahun,  Ramadan e Sadri Deliun, Januz Deliun, Adem Halilin, Bozhë Gashin, Albert Zejnullahun, Alush Sinanin, Afrim Zenunin, Mentor Rexhepin, Alush Halitin, Naim e Musa Kamberin, Reshat e Faton Kamberin, Isa e Arsim Azemin, Farush Azemin, Uran Azemin, Haki Tërziqin  e të tjerë/
  )*19 Në kohën kur e shkrova ditarin nuk i kisha emrat e ushtarëve tjerë.



KAPITULLI III


                             DËSHMI TJERA
1. Fshati Skifteraj
Më 14  prill, (e mërkurë) paralajmërohet fshati në orën 18.00 nga një oficer serb se njerëzit duhet të largohen, pra të shpërngulen deri në orën 21.00 në drejtim të Shqipërisë (Kukës). Oficeri ishte i shoqëruar prej një ushtari, me një veturë të tipit Golf, me  targa UR. 422-57. Fshatarët e korruptojnë oficerin, kështu që e shtyjnë afatin e ultimatumit për një ditë. Më 15 prill, fshatin e sulmojnë shumë forcat serbe diku rreth orës 15:30 minuta, mbas dite.  Në krye të këtyre forcave ishin paramilitarët serbë: Truba nga Kllokoti, Sreçko me nofkën Duligjija, nga Zhegra, Gana nga Tërpeza etj. Fshati, ishte i ngarkuar me banorë të katundeve tjera , si: Mogillë, Budrikë, Kabash, Radivojc (Lakërishtë) etj.). Sulmet i nisën  me granatime prej së largu, por pastaj me tanke u futën brenda, në fshat. Rafalët e automatikëve, të shoqëruara nga krismat e mortajave dhe armëve tjera të rënda, nuk pushuan dy orë me radhë. Fshati u zhvendos, i tëri. Popullsia e paarmatosur,  kush në këmbë e kush me vetura e traktorë, nën breshërinë e plumbave nisën drejt malit, në drejtim të Stubllavaqës, Selishtës, Godenit. Në këtë sulm u vranë 4 veta, 14 u plagosën  me armë zjarri, kurse dy të tjerë u rrahën pamëshirshëm. Fshatarët, të vrarët dhe të plagosurit i morën me vete. Të vrarët i varrosin te vendi i quajtur “Te therralit”, kurse të plagosurit u ndihmuan në përballimin e plagëve. Gjatë qëndrimit në mal marrin lajmin e hidhur edhe për dy bashkëvendës të masakruar e pastaj të djegur, në odën e Danush Sadikut. Të shpërngulurit u përballën me shumë vështërsi gjatë “piknikut” të dhunshëm: nga moti i ftohtë me shi e borë, me mungesën e ushqimeve, sidomos kishin shumë telashe me fëmijët dhe të plagosurit. Më 24 prill, të përndjekurit kthehen në shtëpitë e tyre, të djegura, të demoluara, të plaçkitura nga ushtarakët, paraushtarakët dhe civilët serbët të Kllokotit, Zhitisë (Grunorit), Binçës, Vërbovcit, Mugillës,Terpezëz, Pozharanit (Rrafshmirit), Vitisë etj. Me mund të madh arrijnë t’i përballojnë të gjitha mizoritë e luftës duke qëndruar në fshat gjatë gjithë kohës së bombardimeve.
Skifteri (Gjylekari) i dha Kosovës  luftëtarin e devotshëm, dëshmorin: Januz  Qazim Zejnullahun, me profesion hoxhë, dhe i lindur më 12.5.1975.
Hoxh Januzi, më 6 maj 1999, në malet e Pashtrikut me  bombë në dorë, si një re stërmadhe ngarkuar me breshër, çau drejt istikameve të armikut. Ai, ishte futur brenda tyre me gjakftohtësi duke bërë copë e grimë: një, dy, tre... pesë... e më shumë çetnikë.  Januzi, fluturoi drejt qiellit. U shndërrua në yll...
Qemajl Murati,  profesor i gjuhës angleze, në Medresën e Prishtinës, e kujton Januzin  nxënës: “Kishte besim te unë. Në vitin l992, në korridor të Medresës, më ndali dhe krejt  hapur më tha: “Profesor, çka po pret Kosova…  po na vrasin, po na helmojnë… Duan të na zhdukin nga faqja e dheut.”  Në ketë luftë, edhe tre bashkëvendës të Mulla Januzit ia falën jetën Kosovës: Kenan Idriz Halimi (12.5.1978.) Bafti Nexhip Haxhiu  dhe Shabi Hajriz Shabiu. Dy të fundit ishin me vendbanim: Baftiu në Kabash, kurse Shabiu në Shkup. 

Të vrarët: 1.Shahide Ramadani 59 vjece, 2.Shukrije Sadiku 9 vjece, 3.Malsore Sadiku 5 vjece, 4.Hatixhe Mustafa 58 vjece, (mysafire nga Budrika). 5.Selami Ismajli 23 vjec, (i masakruar pastaj i djegur) 6.Mehmet Ismajli, 19 vjec (i masakruar pastaj i djegur).
Të plagosur: 1. Faton Ramadani (5 v) 2.Ramize Ramadani (23 v.) 3.Ganimete Ramadani (21 v.) 4.Sanihaje Ramadani (30 v.) 5.Hetem Ademi (59 v.) Budrika, 6.Feriz Abazi (57 v.) nga Budrika 7.Hyri Sadiku (40 v.) nga Budrika  8.Makfire Hasani nga Selishta, 9.Mejreme Ademi (51 v.) nga Budrika dhe  10.Muhamet Ademi (33 v.) nga Mogilla.
Të plagosurit e tjerë: Rexhep Rexhepi, Xhevat Ismajli, Vezrije Hajdini, Memlidije Sadiku, Drenushe Sadiku, Musa Ismajli, Huma Ukshini,  Feriz Abazi, Hyri Sadiku,  Mejreme Ademi, Muhamet Ademi .PS:
Shënimet për këta persona i kam siguruar nga ditari që e ka mbajtur gjatë luftës, ing. Kadri Ramadani.







2. Fshati Lubishtë  

Me datën 5 prill, rreth orës 13.00, të mesditës, mbi 400 paramilitarë e ushtarakë serbë, të verbuar nga urrejtja,  ndërmorën  një aksion ndëshkues kundër fshatit Lugishtë (ish Lubishtë). Sulmi ishte i përgatitur paraprakisht deri në detaje. Po atë ditë, u sulmua edhe fshati  Smirë. Së pari u granatua prej së largu, fshati. U godit shtëpia e Fetah  Etemit. Forcat serbe që më parë ishin stacionuar  rreth fshatit, u futën me tanksa dhe pas tyre këmbësoria, duke goditur me  armë zjarri për vdekje shumë civilë. Në këtë ekspeditë  të egër  morën pjesë edhe serbët lokalë. Banorët okularë (dëshmitarët), panë këta persona: Zoran Angjellkoviq me profesion veterinar, nga  Gushica (Gashaj), Dragan  Nikoliq, dentist, nga  Gërnqari, Zhika (polic) nga Binça, Bora (polic i pensionuar) nga Vitia, Zvonko (polic) nga Mogilla, Nenad (polic) nga Gërnqari. Popullsia e paarmatosur, me forcë zhvendoset nga fshati, duke lënët ë gjitha. Me plaçka të pakta, që arritën t’i marrin nisën  drejt malit të afërt, për ta kaluar kufirin për në Maqedoni. Sadistët serbë i nxorën nga shtëpia  Muhamet Brahim Muharremin 32 vjeç, Xhavit Zenë Ademin 19 vjeç dhe Mustafë Beqir Shemën 33 vjeç. Në orën 13.30 minuta, i pushkatojnë te xhamia e fshatit. Ramadan Hajdarin 70 vjeç dhe Ahmet Jahi  Ramën 20 vjeç i  kidnapojnë diku afër kufirit me Maqedoninë, dhe i ekzekutojnë. Trupat pa jetë të të vrarëve  u gjetën pas përfundimit të luftës, në një varrezë masive në Ferizaj. Beqir Ahmet Nura 80 vjeç paramilitarët serbë e dogjën brenda në shtëpi. I ndjeri ishte i sëmurë, thjeshtë  palëvizshëm. Hajriz Brahim Brahimi (mentalisht i sëmurë), u masakrua afër kufirit me Maqedoninë më 16 prill. Në fshat u dogjën 28 shtëpi, të tjerat, u plaçkitën dhe u demoluan. Lubishta (Lugishta)  në këtë luftë pati 9 banorë të vrarë, duke llogaritur  ushtarin Sali Halim Zenunin i rënë dëshmor në malet e Pashtrikut, si dhe  Kemajl Hamdi Azizin i vrarë në Vërban (Urban).
PS:
Emrat e të vrarëve janë dhënë nga   Metush  Metushi
3. Fshati Smirë
Më 5 prill, rreth orës 9.00, me forca të mëdha ushtarake e paraushtarake u sulmua fshati Smirë. Që në orët e para të mëngjesit  fshati ishte rrethuar  nga makineria e rëndë luftarake serbe. Fshati ishte stërngarkuar edhe me popullsi të fshatrave tjera.  Sipas skenarit, tani më të njohur serbë, u bë granatimi  i fshatit. Njësitë speciale serbe  pastaj u futën në fshat,  duke shti me armë të rënda zjarri për të krijuar panik te popullsia. Popullsia e fshatit, e frikësuar nga banditët e maskuar, të armatosur edhe me armë të ftohta, sëpata e thika (shumica prej tyre ishin  serbë lokal), morën  arratinë. Në dalje të fshatit, në anën jugore, forca tjera ushtarake serbe u dalin të përndjekurve në pritë. Popullsia civile, tani më ishte në mes tytave të ushtarakëve (nga ana jugore)  dhe thikave të paramilitarëve serbë (nga ana veriore). U krijua një tollovi e paparë. Nga të gjitha anët dëgjoheshin krisma automatikësh. Pati tentime për rezistencë, por një gjë e tillë në rrethanat e krijuara, nuk ishte e mundur. Serbët e shfrytëzuan braktisjen e shtëpive dhe në mënyrë të rrufeshme hynë në to, plaçkitën gjitha çka me vlerë. Të njëjtën ditë, popullsinë e zhvendosur e kthejnë me dhunë në fshat. Gjatë ditës u vranë : Ylvi Kemajl Demiri 25 vjeç, Mirali Ymri Sejdiu 26 vjeç, Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç dhe Skënder Saqip Salihu, kurse Ramadan Kadri Berati 40 vjeç u rrah  për vdekje nga paramilitarët, me 15 prill kur u zhvendosën smirasit për herë të dytë. Edhe me datën 15 prill, por edhe më parë në radhët e forcave serbe smirasit kanë njohur serbët lokalë (fqinjët e tyre): Zhivko Jokiqin (nga Goshica), Nenadin (polic nga Kllokoti), Bozhidar Stojanoviq (nga Vitia), Predrag Vukashinoviq (nga Kabashi),  Agim Ajet (romë-cigan nga Vitia) etj.  Zylfi Sadri Agushi,  është vrarë më 12 prill. Kufoma e tij është gjetur pas një viti, 2 kilometra larg Kabashit
Smirasit, përkundër dhunës së ushtruar dhe stacionimit të ushtrisë në fshat, pjesa më e madhe e tyre, qëndruan në shtëpitë e tyre. Ushtria serbe u soll brutalisht me ta. Forcat serbe hynin nëpër shtëpia dhe i maltretonin, me një sadizëm të paparë, duke ju hedhur edhe ujë të valë grave dhe fëmijëve. Për plaçkitje, të mos flasim.. Pas nënshkrimit  të kapitullimit (9 qershor ’99) serbët, duke u tërhequr nga fshati, keqtrajtuan, rrahën, demoluan, plaçkitën, shtinë me armë  duke shpreh mllefin edhe për një luftë të humbur. Smirasit dolën nga lufta  me gjashtë bashkëvendës të vrarë, me shumë  të rrahur, dhe të dëmtuar materialisht me miliona DM.
PS..
*Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Nexhmedin  Etemi.





