Abdyl Abdyli, një piktor në unikalitetin e vet, emër që nderon të tashmen ashtu si të kaluarën, i lidhur ngushtë me rrënjët e veta, paçka i veshur me rrobën e modernitetit evropian! Veprimtaria artistike e tij është një gërshetim-mishërim i këndshëm i elementeve të reales me abstrakten. Tek ngjyrat bie në sy një dominim i të kuqes me të gjelbrën, e kaltra e mbylltë dhe një si vijë ndarëse sa dhe bashkuese e zeza. Figuracioni dhe portreti, një larushi pamjesh dhe karakteresh, qasje interesante në vetë perceptimin e objektit-subjektit. Dominon sidomos epika dhe lidhjet me rrënjët, kjo në një kombinim të bukur duke ia shtuar shpirtin modern. Pikërisht këtu vërehet ndikimi i shkollës së artistëve me nam që nga Pikaso e tëhu. Turmat dhe komunitetet njerëzore zënë vend real në kompozicionin artistik. Bota artistike është botë e njëmijenjë ndodhive, fytyrave, karaktereve. Interesantja e kulmimit, i nxjerrë personazhet të zhveshura nga rroba e përditshmërisë, një nudizëm karakteristik i abstrakt(lu)izmit. Te vizatimi i portretit kemi një kthim kah realizmi me përshkrim tiparesh dhe hollësish përmes lakimit të ndjeshëm të lapsit-brushë! Pikturat e tij janë shumë komunikuese në gjithë atë vorbull kërkimi, shprehin një shpirtërizim jete në kombinim ngjyrë-dritë-hije-pozicionim! Piktura e Abdylit ta pushton shpirtin, nuk ke si të mos e duash dhe të komunikosh me te, të bën për vete sapo të hysh në brendinë e saj. Piktorët janë poetë të dyfishtë dhe unikal, ata shkruajnë me brushë vargun në heshtje dhe pa shkronja në mënyrën më të bukur të mundshme!
Mentor Thaqi
Abdyl Abdyli ne atelie |
No comments:
Post a Comment