Monday 26 May 2014

Faqe ditari:



Auckland,  29 mars 2004
Sot në orën 14:00, me avion të Kompanisë “Thai” u nisem  për në Kosovë. Në aeroportin internacional të Aucklandit u përshëndetem me Fluturën, Vullnetin, Pajtimin, Agimin dhe Hysen Kabashin. “Keni me u kënaq...  sa kisha pas dëshirë edhe unë me ardhë me juve...” - tha në ndarje Flutura. Avioni u shkëput me lehtësi nga pista e aeroportit, mori një kthesë dhe filloi ngjitjen, duke lënë poshtë shtëpitë me pullaze të pjerrta, me tymtarë të lartë, antena televizori, fushat jeshile, malet e dendura, ujët e Paqësorit, që pak nga pak e humbnin identitetin dhe më nuk ishin as shtëpi as pullaze, as fusha as male, as tymtarë të lartë, as antena. Sakaq u shndërruan në re të bardha si tamli. Së pari avioni katër motorësh ateroi në aeroportin e Sydney-it, metropolin më të madh në Australi me mbi 4 milionë banorë, me mbi 70 porte detare, aeroportin internacional, parqe të shumta, plazhe, ndërtesa e ura gjigante. Me  të njëjtin avion prapë po ngjiteshim drejt qiellit të pafund, rrokaqijet e qytetit në largësi holloheshin aq sa dukeshin si ushta ushtarësh të kohës së Skënderbeut. Pas 12 orë fluturimi, aeroplani u ul me qetësi në aeroportin e Bangkokut. Në ketë qendër të njohur kulturore, ekonomike e tregtare, në juglindje të Azisë, pritëm gati dy orë dhe pastaj vazhduam për në Cyrih.

Cyrih, 30 mars
Sot, herët në mëngjes, pas një udhëtimi 14 orë prej Bangkok-ut,  avioni ndali uturimën mbi pistën e betontë të Aerodromit në Cyrih, qytetin me mbi 50 muze, njëqind e sa  galeri arti,  teatro, salla baleti,  restorante, bare, banka e qendra tregtare të mëdha. Në këtë qytet të bukur, si punëtor sezonal, në vitin 1972, ka punuar edhe vëllai Abdyli. Këtu zë fill edhe interesimi i tij për kulturën dhe gjuhën gjermane. Që atëherë me parat e fituar kish kryer kurse të gjuhës gjermane. Në aeroport, në dalje,  te dera e avionit, na priti Etemi, kurse në holl për pritjen dhe përcjelljen e udhëtarëve na priste edhe Faketja, që ato ditë kish ardhë në Zvicër si mysafire. Me kombin Renault Spare të Etemit  për 25 minuta ishim në  Wasserwiesenstrasse 89. Rreth banesës lule e  pemë, që sa kishin filluar të bulëzojnë. Krejt afër banesës një  pemë, me gjasë pemë thane, me degë të holla, të larta gati  një bojë njeriu, ish rënduar nga lulet ngjyrë portokalli sa gjethet e vogla vezake të saja nuk vëreheshin fare. Gjithashtu drurët ndanë rrugëve, nëpër parqe kishin filluar të merrnin një  të  gjelbër të zbehtë me gjethet e para, kurse kodrave aty afër ende  zbardhëllonte bora. Ambient i mrekullueshëm. Brenda e jashtë banesës gjithçka m’u duk e gëzuar.
                                                                   Cyrih, prill 04



                                 Wintethur, prill 2004 /te Etemi/
Takimet me Faketen, Etemin, Celin, Tinën, Bekimin e Nagjijen, të cilët nuk e kisha parë me vite të tëra ishin me plot emocione.
Me të marrë vesh se gjendem në Winterthur, Sahiti erdhi prej Gjenevës poashtu edhe Shaip Zeka pasi permes telefonit mori adresen se ku nodhem erdhen me  djalin dhe   baben e tij haxhi Sylejmanin në Cyrih. Në një kafene për dy orë e sa se bashku u çmallëm, folëm, për të kaluarën dhe të tashmen. Takohem me Muhamerin, Fitimin, Ylberin, Ademin, Bashkimin. E thërras në telefon Burim Jakupin, dua ta ngushëlloj për vdekjen e mësuesit Ilaz. “Baci Sabit, më thotë Burimi, nesër unë vij të marrë me veturë”.  Te Burimi përkundër mërzisë....  u gëzova për rregullin, për sjelljet, mikpritjen e tij dhe të shoqes së tij.... mirëkuptimit të ndërsjellë mes bashkëshortëve dhe djalit të tyre si drita. Gjatë qëndrimit në qytetin muze të Winterthur-it vizitova Meritën dhe Vlorën në Cyrih sa ishte aty edhe Faketja e Celi.


