Monday 30 June 2014

Nënë Lumja (proze)



“Më dhemb e ther trupi gjithkah. Do të prishet moti!  Ngutu bijë e nanës, se mos po vonohemi...”  –  i tha së mbesës Nënë Lumja, duke ia shpushpurish balluket e ballit, para se të niseshin për në shkollë. Nënëmadhja me të mbesën sa dolën në rrugë, takuan  një plakushë me një qenush për dore të veshur me copë stofi  ngjyrë portokalli dhe kordele  të lidhur në qafë, kurse pak përtej me vrap po vinin dy femra goxha në moshë të mbytura në djersë.  Grat, kur u afruan, hapën buzët sikur po buzëqeshnin dhe vazhduan vrapin me të nijetin ritëm. “Nënoke, gjithë gjallëri i cicëroi nënë Lumes, e mbesa - kjo zonjë llafos me qenushin e saj, si me njerëz. Vetë e kam dëgjuar. Veç me qenushin jeton“. Po bijë e nanës, qenushi i kësaj plakushe e banë jetën e plakushës, plakusha të qenushit. I japin e i marrin njani tjetrit. Që të dytë kanë heq dorë nga raca e vet, ndërsa grat, që po vrapojnë, duen të hollohen. Vetëm këtë hall kanë!” Iu përgjigj së mbesës, Nënë Lumja, duke fshehur shqetësimin e saj që,  prapë gjatë natës, gjumin nuk e kish bë të rehatshëm, prapë iu kishin shfaqur ëndrra të çuditshme, herë-herë të llahtarshme dhe, si gjithmonë, me përmbajtje të çoroditura: Pështjellim, njerëz të shfytyruar, që i nxjerrnin sytë njëri tjetrit... “O Zot, hajër ishalla!” –  ish lut Nëna. Zgjohet e trembur nga ëndrrat dhe më nuk kish shti gjumë në sy, kish numëruar ditët, kush e di sa herë, kur ka për t’u kthyer në Kosovë. Kish menduar gjatë se mos, o Zot, Dreni po mbetet veç me një fëmijë,  po i hyn në gjak paraja, po e harron vetën, të vetët, po i përshtatet jetës së këtij rrethi dhe do të mbetet në ketë vend të huaj, midis këtyre njerëzve akull të ftohtë. Mandej, mendja i kishte shkuar te djemtë e vajzat e djalit tjetër në Kosovë. Kish bë hop  për të dalë në sallon, ta ndez cigaren,  por nga droja se po ua  prishte gjumin djalit e nuses, kish heq dorë. Kish ndjer dhembje në shpirt për ta, që me dritën e parë të mëngjesit  niseshin për në punë dhe ktheheshin në shtëpi vonë në darkë. Pastaj para syve të hapur na, iu kishin shfaqur: demonstratat e vitit 1981, thirrjet e demonstrueseve, pankartat, ndërhyrjet e policisë.  Arrestimi i Drenit në orët e para të mëngjesit...  Shkuarjet në burgun e  Nishit në vizitë djalit. Dalja e tij nga burgu pas 5 vjetëve. Bllaca e vitit 1999. Dreni, ushtar i lirisë në malet e Koshares. Dhe vendosja e Drenit në ketë qytezë dreqi me shkëlqim të rremë. Në mëngjes, Dreni e kish vërejt pagjumësinë,  mërzinë  e nënës...  Me dhembje e kish shikuar gjatë. Iu kujtua kur ajo ishte e fortë, plot gjallëri e jetë, kur nuk dorëzohej, bile edhe atëherë kur aksidentalisht vdiq babai, ajo nuk u dha, nuk u ligështua, i rriti, shkolloi me shumë sakrifica, saqë nuk i mbeste as një sekondë kohë të merrej me vetveten. “Nanë, i tha, derisa po nisej me të shoqen në punë, po mërzitesh... në shtëpinë tande je, çlirohu, çka nuk po bahesh rahat, shyqyr zotit tanat t’mirat i kemi!” “Jo, jo, mirë jam, u kënaqa me juve. Mos u ban merak, se kështu unë jam e marume, nuk mundem me prit dritën e sabahit në shtrat”. – i kish thënë, Drinit.
Majtas e djathtas drunj, në mes rruga, me trotuare të gjera e të pastra, rreth e rrotull shtëpi të bukura e të heshtura, mbi çatitë e të cilave re me forma të çuditshme përdridheshin drejt qiellit që po mrrolej. Te dyert e shkollës,  e dorëzoi të mbesën. Nuk ia hoqi sytë derisa ajo brenda mureve të oborrit e përshëndeti me dorë. Përshëndetja e saj e mrekulloi, ia gufoi zemrën. O Zot, u lut, rrite!
U kthye trotuarit të gjerë pa njerëz, duke  menduar sesi ka për ta plakur ditën fill kalli vetëm,  pa pasur me kënd me çel gojën.