4. Fshati Sadovin e Jerlive

Sadovina gjatë luftës ishte me numër të dyfishuar të banorëve. Këtu gjetën strehim shumë banorë të zhvendosura nga shtëpitë e tyre me dhunë. Banorët e këtij fshati  i mbajtën dyert hapur vazhdimisht për të përndjekurit duke u ofruar strehim . U treguan shumë bujarë, ashtu siç u treguan edhe fshatrat tjera, si: Pozharani (Rrafshmiri), Sllatina (Gjelbina), Tërpeza, Remniku, Begunca (Gunbardhi), Stublla e Epërme, Gjylekari (Skifteri), Lubishta (Lugishta), Smira, Zhitija (Grunori), Godeni etj. Gjatë gjithë luftës shumica e banorëve të Sadovinës qëndruan në fshat, edhe përkundër kërcënimeve të vazhdueshme nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Sadovina e Jerlive i dha Kosovës dy dëshmorë: Gursel e Bajram Sylejmanin
 (vëllezër), atdhetarë të shkëlqyeshëm. Gurseli me profesion piktor, kurse Bajrami inxhinier. Të dy, ishin të  përndjekur e të burgosur, disa herë. Kur u deshtë të luftohet me armë, këta trima dolën në mal pa zhurmë e bujë. Malet e Jezercit (Bjeshkasit), Nerodimës i shndërruan në krismë. Luftuan si luaj. U bënë frymëzues të qëndresës. Në të gjitha betejat ishin të parët. Gjithmonë krenarë, fjalëpakë, të dëlirë dhe dinjitoznë kohë paqe dhe në kohë lufte. Këta burra i  lartësuan edhe më shumë vlerat e çmueshme të kombit shqiptar. Me shikjet folën  me neveri  edhe kur ishin në burgjet e tyre, duarlidhur, edhe kur dolën në mal, me armë në dorë. Gjithnjë duke qëlluar për vdekje armiqtë. Përherë, kudo e kurdo, vëllezërit Sylejmani ishin shqiptarë të mirë. Në varrimin e tyre në Ferizaj, morën pjesë me dhjetëra mijëra njerëz.
Diku para vitit 1990, rrëfen Abdyl Abdyli, profesor i artit figurativ në gjimnazin e Vitisë, e takova Gurselin afër shitores “Mediteran”. Duke biseduar vazhduam rrugën drejt qendrës, kur para shtëpisë së mallrave përballë hotelit “Drenica”, Gurseli, e ndërpreu bisedën, shtrembëroi  pakës kokën në anën e majtë, nëpër dhëmb shfryu: “Shihe shpirtshiturin!” Ktheva kryet, pas shpine, vërejta spiunin e UDB-es, i cili, padyshim që u tremb nga shikimi zhbirues i Gurselit. Me keqardhje e vështrova gjatë idiotin, dhe, me një buzëqeshje përçmuese i thashë: “... a i regjistrove të gjitha?” Gurselin e kapa për krahu dhe e ftova për të pirë kafe. “Jo, ndërhyri duke qeshur zëshëm, kam punë  tjera, dhe dua ta lodh sot këtë këlysh të UDB-es.” 

5. Fshati Trestenik  

Më 6 prill ’99, në orën 9.30 minuta, më tepër se  400 ushtarë, e paraushtarakë të etur për krime e sulmojnë fshatin. Në Mollkuq (ish Tresteniku),  banditët erdhën me 30 autoblinda. Sulmi ishte  i ngjashëm me ato sulmet që u bënë një ditë më parë në fshatin Smirë e Lubishtë (Lugishtë). Parmilitarët serbë në bashkëpunim me ushtrinë atë ditë vranë me armë zjarri: Ruzhdi Nezir Nuredinin 63 vjeç, Nazife Hamit Hajdinin  49 vjeç dhe Selim Sabri Baftiun 48 vjeç. U dogjën, shumë shtëpi, kurse ato që ju shpëtuan granatave serbe dhe zjarrit, u demoluan  dhe u plaçkitën.
PS.
Emrat e të vrarëve i dha juristi Sherif Sherifi

6. Fshati Vërban
Fshati Vërban (ish Vërbani), nuk i shpëtojë dhunës dhe vrasjeve, që i bënte soldateska serbe kundër popullsisë civile në Kosovë. Më 9 maj, çetnikët  e paraprirë nga serbët lokal Millorad Jokiq etj)*1,  vrasin Rexhep Halim Emërllahun 25 vjeç. Në tërheqje e sipër, gjatë ofensivës serbe, vdes  një mysafirë nga Radivojci (Lakërishta). I ndjeri varroset te vendi i quajtur “ Varrezat e vjetra.” Si edhe në katundet tjera, shtëpitë demolohen, plaçkitën dhe dy i djegin krejtësisht. Më 16.5.1999, vritet Rrahim Ramadani 70 vjeç. Me 6. qershor, tri ditë para se ta nënshkruajë kapitullimin ushtria e luftërave të humbura, ndërmori një sulm te vendi i quajtur “Lugu i Gjollës”. Në këtë përleshje me çetnikët serbë, ra dëshmor i lirisë ushtari Kemajl Hamdi Azizi nga Lubishta (Lugishta). Pas përleshjes, në vendin e ngjarjes, u panë gjurmët e gjakut të çetnikëve të plagosur ose të vrarë.
PS.
Se si serbët lokal bashkëpunonin, ndihmonin dhe u prinin aksioneve të forcave të ndryshme serbe kundër fqinjëve të tyre shqiptarë, tregon ky rast: Millorad Jokiq u zu i armatosur me snajperkë nga forcat e NATO-s në banesën e Bane Jokiqit në Viti. I njëjti u shpall fajtor para trupit gjykues në Gjilan për vrasjen e R.Emërllahut, për dhunimin e M.T., dëbimin me dhunë të shqiptarëve, maltretimin e njerëzve të pafajshëm dhe u dënua me 20 vjet burg. Sipas dëshmive të gjygjit, krimineli Jokiq në veprimet e tij ka qenë i ndihmuar edhe nga: Bozhidar Stojanoviq, Sllavolub Deliq, Agim Ajet etj.
Shënimet për të vrarët i dha Bajram Jahiri.

