Auckland, 2011. Me Masar Krasniqin ne banesen time |
Torturat, maltretimet e egra
i përjetova edhe unë nga UDB-a dhe Sigurimi
shqiptar, falë fatit tim të madh dhe moshës sime të re i shpëtova më të
keqes. Në Turqi - vazhdoi - z. Krasniqi, u takova me shqiptarë që, po ashtu,
kishin ikur për t’i shpëtuar burgut e torturave të regjimeve komuniste në
Jugosllavi e Shqipëri, kishin ikur për të jetuar të lirë. Në Stamboll bashkë me
100 shqiptarë të tjerë me lejen e Komisionit për Refugjatë të OKB-së në fund të
muajit mars të vitit 1951 u nisëm me anije
“Ankora” deri në Piereus, pastaj me anijen norvegjeze “Gova” vazhduam
rrugën nën flamurin e OKB-së dhe për 33 ditë zbritëm në Zelandë të Re.
Mazhar Krasniqi, që kur u vendos në Zelandë /1951/ s’pushoi së punuari në demaskimin e shkeljeve të drejtave të
njeriut, që bëhej nga regjimi komunist në Jugosllavi, Shqipëri e gjetiu në
Ballkan. Mori pjesë në Konferencën e Parë Islamike Botërore, të mbajtur në
Mekë, 1965. Në Konferencën për të Drejtat Humanitare në Kuala Lumpur të
Malezisë. Në dëshmitë Publike për Kosovën para Kongresit Amerikan dhe në shumë
tubime tjera ndërkombëtare kur shqyrtoheshin të drejtat e njeriut dhe çështja e
Kosovës.
Vazhdimisht mbajti lidhje me
personalitetet e shquara në diasporë dhe trojet etnike, me Mërgatat Shqiptare
të Amerikës, Australisë etj. për t’i dhënë krah çështjes për çlirimin kombëtar.
Formoi Shoqatën “New Zealand Free Albanian Association”, Lidhjen Qytetare të
Shqiptarëve në Zelandën e Re, ishte i
pari kryetar i Federatës Islamike në Zelandë. Falë zhdërvjelltësisë, punës,
angazhimit, për pak kohë arriti të bëhet biznesmen i suksesshëm. Mirëqenia
ekonomike i hapi rrugë për ta intensifikuar aktivitetin e vet: udhëtoi në SHBA, Australi, Arabinë Saudite, Jordani,
Gjermani, Turqi, Shqipëri, Maqedoni duke mos kursyer pasurinë në mbrojtjen e
kauzës për çlirimin kombëtar. Në Amerikë bashkë me kongresmenet Diogard,
Lantosh, Engel, Dol, Gillman e të tjerë, kontribuoi në miratimin e rezolutave
për Kosovën në Kongresin amerikan, në forcimin e lëvizjes demokratike
shqiptare, menaxhimin e takimeve të politikanëve shqiptarë me personalitetet e
shquara të Capitol Hill-it, etj. Për të vazhduar më pastaj në
mbështetjen e luftës për çlirimin e Kosovës. Gjatë luftës në Kosovë Mazhar
Krasniqi me mençuri ndikoi në ndërgjegjësimin e opinionit zelandez për gjithë
atë që po ndodhte në Kosovë. Më 1999
ndërhyri te organet e qeverisë zelandeze për lejimin e
ardhjes së refugjatëve shqiptarë në Zelandë. Me ardhjen e refugjatëve u
angazhua në sistemimin, informimin, pajisjen e tyre me gjërat elementare për
jetë normale. Kurdoherë i thjeshtë, i kthjellët në mbajtje mend të ngjarjeve
deri në detale, gojë ëmbël, por edhe
energjik e këmbëngulës në qëndrime, kundërshtar i devotshëm i
komunizmit, përkrahës i ruajtjes së identitetit kombëtar, i shkollimit të
brezit të ri, i drejtë e demokrat, i afër me të gjitha grup moshat, i gatshëm
për t’i ofruar ndihmë bashkëkombëseve, i pa kompromis në luftë për liri e
barazi të të gjithë njerëzve pa marrë parasysh racën, ngjyrën, religjionin.