10, prill
Më 10 prill 2004, herët në mëngjes, u nisëm me veturë për në Belgjikë. Kufirin Zvicër - Francë e kaluam në Bazel, qendër e njohur për industrinë e zhvilluar kimike e farmaceutike.  Pas udhëtimit të këndshëm nëpër Francë, shtetin e tretë për nga madhësia në Evropë, ndalemi në shtetin e urave të shumta, kështjellave  të lashta që nga shekulli XII., në Luksemburg. Rregulli në qytet, pastërtia, sjelljet e njerëzve me kulturë, arkitektura e vjetër e qytetit e ruajtur aq bukur, na mbajtën gjatë të mbërthyer. Të mahnitur me gjithë ato që pamë në shtetin  më të vogël (pas San Marinos) të Unionit Evropian, vazhdojmë rrugën drejt Brukselit, qytetit - kryeqytet me një histori 2000 vjeçare në zemër të Evropës, qytetin ku është selia e Unionit Evropian dhe e NATO-s. Nga selia e kësaj të fundit më 24 mars 1999 u dha urdhri për bombardimin e caqeve ushtarake e paraushtarake serbe.   Në  Rr: Ch.de Ninove – 1703 – Schepdal na pritën si është më së miri. Pasi pushuam e hëngrëm darkë, mbërrini Abdyli me Nadijen, Vlerën, Zgjimin e Lirikën prej Gjermanisë. Për ardhjen e Abdylit kishin qenë në dijeni  Nexhati  e Bukurija, por neve nuk na treguan për të na befasuar. Fëmijët: Luani, Zgjimi, Vlera... /unë ende po ju them fëmijë se ata ishin rritë/ u kënaqën... bashkë me ta edhe ne. Xhenetën po e shihja live  përherë të parë.


                                                      Grand place, Bruksel
Të nesërmen shkuam te Bahrija. Bahrija me Feimin, djalin Agonin, vajzat Nexhmijen, Linditën, Zamirën e Dafinën u gëzuan shumë kur na panë. Dalim në Heysel Park, një nga pikat më atraktive të Brukselit ku është monumenti madhështor “Atomium”, i ndërtuar në vitin 1958 dhe stadiumi i ekipit të njohur Anderlecht, ngjyrat e të cilit i ka mbrojt futbollisti shqiptar Besnik Hasi. Aty krejt afër është edhe lagja Laeken, ku është rezidenca mbretërore. Pasdreke e këndshme. Bëmë edhe fotografi...  
Në mbrëmje e morëm Bahrijen e Feimin dhe prapë kthehemi te Nexhati.



                                       Parku Atomium, prill 2004



                                             Blankenberge, prill’04

Belgjik, 12 prill
12 prill ’04 ndahemi: Etemi shkon në  Blankenberge qytetin tipik bregdetar,  kurse mua me Remzijen, Nexhati me veturë na çon  te Fahri Zymberi në Antwerpen, qytet i rëndësishëm në regjionin e Beneluksit. Me ne ishte edhe Abdyli me familje. Fahriut i shprehem ngushëllime për vdekjen e nënës. Abdyli po atë pasdreke nisët për Gjermani, kurse Nexhati me Luanin e Xhenetën kthehen në Bruksel. Te Fahriu qëndruam tri net. Sa ishim te Fahriu /14 prill/ vjen Nexhati me Bukurinë, na marrin me veturë dhe tërë pasdreken e kalojmë duke u shëtitur në qytetin e bukur të Antwerpen-it. Darkën e hëngrëm në një restorant italian në qendër te qytetit.
Ditën e katër me makinë të Nexhatit shkuam në Blankenberge në qytetin ku ishte Etemi. Në Blankenberge u mahnitem nga bukuritë e qytetit, brigjet e të cilit i spërkasnin pa ndërpre valët e  Oqeani Atlantik. Naxhija, Bekimi e Luani u kënaqën për një ore e sa në një park të fëmijëve buzë detit. Pasdreke kthehemi te Fahriu, përshëndetemi me Mimozën, Butrintin, Granitin, Minaveren... “Do të shihemi prapë në Kosovë”!- na tha Fahriu.
Në mbrëmje ishim te Bahrija. Deri pas mesnate u kënaqëm së rikujtuari ditët në Shkup e Kabash. Të nesërmen, herët në mëngjes, dolën për të na uruar rrugë të mbarë Feimi, Bahrija me krejt fëmijët. Duhet pranuar se gjatë ndarjes u mërzitëm. Deri në hyrje të autorrugës për Gjermani me veturën e vet na priu Nexhati.


