Wednesday 21 November 2018

PORTRET I HEROIT

                                                                 PORTRET I  HEROIT
                                                                         (Skicë)
Në tokën e Arbit, me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi kapedanët e përçarë. Një çerek shekulli bedenave të Arbënisë nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje. Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine, jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt  jetën në luftë, por vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi zulmëmadh edhe i vdekur vazhdoi luftërat, por tash pushtuese me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra: historianësh, poetësh, romancierësh, dramaturgësh, diplomatësh, skulptorësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit e vazhdon të jetojë me nam emri i tij. Argatë falsifikues s’pushuan e nuk pushojnë as sot së shpifuri për ta përvetësuar ose  për ta paraqitur ndryshe heroin   arbëror anembanë famëmadh.
s.a
Janar, 2018

Thursday 1 November 2018

PROVA KARAKTERI TË QENDRUESHËM E MBIJETESE

Baba Ruhan 1906-1983 e mbante një gjysmë fletore nga ato që kishin në fund tabelën e shumëzimit dhe një laps gati i harxhuar. Ja sigurova një fletore xhepi dhe një laps dhe e luta, merri! Nuk më duhen të reja, u përgjigj me qetësi, me ba hesap i kam, jo me u lavdue e mburr para dynjas.  Diku në vitet e 60-ta e pat ble prej një gastarbajteri me punë në Austri një orë xhepi. Orën e mbante mbështjell në shami pëlhure brenda xhepit dhe nuk e ekspozonte asnjëherë. Ishte fjalëpakë dhe nuk ngutej kurrë. Përmbahej nga vlerësimet me hamendje. Për tipat shpifës, të ulët, pa fije njerëzie, më thoshte jo më shumë, se: “Mos ngul kunja me ta”! Pa ndjekur ndonjë shkollë mësoi të shkruante e lexonte. “Librat asht gjynah mi majt  në raft pa i lexue, thoshte. Ato flasin... t’japin forcë, t’japin sy me pa larg, t’japin zemër me qinrue, t’japin dituni, t’msojnë për jetën e gjithçka, kur i merr në dorë, kur i lexon.”  Shkollimi i rinisë shqiptare  dhe zhvillimi i Shqipërisë e gëzonin pamasë dhe kish bindjen, se: “Me zhvillimin politikë, ekonomik, ushtarak e kulturor të Shypnisë (Shypni e quante Shqipërinë) të fituar do të jemi edhe ne shqiptarët në Kosovë e gjetiu”.  
 Baba Ruhan në moshën 6 vjeç përjetoi masakrën serbe të vitit 1913 në Kabash ku në mesin e mbi 60 kabashëve të masakruar ishte edhe baba i tij Abdyli 32 vjeç e dy xhaxhallarët, Misini e Murati, shtëpia ju dogj e plaçkit nga ata që i ja shtinë flakën krejt fshatit. Me nënën Ajne, me një strajcë plaçkash e lopën me viç vendoset te dajallarët në  fshatin Gjylekar. Pas tri vjetëve kthehet në Kabash dhe mbi themelet e shtëpisë së djegur (rrënuar) me nënën ndërton një si shtëpi.  Me këshillat,  mbështetjen e nënës Ajne u edukua e burrnua. Ishte 9 vjeç kur u bë zot shtëpie.  

Ruhan Abdyli 1906-1983 (fotografuar ne vitin 1936
Portret "Baba": vizatoi Abdyl Abdyli