7. Qyteza e Vitisë
Qyteza, gjatë luftës ishte e stërngarkuar me ushtarë e policë. Serbët lokal u mobilizuan për luftë vendimtare kundër NATO-s (lexo shqiptarëve). U ngrehen barrikada, u hapën istikame në anën juglindore, u nxorën në teren tanke, kamionë me ushtarë, artileri kundërajërore, topa kalibrash të ndryshëm, autoblinda, kurse instaluan njësi raketore në anën jugore: në kufirin me Maqedoninë. Zonën mes Kabashit e Smirës, e minojnë fillimisht. Me dy tanke vazhdimisht patrullojnë në rrugën Viti-Binçë, Binçë-Kabash-Viti, duke i mbajt tytat në drejtim të shtëpive shqiptare. Pas 26 marsit, njësitë tankiste  nuk i lëviznin gjithaq hapur, për shkak të kërcënimeve nga qielli. Në oborret e shtëpive shqiptare , në rrugën që shpie kah pazari i kafshëve, stacionohet një tog i ushtrisë serbe me armatim të rëndë, topa, tanke, artileri  kundërajrore dhe mjete tjera të blinduara. Qyteza ishte vazhdimisht, nën mbikëqyrjen e ushtrisë. Shqiptarët, për t’iu shmangur rrezikut, me të filluar bombardimet, largohen nga qyteza. Me  25 mars, shitoret e shqiptarëve thyhen dhe plaçkiten. Pati raste kur serbët lokal u dolën “zot” shitoreve të shqiptarëve,  duke i përvetësuar ato. (Disa me lejen e vet shqiptarëve, por kjo punë shqiptarëve kulak,  u doli sikur ujkut t’i thuash : ruami delet). Dyqanet e zejtarëve, furrat, lokalet tjera për afarizëm, kafeteritë ua marrin edhe me forcë shqiptarëve. Në furrat, shitoret e tyre, shqiptarët e kishin të ndaluar të blenin. Te furra e Çoçajve, kundrejt gjygjit komunal, ishte e shkruar me shkronja cirilike: “Shqiptarëve nuk u shesim bukë”Gjatë maltretimeve në rrugë apo gjetiu, serbët i fyenin shqiptarët: “Shkoni te Klintoni… he nënën…ty e Klintonit…Ku e ke NATO-n, Allbright, Toni Blerin etj.” Në muret e dyqaneve, shtëpive, shkollave, në kontanjerë për hedhurina u shkruan grafite fyese për shqiptarët, për amerikanët, Klintonin, Toni Blerin, Madeleine Albrightin, Clarkun, Solanën, NATO-n etj. Banaliteti i grafiteve të shkruara nga serbët, ishte i ndyrë dhe fyes, arrogant e primitive. Vitinasit (serbët) të frikësuar nga bombardimet, natën e kalonin në podrumin e Shtëpisë së kulturës, kurse bashkëluftëtarët e tyre, ciganët, të cilët u solidarizuan me serbët duke marrë pjesë drejtpërdrejtë  në krimet kundër shqiptarëve, strehoheshin në podrumin e shtëpisë së një shqiptari, te tregu i gjelbër. Magjuptë harruan se serbët ende i kanë në Kalemegdan tramvajet e paraluftës ku shkruan: “Ndalohet hyrja për hebrej e ciganë”, harruan se nëpër qytetet e Serbisë edhe sot magjuptë janë të diskriminuar. Policia u vendos në podrumin e ndërtesës afër gjygjit komunal, Te pasqyra. Eprorët ushtarak dhe strukturat tjera udhëheqëse strukeshin në lokalet e Shtëpisë së shëndetit, në shtëpitë e shqiptarëve, në zyret e objekteve ekonomike etj, kurse paramilitarët bazat e tyre i kishin në Kllokot, Binçë, Mogillë, Vërbovcë. Qendra e qytetit ishte e ndaluar për shqiptarët. Ata, pak shqiptarët e mbetur, detyroheshin të ecnin rrugicave periferike të qytezës. Në të gjitha rrugët kishte barrikada me thasë të mbushur me rërë. Pranë barrikadave bënin roje paramilitarë e civilë të armatosur. Ushtarakët  lëviznin me automjete civile për të mos u vërejt nga avionët e NATO-s.   Serbët lokalë shtëpitë e tyre i kthyen në depo për grumbullimin e  mallrave të vjedhura në pronat e shqiptarëve.
Në Viti u bënë  planet për likuidimin, zhvendosjen, masakrimin, maltretimin e shqiptarëve të Moravës së Epërme. Strukturat udhëheqëse të komunës (Vesko Piriq, kryetar i komunës, Nikolla Daniq, komandant i MPP të Vitisë, Bozhidar Dajiq, ish kryetar komune në Viti, Bane Jokiq, sekretar komune nga Gërmovë me banim në Viti, Zoran Angjellkoviq, veterinar nga Gushica, Novica Stoilkoviq, gjyqtar, Nenad Mitroviq, polic nga Kabashi,  Zoran Vukashinoviq nga Kabashi, Nebojsha Petkoviq, epror ushtarak nga Kabashi, Goran Vasiq, komandant i stacionit të policisë në Viti nga Terpeza, Stanisha Gjokiq nga Novo Sella, Sllobodan-Banqe Zllatkoviq Novo Sella, vullnetarë e aktivistë të tjerë nga Mogilla, Pozharani, Binça, Gërmova, Gërnqari, Vërbovci, Tërpeza, Radivojci (Lakrishtja), Kabashi... të cilët kishin treguar veten se janë të gatshëm për të vrarë shqiptarë.  Me 15 korrik 1999, në tregun e qytezës në kohën kur frekuenca e popullsisë ishte e lartë, kriminelët serbë hodhën një bombë dhe me këtë rast plagosën mbi 30 veta, në mesin e tyre edhe katër kabashas: Urim Nebiun, Ilir Misinin, Xunë e Afrim Zejnullahun
PS.
Në Gjylekar (Skifter) u vranë: 1.Shahide Ramadani 59 vjeç, 2.Shukrije Sadiku 9 vjeç 3. Malsore Sadiku 5 vjeç, 4.Hatixhe Mustafa 58 vjec, mysafire nga Budrika, 5.Selami Ismajli 23 vjec, 6.Mehmet Ismajli 19 vjeç.
Në  Kabash: 7. Shefqet Mustafa  nga Pozharani (Rrafshmiri), me banim në Viti, 8. Daut Zenuni 55 vjeç, i zhdukur.
Në Lubishtë (Lugishtë): 9. Muhamet Brahim Muharremi 32 vjeç, 10. Xhavit Zenë Ademi 19 vjeç, 11. Mustafë Beqir Shema 33 vjeç, 12. Ramadan Hajdari 70 vjeç, 13. Ahmet Jahi Rama 20 vjeç, 14. Beçir Ahmet Nura 80 vjeç, 15. Hajriz Brahim Brahimi ( ? ).
Në Smirë: 16. Ylvi Kemajl Demiri 25 vjec, 17. Mirali Imri Sejdiu 30 vjeç, 19. Skënder Salihu, 20. Ramadan Kadri Berati 40 vjeç, 21. Hebib Bejtë Sejdiu 35 vjeç, 22. Zylfi Sadri Agushi i zhdukur.
Në Shushkë: 23. Isuf Hyseni 60 vjeç, 24. Jakup Hyseni 56 vjeç.
Në Trestenik (Mollkuq): 25.Ruzhdi Nezir Nuredini 63 vjeç, 26. Nazife Hamit Hajdini 49 vjeç, 27. Sabri Bafti Selimi 48 vjeç.
Në Radivojc: 28. Nazmi Pajaziti 55 vjeç.
Në Katundin e Ri: 29. Rrustem ( ? ),
Në Vërban (Urban): 30. Rexhep Halim Emërllahu 25 vjeç, 31.Rrahim Ramadani 70 vjeç, 32. Një mysafir nga Radivojci (Lakërishtja), 33. Kemajl Hamdi Azizi nga Lubishta (Lugishta).
  )*2 Të plagosur pati në Gjylekar (Skifter) 17 veta, kurse në Trepezë 3 veta.
  )*3 Në katundet e komunës së Vitisë u dogjën mbi 300 shtëpi e plevica dhe dy xhami: në Ballancë dhe në Budrikë.
)*4  Lista e të vrarëve, të plagosurve, të zhdukurve nuk është  përfundimtare.




 

 

 

 

 

Kapitulli IV
----------------------------------------------------------


              VDEKJA E TERRIT  DHE ARDHJA E  NATO-s

Në orët e pasdites të datës 11 qershor 1999, forcat tokësore të Aleancës zhurmonin rrugës që vjen prej aeroportit të Shkupit, kah  Bit Pazari duke shkuar drejt Kosovës. Që nga hoteli “Kontinental”,  me dhjetëra  mijëra shqiptarë me një entuziazëm të papërshkruar kishin dalë për t’i përshëndetur  ushtarët e KFOR–it, duke thirrur: “NATO-NATO! AMERIKA-KOSOVA! Përgjatë rrugës, deri në Bllacë, në të dy anët e saj,  hareja dhe gëzimi vazhduan katër ditë me radhë. Me, 12 qershor 1999 forcat angleze të KFOR-it, herët në mëngjes, në Han të Elezit, kaluan pikën e kufirit Kosovë – Maqedoni.
Me hyrjen e forcave ndërkombëtare në Kosovë u panë  barbaritë e barbarëve (përkundër angazhimit të njësiteve speciale serbe për t’i fsheh gjurmët e etnocidit). Këto barbari të kryera me metoda të vrazhda - mesjetare,  njeriu me mendje të shëndosh nuk mund t’i merr me mend. U zbuluan varreza masive. U gjetën kufoma civilësh të karbonizuara, të vrarë me gjymtyrë të ndara me armë të ftohta, në mesin e tyre edhe fëmijë)*1. U zbuluan puse me trupa grash, fëmijësh të masakruar, varreza pa kufoma, grafite të shkruara me gjak njerëzish, shkolla, çerdhe fëmijësh, ambulanca, shtëpi e fusha sportive të minuara. Sa e sa plane për shkatërrimin  e qenies shqiptare. U panë monumentet kulturore shqiptare të djegura: çarshia e vjetër e Gjakovës, e Pejës, Mulliri i Haxhi Zekës, kullat shqiptare etj. Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit (28 mars’99), së pari u granatua e pastaj u hoq me bolduzher. Bustet e personaliteteve të kulturës shqiptare, të thyera, të zhdukura etj. Shkolla të djegura. Faltore të rrëzuara. U panë barbaritë e “varrtarëve të kulturës antike në Ballkanë”, siç ka thënë akademik Grga Novak për sllavët (lexo serbët). Grafite të shkruara serbisht e anglisht. Përmbajtjen e të cilave grafite ndoshta nuk e duron as letra.
U panë burgjet e mjetet me të cilat i kanë torturuar të burgosurit, vendet e shfrytëzuara si kampe përqendrimi. U panë 1200 vendbanime të shkatërruara plotësisht, ose pjesërisht nga barbaria mesjetare serbe. U gjetën birucat ku janë fshehur ushtarakët e paraushtarakët, planet për vazhdimin e etnocidit, listat me emrat e personaliteteve që duhet likuiduar, depot me gjësende të vjedhura. Dëshmi të gjalla, kudo u gjetën nga ushtarët e UÇK-ës që habitën botën për guximin, për qëndresën, për profesionalizmin, për respektimin e gjithë asaj që është e ndaluar në luftë.
PS.Gjatë gjithë luftës, nuk ka asnjë fakt që dëshmon se UÇK ka masakruar qoftë edhe një fëmijë serbë, ndonjë grua a plakë, se janë bërë tortura apo, janë djegur shtëpi, apo pasuri serbe. UÇK, ka respektuar denjësisht të gjitha konventat ndërkombëtare të luftës.  

