Thursday 14 May 2020

Mbi librin me poezi të Sabit Abdylit

DRITA LUSHI
ORË  BUKURSHKRIMI
Mbi librin me poezi të Sabit Abdylit
Ndërsa ky libër me ra në dorë në verё të vitit të shkuar, munda ta shfletoj e lexoj së fundmi, në prag të datëlindjes së autorit!
Drita Lushi
Sabiti jeton në Zelandën  Re, po mendja dhe shpirti, i kanë mbetur atje në vendlindje, kujtimet i zgjojnë mall, dhe malli bëhet vargje për shumëçka…
Libri ndahet në gjashtë cikle, 1- Daullet e lagura,  2 –Në kopshtin kuq e zi, 3-Ku bren miza hekur, 4- Cicmic me vetveten, 5- Në krye të vendit,  6- Fundi i përrallës!
Shtrirja kohore e poezive të përfshira në ketë libër është e gjerë, ato janë shkruar përgjatë viteve, që nga 1989, e deri në 2019, dhe tematikat po ashtu janë të ndryshme dhe të ndërthurura me gjendjen emocionale të autorit.
Poezia e Abdylit  është jo rimuese,  por në varg të lirë dhe shprehshmëria është më e gjerë në këtë formë. Përmes  poetit, shohim njeriun dhe jetën e tij, madje mё shumё se një poet, lexojmë një njeri, sepse poezia e tij është e vërtetë, reale, nuk filozofohet as ëndërrohet, ajo është fakti dhe ngjarja hedhur në vargje.
Poeti i këndon  vendlindjes, motrës, nënës, flamurit, Kosovës, Shqipërisë, tё parëve, fshatit të lindjes, kujtimeve të rinisë, pastaj vetë titulli i librit ka një titull sinjikativ “Orё bukurshkrimi”, ndoshta se kujtohen kohërat më të bukura e tё pafajshme të fёmijёrisё e rinisë, sepse ato kohëra janё një poezi e pashkruar.
Poeti shkruan, kritikon , dënon po asnjëherë nuk është aq i ashpër, ai di tё thotë me varg atë që shqetëson shumё njerëz, dhe prek vese shqetësuese, të shoqërisë.
Kur i këndon Kabashit vendlindjes se tij, ai sikur bëhet tjetër njeri,
“jete e çiltër fshatçe,

burrat fjalë pakë

nënat  rrisin fëmijët

mbështjellë me bajrak”

Poeti jo vetëm që dënon veset, por është dhe i drejtë në gjykim, dhe thotë: “të njoh e nuk mund të hesht” në poezinë “Të njoh”, duke mos bërë kompromis me veset e ndryshme, ndonëse mund t’i njoh personat;
“Kënga ishte vetë nëna” shkruana autori në poezinë dedikuar nënës, duke shprehur atë adhurim të pamatë, për qenien më të dashur në botë!
Ai ka dhe poezi përkushtim qё u kushtohen personave të veçantë me emër e mbiemër si :  R.Ymerit, B. Zymberit Kadri Luzhёs, Haxhi Muhaxherit etj. Ku shpreh, mirënjohje dhe respekt pёr veprat e tyre!
Gjithnjë autorin e shqetëson qenia larg vendit:
“…as dimri dimër

