Dielli kishte kohë që
ishte ngritur lart, por ende nuk po e çante dot krejtësisht shtresën e hollë të
mjegullës së vrugët të atij mëngjesi, kur Shendi kaloi lumin, i cili tanimë
gati ish shndërruar në një kanal për bartjen e ujërave të zeza. Shikoi mbrapa dhe vërejti se është nën
vëzhgimin e një veture të ndalur policie. Ptu, pështyu: katër vjet robëri,
provokime, tortura, katër vjet shkolla shqipe e ndaluar. E shtrëngoi fortë fletoren e punës nën
sqetull dhe vazhdoi ecjen pa prish ritmin e hapit, i zhytur në planifikimin e
temës, që e kishte caktuar për hartim, rrugës për herë të parë nuk vërejti si
herëve tjera fluturimin zogjve poshtë drurëve të akacieve në oborrin e xhamisë
së fshatit, nuk vërejti grumbujt e frikshëm të mbeturinave përgjatë përroit dhe
nuk dëgjoi korin e bretkosave në pusin, që ndodhej në anën e majtë të rrugës.
Të therurat e forta, në pjesën mbi gju të këmbës së djathtë, e paralajmëronin
se do të ketë shi. Një dredhë ere çoi pezull bashkë me pluhurin qese najloni e
gjethe të thara. Nxënësit ecnin grupe-grupe të shqetësuar me kokë të kthyer
mbrapa. Shendi mundi t’i kap lëvizjet e
nevrikosura të nxënësve, kthimin nxitimthi të dy alamet burrave brenda oborrit
të shtëpisë, duke mbyllur pas derën me rrapëllimë, por nuk u dha. I patundur, i mësuar për të
pritur të mirën dhe të keqën me qetësinë më të madhe, kaloi Lëndinën e vogël,
kur sakaq makina nervoze e policisë gati sa nuk e gllabëroi. E parakaloi furishëm te kryqi i rrugës. Nuk vonoi, me një
zhurmë të mbytur, makina u ndalë në hyrje të shkollës. Nga makina rrufeshëm
dolën dy policë dhe, një civil. Zunë pusi dhe po bëheshin gati për provokimin e
radhës. Shendi, me fletoren e punës mundohej ta zhdavariste shtëllungën
e pluhurit të posa krijuar. Në ecjen e sipër, rastësisht hodhi shikimin mbi çatinë e mullirit të vjetër dhe me
admirim shikoi harabela të panumërt, që
me një vetorganizim të përkryer u çuan
lartë, dhe krejt lirshëm
luanin lojën sipas qejfit të tyre.
Sa u afrua Shendi, polici hundç, trupmadh e arrogant, e shtyu me tytën e armës
drejt veturës, duke i thënë: “Kjo shkollë dreqi, ilegale e juaja, po vjell vrer
e helm kundër shtetit më demokratik në botë. Ti, dhe të tjerët si ti, e keni
vendin në burg. Ka ligje Serbia... Ec përpara!”
Derisa po e fusnin në makinë,
Shendi me dhembshuri shikoi grumbullin e
revoltuar të nxënësve me faqet e paqme, të skuqura e të përlotura nga veprimet
e egra të inkuizitorëve. Përkundër
hekurave në duar, prushit të nxehtë që e përvëlonte përbrenda, Shendi arriti ta ruaj qetësinë,
bile-bile kur kujtoi fjalët e hundçit
“shteti më demokratik në botë” gati sa nuk qeshi me zë.
Rrugës, me të parë
makinën me targa të policisë,
njerëzit largoheshin me vrap.
Kabash, 17 maj 1994
No comments:
Post a Comment