                                     Antwerpen, prill 2004

Gjermani, 16 prill
Derisa po udhëtonim me shpejtësi mbi 135 km. në orë,  në mobil të Etemit marrim një mesazh urimi në gjuhën gjermane: “Jeni në territorin e Gjermanisë. Mirë se erdhët!” Në kufi as tela, as polic. I them Etemit, për të hy në Maqedoni nga Kosova udhëtarëve ju duhet të presin, të maltretohen, sidomos shqiptarët, me orë të tëra. Këtë e kam përjetuar sa herë e kam kaluar kufirin e përmendur edhe vetë. O Zot, pyeta, kur do të njerëzohen fqinjët tanë!?
Gjatë udhëtimit herë unë, herë Tina zgjatemi për të shikuar se me çfarë shpejtësie po e nget makinën Etemi. Nagjija e Bekimi kureshtar pyesnin dhe ka raste na zënë ngushtë sa nuk dimë t’u japim përgjigje. Kur mbaron me pyetje, Naxhija këndon, kurse Bekimi luan me “tetrit”.  Pasdreke jemi në Schweinfurt, qytet industrial me 50,000 banorë në Bavarin veriore. Në pritje kanë dalë Abdyli, Nadija, Vlera, Zgjimi e Lirika.
Gëzim i pa përshkruar... Edhe pse ishim të lodhur nga udhëtimi, pritja e ngrohët, e përzemërt në banesën dydhomëshe, që ndodhej në katin e dytë të ndërtesës na çlodhi si me magji. Dalim për të shëtitur, Lirika e Naxhija me biçikleta, unë, Etemi, Abdyli, Zgjimi e Bekimi ecim në këmbë. Lagjja e rregulluar, me shtigje, rrugë, fusha sportive... drurë, pemë që tanimë ishin  veshur me lule e gjelbërim, që nën miklimin e diellit të mbrëmjes, puhizës së prillit kundërmonin erë të këndshme. Një ketër murrashe me bishtin e madh e të bukur ngjitej e lëshohej vrullshëm prej dege në degë. Në Kosovë as në mal nuk i gjen ketrat.  Gjatë ditës dilnim në pikniqe brenda e jashtë qytetit. Në mbrëmje sa ktheheshim Vlera organizonte show me imitime, këngë e valle. Pas 3 ditëve Etemi me familje kthehet në Zvicër. Gjatë vikendeve kur luante Zgjimi shkonim për ta shikuar ndeshjen. Simpatizonim fortë, sidomos unë dhe Lirika, për Zgjimin dhe ekipin e tij. Ndërkohë vjen Jetoni me Zejnien, Teutën dhe Artin. Krijohet atmosferë alla kabashçe. Nadija e kishte paksa ma zor i duhej ta mbante punën dhe të përgatiste  dreka e darka...

                                          Würzburg, prill 2004

Komplet ashtu siç ishim, kabashçe, shkojmë në qytetin e Wilhelm Roentgen-it, zbulues i X rays /rrezeve rentgen/ në vitin 1895, në qytetin nyje prej ku tregtohen mallra të ndryshme brenda Gjermanisë dhe jashtë saj, në Würzburg. Pjesën më të madhe të kohës e kalojmë në fortesën e qytetit, prej ku shihet qyteti si në shuplakë të dorës. Të mahnitur nga ato pamje të magjishme, brenda kalasë, arkitektura e qytetit, lumi që shkonte mes përmes  tij, plantacionet e pafundme me vreshta për prodhimin e venës, dyqanet për plotë me mallra, rrugët, trotuaret me njerëz të shumët dhe skajshmërisht të pastra, në pasdreken e vonshme të asaj dite, u kthyem në Schweinfurt.



