Thursday 5 June 2014

Inkuizicioni


Dielli kishte kohë që ishte ngritur lart, por ende nuk po e çante dot krejtësisht shtresën e hollë të mjegullës së vrugët të atij mëngjesi, kur Shendi kaloi lumin, i cili tanimë gati ish shndërruar në një kanal për bartjen e ujërave të zeza.  Shikoi mbrapa dhe vërejti se është nën vëzhgimin e një veture të ndalur policie. Ptu, pështyu: katër vjet robëri, provokime, tortura, katër vjet shkolla shqipe e ndaluar.  E shtrëngoi fortë fletoren e punës nën sqetull dhe vazhdoi ecjen pa prish ritmin e hapit, i zhytur në planifikimin e temës, që e kishte caktuar për hartim, rrugës për herë të parë nuk vërejti si herëve tjera fluturimin zogjve poshtë drurëve të akacieve në oborrin e xhamisë së fshatit, nuk vërejti grumbujt e frikshëm të mbeturinave përgjatë përroit dhe nuk dëgjoi korin e bretkosave në pusin, që ndodhej në anën e majtë të rrugës. Të therurat e forta, në pjesën mbi gju të këmbës së djathtë, e paralajmëronin se do të ketë shi. Një dredhë ere çoi pezull bashkë me pluhurin qese najloni e gjethe të thara. Nxënësit ecnin grupe-grupe të shqetësuar me kokë të kthyer mbrapa. Shendi mundi t’i kap lëvizjet  e nevrikosura të nxënësve, kthimin nxitimthi të dy alamet burrave brenda oborrit të shtëpisë, duke mbyllur pas derën me rrapëllimë,  por nuk u dha. I patundur, i mësuar për të pritur të mirën dhe të keqën me qetësinë më të madhe, kaloi Lëndinën e vogël, kur sakaq makina nervoze e policisë gati sa nuk e gllabëroi. E parakaloi  furishëm te kryqi i rrugës. Nuk vonoi, me një zhurmë të mbytur, makina u ndalë në hyrje të shkollës. Nga makina rrufeshëm dolën dy policë dhe, një civil. Zunë pusi dhe po bëheshin gati për provokimin e radhës. Shendi, me fletoren e punës mundohej ta zhdavariste  shtëllungën  e pluhurit të posa krijuar. Në ecjen e sipër, rastësisht hodhi shikimin mbi çatinë e mullirit të vjetër dhe me admirim shikoi harabela të panumërt,  që me një vetorganizim të përkryer u çuan  lartë, dhe  krejt lirshëm luanin  lojën sipas qejfit të tyre.
Sa  u afrua Shendi, polici hundç,  trupmadh e arrogant, e shtyu me tytën e armës drejt veturës, duke i thënë: “Kjo shkollë dreqi, ilegale e juaja, po vjell vrer e helm kundër shtetit më demokratik në botë. Ti, dhe të tjerët si ti, e keni vendin në burg. Ka ligje Serbia... Ec përpara!”  Derisa po e fusnin  në makinë, Shendi me dhembshuri shikoi  grumbullin e revoltuar të nxënësve me faqet e paqme, të skuqura e të përlotura nga veprimet e egra të inkuizitorëve.  Përkundër hekurave në duar,  prushit të nxehtë  që e përvëlonte   përbrenda, Shendi arriti ta ruaj qetësinë, bile-bile  kur kujtoi fjalët e hundçit “shteti më demokratik në botë” gati sa nuk qeshi me zë.
Rrugës, me të parë makinën me targa  të policisë, njerëzit  largoheshin me vrap.
Kabash, 17 maj 1994

 

No comments:

Post a Comment