Friday 13 June 2014

Cikël poezish marr nga libri “Kaq mall”

Sabit Abdyli

IMAZH
Në flladin e stinës së Re
pa kthyer kryet mbrapa
i rashë kryq e tërthor Qytezës
Te Lendinë e Vogël...
buzëmbrëmjes  vrapova
kohë e korrjeve
xixëllonja asnjë për be
Në Lisnishtë varret
gur në zemër
dy gurë kam pa ngrit'
Nëna në parmak të shkallëve
shtegu i ballit vrenjtur:
“qëkur zogjtë morën  udhën
dielli i pranverës Mirë
akull i ftohtë”

FJALA
Edhe nëpër zjarr të ferrit
do të shkel.
Në kërkim të fjalës fjalë, 
 njeriut njeri.
Pasionet situr në sitë të hollë.
Bredh rrugëve të botës;
dallgëve  të kohës,
për dy gisht fytyrë ec nëpër zjarr,
nuk epem dhe fjalë nuk shkel!
 Janar, 2014

PËRTËRITJE E LEGJENDËS
Blozën ia hoqi kujtimit
Kullave pluhurin e dhembjes
Urave  kalimtarët
Vatrës zjarrit që përcëllon
Drita e një legjende
                           1989

DËSHIRË
Do të doja  të jesh qiell, 
dielli që ngrohë freskon.
Erë pranvere në vapë vere,
me hije dreke matur
mall pa hile,
më këmbë në tokë të jesh,
mendjen si kallinj gruri plotë
ta kesh!
Janar, 2014

KËNGË
Këngë e lashtësisë.
Ardhur me lashtësinë.
Flasim nën gjuhen e mëmës
Dhe qajmë të pafaj.
                    Nëntor, 2013

GASTARBAJTER
Si shpendë shtegtarë
Ikni me mall
Shtëpi keni rrugën
Udhëkryq keni jetën
Ju zogj të qiellit blu
Me mallin e kaltër të qiellit
Me sytë e përlotur             
                      1989

TË NJË KULAÇI
Në Durrës restorant "Gostivari".
Debat i nxehtë!
Kush është Shqipëria, kush është Kosova ?
Për ketë dëshmitare kam Antoninen.
Diskutuam për të përfunduar:
Thërrmijë të një kulaçi pjekur në zjarr e hi
Të një vatre
Të një oxhaku jemi
Durrës, 29 gusht 2013


PORTERT NJERËZISH TË MUNGUAR
Asnjë herë nuk harron emrin
Në gurrën e tij etjen shuan
Nuk shtiret
Nuk shitet
Nuk blihet
Nuk di kleçka  ç’është
Cicërimë  e zogut e shqetëson
Me zemër  flet e dashuron
            Auckland, korrik 2011

               NËNËMADHJA
Si shtëllungë leshi në furkë
të tashmen tjerrë
një nga një kujtimet
në bosht mbledh e dredh
 end qilima kuq e zi
të dorës së parë
me këngë aromë ftoi e molle
përkund e rritë ardhmërinë
nënë
nënëmadhe
 e tokës së lashtë
              Auckland,  27 janar 2013

DARDANINË  ZONJË
(I.R)
Në  barakë druri të premteve
alarmoi botën
i  dashuruar pas lirisë
thjeshtë  pa fjalë të mëdha
as një sharje armikut
 i ftohtë akull me kundërshtarë
projektoi rrugën e kombit
dinte çka donte
Dardaninë zonjë
as nuk vërsulej as nuk u zmbrapsej
Fjalën e fundit se thoshte të parë
ecte sigurt me te njëjta kërkesa
me të njëjta fjalë
I dashuruar pas lirisë
as njëherë nuk  u thye

                            janar 2012

ALI PODRIMJES
Vargu i tij
etjen i shuan tokës
deri te Mollë e Kuqe
 e përtej saj
 latoi gurë shtigjesh e urash Dardanisë
 ligjëroi si hisja të mos na shuhet
 e shkoi mbas Lumit tij
  22 korrik 2012

Qershori
(E. Abdylit)
Tokën stërgjyshore
E njome me djersë
Lulet trajtove si nëna fëmijën
Pemë shartove
Tridhjetë e pesë vjet
Degët e përdegura mbrapsht
I lidhe në një trung
O burrë 
              Gusht 1992

TË JESH
Të jesh njeri:
pas çdo ndërrim moti
regjimesh,
ta shikosh sy në sy të kaluarën,
pa pasur nevojë,
shikimin ta mbash ulur
as ndryshosh lëkurën.
Të jesh njeri:
sy në sy të shikosh,
të tashmen të kaluarën!
                        Prill, 2014


No comments:

Post a Comment