Friday 21 June 2019

Kanë thënë për poezinë time;


Reshat Sahitaj, shkimtar
 Sabit Abdyli, me mjaft sukses merret me krijimtari letrare. Si rezultat i përkushtimit të këtij krijuesi në fushën e letërsisë, ai së fundi ka përgatitur për botim librin me poezi. Libri më i ri i këtij autori është përmbledhje e poezive, me titull “ Kohë e lumtur  “.
Poezitë e tij, në një mënyrë mjaft të shlirshme, përfshijnë çështje, probleme dhe preokupime të jetës së gjithmbarshme moderne. Preokupimet tematiko-motivore të autorit, përkatësisht ngasjet e tij, disa herë i kalojnë caqet kohore dhe hapësinore të gjallimit dhe të veprimit të subjektit lirik të librit të tij të poezive.
Figurat, metaforat, krahasimet, epitetet, hiperbolat etj., janë evidente në këto krijime poetike të shkruara me frymëzim të thellë.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Halil Musliu, teknolog
Pothuaj të gjitha poezitë e këtij vëllimi poetik  (fjala është për librin me poezi “Kohë e lumtur”) janë të shkruara brenda harkut kohor 1989–1999, që është një prej periudhave më të errëta  të historisë sonë të re, andaj edhe subjektiviteti poetik është nën trysninë e përjetimeve të përditshmërisë, nga edhe reflekton kjo kromatikë e errët e cila më tepër shfaqet si ekuivalent i situatës objektive, të cilën autori e projekton në tekstin poetik. Kështu, poezia e këtij libri del përplot imazhe të copëtuara, tablo të errëta, situata simbolizuese, të cilat ndërtojnë një realitet karikatural (ku dominon destruksioni), e nga burojnë referencat ironike, mesazhet që në vete bartin revoltë dhe sarkazëm. Ironizimi i dukurive, i situatave, i realitetit dhe i cilësive perverse të njeriut, jo vetëm që fsheh mospajtimin e poetit me këtë realitet, me sistemin e instaluar të vlerave dhe të vlerësimit, por në të vërtetë na shfaqet si botëkuptim i autorit ndaj botës. Poezia e vëllimit poetik “Kohë e lumtur” shquhet për frymën, gjuhën dhe stilin me kahe të theksuara individuale, andaj si e tillë me siguri se do ta gjejë lexuesin e vet.
---------------------------------------------------------------------
Antonina Kodheli
Ndryshe nga shkrimet e para historike dhe shoqërore, gjithnjë të jetuara, të cilat mbeten dokumente historike në duart e lexuesit, ketë here profesori ynë e le të lirë penën e tij dhe na paraqitet me një vëllim në vargje, po aq aktual dhe njerëzor, sa edhe veprat e tjera të tij. Ashtu siç është, si një patriot i flaktë, si një luftëtar i penës dhe i jetës, hedh mbi supet e tij pelerinën e rëndë të mallit, merr me vete një copë qiell Kosove në zemër dhe nis rrugët për të gjetur ate që atij i mungon në jetë, që siç e thotë edhe në vargun e tij, kërkon...FJALËN FJALË DHE NJERIUN NJERI (poezia “Fjala”). Edhe në zjarr të ferrit do të shkelë, vazhdon poeti, për të gjetur ate që kërkon. Pena e tij është e butë dhe mallëngjyese kur shkruan për mallin. Në poezitë e mallit për Atdhe çdo shqiptar, por më shumë mërgimtari, do të gjejë të shprehura në vargje veten e tij, dëshirat dhe mallin e tij, hallet  dhe ëndrrën për tu gjendur aty ku do të ngryset dhe të gdhihet edhe poeti ynë, në Atdhe. Dëshira e madhe e mërgimtarit për të folur, për të qeshur, për të kënduar dhe për të qarë vetëm shqiptarisht, shprehet thellë në poezitë e Profesor Sabit Abdylit. Shumë herë lotoi nga malli, por edhe kaq shume here të tjera qau prej inatit për fatin që pati ky vend legjendaresh. Si njohës i mire i rrjedhës së ngjarjeve në vendin e tij, i pashkëputur asnjëherë nga realiteti, poeti godet zhgënjimin dhe intrigën e kaprçiozëve politikanë që luajnë me ëndrra dhe fate njerëzish. I revoltuar poeti ketë e shpreh në shumë poezi të tij.... DO TE DOJA TË JESH QIELL PA HILE....ose, FLASIM NE GJUHËN E NËNËS DHE QAJMË PA FAJ. Në ketë vëllim Profesori vjen të kujtojë lexuesin ku i kemi rrënjët dhe me penën e tij mbledh PORTRETE NJERËZISH TË MUNGUAR, siç shprehet në një varg të tij, na sjell pranë portrete dhe emra kreshnikesh të pushkës dhe të penës që shkruan historinë e këtij vendi, ATA QË E DESHEN DARDANINË ZONJË,... thotë në një poezi. Bashkon në poezi zëra heronjsh, zëra të njëjtë, të periudhave të ndryshme, por të të njëjtit ideal.
--------------------------------

