Monday 21 March 2016

EDHE PAS ARDHJES SË PARTIZANËVE VAZHDOI PERSEKUTIMI I SHQIPTARËVE

Melbourne, 10 dhjetor 2015
Sabedin Nuredini nga Ostreci, komuna e Manastirit është ndër mërgimtarët e parë në Australinë e largët. Sabedini edhe pse në moshë të madhe (85 vjeç) gëzon shëndet të mirë dhe autoritet në mesin e mërgimtarëve shqiptarë në Australi. Në Melbourne, më 10 dhjetor, në shtëpinë e tij, me sugjerimin e Tela dhe Rami Osmanit, për të mësuar më shumë për shqiptarët në Australi takova Sabedin Nuredinin, veprimtar i çështjes kombëtare, i ardhur në Melbourne para 6 dekadave. Me ardhjen e partizanëve në pushtet (1945), më thotë Sabedini, represioni ndaj shqiptarëve nuk u ndal. Nga fshati im (Ostrec, komuna e Manastirit) në burgjet komuniste vdiqën 11 bashkëvendës të mi. Në vitet e para mbas luftës për të mos i ra në sy UDB-es shkoja në aksione vullnetare që organizoheshin atëherë. Për shkak represionit shpërnguljet për Turqi dhe vende tjera të shqiptarëve u intensifikuan dhe vazhdoi ai, për t'i shpëtuar burgut u arratisa në Greqi. Pas qëndrimit në kamp për 15 muaj, bashkë me 6 shokë, në vitin 1959, bëmë 32 ditë rrugë me vapor deri në Australi. Këtu (Melbourne) gjetëm Llukë Qunin, Xhelal Mitrovicën, Adem Gllavicën, Rexhep Krasniqin, Isuf Utën, Hasan Ahmetin etj. Ardhjen tonë e sponzoroi Australian Concil of Churches. Mbas 4 vjet e gjysmë solla gruan dhe dy fëmijët në Australi. Gruaja ime ishte njëra ndër 7 shqiptaret e para në Melbourne. Këtu shqiptarët pa marrë parasysh rajonin e fenë prej nga vinim mblidheshim së bashku në klubin Sadik Molla të një korçari i ardhur me herët. Biseda kryesore ishte; kur do të thyente qafën komunizmi dhe kur do të ktheheshim në tokën e origjinës. Në vitin 1969 hapëm klasë të gjuhës shqipe. Nxënësit i ndamë në tri klasë sipas moshave. Mësues ishin Llukë Quni, Bahri Bregu e Palok Parala. Asnjëherë nuk pushuam në angazhimin tonë për ruajtjen e identitetit, gjuhës e traditave tona. Martesat i bënim brenda komunitetit tonë. Ndërtuam edhe xhami (1967), brenda së cilës kishim klasë të shkollës shqip. Hoxhë kishim korçarin Ismajil Murtezain, njeri i ditur dhe me taban kombëtar. Pas vitit 1967 u intensifikuan ardhjet e shqiptarëve nga rajonet shqiptare që ishin brenda kufijve të Jugosllavisë. Shqiptarët këtu si antikomunist që ishin shumica u mblodhën rreth partisë së Legalitetit. Tri herë (1969, 1971 dhe 1973) na erdhi në vizitë princi Leka Zogu. Në delegacionin që priti princin isha edhe unë. Udhëtuam gjithandej Australisë për të takuar shqiptarët. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, vazhdoi Sabedini, vizitova vendlindjen. Takova disa prej shokëve të mi. Është për të ardhur keq që Manastiri, qyteti im ku u shkollova në gjuhën serbe se shqipja ishte e ndaluar ashtu siç ishte edhe maqedonishtja në Jugosllavinë e krajlit, i banuar gjithmonë me shumicë shqiptare për shkak politikës nacionaliste kundër çdo gjëje shqiptare të sllavo-maqedonëve numri i shqiptarëve kish zbritur nën 4%. 
Jam i kënaqur me arritjet brenda familjes time këtu në Melbourne. Kam një porosi për të gjithë shqiptarët, që të lënë me një anë inatet, zënkat, ndarjet dhe të punojnë më shumë gjithë së bashku për bashkim e zhvillim në tokat shqiptare, kurse në diasporë të punojnë në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe të gjuhës, përfundoi Sabedini.
Sabit Abdyli
Në foto: Sabedin Nuredini me autorin e artikullit në shtëpinë e tij. 
Fotografoi: Rami Osmani

Thursday 10 March 2016

KABASHI HISTORI E SHKURTËR



QËNDRESA
Historia e Kabashit të Anamoravës dhe e themeluesve të tij është e bujshme, interesante dhe e dhimbshme. Kabashët u vendosën në jug të fushë-luginës së lumit Moravë rreth viteve 1780/1785.  Kabashët e ardhur nga Kabashi i vendit (Prizrenit) ishin në marrëdhënie të ngushtë gjaku e gjinie (vëllezër, kushërinj): Cena, Muqa, Veseli e Bala. Të ardhurit u vendosën te vendi ku sot janë shtëpitë e Zekir Brahim Sallahut, Ferid Haki Azemit, Rrahman Shefki Kamberit, Rrustem Faik Veselit etj., erdhën me një gjel plaçka dhe ngrehën së pari shtëpitë-kasolle të ndërtuara thjesht. Vendit, nën sovranitetin e tyre, i dhanë emërtimin Kabash, rregullat mënyrën e vet të të jetuarit dhe nuk lejonin që mbi ta të binte ndonjë hije e keqe. I zgjeruan kullosat, pronat në jug dhe juglindje. Në saje të disiplinës, punës, ata blenë edhe toka të reja pjellore në fushën e Vitisë. Ardhësve pas një kohe u bashkëngjitet edhe një apo dy familje (të kaçarremve) të ardhura nga Kabashi i vendit.  Në vitin 1848 një bijë e kabashëve vendoset në jugperëndim të fshatit (sipas haxhi Brahim Sallahut, 1913-2001). Nipat (trakalaçët) shpejt i marrin këmbët dhe bëhen krah i fortë i kabashëve.  Në gjysmën e dytë të shekullit nëntëmbëdhjetë Arif Cena - Kabashi i shkolluar në Stamboll dhe Kajro të Egjiptit kthehet në Kabash. Cena shërbeu si imam në fshat. Ai bëri përparim të madh në arsimimin e kabashëve në frymën e programit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Hoxhë Arifi gjatë gjithë jetës së tij, nuk reshti së predikuari dashurinë për kombin dhe ndjenjën për të qenë i lirë. Në vitin 1877 ai iu kundërvu rekrutimit të shqiptarëve në luftën ruso-turke në Pleven të Bullgarisë. “Nuk kemi pse të vritemi ne për të tjerët”, mbahet mend, t’u ketë thënë kabashëve, mulla Arifi (sipas Jahi Selmanit 1896-1968). Me mësimet e tij, Kabashi u konsolidua, u fisnikërua, u imponua dhe merrte pjesë në të gjitha aktivitetet që zhvilloheshin në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe formimin e shtetit shqiptar më 1912. Odat e kabashëve u bënë të njohura për mikpritje dhe ardhjet e shpeshta të burrave të fjalës e të besës nga të gjitha trevat shqiptare. Në këto oda janë zgjidhur, sqaruar konteste ndërmjet familjeve, fshatrave dhe janë pajtuar shumë gjaqe, janë mbajtur kuvende për çështjen shqiptare, janë organizuar aktivitete kundër pushtuesit osman dhe depërtimit të pushtuesve sllavë në trojet shqiptare. Gjatë viteve të para të shekullit XX, për shkak të një shuplake të vetme, nis një sherr, konflikt i përgjakshëm mes fshatrave Kabash dhe Lubishtë, me ç’rast mbetën të vrarë 24 burra. Ishin këto humbje, për hiçgjë, e njerëzve në moshën e tyre më të mirë. Me ndërhyrjen e Rrustë Kabashit (1835-1910), personalitet i njohur i kohës, u shua zjarri që përpiu 24 burra. Në vitet që pasuan 1907/1912 në odat e kabashëve u dendësuan hyrjet dhe daljet e prijësve shqiptarë të kohës, sidomos në odën e Adem e Mustafë Kabashit. Po bëheshin përgatitjet për luftë.