                                             Schweinfurt, prill 2004

Garmish, 24 prill
Me Abdylin, Ramadanin /hoxhën/ shkuam në Garmish te Selmani. Në hyrje të banesës për të na uruar mirëseardhje kishin dal  baci Nezir dhe Selmani me të shoqen... Pritje e përzemërt.  Gjatë ndejës, drekës xha Nezirin e vërshojmë me pyetje: Abdyli, hoxha /Ramadan Drobeshi/ dhe unë. Kthjelltë, me mbamendje të shkëlqyeshme përgjigjet, nuk përton. Deri në detale na përshkruan ditët e  qëndresës në malet e Moravës së Epërme të viteve 1944-1945,  dhembjet për humbjen e më të dashurve, si: babën Hamdiun, vëllain Bajramin, kushërinjtë:  Hasanin /komandant i batalionit/, Rexhepin /zëvendëskomandant i batalionit/, bashkëluftëtarin Qamil Samakovën... gjatë luftës, jetën në emigracion, (Greqi, Maltë, Angli e Gjermani) mallin për Kosovën, shkuarjen në vendlindje pas 57 vjetëve... Një pjesë të bisedës e incizojmë me kamerë. 
Kur po bëheshim gati për t’u nisur. Ndërhyri xha Neziri: “Për darkë jeni te unë...  ja këtu afër jam me banesë...   shkojmë! ”- na urdhëroi dhe u nis i pari.
Te xha Neziri rreth tryezës përplot me pije, meze e ëmbëlsira... vazhdojmë bisedën deri natën vonë. U kthyem në Schwienfurt paksa të lodhur në orët e para të ditës, që po hynim.
PS: Me këtë rast e shkrova artikullin “Nezir Hamdi Kabashi- luftëtar i lirisë”. Artikulli u botua në revistën “Ura”, gusht 2004.

Schwienfurt – Winterthur, 2 maj
Shpejt kaluan ditët.. Ndarje... “Shihemi prapë në Kabash”, thotë e mërzitur Vlera. Me Abdylin për 5 orë mbërrimë në Winterthur.
Muhameri në telefon, propozon që të shkojmë në Cyrih, me një  kafene  për të dëgjuar muzikë shqipe. Nuk ia prishim Muhamerit. Shkojmë me Mercedes-Benzin e tij xixë: unë, Etemi e Abdyli. Kafeneja më përkujtoi  kafenetë e viteve ’70 - ’80 të shekullit të kaluar në Kosovë. Vetëm këngëtaret e kamerieret ishin të gjinisë femërore, kurse klientët meshkuj.
Kështu ishte edhe në klubet e shqiptarëve që i vizitova në Winterthur, bile do të thosha edhe me keq, njërën prej kameriereve e dëgjova tek fliste sllavisht.  Muzika dëgjohej që në hyrje. Brenda, prej buçimës së madhe të muzikës nuk mundeshim për t’i thënë as një fjalë njëri tjetrit. Këngëtarët më shumë çirreshin se këndonin. Tekstin e këngëve e gjymtonin duke përsëritë me dhjetëra herë emrin e porositësit të këngës. Rrugës për në Winterthur flisnim me zë të lartë. Muzika na kishte shpartalluar veshët.

3, maj
Në mbrëmje na merr Ylberi me veturën e tij, sa çel e mbyll sytë, na çojë te dyqani i Zjah Haqif Etemit. Në dyqan erdhën shumë kabashë. Të gjithë i mblodhi Ylberi, siç thuhet, me një fishkëllim: Mefailin, Xhemilin me të vëllain, Ademin, Muhamerin, Fitimin, Norën, Njomëzën, Tringën, Pëllumbin, Zjahin me të vëllain...  Në kafenenë e një shqiptari nga Deçani, aty afër, ulemi dhe porosisim kush sipas dëshirës nga një pije. Krijohet një atmosferë e këndshme. Më informojnë se ne këtë qytet të zhvilluar industrial, ku bashkëjetojnë kultura e gjuhë të ndryshme dhe rajonin e Cyrihut, punojnë, janë të vendosur  shumë të rinj nga Kabashi: Muhameti, Bashkimi, Florimi, Bekimi, Burimi, Skënderi, djemtë e Myrtës, Fatosi...  Për darkë ishim mysafirë të Ylberit në një piceri italiane.

Shënim në parantezë
Sot, 20 qershor 2009 mora lajmin e hidhur se prapa shpine, në pritë, u vra Mefail Beqir Sallahu dhe sakaq m’u duk sikur e pashë Mefailin, si atëherë në  Winterthur (3 maj 2004), gazmor e krenar.


