Sunday 1 April 2018

MË DHEMB



Të zgjedhurit e popullit përfshirë edhe pushtetarët të paguar për të punuar për shtetin së pari po punojnë për xhepat e vet, partitë e bossat e tyre, mëhallët e rajonet prej nga vijnë, për interesat e huaja  dhe më së paku për shtetin që i paguan, bile punojnë kundër tij, si Lista serbe e ardhur në pushtet për mbrojtjen e interesave serbe në Kosovë, por punon për Serbinë e interesat e partisë në pushtet, turqit për Turqinë, goranët për Serbinë e Maqedoninë ose kush i paguan më mirë, boshnjakët, romët, hashkalitë egjiptianët, të pavarurit  janë  në dispozicion të atij që ju jep më shumë. Nuk është demokraci të hash në Kosovë e paguhesh prej saj e të punosh kundër saj, në shtetet tamam shtet kjo nuk lejohet, përkundrazi është e dënueshme. Shikuar ketë që po ndodh sot gjithnjë e më shumë po bindem se gjenerata ime e punësuar në fund të viteve të 60-ta  e fillim viteve të 70-ta bënte më shumë për Kosovën edhe pse në ato kushte të regjimit ku për shqiptarin ishte e dënueshme edhe kravatën ta ketë me ngjyrat e flamurit kombëtar. Në angazhimet tona gjenim forma edhe brenda sistemit të atëhershëm bënim  më të mirën për çështjen tonë. Ne në arsim punonim edhe jashtë orarit me nxënës për t'i pajisur sa më shumë me dije, hapëm klasë, kurse të natës nëpër fshatra për të mësuar shkrim-lexim në gjuhën shqipe organizonim aktivitete kulturore, sportive edhe falas. Librat  i lexonim në radhë. Më ka ndodh nga biblioteka ime ju kam dhënë nxënësve etj. libra për të lexuar. Kurrë nuk pushuam për të pranuar në punë,  fut në organet drejtuese më të mirët, për të kërkuar punësimin e shqiptarëve sipas numrit të popullsisë, përdorimin e gjuhës shqipe në administratë. shkollimin e femrës shqiptare, të drejtën në përdorimin e simboleve kombëtare. Në kohën pas vitit 1981 dhe të fushatës së egër kundër shqiptarëve ditëm të mbahemi e të mos thyhemi për 10 vjet me radhë. Pas përjashtimeve nga puna të punëtorisë shqiptare, burgosjeve e kërcënimeve vazhdoi mosbindja e kundërshtimi ndaj okupatorit, vazhdoi të mbahet  gjallë në frymën kombëtare shkolla shqipe në të gjitha nivelet në shtëpia private e pa rroga.   Më dhembe që sot në këto kushte lirie mbetët shumë për të dëshiruar në të gjitha fushat.
Sabit Abdyli
Auckland, prill 2018  Artikulli i botuar ne Bota sot 2 prill 2018


No comments:

Post a Comment