as vera verë

larg teje Kosovë

 stina e rëndë plumb

as unë nuk jam unë”
Tek poezia “Kosovë” autori ka një tempo të fuqishëm të ritmit,  fjalës dhe duket haptazi dashuria e tij e munguar, Atdheu!
Tokë e lulëkuqeve- e cilëson poeti Kosovën, vullkan, lavë e valë!
sepse “malli çan shpirtin si heshtë”-shkruan ai.
Nё poezinë “Portret njerëzish të munguar” shkruan…Nuk shitet/nuk shtiret/nuk blihet/ nuk di ç’është kleçka..”madje duket sikur e merr malli për të takuar njerëz tё tillё, që gjithnjё e mё shumë janё të rrallë!
Ndërsa mbesa diçka speciale për tё, merr krahasimet ma të bukura në vargje:
”fytyra e saj si diell mёngjesi,
magji nga qielli zbritur,
ëmbёlsirё, gurgullimё kroi në mal,
më e bukura fjalё”
Largimi nga vendi yt gjithnjё ështё një mundёsi ekonomike më shumё, por ka një kosto tё madhe sepse të mungon gjuha jote, njerzit qё flasin të njejtin alfabet si ty, vendet;
Thonë kur je larg, ke mall dhe pёr ferrat, dhe po kështu autori nuk bën perjashtim dhe e beson  plotësisht këte, kur Sabiti shkruan” Atdheu dhimbja e parë”
Ka plot poezi që mund tё veçosh nga ky libër si: Atё ditë. Kur po nisesha ushtar, Letёr, Gratë (hyjnesha qё nuk braktisin jetën, rilindin e me duart e tyre rrisin), Lule Maji, Nёnëmadhjae për tu mbyllur me “Melodi jete” ku shohim njё tablo sa vetë jeta, tё dashur si rinia, të çmuar si dashuria dhe tё shtrenjtë si dhembshuria;
Është njё vëllim i plotё dhe i saktё poetik, ku ke çfare të gjesh, tё nёnvizosh, të ruash,tё rilexosh dhe të mësosh!
Gëzuar DatLindjen Poet e suksese!
Drita Lushi
Tiranë, 13 maj 2020

Friday 8 May 2020

Buqetë me poezi "STINË GRAMOFANIE" nga Sabit Abdyli. Perzgjodhi: Haxhi Muhaxheri

                                                                                   
Sabit Abdyli
STINË GRAMOFANIE

 Gramafon i prishur  rrokullis fjalë
Gojën e pistë
Në studio, gazeta,  portale, kuvende...
 për  të trashur kuletën
Mbajnë ison idhujve pa tru
Stinë  gramofanie me fjalë prapa kurrizit
E të ramësh  të ulëta panda

Maj, 2020





UNË E TI

më shumë se për famë
para
bajraktarizëm
kem  nevojë për të vërtetën
rehatinë
ngjyrat e Flamurit
grunore
qiellin e hartën qelibar
librin për bletët
folenë e zogut thurur me këngë

Maj, 2020



UJË QË NUK PIHET

Ec edhe ec me shpresë se do vazhdoj drejt
Të ik e nuk ik dot nga vetja
E rrethi me ujë që s’pihet
Por, është parajsë bretkosash që ngrysen e zgjohen me këngë
Ra e s’ra shi argëtojnë mbrëmjen
S’duan të dinë për PANDEMINË
Demat me brirë që as grahen as ngrihen
Bërlyken duke hedhur mjegull mbi shpinë

Prill, 2020



ATDHEU NЁ VALLE

Të rëndon mbi kurriz,
zogori e harbuar.
Drejt, më s´mund të rrish,
lodhur je, lakuar…

Me bojëra në duar,
ngjyejnë, ndërrojnë fytyrën.
Si kameleonët,
Motit ndërrojnë ngjyrën…

N´emrin tënd, ATDHE,
për kamje, lavdi,
n´Listë hyjnë me djallin,
me dreqin bëjnë dashni…

Prill, 2020



TË BARDHËN

Sorrat sqep zhytur deri në gushë
I lexojnë ligjet sipas motit
Bëjnë avokatin
përlloçin
Të bardhën
e nxijnë demokracinë
si është më keq

Prill. 2020



ME ASHT E RRASHTË 2

Dashuro gjuhen e ashtit tënd
Zemrën e zemrës, shpirtit
me ketë gjuhë të njohin, të dinë
Prej nga vjen e kush je
Trashëgimtar  i së kaluarës të shenjtë për ne
shqip me ëmbëlsi nëna të tha:
në këto troje je i pari
me asht e rrashtë je bir shqiptari

