Monday 29 September 2014

FARE NATYRSHËM

Shkruan: Hekuran Miraka:



Hekuran Miraka
Sabit Abdyli vjen me një libër me proza. Mirësevjen! Ky është urimi i parë. Po Sabiti nuk e ka fare mendjen këtu. Ai troket fare natyrshëm dhe thotë : - Erdha unë! Sabiti ka marrë kohën dhe vetveten si personazh në prozat e tij. Këta dy personazhe ai i vendos të lëvrijnë në rrugëtimin New Zeland - Ballkan. Nuk ngopet as këtu. I vë të lodhen edhe më shumë në rrugëtimin Auckland - Vendlindje. Në bagazhet e këtyre udhëtarëve vejevijnë herë të paqtë, herë të inatosur rrëfimet për t'u mbajtur mend. Sabit Abdyli ka mllef. Po nuk ka urrejtje. Ai vetëm sa rrëfen. Rrëfimi i tij nuk vjen në pozitat e një gjyshi, që kërkon të vërë nipërit në gjumë, po t'i bëjë ata të mburren. Jo vetëm kaq, por të gjykojnë tjetërsoj, jo kokëkthyer, por kohëkthyer. Dhe këtu të mbajnë qëndrim. Sabit Abdyli rrëfen qetë. Nuk të lodh. Është gjuha e përditshme. Dhe këtu ai tregon karakterin dhe formimin e tij, është i mençur. Përdor liberalizimin e gjuhës duke kundërshtuar në heshtje gjuhën liberale. Ka një të pastër normative. Si teknikë, i vjen përdore të bashkërendisë. Shkakun e lë ta vendosë lexuesi. 
Hekuran Miraka New York

Tuesday 9 September 2014

PELERINË MALLI MBI SUPE DHE NJË COPË QIELL KOSOVE NË ZEMËR..

 Shkruan Antonina Kodheli:


Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore. 
Krijuesi Sabit Abdyli në skenën e krijimtarisë letrare është i pranuar dhe afirmuar nga një armatë e madhe lexuesish për librat e tij historike dhe të jetuara nga vetë ai, për rrëfimet e tij, anekdotat, aforizmat, për humorin, për artikujt e shumtë të botuar si në shtypin e vendlindjes së tij, gjithashtu edhe në shtypin e vendit ku jeton sot, në Zelandë të Re. Është shkrimtar vullkan në veprim. Kështu e njohim në shkrimet e tij, si një njeri qe nuk llogarit moshë, që  me krijimet e tij bëhet një me moshën e lexuesit i çfarëdo moshe qoftë ai, si  njeri që  edhe me një aforizëm, jep një mësim jetësor, aktual, prandaj pak ja dinë emrin dhe e thërrasin, PROFESOR. Ndryshe nga shkrimet e para historike dhe shoqërore, gjithnjë të jetuara, të cilat mbeten dokumente historike në duart e lexuesit, ketë here profesori ynë e le të lirë penën e tij dhe na paraqitet me një vëllim në vargje, po aq aktual dhe njerëzor, sa edhe veprat e tjera të tij. Ashtu siç është, si një patriot i flaktë, si një luftëtar i penës dhe i jetës, hedh mbi supet e tij pelerinën e rëndë të mallit, merr me vete një copë qiell Kosove në zemër dhe nis rrugët për të gjetur at që atij i mungon në jetë, që siç e thotë edhe në vargun e tij, kërkon...FJALËN FJALË DHE NJERIUN NJERI. Edhe në zjarr të ferrit do të shkelë, vazhdon poeti, për të gjetur at që kërkon. Pena e tij është e butë dhe mallëngjyese kur shkruan për mallin. Në poezitë e mallit për Atdhe çdo shqiptar, por më shumë mërgimtari, do të gjejë të shprehura në vargje veten e tij, dëshirat dhe mallin e tij, hallet  dhe ëndrrën për tu gjendur aty ku do të ngryset dhe të gdhihet edhe poeti ynë, në Atdhe. Dëshira e madhe e mërgimtarit për të folur, për të qeshur, për të kënduar dhe për të qarë vetëm shqiptarisht, shprehet thellë në poezitë e Profesor Sabit Abdylit. Shumë herë lotoi nga malli, por edhe kaq shume here të tjera qau prej inatit për fatin që pati ky vend legjendaresh. Si njohës i mire i rrjedhës së ngjarjeve në vendin e tij, i pashkëputur asnjëherë nga realiteti, poeti godet zhgënjimin dhe intrigën e kaprciozëve politikanë që luajnë me ëndrra dhe fate njerëzish. I revoltuar poeti ketë e shpreh në shumë poezi të tij.... DO TE DOJA TË JESH QIELL PA HILE....ose, FLASIM NE GJUHËN E NËNËS DHE QAJMË PA FAJ. Në ketë vëllim Profesori vjen të kujtojë lexuesin ku i kemi rrënjët dhe me penën e tij mbledh PORTRETE NJERËZISH TË MUNGUAR, siç shprehet në një varg të tij, na sjell pranë portrete dhe emra kreshnikesh të pushkës dhe të penës që shkruan historinë e këtij vendi, ATA QË E DESHEN DARDANINË ZONJË,... thotë në një poezi. Bashkon në poezi zëra heronjsh, zëra të njëjtë, të periudhave të ndryshme, por të të njëjtit ideal. Na sjell Kastriotin dhe Adem Jasharin, dy legjendarë të pushkës së kësaj toke mëmë, të njëjtën gjë bën edhe me Fishtën dhe Podrimën dy poetë të penës që ngritën peshë secili në periudhën e tij masa të mëdha njerëzish me idetë e tyre patriotike. Si  njohës i mirë i realitetit, forcës së fjalës dhe të penës, profesori vendos të na dhurojë një libër në vargje. Ky vëllim ka katër cikle të lira: MALL, IMAZH, KAPRICIOZE dhe  QIELLIT TË SAJ. 