Për të gjitha këto virtyte, Krasniqi gëzon respekt e simpati, jo vetëm te
komuniteti shqiptar, por edhe te ai boshnjak, kroat e zelandez. Me rastin e
shkuarjes, përcjelljes së Familjes
Krasniqi për në Australi, u mblodhën me qindra njerëz të të dy gjinive, të grup
moshave të ndryshme, bashkëkombës të tij, shokë e miq zelandez, kroat, boshnjak etj.
Auckland, 2001. Në festën e Flamurit, Masar Krasniqi në mes me syza e plis të bardhë |
Dua
të përmend këtu rastin kur për të parën
herë u takova me z. Krasniqi. Me të arritur në aeroportin e Aucklandit, 29
tetor 1999, grupi i parafundit i
refugjatëve nga Kosova, me të cilët isha edhe unë, kryetari Krasniqi na befasoi këndshëm me
fjalimin e tij të shkurtër, përmbajtjesor e të rrjedhshëm në gjuhë shqipe: “Ju
keni pasur fat... Zelanda e Re ju garanton të gjitha të drejtat. Këtu sundon ligji...
këtu s’ka të diskriminuar. Ju keni përgjegjësi të dyfishtë, si shqiptarë dhe
qytetarë të Zelandës. Këtu do të jeni të respektuar e të mirëpritur...së bashku
do t’i përballojmë të gjitha
vështërsitë....” Gjatë vendosjes /nëntor
1999, Auckland/ në shtëpinë, që e kisha marr me qira, në oborrin e saj, një
burrë i moshuar, me të kuptuar se jam shqiptar më afrohet dhe më thotë: “Hej, edhe unë jam albanezo, nga
Zadar, /Zara/ quhem Stanko Vukiq, e njoh presidentin e juaj, Mazharin, e kam
shumë mik, osht njeri i mrekullueshëm”.
Ky luftëtar i paepur për bashkimin e trojeve shqiptare, kurrë nuk e humbi
shpresën se një ditë kjo do të arrihet. “Jam shumë i lumtur se Kosova më në fund me ndihmën e SHBA, Bashkimit
Evropian, luftës heroike të djemve dhe bijave tona, që ranë në
altarin e lirisë dhe diasporës sonë u
çlirua nga regjimi gjakatar i Beogradit.
Dhe tani rrugën për në atdhe e kemi të hapur. Pas 50 vjetësh munda ta
vizitoj tokën nënë, Kosovën”- na tha i mallëngjyer e krenar me rastin e
Ditës së Flamurit /Auckland, 28 nëntor
2001/.
Në
gusht të vitit 2004 takohem me z. Krasniqi në shtëpinë time në Kabash /Kosovë/.
“E shef – më thotë z. Krasniqi, bota e vogël për shqiptarët. Jemi shpërnda
gjithandej, po shyqyr Zotit tani kemi ku të vijmë... Kam pasur shumë takime me njerëz të shquar
në fushën e drejtave të njeriut, politikan, kongresist, intelektual, ushtarak,
gazetarë, biznesmen, artist, por mbresa
të thella më ka lënë takimi me laureatët e Çmimit Nobel për paqe, Dalaj Lama
dhe sidomos takimi me Nënën Terze në vitin 1972 në Zelandë të Re... “
Laureati i dekoratës Queen’s
Service Medal për vitin 2002, të
cilën mbretëresha Elizabeth nderon
veprimtarë me merita të veçanta në Zelandë të Re, z. Mazhar Krasniqi me të shoqen dhe
dy djemtë e tij, Etnikun e Flamurin tani
jeton në Australi.
Sabit
Abdyli, Zelandë e Re
(Artikulli u botua së pari në gazetën
“Illyria” nr.1471, 16-18 gusht, 2005 dhe në
librin “Bijtë e shqipes në tokën e reve të
bardha”, Auckalnd, 2010, S. Abdyli)
No comments:
Post a Comment