Prill, 2020



MOS 

Ku nuk bleron fusha e shpërthejnë pemët
mos përmend fjalën pranverë
qiellit të  qytetit ku nuk fluturojnë pëllumbat
e çerdhe dallëndyshet nuk ndërtojnë
fjalën liri mos e thuaj
ruaje higjienën
mos ngul kunja me secilin
me të panjerëzishmin
zor të ndërrosh fjalë e ecësh shtegut
drejtë
për dhembjen kur ke dhembje shkruaj
mos kopjo vargje dashurie
po nuk t’i shkroi zemra
nuk vlejnë
përndryshe
je vetëm notë muzikore  false
që prish melodinë

Auckland, 2020




PËR LEJLEKUN

E doje ligatinën  e njomur me shavar
Që as gushti nuk e thante
Gjëje më e mirë që dëshiroje
Tek peshkoje  në moçal
Erdh  hutini  e nisi këngën ndryshe
thau  ligatinën lejleku im
Tokën e bukës ja  shtruan beton
Të mos  përlloçët  hutini
kur del për xhiro në këmbë
ani se shpirtin  e ka siç e ka
këpucët i do xixë
livadheve  të  zaptuara ngrehen vila
shtruan asfalt
s’e merrje me mend se parajsën tënde lejlek
për ty e bënë të pabanueshme
e do të  thosha të bënë të mos e harrosh
të bënë të jetosh stinën më të bukur tendën
të mallkosh  (e dija si paren e kuqe) se nuk mundesh
e nuk ke si të mallkosh shpirtin tënd
i imi lejlek

Prill, 2020



U ÇORËN MASKAT

Recitojnë papagajtë në tribunë
Në kohë  pandemie
Me maska dyfish në fytyrë
Për të përmbysur shpresën
Kënaq ambiciet
Ballkonet e pallateve zhurmojnë
Psherëtijnë
Protestojnë në Prishtinë

25 mars 2020



MOTIVE BARDH

Lumenjtë vrapojnë agimeve të blerta
Lënë pas gurrat për të  njomur livadhet në vapë
Për lumenjtë kafshatën e gojës kem nda
Buzë bregut harliset bari në pranverë
Jeta e bardhë   përflakur me diellin zgjuar
E bardhë me filiza  e bardhë 

Shkurt, 2020



MALL I YLBERTË

Nëntë ditë e nëntë  net larg
Kish shkuar nuse Doruntina
Vetmonte hënë mbi re
Shtigjeve mbi shkrepa nëpër stinë
Zogjtë shtegtarë   iknin e vinin
Në guri të vatrës motra
Shëngjergj për Shëngjergj
Loti shi sixhim i rrëshqiste
Tek mendonte;
Çka u bë  me nënën
vëllezërit e fjalën e dhënë

Janar, 2020



NË KORIJE

Në korije drurëve po u bien gjethet
Nga zhveshja të trembur  ikin zogjtë
Lejlekët i merakosin hilet e shpendkeqve
Lulebora ka nxjerr kryet  mbi borë
Qe sa
Në Korije erërat e bardha në ethe

Janar, 2020



FARE

Mendimin tënd mbaje për veten
Ruaje nga përbaltja
E mujsharëve mesjetarë të kamur
Mos e thuaj
Edhe kur të thonë se delikti verbal ka vdekur
Mendimi yt kot fare
Po nuk pate pushtet
Po nuk e shndërrove në ideal
Që s’rrëzohet me armë e para

Janar, 2020



BOTË QË NUK ISHTE E JONA

Qentë  në shekuj  në dritë të hënës
Na  kafshuan
Vragë  na lanë e na rrudhën tokat
Për dritë të yllit pesë cep
Bufët e ngrirë  copa   këngën na bënë
Me një  çekiç e drapër në flamur
Mbollën ag  me parulla e heronj  në bronz
Nga një frikë e patrajtë
Të gjallët nuk ndjeheshin të gjallë

Janar, 2020




SHËNIME BIOGRAFIKE 2

Nëna
Për dritë të gazishtës   thurte çorap
Netët pagjumë të saj
Më mbanin ngrohur  dimrave me acar
Baba
Shkronjat e ndaluara tinëz kish mësuar
E librin shqip e kapte me dy duart
Si gjënë më të çmuaR

