Tuesday 31 March 2015

JEPNI DJEMA


Nё vitin 1969 me 15-20 të rinj të organizatës së vëzhguesve po udhëtonim me tren drejt qytet të Manastirt pёr tё vazhduar pastaj me autobus pёr nё njё pushimore pёr fёmijё afёr Ohrit. Fёmijёt pas llafeve e qeshjeve filluan tё kёndojnё. Dy zonja nё tё njejtёn vagon me neve ju thartuan fytyrat. Folën pёsh-pёsh diҫka mes veti dhe njёra u ҫua e doli. Kënga shqipe si pёr inat tё zonjave ushtonte edhe më fort. Njё grua tjetёr aty përball nxёnёsve me një shami të bardhë nё kokë, e hajthme, mbi 40 vjeҫe, gjithë qejf dëgjonte. Zonja, qё doli pas pak u duk nё derё me konduktorin e trenit. Ja, dёgjo si gёrvallen kёta, i tha, konduktorit. Nuk jeni ju vetё kёtu, pushoni!- u kёrcnua ai, qё e shoqёronte zonjёn. Fёmijёt e ndalёn kёngёn dhe po shikonin drejt neve tё rriturve. Ende pa hapur gojёn unё, ndёrhyri zonja me shami tё bardhё. Pse po ju pengon kёnga dhe gёzimi i kёtyre engjujve, le tё kёndojnё, po nuk ju pёlqeu kёnga mund tё ndёrroni vagonin. Jepni djema, kёndoni! Reagimi i kёsaj nёne "maqedane" me la mbresa dhe mendova se edhe nё mesin e atyre, qё nuk na duan, ka njerёz tё mirё (edhe mund tё ketё). Tash pas rrëfimeve tё shqiptarёve ortodoks nga Reka e Epёrme nё Maqedoni, mёsova tё vёrtetёn pёr gruan me shami tё bradhё e zemërbardhe, sigurisht, ajo ishte njëra prej shqiptareve tё kёsaj ane. 
Sabit Abdyli
Auckland, 2014

Saturday 14 March 2015

R E C E N S I O N për trashëgiminë gojore mbledhur në Kabashin e Anamoravës e autorit Sabit Abdyli

Shkruan Dr. Jakup Sahiti:

