Saturday 8 September 2018

PORTRET ME FJALË I HEROIT



Në tokën e  Arbit  me 28 nëntor 1443 erdhi me bujë. Bashkoi  kapedanët e  përçarë. Një çerek shekulli  bedenave   të Arbënisë  nën flamurin fushë kuq e shkabë zezë bëri roje.  Ushtria armike kur e ngazëllyer thërriste, "hë,  e zumë, brenda kështjellës" ai i sulmonte prapa shpine jashtë kështjellës, kur e mendonin se është jashtë kështjellës ai ishte brenda saj. Krejt jetën në luftë, por  vdiq në shtrat i rrethuar nga bashkëluftëtarët. Gjysmëhëna provoi t'i zhduk emrin e varrin. Heroi  edhe i vdekur  vazhdoi luftërat po tash pushtuese  me shpatë hipur mbi kalë. Pushtoi sheshet e qyteteve gjithandej kontinenteve gdhendur në gur e derdhur në bronz. Pushtoi zemrat dhe me të bëmat e tij u fut në libra:  historianësh, poetësh, diplomatësh,  artistësh e gjeneralësh, u fut në këngë e legjenda kombesh, u fut në shkollat ushtarake anë e kënd rruzullit dhe nëpër shekuj rrotull globit vazhdon të  jetojë  me nam emri i tij.   
Janar, 2018

Wednesday 5 September 2018

TE ZJARRMI


Kur shkonin nuse çikat e kabashëve bëhej me dije fshati një javë përpara, mos më shumë, se të dielën, (rrallë herë edhe të enjteve) N.N e përcjell çikën. Në pritje, Te Zjarrmi, në oborrin e xhamisë së fshatit)* dilnin të gjithë meshkujt e moshës madhore. Atëherë dasmorët vinin hipur në kuaj. Me të hyrë në fshat, kuajt i tërhiqnin për freri se kaluar nuk lejoheshin, kurse kerrin e kuq me gra brenda dhe medoemos një djalë deri 5 vjeç (djalë kerri i thuhej) e merrnin në dorëzim familjarët e nuses. Fëmijët vraponim për t’i zënë (ruajt) kuajt e dasmorëve. Në ketë rast paraqitej një rivalitet, konkurrencë e madhe. Për punën që bënin fëmija, shpërbleheshin me para, kryesisht monedha të vogla metali. Kafeja përgatitej në hajatin e xhamisë në një stufë ose shporet të improvizuar jashtë. Sa uleshin dasmorët në shtroja të improvizuara me cerga, hastra për ata në krye edhe qilima e postiqeje, hyzmeqarët shpërndanin cigare, ju ofronin ujë të ftohët, shkrepësen për ta dhes cigaren (gjithmonë me dorën në zemër) dhe ndonjë shërbim tjetër që kishte nevojë, duke filluar nga kryekrushku e flamurtari. Dasmorët, ata në krye të vendit, hyzmeqarëve u jepnin cigare dhe ja tregonin emrin. Hyzmeqari shpërndante cigaret, duke përsëritur gjithnjë emrin e dasmorit. Kur kishte këngëtarë ata dilnin në ballë të vendit dhe këndonin, po pati daulle e surle, atëherë hidhej vallja. Bëhej një rreth shikuesish dhe valltarët, qoftë dasmorët, qoftë kabashët i jepnin me të gjitha forcat për të treguar at që dinin.  Me të lajmëruar nga shtëpia prej ku dilte nusja, krushqit ngriheshin dhe në radhë për një parakalonin para vendasve të rreshtuar, duke përshëndetur dhe ndonjëherë edhe me romuze, dikush nga të rinjtë mbante një takëm në dorë ku krushqit lenin para të vogla. Sa jam në dijeni, kabashët janë të parët që ketë punën e takëmit për të mbledhur para nga dasmorët e kanë hequr të parët.  Kur bëhej teslim nusja (gjaki jonë, robi juaj), i zoti dasmës i lëshonte një shumë parash në grusht mikut të ri,  shtihej me revole dhe dasmorët ishin të lirë t’ju hipnin kuajve. 
*Thuhet “Te zjarrmi” se krushqit janë pritur kryesisht në vend të haptë në natyrë. Aty u dhes zjarri për të zier kafen. Kabashi para 1912 krushqit i kanë pritur te Livadhi i Ademit. Aty ku sot kanë ndërtuar shtëpitë, Basri Ibishi me të vëllain.  
Sabit Abdyli
                                     Kabash, 2000. Ne foto kabashe ne pritjen e kurushkeve.