Saturday 24 May 2014

HAXHI


Së pari kishin granatur fshatin nga larg, popullsia me fëmijë që nuk kishin arritur as t’i veshin e mbathin, pleq të pafuqishëm, me plaçka në panik marrin arratinë kush me qerre kuajsh, traktorë, vetura,  në këmbë...  Haxhi u del përpara; “Ku do shkoni, këto granatime duhet të jenë të gabuara. Ju nuk keni asnjë faj. Ndaluni, ndaluni...! “  Dhe sakaq  Haxhi u gjet mes fqinjëve në ikje dhe njerëzve me uniforma me armë ngrehur. “Ç’janë këto ndjekje, krisma në gra, fëmijë e pleq , që asnjë të keqe nuk i kanë bë kujt, fqinj i kam, i njoh si paranë e kuqe. Turp, turp..!” Largohu, qen bir qeni! – dhe me një rafal krismash në ajër e paralajmëroi Haxhin, komandanti me dylbi të varura në qafë. Haxhi e njohu komandantin me dylbi, kryeshefin e sigurimit shtetëror Rajkon, vartës i të cilit kish qenë deri në fillim të luftës,  nuk u spraps, vazhdoi kundërshtimin.  “Marshin tonë drejt fitores nuk e ndal dot as NATO, as ti, o bir kurve! ”, thirri komandanti dhe e uli tytën në lartësinë e gjoksit të Haxhit. Njerëzit me uniforma vunë maskat, zhveshën thikat dhe hynë në fshat, vranë ata që kishin  mbetur, u ngarkuan me gjësende të vlefshme,  i vunë zjarrin shtëpive dhe u kthyen në birucat e kamufluara. Të vrarit nuk kish as kush  t’i qante, as t’i varroste. Dikur në errësirën e natës erdhën katër jevgë me një qerre tërheqëse kuajsh, i ngarkoi të masakruarit dhe morën urdhrin e komandantit Rajko, që  të groposën në afërsi të tankut të kamufluar prej llamarine, po jo thellë, se të njëjtit do të zhvarrosen prapë për t’u varrosur diku tjetër. Galipi sa vërejti trupin e Haxhit pa jetë, të bërë shoshë me plumba, u trand: Po ky që ishte me shkijet, punoi për ta, rrahu e denoncoi shqiptarë, shkoi deri në Vojvodinë e Mal të Zi në protestat e Jogurt Revolucionit. I besoi propagandës së tyre. I dekoruar e lëvduar nga vetë vozhdi serb.  E tash ...! He, mishtë më dridhej, vazhdoi ta kujtonte Haxhin Galipi, kur kalonte trotuarit me jakne lëkure, këpucë të zeza me qafë, syza parapa të cilave nuk i shiheshin sytë, kokën lart...  Pse e vranë, mos ndoshta gabimisht, Haxhimi ishte me ta, pse, pse?! Ndërkohë u dëgjua alarmi që paralajmëronte rrezikun nga bombardimet e avionëve të NATO-s. Galipi me tre shokët u ngut për t’u fshehur në istikamet e ushtrisë që me aq zell ishin në shërbim të saj. Jo, u thanë, nuk kem vend për juve. Po ne me ju jemi, për lavdin e ushtrisë tuaj po punojmë, ngulën këmbë varrtarët. Shkoni, sa nuk ju kem vra, qartë! Të frikësuar nga kërcënimi, në ikje, së pari një vezullim ua verboi sytë dhe pastaj u dëgjua një zhurmë shurdhuese krejt afër tyre. Galipoo, u dëgjua zëri i njërit prej shokëve,  krejt i gjakosur, pasha babën tem, na qitën shkijet në pritë...   edhe neve si Haxhimin... !
Kabash, 1999


No comments:

Post a Comment