Dr. Jakup Sahiti

Profesor Sabit Abdyli, në një mënyrë kronologjike, nënvizon se kabashët e Kabashit të Anamoravës e kanë prejardhjen nga Kabashi i Prizrenit. Sipas autorit, ata u vendosën kah fundi i shekullit XVIII, në një territor, asokohe të pabanuar, pronë e Gjinollëve të Gjilanit. Këtu kabashët gjetën vendin që preferonin. Autori, që në hyrje, ka shtruar çështjen e kësaj trashëgimie gojore dhe problematikën e studimit, po ashtu edhe metodat dhe rrugët e studimit të këtij projekti shkencor. Duhet theksuar se kjo është një trashëgimi e mirëfilltë gojore e mbledhur në Kabashin e Anamoravës, me ç`rast, personazhet e skalitura bindshëm, na duken si heronj të poemave kreshnike. Këta nuk janë tridhjetë kreshnikët e Judbinës e të Klladushës, por janë trimat e Kabashit të Anamoravës, që kur vjen puna për atdhe, për komb edhe për fe, sofrën të huajit me gjak ia bëjnë! Profesor Sabit Abdyli, ka botuar disa libra shumë të vlershëm për studimet albanologjike në fushën e letërsisë dhe të folkloristikës. Ai ka dhënë një kontribut të patjetërsueshëm dhe të çmuar për mbledhjen, sistemimin dhe studimin e folklorit në trashëgiminë gojore të Kabashit të Anamoravës. Për mbledhjen e folklorit ai shfaqi një interesim të jashtëzakonshëm që nga rinia e hershme. Profesor Sabit Abdyli është një ndër kuadrot e dalluara të Kosovës në fushën e arsimit, të shkencës e të kulturës. Autori, me shumë kujdes, ka shfrytëzuar praktikat e ligjeve folklorike. Ai qëmton fakte, shembuj dhe fjalë të urta popullore, trajton, në një mënyrë të veçantë, doket dhe zakonet e popullit tonë, shprehjet dhe begatinë proverbiale që kanë gjallëri e dinamizëm, botën e pasur të aforizmave, pastaj thëniet e goditura fuqishëm që kanë një forcë shprehëse të papërsëritshme e që përbëjnë mësime e mendime të përgjithësuara të nxjerra nga jeta dhe nga goja e popullit! Kjo është një pasuri më vete, një gurrë e pashtershme e atdhedashurisë, e traditës, e dokeve dhe zakoneve, e përmasave popullore e kombëtare, e urtësisë, e mençurisë, e filozofisë shpirtërore e morale të popullit tonë dhe e mendimit të psikologjisë së tij. Si njeri i penës, ai vepron e punon me devocion e përkushtim, shkon kudo nëpër fshatra për t`u takuar me njerëz, për të biseduar me ta, për të parë nga afër hallet dhe brengat që i kanë, njëherazi, në bllokun e tij, shënon gjithçka në të mirë të folklorit të kësaj treve dhe të kombit tonë në tërësi. Edhe pse shkoi në mërgim, punën shkencore nuk e ndërpreu asnjëherë. E merr malli për trashëgiminë gojore dhe për Kabashin e Anamoravës, andaj, profesor Sabit Abdyli, me nostalgji thotë: ”Kabashëve të mi të mirë e bujar, trima e të fisëm”! Autori shtron çështjen e fjalëve të urta popullore dhe përdorimin e dendur të kësaj krijimtarie. Në këtë drejtim, trashëgimia e kësaj treve, është burim i pashtershëm frymëzimi, vetëdije e vetëmohimi, ku gjallërohen, portretizohen e përjetësohen aftësitë krijuese të njeriut. Këtu respektohen dhe përfillen me ngulm, parimet e modeleve e të figurave poetike si dhe llojet e letërsisë gojore. Autori ka sjellë shumë shembuj për trashëgiminë gojore të Kabashit të Anamoravës. Si zakonisht, në folklorin shqiptar, ka thënie të jashtëzakonshme, me praktika të papërsëritshme, kur burrat tubohen në odë dhe kuvendojnë. Duke biseduar, një pozharanas iu thotë burrave të Kabashit: ”Mema gjet (dhanë) një çikë të juajen për djalë ... e dini se ju due ... edhe me fol ka del shpirti kam dëshirë që nipat të më dalin të mirë”. ”Valla, i përgjigjet njëri prej kabashëve, në dash me të dal nipat si Kabashi, gjeje naj çikë të bijave tona se neve na ka rrue dreqi, kemi dal fare krejt, fëmijët po na dalin kah nanat”! (Shënoi: Sabit Abdyli) Ose: ”Hamdi, po na duhen oficerë. I dimë kualitetet, aftësitë e tua. Kem vendos me të gradue kapiten dhe menjëherë... - ”Ku?” – i veti, baci Hamdi. - ”Në Shypni (Shqipëri), kundër komunistëve”. -”Gjeneral mem ba, dynjan me ma dhanë nuk luftoj kundër vëllazneve të mi. Kundër çetnikëve e bullgarëve që po mbajnë nën terror tokat tona, jam gati tash me u nis. – u tha baci Hamdi.” (Shënoi: Sabit Abdyli) Ose: ”Hajdini e Jetishi si kushëri e shokë që ishin, kur takoheshin nuk ndaheshin me orë të tëra. Me një rast, ashtu spontanisht, nisin për t`i vlerësuar se kush është burrë e trim në Kabash. Secilit i gjejnë dobësi e të meta. Kur vijnë te anëtarët e familjeve të tyre paksa e patën më vështirë. Hajdini, për ta marrë mendimin e bashkëfolësit, i thotë: -”Jetish, çka me të thanë për axhën tand...i mirë asht!?” ”Jo, jo- i përgjigjet Jetishi. Ti nuk e njeh si unë. Fshije me niherë (menjëherë).” Pas pak ndërhyn Jetishi: “Hajdin, vëllaznit e tu…!?” “Edhe vëllaznit e mi fshij, ti nuk i ke në shpi se, as nuk kishe vetë për ta.” Ata, në ndarje, konstatuan se trima e të mirë në Kabash, ishin veç ata dy.” (Shënoi: Sabit Abdyli) Ne i veçuam vetëm disa xixa të kësaj trashëgimie gojore që kanë të bëjnë me gurrën popullore të Kabashit të Anamoravës. Në këtë trevë, kësi shembujsh ka tejet shumë, pra janë shembuj që e mbajnë gjallë zjarrin e dashurisë për dashamirësit e folklorit shqiptar. Recensioni mbi të cilin mbështetet puna jonë hulumtuese e shkencore, jemi përpjekur ta analizojmë drejt dhe ta interpretojmë me objektivitet e përgjegjësi! Këto përpjekje, analiza dhe interpretime, i kemi orientuar në ndriçimin e vlerave të kësaj trashëgimie gojore. Prania e oralitetit, respektivisht e gojorësisë, krijon efekte emocionale shumë të fuqishme të cilat kënaqin shpirtin e lexuesit e të receptuesit /marrësit/. Frazeologjia dhe fjalët e urta popullore që janë përdorur me kujdes të veçantë, do t`i gjejmë të inkuadruara mjeshtërisht, në trashëgiminë gojore të kësaj treve. Tematika që ngërthen në vete kjo trashëgimi, ka përmasa të gjera kohore që kanë një larushi të pasur folklorike. Është e ditur se shumë kolosë të kulturës dhe të artit botëror, janë bërë të mëdhenj duke u mbështetur në thesarin popullor. Për folklorin Gjergj Fishta thoshte se është pasqyra e ”psikes së komit”. Frazeologjia popullore, me ndërtime të veçanta idiomatike dhe me fjalë plot magjepsje që burojnë nga gurra e urtisë popullore, mishërohen e gjallërohen qartë e bindshëm, në trashëgiminë e pasur të kësaj treve. S`është çudi, pra, pse në veprën e autorit, thesari popullor zë vend aq të rëndësishëm. Vepra e tij ruan vulën e krijimeve të mirëfillta popullore dhe të mjedisit në të cilin është krijuar. Ky projekt pasuron vargun e përpjekjeve të studiuesve tanë për ndriçimin e problemeve në fushat e përbashkëta të folklorit shqiptar. Profesor Sabit Abdyli, që më ka caktuar recensues për vlerësimin e veprës së tij, ”Trashëgimia gojore mbledhur në Kabashin e Anamoravës”, jap mendimin se kjo vepër në dorëshkrim, meriton të botohet dhe se paraqet një kontribut të veçantë për kërkime dhe studime albanologjike, në fushën e letërsisë dhe të folkloristikës. Me respekt Jakup Sahiti