Dhjetor, 2019 



PORTRET ARTISTI

Në atelienë e Van Goghut vjeshtë
I mori ngjyrat stinës dhe me brushë
Bëri  kryevepra arti
Për të gjetur qetësinë e shpirtit vuajti
E për të gjallë  nuk u kuptua
Pas ikjes
Si shportë lulesh të bukura me erë
Qëndron  e s’thahen kurrë

Nëntor, 2019



BALADË

Do të kthehem
Aty ku lisat rrënjës bëjnë rojë
Për jetë e mot
Me njerëz e damarit tim
Që amanet lanë
Kënga për flamur të mos ndalet
Aty të prehem edhe unë

Nëntor, 2019



KUSH JAM

Shkruaj  poezi
Dhe nuk them se jam poet
Jam dhembje e dashuri më shumë
I çiltër dhe i dal mode kaherë

30 tetor 2019



PA FRE

Ende nuk i more këmbët
Dy dekada në liri
Plëngprishësit e barkut tënd
Mbrapshtë hipur në kuaj
Dorën e keqe dëshirat pafre

Shtator, 2019



DUKE PRITUR

Në pritje mbetëm
Duke pritur
Të ngopen të pangopurit
Njerizohet njeriu

Gusht, 2019



EVOLUCION SHËMTIE

katandisje tejmë
asgjë me karar
heronj modern
zhveshur  vlerash
gërryejnë gjeografinë globit
nxijnë  shpresat 
e shkelin blerimin Pranverës

Gusht, 2019



GJETHIM

Në prehër të burimit  etur
Mashtrimet vijnë nga majat
Shpirtrat zhveshur në qiellin pashpresë
Presin premtimet e ëmbla
Tupanët bien hidhur
Bastardët  në orët e ngushta
Kërcejnë vallen  e portokalltë
Spektatorët  ju dhurojnë  lule të verdha
Pa rrënjë
Vendi i shqiponjave ende  në gjethim

Korrik, 2019



SA SHUMË

Sa shumë luftë u dashka
Kollën e keqe tonën shëruar
E mund dreqin e shtëpisë
Për të pasur shtetin kristal
Si vetë shpirti i trimave
Që  jetën dhanë

Maj, 2019



ORË HISTORIE

Për ideale lirie e dinjitet,
Aromën që lëshon ky vend.
Vetëmohim e qëndresë.
Si malet sup më sup në bjeshkë,
Ndër dhjeta mijëra po kujtoj tre:

Tek Grykë e Vajës, që lotin s'e thau.
Vit mynxyre, vit zie 1478.
Nëntëdhjetë vajza- zana krutane,
rritur me frymën skënderbegiane
E ninulla trimërie nënash.
Dorë për dore hidhen në humnerë,
Për të mbrojtur nder!

Tek Kullë e Vraninës,
Në 1862 ditën kur qielli lëngonte në Vraninë.
Oso Kuka me njëzetekatër shokë,
Hijeve të zeza të malit u bënte ballë.
Kur gjithçka u nxi,
Mos me u robnu’ nën Mal të zi.
Ndezën barotin
Dhe yje ndritën në Shkodër e në Shqipëri.

Në Prekaz, mars 1998.
Pesëdhjetë e gjashtë Jasharët  rrufe drite.
Para topave serbe nuk u dhanë.
Me armë në dorë i dolën mbrojë shtëpisë
Këngë e qëndresës  ushtoi mal e vërri
Përtej Kosovës, përtej Shqipërisë!

Mars, 2019



CEP MË CEP

Që në nisje të jetës.
Cep më cep gjeografisë,
dashuri, këngë e besë mbollën!
Motet e vrarë nga lumturi e zogjve
Ilirisë  ju sulen:
kurthe e kuajsh druri bri rrugëve ngrehen,
për të përgjumur baladat
zhdukur e plaçkitur pergamenë
Arbënisë!

Tetor, 2017