4, maj
Në orën 5 të mëngjesit jemi në aeroport. Ashtu siç ishim marr vesh aty na priti Ylberi. M’u duk se jam në Kosovë. Udhëtarët ishin shqiptarë, personeli për pritjen përcjelljen e udhëtarëve po ashtu shqiptar, informatat, lajmërimet i merrnim në gjuhën shqipe. Me Abdylin e Ylberin u përshëndetem në holl, kurse Etemi erdhi me ne deri te shkallët e aeroplanit. Në aeroplan plot udhëtarë. Zumë vend në rendin e dytë, ulëset 7 e 8 nga e majta. Sapo duhej të nisemi brenda në aeroplan u duk Presidenti i Kosovës,  Dr. Ibrahim Rugova me bashkëpunëtorët e vetë. Po kthehej nga SHBA në Kosovë. Pasagjerët kureshtarë çoheshin nga ulëset e tyre për ta parë presidentin Rugova. Shumica e shikonin me admirim.
        

                               Winterthur, maj 204                  

             




                                                                       
                                   Prishtinë, qershor ‘04


Aeroplani fluturonte me shpejtësi qiellit skajshmërisht të kthjellët, por mua më dukej sikur nuk po ecte fare. Pas dy orësh e sa në dritaret e aeroplanit u shfaq Prishtina. Gëzim i madh. Në aeroport na presin: Faketja, Rrezarta, Alma e Faruku. Rrugës për Prishtinë na befasojnë ndërtimet e shumta. Posa mbërrimë në banesë na thërrasin në  tel. nr. 03822XXX: Abdyli e Etemi nga Zvicra, Vullneti e Flutura nga Zelanda, Kushtrimi e Ibrahimi nga vendet e punës /Prishtinë/, Ferati... nga Kabashi, pyesin...  “Po,  ju them,  mirë erdha, në “Kodër të diellit” jam. Dielli i Kosovës, aroma e saj m’i hoqi dhembjet reumatike si me dorë.”


Kabash, 5 maj
Për ta vazhduar ditarin, provova... nuk shkonte,  fjalët më mungonin... Kisha për të thënë shumë, po nuk i thosha dot.


