QIELLIT TË SAJ
Zjarr është poeti, zjarr!
Digjet të djeg pore, që përpushen si yje,
Ngroh në acar dimërak,
freskon në vapë përdëllese.
Orë alarmi ndërgjegje fjeturish.
Vdes e ngjallet për një varg për një fjalë,
për plis e për fis.
Bubullimë në damarë dimrash
dhe njerëzish që lëpihen.
Lajmëtar ogurbardhë.
I përjetshëm shqiponjë qiellit të saj.
Auckland, 18 Shtator 2013
PRISHTINA '81
Prishtinës erë bliri i vinte
Shëtisje korzosë së ndarë
Me plot spiun civilë
Një xhiro, dy...
Brisk ende nuk i kishe ra fytyrës
Afishet shtrëngoje në gji
Auckland, mars 2011
FLAMURI
U valëvit në Krujë,
Deçiq, Shkup e Vlorë.
Te Verrat e Llukës
Para tij u morën ngryk.
Në Prekaz, Koshare, Karadak ..
U mbrojt me gjak.
Në fusha, grunaja të Kosovës
Vjet për vjet mbin.
Në kaptell djepi roje.
I moçëm sa bjeshka.
Bubullimë e gjëmë,
Cicërimë e këngë.
Auckland, 2010
NËNTORI I TRETË
Mjegullnajë e stepave të ngrira
dhe myk i kohëve të errëta
Nëntorit i bëjnë pritë.
O Zot,
Na ruaj nga moti keq,
nga hijet e zeza,
mjegullnaja e ligë!
Auckland, 2007
EJA
Eja pranverë,
eja!
Shtruar ta kem
udhën:
me gurë stralli,
me gjak të kristaltë
me dhembjet tona deri në asht.
Auckland, 2007
RREZON SHTET KOSOVA
Mbështetur në breg të Paqësorit
dielli më përcëllon
Nga thellësi e detit
Vala më freskon
Jehonë e valës detit
Oshtin për liri
Tokë e lulëkuqeve
Feston Pavarësinë
Rrezon shtet Kosova
Lule në Evropë!
Qiellin tënd të përflakur
Me mall ta puth Kosovë!
Do t’ kthehem patjetër.
Me flakën e mallit,
Diellit të vendlindjes.
Shaluar mbi dallgë!
Ngutu valë e detit,
dallgës jepi valë!
Fishekzjarrët e Lirisë,
Shndrisin n’Dardanë!
Shekujt të thinjën,
shtrëngatës ballë për ballë.
Gjoks i Ademit hapur
Kosova ime e bardhë !
Shembull qëndrese
Qëndrinë, Zonjë e parë
Rrugë e lirisë,
Njëqind vjet e gjatë.
Auckland, shkurt 2008
LUTJE E KOHËS
Nga pushtetarë mujsharë injorantë
gjeneralë maniakë
të etur për lavd
mësues e klerikë gjysmë të ditur
primitiv e radikalë
runa Zot!
Auckland, gusht, 2012
NJË HERË PËRKULET BURRI
Dedë Gjo Luli
Ismali,
Boletini,
Vëllezërit Topulli,
Ademi,
Agimi ...
u përkulën
kur puthën Flamurin
Auckland, 2.05.’12
KOSOVË
Tokë e lulëkuqeve.
Me mure të ndan.
Të goditën:
me hekur,
me zjarr...
Me drapër e çekiç:
të përçanë,
të helmuan,
të ndrydhën...
Gjë pa bë nuk lanë.
Krajlat me carë.
Tokë e Hasan Prishtinës,
Ademit,
Agimit...
E panënshtruar.
Guri e fortë.
Shkëmb.
Vullkan, lavë e valë.
Veshur me diell.
Shtegut bashkimit,
akullnajat shkrin.
Auckland, 2006
Ka (në) thënë:
Sabit Abdyli është mësues që e ndjeu dhe jetoi ashpër periudhën e para luftës dhe të luftës në Kosovë (1990-1999). Vetë ekzistenca e tij në mesin tonë është më shumë se një dokument i gjallë, përmbajtjesor e real. Kam bindjen se historia e kësaj toke e zgjodhi ta shkruaj këtë periudhë të dhembshme e krenare. Profesor Sabiti në të gjitha shkrimet përcjellë mesazhe të forta me vlera të mëdha artistike e shoqërore.
Antonina Kodheli, 31 tetor 2013
No comments:
Post a Comment