Pamje e Kabashit ne vitin 1960. Fotografoi Isa Ruhan Abdyli - Kabashi

LUFTA
Nën komandën e Adem e Mustafë Arif Kabashit, në kryengritjen e 1910-s, te Gryka e Kaçanikut, morën pjesë gati të gjithë kabashët e moshës madhore, si: Halit Brahim Muçaj, Brahim Cenaj, Maliq Kaçarremi, Ymer Cenaj,  Qerim Mehmetukaj, Shabi Muçaj, Rexhep Çaushi Veselaj, Zenun Çaushi - Veselaj, Januz Balaj, Halil Balaj, Misin Cenaj, Abdyl  Trakalaçi etj. Në këtë kryengritje, që ishte një ndër kryengritjet më “të koordinuara prej krerëve shqiptarë nga të gjitha anët e Kosovës”, (Noel Malcolm, Histori e shkurtër e Kosovës, Prishtinë, 2001, faqe 251), vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi janë të parët që më 23. IV. 1910 “.... e shtinë në dorë pikën e rëndësishme strategjike, Grykën e Kaçanikut.” (Dr. Sabit Uka, Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, 5, Prishtinë, 1995, faqe 231).   Kryengritësit shqiptarë u qëndruan sulmeve të ushtrisë turke, ndonëse Shefqet Turgut Pasha kish urdhëruar që artileria t’i sulmonte fshatrat e rrethit ku kishte vetëm gra, fëmijë e pleq. Këtë e kishte bërë për t’i shpërqendruar kryengritësit nga Gryka e Kaçanikut. Pastaj tri batalione të ushtrisë turke u dalin prapa shpine kryengritësve, duke sulmuar në shumë drejtime. Batalioni, nën komandën e Osman Pashës, “me ndihmën e fshatarëve serbë dhe të mësuesve serbë... ” vepra e përmendur “Histori e shkurtër e Kosovës”, Noel Malcolm) depërtuan dhiareve (rrugicave) të fshehta malore drejt luginës së Moravës. “Luftimet qenë të përgjakshme në fshatrat: Kabash, Lubishtë, Binçë ...”  (Shukri Rahimi, “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969, faqe 144) Kryengritësit me ngut, në mesin e tyre edhe kabashët, u detyruan të ktheheshin për t’u vënë në mbrojtje të fshatit të tyre. Lufta për jetë a vdekje zhvillohej krejt afër fshatit. Krismat e armëve dëgjoheshin edhe në Kabash. Forcave kryengritëse iu bashkëngjitën edhe kabashë të tjerë. Kabashët duke njohur çdo pëllëmbë të terrenit, duke pasur udhëheqës me përvojë të madhe luftarake, si: Adem e Mustafë Kabashin dhe në bashkëveprim me kryengritësit e fshatrave të tjera, u shkaktuan humbje të mëdha turqve. Kryengritësit shqiptarë, sado trima që ishin, për mungesë të municionit të bollshëm, teknikës ushtarake dhe vonesës së ardhjes së forcave nga rajonet tjera, u detyruan të zmbrapseshin. Pas depërtimit të forcave të Osman Pashës në fshatrat e Moravës, turqit e zbrazën tërë mllefin, egërsinë e tyre me seri sulmesh, vrasjesh, bastisjesh, burgosjesh të urryera kundër civilëve, për humbjet që i kishin pësuar nga kryengritësit shqiptarë. Shtëpisë, odës, stallës dhe mullarëve të sanës së Adem e Mustafë Kabashit ia shtinë flakën. Të gjitha këto i bënë shkrumb e hi. U dogj oda më në zë në Anamoravë. U shkatërrua hapësira, logu që shfrytëzohej për kalërimin e kuajve të racës, në afërsi të odës, aty ku janë sot shtëpitë e Marjanit, Serafinit..., përgjatë rrugës që shkon për në Sumullore. Logu ishte i pajisur me të gjitha mjetet për stërvitje të kalorësisë, tamam si një poligon i vërtetë ushtarak. Odën e kishin ndërtuar mjeshtrit e njohur të asaj kohe, të ardhur nga Dibra e Madhe. Haxhi Isuf Mustafa - Kabashi 1900 -1982, nip i mulla Arifit, tregonte se njëri prej ustallarëve dibranë, gjatë ndërtimit të odës sëmurët dhe vdes në Kabash. Ai varroset në varrezat e Kabashit me të gjitha ceremonitë fetare dhe për një muaj rresht gjyshi Arifi e mbajti derën hapur për ngushëllime. Në këtë odë ishin pritur e përcjellë me bujari krerët e Lëvizjes, si: Bajram Curri, Rrustë Kabashi, Idriz Seferi etj. Librat dhe dokumentet e tjera personale të atdhetarit Arif Kabashi u konfiskuan dhe u dogjën. Zjarri nuk u shua me ditë të tëra. Shumica e kabashëve u arratisën në mal, ose u fshehën te miqtë.  Ata që u zunë, u burgosën dhe pas pak ditësh u nxorën para gjyqit në Gjilan, Adem e Mustafë Arif Cenaj - Kabashi dhe Brahim Ahmet Cenaj - Kabashi u vranë me tradhti, kurse Ibish Jakup Cenaj – Kabashi u plagos në gjysmën e parë të muajit maj 1910, i rrethuan trimat te vendi i quajtur Shkitza, në pronën e tyre (sot, vendi mbi shtëpitë e Gashëve, 1 km larg fshatit, nga mund të shihej fshati si në pëllëmbë të dorës), herët pa zbardhur drita dhe i vranë në gjumë. Trupat pa jetë të kolosëve të Lëvizjes për Çlirimin Kombëtar i lidhën me shokat e tyre për këmbësh dhe i tërhoqën zvarrë mespërmes fshatit. Në qendër të Kabashit, në praninë oficerëve e ushtarëve turq, grave e fëmijëve të fshatit, nëna e Brahimit u afrohet trimave të shtrirë rrah për toke, përkulet lehtë mbi ta, i përqafon, ua rregullon mitanët e shkopsitur, këmishët e zhubravitura e të gjakosura, ua mbulon fytyrat trimave me shërvete, i hallallon dhe sikur të ishin të gjallë, flet me ta: “Lufta vret, po këta katilë të pabesë ju vranë në besë! He, medet!!” U ngrit në këmbë dhe me lotët që i ndrinin në sy, i drejtohet zabitit osman: “I vratë me tradhti bre, u shofshi me farë e me fis, jarebi! Ptu, po milet i fëlliqët ishi kanë! ” Ushtarët turq, i trembi nëma e nënës shqiptare, i la pa mend qëndrimi i saj dhe,  me ngut, sipas urdhrit,  të vrarit i ngarkuan në qerre tërheqëse, por këmbët u mbetën jashtë,  sepse trina  ishte e shkurtër për trupat e tyre muskulorë e të mëdhenj dhe i nisën në drejtim të Gjilanit. Për qëndrimin atdhetar dhe luftën  kundër pushtuesit, vëllezërit Adem e Mustafë Arif  Cenaj - Kabashi, mbeten emra  të nderuar në Anamoravë dhe më gjerë. Kjo humbje e madhe e tronditi Kabashin. Kabashët e patën vështirë për ta vazhduar luftën, por megjithatë edhe pa strategët e shquar qëndresa vazhdoi. Në luftën për çlirimin e Shkupit, gusht – korrik 1912, kabashët, të udhëhequr nga luftëtari tashmë i rryem, Halit Brahim Muçaj - Kabashi 1874 - 1949 ishin ndër kryengritësit e parë që depërtuan nga rajoni i Moravës së Epërme në Shkup.    Gjatë ekspeditës ndëshkuese maj-qershor të vitit 1910 për kapjen, likuidimin e kryengritësve të fshatit Kabash, turqit nuk arritën ta shtinin në dorë kryengritësin Januz Balën – Kabashin 1865- ?, i cili diti t’u shmangej asqerëve turq. Turqit në shenjë hakmarrjeje, familjen e Januzit me të gjithë anëtarët e saj e internojnë.
