Saturday 24 May 2014

Larg-afër


Mbrëmje. Shëtis i shoqëruar nga pulëbardhat dhe shushurima e valëve të Paqësorit. Me zemër të mërgimtarit, që është larg, shumë larg, përballem me vetminë, ndarjen, heshtjen, goditjet e së kaluarës dhe largësinë.
Mendjen e kam Atje... Atje ku i kam të strukur kujtimet. Kujtimet e fëmijërisë...
Valët nuk ndalin përplasjet. Pulëbardhat fluturimin. Unë duke ecur buzë oqeanit, i
ndarë përgjysmë, këtu edhe atje, vetës i them: S’u mësove se s’mësove me pulëbardhat, me detin, me sipërfaqen gungaçe të qytetit-kopsht, me qetësinë, me palmetë...
Bashkë me diellin, mes përmes oqeanit shalova valët, dhe, përtej tij, sakaq si në shuplakë të dorës, pashë Itakën - pranverë të lulëzuar, djepat me nënat ngadhënjimtare pranë. Pashë pranverat e nëpërkëmbura, pranverën e ankthit. Pashë se mbi ata, që e mbajtën pranverën të mbërthyer me terror, më në fund, kish rënë përgjithmonë terri i zi. Pashë Bllacën, përplasjet e partive, keqbërës që bëjnë lojën e armiqve tanë, nënat ngadhënjimtare dhe Dardanin -  nuse. Pashë njerëzit e mirë duke i  falë  Kosovës dashuri... Para tyre u përkula me respekt. Fola me jugën e bardhë, me rrjedhjen e lumenjve, me fushat, me malet, me rrugët (rrugët plot fëmijë), me qiellin (qiellin plot yje)...

Erë e mbrëmjes m’i zhdavariste kujtimet. Valë e trazuar e detit më freskon, rërë e plazhit më djeg. Flas me palmetë,  nuk më kuptojnë. Ngrihem. Vazhdoj ecjen e ngadaltë timen... larg – afër, Dardanisë.

No comments:

Post a Comment