Duke mbajtur mbi supe kaq mall, vargu jep imazhe për vendin dhe balten ku u rrit poeti, përshkruan me mjeshtëri çdo cak te shtëpisë dhe të rrugëve ku shkeli dhe hapë në sytë e lexuesit një parajsë të vërtetë, male të larta dhe krenare, fusha të jeshiluara, ajër të pastër dhe burime të kulluara dhe diku këtu pena e tij ngrin, thyhet, zhgënjehet. Nuk po e njeh me ketë vend poeti, i duket si një vend tjetër, sikur nuk jetoi kurrë këtu dhe shkruan në një varg rrëqethës... QË KUR ZOGJTË MORËN UDHEN, DIELLI I PRANVERËS NUK NGROH MË, ËSHTË AKULL I FTOHTË. Shikon me keqardhje NË KULLËN QË LINDI TRIMA  GOSTITEN HORRAT DHE JU VENË PLISA TE BARDHË. Gjendjen e sotme ne vendlindjen e tij poeti e godet me forcë dhe hapur në shumë nga poezitë e tij dhe shpreh keqardhjen që nuk mund të bëjë dot asgjë për ketë vend që e do kaq shumë. QIELLIN E KOSOVËS E ZUNË RETË QË JA MARRIN FRYMEN, QULLASHËT ME INTERESA KLANESH, dolën në skenë të ndrydhin lirinë që u sakrifikua kaq shumë, që u derdh kaq shumë gjak. Pena shkruan dhe vargu psherëtin për të pazotët që erdhën të lozin me fatin dhe ëndrrat e njerëzve qe luftuan, që erdhën të bëhen pengesë në të ardhmen e fëmijëve të tyre të pafajshëm. Vargu loton dhe kërkon nëpër botë te mbledhë THERMIJAT E NJË KULAÇI TË PJEKUR NË ZJARR DHE NË HI, siç thotë në një varg poeti, por me kot lodhet. Bijtë e kësaj toke u shpërndanë si zogjtë e korbit nëpër bote duke mësuar pa dashur as ata vetë anë të reja horizontesh të pashkelura. Kur u ngritën një mëngjes panë që dielli nuk lindi atje ku e prisnin, por ju kishte kthyer shpinën ashtu si vetë fati i tyre dhe vatrat e tyre. Kur folën me fëmijët ne telefon u përshëndeten si dreqër, njeri mirë mëngjes dhe tjetri mirë mbrëma....Me psherëtima dhe me lot ne sy pa dashur as vetë, profesori gjendeshe në anën tjetër të globit, në breg të një oqeani të pafund. e vetmja shoqëri dhe ngushëllim e tij ishin valët e oqeanit. Me to bisedonte dhe nxirrte mallin, sepse ishte i bindur qe ujërat në rruzullin tokësor takohen diku dhe njerëzit në kontinentin tjetër do ta merrnin mesazhin e dhimbjes. Varka të përplasura në det po të ishin poete do të shkruanin të njëjtat vargje si të poetit tonë...VALË MOJ HILEQERE, FRESKOMË EDHE MUA, SE JAM MERGIMTAR, shkruan poeti me dhimbje në një poezi të tij .Ky vëllim poetik që do të marrë lexuesi në dorë, ka vlera të mëdha edukative dhe është ngritur bukur dhe me kujdes në art. Realiteti i dy periudhave të jetës që jetoi poeti shpaloset fuqishëm si një mësim jete për të gjithë ne vargun e tij të qëlluar lirik. Në një poezi profesori shkruan; QË TË JESH NJERI DUHET TE SHIKOSH NE SY TE ARDHMEN DHE TË KALUAREN. Ketë do të rrënjose si poet dhe profesor, si prind dhe si njeri i rrallë. Kjo ide dhe punë e kujdesshme e shprehur në ketë varg të lirë, e bën ketë vëllim të dashur për lexuesin dhe të veçantë. Faleminderit profesor ynë për ketë dhurate që na bëre! 
Korrrik, 2014