Në pasqyrë, përball derës, brenda korridorit të shtëpisë, shikoj flokët që ia kishte  spërkatur  aq shumë bryma e bardhë,  faqet, që  po i humbnin pak nga pak. Ndezi televizorin sa për ta thyer qetësinë. Jashtë, një shi i prajshëm e i ngrohtë nisi të bie. Rregulloi  me kujdes divanin, ndenjëset në sallon, sistemoi lodrat e së mbesës në dhomën e saj dhe e çliruar paksa nga dhembjet reumatike, u ul pranë dritares dhe, derisa po shikonte përtej xhamave të mjergulluar, një dremitje e ëmbël e çoi në Kosovë, e çoi te qershia në oborr,  te aroma dehëse e luleve të egra ndanë ograjës, mbi të cilat një flutur e bardhë si tamli fluturoi.

Sabit Abdyli

  Kanë thënë për tregimin:

Antonina Kodheli:  PROFESOR, PRAPE BALLE PER BALLE TE DY. MEGJITHESE KEMI TE NJEJTEN MOSHE UNE JAM NXENESJA JOTE.MESOJ NGA TY CDO DITE.DI TE RESPEKTOJ. POR TY MEGJITHESE NUK TE NJOH DO TE TE FLAS SI SHOK,SI MIK,SI PROFESOR.ME LE ME GOJE HAPUR.PER MUA E KE SHKRUAR? PO E KAM JETUAR PROFESOR.TAMAM SI NE SHKRIMIN TEND. E KAM JETUAR ME GJYSHEN TIME TE MIRE. SA ME MUNGONIN KETO CASTE.PROFESOR,ME KTHEVE NJE GJYSEM SHEKULLI PRAPA. TE FLM QE DHE MUNDESINE TE BEHEM FEMIJE NE KETE MOSHE PROFESORI YNE I MIRE.KJO DO TE THOTE TE JESH SHKRIMTAR I AFIRMUAR.TE SHKRUASH DHE SHKRIMI TE JETE I KUPTUESHEM NGA TE GJITHA MOSHAT. SA ME KENAQE O MIK I RRALLE. PO CFARE KA KJO PENA JOTE O PROFESOR QE NA TERHEQ KA SHUME? SA I BUKUR KY SHKRIM. PROFESOR TE FLM PER GJITHCKA NA KE DHURUAR. ZOTI TE DHENTE SHENDET DHE QETESI. TU RRITTE NDERI O MIKU YNE I MIRE!.

Evah Haliti El: Vehen perballe dy botera te kunderta ,gjyshja me vajzen dhe plaka me qenin.Jetojne ne te njejten kohe,ne te njejtin vend, por me "misione e interesa"te kunderta.Derisa, gjyshja ben jeten e gjyshes,me plote shqetesime per femijet,per familjen e ndare(ca ne atdhe e ca ne mergim) dhe te ardhmen e tyre,tjetra, plakushja kujdeset per qenin, me shume se per veten("kan nderruar rolet-jeten").Derisa djali e nusja shkojne ne pune qe me nate,rruges enden do krijesa te botes se "modernizueme"qe per qellim kane vec hollimin e vet(largimin e teprise se mishrave...)Qellimi i gjyshes shprehet aq natyrshem dhe prioritar permes lutjes qe i drejtohet te plotefuqishmit per mbesen "oh zot rrite". 

Miradie Zymberi-Avdullahi: Jeni mjeshter i madh i tregimeve te ketij zhanri i nderuar mik! Ju uroj qe te keni gjithehere keto frymezime per te sjellur gjithehere tregime dhe storie te tilla si freski para lexuesve! Suksese i nderuar!

Besim M. Zymberi: Nje shperfaqje, letrarisht e arrire dhe emocionalisht shume e ndjeshme, e nje fitoreje me plot dhimbje e dhembje...Nga endrra-ne enderr...Apo, nje tronditje nga tjetersimi-shperfytyrimi identitar si kanosje, por me nje rikthim te endrres, e cila vecse eshte prekur... Tregim i bukur!

Miki Tahiri: Profesor i nderuar edhe nje tregim i Juaji prekes, nje sfide e rende ku Nena shqiptare si gjithnje fale forces dhe krenarise shpirterore, mbijeton/i cdo kohe te pakohe.... eshte e pamundur njeriu ta lexoje kete shkrim vetem nje here...shume te fala e falenderime qe na sjellni gjithnje freski kudo qe ndodhemi neper bote...me respekt te vecant....

Alketa Qejvani: Prekese! Nenat, keto heroinat e heshtura qe shpirti u coptohet e nuk e japin veten.  Shume e bukur, Profesor. Me lot ne sy lexohet. 

No comments:

Post a Comment