Tuesday 27 March 2018

DIJA ËSHTË USHQIMI MË I MIRË I NJERIUT, AJO HAP DYERT ARDHMËRISË SË NDRITUR

Drita Fejza
Portrete mërgimtaresh të suksesshme
Drita Fejza u rritë e edukua në familjen tipike të traditës shqiptare,ku kënga dhe mikpritja janë të shenjta nderë brezni edhe sot e kësaj dite. Ajo u rritë me ninullat të brumit kristal shqip, u rritë me shtëpinë plotë fëmijë dhe në konkurrencë të mirëfilltë për t'ja kaluar tjetrit me këngë, vargje e dije, duke dhënë e marrë mes tyre më të bukuren. Që në moshë të vogël Drita dëshmoi se është në ardhje një artiste e fjalës së shkruar me aromë të fushave e maleve dhe gjithçkaje tjetër kuq e zi. Dhe erdhi... Emri i saj tashmë i njohur në diasporë e tokat shqiptare. Nisi me poezitë duke botuar ato në gazetën për fëmijë „Pionieri“. Ajo që në moshë të re kish shok të pandarë librin përmes të cilit njohu botën e madhështinë e fjalës së shkruar dhe mësoi guximin për të shkruar e shpreh edhe vetë shqetësimet e saja në vargje.. Po shkëpus nga libri "Shpirti i arratisur" 2013 vargjet që tregojnë vetëbesimin e parimet e poetes në rrugën e nisur:
Kurrë nuk jam trembur nga jeta nga askush dhe nga asgjë!
Gjithmonë kam besuar te e vërteta edhe pse në heshtje dhe pa zë…(Faqe 35)
Në  frymën e vargjeve si më lart vazhdon  me një libër tjetër për fëmijë "Melodia e pyllit" 2014 ku autorja ve përballë të keqen e të mirën dhe porositë brezat se duhet të jenë gjithmonë të guximshëm, në krah të së mirës me punë e dije. Ja dy urti nxjerr mes faqeve të librit "Melodia e pyllit", që ju përmbahet edhe vetë ajo në punën e saj: '
-Po punove me zell dhe u mundove ta ndriçosh rrugën e të parëve tu me dije e çiltëri gjithmonë do të jesh fitimtar.
-Dija është ushqimi më i mirë i njeriut, ajo hap dyert e ardhmërisë së ndërtuar bukur.
Kjo çikë Kosove e lindur në fshatin Mushitisht, komuna e Therandës që nga viti 1999 jeton në Berlin të Gjermanisë me familjen e saj të ngushtë; burrin e tre fëmijët. Atje mësoi gjuhën e gjermane kreu shkollën për medie e informim, punon  si  trajnerë e futbollit për djem e vajza moshash të ndryshme dhe nuk resht së shkruari e dhënë letërsisë shqipe vepra me vlerë. Filloi me vargje, si shumica e krijuesve, për të kaluar pastaj te veprat në prozë. Në vitin 2015 botoi romanin "Triumf i dashurisë" që u mirëprit nga lexuesi shqiptar. Dua të përmend këtu se një ekzemplar të romanit në fjalë e kam në bibliotekën time që u lexua në radhë nga mërgimtarët shqiptarë edhe këtu në Zelandën e Re. Drita është larg trojeve shqiptare vetëm fizikisht se kokën përherë kah toka që e lindi e mban. Xhaxhai im Fejza, më pat thënë Drita me një bisedë rasti, gasterbajter në Gjermani moto të jetës ka pasur: "Atdheu mbi të gjitha"  dhe unë vazhdoj t'i përmbahem e ruaj amanetin e tij në shkrimet e mia. Motoja e përmendur  vërehet në romanin "Triumf dashurie" ku dashuria për atdheun, familja e shëndosh, harmonia brenda saj dhe në frymën e traditave më të mira tona, na thotë autorja, janë çelësi i ardhmërisë e shtetit që duam. Sa shumë e merakosin shkrimtaren parregullsitë, çoroditjet e keq qeverisja në tokat e origjinës tregojnë reagimet e saja plot mllef me shkrime në rrjete sociale ku godet fuqishëm bartësit e së keqes në shoqërinë shqiptare. Gjuha e saj është e guximshme, e drejtpërdrejt, e pastër si loti dhe e thënë troç pa i dhënë lak e mbështjell me moral të rrejshëm. Këto ditë Drita na gëzoi me lajmin se lexuesi ketë vit do ta ketë në dorë romanin më të ri të saj të titulluar "DRITËHIJET E FATIT".
Sabit Abdyli
Shkrim i botuar ne gazeten Bota sot 27 mars 2018

-------------------------------------------------------------------------------------

Opinione për librin e lexuar të Drita Fejzës "Dritëhije fati" të botuar këto ditë:
Mbulim i veprave te artit me reklama
Falë postës elektronike munda ta lexoj romanin më të ri të Dritës "Dritëhijet e fatit".  Drita vazhdon të jetë e preokupuar me luftën (1999) vuajtjet e dhembjet, qëndresën e pasojat e saj edhe sot që shumë nga ne i përjetuam dhe  shohim në shoqërinë shqiptare.  Guximshëm trajton aktualitetin e djeshëm e të sotëm brenda shqiptare.   Protagonistët në romanin "Dritëhije fati"  pozitiv si puna e Diorit etj. ose negativ si Armini i përshkruan natyrshëm pa asnjë  sforcim të gjuhës  për ta paraqitur më mirë se mirë të mirin ose më keq se keq të keqin. Ata njihen nga veprat, qëndrimet e puna.  Mjedisi i paraqitur në libër është ai, siç thotë një personazh, po parafrazoj  "ku veprat e artit mbulohen me reklama pavlerë". Në roman ka mall,  solidaritet (Pali, Shpati) sinqeritet (Edori), punë e dashuri (Nora, Ujkani) për të shëruar plagët e luftës, për të bë më të mirën të mundshme për vendin e çliruar, ka dhembje për humbjet e më të dashurve, sakrifica si ajo e motrës  (Dianës) për të vëllain,  çoroditje brenda familjeve, interes,  egoizëm, ambicie politike të sëmura, kurvëri e pisllëqe (Blerta, Armini) që  ngulfat shoqërinë  e shtetin.  Gjithë këto paraqitur bindshëm përmes dialogut dhe  përshkrimeve  shkurt e bukur të autores, si psh;  Flokët paksa të rëna, sikur ia shpalosnin gënjeshtrën në ballë, ndërsa qafa e shkurtër ta jepte ndjesinë se këta njerëz kurrë nuk e thonë të vërtetën.
Auckand, mars 2018



No comments:

Post a Comment