SA U THYE NJË OKUPATOR ERDHI TJETRI
Me shpërbërjen e perandorisë turke në vitin 1912, trupat serbe e pushtuan Kosovën. Me të arritur në Kosovë: “Oficerët serbë (shkruan New York Times, 31 dhjetor 1912), urdhëruan mënyrën më  efikase për t’i paqësuar shqiptarët, pra zhdukjen e tyre totale. Në shumë fshatra i digjnin shtëpitë. Kur banorët e pafat përpiqeshin t’i shpëtonin flakës, vriteshin si minjtë. Burrat vriteshin para grave dhe fëmijëve. Pastaj, ata i detyronin gratë që t’i shikonin fëmijët e tyre, kur ata brutalisht i thernin me bajoneta.” (Joran Vaseniusi “Sëmundja mistike”, Prishtinë, 2009, faqe 12, përktheu nga suedishtja Hamit Gurguri).  Planeve serbe për zhdukjen sistematike të shqiptarëve nuk i shpëtuan as kabashët. Në pjesën e dytë të muajit tetor të vitit 1913, një grup kaçakësh të udhëhequr nga Rrustem Januz Kabashi (1891-1914)  zbresin nga mali në katund,  hetohen nga rojat serbe dhe thirrjeve të tyre për t’u dorëzuar, për të treguar se kush janë, kaçakët u kundërpërgjigjen me armë, duke vrarë dy serbë. Ngjarja ndodh në mbrëmje vonë, në anën perëndimore të xhamisë së fshatit, në largësi prej 20 metrash. Dikush prej kabashëve e alarmon fshatin për rrezikun pas vrasjeve të serbëve duke bërtitur rrugëve të fshatit: “Hiqni o katund, nji sahat e ma parë, se veç sa nuk na kanë ra shkijet!” (Lëshoni shtëpitë, dilni prej tyre një orë e më parë (sa më shpejt)  se veç sa nuk na kanë sulmuar serbët.) Sipas Ruhan Abdylit 1906-1983. Nga frika se do të shpalleshin fajtorë edhe ata kabashë, që dëgjuan për rrezikun, nuk dolën nga shtëpitë. Pushtuesi serb me kohë e priste një rast të këtillë për t’i shfryrë epshet shoviniste mbi kabashët’ për t’ia ndërruar pamjen etnike fshatit.  Atë natë u rrethua i tërë fshati nga forca të shumëfishta të xhandarmërisë, ushtrisë dhe civilëve serbë. Sipas dëshmive të atyre që mbetën gjallë, që e përjetuan llahtarinë, në mëngjes të asaj vjeshte u arrestuan të gjithë meshkujt mbi moshën 15-vjeçare. Së pari të arrestuarit i ngujuan në xhaminë e fshatit, me pretekst se janë duke bërë hetime. Po atë ditë të arrestuarit i dërgojnë (i ngujojnë) te Kulla e Mbretit në Viti. Kulla ishte te udhëkryqi ku ndahet rruga, që vjen prej mëhallës së debelldasve, për te tregu i sotëm i pemë-perimeve. Këtë kullë para 1912-tës e shfrytëzonte xhandarmëria turke, kurse më vonë xhandarmëria serbe si postëkomandë. Atë që nuk arriti ta bënte ushtria serbe më 1912, siç veproi në fshatrat fqinje, kur u dogjën, u masakruan, u pushkatuan edhe fëmijët: në Smirë, në Goshicë, në Lugishtë (Lubishtë), në Mogillë, në Mollëkuq (Trestenik) etj., ky rast u desh të shfrytëzohej që t’i zhdukte nga faqja e dheut banorët e fshatit kryeneç, të cilët në vitin 1912 kishin shpëtuar vetëm me një të vrarë (Vesel Hasanin 43 vjeç) dhe të “realizohej plani i Serbisë për kolonizimin, më mirë të thuhet për serbizimin e vendeve ku popullata ishte më tepër shqiptare” * Dr. Millovan Obradoviq, Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë, 1918-1941, Prishtinë, faqe 5.  Fshati ende nuk kishte arritur t’i shëronte plagët që ia kishte shkaktuar Shefqet Turgut Pasha (1910), kur u dogj gati gjysma e fshatit dhe u vranë me tradhti, vëllezërit Adem e Mustafë Kabashi, frymëzues, organizatorë dhe pjesëmarrës të luftës në Grykën e Kaçanikut dhe në Luginën e Moravës kundër Turgut Pashës, dhe ja tani erdhi okupatori tjetër edhe më i egër e më mizor. “Atëherë, Kabashi kishte 424 banorë ... “(Z. Rexhepi “Kabashi i Anamoravës së Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 12). Në Kullën e Mbretit të arrestuarit u mbajtën dy ditë. Ditën e tretë, në mbrëmje, në këmbë, të lidhur me shoka të të arrestuarve, dorë për dore, dy nga dy dhe me forca të mëdha sigurie, i nisin për në Gjilan. Kështu i gënjenin të burgosurit, sikur në Gjilan do t’i nxirrnin para gjyqit të “drejtësisë”. Kurse në anën tjetër ata e kishin përgatitur humnerën ku do t’i masakronin. Fshatit ia vunë zjarrin. U dogjën të gjitha shtëpitë, plevicat, gardhiqet, me përjashtim të dy shtëpive, të cilat i përballuan zjarrit ose u lanë me qëllim (shtëpia e Rexhep Çaushit dhe ajo e Hetem Hasanit). Në plevica, ku ishin fshehur, u dogjën Qazim Shabani, 20-vjeçar, Rrustem e Shaban Sallahu, njëri 19 e tjetri 17-vjeçar në praninë e nënës së tyre, e cila u kacafyt me xhandarët për t’i shpëtuar djemtë, Ibish Jakupi, 48-vjeçar u vra në fshat, Agush Ahmeti, 30 vjeçar po ashtu u vra në dalje të fshatit. Murat Salih Abdylin, 50-vjeçar, të sëmurë, veshur në këmishë e done (brekë), e vret shërbëtori i dikurshëm i tij, pasi e lirojnë si të sëmurë. I vrari u varros në vendin e ngjarjes, 300-350 metra larg Kullës, skaj rrugës në hyrje të fshatit Kabash, 30 m. afër mullirit të Miftijajve, bash te bërryli ku është ndërtuar tash pompa e benzenit. Fshati u plaçkit. Të gjitha gjërat e vlefshme u grabitën: pajën e nuseve e të vajzave, bulmetin, fasulen, dimërishtat e rezervuara, misrin, grurin... Dyert e oborreve, hambarët, qerret deri vonë janë vërejtur në shtëpitë e plaçkitësve në Viti, në Binçë, në Vërbovcë e në Kllokot.  Jahi Selmani (1896-1968), person i cili i shpëtoi pushkatimit, pas shumë vitesh, në rrojtoren e Misin Kabashit, në Gjilan, Gata Veleshanit nga Velekinca, xhelat në plojën  e madhe të kabashëve, ia ka parë në dorë kutinë e argjendtë për duhan dhe qelibarin e Aziz Abdylit (hoxhë i fshatit, i pushkatuar). Çfarë mjerimi, të vrarët janë plaçkitur!  