Sunday 22 June 2014

Nga libri ditar “Ankthi i Pranverës ‘99”, Prishtinë, 2004, Sabit Abdyli - Fshati Lubishtë



Me datën 5 prill, rreth orës 13.00, të mesditës, mbi 400 paramilitarë e ushtarakë serbë, të verbuar nga urrejtja,  ndërmorën  një aksion ndëshkues kundër fshatit Lugishtë (ish Lubishtë). Sulmi ishte i përgatitur paraprakisht deri në detaje. Po atë ditë, u sulmua edhe fshati  Smirë. Së pari u granatua prej së largu, fshati. U godit shtëpia e Fetah  Etemit. Forcat serbe që më parë ishin stacionuar  rreth fshatit, u futën me tanksa dhe pas tyre këmbësoria, duke goditur me  armë zjarri për vdekje shumë civilë. Në këtë ekspeditë  të egër  morën pjesë edhe serbët lokalë. Banorët okularë (dëshmitarët), panë këta persona: Zoran Angjellkoviq me profesion veterinar, nga  Gushica (Gashaj), Dragan  Nikoliq, dentist, nga  Gërnqari, Zhika (polic) nga Binça, Bora (polic i pensionuar) nga Vitia, Zvonko (polic) nga Mogilla, Nenad (polic) nga Gërnqari. Popullsia e paarmatosur, me forcë zhvendoset nga fshati, duke lënët ë gjitha. Me plaçka të pakta, që arritën t’i marrin nisën  drejt malit të afërt, për ta kaluar kufirin për në Maqedoni. Sadistët serbë i nxorën nga shtëpia  Muhamet Brahim Muharremin 32 vjeç, Xhavit Zenë Ademin 19 vjeç dhe Mustafë Beqir Shemën 33 vjeç. Në orën 13.30 minuta, i pushkatojnë te xhamia e fshatit. Ramadan Hajdarin 70 vjeç dhe Ahmet Jahi  Ramën 20 vjeç i  kidnapojnë diku afër kufirit me Maqedoninë, dhe i ekzekutojnë. Trupat pa jetë të të vrarëve  u gjetën pas përfundimit të luftës, në një varrezë masive në Ferizaj. Beqir Ahmet Nura 80 vjeç paramilitarët serbë e dogjën brenda në shtëpi. I ndjeri ishte i sëmurë, thjeshtë  palëvizshëm. Hajriz Brahim Brahimi (mentalisht i sëmurë), u masakrua afër kufirit me Maqedoninë më 16 prill. Në fshat u dogjën 28 shtëpi, të tjerat, u plaçkitën dhe u demoluan. Lubishta (Lugishta)  në këtë luftë pati 9 banorë të vrarë, duke llogaritur  ushtarin Sali Halim Zenunin i rënë dëshmor në malet e Pashtrikut, si dhe  Kemajl Hamdi Azizin i vrarë në Vërban (Urban).
PS:
Emrat e të vrarëve janë dhënë nga  Metush  Metushi.

No comments:

Post a Comment