 

 Kthimi i madh

Vendlindja për shqiptarët është e shenjtë, prandaj  vala e të kthyerve nga të gjitha anët, nga të gjithë kufijtë, ishte aq e vrullshme, aq e furishme dhe aq e madhe sa e habiti botën.  Shqiptarët u kthyen në tokën ku i kanë rrënjët, pa përfillur thirrjet e Organizatave botërore se shkuarja në Kosovë ende konsiderohet e rrezikshme. Ata, për të hyrë në Kosovë, nuk i pengoi asgjë, as mungesa e automjeteve, as fushat e minuara*, as shtëpitë e rrënuara e të djegura, as mungesa edhe më tej e kushteve elementare jetësore, as...  Ata, mbi të gjitha, kishin mall për vatrat, tokën, për ta afërmit... Këtë mospërfillje shumë veta e paguan me jetë ose me humbjen e gjymtyrëve, duke rënë në mina të vendosura nga shteti kriminel e barbar serbë. Shqiptarët, posa arritën, u ballafaquan me vështërsi të shumta, duhej rifilluar jetën që nga e para e pastaj duhej përballuar edhe dhembjet e thella për të vrarët, për të zhdukurit, për të burgosurit; duhej shëruar gjithë ato plagë, duhej ndërtuar shtëpitë… por, mbi të gjitha, duhej vigjilencë, sepse kriminelët, përveç minave lanë pas vetës pasuri të patundshme, banesa, lokale afariste, krejt këto të uzurpuara, lanë pas vetës letra të nënshkruara në formë kontratash, në duar të  “kumbarëve”shqiptarë, lanë sherre. Kriminelët nuk ikën, ata vetëm hoqën uniformat, vetëm ndërruan vendbanimet, duke u përqendruar nëpër “enklava”, ndërsa prej atyre pikave veprojnë, sipas urdhrave të policisë së fshehtë të Beogradit, por tash duke u shtirë si “viktima” të luftës. Shtirën të tillë edhe sa herë  duan mund të shëtisin nëpër Kosovë, nën përcjelljen e forcave të NATO-s. Kriminelët, edhe kur nuk janë në Kosovë – janë në Kosovë. Janë në Kosovë edhe  me vetë fajin e shqiptarëve, që, këta të fundit, duke u turrur pas interesave vetanake, pas cikrrimeve, grykësisë për të fituar, marrjes me vetveten, shtyrjeve me bërryla, dhënia pushtet njerëzve që nuk e meritojnë, rrahagjoksëve, llafollogëve, injorantëve, matrapazëve, servilëve, fryrjes fallso se janë dikushi, rivaliteteve në blerjen e tokave nga kolonistët serbë e malazez, inateve partiake, ndarjeve, ngutjes për të zënë poste, veprimet individuale egoiste, paqartësitë me orekse e plane të padobishme, krejt këto që vazhdojnë të ngadalësojnë atë që është kryesore:  zënien e kriminelëve,  zbulimin e tyre,  mbledhjen e dëshmive për krimet, torturat, dhunimet, zhvendosjet, masakrimet, tragjedinë e  pengjeve  shqiptarë në kampet /burgjet/ serbe, evidentimin e të zhdukurve, e dëmeve, plaçkitjeve, shkatërrimeve,  sistemimin e të pa strehëve, ngritjen institucioneve dhe krijimin e shtetit ligjor. Kështu ne po përsërisim vazhdimisht   gabimet: ose ngutemi ose vonohemi. Assesi ta gjejmë atë që është më efikase, më praktike,  më e dobishme.  Neve nuk na duhen  vetëmburrjet, marrja me vetveten, lavdet, aq më pak grindjet; nuk na duhen shtëpitë luksoze, pasuritë, as ari i krejt botës përpara se ta krijojmë shtetin sipas vullnetit tonë, përpara se të bëhemi të zot për vetëmbrojtje, përpara se ta ndërtojmë Kosovën sipas standardeve të shteteve të përparuara.

* Më tepër se një e katërta e territorit të Kosovës ishte e minuar.


Fundi i zezonës

Bota demokratike: SHBA dhe BE, kur panë gjithë atë det gjaku e sakrificash, kur panë barbaritë, krimet, etnocidin, masakrimet e racizmin… kur panë se problemi i gjitha problemeve është politika antishqiptare serbe, e cila ka lidhur pas vetes edhe popullin serb, kur panë se politika gjakatare e Beogradit s’ ka të ndalur me kriminalitetin e gjerë të saj,  vendosën ta luftojnë këtë burim të të gjitha të ligave në Ballkan, me të gjitha mjetet, përfshirë këtu edhe forcën. Pas 78 ditë bombardimesh të forcave të NATO-s nga ajri dhe luftës heroike të luftëtarëve të UÇK-ës,  në Kumanovë, më 9 qershor 1999, soldateska gjakatare e Millosheviqit e nënshkroi kapitullimin. Kjo fitore u arrit me shumë dhimbje, me shumë të vrarë, me shumë të zhdukur, me shumë të masakruar, me shumë plagë, me shumë shkatërrime, me shumë… Dhe zor të gjendet tokë më e përgjakur se kjo e Kosovës. Falë këtij gjaku, këtij vetëflijimi, falë qëndresës, guximit, synimeve të qarta...  Kosova po mëvetësohet.