Plaçkitësit i morën me vete të gjitha, duke lënë pas vetëm vajin e nënave për djemtë, vajin e nuseve për burrat, vajin e fëmijëve për prindërit dhe mallkimin e grave drejtuar vrasësve, barbarëve. Fshatit i vinte era shkrumb me javë të  tëra. Gjëma e të vrarëve u dëgjua me ditë të tëra. U vranë, u therën me thika dhe u groposën aty 54 veta, (ndoshta edhe më shumë) disa për së gjalli, në një humnerë të përgatitur më parë te Zabeli i Sahit Agës, në afërsi të Kllokotit (tash pronë e Banjës së Kllokotit). Sipas Jahi Selmanit, i cili e pa me sy ngjarjen, aty ku u masakruan bashkëvendësit e tij thoshte se pas thirrjes së Rexhep Çaushit (1850-1913), i cili megjithëse që ishte i sëmurë (“...serbët e kishin marrë thuaja nga shtrati...” (Z. Rexhepi “Kabashi i Anamoravës së Epërme”, Prishtinë, 2003, faqe 57)   gjeti forcë, me atë zërin e tij pushkë, tërë nerv e shpërthyes si dikur në luftën e vitit 1910 kundër ushtrisë turke në Kaçanik dhe fshatrat e Moravës së Epërme për t’u dhënë zemër kabashëve: “Qëndroni vllazën, mos u dorëzoni ... kundër anmikut duhet me luftue edhe me duer lidhun!”. Pas thirrjes së tij për qëndresë, shpërtheu një revoltë e rrufeshme, u krijua një rrëmujë e pështjellim i përzier me krisma pushkësh e britma shurdhuese. Shkijet të tmerruar nga revolta e të arrestuarve e humbin kontrollin dhe filluan të shtinin pa ndërpre mbi të lidhurit. Gjatë rrëmujës thuhet se ka pasur të vrarë  edhe xhandarë. Në saje të këtij kundërshtimi të paparë, arritën të shpëtonin gjallë, përveç Jahi Selamnit edhe, Feriz Osmani, Ramë Kaçarremi, Deli Muçaj dhe Qerim Mehmetuka. Në mesin e të vrarëve pati edhe mysafirë që u gjetën atë natë të kobshme në odën e Sylë Jasharit. Ata ishin tre veta, njëri prej tyre dhëndër i xha Sylës nga Ballanca, fshat në komunën e Vitisë. Në këtë plojë u vra edhe një mysafir tjetër nga Mogilla, Misin Luzha. Fshati mbeti në duar të grave dhe fëmijëve. Shumica e nënave i rritën fëmijët në gjini, për t’u kthyer pas tre vjetësh, e për të rifilluar jetën në fshatin e djegur. Me mund të madh arritën t’i shëronin plagët sadopak dhe t’u dilnin zot trojeve që ua lanë amanet të parët. Ata nuk i harruan fjalët, mesazhin e Bajram Currit, Isa Boletinit, Mustafë Kabashit, në vitin 1909 para se të çlirohej Shkupi, ku qëndruan dy net në Kabash për ta mobilizuar popullin në luftë kundër turqve. Që atëherë u kishin thënë të tubuarve në oborrin e xhamisë së fshatit: “Ky truall është i yni. Ta ruajmë e ta mbrojmë si sytë e ballit” (Sipas Saqip Misin Salihut 1882-1961). Peripecitë nuk kanë të sosur. Duhej të ndërtoheshin shtëpitë dhe gjithçka tjetër që u nevojitej për jetë. Disa familje u shuan, disa të tjera u shpërngulën në Turqi.  Pastaj filloi kolonizimi i fshatit me serbë të ardhur nga Vllasina. Toka u merret, po dëshira për të jetuar në trojet e të parëve vazhdon me ngulm.  
KOLONIZIMI
Kolonizimi i fshatit Kabash filloi që në vitin 1914, menjëherë pas Dekretligjit të qeverisë së Serbisë për popullimin e territoreve të “çliruara” nga Turqia me popullsi sllave. “Dekretligji u nxor më 20 shkurt 1914 dhe u plotësua me 9 maj 1914” (Dr. Millovan Obradoviq, Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1918-1941, Prishtinë, 1981, faqe 24). Ideja për kolonizim ishte e vjetër. Që në vitin 1912 fillon politika asimiluese me qëllim që të shtrëngoheshin shqiptarët për ta braktisur Kosovën. Organet lokale serbe kishin urdhra nga më të ndryshmet: rritja e tatimeve, marrja e tokave, e shtëpive, mit marrja, dënimet e rënda pa përfillur as ligjet, që i kishin në fuqi kur bëhej fjalë për popullsinë shqiptare. “Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve, më mirë të mos përmenden; që atëherë urdhri i ditës ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë – jo vetëm që lejohet, por kërkohet dhe urdhërohet.” (Noel Malcolm “Kosova një histori e shkurtër”, Faqe 265) “Mbërritja e malësorëve (kolonistëve) malazias në Kosovë sipas traditave të tyre ushtarake lajmërohej me të shtëna armësh dhe, herë-herë, me masakra të banorëve shqiptarë, tokën e të cilëve ata e zaptonin.” (Bato Tomasheviç, “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, Onufri, 2009, Tiranë, faqe 20). Me praktika nga më të egra naziste u bënë pushkatime të popullsisë vendëse pa kursyer as fëmijët, gratë dhe pleqtë. U dogjën fshatra të tëra, ashtu siç u dogj edhe fshati Kabash. Kjo bëhej me të vetmin qëllim që me pastrime etnike të krijohej hapësirë sa më e madhe për kolonët nga Serbia, Mali  i Zi, Kroacia dhe Bosnje Hrcegovina. Pushtetmbajtësit bënin gara se kush do të shpërngulte më tepër shqiptarë, se kush do t’i kontribuonte më shumë ndërrimit të strukturës demografike të Kosovës, se kush do ta bënte më tepër që të dukej Kosova “tokë e shenjtërisë serbe”.  Presionet ishin të egra dhe të përhershme. Në këto rrethana dhune  e represioni kabashët filluan të shpërnguleshin në dy drejtime: Turqi dhe Shqipëri. Kabashët, lanë shtëpitë, tokat gjithçka që ishte e tyre dhe me nga një bohshçe në shpinë, u nisën nga sytë këmbët. Disa familje arritën të shkonin në Anadoll (Turqi), kurse shumica e familjeve mbetën me vite të tëra në Shkup, duke pritur viskat (vizat) për në Turqi.  