Monday 12 September 2016

MBRESA UDHETIMI

11 shtator 2016
Në orën 8 të mëngjesit nga Aucklandi u nisem për në cepin e mbarimit të të Ishullit verior. Katërqind e njëzetë e dy km. rrugë deri në Cape Reinge me veturën golf i kaluam për 5 orë e gjysmë. Me të arritur parkuam veturën dhe në këmbë shtegut të shtruar zbritëm poshtë vendit ku përfundon toka e Zelandës. Koha e mirë dhe turist të shumtë. Impozante ishte pamja e takimit të detit Tasman në perëndim dhe oqeanit Paqësor në lindje. 
Takimi i detit me oqeanin, shih ne drejtim te shkembit (dallimi ne ngjyra)
Edhe me sy vërehej vija ndarëse ku përplaseshin valët  herë qetë, herë me rrëmbim dhe më dukej se i thoshin njëra tjetrës fqinj jemi dhe secili zot në territorin e vet. Kanë dallime në ngjyrë dhe kjo vërehet me sy nga bregu. 
Ketu mbaron toka dhe nis deti pafund
Bëmë fotografi dhe kthehemi rrugicës vende vende thikë përpjetë në të dy anët ulëse për të pushuar. Në rrafshnaltën prej ku shihej gjithë rrugica  gjarpërore dhe poshtë oqeani pafund shtruam ushqimet që kishim me veti dhe në ambient që nuk mund të përshkruhet me fjalë drekuam. Rrugës nuk ke si ta mbështetës kokën duke hapur sytë për të parë  natyrën e mrekullueshme, djathtas e majtas.  Herë Flutura, herë Agimi e drejtojnë makinën. Rrugëtim i gjatë. Natyra në Zelandë është si në përralla nga ato më të bukurat. E ruajtur me fanatizëm, askund nuk sheh qoftë një bisht cigare, qese najloni, letër etj. Rrugës pushimore e tualete të pastra, me ujë, sapun e letra higjienike brenda pa pagesë. Kështu është gjithandej kah shkon: plazheve, fushave sportive, qyteteve, pishinave, pikave turistike, parqeve  etj. Pas tri orë rruge mbërrimë në qytetin Paihia, 60 km. në veri të Whangarei ku kishim rezervuar hotelin. Të nesërmen (12 shtator 2016) koha e bukur. 



Ne qytetin Paihia
Dalim i biem kryq e tërthor qytetit të bukur me veturë, ndalemi te plazhi i njohur i qytetit, vizitorë vendës e të huaj shijonin bukuritë e bregut. 

Pahihia (bregu) 
Vazhdojmë rrugën. Ndalemi te vendi Waitangi (shtëpia)  ku u nënshkrua marrëveshja me 6 shkurt 1840 mes përfaqësuesit të mbretëreshës Viktoria të Britanisë së madhe dhe  popullsisë vendëse (maorëve). Me këtë marrëveshje Anglia e mori nën ombrellën e vetë  tokën që vendësit e quanin Aotearoa (toka e reve të bardha e të gjata). Traktati (marrëveshja) i nënshkruar ka dallime në mes të versionit anglisht dhe përkthimit Maorisht, dhe që nga viti 1840 edhe sot debatohet në lidhje me këtë mashtrim të anglezëve. 

Para shtepise ku u nenshkrua Traktati
Nga këtu vizitojmë qytetin tjetër atraktiv në gjirin e ishujve të veriut Kerikeri. Kalojmë çaste të bukura në parkun e qytetit mes të cilit kalonte lumi me ujët e kthjellët, plotë shpezë me një shtëpi të ndërtuar prej gurit ngjashëm me kullat shqiptare, kuptohet pa frëngji e pika vrojtuese.  Te Haruru Falls bëmë fotografi. U kënaqëm me pamjen ujëvarës, stërpikave si shi i imët  prapa të cilave krijohej shoka e ylberit. Për të parë sa më shumë rrugëtojmë drejt bregut perëndimor të Ishullit verior. Pamje mahnitëse. Fusha, male e kodra gjigante pafund. Tokë të punuar pak, dominonin kullosat, në to kullosnin lopë racash të ndryshme, kuaj e dele. Me një restorant buzë detit drekuam.  Lëshohemi vendit të quajtur Waipoua ku dominojnë pyjet e ruajtura ashtu siç ishin në origjinën e tyre në Ishullin verior, me drurë kauri, që tash janë në mbrojtje të shtetit. Rruga me shumë kthesa dhe përgjatë saj pyjet e dendura anash, vetëm lart shihej qielli. 
Shtepi e ndertuar e gure 
Mbërrimë te druri (kauri) ndër drurët më të mëdhenj në botë. 
Druri gjigant
Druri ka perimetrin 13.77 m. Lartësia 17.68 m. Total lartësia me degë 51,2 m.
Ne qytetin Kerikeri
Vëllimi 244.5 metra kub. Rrugës hasem edhe në drurë tjerë të këtij lloji po jo në madhësinë e tij. Në thellësi të pyllit bënte roje ose bënte punën e ciceronit një femër, e cila fliste me pasion për pyllin, drurin, legjendat etj..

Per te ruajt druret kauri edhe rruga divijohet (ngushtohet)


Në terrin e parë të mbrëmjes, të lodhur dhe me mbresat nga më të mirat për ato që pamë, mbërrimë në Auckland. 
13 shtator 2016

Haruru falls

No comments:

Post a Comment