Petrit Alliu |
Petrit Alliu hynë në radhën e mërgimtarëve të parë shqiptarë, të ardhur në
Zelandën e Re, që në vitin 1951. Njohës i shumë gjuhëve të huaja: anglisht,
turqisht, italisht, intelektual e
sportist, me shumë sukses ka luajt volejboll për ekipin e parë të
Tiranës /1947-1948, më vonë edhe për
shkollën amerikane “Robert College” 1948-1951/, kurse në qytetin e Aucklandit
top këmbe /1952-1954/. Ka të kryer gjimnazin në Tiranë, shkollën amerikane “Robert
College” në Stamboll. Sot edhe pse i shtyrë në moshë, gëzon shëndet të mirë.
Është i martuar. Ka një djalë e dy vajza:
djali, Kerimi, infermier, jeton në Sydney /Australi/, vajza Jasmina,
arkitekte, jeton në Adelaide /Australi/ dhe Shpresa, kontabiliste, jeton në
Zelandë. Djali, Kerimi për ta plotësuar
zbrazëtirën, boshllëkun që e ndjente për
Shqipërinë, me emër e mbiemër të
falsifikuar, anëtarësohet në parti majtiste, në Londër. Në vitin 1985 shkon në
Shqipëri, por i njëjti nuk ka mund t’i vizitojë xhaxhallarët, nënëloken,
shtëpinë, në Tiranë, për të cilët i kish folur i ati me aq mall, sa e sa herë.
“Unë, në prill të vitit 1992, me të zbritur nga avioni, në aeroportin e
Rinasit, pas 44 vjetëve, e putha tokën nënë, u çmalla, u kënaqa me familjarët,
miqtë, shokët, por edhe u mërzita kur pashë Shqipërinë më keq se që e kisha
lënë në vitin 1948” – na tha Petrit Alliu,
me një shqipe të rrjedhshme, derisa po pinim kafe në shtëpinë e Zenel
Tahirit.
“Në shtator 1948, vazhdoi z. Alliu, e kreva liceun në Tiranë. Mua dhe shokëve
të gjeneratës po atë vit na ndan bursa për të vazhduar shkollimin jashtë
shtetit. Mua bursa m’u nda pak më vonë se të tjerëve. Pushteti nuk na shihte me sy të mirë neve që ishim me
prejardhje nga familjet me mirëqenie të mirë ekonomike. Po atë vit, na nisin me
vaporin rumun “Transilvanija” për në Stamboll, për të dalë pastaj në Detin e Zi
përmes grykës së Bosforit. Duhej të
shkonim rrotull nga se marrëdhëniet me Jugosllavin qenë prishur. Në vapor ishim
400 të rinj, që shkonim për të vazhduar shkollimin në shtetet e kampit
socialist, si: Çekosllovaki, Rumani,
Poloni, Rusi, Hungari. Lundronim natën.
Me të arritur në Stamboll u hodhëm nga pjesa e
prapme e vaporit në det, bashkë me një
shokun tim nga Tirana, Skënder Muka e quanin, kështu ishim marrë vesh fshehtas
në kuvertën e vaporit. Natën, dritat e qytetit reflektoheshin në sipërfaqen e
ujit dhe kishim bindjen se jemi krejt afër, bile me dukej se dritat mund t,i prekja me dorë. “Drejt dritave... Jepi!”
– më tha Skënderi, që ishte më i fuqishëm, më notar i mirë se unë. Në terrin e asaj nate, u ndamë me
Skënderin... Medet! Kurrë më, nuk e
pashë. Duke notuar e vëreja se dritat ishin tepër larg, kurse unë gjithnjë e më
shumë ndjeja lodhje. U ktheva në shpinë
dhe me lëvizje të ngadalta të këmbëve e duarve arrija të qëndroja në sipërfaqen
e ujit. Me shpresa të humbura, fillova të bërtisja me atë pak zë që më kish
mbetur për ndihmë, shqip e italisht. Dhe mrekullia ndodhi. Dy peshkatarë turq
me barkë, më kapën për krahësh...
Auckalnd, 31.05. 2010. Në foto: Petrit Alliu e Bajram Murati. Fotografoi Sabit Abdyli |
Kur erdhëm /1951/ në këtë Ishull të largët, gjetëm
një femër shqiptare, e ardhura para nesh
në Zelandë. Dikush prej nesh ka kontaktuar me të. Dimë se ishte e ardhura nga Egjipti dhe e fliste mirë gjuhën
shqipe. Ku gjendet, çka u bë me të, nuk kam informata.
Malli i atdheut është i madh. Këtë mall edhe ju tani po e ndjeni,
por sot e kemi më lehtë. Komunikojmë me telefon sa herë të na teket,
informohemi rregullisht, rrugën drejt Shqipërisë e kemi të hapur. Atëherë, kur shkruaja letër, nuk shkruaja gjë, e dija se letrat lexoheshin
prej njerëzve të sigurimit, po shkrove më shumë se “jam mirë...” ajo nuk
arrinte kurrë për ku e ke adresuar.
Desha t’ju them edhe këtë, kur u kthye djali,
Kerimi nga Shqipëria, më solli shumë fotografi, incizime, bile edhe kompletin e veprave të Enver
Hoxhës, /qesh me zë/ të cilat ende nuk i kam lexuar.
(Artikull i
botuar ne revistën “Ura” nr. 7 korrik 2003 dhe në gazetën Illyria 3-6 qershor,
2005)
Sabit Abdyli
No comments:
Post a Comment