Drita Lushi, shkrimtare
Poezitë e Sabit Abdylit, kanë një shtrirje kohore të konsiderueshme çka tregon, që ndjeshmëria fle me poezinë, në të shkuarën, të tashmen dhe do të rrugëtojë edhe në të ardhmen e poetit.
Ato janë të shkurtra, por përçojnë një peshë emocionale të madhe të autorit ku ndihet malli për Atdheun, që vjen herë si dallgë e herë i qetë por nuk shuhet kurrë.
Ndoshta këto poezi, bëjnë shpirtin e poetit të shuajë brengën e largësisë nga Kosova.
Atje në Auckland, veç familjes edhe poezia i qetëson dhimbjet e shpirtit e të largësisë dhe ai vazhdon shqip të derdhë zemrën ne vargje
“në secilin varg timin një zog
thur një baladë”, shprehet autori në poezinë “IKE”sepse vetë jeta me të priturat dhe të papriturat është një baladë, një histori, që vetëm autori di ta shkruajë dhe lexuesi ta përjetojë përmes vargut, edhe zogjtë këndojnë me zërin e poetit.
Ai i zgjedh fjalët dhe vargjet që i vijnë natyrshëm, lirshëm dhe janë të prekshëm, të ndjeshëm, të butë si malli…Ai përdor gjithë spektrin e figurshmërisë në poezitë e tij të cilat lexohen lehtë dhe të ngelen në kujtesë.

“Shi i ftohët bregut oqeanit,
mot me diell te ju.
Dallëndyshet ju erdhën,
thanë gjë për ne:
ju folën për dhembjen,
rrugën e kthimit?”
shprehet autori në poezinë, “Jetë bore” ku çdo varg flet aq shumë, dhe çdo koment, do ia zbehte vlerën.
Libri trajton një larmishmëri tematikash, që nga përditshmëria, atdhetarizmi, dashuria për vendlindjen, vargjet për figura historike të vendit të tij, por edhe për njerëz të veçantë, që kanë lënë gjurmë në jetën e shkrimtarit
Ai është larg, dhe vargjet e tij duket sikur zbresin në lexim me aromë deti, oqeani, qielli, toke me ngjyrat e diellit dhe fshehtësinë e reve dhe ke dëshirë t’i prekësh me lexim e sy, ti kesh pranë ti rilexosh teksa i ndjen varg, pas vargu.
Vargjet shprehen lirshëm dhe vijnë qartë dhe pastër tek ne, nuk kanë rimë apo skemë te caktuar, por janë te sakta dhe estetike.
Vargjet e tij janë prurje me vlerë, në letërsinë e shkruar shqipe, që vlen të lexohet, jo vetëm nga emigrantët,por edhe nga çdo shqiptar, që e do poezinë.
Sabit Abdyli është një shkrimtar i kompletuar në prozë dhe poezi. Botimet e tij,tregojnë qartë shpirtin prej artisti të pjekur, qëmtues i vëmendshëm i ngjarjeve, çasteve dhe ngritjen e tyre mjeshtërisht në artin e fjalës.
----------------------------------------------------------------------------

