Me datën 5 prill, rreth orës 13.00, të mesditës, mbi 400 paramilitarë e ushtarakë serbë, të verbuar nga urrejtja, ndërmorën një aksion ndëshkues kundër fshatit Lugishtë (ish Lubishtë). Sulmi ishte i përgatitur paraprakisht deri në detaje. Po atë ditë, u sulmua edhe fshati Smirë. Së pari u granatua prej së largu, fshati. U godit shtëpia e Fetah Etemit. Forcat serbe që më parë ishin stacionuar rreth fshatit, u futën me tanksa dhe pas tyre këmbësoria, duke goditur me armë zjarri për vdekje shumë civilë. Në këtë ekspeditë të egër morën pjesë edhe serbët lokalë. Banorët okularë (dëshmitarët), panë këta persona: Zoran Angjellkoviq me profesion veterinar, nga Gushica (Gashaj), Dragan Nikoliq, dentist, nga Gërnqari, Zhika (polic) nga Binça, Bora (polic i pensionuar) nga Vitia, Zvonko (polic) nga Mogilla, Nenad (polic) nga Gërnqari. Popullsia e paarmatosur, me forcë zhvendoset nga fshati, duke lënët ë gjitha. Me plaçka të pakta, që arritën t’i marrin nisën drejt malit të afërt, për ta kaluar kufirin për në Maqedoni. Sadistët serbë i nxorën nga shtëpia Muhamet Brahim Muharremin 32 vjeç, Xhavit Zenë Ademin 19 vjeç dhe Mustafë Beqir Shemën 33 vjeç. Në orën 13.30 minuta, i pushkatojnë te xhamia e fshatit. Ramadan Hajdarin 70 vjeç dhe Ahmet Jahi Ramën 20 vjeç i kidnapojnë diku afër kufirit me Maqedoninë, dhe i ekzekutojnë. Trupat pa jetë të të vrarëve u gjetën pas përfundimit të luftës, në një varrezë masive në Ferizaj. Beqir Ahmet Nura 80 vjeç paramilitarët serbë e dogjën brenda në shtëpi. I ndjeri ishte i sëmurë, thjeshtë palëvizshëm. Hajriz Brahim Brahimi (mentalisht i sëmurë), u masakrua afër kufirit me Maqedoninë më 16 prill. Në fshat u dogjën 28 shtëpi, të tjerat, u plaçkitën dhe u demoluan. Lubishta (Lugishta) në këtë luftë pati 9 banorë të vrarë, duke llogaritur ushtarin Sali Halim Zenunin i rënë dëshmor në malet e Pashtrikut, si dhe Kemajl Hamdi Azizin i vrarë në Vërban (Urban).
PS:
Emrat e të vrarëve janë dhënë nga Metush Metushi.
No comments:
Post a Comment