Kosovë, 4 maj – 21 shtator 2004
Në Kosovë, te familjarët, te shokët e punës, e shkollës... kudo që shkova më pritën me përzemërsi. U kënaqa e u çmalla me ta.
Rrugët, mirëmbajtja e tyre, furnizimi me ujë të pijshëm, mirësjelljet e dyqanxhive, e nëpunësve nëpër  zyre, mirëmbajtja e pastërtisë në qytete e fshatra, mirëmbajtja e varrezave… ruajtja e ambientit ishte paksa në rritje, por për menaxhimin, riciklimin e plehrave, mbeturinave urbane nuk dëgjova ndonjë nismë apo strategji që do ta zgjidhte ketë problem shumë, shumë të madh për Kosovën. Brenda një kohe të shkurtër ishin ndërtuar, hapur objekte të reja sociale-argëtuese, ndërmjet të cilave edhe qendra tregtare, të cilat për nga luksi dhe shumëllojshmëria e produkteve, nuk kanë asgjë më pak se qendrat analoge kudo në Evropë. Po ashtu edhe në çmime. Urova që ndërtimet, mirëmbajtjet të mos marrin fund kurrë. Rrugët, sheshet, restorantet, birraritë,  ëmbëltoret deng me djem e vajza me sjellje të kulturuar, mirëpritës, të lirë dhe me asgjë më pak se të rinjtë e  shteteve tjera të Evropës. Vërtet bukur. Bukur! Por, përbrenda edhe djemtë edhe vajzat kishin shumë halle.
Dyqanet të hapura deri në orët e vona të natës, të improvizuara edhe nëpër trotuare, me mallra kontrabandë made in China, Turkish... fruta tropikal, zarzavate, cigare, bizhuteri, kaseta, veshmbathje... Rrugët e pakta për ta përballuar gjithë atë qarkullim të automjeteve. Makina me një ngjeshje të tmerrshme të parkuara trotuareve, të cilat u nxjerrin shumë telashe këmbësorëve, duke i detyruar të dalin në rrugë. Mediet  e shkruara nuk ishin në nivel të detyrës për ta plasuar në botë të drejtën e natyrshme tonën për qenë të lirë. I kontrollonin partitë politike, grupet e interesit, individ të pasur dhe ata që po duan me zor ta bëjnë Kosovën shumetnike. Në programet e medieve vizuale në gjuhën shqipe dominonin serialet e prodhimit amerikano-latin, pa asnjë vlerë as artistike, as morale.  Shkollat dhe shëndetësia, shtylla këto të rëndësishme të shoqërisë ende lënë shumë për të dëshiruar. Gjuha kish evoluar për keq.
Nuk flitej më për politikë si dikur, njerëzit sikur ishin lodhur prej saj. Nuk dëgjova as edhe një fjalë a mendim pozitiv për të ardhmen gjatë ndejave me njerëz moshash të ndryshme, por veç ankesa. Shkalla e mos durimit mes partive sikur kish rënë një grimë. Kjo vërehej te anëtarësia në bazë, kurse ata lartë ende me inate të vjetra, ende  ishin peng te konflikteve të brendshme ende me akuza e kundër akuza të ulëta, ende me ndërkëmbëza e shtyrje me bërryla duke penguar njëri tjetrin sa më shumë që të jetë e mundur. Nëpunësit e veshur me pushtet fajet, gabimet i gjenin te të tjerët e sidomos te krahu tjetër politik.  
Format e  shoqërisë klasike kishin ikur përgjithmonë. Entuziazmi i dikurshëm mes shokëve, bile edhe mes vëllezërve kish rënë, meqë njerëzit nuk ishin me vepra në nivel të fjalëve... dukeshin të lodhur, të stresuar, të pamotivuar dhe  më shumë ishin të preokupuar se si t’ia sigurojnë djalit, vajzës.... një vend pune, një vizë... si t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat amerikane..  si të pasurohen pa punuar... si t’ia hedhin tjetrit... si të uzurpojnë ... Shumë elemente fisnike dhe pozitive të traditës sonë ishin avulluar, zëvendësuar me elemente të huazuara... mburrjet në të thatë, idiotësia për të fituar pa u lodhur kishin marrë rrugë. “Këtu nuk u met kujt me i besue, krejt ankohen, krejt rrahin gjoks se kanë luftue për Kosovën, krejt punojnë n’krye n’veti, krjet duen me dal jashtë, krejt janë të ditun, krejt merren me politikë ...  Ne jashtë mërzitemi për Kosovën, këtyne u ka ardh Kosova te hunda. Jemi popull i pa bam rahat dhe, pikë.” – më tha, një gasterbajter paksa me nervozë, në kafenenë “Lindi” në Viti.
“Hëm, ndërhyra për ta qetësuar bashkëfolësin nervoz, pas gjithë atyre plagëve, traumave e tmerri, Kosova nuk mund ta marrë vetën shpejt. Të mirat vijnë ngadalë dhe, duhesh ta kesh parasysh se vonesat ne shqiptarët i kemi në gjene! ”


19, shtator
Sot në shtypshkronjën “Shkrola” i mora  tridhjetë ekzemplarët e para të librit “Ankthi i Pranverës ‘99”. Sa ishin shtypur, ende të nxehta.  Dalja e librit më  liroi nga ngarkesa që më kish mbajtur mbërthyer gjatë gjithë qëndrimit tim në Kosovë.  Po kush e kish mendjen tani në Kosovë te librat!?







                                                Në Gërmi,  qershor ‘04
Prishtinë, 21 shtator
Të njëjtit, që na kishin prit në aeroportin e Prishtinës, me 4 maj 2004; Faketja, Rrezarta, Alma e Faruku, me 21 shtator 2004, në orën 5. 00 të mëngjesit, dolën prapë në aeroportin e kryeqytetit për të na uruar rrugë të mbarë, kësaj here plus dy më shumë; Albulena dhe Eni i vogël.


Cyrih, 22 shtator
Në aeroportin e Cyrihut, Etemi, që na kish prit, përcjell, prapë prit, na përcolli deri te dera e aeroplanit. Me Etemin ishin Nexhati, Bekimi e Nagjija.

Aucklandë, 24 shtator 2004
Sa isha në Kosovë /20 – 25 maj/, u hap panairi i librit shqip në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Isha dhe  bleva  libra  për fëmijë të moshës parashkollore. Ua solla fëmijëve shqiptarë këtu ne Zelandë të Re. Fëmijët gëzohen. Të rriturit këtu kanë marr mbas fitimit, veturave luksoze, s’kanë kohë për libra,  gjuhën shqipe, Kosovën...

Sabit Abdyli
Auckalnd, fund shtatori 2004




No comments:

Post a Comment