Me shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, rruga për Turqi u mbyll. Kabashët, në vitin 1917 kthehen prapë në Kabash. Ata kthehen në shtëpitë e tyre, pasi uzurpuesit e  shtëpive, e tokave nuk kishin dhënë asnjë dinar, me përjashtim të disave që kishin dhënë vetëm kaparin. Intensiteti i ardhjes së kolonëve serbë  vazhdoi me ritëm edhe më të shpejtuar pas ripushtimit të dytë serb në vitit 1918. Kolonët ishin nga Vllasina, që të gjithë serbë. “Në Kabash u vendosën 34 familje kolone.” (Dr. Millovan Obradoviq “Reforma agrare ... “, faqe 343). Kështu ata ua morën kabashëve utrinat, malet, livadhet dhe tokën e punueshme që e kishin paguar me florinj. Kolonët të ndihmuar me vegla për punimin e tokës, të liruar nga tatimet dhe të stimuluar nga shteti, arritën të mëkëmbeshin shumë shpejt. Kabashët u bënë argatë në tokat e tyre. Në verën e vitit 1914 ushtria bullgare pushtoi pjesën juglindore dhe jugore të Kosovës. Në zonat e pushtuara, ku ndodhej edhe Kabashi, bullgarët vazhduan me represione dhe krime mbi popullsinë shqiptare. Gjatë okupimit bullgar ose siç thonë kabashët: “në kohën e bugarit t’parë”, familjet e kabashëve, që nuk kishin mundur t’i siguronin viskat për në Turqi u kthyen nga Shkupi. Në vitin 1918 ikën okupatori bullgar, erdh “serpi i dytë”. Pushtuesi serbë duke përdor mekanizmat shtetërore: policinë, ushtrinë, çetat vullnetare të specializuara për vrasje e terror dhe në bashkëveprim të përhershëm me krerët e kishës ortodokse, Akademinë Serbe të Shkencave dhe popullatën  e saj vazhdoi me politikën  shoviniste e kriminale kundër shqiptarëve. Me ndihmën e qarqeve shoviniste ortodokse ruse e greke, serbët krimet mizore, gjenocidin i fshihnin nga opinioni evropian dhe ai botëror. Për 22 vjet të ekzistencës së saj monarkia serbe pamëshirshëm  terrorizoi popullsinë shqiptare. Nga represioni serb, në vitin 1927, emigrojnë në Turqi edhe familjet Ymeraj (Cenaj), ndërkaq dy vjet më vonë shpërngulën familjet e Hasan Brahim Kabashit, Rexhep e Ahmet Agush Kabashit dhe Hamdi Nezir Kabashit (Cenaj). Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave në rajonin e Vitisë krijohet një gjendje anarkie  rreth caktimit të kufirit mes Italisë dhe Bullgarisë. Kaçaku Tafë (Mustafë) Kabashi (19111943) zbret nga mali dhe me forcë e pushton ndërtesën e xhandarmerisë serbe në Viti, formon një formacion policësh vullnetarë, dhe vetë vihet në krye të vullnetarëve. Ky formacion policësh mbajti rregull me aq sa mundi deri në ardhjen e forcave të okupatorit.  Maj 1941, Vitia me rrethinë prapë bie nën okupimin bullgar. “Në kohën e bugarit t’dytë” 1941-1944, familjet bullgare të  ardhura në Kabash që në vitin 1914/15 nga rrethina e Surdulicës në krye me Janë Bugarin, në bashkëveprim me pushtuesin, tri vjet me radhë, keqtrajtuan e plaçkitën popullsinë vendase. Nga dhuna e presioni familje të tëra të kabashëve ishin arratisur matan kufirit në fshatrat fqinje; Smirë Komogllavë, Merasal, Perlepnicë, Bresalc, Gjilan etj. Në zonën e lirë, që quhej Shqipëria e madhe. “Tanët (Kabashët), sa ishim matan kufinit (në zonën e lirë), tregonte Xhemajl Azizi 19091987,  u patën ba gati me vra Janë Bugarin se bajke (bënte) shumë zullum në katund (Kabash), po baci Hamdi (Hamdi Nezir Kabashi 1895-1945) nuk i ka psa lanë. Nuk ban, ju thotë: “Se bugarët e kallin krejt katundin me çka ka. Se sa për Janë Bugarin, që i tutna, tash shkoj, në thes e shti dhe të gjallë e bie këtu para jush.”  Më 5 shtator 1944 theu qafën  pushtuesi bullgar. Vargjet me të cilat Engjëll Zefi nga Stublla e përshkroi ikjen e bullgarëve edhe sot mbahen mend:  Thotë Bugari tuka tuka (këtu, këtu) N’ket Shipni, ma s’haet buka. S’haet buka, s’pihet rakia. Begaj, begaj (ik, ik) kah Sofija.  Pushtetin në Viti e morën shqiptarët. Kryetar komune emërohet Hasan Brahim Kabashi. Serbët, të vetëdijshëm për krimet që kishin bërë në fshatrat e komunës së Vitisë, sidomos në vitet 1912-1913 (kishin masakruar mbi 350 shqiptarë), u tmerruan nga ardhja në pushtet e shqiptarëve, por kryetari Hasan Kabashi, i njohur për dinjitet e sedër të madhe shqiptarie, gjatë gjithë kohës sa ishte kryetar, vuri rend e disiplinë dhe nuk lejoi hakmarrje, plaçkitje e shkatërrime. Me ardhjen e partizanëve (nëntor 1944) shumë kabashë të prirë nga Hasan Brahim Kabashi dalin në mal për të vazhduar rezistencën kundër pushtuesit të vjetër, por tash me emër të ri (partizan) dhe formojnë njësi të reja luftarake, të cilat për një kohë të shkurtër u rritën në batalione. Hasan Kabashi me Jahi Selmanin e kabashë të tjerë, në dhjetor të vitit 1944, zbret nga malet dhe natën për dritë të hënës hyjnë në Viti, i afrohen ndërtesës ku ishte selia e Komandës, e çarmatosin rojën, ngjiten shkallëve në katin e dytë,  me shqelma e hapin derën dhe me armët ngrehur futen rrufeshëm në zyrën e Komandës serbe.  Aksioni ishte menduar për t’i kërcënuar, paralajmëruar çetniko-prtizanët të hiqnin dorë nga dhuna që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare.  Ja si e përshkruan ngjarjen Jahi Selmani (1896-1968), pjesëmarrës i aksionit: ”Kur hymë brenda, komandanti partizan dhe bashkëpunëtorët e tij, të zanun në befasi, vikaten (bërtitën): “Lele majko! (Kuku nanë...)! I çuen duert nalt dhe i ranë te kamt Hasanit: “Aman Hasan aga, në dorën tande e të Zotit!” – “Nalni kukamat! –  u vikati Hasani - Nuk kam ardh me ju vra, po kam ardh me ju thanë: Boll keni vra shqiptarë,  prej sodit, po bani vaki me vra veç nji shqiptar, kemi me ju kall me krejt çka kini”.  “Po të betohem Hasan aga, në kryq e fëmijë, në krejt çka kam se, nuk ka me pas ma vrasje, krejt kemi me kanë të barabartë, si shqiptari, si serbi.”- foli komandanti serb tue u dridh prej tutës. Hasani nuk e zgjati muhabetin ma shumë. Në dalje, poshtë shkallëve, e zgidhëm (liruam) rojën serbe dhe u kthyem në pozicionet tona në mal”. Në vitin në vijim, janar 1945, partizano-çetnikët nuk e mbajtën fjalën që ia kishin dhënë Hasan Kabashit, mizorisht e ekzekutojnë Shaban Zeqirin në dalje të fshatit, pasi që më parë me dhunë e nxjerrin nga shtëpia. Po atë ditë, serbët torturojnë Saqip Misinin, Ruhan Abdylin ...  hyjnë me dhunë në shtëpi të Ramë  Januzit, të mllefosur pse nuk e gjejnë Ramën e rrahin të birin e tij, Rrustemin 14 vjeç.  