Kabash, tetor 1999



KAPITULLI V
----------------------------------------------------------------------------------------------------------

KRONOLOGJIA E NGJARJEVE: 1999
Më 15 – 20 mars,  rrugët zhurmojnë nga automjetet ushtarake, të cilat shkonin në drejtim të kufirit me Maqedoninë. Ushtarakët bëjnë incizimin e rajonit të komunës së Vitisë.
Më 17 mars,  një zhgan oficerësh serb hyjnë në lokalet e Shkollës fillore “Ndre Mjedja” i vizitojnë klasat, kabinetet dhe zyret e shkollës. Në dalje kuririn e shkollës e urdhërojnë, duke sharë e kërcënuar që të mos largohet nga shtëpia, me arsyetim se u duhen çelësat e shkollës. Kabashasit, të shqetësuar për situatën, ende shëtisin rrugës kryesore (sidomos në mbrëmje), duke komentuar lajmet e DW, Zërit të Amerikës, BBC dhe arrogancën e ushtarakëve serbë. Në anën jugperëndimore ushtria hap istikame dhe të njëjtat automjete ushtarake i lëviz nëpër katund, katër herë në ditë.
Më 20-22 mars, ndërpritet mësimi. I zhvendosin me dhunë katundet: Debelldeh (Delmir), Shushkë dhe Korbliq (Korbaj). Kolona e të ndjekurve shkaktoi dhembje e pikëllim te Kabashasit. Debelldasit (Delmirët), të përlotur, i njoftojnë kabashasit për ultimatumin e oficerit serb që të lëshohet katundi për një orë, për shumë njerëz të rrahur, për shtëpia të djegura, për bagëtinë që u ka mbet e mbyllur në stalla, për fëmijët që s’kanë patur kohë  t’i veshin dhe për bashkëvendësit që janë nis malit për në Maqedoni.
Më 23 mars, qeveria jugosllave shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Më 24 mars, rreth orës 8:00 të mbrëmjes, dëgjohet uturima e avionëve të NATO-s. Aleanca  fillon bombardimet. Në Prishtinë dhe qytete tjera të Kosovës dëgjohen shpërthime të fuqishme. U goditën objektet ushtarake dhe aeroporti i Sllatinës. Bombardimet te ne shkaktonin kënaqësi, kurse te serbët frikë e trishtim. Ne, me të dëgjuar aeroplanët e NATO-s, dilnim në oborr, kurse ata futeshin nëpër biruca.
Më 25 mars, u thyen e u plaçkitën dyqanet e shqiptarëve në Viti nga serbët vendas. Të njëjtën ditë, Brenard Dodaj shkon me traktor në dyqanin e vet të thyer, për ta marrë mallin e mbetur pas plaçkitjes. E ngarkon dhe nisët në drejtim të Kabashit. Te ndërtesa e solidaritetit e ndalin serbët lokalë, me armë ngrehur e urdhërojnë që artikujt, /mallin/ ta kthejë prapë në vendin ku e ka marrë. Në bisedë me Bernardin, pas lufte,  ai më ka thënë se në dyqan ka pas mall me vlerë  mbi 32 mijë marka gjermane..
Më 26 mars, lidhjet telefonike i ndërpresin vetëm për familjet shqiptare, me përjashtim të dy familjeve: Rrahman Kamberit dhe Raif Jasharit. Dyqanet e shqiptarëve në Viti thyhen dhe plaçkitën Ushtarët serbë minojnë zonën hapësinore mes Kabashit dhe Smirës /përtej  shtëpisë së Hebib Agushit/. Te varrezat /Kabash/, hapin llogore. Në orët e vona të mbrëmjes shtëpitë e kabashasve  goditën me breshëri plumbash. Plumbat vinin nga Vitia dhe Binça.
Më 27 mars, në panik u zhvendosën shumë familje kabashase. Kush drejt Maqedonisë, kah Presheva, kush drejt katundeve tjera. Në anën perëndimore të katundit,  stacionohen forca të mëdha ushtarake me armatim të rëndë. Me dhunë,  nxirren nga shtëpitë e tyre shumë familje shqiptare: Selman Selmani, Jakup Ibrahimi etj.
Më 28 mars, nuk festohet Dita e Bajramit të Vogël dhe festa e Pashkëve. Të njëjtën ditë forcat serbe e shkatërrojnë dhe e djegin kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në Prizren.
Më 29 mars, në orët e mbrëmjes bombardohen pozicionet e paramilitarëve serb në Vërbovc. Goditja ishte shumë e fuqishme, sa u thyen edhe xhamat e dritareve në shtëpitë tona në Kabash. Serbët reaguan me kundërajrorët e tyre nga rajoni i Binçës, ashtu kot, sa për të thënë se reaguan. Po atë natë, bëhemi me dije se në mesin e paramilitarëve ka patur shtatë të vrarë dhe mbi 30 të lënduar.
Më 30 mars, në orën 17, në rrugën përballë  shtëpisë së Dritonit, një bandë kriminelësh serbë, duke u kthyer me kamion nga Vitiashtiu me armë zjarri mbi kokat e grave dhe fëmijëve të familjes së Haxhi Brahimit, duke shkaktuar tmerr të paparë, sidomos te fëmijët.
Më 1 prill, në anën jugperëndimore të Kabashit u rrahën e u përzunë  familjet shqiptare. Në shtëpitë e tyre u vendosën ushtarët serbë.
Më 2 prill, në orët e vona të mbrëmjes, nga mizoritë e luftës, vdiq nëna e Qahilit.
Më 3 prill, pas kthimit nga varrezat, ndalohen nga oficerët dhe ushtarakët serbë: Ali Fetah Haliti, Idriz Selmani, Xhemajl Zenuni, Aziz e Rafiz Azizi, Sylejman Ibrahimi, Ibrahim Halili, Riza Jonuzi, Ibish e Ali Ibishi dhe Nuhi Selmani. Kabashasit e përmendur maltretohen rëndë, i mbështesin për muri, u kërkojnë armë, i fyejnë, ua shajnë Klintonin, Blerin... nënën shqiptare, i kërcënojnë se do t’i therin, nëse nuk shpërngulen etj.
Më 4 prill, me dhunë, ushtarakët serbë i zhvendosin familjet Haxhiu.
Më 5 prill, në oborrin e tyre, pa asnjë arsye, u rrahën vëllezërit Alush e Enver Hebib Agushi nga një rreshter serb i quajtur Marinkoviq. (Marinkoviq u dallua prej ushtarakëve tjerë serbë për arrogancë, sadizëm dhe urrejtje kundër shqiptarëve.) Me traktorë e mjete tjera transporti u zhvendosën shumë familje Delijaj e Halitaj. Gjatë gjithë ditës u dëgjuan krisma armësh në Smirë. Në fshatin Shushe, serboçetnikët pasi i rrahin, gjymtojnë, i vrasin vëllezërit Isuf e Jakup Hysenin.
Më 6 prill, gjashtë pjesëtarë të njësitit të specializuar për zhvendosjen e popullsisë, në kuadër të ushtrisë serbe, me uniforma ushtarake, të maskuar, në orën 20.50 hynë në shtëpinë e Rrahman Misinit, Ferat e Ejup Abdylit dhe Musa Muratit. Shtëpitë i  bastisin, demolojnë, gjërat me vlerë i marrin, kurse Ferat e Sabit Abdylin i nxjerrin në rrugë dhe i maltretojnë fizikisht. Qeveria e ashtuquajtur Jugosllave “shpall” armëpushim të një anshëm.
Më, 7 prill ’99 në orën 11.30, ne, lagja Salihajvet, që patëm mbetur në fshat duke mos patur zgjidhje, iu bashkëngjitëm atij lumi gjigant të të përndjekurve,  pa dijtë se ku të vëmë.  U larguam me traktorë. Në rimorkio ishim 15 veta. Zemërvrarë, lamë pas vetës shtëpitë, bagëtinë, krejt atë që e kishim trashëguar dhe fituar  me punë.  Katundi zbrazët gati krejtësisht. Shpërngulen, edhe familjet Cenaj.
Më 8 prill,  kriminelët serbë në orët e pasdites hynë me dhunë në shtëpinë e Daut Zenunit dhe me brutalitet e urrejtje të paparë e bastisin shtëpinë dhe i maltretojnë anëtarët e familjes. Dautin e urdhërojnë që të nesërmen të paraqitet në organet e policisë serbe. Dauti në orët e vona të asaj nate arratiset.
Më 13 prill, përhapet lajmi shumë i hidhur për kabashasit se është vra Daut Zenuni. Lajmin e konfirmuan serbët. Po atë ditë lajmi demantohet. Duhet thënë se, për 12 muaj askush nga shqiptarët dhe familja e tij s’kanë mund ta mësojnë të vërtetën  për Dautin. Më 22 prill 2000, është gjetur trupi i pa jetë i Dautit, në një gropë 2 km. larg nga fshati.
Më 15 prill, granatohet Ballanca e Zhitija (Grunori). Në Terpezë Snajperistët serbë plagosën tre civilë  shqiptarë, një vendas dhe dy  mysafirë.
Më 17 prill, zhvendoset Pozharani (Rrafshmiri) në drejtim të Ferizajt. Rrugës kolonën e të përndjekurve ushtarët dhe paramilitarët e keqtrajtojnë fizikisht, gjësendet e vlefshme : arin, devizat, ua marrin duke i kërcënuar me thika e sëpata, kurse dokumentet e indetifikimit ua asgjësojnë. Në kolonë ishin edhe shumë kabashë, të cilët kanë qenë të strehuar në Pozharan (Rrafshmiri). Pas 8 orë maltretimesh e rikthejnë kolonën në katund. Për 8 orë, sa ishin pozharanasit (rrafshmirakët) në rrugë, shtëpitë e tyre plaçkitën dhe demolohen. Po ketë ditë, në Poklek masakrohen 53 civilë, në mesin e të cilëve 23 fëmijë, 14 gra, 12 vajza e 4 burra.
