Saturday 24 May 2014

Kabashi në vitet e 60-ta të sh. XX

Kabashi në vitet e 60-ta të sh. XX
Pamje e Kabashit ne vitin 1960/62.
Shtepia e vjeter e Rexhep Jetishit, Feriz Deliut etj.
Foto: Isa Ruhan Abdyli.
Sa e sa herë kthehem në kohën e femërisë dhe me mall dhe dashuri e kujtoj fshatin ashtu siç ishte, në dimër e në verë. Dimrit pjesa e epërme jugore është shumë joshëse. Terreni kodrinor kur mbulohej me borë ofronte mundësi për rrëshqitje. Mjetet për rrëshqitje i kishim shumë primitive. Skitë e sajat i bënim vetë. Skitë e këmbës i bënim prej një copë druri në madhësi të këmbës. Në ketë copë druri e forconim një tel paksa të trashë, duke lënë nga një vrimë në të dyja anët. Në vrimë fusnim një tojë (spango) pastaj me një shkarpë e derdhnim tojën duk e shtrënguar drurin për këmbe. Kënaqësi për ne ishte kur pellgjet te Ledina e vogël i mbulonte akulli dhe lëshoheshim tej e përtej tij me akull të trashë. Pellgjet krijoheshin gjatë stinës së verës kur gropohej lëndina për prerjen e qerpiçëve. Lëndina e madhe, hapësirë midis fshatit, në jugperëndim, shfrytëzohej për shirjen e grurit, duke filluar që në muajin korrik. Aty ngriheshin kamaret e duajve të grurit të stisura njëra pas tjetrës. Në mes vendosej Maqina e zezë, kështu e quanim makinën me avull, e cila e vinte në lëvizje përmes rripave të mëdhenj dreshin (makinën shirëse) ku hidheshin duajt e grurit për shirje. Makina kur niste nga puna pasi nxehej (digjte) dy-tri kabëza kashtë, makinisti për të paralajmëruar se makina kish arrit temperaturën e duhur, aktivizonte fishkëllimën sa dëgjohej me kilometra larg. Lëndina e përmendur sot është zvogëluar pas ndërtimit të mullirit elektrik dhe uzurpatorëve të fshatit. Në mes të fshatit ishte një rrap shekullor që e quanim Lisi i xhamisë. Në hijen e tij mrizonte bagëtia gjatë muajve të verës. Kurora e tij kapte një hapësirë të madhe. Në fund të viteve e 70-ta rrapin e vrau (çau) reja. Një mrekulli tjetër ishte Reka e vogël dhe Reka e madhe (Morava). Fatkeqësisht tash Reka e vogël u shndërrua në kanal për bartjen e ujërave të zeza, kurse në Moravë nuk jetojnë më peshqit. Vendet ku laheshim; Gjiri i gatë, Gjiri te ura, Te shelqet, Te mullini Sylës, Zeqës më nuk ekzistojnë, janë përmbyt me mbeturina që kanë hapur gojën dhe duan të na gëlltisin me tesha vesh. Rruga kryesore që shkon përmes fshatit gjithmonë ishte e ngarkuar me qerre tërheqëse kuaj e qe. Kalimtarët kuajt e qetë duhet t’i tërhiqni për kapistër në shenjë respekti të fshatit. Zhurma e qerreve dëgjohej edhe natën. Këto qerre vinin për të bluar drithin Te mulliri i Nezës, Shefkiut, Fetahut ose vazhdonin për Binçë e Buzovik. Në kohën e kolektivizimit pas luftës së dytë botërore mes fshatit qe ndërtuar një ndërtesë që e quanin dom. Domi nuk qe përfunduar dhe ne fëmijët ktheheshim kur mbante mot i ftoftë për ta kaluar kohën me lojëra, por kurdoherë të frikësuar. Flitej se në podrumin e tavanin e domit janë të strehuar qoftëlargët. Një vend tjetër që ne fëmijët e kishim të ndaluar të shkonim ishte Lisi i çifutit. Vend sot i banuar me ardhës nga fshatrat Skifteraj, Lubishtë, Goden etj. Flitej se aty është lama e dreqeve (Lema e djajve), po e shkele ndonjëherë prej tyre të merr me veti. Oborri i xhamisë ishte vend ku me rastin e festave tuboheshin meshkujt dhe bënin gara në kërcim së largu, së larti, qitjen e gurit (gurapesh), mundje, kryesisht në dy stile; për shkeka dhe për midisi (trup me trup) etj. Aty priteshin dasmorët që vinin me marrë nuse në Kabash. Në pritje, Te zjarrmi, siç thuhet, dilnin të gjithë burrat e fshatit. Atëherë dasmorët vinin hipur në kuaj. Me të hyrë në fshat, kuajt i tërhiqnin për freri se kaluar nuk lejoheshin. Ne fëmijët vraponim për t’i zënë (ruajt) kuajt e dasmorëve. Në ketë rast paraqitej një rivalitet, konkurrencë e madhe. Për punën që bënim, shpërbleheshim me para, kryesisht të metalta. Me daljen e dushkut në pranverë fillonim ta lëshonim bagëtitë në kullosa. Ledina e madhe ishte vendi ku takoheshim në mëngjes. Prej aty e nisnim bagëtinë për në mal. Kah Baricat ose kah Roga e gatë. Kah Baricat sikur e çonim më shpesh bagëtinë, pastaj dilnim te Guri keq, Te pusat, Ku u vra Alija dhe ktheheshim kah Stani i Shabanit për të dal Te zalli verdh dhe prapë te Baricat. Kohën e matnim me hijen e trupit. Kur ishte moti i vrerët e kishim shumë zor për ta përcaktuar kohën e kthimit të bagëtisë në shtëpi. Pas korrjeve kullosat ishin më të bollshme dhe i kishim shumë afër; Nermejt rekave, Livadhe prru’, Rrahishta, Te bllatat etj. Bagëtinë që nga muaji prill deri në vjeshtë i ruanim këmbëzbathur, kështu që lëkura e shputave të këmbëve trashej e forcohej. Në stinën e vjeshtës mbresa na lenin zogjtë shtegtarë; tubimi i dallëndysheve para nisjes dhe ai rregulli, rendi i rosave të egra. Kolonat e tyre të gjata dhe në krye të kolonës një gjysmë kolonë tjetër e ngjitur me atë kryesoren në formë të kërrabës për nxjerrjen e kashtës, fluturonin lart në qiell dhe dëgjohej një “krra” që përsëritej çdo dy-tre sekonda. Sot numri i dallëndysheve është zvogëluar dukshëm, ndërsa rosat e egra ka kohë që nuk shihen. Në stinën e pranverës, sidomos në fund muajit prill, në mënyrë të organizuar së bashku djem e vajza shkonim Te humsat (Baricë) me marrë humës. Në formë topash e bënim dheun paksa të njomur (lagur), pastaj në shtëpi thahej humsa (dheu) dhe shfrytëzohej për larjen e flokëve. Humsa shkumonte si sapun dhe i jepte shkëlqim flokëve. Për dezinfektim dhe mbrojtje nga morrat humsës i hidhej edhe gaz që shfrytëzohej atëherë për llamba e fitilaqa (dritë). Në vitet e përmendura e dhimbshme për ne fëmijët ishte nisja e rekrutëve të rinj në ushtri me nga një sënduk druri mbi supe. Gjithë fshati dilte në përcjelljen e tyre. Rekrutet ndaheshin të përlotur nga familjarët, shokët dhe vazhdonin në këmbë ose ndonjë qerre kuajsh deri në Ferizaj.
Sabit Abdyli

No comments:

Post a Comment