Në  shkurt-mars 1945 “pushteti popullor” nën akuzën se kishin luftuar kundër njësive partizane në malet e Karadakut burgosi këta kabashë: Ahmet Zenunin, Shefki Kamberin, Nazmi Deliun, Isuf Mustafën, Jahi Selamnin, Hashim Muratin, Haxhë e Haki Azemin, Ahmet Zenunin, Xhemajl Azizin, dhe Ismajl Caushin Me nderhyrjen e Hasan dhe Rexhep Kabashit te komandanti i Komandës lokale, Millun Popoviqit (me kombësi malazias) në Buzovik, të cilin e kërcënojnë: “... po vazhduat me arrestime, dhunë e vrasje të shqiptarëve, mbahuni mirë... nuk kemi me ju lanë me dal as n’ara, as n’mal...  armë kemi edhe na!” Të nesërmen, me intervenimin e Komandantit malazias, i cili e mbajti fjalën, të burgosurit lirohen. Më 18 prill 1945 në malet e Kopilaçës në përleshjen me brigadat partizane vritet Hamdi Kabashi me djalin Bajramin. Forcat balliste, në kushtet e një rrethimi pothuaj pa rrugëdalje, në fund të vitit 1945 vendosin të arratisen në tokën greke. Duke kaluar kufirin në Kranj të Maqedonisë, me 28 nëntor 1945, plagoset për vdekje komandant Hasani, kurse në Follorinë të Greqisë, në pjesën e dytë të dhjetorit, vdes Rexhep Kabashi. Me gjithë premtimet e “pushtetit popullor” se edhe shqiptarët kanë për t’i gëzuar të drejtat kombëtare, kjo nuk ndodhi. Të drejtat e tyre u nëpërkëmbën edhe më tej. Vërtet. Skamje e fukarallëk. Kam pasur rast të dëgjoj me dhjetëra herë se në emër të grumbullimit të ”tepricave” për viset e tjera “të varfra”, edhe miellin në magje ua ka  marrë “pushteti popullor” familjeve shqiptare në Kabash. Strukturat serbo-jugosllave edhe në rrethana të “pushtetit popullor” .... vazhduan rrënimin e qenies etnike dhe shoqërore të shqiptarëve “në përputhje me frymën e memorandumeve të akademikëve serbë” (Jusuf Buxhovi, “Kthesa historike 3”, Prishtinë, 2009, faqe 362) dhe  asnjëherë nuk u ndalën me barbaritë e tyre gjenocidale, duke hapur dosje e duke organizuar gjykime kundër shqiptarëve me pretekst dyshimi dhe veprimtari kundër shtetit. Kështu edhe në Kabash, në maj të vitit 1952, arrestohen: Gjemajl Aziz Azizi 1909-1987, Jahi Elez Selmani 1895-1968, Smajl Elez Selmani 1904-1984, Sylejman Rexhep Agushi 1931-2004 dhe Gjemajl Osmani 1905-1970, të akuzuar se kishin strehuar: Rexhep e Ahmet Agush Kabashin, Shaqir Xhemë Kabashin, Beqir Bajgorën kuadro diversantë anglo-amerikanë që kishin hyrë në Shqipëri për ta përmbysur regjimin komunist të Enverë Hoxhës. Gjemajl Azizi dënohet me 10 vjet burg, Sylejman Rexhep Agushi me 8 vjet burg, kurse vëllezërit Jahi e Isamjl Elez Selamani me nga 6 vjet burg. Gjemajl Osmani lirohet. Regjimi komunist  në janar-shkurt të vitit 1956 gjatë Aksioni famëkeq për grumbullimin e armëve, udbashët Novica Gjokiq, Vesko Veselinoviq etj. rrahën e torturuan deri në alivanosje: Fetah Halitin, Ramë Januzin, Nazmi Deliun, Smajl Selmanin, Hasan Hasanin, Baki Zeqirin, Ilmi Trakalaçin etj. Fetah Haliti dhe Ramë Januzi nga pasojat e dhunës çnjerëzore që  ushtruan  policët e “pushtetit popullor” mbi ta, vdiqën. Vitet 1945-1960 ishin të vështira për popullsinë shqiptare. Terrori dhe shtypja policore vazhduan gati me të njëjtin intensitet si në Jugosllavinë mbretërore, por tash, në Jugosllavinë e re socialiste, kjo bëhej në mënyrë më perfide, dinake sepse mbulohej me propagandën e zhurmshme komuniste. Parullat për bashkim-vëllazërim rehabilitonin krimet gjatë luftës së porsapërfunduar, mbulonin krimet  e nisura, ndërsa për krimet e vjetra ishte e ndaluar të flitej. “Kosova ishte e vetmja pjesë e vendit (Jugosllavisë Socialiste), ku kishte më shumë burgje e kazerma sesa shkolla! Vetëm gjatë viteve 1946-1966 u detyruan 100.000 shqiptarë të emigronin në Turqi.” (Joran Vaseniusi,”Sëmundja mistike”, Prishtine, 2009, faqe 13). Për dy dekada rresht aparati i partisë dhe sigurimit shtetëror në Kosovë ishte i rezervuar vetëm për serbë e malazez. “Fushata kundër intelektualëve shqiptarë dhe kulturës shqiptare fillon menjëherë pas luftës, por përmasat e ashpra do t’i fitojë nga viti 1949 e deri në vitet e gjashtëdhjeta, me të cilat fillojnë të rrënohen edhe ato pak rezultate që kishte sjellë emancipimi arsimor me hapjen e shkollave fillore në gjuhën shqipe...” (Jusuf Buxhovi, “Kthesa historike 3’, Prishtinë, 2009, faqe 365).  Rreth viteve ‘60 të shekullit XX, sidomos pas rënies së Aleksandër Rankoviqit 1966, kolonët serbë dhe ato pak familje bullgare pasuritë e patundshme që ua kishin marrë vendësve filluan t’ua shisnin për para të majme ardhësve nga vendbanimet malore të Karadakut dhe vendësve kabashë. Kabashët u detyruan për herë të dytë ta paguanin tokën që dikur ishte e tyre.   Në prag të viteve ‘70 në Kosovë u bënë ndryshime të ndjeshme pozitive: u hap Universiteti, u arrit  fitorja e  përdorimit të lirë të simboleve kombëtare, u ndal paksa persekutimi e ndjekja e theksuar e shqiptarëve,  shkolla shqipe nisi  një  ecje ca më të mbarë, një rritje ca më të shpejtë. Në shkollën fillore të qytezës së Vitisë u shtua numri i nxënësve, i arsimtarëve, i klasave,  u hapën paralelet e para të gjimnazit, paralele këto në kuadër të gjimnazit “Zenel Hajdini” në Gjilan,  diplomohet gjenerata e parë e nxënësve shqiptarë të shkollës së mesme bujqësore me mësim në gjuhën shqipe. Pati një ngjallje të furishme  të aktiviteteve kulturore e sportive. U organizuan koncerte, turne në futboll të vogël, u vunë në skenë dramat e autorëve shqiptarë (Xhemil Dodës, Toni Shoshit, Adem Mikollovcit, Azem Shkrelit, Isuf Kelmendit) të përgatitura prej entuziastëve të rinj, u forma Shoqëria kulturore artistike Shqiptare “Besa”. Kjo kohë e të marrjes  frymë paksa më lirisht u shfrytëzua deri në maksimum. Vetëm nga fshati Kabash dolën me dhjetëra kuadro me kualifikime superiore e të larta.
