Tuesday 24 January 2017

“Evropa e rrëzueme e pusueme…”

                                 
(Fragment nga libri ditar "Ankthi i Pranveres '99, Prishtine, 2004, S. Abdyli)
30 prill ’99
Me autobus urban nga Pozharani, në orën 9,00 u nisëm... Nisje e ankthshme, e trishtueshme. Psherëtima, lot, mallkime... Brenda në autobus, mbi 70 veta, kryesisht,  gra e fëmijë. Rrugës nuk  lëvizte asnjë automjet, vetëm diku në afërsi të Ferizajt në anën e kundërt tonën  shkonin dy kamion të mëdhenj me rimorkio, me regjistrim të Vrajës, të ngarkuar me bagëti. I mllefosur dhe me një  mbingarkesë në mendje, për t’i regjistruar të gjitha mizoritë, për një hop, sikur dola nga  autobusi, jashtë tij e t’i  shihja idiotizmat, shtazëritë, shëmtitë, barbaritë e barbarëve. Ashtu i përhumbur vazhdoja soditjet, pa vënë re ankthin, trishtimin e bashkudhëtarëve në autobus.  
Posa e kaluam udhëkryqin, te Gërlica (Gureza), djali, (Pajtimi) me gjysmë zëri më thotë: “Babë, e paskan rrëzue “Evropën”! Fjalën e kishte për Motelin e bukur, i ndërtuar që moti me emrin “Evropa”, në të shkuar të Ferizajt, në drejtim të Shkupit. Një nënë, së cilës i kishin mbetur gjallë vetëm sytë dhe shpirti, me dy fëmijë /të voglin e mbante në gji, kurse tjetri, paksa më i madh, i rrinte i kapur për supin e djathtë/, aty përballë meje, me të dëgjuar fjalët e Pajtimit, “u rrëzue Evropa”, tha:: “Evropa e rrëzume e pusume, masi në zemër të saj po lejon këta  me vra e me pre”. 
Rrugës lamë katunde të boshatisura, me shtëpi të rrënuara, të djegura, me mure të nxira nga tymi e flaka, të plaçkitura, bagëti të vrara, vetura, traktorë të lënë rrugës, hendeqe mbrojtëse,  paramilitarë, rezervistë, civilë  (dukeshin sikur sot kanë dalë prej shpellave), të ngarkuar me gjësende të vjedhura, qenë e kuaj të vrarë në hyrje të shtëpive,)*12 grafite të shkruara me alfabet kryesisht cirilik, kundër shqiptarëve dhe NATO-s, topa kundërajror prej llamarine (kartoni) në vende të sheshta për t’i mashtruar avionët e Aleancës. Asfalti, vende-vende  i dëmtuar nga zinxhirët e tankave të ushtrisë serbe. Diku në afërsi të Glloboçicës (Qafëshkabës) shohim një lopë të ngordhur, në të vërtetë të masakruar skaj rrugës. Sipër saj lëshoheshin dhe ngriheshin me krrokama trishtuese tufa korbash. Ata që e panë, u shtangën dhe si në kor lëshuan zëra të paartikuluar dhembjeje e trishtimi. Në largësi 50-60 m. nga ajo pamje e llahtarshme vërejmë sadistët serbë, të fshehur në llogore të nëndheshme, që vëzhgonin me tejqyre, ndërsa sipër birucës së tyre një zhgan tjetër, paturpësisht parfumohej në avullin e shurrës së tij. Afër vendstrehimit, në një lis të zgavërt  përbrenda, e priste terrin një kukuvajkë. Autobusi i stërngarkuar mezi ngjitej malit përpjetë, duke gjarpëruar rrugës zigzage të fshehur mes drurësh shkoze të lartë  e gjetheshumë. Brenda në autobus mbretëronte një makth, një qetësi bezdisëse, një mërzitje, një huti, një... dhe të gjithë e kishin hallin se kah do të na përplas furtuna e luftës, si do ta kalojmë kufirin. Dy anëve të rrugës plot makina të mbetura. Mundohem t’i numëroj, por nuk mundem dot, ato janë shumë. Në atë det makinash të plaçkitura, në anën e majtë të rrugës, me dyer të hapura, e demoluar, e njoha veturën me targa: PR.143-633. Djersë të akullta ma mbulojnë ballin. Po, i zoti i veturës! Familja e tij!? Kushtrimi, Rrezarta, Albulena..!!  Çka u bë me ta?  Ku janë? 
Heu, them me vete, edhe ky katund i djegur, i braktisur. Lopë , kuaj, gomarë të lënë, të dobësuar, të lodhur, të bërë asht e lëkurë, pa ushqime dhe kujdesin e njeriut, ishin mbledhur rreth një shkurre, që sa kish nis të dushkojë, zgjateshin qafën me përtesë për t;’i kapur filizat e sapodalur. 
Dolëm nga autobusi. Të përcjellur nga një kordon i gjatë policësh, dy-tri  hapa larg nesh, grupe-grupe sipas familjeve, në rresht për dy, kufirin e kaluam pa vështirësi. Përballë barakës së doganierëve, dy veta, mbanin evidencë për numrin e të përndjekurve  dhe gëzoheshin për realizimin e skenarit, pikë për pikë të akademikëve serbë për depërtimin e shqiptarëve nga Kosova. Sjelljet “me kulturë” na habitën, por si duket: doganierët, policët si dhe ushtarët serbë ishin ngopë me plaçkitje, grabitje, arrestime e dhunë ose kjo ishte një marketing për ta stimuluar ikjen, zbrazjen e Kosovës.  Në dalje, një polic,  dhëmbënxjerrë, me kokë të rruar,  muskuloz, fytyrëvrarë, sytë plot urrejtje, turfulloi: “Kurrë më s’keni për ta parë Kosovën”. Fjalët e llomështit, kolona e të ndjekurve i përcolli  me një vështrim shpërfillës e indiferent.


No comments:

Post a Comment