Seveme Fetiqi, poete
Sabit Abdyli, i cili në periudhën e pasluftës së fundit e kishte fatin si shumë atdhetarë tanë të shpërngulet përtej oqeaneve, në Zelandën e Re. Ai, kaloi oqeanet, duke marrë me veti dhembjet, kujtimet, traditat, shtëpinë, oborrin, lumenjtë dhe përroskat e vendlindjes dhe të gjitha ato që e preokuponin. Ndoshta, frikësohej se një ditë, përtej oqeaneve s'do të mund t'i përkujtonte ato. Ai me xhelozi ngarkoi në bagazh, vendlindjen dhe e bartë me veti gjithandej nga shkon. Në mërgim kujtimet shndërrohen në vargje, të cilat „ndezen“ nga malli dhe bota e tij e brendshme sublime, shpërthejnë në ngjyra ylberi e dashurie. Vargjet e poezive janë të shkurta, të qarta, plot ndjenja sublime. Poeti nuk imponohet me shprehjen e subjektivizmit të tij, por vargut i jep një kolorit spontan të ndjenjave më të thella, mishërohet dhe balsamohet me mallin në çdo drithërimë të shpirtit. Arrin të vë lidhje të fortë me lexuesin duke ia transmetuar atij ndjenjën në formë dallge malli të dhembshëm. Edhe kafja nuk shijon ëmbël në kurbet. Për poetin, në Zelandën e Re, në qytetin, që e spërkasin në të gjitha anët valët e Paqësorit, s'ndodh asgjë përveç kujtimeve për tokën e origjinës.
------------------------------------------------------------------------------------
Drita Fejza. shkrimtare
Krijuesit që i përkushtohen atdheut janë emblema  më e bukur që mund ta përfaqësojnë vet  atë, njëri ndër ta është edhe poeti Sabit Abdyli,  i cili emigroi në Zelandën  e Re, duke marrë me veti atdheun dhe fjalën e bukur shqipe.  Vargjet të cilat  i hasim në poezinë e tij flasin për këtë. Njeriu e kupton se koha më e bukur të cilën e jeton ai është koha kur fjala e lirë të shoqëron, por poeti Sabit Abdyli, nuk i takon vetëm kohës ku liria e fjalës i ka dyert e hapura dhe mund të krijosh ashtu siç ta ndjen shpirti kur trazohet. Edhe prof. Sabiti pati fatin  e intelektualeve të cilët përjetuan luftën dhe ndan dhimbjen me popullin i cili i nxori nga gjiri i i tij dhe i skaliti nën dritën e zbehtë të robërisë duke i ushqyer me lirinë  e dëshiruar nder mote. Vargjet e Sabitit kanë nivelin e një njeriu të pjekur në rrugën e letërsisë. Motivet të cilat i ka sjellë përmes poezisë janë të njohura, por mënyra se si ka sjellë artistikisht, e bënë  të dallohet si një libër i veçantë që ja vlen të lexohet e rilexohet.