HEQJA E AUTONOMISË SË KOSOVËS
Përparim i hovshëm i  shqiptarëve e pengonte shovinizmin  serb, prandaj shërbimet sekrete të ushtrisë e policisë serbe me qendër në Beograd, të mbështetura fuqishëm nga Akademia Serbe e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, mediat elektronike e të shkruara, Shoqata e shkrimtarëve, pozita e opozita serbe, por edhe nga plëngprishësit shqiptarë, i nxorën nga dollapët planet për Serbinë e Madhe. Për dhjetë vjet Serbia krejt potencialin e saj ushtarak – policor e propagandistik e orientoi kundër Kosovës, banorëve të saj, duke bërë inskenime nga më të ndryshmet, më banale që vetëm ata dinë t’i bëjnë, vetëkënaqësitë e një maniaku, me mbiemrin Martinoviq nga Gjilani, i cili me dorën e vet shqeu bythën me shishe birre, regjimi i Beogradit pederastin e shpalli “viktimë të dhunuesve shqiptarë.” Regjimi i përmendur shkoi aq larg sa përdori edhe helm luftarak kundër fëmijëve shqiptarë nëpër shkollat e të gjitha niveleve në Kosovë, sajoi procesin e Paraqinit, ushtroi dhunë ndaj oficerëve dhe ushtarëve shqiptarë që rezultojë me mbi 100 ushtarë të masakruar brenda periudhës kohore 1981-1991. Këto vrasje, Shërbimi Sekret Ushtarak (KOS) me cinizëm të paparë i klasifikoi si “vetëvrasje” ose “vdekje aksidentale”.  Në Kabash, më 24 maj 1990 u helmuan 24 nxënës brenda lokalit të shkollës, ashtu siç ishin helmuar me mijëra të tjerë, anekënd  Kosovës. Nxënësit e helmuar ndihmën mjekësore e morën në kishën katolike shqiptare të Binçës. Që në rastet e para të helmimeve, mars 1990, mjekët serb, mediat në Beograd “konstatuan” ende pa u bërë as një analizë, se helmimet janë: “provokim i nacionalistëve dhe irredentistëve shqiptarë”, “aktrim, të vlershëm për festival të filmave në Kanë”, “komplot politik”, “histeri masive”, “simulim” e çka jo tjetër. Mjekët serbë shkelën rëndë kodeksin dhe betimin e Hipokratit, duke refuzuar mjekimin e nxënësve të helmuar shqiptarë.  Te vendi i quajtur Baricat, mbi fshatin Kabash, zjarrin që e kish ndezur me vetëdashje për t’i djegur shkurrnajat e ferrat e arës të grumbulluara në një vend, pronari, Shabi Sallah Sallahu, mediat serbe të Beogradit, me shkronja të mëdha, të nesërmen “informojnë” opinionin, se “Irredentistët shqiptarë djegin pronat serbe”. Poetja albanofobe, Mira Aleçkoviq, gusht-shtator 1981, në gazetën “Borba” të Beogradit, për ta mbajtur eshkën e nacionalizmit serb ndezur, gënjeu në vazhdime për “shpërnguljet me presion” të kolonistëve serbë nga Kabashi. Me ketë arsenal spekulimesh, trillimesh të shëmtuara e krimesh shumëdimensionale, regjimi i Beogradit, vazhdoi derisa i mori ingerencat që i gëzonte Kosova me kushtetutën e 1974 tës.
RIPUSHTIMI I KOSOVËS
Gjatë periudhës prill-maj 1989, u vranë shumë shqiptarë, në mesin e tyre gra e fëmijë, u burgosën mijëra të tjerë, ndërsa brenda një nate u izoluan 254 intelektualë dhe kuadro të njohura shqiptare. Të izoluarit dhe të burgosurit u torturuan në mënyrë barbare dhe mbetën me pasoja të rënda. Në vitin 1989 Serbia e ripushtoi Kosovën “Me një program legjislativ zyrtar bazuar në dallime etnike në Kosovë.” (Marc Weller “Shtetësia e kontestuar”, Prishtinë, faqe 77). Shqiptarët u përzunë nga puna, shkollat, institucionet, spitalet, administrata... torturoheshin dhe diskriminoheshin sistematikisht. Policët serbë u bënë prokurorë e gjyqtarë. Ata ishin të lirë t’i torturonin, t'i dënonin, t’i plaçkitnin shqiptarë kudo: në rrugë, në autobus, tren, në vendkalimet kufitare, në zyra, në pronat e tyre, dyqane, në dasma e gazmende të tjera familjare, në fusha sportive etj. Ja çka i deklaron një dëshmitar në lidhje me plaçkitjet serbe Tim Judës, autorit të librit “Kosova luftë dhe hakmarrje”, Prishtinë, 2002, faqe 180:  “Ata (fjala është për policët serbë, shënim i S. Abdylit) të ndalojnë dhe të grabisin, duke të kërkuar para për çfarëdo që t’u shkojë mendja. Të vijnë në dyqan, marrin gjëra dhe thonë se do t’i paguajnë nesër. Sigurisht që nuk paguajnë asnjëherë.” Kryeinspektorët, inspektorët, policët, taksambledhësit, administratorët, ofiqarët, doganierët, oficerët, mjekët, inkasantët, postierët, prokurorët, gjyqtarët, rojtarët, dilerët, gjeodetët ...  duart i mbanin në xhepat e shqiptarëve. Aparthejd i ndytë. Prapa këtij Aparthejdi të egër qëndronte shteti serb. Për ngjarjet që po zhvilloheshin në Kosovë në vitin 1999, Mirko Kovaç, shkrimtar i njohur, i lindur më 1938 në Bileqe (Bosnje), i intervistuar nga Smajl Smaka, Prishtinë, thotë: “Në këtë moment ende nuk e dimë epilogun e dramës shqiptare në Kosovë, janë të ditura vetëm vuajtjet dhe pësimet, si dhe triumfi i shkollës së re të egërsisë së nazizmit serb. Ky triumf dhe sheqerosje në vuajtjet e tjetrit përsëritet që nga kohërat e luftërave ballkanike, kur serbët "i rregulluan arnautët", por atëherë së paku kishte më shumë ngushëllime me shqiptarët, kur socialdemokratët serbë ashpër i binin regjimit. Sot nuk ka zëra disonantë, të gjithë "serbët e botës" janë për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova dhe për çlirimin e tokës së shenjtë nga fantazma. Disa hulumtime dëshmojnë së 90 për qind e serbëve janë për dëbimin e shqiptarëve. Tanimë ata çuditen pse NATO pengon që definitivisht të zgjidhet çështja shqiptare. Sikur të mos ishte komploti i rregullit të ri botëror, gjenocidi do të  zhvillohej me gëzim, me bakanaleje e me vallëzim "mbi varrezat e të huajve” (e shqiptarëve – shënoi S.A).” (marrë nga faqja në internet: http://www.standardal.com/tekst.php?idt=2 0763.)  