Tuesday 19 February 2019

Cikël poezish te miat, përzgjodhi Haxhi Muhaxhiri për faqen në internet “Sofra poetike”.


Sabit Abdyli
MELODI JETE
Shtegut të parkut i shihje të dy
një shëtitje dhe uleshin
në stolin e drunjtë nën pishë
dy zemrat gdhendur në stol ua kujtonin rininë...
në vjeshtë njëri iku
një krah u këput
dy hapa të lodhur
kërrusur nën muzg
mbas çdo pushimi mbështetur mbi bastun
ndalen pranë stolit
lënë një trëndafil të kuq
Shkurt, 2019

KËSHILLË
Dil nga orbitë i ngushtë mëhallësh,
Mos u lako e mos ik nga vetja!
Lajkatar e flamur ndërrues mos u bë,
Bëhu gonxhe malesh e fushash,
Pranverë e lulëzuar!
I gatshëm për të çelur në çdo stinë,
Luleborë e ushtar motesh të mëdha!
Janar 2018

NËNËS
Për fëmijët e lulet zemra i vlonte
Syrin rreze e shpresë
Në bebëzat saj si në syprinë liqeni
Nëntë pash të thellë
Shihja vetën vëllezërit motrat
Qilimin kuq e zi punuar në vegjë
Djepat bekonte me këngë
E kënga ishte vetë Ajo
Fund janari, 2019

TARAF I TYRE
Betohen në popull e flamur
qyl hanë e pinë
këlyshët me takëm në dorë
u bëjnë temena për një copë asht
nëpër mot gromësirash
i ziu ai që nuk di të leh
të lëpijë e të ha qyl
Janar, 2019

DARDANINË ZONJË
(I.R)
Në barakë druri të premteve
alarmoi botën
i dashuruar pas lirisë
thjeshtë pa fjalë të mëdha
asnjë sharje armikut
i ftohtë akull me kundërshtarë
projektoi rrugën e kombit
dinte çka donte
Dardaninë zonjë
as nuk vërsulej as nuk u zmbrapsej
Fjalën e fundit se thoshte të parë
ecte sigurt me te njëjta kërkesa
me të njëjta fjalë
I dashuruar pas lirisë
as njëherë nuk u thye
as ndërroi fjalë
Auckland, janar 2012

TË NJOH MIRË
Fsheh të vërtetën
lajka pafund
të më bësh të hesht
mirë të njoh
rrugët që thyen në ikje e ardhje
ndërrim regjimesh
dhuratat
përulësinë
qëllim përfitimesh padjersë
Të njoh mirë e nuk mund të hesht
Janar, 2019

NJË DITË
Amanet i lulëkuqeve nën dry
O mot katran i sojit të pangishëm
Patjetër do ikësh një ditë
Me vragë lie fytyrës kujtim
Janar, 2019