Thursday 26 January 2017

Në mes të dy kufijve të dhunshëm


(Të lodhur e të rraskapitur nga peripecitë, shtrëngatat, streset, mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë.)

Zona neutrale. Zone e kufirit të dhunshëm:  një vend i sheshet, me një peizazh të mrekullueshëm, me natyrë të lulëzuar, përreth kodra gjelbëroshe, që dukeshin si të pikturuara nga një dorë mjeshtërore, ndërsa pak më tej, në të dy anët e kufirit, lartësoheshin malet, në maje ende të mbuluara me borë, që vëzhgonin dhunën aq të egër, etnocidin, i cili bëhej kundër shqiptarëve, në prag të mileniumit të tretë. Në këtë vend kaq piktoresk, shiheshin gjurmët e eksodit të dhunshëm, shiheshin gjurmët e pritjeve të stërzgjatura të të përndjekurve, copa najlonash, kavanoza, konserva,   shishe të zbrazura, miell i derdhur,  patate, batanije,  rroba fëmijësh e të rriturish lidhur me çarçafë,  pastaj të hapura me forcë, të shpërndara gjithandej, çizme llastiku, këpucë, çorapë, triko... tualeti i improvizuar, një traktor me njërën  gomë të rrotës së madhe të shfryer, me një qerre të kapur prapa, brenda kanatave podiumi i shtruar me kashtë,  një batanije e shqyer e mbetur në bisht të qerres dhe gjësende të tjera të braktisura, që i kanë përdor të përndjekurit ditëve me të reshura.  Moti ishte me diell, një diell i passhiut sa të zihej fryma. Një tufë zogjsh ogurmirë fluturonin sa andej sa këndej  kufirit të dhunshëm.  Te bashkudhëtarët vëreja një buzagaz të pikëllimet, një krenari të plagosur, një frymëmarrje më të shpejtë, më të thellë. Aty takojmë të përndjekur tjerë (kryesisht gra e fëmijë ulur mbi valixhet e tyre) që ta ndrydhnin shpirtin dhe mendjen, kur i shihje duke i hëngër buzët, duke shfaqur dhembje  për  ah-et dhe uh-et, pale kur i shihje me fytyra të zymta, të humbura, kur i shihje me kapakët e syve të rënduar nga pagjumësia... në mesin e tyre edhe  kabashë, që prisnin për ta kaluar kufirin. Na bëjnë me dije se edhe ata, si ne, e kishin bë të njëjtën rrugë me autobus dhe kishin paguar nga 30 DM. për person. Të lodhur e të rraskapitur nga mizoritë e luftës, mezi mbaheshim në këmbë. Sjelljet e policisë maqedonase ishin tejet fyese, por ishin të kujdesshëm  që të mos bien në sy të medieve të huaja e punëtorëve të UNHCR-it.  Pas katër orësh pritjeje në rresht, e braktisëm një pjesë të tokës sonë. Në mënyrë të organizuar  me autobus  të UNHCR-it na dërguan në Tetovë, në një objekt turistik, i quajtur “Teleferiku”. Objekti ishte improvizuar për pritjen e refugjatëve. Brenda ishin shtruar dyshek sfungjeri për fjetje, kurse jashtë ishte një ambient i shkëlqyeshëm për pushim. Aty shqiptarët vendas na ofruan ujë, bukë dhe ndihmë mjekësore. Deri në mbrëmje gati u zbraz vendi, ku ishim vendosur. Familjet tetovare vullnetarisht i merrnin kosovarët në shtëpitë e tyre. Në Tetovë vumë kontakt me telefon, pas 36 ditëve me vëllain në gjermani, djalin në Belgjikë ...  Një çudi e vërtetë, një gëzim i pa përshkruar, kur dëgjojnë se jam  gjallë.
Me të dëgjuar përmes medieve private në gjuhën shqipe: TV “Hana”, TV “Toska”, TV “Era” se kemi ardhur, sakaq, kosovarët nga Shkupi, Gostivari, Haraçina e katundet tjera të Tetovës erdhën  për të shikuar se në mesin e të të përndjekurve do t’i gjejnë të afërmit e tyre: kush djalin, kush prindërit, kush gruan, burrin, mikun, hallën, nipin, mbesën, shokun...erdhën për të mësuar për gjendjen në territorin prej nga vinim, për të mësuar më  drejtpërsëdrejti për të vrarët, për bombardimet, për shkatërrimet, masakrimet, për qëndresën, për të kidnapuarit, për të humburit, për...
Në hyrje, jashtë e brenda hotelit, rrëmujë, pështjellim, zhurmë, përshëndetje, shtrëngim duarsh, përqafime, lot, rrudhje krahësh, ngulfatje, shikime drejt në sy, oqean pyetjesh, përshkrime të detajuara për maltretimet, torturat, vrasjet, plaçkitjet, zhvendosjet me dhunë, ndarjet...  Diku kah mesnata,  për herë të parë mbas 43 ditëve e vura kryet në jastëk. Gjumë nuk bëra, mendjen e kisha atje. Atje, përtej kufirit, më bëhej se i dëgjoja lehjet dhe ulërimat e qenve. Medet! Natë është! 
Natë... 
Nga libri ditar "Ankthi i Pranveres", Prishtine, 2004, S. Abdyli

No comments:

Post a Comment