Friday 5 September 2014

Shaqir Kabashi, njeriu i aksioneve të guximshme



Shaqir Xhem Kabashi 1925-1997 
“Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohët ... katër herë u lëshuame parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste...”
Shaqir Kabashi ishte një nder  pjesëtaret më aktiv të operacioneve anglo-amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet 1949-1953. Shaqiri u lind në vitin 1925 në Kabash, fshat ky i njohur në Anamoravë  për sakrifica e flijime për çështjen kombëtare. Po përmend këtu disa prej flijimeve të familjes së Shaqirit: Gjyshi i tij, Ibrahim Ahmet Kabashi u vra nga forcat e Turgut Pashës 1910 bashkë me kushërinjtë e tij të parë, Adem e Mustafë Kabashin. Agushi, vëllai i gjyshit të Shaqirit, vritet më 1913 bashkë me 50 e më tepër kushërinj të tjerë nga forcat serbe, Tafa /kushëri/ vritet më 1943, Hamdi e Bajram Kabashi /kushërinj të parë të Shaqirit/ vriten më 18 prill 1945 në malet e Kopilaçës në luftë me Brigadën e XVII – të  sllavo-maqedone.  Hasani, komandant batalioni /axha i Shaqirit/, plagoset për vdekje duke çarë pritën  në kufirin maqedonas-grek, me 28 nëntor 1945 /varri nuk i dihet/, Rexhepi, zëvendëskomandant batalioni  /kushëri i parë/ në dhjetor të vitit 1945 vdes në Florinë /Greqi/, Ibrahimi /vëllai/ në vitin 1951 vritet nga forcat e sigurimit shqiptar dhe Ahmeti  /kushëri i parë/  në vitin 1953 gjatë desantimit në Shqipëri bie në grackën e Sigurimit shqiptar dhe dënohet me vdekje. Shaqiri që në moshën 19 vjeçare i rrëmbyer nga ndjenja patriotike, u bë krah i fortë i çetave  balliste që ishin vu në mbrojtje të trojeve denbabaden shqiptare në Anamoravë të Kosovës e më gjerë. Fundja, ai po ndiqte rrugën e paraardhësve të tij, që kurrë nuk pushuan së luftuari kundër pushtuesit të huaj. Në çetat, që vepronin në malet e Kopilaçës /1944-1945/ u çelikos për t’u përballuar katrahurave që sjellë lufta. Shaqiri që kishte trashëguar cilësitë më të mira të të parëve të tij dallohej si një ushtarak model, i zoti, trim dhe me mendje të shkathët. Në gjykime i drejtë, por herë-herë i rrëmbyer. Kundërshtar i devotshëm i komunizmit. Si pjesëtar i forcave anglo-amerikane disa herë mori pjesë në desantët e organizuara me parashutë nga territori grek, italian e gjerman kundër regjimit komunist në Shqipëri. “ Z. Esat Bajraktari, shkruan Beqir Sinaj në gazetën “Bota sot”, 17 nëntor 2003, faqe 25, i cili e ka njohtë nga afër Shaqirin, rrëfen: “Katër herë ka hy në Shqipni Shaqiri. Dy herë bashkë me Hamit Matjanin në Jug të Shqipnisë dhe dy herë tjera në Veri me Gjon Gjinin dhe Han Kotaren.”  Edhe pse kishte desantuar shume herë, asnjëherë sigurimi nuk arriti ta kapte, gjithmonë kthehej në bazën e nisjes i pamposhtur. Në desantin e muajit gusht të vitit 1951 i vritet i vëllai Ibrahimi. Ilegalisht vjen në vendlindje, nëntor 1950 dhe në vitin 1952 pas desantit në Shqipëri. Herën e dytë ishte i plagosur në këmbë. Shërohet  ilegalisht në shtëpinë e Xhemajl Azizit në Kabash dhe pas dy-tri javësh e kalon kufirin maqedonas për në Greqi. Kjo ishte hera e tretë /1945, 1950 dhe 1952/ që po e kalonte në këmbë, shkelte të njëjtën rrugë. Në aksionin maj-qershor të vitit 1950 në rajonin Mat-Mirditë, zonë e Kthellës, grupi diversant në mesin e të cilëve  ishte Shaqiri me kushëririn e tij, Ahmetin, Beqir Bajgorën nga Peja, Hajredin Vuçetërnën, Destan Berishën etj. me komandant Riza Alijan nga Prizreni, ranë në pritë të forcave të Sigurimit shqiptar. Ja si e përshkruan betejën me forcat e ushtrisë dhe Sigurimit shqiptar antikomunisti Bardhok Ndreu: “S'kemi ecur më shumë se 100 metra, kur kemi hasur një perde të dendur zjarri, që nuk merrej vesh se nga ç'anë vinte. Nga të gjitha anët krisma automatike. Zjarri ishte i rreptë. Kosovarët luftonin trimërisht, por në zjarr e sipër mbetet kapedani Riza Alija...”  (Marr nga artikulli i Dalip Grecës “Sigurimi i dha Zefit helm që të helmonte Mark Pirolin”, publikuar në gazetën “Standard,” 27. 12. 2008, Tiranë. Shërbimi sekret Amerikan e Anglez kur kuptoi se Kim Filbi po informonte sovjetikët për planet e tyre, ata i ndërprenë aksionet. Deri në vitin 1955  Shaqiri jetoi në Greqi, kampin “Lavrios”.  