Më 21 prill, bëhen me dije kabashasit e zhvendosur se mund të kthehen në shtëpitë e tyre. Pas një pritjeje dy orësh në Pozharan, me një urdhër tjetër, rikthehen prapa, në familjet ku ishin të vendosur më parë.
Më 29 prill, urdhërohen të gjithë refugjatët e vendosur në Tërpezë ta lëshojnë katundin deri në orën 13.00. Urdhri u përhap rrufeshëm.
Më 30 prill, 32 kabashasë, e kaluan kufirin në Glloboçicë (Qafëshkabë).
Më 1 maj, 82 kabashasë të tjerë kalojnë kufirin në Glloboçicë (Qafëshkabë).
Më 4 maj, kabashasit e mbetur (60) në katundet tjera, që konsideroheshin paksa më të qeta, të lodhur e të mërzitur, kthehen në shtëpitë e tyre, të plaçkitura e të demoluara.
Më 5 maj, në Kabash vritet me armë zjarri inxhinier Shefqet Mustafa, nga Pozharani (Rrafshmiri) me banim në Viti. I ndjeri bashkë me të birin vjen në Kabash për t’i vizituar kabashasit e rikthyer në katund. Shefqeti pasi kishte vizituar Halim Lah Halitin duke u kthyer për te Ramadan Qazim Haziri,  i bie këput Lëdenës së vogël, kalon përroin, del te shtëpia e Shaqir Rrahim Delijes, pa vërejt se Dragan Stoilkoviq, që nga mulliri elektrik iu kishte vu pas dhe te dera e Ferid Haki Azemit, në prani të gruas së tij, në largësi 10-15 hapa, me gjakftohtësi e vret me automatik. Në orët e vona të natës,  me lejen e ushtarakëve serb, Ali Fetah Haliti, pa përfillur rrezikun, trupin e pa jetë të Shefqetit me veturë e shpie te të afërmit e tij në Pozharan.
Më 12 maj, në orën 17.30 avionët e NATO-s bombardojnë shtëpinë e Hebib Agushit. Me këtë rast shkatërrohet krejtësisht stalla, dëmtohet rëndë shtëpia, vriten 35 krerë dele, kurse Hebibi me të shoqen shpëtojnë gjallë. Avionët e Aleancës e kishin në shënjestër stallën sepse, aty deri më 20 prill ’99 ishin stacionuar-kamufluar  tanket, artileria kundërajrore dhe ushtarët serbë.
Më 13 maj, kabashasit, në katund ishin diku 70 veta, sipas Zenun Kamberit që ato ditë me të shoqen ishte rikthyer në Kabash*1, detyrohen përsëri t’i lëshojnë shtëpitë e tyre.
Po ketë ditë, avionët e NATO-s, padashje, bombardojnë kolonën e të zhvendosurve me dhunë nga Korisha (Prizren), me ç’rast  u vranë 77 persona në mesin e tyre shumë fëmijë, gra e pleq. 
Më 15-25 maj, gati të gjithë kabashasit e kalojnë kufirin dhe vendosën në Maqedoni: Kumanovë, Shkup, Haraçinë, Hasan Beg, Saraj, Stankovec1,2 /kamp/, Çegran /kamp/, Tetovë, Strugë,  Dibër e gjetiu.
Më 19 – 23 maj, u bë masakra e Dubravës. Duarlidhur u ekzekutuan mbi 170 të burgosurë shqiptarë.
Më 28 maj, nga mërzia, ankthi i pritjes, për të mësuar të vërtetën për të birin, nipat... se ku janë, ku i ka përplas furtuna e luftës, rrugëtimi i llahtarshëm,  vdiq Misin Misini, i lindur më 1914. I ndjeri u varros, me të gjitha ceremonitë, në varrezat e shqiptarëve, aty pranë kabashasve (kushërinjve) të vet:  Haxhi Isufit, i biri i Mustafë Kabashit dhe dy djemve të tij: Avdullahut dhe Ajetit, të shpërngulura që në vitin 1956, në Saraj. Në varrezat e përmendura është i varrosur edhe Destan Xhemë Kabashi, luftëtar i Batalionit të parë, që për komandant kishte Hasan Kabashin, disident, i ikur nga Kosova më 1945. Jetoi në Turqi dhe Amerikë. Në varrim morën pjesë shumë kabashë, që ishin të vendosur në Shkup e rrethinë. Ditët e  ngushëllimit, u organizuan në shtëpinë e Muhamet Avdulla Isufit në Saraj.
Më 9 qershor, në Kumanovë serbët, e nënshkruan marrëveshjen -  kapitullimin. Duke filluar që nga data e përmendur, paramilitarët, ushtarët, policët, kriminelët, me një fjalë të gjithë ata që e mbajtën Kosovën të mbërthyer me terror, u nisën prej nga kishin ardhur me zhurmë e bujë duke festuar “fitoren”. 
Më, 10 qershor, në Nju Jork, u miratua Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-ës për Kosovën, 1244.
Më 11 qershor, rrugës prej hotelit “Kontinental” (Shkup), që del te ura në Bit Pazar dhe vazhdon për në Han të Elezit, në të dy anët e saj, me dhjetëra  mijëra shqiptarë dolën për të përshëndet ushtarët e NATO-s, të cilët me makina të rënda ushtarake shkonin drejt Kosovës. Të tubuarit me ditë të tëra qëndruan përgjatë rrugës së përmendur, me lule, flamuj, këngë e parulla, si: NATO-NATO, KOSOVA-KOSOVA, UÇK-UÇK etj,  duke shprehur gëzimin dhe mbështetjen e tyre për  forcat e Aleancës.   
Më 12 qershor, forcat angleze të KFOR-it, herët në mëngjes, në Han të Elezit, kaluan pikën e kufirit Kosovë – Maqedoni.
PS:
Gjatë luftës dhe pas mbarimit  të saj shumë kabashasë me familje iu bashkuan karvanit të të shpërngulurve drejt Amerikës, Danimarkës, Kanadas, Zelandës së largët etj. Në Amerikë: Xhevat Ymeri    ( 6 antarë), Skënder Ymeri (7 antarë), Hafiz Hasani (5 antarë), Remzi Nebiu (5 antarë). Xhemajl Sallahu (2 antarë) Vedat Jashari (5 antarë), Xhelal Azizi (6 anëtarë), Hajrush Sadiku (4 anëtarë). Në Kanada: Isak Sadiku (5 antarë), Nehat Kamberi (5 antarë). Në Danimarkë: Ekrem Januzi (5 antarë). Në Zeland të Re: Sabit Abdyli (6 antarë), Ramadan Murati (2 antarë), Xhevat Murati (6 antarë), Qemajl Murati (5 antarë), Hysen Zeqiri (6 antarë). Gjithsejt 80 kabashasë.
 Ndërkaq  kabashasit, të cilët gjatë luftës shkuan në shtetet perëndimore, skandinave, Australi, pas luftës,  që të gjithë u kthyen në Kabash.
 Ushtria serbe  në periudhën 24 mars – 12 qershor, rrahu e maltertoi këta kabashas: 1.Farush Azemin, 2.Enver Agushin, 3. Alush Agushin, 4. Selman Selmanin, 5.Ismet Ibrahimin, 6.Sadri Ibrahimin,7.Rexhep Kurteshin, 8.Kristë Mustafën, 9.Gëzim Sinanin, 10.Mon Zejnullahun, 11.Xhelil Mustafën, 12.David Zefin, 13.Bernard Dodajn, 14.Isuf Sallahun, 15.Sabit Abdylin, 16.Tahir Jasharin, 17.Lush Zefin, 18.Osman Jakupin, 19.Idriz Sallahun, 20.Jahi Azizin, 21.Ismet Sallahun, 22.Selam Deliun, 23.Avdi Sallahun, 24.Daut Selmanin, 25.Ali Halitin, 26.Idriz Selmanin, 27.Xhemajl Zenunin, 28.Durak Haxhiun, 29.Murat Haxhiun, 30.Aziz Azizin, 31.Sylejman Ibrahimin, 32. Brahim Halilin, 33.Riza Januzin, 34.Ibish Ibishin, 35.Ali Ibishin, 36.Nuhi Selmanin etj.
Gjatë periudhës 15 prill  –  12 qershor, barbarët serbë dogjën 11 shtëpi të kabashasve: 1.Njazi Halitit, 2.Muhamer Zeqirit, 3.Enver Zekës, 4.Sadri Haxhiut, 5.Murat Haxhiut, 6.Shukri Haxhiut, 7. Isak Rexhepit, 8. Ahmet Azizit, 9.Halit Halitit, 10.Mehmet Sylejmanit dhe 11.Ismajl Qerimit. Duhet përmend se të gjitha shtëpitë e djegura ishin të ndërtuara me material të fortë, dy - tri katshe dhe shumë të bukura. Shtëpitë e tjera që i shpëtuan zjarrit u gjetën të plaçkitura, të thyera, të demoluara me sëpata e gjësende tjera të forta, brenda të shkruara   nëpër mure, xhama të dritareve, pasqyrave në banjo etj, kurse dyert, raftet, mobilet të gërvishtura (vizatuara) me thika  ato tri S-ët e tyre banale, të cilat në vete fshehin politikën serbomadhe të kolonizimit të viseve joserbe. Duhet shtuar se shtëpia e Myrtë Zejnullahut dhe Rifat Selmanit u dëmtuan më së shumti. Një pjesë e teknikës së bardhë, gjësendeve me vlerë e plaçka të tjera pas kthimit të kabashasve u gjetën në shtëpitë e fqinjëve serbë. Bagëtia me kamionë ishin bartë për në Serbi, kurse një pjesë tjetër e tyre ishin therur ose  i kishin marrë serbët lokalë në Viti, Kabash,Vërbovc, Gërnqar, Mogillë, Binçë, Zhiti, Kllokot etj. Dëmet, që i bënë serbët gjatë luftës (vetëm  në Kabash) sipas Komisionit për vlerësimin e dëmeve, të publikuara, më 21 gusht 1999, janë: 6.402.134 DM.