Besim Zymberi, poet
Poezia e Sabit Abdylit, prek skajet më të ndjeshme të natyrshmërisë. Një gjuhë e hapur, me një kod poetik lehtë të deshifrueshëm, poezinë e Sabit Abdylit, e vendosin në piedestalin e një niveli shumë frymëzues dhe emotiv, të përshkrimit të një mesazhi.
Zhanri i poezisë prozaike shqipe, gjithnjë është i kërcënuar me një hermetizëm letrar. Jemi dëshmitarë që në dekadat e fundit, një hermetizëm i tillë pothuaj ishte bërë edhe vetë identiteti i një zhanri të tillë!
Sabit Abdyli, duke bërë poezinë e mirëfilltë, lirisht mund të konsiderohet edhe si një luftëtar i dinjitetshëm kundër hermetizmit, si kolonë e pestë në poezinë e stilit prozaik. Sabiti, është prej poetëve që e ka kuptuar më së miri hermetizmin si një grackë  që të shpie pashmangshëm drejt improvizimit qesharak letrar-poetik.
Edhe metafora ka një kuptim adekuat në poezinë e Sabit Abdylit. Është një metaforë që nuk të lë të përpëlitesh t’ia qëllosh idesë së autorit. Është një metaforë që autorit ia ndalon luksin  të pranojë pohime interpretuese që i shkojnë për shtati vetëm pritjeve të tija artistike. Është një metaforë, që nuk e lejon autorin të ndjehet mire në një improvizim letrar.
Metafora e Sabit Abdylit, në poezinë e tij është vetë mesazhi. Sa emotiv, aq edhe i prekshëm; sa i hapur, aq edhe i thellë; sa i butë dhe elegant, aq edhe agresiv, shpotitës dhe kundërshtues; sa harmonik, aq edhe protestues…
Poezisë së Sabit Abdylit, nuk të duhet të derdhësh tru që t’ia gjesh një amfiteatër të veçantë, për ndonjë kategori të veçantë të lexuesit. Poezia e tij, mund të lexohet njëkohësisht dhe me të njëjtën lehtësi të të kuptuarit të mesazhit, nga një doktor letërsie, apo një bujk që di vetëm shkrim lexim!
Cikli i fundit prej 20 poezish, i quajtur “Xhamat e avullt” e bën Sabit Abdylin dëshmitar  të besueshëm të një tronditjeje njerëzore e kombëtare. Vetëm se, kjo dëshmi nuk është në formë të një ditari të tipit administrativ, po është një dëshmi artistike, që një periudhë historike përcaktuese, e shndërron në thellësi emotiviteti. Nëpërmjet kësaj thellësie, Sabit Abdyli nuk shpërfaqet vetëm si dëshmitar i ngjarjeve, por si një lexues që ka depërtuar perfekt në shpirtin e atyre ngjarjeve e përjetimeve.
 ------------------------------------------------------------------------------------------------------------
Bukurije Bushati, shkrimtare
Poeti Sabit Abdyli, jeton prej vitesh në Zelandën e Re, ashtu si unë prej vitesh jetoj në Gjermani, si ti dhe ai tjetri që jemi shpërndarë në të gjitha cepat e botës dhe mallin është ai që na djeg e përvëlon, për vendlindjen, për gjithçka na lidh me atë tokë, ku na nanuritën djepeve me ninullat e bjeshkëve në gjuhën e nënës, hodhëm hapat e para, thurëm aq ëndrra dhe që disa prej tyre na u prenë në mes.
Kemi gjëra të përbashkët ne emigrantët. Mallin që na djeg, kujtimet që na ulen në netët e gjata dhe herë - herë edhe ai qortim që i bëjmë vetes për largimin, për mosarritjen e bërjes së diçkaje që e dëshirojmë, por që nuk mundemi.  Nga emigrimi ndjente ai dhimbjet e  Kosovës nën peshën e Serbit. Ia skuqte syrin çdo pikë gjaku martiri dhe sytë hidhte qiellit të shihte shqiponjën për t'ia ndjerë plagën, por për t'ia parë edhe guximin. Harronte ku ishte dhe vargje shkruante bregut  për dashurinë e tij të madhe e të thellë sa vetë oqeani.
ZOG I KOPSHTIT TIM
Ditë e përditë,
Me këngë zbraz mllefin, dashurinë ...
Në çaste terri e drite.
......
Dhembjet në ardhjen e pasardhjen e lirisë,
Kthimin e madh, orën e bardhë,
Ikjen e natës, qershor '99!
Fati ynë si edhe fati i popujve të tjerë të merrnim udhët e mërgimit. Plagë kjo që gjen veten në shumë poezi poetësh emigrant. Në këtë vëllim më ra në sy edhe poezia e komunikimit mes të emigruarve dhe atyre që mbeten në vendlindje. Me një gjuhë dhe stil të thjeshtë po aq shpirtëror, që e bën aq prekëse në thirrjet me emrat e bukur shqiptar që mbajnë fëmijët, e përshkruan këtë Sabiti në poezinë:
TELEFONATË
Alo xhaxhi
Vlera jam unë
Këtu në Gjermani.
Babi dje me ngjyra blu,
Vendlindjen pikturoi.
Zgjimi, përballë tij,
Petalet e luleve,
në kopshtin e shtëpisë,
I ngjyros kuq e zi.....
Alo xhaxhi
Vlera jam unë.
Sot fillova  të qëndis një Flamur.
 Alo xhaxhi
Të ngujuara fjalët
 Pse i ke?
Në Zvicër Halla,
Në djep të Kosovës,
Bekimit ninulla shqip i këndon.
Në këto emra është ëndrra e Kosovës, shpirti e guximi i saj. Jam rrëqethur teksa e lexoja këtë poezi, detajin e gjetur bukur në të, që do të tregojë gjithnjë kohën kur ishim shqiptar jo vetëm në gjak, në atdhedashuri, mikpritje... por edhe në emra!
Është e larmishme tematika në këtë vëllim me poezi që tregon copëza jete nga Kosova të përjetuara nga poeti. Ai i kundërvihet tradhtisë, pazarllëqeve që bëhen në kurriz të Kosovës, të popullit. Ai din të paraqesë saktë fytyrën e vërtetë të serbit  dhe e ndjen deri në palcë dhimbjen e Kosovës që bëhet edhe dhimbja e tij. Poeti din t'i gëzohet lirisë. Ngre në pejdestal trimat e Kosovës, i radhit yje në qiellin e saj dhe ndjehet krenar.
Me stilin e tij të çiltër e bën lexuesin të përjetojë ato momente që përshkruhen vargjeve, të përjetoj dhimbjen, dashurinë, mallin, krenarinë... gjithçka zë vend në këtë vëllim.
E lexova këtë vëllim poezish dhe njoha diçka më shumë nga Kosova, njoha më nga afër shpirtin e poetit dhe ua lej ju lexues të humbisni në to, të bëni një udhëtim vargjesh nëpër Kosovën e bukur, të mallit, të dhimbjes e të dashurisë...
........................................................................