Pas një qëndrimi të shkurtër në Francë, në vitin 1956, vendoset përfundimisht në Amerikë. Në vitin 1966 i përmalluar për shokët, familjarët... Shaqiri vjen për vizitë në Turqi. Në Stamboll,  çmallet me të vëllain Destanin, motrën Faten dhe familjarët tjerë të ardhur nga Kosova kastile për ta takuar Shaqirin. Në të kthyer për në Buffalo të Amerikës ndalet te kushërinjtë, shokët e luftës: Nezir e Mejdi Kabashi në Gjermani.  “Xha Shaqiri,– ishte i matur, i vëmendshëm, fjalëpakë, modest, mirë i informuar për situatën në të gjitha tokat shqiptare e më gjerë. Sa mori vesh se jam me profesion mësues ju bë qejfi shumë. Kosovës, tha disa herë, i duhen njerëz të ditur e të shkolluar. Djalin e vëllait, Salihun, që ish vendos në Stamboll për të jetuar, e urdhëroi: Kthehu prej nga ke ardhur. Atje, duhesh të qëndrosh! Guri i rëndë është veç në vend të vet.  Kisha dëshirë të fliste për rezistencën, për aksionet e rrezikshme të vitit 1944 -1945, desantët aq te guximshme me parashutë në vitet 1949-1953, kalimin ilegal të kufijve Shqipëri-Kosovë,  Maqedoni-Greqi, por nuk e tha asnjë fjalë për atë periudhë.” /Ferat Abdyli, arsimtar, i lindur në vitin 1940 në Kabash, i cili u takua me Shaqir Kabashin në Stamboll, gusht 1966/.  Gazeta “Buffalo News”, në artikullin, - Luftëtari i luftës së ftohtë - me rastin e vdekjes së Shaqir Kabashit, në faqen e parë të saj,  27 dhjetor 1997, shkruan: “Kabashi i takonte grupit të luftëtarëve që haptas njiheshin si luftëtarë të luftës së ftohët ... katër herë u lëshua me parashutë në malet e Shqipërisë, mes viteve 1949-1953, në misione sekrete për ta rrëzuar qeverinë komuniste. Shaqir Kabashi bëri një jetë të qetë në Williamsville.  ... Ai ishte shumë privat, thjeshtë kishte dëshirë të shkonte në punë dhe të kthehej në shtëpi. ...  ka punuar në Tonawanda General Motors. ...ishte njëri ndër luftëtarët e fundit të luftës së ftohtë...  nuk u martua kurrë.”
Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë ...
Ibrahim Xhem Kabashi 1929-1952
Në  vitet 1990 dhe 1993 vjen në Shqipëri në kërkim të eshtrave të vëllait të tij, Ibrahimit /1929-1952/. Pas shumë hulumtimeve këmbëngulëse, peripecive, harxhimeve të shumta arrin t’i gjej eshtrat e Ibrahimit dhe i rivarros me të gjitha ceremonitë fetare në varrezat myslimane në Hilmar, afër Fierit. Në Kabash, në shtëpinë e tij, më 12 maj 2004, Habib Ahmet Agushi,  kushëri i afërt me Shaqirin,  derisa fliste për të atin, Ahmetin, i pushkatuar në vitin 1954, hulumtimet e tij për ta gjet varrin, të cilin nuk e gjeti, takimin me Shaqirin në Shqipëri,  nën tymin e cigareve që i ndizte njërën pas tjetrës, më tha: “Pasi e rivarrosëm Ibrahimin, Shaqiri  për ta ngushëlluar vetën  dhe mua,  i mërzitur ndërhyri me fjalët: U hoq qafe njëherë e përgjithmonë sistemi komunist, që na ka shkaktuar kaq shumë vuajtje, kaq shumë vdekje... nuk jemi vetëm ne që po kërkojmë varrezat e njerëzve tanë. Kam parë edhe të tjerë gjithandej Shqipërisë duke kërkuar eshtrat e burrave të zhdukur,   të cilët e kundërshtuan, nuk e deshën, e luftuan murtajën komuniste e cila ka lënë në zi përjetë familje të tëra. Fundi, bacoo, nuk i dihet burrit! Në vitet e 50-ta, ne kemi desantuar këtu për ta përmbys regjimin komunist të vetëdijshëm se edhe mund të vritemi. Pas gjetjes së eshtrave të Ibrahimit,  Shaqiri  u lirua nga ankthi që e kishte munduar dyzet vjet me radhë. I gëzuar edhe për faktin e ardhjes së demokracisë në Shqipëri, ai e ndjente, besonte fort  se edhe Kosova ka për ta gëzuar lirinë.  E përcolla me veturën time deri në kufi të Greqisë. U ndamë,  me shpresë se do të shihemi prapë,  por  Shaqiri nuk e priti 12 qershorin e vitit 1999, ditën kur nisi të valëvitet flamuri me shqipen dykrenore lirisht qiellit të Kosovës, vdiq më 18 dhjetor të vitit 1997 në Buffalo të Amerikës. Ceremonia mortore u mbajt në New Jersey, kurse u varros në Long Island  (New York).”   I ndjeri me testament i la Qendrës Islame Shqiptare të New York-ut dhe New Jersey-it mbi 400 mijë dollarë. Në shenjë nderimi, salla e xhamisë në Garfield të New Jersey-it  quhet, Salla “Shaqir Kabashi”. 
Sabit Abdyli, Auckland