*1 Më, 31 dhjetor 1998,  Kabashi kishte 2881 banorë shqiptarë dhe diku afër 100 serbë -  kolonistë të ardhur në Kabash pas vitit 1920.
Auckland  /Zelandë e Re/, prill 2000








KAPITULLI VI
---------------------------------------------------------------------------------
                
                          Faqe jete
Kam më tepër  se tridhjetë vjet punë në arsim: 13 vjet /1968-1981/ në shkollën fillore “Faik Konica”, dikur “Mlladen Markoviq” dhe 18 vjet /1981-1999/ në shkollën e mesme  “Kuvendi i Lezhës”, dikur “Bora e Ramizi” në Viti. Në vitin shkollor 1968-1969  e fillova punën me këmbë të mbarë nga se po atë vit u bënë ndryshime të ndjeshme pozitive: u hap Universiteti, u arrit  fitorja e  përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, u ndal paksa persekutimi e ndjekja e theksuar e shqiptarëve,  shkolla shqipe nisi  një  ecje ca më të mbarë një rritje ca më të shpejtë. Në shkollën fillore të qytezës së Vitisë u shtua numri i nxënësve, i arsimtarëve, i klasave,  u hapën paralelët e para të gjimnazit, paralele këto në kuadër të gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan,  diplomohet gjenerata e parë e nxënësve shqiptarë të shkollës së mesme bujqësore me mësim në gjuhën shqipe. Pati një ngjallje të furishme  të aktiviteteve kulturore e sportive. U organizuan koncerte, turnire në futboll të vogël, u vunë në skenë dramat e autorëve shqiptarë /Xhemil Dodës, Toni Shoshit, Adem Mikollovcit, Azem Shkrelit, Isuf Kelmendit/ të përgatitura prej entuziastëve të rinj, u forma Shoqëria kulturoro artistike Shqiptare “Besa”. Turnirët në futboll të vogël u bënë shumë atraktive, duke zgjuar interesim të madh tek rinia në të gjitha katundet. Ishte kënaqësi e vërtetë për sportistët, që arrinin të zinin vend në formacionin e parë. Gjatë ndeshjeve mblidheshin me qindra spektatorë, duke krijuar atmosferë festive me pankarta e  flamuj. Me futboll të fortë, atraktiv, të mirë, deri në vitin 1980 dalloheshin: Kabashi, Sllatina dhe Pozharani, më vonë edhe Vitia, Gërmova, Radivojci etj. Pata fatin e mirë, që edhe unë, të jem pjesëmarrës dhe frymëzues i drejtpërdrejtë i aktiviteteve të përmendura. Kjo kohë e të marrurit frymë paksa më lirisht,  iku, sa hap e mbyll sytë.
Avancimi i çështjes shqiptare e pengonte shovinizmin  serb, prandaj shërbimet sekrete të ushtrisë e policisë serbe me qendër në Beograd, të mbështetura fuqishëm nga  Akademia Serbe e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, mediat elektronike e të shkruara, Shoqata e shkrimtarëve, pozita e opozita serbe, por edhe nga plëngprishësit shqiptarë,  i nxorën nga dollapët planet për Serbinë e Madhe. Nën regjinë e organeve të përmendura, dhjetë vjet me radhë, u bënë inskenime nga më të ultat, si ai i Paraqinit, vrasjet e ushtarëve shqiptarë, të cilët ushtria Jugosllave i kthente në arkivole të blinduara, me raport: “i vetëvrarë”, helmimet e nxënësve, i maniakut të vetëlënduar Martinoviq, dhunime të plakave, përdhosje të varrezave serbe etj. me qëllim të justifikimit të shuarjes së institucioneve të Kosovës, me qëllim të justifikimit të dhunës, agresionit e sulmeve kundër popullsisë shqiptare, mediave në gjuhën shqipe, intelektualëve, rrënimit të institucioneve arsimore e të kulturës: Akademisë së Shkencave e Arteve të  Kosovës, Universitetit të Prishtinës, Institutit Albanologjik, Arkivit historik,  bibliotekave, shkollave të larta, të mesme, fillore, bile edhe çerdhet e fëmijëve, derisa i mbyllën me dhunë, me pretekst të mëtejmë se në shkolla nuk po përfillën plan-programet e Serbisë. Në spitale,, ambulanca, ndërmarrjet ekonomike, institucionet nivelesh  të ndryshme deri te bashkësitë lokale, në të gjitha u shpallën masa  administrative të dhunshme, për ta patur më lehtë  përzënien nga puna të punëtorëve  shqiptarë.
Pas fushatës së egër 10 vjeçare (1981-1998), serbët me dhunën e policisë e të ushtrisë e shuan parlamentin, dhe qeverinë e Kosovës. Gjuha shqipe u hoq nga përdorimi zyrtar. Shqiptarët u përzunë nga politika, ekonomia, administrata, shëndetësia, mediat dhe arsimi. Të përjashtuar nga jeta publike shqiptarët, si gjithandej Kosovës edhe në komunën e Vitisë, masovikisht u mblodhën rreth LDK.. Me iniciativën e kryetarit të saj për degën e Vitisë, z. Ramadan Musliut, u formuan edhe parti e shoqata të tjera, të cilat bashkëpunonin me  mirëkuptim të ndërsjellë. Aktivistë e intelektualë, mblidheshin në kafiterin “Fjala”, që ndryshe i thoshin edhe “kafja e Refik Mogillës /Halilit/”. Aty flitej për problemet politike, shoqërore, organizative, mbajtjes gjallë arsimit në gjuhën shqipe, informimi... përpjekje për të ndryshuar diçka. Pronari i kafeterisë nuk kishte pikësynim përfitime vetjake (materiale/), dhe, dy djem, Arsimi e Bashkimi, që punonin aty, ishin shumë të përgjegjshëm e të kulturuar. Takime pune, shkëmbim informatash më vonë  bëheshin edhe në kafeteritë të tjera, si: “Marigona”, “Kalabria”.... të pronarëve shqiptarë, në librarinë “Lorimx”, në oda etj.   Objekti i shkollës së mesme, arsimtarët, nxënësit ishin vazhdimisht nën vëzhgimin e inspektorëve të sigurimit. Në fillim të vitit shkollor (1990-1991), u suspenduan njëanshëm drejtori i gjimnazit, Jahja Halabaku dhe organet tjera të ligjshme në shkollë. Drejtoria e dhunshme me Dajiq Petrin në krye,  në dhjetor 1990,  neve, arsimtarëve shqiptarë, na lëshoi vendimet për largim nga puna, me arsyetim se i kemi refuzuar detyrat e parashtruara nga ai. Ndaras, pa përfillur organin e dhunshëm, me plan-programet tona, ne vazhduam punën në klasat pa ngrohje, pa xhama, pa financim, deri në qershor të vitit 1991. Pas pushimeve, në muajin gusht,  na ndalohet hyrja në objektin e shkollës, prandaj riprovimet, provimet e diplomave për afatin e gushtit, u deshtë t’i mbajmë në xhaminë e fshatit në Kabash. Në shtator, kur duhej filluar viti i ri shkollor 1991/1992, forca të mëdha policore bllokuan  të gjitha  rrugët që çojnë drejt shkollës. Përkundër bllokimeve e barrikadave nxënësit dhe prindërit, të paraprirë prej arsimtarëve, dy ditë me radhë (1 dhe 2 shtator ’91, u tubuan para objektit të shkollës së tyre. Për sa kohë protestonim, policët e ndihmuar edhe nga civilët serbë të qytezës, qëndronin në hyrje të godinës së shkollës me armë ngrehur, kurse inspektorët e UDB-es brenda objektit të shkollës, në katin e dytë,  vëzhgonin situatën.  Ditën e tretë (3 shtator ’91), policia ndërhyri me egërsi kundër pjesëmarrësve të protestës paqësore. U keqtrajtuan fizikisht, u fyen, u morën në biseda informative, shumë nxënës, prindër e arsimtarë. Vitin shkollor 1991/1992, e filluam me  peripeci të mëdha. Nxënësit i ndamë nëpër punkte: Kabash, Pozharan /Rrafshmir/, Gjylekar /Skifter/, Stubëll, Smirë dhe Vërban /Urban/. Mësimin e organizuam, me vitet e para dhe të dyta në objektet e shkollave fillore, kurse për nxënësit e viteve të treta dhe të katërta në shtëpia private nga se ekzistonte rreziku që nxënësit e rritur të arrestoheshin nga policia. Në Kabash shkolla punonte në tri ndërrime me orar të shkurtuar. Aty mbanin mësim tri shkolla: Sh.f. “Ndre Mjedja”, “Faik Konica” dhe katër paralele të mesme “Kuvendi i Lezhës”. Fillimi  qe me shumë probleme. Mungesa e hapësirës mësimore, rregulli dhe gjeturia në rrethanat e krijuara,  papërgjegjësia e arsimtarëve, nxënësve vetëm sa e komplikonin edhe më tepër procesin mësimor. Shkolla e mbipopulluar, klasat e mbingarkuara sillnin situatë për një karrige të bëheshin sherre e zënka mes nxënësve. Kishte nga ata që e shfrytëzonin situatën e krijuar për të mos punuar. Jo s’është orari, jo nuk janë konstituar paralelet, jo s’po qarkullojnë autobusët, jo policia, jo nuk jam i informuar, jo kjo, jo ajo... arsyetime që herë – herë, ishin edhe banale. Mua më emëruan  përgjegjës në Kabash, sepse ata që nuk zgjidhnin mjete për t’u zgjedhur e rizgjedhur shefa e drejtorë (para 1990), rrinin anash. Pas luftës, shtator 1999, për drejtor të shkollës konkurruan 15 veta, duke  gjetur jo vetëm arsye por, edhe elemente profesionale nga më interesantet. Detyrën e pranova në heshtje i vetëdijshëm se do ta kem shumë vështirë të ballafaqohem me kohën - pa kohë, me okupatorin, i cili shkollat në gjuhën shqipe i shpalli të jashtëligjshme. E pranove se ndryshe do të ndjehesha i pazoti, i paburrë, i pandershëm ndaj profesionit që e kisha ushtruar më tepër se 20 vjet dhe... vazhdimi, ruajtja e shkollës shqipe për momentin ishte detyrë mbi detyrat për secilin shqiptar. Gjatë punës u përballa me probleme të shumta: Më duhej vetë t’i bëja punët e shërbëtorit, arsimtarit, administratorit, kujdestarit dhe përgjegjësit. Në të shumtën e rasteve vetëm vërbalisht e kisha mbështetjen e drejtorisë, arsimtarëve të shkollës nikoqire, prindërve dhe kolegëve. Një kategori  e arsimtarëve rrinin anash në stilin: “vetëm mua të mos më preket rehatia, të tjerët për mua thefshin qafën”. Me maturi, me tolerancë, fleksibilitet, gjakftohtësi dhe përkrahjen e arsimtarëve të përgjegjshëm, njerëzve të mirë arrija disi t’i amortizojë të ramët e ulta, shpifjet, që vinin nga cinikët e të paturpshmit me karakter të dobët. Kokëçarjet më të mëdha  më shkaktonin nxënësit jo nxënës, maniaket e idiotët   e  yshtur nga injoranca, rrugaçëria. Shumë të ndërsyer nga policia serbe, zhgana e hamadreqa të tjerë që shisnin mend me  motoçikleta e vetura në oborrin e shkollës, pengonin mësimin shqip. Vonesat e arsimtarëve ose mosardhja fare në shkollë, mosangazhimi i duhur i trupës së arsimtarëve në mbajtjen e rendit shtëpiak, mungesat e shumta ishin gjithashtu, pengesë e madhe.  Absurdet ishin xhevahire të përditshme. Arsimtarët që nuk mbanin orët, nuk i kryenin detyrat, kërkonin disiplinë e masa rigoroze. Harronin se së pari duhej marrë masa ndaj tyre. Arsimtarë që kurrë nuk vinin në orën e parë me arsyetimin se nxënësit po vonohen.  Prindër, që kërkonin vërtetime, dëftesa e diploma për fëmijët e tyre, të cilët nuk vinin fare në shkollë ose vinin, por nuk hynin në orët e mësimit...
Këto dhe problemet e tjera , nuk ishin të pakta. Nuk kisha zemër t’i nxjerr nga ora fëmijët për shkak prindërve të tyre pa karakter.  Krejt këto nuk i prisja, prandaj më torturonin, më shkaktonin ndijime të forta hidhërimi, me dhjetëra herë, e kam “parë”, tek  më dilte tym nga koka. Për ta ngushëlluar vetën, këto anomali i arsyetoja duke thënë se të gjithë njerëzit nuk janë të mirë, të gjithë nuk janë njësoj të përgjegjshëm. Sfilitje tjetër ishte ajo e policisë serbe, që vazhdimisht shkollën shqipe, segment i vetëm i rezistencës, e kishte halë në sy, prandaj nuk zgjidhte mjete për ta përdhosur, shkatërruar me themel. Më 27 qershor 1992 policia hynë me dhunë në lokalet e shkollës, deri sa po mbaheshin provimet e diplomës për nxënësit maturant, maltreton arsimtarët, nxënësit dhe konfiskon dokumentacionin, proceset e  mbajtjes së provimeve. Më 17 maj 1994, në lokalet e shkollës, në praninë e nxënësve  më arrestojnë dy policë të udhëhequr nga inspektori i sigurimit shtetëror (Kërstiq). Policët, njëri ishte rezervist, me profesion elektricist (Zharko me banim Te pumpa) kurse tjetri ishte nga Binça (Zhivkoviq), që para 4-5 vitesh i kisha dhënë mësim. Është për t’u çuditur. Arrestimi im, që herët në mëngjes, (17 maj ’94), ishte paralajmërim i një ëndrre të vajzës sime: Fluturës.. Të njëjtën ditë, në orën 10.00, unë u arrestova nga policia. Në lokalet e policisë, për katër orë e gjysmë më mori dhe maltertoi, inspektori Kërstiq. 
Kjo kohë mjerimi e ferri u stërzgjat jashtëzakonisht shumë U deshën sakrifica, shtrëngim dhëmbësh,  për ta ruajt, mbajt gjallë identitetin e shkollës shqipe. Për këtë duhet falënderuar punën, djersën e arsimtarëve, prindërve, nxënësve, njerëzve me shpirt sakrifikues, karakter të fortë, të mirë e të përgjegjshëm, trima e të vendosur.
Vitin shkollor 1998/99 e përfunduam më 20 tetor 1999,  kurse vitin e ri shkollor e filluam me vonesë /25 tetor 1999/,  por  në liri.
Pas luftës për shkaqe shëndetësore, ekonomike, në pamundësi për t’u kuruar në  Kosovë,  në pamundësi për t’i shkolluar fëmijët,  i pamësuar për t’u “shtyrë me bërryla”, me 29 tetor 1999, me familjen e ngushtë timen, u vendosa në Zelandë të Re.