Ramadan Musliu, kritik letrar, studjues, poet …
Poezia e librit më të ri, Orë bukurshkrimi të Sabit Abdylit, që në leximin e parë të ngjallë një imazh që duket analog me Guernikën pikasiane: një rikonstruktim poetik i një bote të thyer  së jashtmi dhe së përbrenda. Për ta ndërtuar këtë mozaik poetik autorit i është dashtë të ketë ndjerë atë realitet të  përditshëm deri në palcë, ta ketë vështruar së jashtmi si rrënojë dhe së fundmi, i mbushur pezëm  nga dhembja, të fillojë rikontruktimin e një modeli  të idealizuar  dhe ta vë atë përballë kësaj rrënoje. Kësisoj vihen në një paralelizëm semantik dy realitetet, ai i përparshmi, prej të cilit  mbeti gërmadha, dhe tjetri, ai i imagjinatës autoriale, si komplement i tij.
Realiteti poetik dhe reagimi i vetë poetit nuk lë hapësirë për të përfshirë sa që duket se ai korrektivi imagjinativ autorial është si një lloj bukurshkrimi, rishkrim dhe riformësim i një jetë të mbyllur në figura që është edhe evokacion, por edhe kujtim që ringjallet duke marrë një trajtë të re, nga pak  sureale por aktive gjithsesi.
Realiteti poetik i librit Orë bukurshkrimi i gjithi përshkruhet nga një kromatikë gri, e cila kur semantizohet, kur e merr kuptimin në raport me sendet dhe objektet, shenjat dhe sinjalet poetike shndërrohet në një ironi e cila kap edhe skajin e groteskut.
--------------------------------------------------------

Rabije Bytyqi, poete

Ky fushëveprim është i gjërë! Kjo rrugë është e gjatë, internacionalja na bashkon të gjithëve! Që në fillim të kujtoj se të lexosh poezi të personazhëve që përmes jetës janë të lidhur edhe me poezinë, do të thotë të kesh shije, të kesh kuptim për atë që thuhet, për atë që shkruhet! Njerëzit e letrave më shumë se të tjerët duhet të bëjnë kujdes në rrugëtimin e tyre, të bëjnë kujdes edhe kur flasin edhe kur shkruajnë! Në rastin e poezive të Sabit Abdylit nuk do bëj orën e kritikës letrare, por po bëj mbështetjen time në shumë shtylla vertikale, në shtylla të drejta që për mua poezia e tij është më shumë se përpjekje poetike për të ngritur kuptimin e tij, versionin e tij mbi shumë ngjarje, mbi shumë orendi të jetës poetike shqiptare! Në këtë rast do kursehem; po pretendoj mos të bëjë “lavde, komplimente” të cilat nuk do mbaheshin mend, por po them se poezia e Sabit Abdylit ka ngjarje, ka figura objektive, të përbashkëta i ka ndjenjën edhe mallin, rënkimin dhe lirinë!Të gjitha këto ngjarje i takon në një skenë letrare, me thënie të përjetuara e të përzgjedhura nga bota jonë, në shekullin tonë, nga jeta jonë në letërsinë tonë! Aty ka realizëm, ka imagjinatë, ka vlera, ka hapësirë inkurajuese për përqendrime të reja, për vëmendje edhe më të thellë, për fushë të re, për arritje të reja! Ky fushëveprim është i gjërë! Kjo rrugë është e gjatë, internacionalja na bashkon të gjithëve!

