Bregut Paqesorit |
Mendjen e kam Atje...
Atje ku i kam të strukur kujtimet. Kujtimet e fëmijërisë...
Valët nuk ndalin
përplasjet. Pulëbardhat fluturimin. Unë duke ecur buzë oqeanit, i ndarë përgjysmë, këtu
edhe atje, vetës i them: S’u mësove se s’mësove me pulëbardhat, me detin, me
sipërfaqen gungaçe të qytetit-kopsht, me qetësinë, me palmetë...
Bashkë me diellin, mes përmes oqeanit shalova valët, dhe, përtej tij, sakaq
si në shuplakë të dorës, pashë Itakën - pranverë të lulëzuar, djepat me nënat
ngadhënjimtare pranë. Pashë pranverat e nëpërkëmbura, pranverën e ankthit.
Pashë se mbi ata, që e mbajtën pranverën të mbërthyer me terror, më në fund, kish
rënë përgjithmonë terri i zi. Pashë Bllacën, përplasjet e partive, keqbërës që
bëjnë lojën e armiqve tanë, nënat ngadhënjimtare dhe Dardanin - nuse. Pashë njerëzit e mirë duke i falë
Kosovës dashuri... Para tyre u përkula me respekt. Fola me jugën e bardhë,
me rrjedhjen e lumenjve, me fushat, me malet, me rrugët (rrugët plot fëmijë),
me qiellin (qiellin plot yje)... Erë e mbrëmjes m’i
zhdavariste kujtimet. Valë e trazuar e detit më freskon, rërë e plazhit më
djeg. Flas me palmetë, nuk më kuptojnë.
Ngrihem. Vazhdoj ecjen e ngadaltë timen... larg – afër, Dardanisë.
No comments:
Post a Comment