Recension

DESHMI PER KOHEN DHE BREZAT
Fehmi  Ajvazi
-------------------
Sa herë që krizat e ndryshme, situatat e jetesës dhe të mbijetesës, etapat historike të rezistencës dhe të luftës që lidhin me mungesat e lirisë ose të aspirimit të saj janë në një apo tjetër mënyrë imperativ individual e kolektiv, shoqëror e kombëtar nuk ka dilemë se secili nga ne, e lidhin nyje. Mënyra dhe format e lidhjes mund të jetë krejt e ndryshme, disa herë edhe shtrëngues, por nyja si pikë mbetet gjithmonë një nukleus që gjeneron përpjekjet tona shpirtërore e fizike: Të djeshme (brenda nyjës), dhe të sotshme (poashtu, brenda nyjës). Në  ketë brendësi – nyje herë si fakt e herë si kujtesë, dashur e padashur ne bëhemi pjesë e pandashme e nukleusit. Vetëm rolet, mund të jenë divergjente.
“Vitet dhe shekujt e Kosovës”, janë procesi në pambarim. Nyja historike e këtij pambarimi trishtues dhe rrënues, është e lidhur kryekëput me mungesën e lirisë. Pra, tagri i kësaj mungese ka qenë dhe është, i pallogaritshëm. Pyetja shtrohet: a duhet të besojmë që liria ka ardhë, si “një nuse”? Jo. Prandaj, gjeneratat e ikura dhe këto të gjallat (përjetueset e historisë), e dinë më së miri rrugëtimin e përgjakur të lirisë. Autori i këtij librit z. Sabit Abdyli  është jo vetëm një përjetues por edhe një mëtues që është përpjekur personalisht të zbardhë pjesë të procesit tonë kombëtar, siç janë “muajt e Kosovës” ose, bombardimet 78 ditëshe të NATO-s. Me këtë përpjekje z. Abdyli, gjen formën që si një personazh i gjallë i kohës, t’i japë asaj diçka. Në të vërtetë, t’i shtojë asaj sot këtë libër dokumentar duke e përshkruar situatën dhe kohën e dikurshme, pjesë e të cilit si individ, në një mënyrë ka qenë. Kolektivisht,  kemi qenë  të gjithë... Duke lexuar librin, ne e kuptojmë të kaluarën ndryshe: dhembshëm gjithsesi, por edhe si një testament i cili zbërthehet për ne, si dhe për brezat që vijnë. Ende nuk jemi të vetëdijshëm se kemi kaluar nëpër fazën e cila na shtynte drejt shpopullimit të plotë, në anën tjetër, sikur nuk kemi nxjerrur të gjitha mësimet që i shpalosin proceset si ky i pranverës së vitit 1999. Pavarësisht se cila është cilësia e librit, niveli i të shkruarit, gjuha artistike, shkalla e rrëfimit etj. çdo lexuesi të librit kjo punë nuk do t’i dalë si brengë sepse Sabit Abdyli ka arritur të na siguroj diçka shumë të rëndësishme: skenarin e një procesi, faktet e tij, dëshmitë çka përbëjnë thelbin e krejt librit. Sepse, libri është i klasit dokumentar, e kjo është shumë e rëndësishme dhe cilësore. Sepse, duke mëtuar rrugët e ndryshme krijuese, ne kemi lënë m’anash vazhdimisht botën rrëfimore,   spektrin dokumentar, historiografinë dhe format tjera të shënimit apo të materializimit të së kaluarës, madje edhe të asaj të kaluare e cila ka qenë historike, ndoshta vendimtare për ne si individ dhe si popull.
Nga ky zhgan i munguar dëshmimi, ne nuk i njohim mirë rrjedhat e dhjetëra e qindra kryengritjeve kombëtare, nuk i dimë pasojat, target, defektet e tij.    Po e marrë një shembull të thjeshtë: askush, madje as institucionet e duhura kombëtare nuk e njohin listën  e emrave dhe mbiemrave të rreth 45.000 shqiptarëve  që u pushkatuan e u vranë, në fund të Luftës së Dytë Botërore. Tepër pak, e njohim terrorin masiv partizano-çetnik të bërë gjatë kësaj kohe  në gjithë hapësirën shqiptare nën ish Jugosllavi.  Autori i këtij libri, ka bërë një punë të vlefshme për njerëzit e tij, për fshatin e tij, për vendlindjen e tij dhe, në këtë mënyrë, i shton historisë sonë kombëtare “guralecët” që e krijojnë atë, si të tërë. Një punë që ndoshta edhe s’i ka takuar, por njerëzit që kanë vetëdije dhe s’përtojnë, e dinë pse janë në këtë botë. Libri i tij, tepër i pakët për procesin në fjalë, nëse asgjë tjetër, do të jetë një kontribut i mirë dokumentar për labirintet e dhembshme, disa herë tragjike por edhe heroike nëpër të cilat, u desh të kalojmë si individ, shoqëri dhe popull.


                                                       

Shenime biografike
   
Sabit Abdyli u lind në Kabash të Anamoravës në vitin 1946. Shkollën fillore dhe të mesmen i mbaroi në Viti, kurse Fakultetin Filozofik: dega gjuhë dhe letërsi shqiptare në Prishtinë.  Pas luftës (1999) Sabiti bashkë me familjen u vendos në Zelanë të Re. Atje vazhdon të merret me shkrime dhe të bashkëpunojë me gazeta e revista që dalin në gjuhën shqipe.  














                                                     Përmbajtja


Kapitulli I
                                            
Zezona …………………………………………
Lufta……………………………………………
Pranvera e ankthit-------------------------
Dëshmi-------------------------------------
“Evropa e rrëzume e pusume...”----------- -----
Kapitulli II
Në mes të dy kufinjëve të dhunshëm ------------.
Në Shkup.............................................................

Kapitulli III
Dëshmi të tjera ----------------------------------
Fshati Skifteraj……………………………...
Fshati Lugishtë……………………………..
Fshati Smirë…………………………………
Fshati Sadovinë e Jerlive…………………
Fshati Mollëkuq…………………………..
Fshati Urban……………………………
Qyteza e Vitisë………………………-

Kapitulli IV

Vdekja e territ dhe ardhja e NATO-s

Kthimi i madh………………………………… 
Fundi i zezonës…………………………………

Kapitulli V
Kronologjia e ngjarjeve: 1999……...

Kapitulli VI
Faqe jete (Në vend të biografisë)……
Dëshmi për kohën dhe brezat (Recension, Fehmi Ajvazi)







Botues:Projekt 03
Redaksia:
Projekt 03

Recensent:
Fehmi Ajvazi

Lektor:
Bajram Dabishevci

 Ballina:
Abdyl Abdyli

Realizimi kompjuterik:
Bujar Hajrizi























Katalogimi në publikim – (CIP)
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës


821.18-94 (091)
ABDYLI, Sabit
Ankthi i paranverës’99. – Prishtinë: Projekt 03, 2004
Prishtinë:, “Shkrola”, - 61 fq.: ilustro:, 21 cm
Në kopertinë fotografia me shënime për autorin


ISBN 9951-8600-0-1


------------------------------------------------------------------------