DRITA LUSHI
ORË  BUKURSHKRIMI
Mbi librin me poezi të Sabit Abdylit
Ndërsa ky libër me ra në dorë në verё të vitit të shkuar, munda ta shfletoj e lexoj së fundmi, në prag të datëlindjes së autorit!
Sabiti jeton në Zelandën  Re, po mendja dhe shpirti, i kanë mbetur atje në vendlindje, kujtimet i zgjojnë mall, dhe malli bëhet vargje për shumëçka…
Libri ndahet në gjashtë cikle, 1- Daullet e lagura,  2 –Në kopshtin kuq e zi, 3-Ku bren miza hekur, 4- Cicmic me vetveten, 5- Në krye të vendit,  6- Fundi i përrallës!
Shtrirja kohore e poezive të përfshira në ketë libër është e gjerë, ato janë shkruar përgjatë viteve, që nga 1989, e deri në 2019, dhe tematikat po ashtu janë të ndryshme dhe të ndërthurura me gjendjen emocionale të autorit.
Poezia e Abdylit  është jo rimuese,  por në varg të lirë dhe shprehshmëria është më e gjerë në këtë formë. Përmes  poetit, shohim njeriun dhe jetën e tij, madje mё shumё se një poet, lexojmë një njeri, sepse poezia e tij është e vërtetë, reale, nuk filozofohet as ëndërrohet, ajo është fakti dhe ngjarja hedhur në vargje.
Poeti i këndon  vendlindjes, motrës, nënës, flamurit, Kosovës, Shqipërisë, tё parëve, fshatit të lindjes, kujtimeve të rinisë, pastaj vetë titulli i librit ka një titull sinjikativ “Orё bukurshkrimi”, ndoshta se kujtohen kohërat më të bukura e tё pafajshme të fёmijёrisё e rinisë, sepse ato kohëra janё një poezi e pashkruar.
Poeti shkruan, kritikon , dënon po asnjëherë nuk është aq i ashpër, ai di tё thotë me varg atë që shqetëson shumё njerëz, dhe prek vese shqetësuese, të shoqërisë.
Kur i këndon Kabashit vendlindjes se tij, ai sikur bëhet tjetër njeri,
“jete e çiltër fshatçe,

burrat fjalë pakë

nënat  rrisin fëmijët

mbështjellë me bajrak”

Poeti jo vetëm që dënon veset, por është dhe i drejtë në gjykim, dhe thotë: “të njoh e nuk mund të hesht” në poezinë “Të njoh”, duke mos bërë kompromis me veset e ndryshme, ndonëse mund t’i njoh personat;
“Kënga ishte vetë nëna” shkruana autori në poezinë dedikuar nënës, duke shprehur atë adhurim të pamatë, për qenien më të dashur në botë!
Ai ka dhe poezi përkushtim qё u kushtohen personave të veçantë me emër e mbiemër si :  R.Ymerit, B. Zymberit Kadri Luzhёs, Haxhi Muhaxherit etj. Ku shpreh, mirënjohje dhe respekt pёr veprat e tyre!
Gjithnjë autorin e shqetëson qenia larg vendit:
“…as dimri dimër

as vera verë

larg teje Kosovë

 stina e rëndë plumb

as unë nuk jam unë”
Tek poezia “Kosovë” autori ka një tempo të fuqishëm të ritmit,  fjalës dhe duket haptazi dashuria e tij e munguar, Atdheu!
Tokë e lulëkuqeve- e cilëson poeti Kosovën, vullkan, lavë e valë!
sepse “malli çan shpirtin si heshtë”-shkruan ai.
Nё poezinë “Portret njerëzish të munguar” shkruan…Nuk shitet/nuk shtiret/nuk blihet/ nuk di ç’është kleçka..”madje duket sikur e merr malli për të takuar njerëz tё tillё, që gjithnjё e mё shumë janё të rrallë!
Ndërsa mbesa diçka speciale për tё, merr krahasimet ma të bukura në vargje:
”fytyra e saj si diell mёngjesi,
magji nga qielli zbritur,
ëmbёlsirё, gurgullimё kroi në mal,
më e bukura fjalё”
Largimi nga vendi yt gjithnjё ështё një mundёsi ekonomike më shumё, por ka një kosto tё madhe sepse të mungon gjuha jote, njerzit qё flasin të njejtin alfabet si ty, vendet;
Thonë kur je larg, ke mall dhe pёr ferrat, dhe po kështu autori nuk bën perjashtim dhe e beson  plotësisht këte, kur Sabiti shkruan” Atdheu dhimbja e parë”
Ka plot poezi që mund tё veçosh nga ky libër si: Atё ditë. Kur po nisesha ushtar, Letёr, Gratë (hyjnesha qё nuk braktisin jetën, rilindin e me duart e tyre rrisin), Lule Maji, Nёnëmadhjae për tu mbyllur me “Melodijet” ku shohim njё tablo sa vetë jeta, tё dashur si rinia,të çmuar si dashuria dhe tё shtrenjtë si dhembshuria;
Është njё vëllim i plotё dhe i saktё poetik, ku ke çfare të gjesh, tё nёnvizosh, të ruash,tё rilexosh dhe të mësosh!
Gëzuar DatLindjen Poet e suksese!
Drita Lushi
Tiranë, 13 maj 2020