Në historinë e gjitha luftërave kundër pushtuesve të huaj, kabashët  rrugën e shpëtimit e gjenin drejt malit, por në luftën e fundit, mars-qershor 1999, soldateska serbe kish marrë masa me kohë duke zënë të gjitha shtigjet drejt malit. Serbia, gjatë bombardimeve të NATO-s, intensifikoi luftën me zjarr e me hekur me qëllim që ta përfundojë zhdukjen rrënjësisht të popullsisë shqiptare. Kështu ndodhi edhe me banorët e fshatit Kabash. Brenda një kohe shumë të shkurtër, serbët me operacione të koordinuara nga persona të armatosur serbë, në bashkëpunim me serbët lokalë hynë nëpër shtëpitë e kabashasve dhe me armët ngrehur i urdhëruan t’i lënë shtëpitë, të nisen drejt Vitisë dhe pastaj në Maqedoni ose në Shqipëri. Autorin e këtij shkrimi, banda prej 6 militarëve serbë, njësi speciale për zhvendosjen e popullsisë, në orët e vonshme të mbrëmjes, më 6 prill 1999, me tërsëllëm e nxjerrin jashtë shtëpisë bashkë me të vëllanë, e torturojnë fizikisht, e kërcënojnë me armë dhe e urdhërojnë: “Që sonte duhet t’i lëshoni shtëpitë! (Idite) Shkoni... mund të zgjidhni në Shqipëri ose në Maqedoni.”  Edhe në këto rrethana të rrethimit të hekurt, në luftën e 1999-s, të mësuar nga kodi shqiptar i mbijetesës: Arben Mustafë Sallahu, Xhemil Shaban Sadiku, Astrit Daut Selmani, Isa Azem Kamberi, vëllezërit Sabit e Zenel Sylejman Zeqiri (me banim në Ferizaj) Sahit Qazim Sahiti (me banim në Shkup), Arafat Sahit Sahiti (me banim në Zvicër), Azem Abdullah Maliqi,  vëllezërit (kushërinjtë) Haxhiu, njëri prej të cilëve, Baftiu ra dëshmor, më 26 maj 1999 në Gorozhup të Hasit, braktisën: kush punën, kush studimet, kush shkollën për t’iu bashkuar forcave të luftëtarëve të lirisë në Koshare,  Jezerc ... dhe me armë në dorë u vunë në mbrojtje të Kosovës, kombit e flamurit, duke i treguar armikut se ka zot kjo tokë, se në këto troje gjithmonë ka rrezuar dielli shqiptar.  Në luftën për çlirimin e Kosovës lindore 2000-2001 ishte Feriz Gani Deliu. Ferizi në radhët e luftëtarëve të UÇPMB njihej me emrin Komandant Kabashi.  Gjatë luftës serbët si gjithandej Kosovës zhvendosën me dhunë popullsinë civile të fshatit Kabash, rrahën e keqtrajtuan, vranë, shkatërruan e dogjën edhe libra, albume me fotografi, dokumente personale etj. Vodhën e plaçkitën pasuritë e kabashasve të trashëguara e të fituara me mund, kurse bagëtinë e mbetur në fashat  e ngarkuan në kamion dhe e dërguan në Serbi. Dëmet, që bënë serbët gjatë luftës në Kabash sipas Komisionit për vlerësimin e dëmeve të Pranverë , 1999. publikuara, më 21 gusht 1999, kanë qenë: 6.402.134 DM ose 3.201067 euro. Në këtë luftë nga prita u vra Daut Selim Zenuni 57 vjeçar, ndërkaq më 5 maj 1999, afër shtëpisë së Sami Shaip Sylës, një zhgan, një askush, rezervist, i quajtur Dragan Stoilkoviq, prapa shpine e vret  ing. Shefqet Mustafën nga Pozharani, i cili kish ardhur në Kabash për t’i vizituar disa prej familjeve të rikthyera në Kabash. Me gjithë presionin, masakrimet, aparthejdin, praktikat naziste njëqind vjeçare (nga viti 1912) për t’i zhvendosur, gjunjëzuar, zhbi themeluesit e fshatit Kabash, nuk patën sukses.  Sot, në Kabash gëlon gëzueshëm jeta dhe dita-ditës fshati po zhvillohet, po përparon në të gjitha fushat e jetës. Kolonët serbë, këta të fundit, që nuk ishin më shumë se 15 familje, për shkak të veprave të nxira: krimeve, plaçkitjeve, vjedhjeve, shkatërrimeve, presioneve, përndjekjeve, vrasjeve që bënë gjatë luftës së fundit (mars-qershor 1999), ngarkuan gjësendet e plaçkitura në traktorë, kamionë e vetura që ua kishin marrë shqiptarëve përdhunisht dhe shkuan nga kishin ardhur, duke lënë prapa vetes stalla, shtëpi, faltore të djegura e të demoluara, fusha, rrugë, rrugica, oborre shtëpish e shkollash të minuara.
PAS ÇLIRIMIT
Kabashi tash (mars 2016)  ka diku 350 shtëpi me mbi 3000 banorë.  Në Kabash bashkëjetojnë në harmoni të plotë  dy konfeksionet: ai mysliman e katolik përfshirë këtu edhe ardhësit e pas luftës së fundit (1999). Infrastruktura e fshatit gjithnjë në rritje. Rrugët janë asfaltuar, jo vetëm ajo kryesorja që lidhë fshatin me Vitinë e Binçën, por edhe ato  dytësore, ka ujësjellësin me ujë të shëndosh e të bollshëm për pije e nevoja tjera, shkollën me oborr të përshtatshëm  për fusha sportive, xhaminë, kishën ku besimtarët kryejnë ritet fetare, lumthin, i cili tash paksa më mirë po mirëmbahet, kanalizimin për bartjen e ujërave të zeza dhe kazanët për grumbullimin e plehrave.   Terreni mbi fshat me korije, livadhe, ara të mbjella me grurë ose misër sipas radhës, mësipërmes saj rruga e shtruar me zhavorr dhe me restorantin "Arena" në krye (aty ku nisin malet) e bëjnë edhe më atraktive vendin për ecje në këmbë, me marrë hava, siç thuhet.
Sabit Abdyli


Bibliografia:
Abdyli, Sabit - “Kabashi i Anamoravës”, Prishtinë, 1997
Abdyli, Sabit “Ankthi i Pranverës’99”, Prishtinë, 2004
Abdyli, Sabit "Na kabashi jem t'ndam nji zjarrmi", Gjilan, 2013
Abdyli, Sabit "Tybe këta veç kabash janë", Prishtine, 2016
Buxhovi, Jusuf  - “Kongresi i Berlinit”, 1878,  Prishtinë, 2008
Buxhovi, Jusuf -”Kthesa historike  3 –  Lufta e Përendimit për Kosovën”, Prishtinë, 2009
Buxhovi, Jusuf – “Kosova”, Prishtinë, 2012
Ngjarje të jetuara,  kreu  XXVI. Kaloshi, Adil - “Bytyçi – monografi”, KRISTALINA-KH, Tiranë, 2004
Malcolm, Noel -“Histori e shkurtër e Kosovës”, Prishtinë – Tiranë, 2001
Marc, Weller -“Shtetësia e kontestuar”, Prishtinë, 2009
Meçi, Xhamal – Kabashi, Tiranë, 2008
Nerguti Halil - “Jeta ime për Shqipërinë dhe mbretërinë e saj”, Tiranë 2003
Obradoviq, Millovan - “Agrarna reforma i kolonizacia na Kosovu 1918-1941, Prishtinë, 1981
Osmani, Jusuf - “Konolizimi Serb i Kosovës” – ueb faqe në internet
Rahimi, Shukri - “Vilajeti i Kosovës”, Prishtinë, 1969
Rexhepi, Zenun -“Kabashi i Moravës së Epërme, Prishtinë, 2003
Rexhepi, Zenun -“Shkolla Fillore e Kabashit të Moravës 1948-1968, Prishtinë, 2008
Rushiti,  Liman - “Kujtime për Lëvizjen Kaçake, Prishtinë, 2003    
Tomasheviç, Bato -  “Jetë dhe vdekje në Ballkan”, Onufri, 2009, Tiranë.
Uka, Sabit - Shqiptarët e Sanxhakut të Nishit, 5, Prishtinë, 1995
Vaseniusi, Joran - “Sëmundja mistike”, Prishtinë, 2009, nga suedishtja Hamit Gurguri        
Sabit Abdyli