Atë paradite, Cel Bregun
e rrëmbeu përbrenda dëshira për t’i dhënë jetë peizazhit të projektuar që moti
në kokë. Mori me ngut penelin, ngjyrat, pëlhurën dhe u nis te Dushkaja, një
korije ahu e bungu, me roga të vogla e të mëdha, me ujë të ftohtë, natyrë të
mrekullueshme, që ndodhej 4 km. larg në juglindje të katundit. Me trastën në
krah, doli te Hani i Vjetër, ktheu në anën e djathtë, kaloi përroin dhe sakaq u
gjend te Humsat. Rrugica, që e kishte shkelur kushedi sa herë, i ngjalli
kujtime të rinisë së hershme. Me ngrohtësinë e kujtimeve të së kaluarës, këngën
e gjinkallave, vazhdoi ecjen në drejtim të kundërt të një vije uji gurgullues,
pa e ngritur kokën fare, kur të qeshura të dalldisura të një çifti ia ndërprenë
kujtimet e ëmbla. Çoi kokën dhe me të parën i kapi syri, pak përtej Ograjës së
Mirë, një burrë të veshur me triko ngjyrë kafe dhe një femër me fund të gjerë e
të gjatë, këpucë të zeza me qafë, me këmishë të bardhë të zgafulluar në grykë,
të cilët shkonin revan duke shikuar herë pas here në drejtim të zabelit nga
dolën. Këtej s’ka as rrugë, as rrugicë, dyshoi. Mashkulli e femra azdisur
zbritën rrahut teposhtë deri te Vneshtat, hipën në xhipin që i priste me dyer
hapur, skaj rrugës dhe i përlau dreqi drejt qytezës, duke lënë pluhur pas. I
njohu: Ai ishte rojë në zyrat e Sekretariatit të Mbrojtjes Popullore të
qytezës,
kurse ajo infermiere në ambulancën e katundit T. Celi qëndroi edhe për
disa sekonda në pozitë të vrojtuesit përballë një ledhi, kur hundët iu zunë nga
një erë e dushkut të djegur. Ktheu kokën. Jo larg tij, pa një tym të zi, që
shkonte thikë përpjetë, i patrazuar nga erërat. Dielli rrezeartë shkëlqente në
qiellin e paskajshëm blu të thellë. Vetëm në jugperëndim, kreshtës së Maleve të
Zeza, një re stërmadhe e bardhë si bora, lëvizte rëndë e me përtesë drejt
maleve simotra të Sharrit. Një zog mali çirrej me të madhe dhe dukej sikur
kërkonte ndihmë. Zëri vajtues i trishtilit ia rrëqethi trupin. Shpejtoi hapin
drejt vendit të përfshirë nga flaka. Shkopsiti këmishën edhe për një pullë.
Shikoi anash, por s’pa njeri. Nxitimthi, me duar e këmbë u vu në shuarjen e
zjarrit. Tamam e shuante në njërën anë flakën, ajo përhapej në tjetrën.
Kacafytja me stihinë vazhdoi deri në orët e vona të pasdrekes. I lodhur u
mbështet në trup të një ahu të zgavërt. Puhiza e lehtë e parambrëmjes iu duk
sikur një grimë e pushoi. Nën tymin e cigares shikonte peizazhin e buzëmbrëmjes
derisa dielli ulej në perëndim, duke dhënë ngjyra magjike. Këtë imazh e kishte
përfytyruar... “Pah, çfarë bukurie e madhërishme! – mendoi i ngazëllyer. Dreqi
ta hajë, ma dogji kohën zjarri!” Ptu – pështyu drejt vendit të shkrumbuar, pa
veten të pudrosur me blozë dhe u këputi një sharje zjarrvënësve. Kur u sigurua
se s’ka asnjë shkëndijë, që do ta rihapte zjarrin, u ngrit, por që në hapin e
parë ndjeu dhembje e të therura në shputat e këmbëve. Më tepër zvarritur sesa
në këmbë, u kthye në shtëpi. Për të mos shqetësuar familjen, hajdutçe u fut në
banjë, shpëlau duart e përcëlluara, fytyrën e gërvishtur, nxori nga sirtari
fashat e sterilizuara, pastroi plagët me alkool dhe si doli në sallon, pa
ndjenja u përplas në divan. Pas një kohe gruaja e merakosur iu afrua qetë-qetë
me tabakë në dorë: “Mjaft, pushove. Merre, çaj kamomili, të bën mirë. - i tha
me zë të ulët,”. Celi, mori gotën dhe duke parë shqetësimin e saj, pyeti ashtu
kot: “I nxehtë është?” U çua përgjysmë nga divani, përkuli qafën djathtas e
majtas, vrau fytyrën me një qeshje të lehtë dhe duke rrufitur çajin i tregoi së
shoqes ndodhitë e ditës fije e për pe. “Ç’paska hequr” - mendoi e shoqja. U
kthye te lavapjata dhe derisa po i rregullonte enët e lara në dollap, e
porositi: “Po deshe, shko, shtratin e ke gati”. Me gjithë lodhjen e tepërt
gjatë ditës, Celi u përpëlit me orë të tëra derisa e zuri gjumi.
Pikturat: nga Abdyl Abdyli |
Të nesërmen,
me natë, forca të mëdha policësh republikanë e federativë e rrethuan shtëpinë e
Bregasve. Me shqelma i shqyen dyert, u futën brenda shtazërisht. Me të çjerra
kërcënuese, sharje (shanin Zot e Diell), nisën bastisjen, duke përmbysur e
thyer raftet, vitrinat... duke sekuestruar libra, dokumente, piktura, tablo...
Ndërkaq, dy udbashë, Celin e mbështetën për muri duke ia mbajtur revolen në
kokë dhe në kupë të qiellit thirrën: “Mos lëviz! Në emër të popullit je i
arrestuar! Hë, prapë ti – ndërhyri me cinizëm paksa më qetë udbashi me xhaketë
lëkure të zezë - s’të mbushën mend dy vjet burg! Tani nuk të shpëton as Zoti.
Kemi prova se e ke dhunuar te Vneshtat infermieren N., i ke vënë zjarrin
Dushkajës. Ec, përpara!” – ia vunë prangat dhe e shtynë drejt xhipit, xhipit që
Celi e kishte parë, jo më larg se në pasdreken e një nate më parë.
Sabit Abdyli
No comments:
Post a Comment