Friday 20 June 2014

Marr nga libri “Ankthi i Pranveres ‘99”, Prishtinë, 2004, Sabit Abdyli-Fshati Skifteraj


DËSHMI TJERA
Sabit Abdyli 

Më 14  prill, (e mërkurë) paralajmërohet fshati në orën 18.00 nga një oficer serb se njerëzit duhet të largohen, pra të shpërngulen deri në orën 21.00 në drejtim të Shqipërisë (Kukës). Oficeri ishte i shoqëruar prej një ushtari, me një veturë të tipit Golf, me  targa UR. 422-57. Fshatarët e korruptojnë oficerin, kështu që e shtyjnë afatin e ultimatumit për një ditë. Më 15 prill, fshatin e sulmojnë shumë forcat serbe diku rreth orës 15:30 minuta, mbas dite.  Në krye të këtyre forcave ishin paramilitarët serbë: Truba nga Kllokoti, Sreçko me nofkën Duligjija, nga Zhegra, Gana nga Tërpeza etj. Fshati, ishte i ngarkuar me banorë të katundeve tjera , si: Mogillë, Budrikë, Kabash, Radivojc (Lakërishtë) etj.). Sulmet i nisën  me granatime prej së largu, por pastaj me tanke u futën brenda, në fshat. Rafalët e automatikëve, të shoqëruara nga krismat e mortajave dhe armëve tjera të rënda, nuk pushuan dy orë me radhë. Fshati u zhvendos, i tëri. Popullsia e paarmatosur,  kush në këmbë e kush me vetura e traktorë, nën breshërinë e plumbave nisën drejt malit, në drejtim të Stubllavaqës, Selishtës, Godenit. Në këtë sulm u vranë 4 veta, 14 u plagosën  me armë zjarri, kurse dy të tjerë u rrahën pamëshirshëm. Fshatarët, të vrarët dhe të plagosurit i morën me vete. Të vrarët i varrosin te vendi i quajtur “Te therralit”, kurse të plagosurit u ndihmuan në përballimin e plagëve. Gjatë qëndrimit në mal marrin lajmin e hidhur edhe për dy bashkëvendës të masakruar e pastaj të djegur, në odën e Danush Sadikut. Të shpërngulurit u përballën me shumë vështërsi gjatë “piknikut” të dhunshëm: nga moti i ftohtë me shi e borë, me mungesën e ushqimeve, sidomos kishin shumë telashe me fëmijët dhe të plagosurit. Më 24 prill, të përndjekurit kthehen në shtëpitë e tyre, të djegura, të demoluara, të plaçkitura nga ushtarakët, paraushtarakët dhe civilët serbët të Kllokotit, Zhitisë (Grunorit), Binçës, Vërbovcit, Mugillës,Terpezëz, Pozharanit (Rrafshmirit), Vitisë etj. Me mund të madh arrijnë t’i përballojnë të gjitha mizoritë e luftës duke qëndruar në fshat gjatë gjithë kohës së bombardimeve. Skifteri (Gjylekari) i dha Kosovës  luftëtarin e devotshëm, dëshmorin: Januz  Qazim Zejnullahun, me profesion hoxhë, dhe i lindur më 12.5.1975.
Hoxh Januzi, më 6 maj 1999, në malet e Pashtrikut me  bombë në dorë, si një re stërmadhe ngarkuar me breshër, çau drejt istikameve të armikut. Ai, ishte futur brenda tyre me gjakftohtësi duke bërë copë e grimë: një, dy, tre... pesë... e më shumë çetnikë.  Januzi, fluturoi drejt qiellit. U shndërrua në yll...
Qemajl Murati,  profesor i gjuhës angleze, në Medresën e Prishtinës, e kujton Januzin  nxënës: “Kishte besim te unë. Në vitin l992, në korridor të Medresës, më ndali dhe krejt  hapur më tha: “Profesor, çka po pret Kosova…  po na vrasin, po na helmojnë… Duan të na zhdukin nga faqja e dheut.”  Në ketë luftë, edhe tre bashkëvendës të Mulla Januzit ia falën jetën Kosovës: Kenan Idriz Halimi (12.5.1978.) Bafti Nexhip Haxhiu  dhe Shabi Hajriz Shabiu. Dy të fundit ishin me vendbanim: Baftiu në Kabash, kurse Shabiu në Shkup.
Të vrarët: 1.Shahide Ramadani 59 vjece, 2.Shukrije Sadiku 9 vjece, 3.Malsore Sadiku 5 vjece, 4.Hatixhe Mustafa 58 vjece, (mysafire nga Budrika). 5.Selami Ismajli 23 vjec, (i masakruar pastaj i djegur) 6.Mehmet Ismajli, 19 vjec (i masakruar pastaj i djegur).
Të plagosur: 1. Faton Ramadani (5 v) 2.Ramize Ramadani (23 v.) 3.Ganimete Ramadani (21 v.) 4.Sanihaje Ramadani (30 v.) 5.Hetem Ademi (59 v.) Budrika, 6.Feriz Abazi (57 v.) nga Budrika 7.Hyri Sadiku (40 v.) nga Budrika  8.Makfire Hasani nga Selishta, 9.Mejreme Ademi (51 v.) nga Budrika dhe  10.Muhamet Ademi (33 v.) nga Mogilla.
Të plagosurit e tjerë: Rexhep Rexhepi, Xhevat Ismajli, Vezrije Hajdini, Memlidije Sadiku, Drenushe Sadiku, Musa Ismajli, Huma Ukshini,  Feriz Abazi, Hyri Sadiku,  Mejreme Ademi, Muhamet Ademi .
PS:
Shënimet për këta persona i kam siguruar nga ditari që e ka mbajtur gjatë luftës, ing. Kadri Ramadani.

No comments:

Post a Comment